• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

MEMORANDUM: TE MBROJME KOSOVEN!

October 12, 2018 by dgreca

Drejtuar: Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Trump,Kancelares së RF të Gjermanisë, zonjës Angela Merkel Kryeministres së Britanisë së Madhe, zonjës Tereza May, Presdientit të Republikës së Francës, zotit Emmanuel Macron Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta Presidentit të Republikës së Kosovës, zotit Hashim Thaci, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, zotit Edi Rama, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Ramush Haradinaj, Partive politike parlamentare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës

MEMORANDUM

Eshtë koha ta mbrojmë Kosovën nga ndarja, copëtimi dhe shpërbërja e shtetformimit të saj!

Të nderuar shkelqësi!

Instituti i Studimeve të Europës Juglindore me qendër në Tiranë dhe në Prishtinë ju drejtohet me këtë memorandum për një çeshtje madhore e jetike, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës dhe rritjes se perpjekjeve për ta bërë atë anëtare të OKB-së dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare! Të shqetësuar për diskutimet e sotme lidhur me përmbylljen e dialogut të Prishtinës me Beogradin përmes ndarjes së Kosovës dhe në emër të korrigjimit të kufijve, Të tronditur nga deklaratat dhe përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve politikë e shtetërorë në Beograd për të imponuar përfitime territoriale në Kosovë në emër të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb, Të zhgënjyer nga qëndrimi i klasës politike të Kosovës dhe sidomos nga deklaratat e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për kompromis të dhimbshëm me Serbinë duke i dhënë asaj pjesë të territorit të vendit, Të keqardhur për deklaratat e papërgjegjshme të disa autoriteteve ndërkombëtare, sipas të cilëve në dialogun Prishtinë-Beograd “mund të diskutohet për mundësinë e korrigjimit të kufijve, nëse palët bien dakord”, Ju drejtohemi ju me kërkesën tonë të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën sovrane të popullit e qytetarëve të Kosovës që t’i jepet fund diskutimit për opsionin e ndarjes së Kosovës dhe të mos mbështeten ide të tilla për disa arësye: 1. Kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në periudhën e Jugosllavisë me vullnetin politik dhe jurodik të tri dhomave të legjislativit të asaj kohe, parlamentit të Jugosllavisë, parlamentit të Serbisë dhe parlamentit të Kosovës. Si të tillë këta kufij ishin element konstituiv i ish-Federatës Jugosllave, njësoj si kufijtë e shteteve të tjera ish-republika të dala nga shpërbërja e kësaj federate. Komisioni Ndërkombëtar i Banditerit i vitit 1992, kur miratoi njohjen e shteteve të reja ish-jugosllave, vendosi që këto shtete të njihen në kufijtë federativë. Kosova është shtet i pavarur si produkt i shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. 2. Kosova është njohur nga 114 shtete të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 7 vendet më të industrializuara të botës dhe 23 vende anëtare të Bashkimit Europian në kufijtë aktualë të saj. Çdo ndryshim i këtyre kufijve do të thotë cënim i vullnetit politik të njohjes së këtyre vendeve. Theksojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania dhe vende të tjera të BE-së dhe NATO-s janë aktori kryesor i çlirimit të Kosovës nga sundimi mizor i Serbisë dhe sponsori kryesor i shtetësisë së saj. Çdo devijim ose korrigjim i kufijve cënon njëkohësisht mbrojtjen e investimit amerkiano-europian e të NATO-s për këtë vend. 3. Opsioni i ndarjes së Kosovës është refuzuar kategorikisht në dokumentin e Martti Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit vendet e tjera më të fuqishme të botës kanë sponsorizuar krijimin dhe shtetndërtimin. Kushtetuta e Kosovës ndalon ndryshime në pakon Ahtisaari. Për pasojë shumica e politikanëve dhe e qytetarëve të vendit nuk do t’i pranojnë ndryshimet kushtetuese, me të cilat ndryshon edhe harta e Kosovës. Kjo do të thotë nxitje e luftës dhe konfliktit në këtë vend. 4. Ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës dëmton rëndë interesat politike, ekonomike, strategjike dhe jetike të saj, por edhe të SHBA-ve, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në veriun e Kosovës, të cilën kërkon ta aneksojë Beogradi përmes marrëveshjes me zotin Thaçi, gjendën 90 përqind e rezervave të pasurive minerale, si dhe rezervat ujore me të cilat furnizohet më shumë se gjysma e Kosovës, përfshirë kryeqytetin e vendit, Prishtinën. Në veriun e Kosovës gjendet maja më e lartë e Ballkanit, nga ku kontrollohet i gjithë territori i gadishullit deri në Detin e Zi, Bosfor e madje Lindjen e Mesme. Në veriun e Kosovës gjendet pjesa më e madhe e gjigandit industrial, Trepçës. Të gjitha këto pasuri të llogaritura në 200 deri në 300 milardë dollarë rerzerva do t’i kalonin Serbisë. Qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen me këtë humbje katastrofike. Në vend që Serbia të dëmshpërblejë dëmet e jashtëzakonshme që i shkaktoi në luftën e fundit popullsisë së Kosovës, ajo dëshiron të marrë prej saj pasuritë më të mëdha të vendit. 5. Nndarja e Kosovës ishte gjithashtu opsion i Milosheviçit. SHBA-tw dhe vendet e fuqishme të BE-së ishin aso kohe (para luftës) kundër këtij opsioni, prandaj dhe ndodhi bombardimi i caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë nga NATO. Nëse do të ndodhte sot ndarja, atëherë kjo do të ishte fyerje e rëndë për humbjet e mëdha në luftë, përkatësisht për 16 mijë viktimat e dhunës dhe terrorit serb të Milosheviçit, për 20 mijë gra dhe vajza të përdhunuara nga ushtarët dhe policët serbë në Kosovë, për dëmet kolosale në pasuritë e tundshme e të patundshme të Kosovës, të cilat llogariten në mbi 20 miliardë dollarë amerikanë. Çdo devijim nga politika e atëhershme për respektimin e tërësisë territoriale të Kosovës është e do të jetë goditje e rëndë dhe me pasoja të pariparueshme për fatin e Kosovës. 6. Projekti i tjetërsimit të territorit të Kosovës dhe ndarjes së tij është hartuar në Beograd dhe mbështetur nga Moska. Ne konsiderojmë se me ndarjen e saj Rusia dhe Serbia llogarisin në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë që ajo të bashkohet me Shqipërinë . Me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Serbia legjitimohet të kërkojë krijimin e federatës serbo – boshnjake. Për pasojë Rusia do të ndërtojë baza ushtarake antieuropiane në territorin e Republikës Srpska. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian nuk mund të lejojnë që Serbia dhe Rusia të shtrijnë influencën politike dhe ushtarake në Serbi dhe Republikën Srpska, e cila posedon një rrip të ngushtë të Bregdetit Adriatik. Kjo do të ishte një goditje e rëndë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ballkanik e europian. 7. Efektet e ndryshimit të kufijve të Kosovës do të shtrihen në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Greqi, vende të cilat kane konflikte dhe probleme etnike të shumta me fqinjët. Ndarja e Kosovës do të përdoret nga Moska si formulë e modelit të ndarjes së Ukrainës, Moldavisë, Lutuanisë, Letonisë dhe do të legjitimojë aneksimin prej saj të Krimesë. Përfundimisht do të ndodhë një zingjir konfliktesh etnike. Në këtë pikëpamje ndarja e Kosovës shndërrohet në precedent, ndërkohë që pavarësia e saj ishte rrjedhë logjike e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe dhunës së Serbisë ndaj shqiptarëve. Shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e këtyre projekteve. Ata janë pozicionuar tashmë qartë si aleatë të besueshëm e të pakontestueshëm të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së e për pasojë nuk duan të krijohen precedente të reja, të cilat bëhen shkak për konflikte të reja në rajon. 8. Në Serbi, Shqipëri dhe në Kosovë ideja e ndarjes mbështetet nga oligarkët e korruptuar, të përfaqësuar përkatësisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndarja e Kosovës është vullnet politik i këtyre tre oligarkëve, të cilët për arësye të dyshimta bashkëpunojnë me oligarkë të tjerë të lindjes. Këta të tre janë në lidhje të ngushta me ish-bashkëpunëtorët e Milosheviçit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian duhet të kontribuojnë për ndërtimin e shtetit të së drejtës në këto vende dhe në vende të tjera të rajonit. Nuk duhen marrë për asnjë cast në konsideratë idetë dhe pikëpamjet e udhëheqësve të korruptuar dhe oligarkë të Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës, sepse ato nuk i hapin rrugë perspektivës së zhvillimit të këtyre vendeve dhe të rajonit në paqe, stabilitet e siguri. Ndërkohë ndryshimi i kufijve dhe ndarja e Kosovës ka si qëllim zgjerimin e tregut të oligarkëve në pushtet në Shqipëri, Kosovë e Serbi e deri në Turqi e Rusi. Ujdia për këtë do të jetë thjesht një ujdi interesash për pastrimin dhe investimin e parave të pista reciprokisht në këto vende. Beogradi e ka stil të tij joshjen financiare dhe materiale të politikanëve shqiptarë e të tjerë. SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së, sidomos Gjermania, Britania e Madhe e Austria, si aleatë të sigurt e të përhershëm të shqiptarëve, si kontributorë e sponsorë të paqes, demokracisë dhe të së drejtës, duhet ta ndalojnë këtë proces. 9. Eshtë e vërtetë se Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por NATO është në Kosovë. Për pasojë Kosova duhet konsideruar si pjesë e Aleancës së Atlantikut e të trajtohet sa i përket territorit njësoj si vendet anëtare të kësaj Aleance. Ndaj çdo tentativë e ndryshimit të kufijve të këtij vendi do të ulë imazhin e NATO-s dhe BE-së në sytë e opinionit ndërkombëtar, si dhe do të lëkundë besimin e banorëve të saj në këta faktorë dhe aktorë të fuqishëm e përcaktues gjeopolitikë në botë. Çdo lëshim për ndryshim të kufijve ose cënim të shtetësisë së Kosovës përmes krijimit të një shteti serb në territorin e saj do të lexohet si dobësi e politikës dhe diplomacisë amerikane e europiane dhe kjo do të shfrytëzohet për përfitime nga kundërshtarët e tyre në pikëpamje strategjike dhe nga iligarkët në pushtet. 10. Nëse ndahet Veriu i Kosovës me vetëm 30 mijë serbë banorë të tij, atëherë askush nuk do të ketë të drejtë të ndalojë ndarjen e Maqedonisë me 700 mijë shqiptarë banorë të saj. Nuk mund të ndalet ndarja e Serbisë me 60 mijë shqiptarë në Luginën e Preshevës, dhe pakica të tjera në Vojvodinë e Sanxhak, ndarja e Greqisë me qindramijë shqiptarë banorë të saj në Çamëri, ndarjen e Malit të Zi po me gati 50 mijë shqiptarë si banorë autoktonë në vazhdimësinë e kufirit me Shqipërinë. Me ndarjen e Kosovës asgjë nuk do të jetë më si më parë as për shqiptarët në Ballkan. Kjo do të thotë konflikt dhe luftë midis popujve të Ballkanit. Ndarja e veriut të Kosovës do të shkaktonte vale dhune kundër serbëve ne enklava në brendësi të vendit, sepse shqiptarët do t’i shihnin ata si rrezik permanent për larine, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit. Ndarja e Kosovës do të çontë në krijimin e shteteve të pastra etnike. Kjo lëvizje do të krijojë konflikte të panumërta në Europë dhe në të gjitha kontinentet e tjera. SHBA-të dhe BE, së bashku me NATO-n, janë të fuqishme ta parandalojnë këtë. 11. Nëse fillon procesi i ndarjes së Kosovës, parlamenti i tij nuk do ta ratifikojë një marrëveshje të tillë. Ndërkohë në Kosovë do të fillonte një lëvizje e fuqishme popullore antiserbe, me kërkesën që Serbia të zhdëmtojë Kosovën për krimet e dëmet e shumta në luftërat e mizoritë e saj të para 20 viteve. Familjet e mbi 1600 të pagjeturve, të cilët janë marrë të gjallë dhe asgjësuar në Serbi dhe të cilëve u janë marrë organet e brendshme për transplante, do të shpërthenin në një revoltë legjitime të tyre në mbrojtje të sovranitetit shtetëror. Kësaj mase të madhe njerëzish do t’i bashkoheshin të gjithë qytetarët e Kosovës dhe marrëveshja do të mbetet një relike me shije të keqe. Aktualisht të gjitha forcat politike në Kosovë, si dhe kryeministri dhe kryetari i parlamentit të vendit janë kundër idesë së zotit Vuçiq, zotit Rama dhe zotit Thaçi për të ashtuquajturën “korrigjim të kufijve”! Në këto kushte i bëjmë thirrje SHBA-ve, RF e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Austrisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian e të NATO-s të shtojnë presionin mbi Beogradin që ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të kërkojë ndjesë për krimet e paimagjinueshme që Serbia ka bërë kundër shqiptarëve, pa diskutuar në dialog për territoret e saj. Ndërkohë që i bëjmë thirrje lidershipit politik në Kosovë të kompaktësojë veprimet e qëndrimet e veta si dhe të garantojë komunitetin ndërkombëtar për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të pakicave përfshirë serbët në Kosovë. Autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë e kudo në Ballkan duhet të distancohen dhe bëjnë presion të parandalojnë një katastrofë të re në hapësirën shqiptare e në Ballkan. Shqiptarët kanë dhe do të kenë dobi, prosperitet dhe zhvillim vetëm në kushtet e paqes, harmonisë me veten e me fqinjët si dhe në aleancë me NATO-n, BE-në dhe SHBA-të!

Instituti i Studimeve të Europës Juglindore Tiranë, Prishtinë, 12.10.2018

Filed Under: Featured Tagged With: Mbrojtja e Kosoves nga ndarja, MEMORANDUM, Te mbrojme Koosven

Dorëhiqet David Phillips

October 12, 2018 by dgreca

Dorëhiqet David Phillips, nuk dëshiron të bëhet pjesë e ndarjes së Kosovës/

1-david

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherësh këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Ai disa herë ka kundërshtuar idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ka thënë se është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve, raporton Koha.net.

Dorëheqjen e tij, siç mëson Koha Ditore, ai e ka dhënë sot.

Thotë se nuk mund të marrë pjesë në një plan të propozuar për ndarje, që, siç thotë ai, ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e tij.

Phillips,është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia të New Yorkut. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, nën presidencën e Clintonit, Bushit dhe Obamës. Autori i “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së”, Phillips punoi edhe me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë.

Lexoni të plotë deklaratën e dorëheqjes së Phillipsit:

Unë kam punuar për pavarësinë e Kosovës mbi tridhjetë vjet, si zyrtar amerikan në Capitol Hill, në ‘think-tanks’ si Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë, si dhe studiues në Universitetin Kolumbias. Qeveria e Kosovës së fundmi më ka kërkuar të shërbeja si këshilltar në dialogun Kosovë-Serbi. U pajtova sepse besoja se mund të arrihej një marrëveshje duke e fuqizuar pushtetin, duke rritur sundimin e ligjit dhe duke rritur presionin nga bashkësia ndërkombëtare në Serbi për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktual.

Disa në institucionet e Kosovës po ndjekin një rrugë tjetër. Ata pranojnë korrigjimin e kufijve, duke dhënë territor në Serbi. Unë besoj se ndarja apo korrigjimi i kufijve është marrëveshje e keqe, e cila nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë apo do ta vendoste Kosovën në një pozicion për të fituar njohje më të madhe globale. Ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mos-njohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Nuk ka bazë të njohur për këtë përfundim.

Për më tepër, korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit kosovar. Ajo minon parimet demokratike të multikulturalizmit dhe pluralizmit politik për të cilin shumë prej tyre kanë vdekur në Ballkanin Perëndimor, transmeton Koha.net.

Është potencialisht e rrezikshme, destabilizuese dhe mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë.

Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje.

David L. Phillips

Prishtinë, Kosovë

11 Tetor 2018

***

Statement of Principle : Partition of Kosovo

 

1-David-L-Phillips-1-300x259I have worked for Kosovo’s independence over thirty years as a US official, on Capitol Hill, at think-tanks such as the Council on Foreign Relations and as a scholar at Columbia University. The Government of Kosovo recently asked me to serve as an adviser on the Kosovo-Serbia dialogue. I agreed because I believe that an agreement could be reached by devolving power, enhancing the rule of law, and increasing pressure from the international community on Serbia to recognize Kosovo as an independent and sovereign state within its current frontiers.

Some in the Kosovo institutions are pursuing a different course. They endorse adjusting borders, conceding territory to Serbia. I believe that partition or adjusting borders is a bad deal, which will not normalize relations with Serbia or put Kosovo in a position to gain greater global recognition. The proponents of border adjustment believe that EU non-recognizers would recognize a reconfigured Kosovo and that the US can convince Russia and China to lift their objection to Kosovo’s membership in the UN. There is no known basis for this conclusion.

Moreover, border adjustment represents an historic betrayal of the Kosovar people. It undermines the democratic principles of multiculturalism and political pluralism for which many have died in the western Balkans. It is potentially dangerous, destabilizing, and could lead to renewed violence and fragmentation.

I cannot participate in the proposed partition plan, which is strategically flawed and fundamentally contradicts my values. As a matter of principle, I have informed members of the Kosovo government of my intention to resign, rather than be party to partition.

David L. Phillips
Prishtina, Kosovo
11 October 2018

Filed Under: Politike Tagged With: David L Phillips, Partition of Kosovo, Statement of Principle Re:

Kalendar-13 TETOR 1943 ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN

October 12, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1-Fritz-Radovani-215x30075 VJETOR’ I  PAHARRUESHEM…/

 

13 TETOR 1943 ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN DHE VRASIN 503 QYTETARË NË TRYEZAT E DREKËS… ISHTE ORA 13.13’…/

1 bombardimi

DATA 13… ORA 13.13’; Një numur i persëritun shpesh’ e, tue u kujtue per keq!/

503 të vdekun dhe të mbuluem me gjak pa dijtë as sot se pse!? Thonin “Luftë”!../

Po, me ke po zhvillohej Lufta?! – As sot nuk pergjegjet njeri… As ata që na vrane s’flasin!/

E nuk flasin as ata që vazhduene me vra e, po ringjallin vrasësit me vra prap edhe sot!

Muejt tetor të Shek. XX kanë sjellë aq shumë histori e kujtime të illta sa nuk harrohen.

Filloi me Tetorin e vitit 1908, e vazhdon me disa data të shemtueme që me i pasë caktue me dorë në kalendar, me siguri do t’ ishte gabue njena sa me u kujtue per mirë.

Kur kolosët e Shekullit XIX mendojnë me ba Shqipninë, dhe Burrat Trima të Malsisë po pergatiten me shpallë Pamvarsinë e Shqipnisë së 1911, Esat Pashë Toptani fillon me na perkundë në djep Enverin, Migjenin, Ramizin, Driteroin e sa të tjerë që gati u lene në një ditë, se në një muej po… E haje dreq, asnjeni nuk e ka daten e sigurtë veç futja kot..!!

Edhe Enveri, edhe Ramizi janë caktue nga sllavokomunistët në dy data, sa me na ba ne në Shkoder “mos me festue as Zojen e Shkodres”, që bie pikrisht ato dy ditë… E kur i erdhi vneri komunist në fyt tue pa plakat tona zdathë, tue shkue me Ju lutë Asaj Zojë, brij Kalasë Rozafat, me “na shfarosë faren e keqe ateiste e sllavokomuniste…”, nxoren  Eshtnat e Imzot Serreqit, që punoi per Pamvarsinë e Shqipnisë që në 1911, e i tretën në Dri, tue e veshë persëvdekuni me të gjitha akuzat e imoralitetit të vet… E Kisha u kthye në germallë, kur kompanjeli i Saj vazhdonte me tregue kush janë malazezët e Krajlit…

Ishin sllavët e vjeter e të rij që punuen, luftuen dhe shpenzuen që Shkodra asnjëherë të mos bahet Kryeqyteti i Shqipnisë, se do të humshin Tivarin, Hotin e Gruden.., e besa shpejtë edhe Kosoven. Lexoni fjalimet e Luigj Gurakuqit në Parlament ! “Nuk ban!” e kundershtuen pinjollët e Toptanve, dhe Kryeqyteti u vendos në Tiranë! Gjaja ma e bukur e Tiranës ishte Sheshi Skenderbeu, me atë blerim e bukuri arkitektorale, sa edhe Ate, injorantët e marrakotun nga kultura sllavo turke e kthyene në livadh kullote bagtishë…

Kalojnë andej e mendojnë…: “Po Skenderbeun, në cilin Bajram do ta mblojmë prap?!”

Tirana, Stambolli e Beogradi e dijnë saktë “Kur Shqiptarët do ti referohen Kur’anit?”

Mos harroni: “Rilindje’domethanë pini drogë.., e bani çka thonte Enveri e Ramizi..!”

Edhe kjo që po ngjet sot me Shqiptarë.., asht bombardim si ai i 13 Tetorit 1943…

            Melbourne, 12 Tetor 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: 13 TETOR 1943 ALEATËT, BOMBARDOJNË, Fritz radovani, TIRANËN...

Shell Upstream Albania , Bursa Studimi për Studentët

October 12, 2018 by dgreca

2 shellNga Berati per Diellin- Sulo Gozhina/1 shellBERAT – Shell Upstream Albania organizoi sot në sallën e Galerisë së Arteve “Edward Lear” një aktivitet ku u promovuan nxënësit fitues nga programi i bursave “Shell 2018 – 2019”. Programi i bursave Shell, përqëndrohet në zonën ku kjo kompani operon, duke mbështetur me bursa 5 studentë që dëshirojnë të studiojnë në profilet “STEM” dhe lëndët në lidhje me naftën dhe gazin. Nëpërmjet kësaj burse studentët përfitojnë 4000 USD, në vit, shumë e cila mbulon tarifat e studimit të tyre. Merrnin pjesë në këtë aktivitet përfaqësuesi i “SHELL Upstream Albania”, Rohan D‘Souza, Zëvendësministri i Energjisë, Enis Aliko, Prefekti i Qarkut të Beratit Harilla Dafa, kryetari i bashkisë Berat, Petrit Sinaj, kryetarja e bashkisë Urës Vajgurore, Juljana Memaj, përfaqësues të institucioneve vendore, nxënës të shkollave banor të qytetit dhe të rrethinave, etj. Përfaqësuesi i Shell, Rohan D‘Souza, falenderoi pushtetin vendor për bashkëpunimin dhe theksoi se kompania Shell do të investojë jo vetëm në infrastrukturën e zonave ku ajo operon, por edhe në shërbime sociale, sidomos te të rinjtë, në fushën e arsimit dhe të dijes. “Programi i bursave Shell, është një program pilot, i cili synon komunitetet ku ne veprojmë për shkak të kryerjes së veprimtarive tona në afërsi të tyre. Ky projekt përqëndrohej krejtësisht në meritokraci dhe është pjesë e projeketev tona, ku veç bursave ne ofrojmë asistencë gjuhe të huajë, punësim, etj, tha Rohan d’ Souza, përgjegjës ligjor për Shqipërinë pranë Shell.
Zëvendës ministri Enis Aliko Duke vlerësuar prezencën e Shell në Shqipëri, u shpreh se kërkimet që po bën Shell në vendin tonë, do t’na ndihmojnë që të kapërcejmë katër deri në pesë vende në klasifikimin botëror për vendburime nafte. Ndërsa vlerësoj punën që bënë kjo kompani në kontributin për nxënsit e komunitetin ku dhe operon, nga ana tjetër z/ ministri Aliko , uroj nxënsit për fitimin e bursës si dhe arritjen maksimale në mësime me qellim justifikim e besimit dhe ndihmës nga kompania Shell.
Kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj me të tjerave në fjalën e tij përshëndetëse tha, falenderoi kompaninë Shell që mbështet të rinjtë në fushën e studimeve universitare, duke u ofruar atyre bursa studimi në vijim Sinaj tha: “Investimi më i madh është investimi në burime njerëzore, sepse, nëse nuk ke njerëzit e duhur për të menaxhuar si duhet burimet financiare, atëherë do të mungojnë rezultatet e pritshme”. Shpresoj që studentët që mbështeten me bursa nga kompania Shell të arrijnë rezultate maksimale dhe të kenë një karrierë të suksesshme, pikërisht këtu në qytetin e tyre”, përfundoj fjalën e tij u shpreh kryebashkiaku Sinaj.

Prefekti Qarkut Berat Harilla Dafa në fjalën e tij falenderoj SHELL për kujdesin që tregon për komunitetitn, në këtë rasht për dhënien e bursave studentve kryesisht të zonës ku operoj vetë kompania. Po me këtë rast uroj suksese studenteve të rinj që përfituan bursat dhe të mësojnë sa më shumë për të justifikuar besimin që është dhënë ndaj tyre gjatë përzgjedhjes së kandidateve. Dua të përmend dhe vlerësoj këtë kontribut të kompanis Shell si dhe bashkëpunimin e informimin periodik që bën SHELL, me Institucionin e Prefektit, lidhur me masat e sigurisë ndaj komunitetit që jeton pranë vendodhjes së kryerjes së punimeve.

Pjesmarësit i përshëndeti, kryetare e bashkisë Ura Vajgurore Juljana Memaj mes të cilave citoj: “Jam këtu për të falenderuar në radhë të parë Shell, për kontributin në bursimin e bursave të 4 studentve dhe në këtë rast vlersoj bashkëpunimi që kemi me kompanin pasi operon edhe në teritorin e bashkisë që unë drejtoj, ndërsa uroj nxënsit në mësimë që të dinë të vlersojnë këtë kontribut e Shell, ndërsa shpresoj dhe jam e sigurt se bashkëpunimi do të vijoj edhe në të ardhem”.

Në programin e bursave Shell mësohet se aplikuan 12 studentë dhe përfituan pesë prej tyre, të cilët u përzgjodhën nga një komision profesionist profesionist.
Në fund të aktivitetit u ndanë certifikata për nxënësit fitues të bursave..

Nga Berati Sulo Gozhina

Filed Under: Kulture Tagged With: Bursa per studentet, Shell Upstream, Sulo Gozhina

ÇDO DITË NË MBROJTJE TË LIRISË SË FJALËS

October 12, 2018 by dgreca

JEP NDIHMËN TËNDE ÇDO DITË NË MBROJTJE TË LIRISË SË FJALËS/1 frank-shkreli-1

“Demokracia nuk mund të mbijetojë pa një debat të informuar, të hapët, dinamik dhe publik.”/

Nga Frank Shkreli/

“Jep ndihmën tënde çdo ditë në mbrojtje të fjalës së lirë”, është motoja e Reporterve Pa Kufij ose Reporters Sans Frontières(RSF), një organizatë kjo jo-qeveritare, ndërkombëtare dhe jo fitimprurëse, me qëndër në Paris të Francës, e cila si mision të saj ka mbrojtjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit. Siç është venë re, sidomos vitet e fundit, udhëheqës autokratë anë e mbanë botës e kanë venë në shënjestër lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit.  Si përfundim, organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë paralajmëruar për keqësimin e lirisë së shtypit dhe për kufizimin e fjalës së lirë në shumë vende të botës, pikërisht nga këta lloj autokratësh dhe despotësh, të cilët e shikojnë shtypin dhe fjalën e lirë, si pengesën kryesore për ta dhe si një ferrë në sy.  Por, fatbardhësisht, janë shtuar gjithashtu edhe kritikat — nga individë dhe nga organizata siç është edhe Reporterët Pa Kufij, mbrojtës të të njohur të lirisë së fjalës — ndaj qëndrimeve të këtyre autokratëve dhe despotëve anë e mbanë botës, për mënyrën se si ata trajtojnë gazetarët dhe medien në përgjithësi, në vendet ku ata ushtrojnë pushtetin e tyre me dorë prej hekuri.

Me një nismë, në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të lirisë së medies në përgjithësi, muajin që kaloi, organizata Reporters Sans Frontiers, (emri i saj në frëngjisht), njoftoi themelimin e entit global të quajtur, Komisioni për Informacion dhe Demokraci, 70-vjet pas miratimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara.  Në një njoftim për medien, me këtë rast, organizata Reporterët Pa Kufij, tha se Komisioni për Informacion dhe Demokraci, përbëhet nga 25 figura të njohura botërore, përfshirë gazetarë të dalluar, nga 18-vende të ndryshme, të cilët kanë marrë përsipër përpilimin e një Deklarate mbi Lirinë e Informacionit dhe Demokracinë.

Komisioni në fjalë do të bashk-kryesohet nga fituesja e çmimit Nobel për Paqë, Dr. Shirin Ebadi, një avokate me origjinë iraniane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe nga Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës Reporterët Pa Kufij, francezi, Christopher Deloire.  Në këtë Komision, ndër të tjera figura të njohura botërore, përfshirë gazetarë dhe ekspertë të fushave të tjera, bëjnë pjesë gjithashtu nobelisti për ekonomi, Joseph Stiglitz dhe novelistja peruviane, Amartya Sen, si dhe nobelisti për letërsi Mario Vargas Llosa dhe avokati nigerian i të drejtave të njeriut dhe fitues i Çmimit të Parlamentit Evropian, “Sakharov”, Hauwa Ibrahim.Në njoftim thuhet se ky Komision ndërkombëtar po themelohet në një kohë kur, “Kriza e besimit në demokraci dhe influenca në rritje e sipër e regjimeve despotike përbëjnë një kërcënim të madh ndaj lirisë, harmonisë civile dhe paqës”, janë shprehur dy bashk-kryetarët e Komisionit të Informacionit dhe Demokracisë, duke bërë të njohur këtë nismë për publikun e gjërë.  Arsyet kryesore për këtë situatë të krijuar, theksojnë ata, në përcaktimin e misionit të këtij enti të ri ndërkombëtar, janë, “Kontrolli politik i informacionit në hapësirën publike globale, influenca e interesave private, influenca në rritje e sipër e aktorëve të korporatave të cilët anashkalojnë kontrollet demokratike, si dhe minimi i gazetarisë së mirëfilltë dhe cilësore”, na të gjithë këta faktorë.

Information

Në dokumentin ku përcaktohen parametrat e misionit të veprimtarisë së  Komisionit, theksohet se në Deklaratën — që do të përpilohet nga ky grup figurash publike të njohura botërisht – “Do të vendoset për një sërë parimesh, do të përcaktohen objektivat për t’u realizuar nga vendim-marrësit, ndërkohë që dokumenti do të shërbejë si një pikë referencë, për të mobilizuar të gjithë ata të cilët janë të zotuar se do të mbrojnë hapësirën pluraliste publike, e cila është e doemosdoshme për funksionim e një demokracie të vërtetë.” 2 Frank

Nismëtarët e këtij projekti thonë se qëllimi përfundimtar i gjithë kësaj pune është që të sigurohet një angazhim ndërkombëtar në mbështetje të lirisë së informacionit dhe demokracisë nga qeveritë e ndryshme, nga përfaqësues të kompanive të sektorit privat dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.  Drejtë këtij objektivi, organizata Reporterët Pa Kufij, thotë se pret që procesi politik, në këtë drejtim, të ndërmerret nga vet udhëheqsit e vendeve demokratike në bazë të Deklaratës që do të përpilohet nga ky Komision, e që më në fund, sipas tyre, do të çojë në një, “Zotim Ndërkombëtar për Informim (të lirë) dhe Demokraci.

Organizatorët u shprehën se udhëheqsit e botërorë në të gjitha kontinentet janë njoftuar me letër për sa i përket kësaj nisme dhe se organizata Reporterët Pa Kufij shpreson se ata do të ndërmarrin angazhimin që u kërkohet në mbështetje të lirisë së medies dhe demokracisë. Propozuesit e kësaj nisme presin që udhëheqsit botërorë të zotohen për zbatimin e këtyre parimeve, aty nga fillimi i muajit që vjen, kur në Paris do të mblidhen dyzina kryetarë shtetesh dhe qeverishë për të shënuar 100-vjetorin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore me 11 Nëntor dhe Konferencës së Paqës më 11-13 Nëntor dhe Forumi mbi Internetin më 12-14 Nëntor, që do të mbahen në kryeqytetin francez.

Njoftohet se Komisioni në fjalë është takuar për herë të parë më 11 dhe më 12 Shtator në Paris dhe pritet t’i jap fund punës mbrenda dy muajsh, për të pasur gati Deklaratën për takimet e lartë përmendura, në fillim të Nëntorit, në Francë.  Në këtë ndërkohë, njoftojnë organizuesit, kanë filluar tanimë edhe konsultimet ndërkombëtare me një numër personash dhe organizatash të interesuara për lirinë e fjalës dhe për fatin e demokracisë anë e mbanë botës, para se të bëhet tepër vonë, sepse sipas deklaratës që përcakton misionin e saj, “Demokracia nuk mund të mbijetojë pa një debat të mirë-informuar, të hapët, dinamik dhe publik.”  Demokracia nuk Pret!

ANTARËT E KOMISIONIT

1 anetaret e Komisioniy

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ÇDO DITË NË MBROJTJE, Frank shkreli, SË FJALËS, të lirisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT