• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Kurirët shqiptarë të rrenave serbe!

October 7, 2018 by dgreca

1 emin Azemi

Ende ka redaktorë në Prishtinë, po edhe në Tiranë, që s’e kanë tejkaluar kompleksin e inferioritetit ndaj propagandës sllave. Duke qenë nën trysninë e shputës së këtij inferioriteti, ata e projektojnë të vërtetën e paredaktuar që vjen përmes tabloidëve serbë , të cilëve nuk iu beson një pjesë e mirë e elitës intelektuale të Beogradit/

Nga Emin AZEMI/
“Kuriri” serb është i krijuar si medie për qëllime që i shërbejnë një klani të ngushtë politik në Beligrad. Ky tabloid bulevardesk mbahet me para të majme nga mafia politike e Vuçiqit dhe të gjithë ata që duan të mësojnë më tepër për armiqtë e tij, le ta lexojnë këtë tabloid. Ditëve të fundit target i kësaj paçavure serbe ishin disa personalitet të larta politike të Kosovës dhe gjithkush që e lexoi lajmin për gjoja aferën intime të disa prej tyre, do të ketë mbetur i habitur për shpejtësinë e përhapjes së këtij lajmi në një pjesë të hapësirës mediatike në gjuhën shqipe. Ka shumë portale që gjuhën shqipe e përdorin për komunikim, por keqpërdorimin që e bëjnë përmes kësaj gjuhe tejkalon caqet e një informimi të mirëfilltë etik e profesional. Një rrenë e fabrikuar serbe më shpejt mbërrin në Prishtinë se në Vrajë, kurse ata që mundohen të na thonë se detyrë e mediave është të informojnë, nuk e kanë të qartë se jo çdo lajm i rremë mund të shitet si informim. I bie që kurirët shqiptarë po tregohen shumë të zellshëm në shpërndarjen e rrenave serbe.
Në çarshinë e Beogradit nuk shiten thashethemet e mediave të Prishtinës. Në Beograd shumë vështirë depërton e vërteta për Kosovën, ndërkohë që shumë lehtë depërton në Prishtinë pseudo e vërteta që prodhohet nga mediat mafioze të Beogradit. Ende ka redaktorë në Prishtinë, po edhe në Tiranë, që s’e kanë tejkaluar kompleksin e inferioritetit ndaj propagandës sllave. Duke qenë nën trysninë e shputës së këtij inferioriteti, ata e projektojnë të vërtetën e paredaktuar që vjen përmes tabloidëve serbë , të cilëve nuk iu beson një pjesë e mirë e elitës intelektuale të Beogradit. Pikërisht “Kuriri” dhe disa shtylla të tjera ku kryqëzohen kundërshtarët e regjimit aktual serb, janë stigmatizuar nga grupe profesionale e të pavarura të gazetarisë në Beograd, ndërkohë që në raportet e organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe të drejtave e lirive të njeriut, tabloidët e tillë janë etiketuar si ndotësit më të mëdhenj të hapësirës publike në Serbi.
Transmetimi i rrenës së fundit të “Kuririt” serb ku vihej në spikamë nderi i njerëzve me reputacion publik, mund të jetë një mall që kënaq nevojat bizare të tregut serb, por kur ky lajm me shpejtësinë e rrufesë transmetohet nga mediat në Prishtinë e Tiranë, pa mundin më të vogël të verifikimit të tij, atëherë mund të dyshojmë që sensacioni infektues të ketë prekur një tufë redaktorësh të papërgjegjshëm.

*(Botohet me lejen e autorit)

Filed Under: Analiza Tagged With: Emin Azemi, Kurirët shqiptarë, të rrenave serbe!

“Do t’i ruajmë kufijtë prej teje, Hashim”!

October 7, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /“Do t’i ruajmë kufijtë prej teje, Hashim”! Kjo ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në përgjigje të këmbnguljes së presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për të vazhduar më tej me idenë e tij të tmerrshme për ndarjen e territorit. Po si erdhi deri te mbrojtja e kufijve të Kosovës nga rreziku që paraqet për këta kufij vetë presidenti i këtij vendi? Si ndodhi që kryeministri i Kosovës angazhohet ta mbrojë Kosovën nga rreziku qe paraqet vetë kreu i shtetit të Kosovës?! Ku është parë në nëdonjë vend në botë që kryeministri të zotohet për mbrojtjen e territorit të vendit, sepse këtë territor e rrezikon vetë shkëlqesia e tij president?! Ne shqiptarët vërtet jemi një specie e rrallë. Jemi qenie me të cilat eksperimentohet. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, si në Shqipëri edhe në Kosovë, por nuk kishte ndodhur që presidenti i vendit të bëhej fanatik e militant i zbatimit të programeve serbe për Serbinë e Madhe! Ky sukses spektakolar i Beogradi, që ai flasë dhe të veprojë në interes të vetin përmes presidentit të Kosovës, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Kosovë . Megjithëse Ramush Haradinaj ia thotë në sy presidentit të vendit të tij se “do ta mbrojë Kosovën dhe territorin e saj nga vetë aksioni antishqiptar i presidentit”, ky i fundit vazhdoi me skenarin e vet. Ai pas deklaratës së Haradinajt u bëri thirrje kryeministrit dhe kryeparlamentarit Veseli që ta përkrahin atë për “korrigjiin e kufijve”, dmth për ndarjen e Kosovës! Nuk ka të ndalur Hashim Thaçi! Nuk ia kanë ndërruar mendjen as qëndrimet kundër të SHBA-ve dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian! Ndërkohë që në Beograd refuzojnë të flasin për këtë temë, Hashim Thaçi këmbngul. Kësaj i thonë: “Ose do t’i japë tokë e territor Serbisë, ose ai vdes”. Presidenti serb nga Moska u shpreh se “Kurrë nuk kishte folur për ndryshimin e kufijve midis dy vendeve”. Ndërkohë ai vazhdoi meformulën, sipas së cilës “Shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha dhe serbët t’i himbasin të gjitha”. Ndërsa sa i përket idesë së ndarjes, megjithëse mohoi ta ketë përmendur, Vuçiq nga Moska u shpreh se “Precedent ishte pavarësia e Kosovës dhe jo ndarja e saj”, duke dhënë mesazhin se qëndron në të njëjtën ide me Hashim Thaçin. Ndërsa presidenti i Kosovës e mbështet fuqishëm homologun e tij në Beograd për këtë ide, pa dashur t’ia kujtojë fushatën e masakrave serbe të dhunës e terrorit kundër popullit të tij, shqiptarëve! Por nuk është i një mendje me presidentin e Serbisë e të Kosovës kryetari i Partisë Popullore në opozitë të Serbisë, Vuk Jeremiq, i cili nga Çikago tha se “Ndryshimi I kufijve midis Serbisë dhe Kosovës është një precedent i rrezikshëm për luftë në Ballkan”! Kjo do të thotë se edhe ustallarët e kanë lënë Hashim Thaçin të vetëm! Ndërsa në Prishtinë kryeministri Haradinaj shpall se “do ta mbrojë Kosovën nga presidenti i vendit”, opozita e LDK-sëdhe e PSD-së, por me gjasë edhe ajo e Vetëvendosjes, nuk po dalin ende nga skutat e fshehta, ku Hashim Thaçi ua ka caktuar vendin! Nuk e di çfarë duhet të bëjë më shumë një president në shkelje të kushtetutës së një vendi normal, që ai të shkarkohet nga funksioni që mbart! Kaq të pafuqishëm janë përfaqësuesit e sovranit në Kosovë përballë një njeriu të vetë, qoftë ky dhe president i vendit?! Iniciativa kushtetuese dhe ligjore për këtë I përket opozitës. Megjithatë Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbajë një qëndrim ekuivok, të mjergullt dhe pa përmbajtje lidhur më këtë rast ekstrem! Në vend të angazhohet e të veprojë e vendosmëri për t’ia vënë kufijtë presidentit të vendit, në vend të iniciativës për shkarkimin e tij, LDK vazhdon lojën e marrë për pushtet! Në vend që të mbështesë deri në fund kryeministrin, kryeparlamentarin e këdo tjetër që I kundërvihet idesë së presidentit, në vend që të luftojë për të krijuar një front unik kundër rrezikut Thaçi për territorin dhe Republikën, vazhdon dhe shpall si prioritet luftën politike kundër kryeministrit! Në çdo vend të botës kur kërcënohet territori i vendit, qoftë dhe nga presidenti, pozita dhe opozita bëhen bashkë. LDK dhe Vetëvendosje duhet ta kapërcejnë ambicjen për pushtet dhe të luftojnë për territorin e për shtetin! Ndryshe LDK duhet t’ia thotë publikut në Kosovë se cili është borxhi që ia ka ende Hashim Thaçit si person e jo si president! Tirane, 07.10.2018

Filed Under: Politike Tagged With: “Do t’i ruajmë kufijtë prej teje, Enver Bytyci, Hashim”!

Kufijtë e Kosovës, të pacenueshëm dhe të panegociueshëm

October 7, 2018 by dgreca

Haradinaj: Kufijtë e Kosovës, të pacenueshëm dhe të panegociueshëm/

projektrezoluta-1projektrezoluta-2PRISHTINË, 6 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka  shkruar sot: Në pikën një dhe pikën gjashtë të Rezolutës së Qeverisë, të dakorduar sot me kryetarët e partive të koalicionit qeveritar, është definuar qartë se kufijtë e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur, Sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, janë të pacenueshme dhe të panegociueshme dhe se Kuvendi i Republikës së Kosovës, si autoritet suprem, me votat e 2/3 e të gjithë deputetëve, do të Ratifikojë Marrëveshjen Ligjërisht Obligative në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

RH

Filed Under: Komente Tagged With: Haradinaj, Kufijtë e Kosovës, te pacenushem

Enigma e shpatës së tretë “ensis” të Skënderbeut…

October 7, 2018 by dgreca

1 Shpata 1Nga Fotaq Andrea/Strasburg/2 koka e shpates

Ne Foto: Koka e Shpatës/

3 Grifon

Grifon/4 Jeronimos Bosch

Jeronimos Bosch/5 Stema e Castrioteve

Stema e Kastrioteve/7 Donika Kastrioti

Donika Kastrioti/8 Skenderbeu me armesAstolphe de Custine, shkrimtar e diplomat francez, ndërmori më 1830 një udhëtim nëpër Kalabri, duke njohur nga afër fshatrat arbëreshe të këtij rajoni, e sidomos mjerimin e tyre të madh, kur banorët detyroheshin t’u shisnin udhëtarëve të huaj – për një çapë bukë, me lutjen “Ho fame”, që të këpuste shpirtin -, gjithçka të vyer që kishin trashëguar, që nga kostumet e famshme të grave arbëreshe deri tek orenditë dhe mjetet e luftës, pinjallë, kama, kordha e pisqolla të hershme, të cilat përbënin objekte me vlerë të paçmuar antikuare e historike. Në fshatin Lungro i paraqitën, siç dëshmon udhëpërshkruesi frëng, jo pa ironi, “një nga shpatat e shumta të Skënderbeut, i cili kishte, pa dyshim, po aq shpata sa kishte Madona shami për të mbuluar kryet” (A. De Custine, në antologjinë F. Andrea, “Arbëreshët e Italisë”, f.87).

 

Po më interesant e i drejtpërdrejtë në dëshminë e tij është shkrimtari dhe poeti i madh frëng Théophile Gautier, të cilit i treguan, gjatë vizitës së tij më 1855 në kishën e lashtë të Shën-Irenës në Kostandinopojë, koleksionin e armëve të kësaj kishe, ku ishte e ekspozuar, krahas shpatës së Mehmetit II me mbishkrim germash të arta, krahas pancirit të artë të Timurlengut, edhe – citojmë autorin – “një shpatë hekuri me teh të copëtuar e të ngrënë, dhe me dorezë në formë kryqi, që është shpata e Skënderbeut (sic!), e heroit atletik” (F.A. në librin “Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar”, bot. Zenit, 2017, f. 186). Vëmë në dukje, me këtë rast, se ky koleksion i fillim-shekullit XIX ndodhet sot në Muzeun e armëve të Stambollit dhe ia vlejnë hulumtimet në këtë drejtim për shpatën-kryq e me teh të thyer të Skënderbeut në kërthizën e shtetit turk.

 

Por objekt i studimit tonë në këtë shkrim është një tjetër shpatë e Skënderbeut, të cilën po e quajmë “shpata e tretë” e tij, e llojit “ensis”, për ta dalluar nga dy shpatat e tjera të njohura që ruhen në Vjenë dhe që janë studiuar e komentuar gjatë. Kjo shpatë e tretë ruhet sot e inventarizuar si objekt i KryeHeroit shqiptar në Muzeun “Palazzo Reale” të Capodimonte-s në Napoli. Është bërë publike për herë të parë nga një foto e firmës “Alinari” (fig. 1) në librin e Angiolo Bianchotti-t “Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg”, botim i vitit 1940. Kohët e fundit, prof. Lutfi Alia, mbështetur tek studiuesit austriakë Ludwig von Pastor dhe Eduard von Sacken (që i referohen shënimeve të kardinal Gonzagas), paraqiti të dhëna të veçanta për këtë shpatë të tretë të Skënderbeut, duke theksuar se ajo iu bë dhuratë nga Papa Pali II më 25 dhjetor 1465 (ditën e Krishtlindjes), së bashku me përkrenaren tashmë emblematike me brirët e dhisë dhe me një medaljon, krahas një relikteje të shenjtë dhe titujve honorifikë që iu akorduan. Me sa duket, kjo shpatë ensis dhe kjo përkrenare, të dyja me simbole të veçanta dhe të prodhuara enkas nga argjendari personal i Papës, do të ishin dhe mbeteshin thjesht dekorative apo ceremoniale, pa ndonjë përdorim funksional. Sipas zakonit papal, armët që bëheshin dhuratë nga Vatikani bekoheshin drejtpërdrejt nga dora e Papës, sikurse do të ndodhte në po atë kohë në ceremoninë e pritjes nga Papa Pali II të Borso d’Estes, duka i Ferrares, vajtur në Romë gjithë pompozitet, me 138 mushka mbuluar me velenxa që mbanin stemën e Shtëpisë fisnikërore Este.

 

Biografët e Papa Palit II, i përfolur për shpërdorime të mëdha financiare, që ndërtoi në Romë më 1467 – si një venedikas që ishte – pallatin luksoz të Shën Markut dhe shpenzoi 200 000 forinta ari vetëm për tiarën e tij plot gurë të çmuar zefiri, që e derdhi paranë lumë edhe për organizim lodrash zbavitëse në Romë, këta biografë nuk kanë munguar të vënë në dukje sa dorështrënguar e kurnac u tregua ai me Skënderbeun, “me atë princ të madh e luftëtar, siç shkruanin kronikat, duke i akorduar një ndihmë financiare tepër qesharake prej 3 000 skudesh”, ndërkohë që Ai, KryeTrimi, qëndronte lart si mbrojtës i Krishtërimit kundër perandorisë osmane.

 

Le të shohim tani nga afër shpatën e tretë ensis të Skënderbeut, paraqitjen e saj fizike dhe elementët që e përbëjnë, konkretisht: a) shpata shfaqet në argjend; b) ka në fundin e dorezës kokëzën e një luftëtari ilir që mban mbi krye përkrenare, dhe që të kujton njëfarësoj heronjtë e hershëm, Aleksandrin e Madh apo Pirron e Epirit (fig. 2); c) vetë doreza, me një bukuri e zgjidhje mjeshtërore artistike përmban një grifon, siç e ka konfirmuar, në letërkëmbimin tonë të rregullt, mjeshtri Taso, piktori mrekullisht virtuoz i shpirtit pogradecar e kombëtar shqiptar; d) grifoni, me pamje nga lart (si rrallë herë, e hasim në këtë pozicion edhe në një medaljon të mëvonshëm të Rilindjes italiane të vitit 1503 në katalogun e famshëm të  Hill)), mbështetet me tre putra në dy harkimet e dorezës ku dallojnë dy maska, kokë njeriu dhe kokë luani; putra e katërt ballore e grifonit mbështetet mbi mburojën e dorezës, e cila është e veshur me zbukurime florale; e) trupi i shpatës po ashtu është i veshur me zbukurime florale në formë arabeskash.

 

Vërejmë se ndër tërë këta elementë përbërës, simboli i grifonit zë vend qendror, si për të shprehur thelbin e ndërtimit artistik të kësaj shpate, të veçantën e vet identitare me simbolikën domethënëse. Dhe në fakt, ky simbol i hershëm, ardhur që nga Lashtësia mesopotame e pellazge, filloi të përhapej në Mesjetë në shekujt XIV-XV, kur konsiderohej si kafshë e vërtetë në gjininë e shpendëve dhe kur askush nuk e vinte në dyshim ekzistencën e tij. Jo vetëm kaq, por figura dhe simboli i grifonit (deri edhe femër – grifona), nisi të marrë forma të ndryshme artistike e sidomos të shfaqet në letërsinë fetare të krishterë.

 

Ashtu sikurse sfinksi, centauri, tritoni, kimera, dragoi e kuçedra, edhe grifoni zë vend të rëndësishëm në mitologji dhe përmendet madje disa herë nga Herodoti, Babai i Historisë, kur flet për hyjnitë dhe heronjtë mitikë që lidheshin me këtë simbol, që nga Gilgameshi, Sethi dhe mbretërit egjiptianë, deri tek Apoloni, Dionisi, Erosi, Artemisi, pa harruar të na e japë edhe skenat e hershme me grifonë të gjuetisë së Amazonave. Konkretisht, grifoni paraqitet fizikisht si një qenie që ka gjysmën e trupit shqiponjë (kokë, krahë, kthetra) dhe gjysmën tjetër luan (bark, shpinë, putra, bisht) me të veçantën e çuditshme tek mban mbi krye veshë kali. Si simbol përbindëshi të lashtë (i fortë sa njëqind shqipe e njëqind luanë bashkë) dhe me kthetra të llahtarshme, grifoni shfaqet më herët në monedhën klasike të Teos në Joni, por edhe në Dyrrahun tonë, siç e dëshmon studiuesi Agron Luka me një monedhë të lashtë të Durrësit, ku grifoni është rojtar i bletës, simbolit të virtytit, nderit e virgjërisë (fig.3). Në fakt, që tek Herodoti për herë të parë, grifoni shihej si ruajtësi dhe mbrojtësi i thesareve të Apolonit, por edhe të mbarë Tokës, dhe po ashtu mbikëqyrësi i Pemës së Jetës. Në simbolikën e tij bashkohej guximi dhe forca e luanit me zhdërvjelltësinë dhe mprehtësinë e shkabës. Ishte një entitet i dyfishtë, si vetë natyra e dyfishtë njerëzore e hyjnore, ku pajtoheshin të kundërtat dhe mishëroheshin vetitë e Shën Mikelit.

 

Në Mesjetën e hershme, grifoni njeh njëfarë simbolizmi të kufizuar, po prapë është i pranishëm në letërsinë kalorësiake të ciklit të mbretit Artur, në “Romanin e Aleksandrit” apo atë të Florimontit. Shumë shpejt, e shohim të shfaqet në krejt degët e sigilografisë, në heraldikë e medaljone, në piktura e grafika, ku dallojnë për vepra të arrira me grifonë holandezi Jérome Bosh e gjermani Martin Schongauer gjatë viteve 1475-1495 (fig.4).

 

I dhamë tërë këto hollësi jo pa qëllim, kur cilësitë karakteristike të simbolit grifon pasqyrojnë në shpatën ensis të Skënderbeut thelbin e enigmës, përmbajtjen e thellë dhe mesazhet e vyera që ajo mbart si për të shprehur vetë karakterin dhe cilësitë e larta të KryeTrimit shqiptar, nderuar nga Papati me titujt që i njihen. Nëse grifoni është simboli i ruajtësit dhe mbrojtësit të thesareve të Tokës, a nuk ishte Skënderbeu ynë ruajtësi dhe mbrojtësi i dheut të shtrenjtë arbëror, ruajtësi dhe mbrojtësi i vlerave të Krishtërimit me vetë titullin “Atlet i Krishtit” që mbante? E më tej, a nuk ishte KryeHeroi arbër ruajtësi dhe mbrojtësi i mbarë Europës nga rreziku i pushtimit osman? A nuk ishte Ai që mposhti e turpëroi dy sulltanë të perandorisë më të madhe të kohës përgjatë një epopeje njëçerekshekullore, që e mbajti të mbyllur plot dinjitet e lavdi portën e Arbërisë së vogël për të shpëtuar vlerat e Perëndimit dhe të Humanizmit në atë Rilindje të madhe europiane kërcënuar ethshëm nga osmanët? Grifoni, i shpatës kastriotine shfaqet kështu sa shqipe mali aq edhe luan, me forcën e tyre të bashkuar, duke dëshmuar për paepurinë dhe pathyeshmërinë e Skënderbeut, udhëhequr nga motoja e shenjtë “Liri e Fitore”.

 

Nga ana tjetër, dimë se në heraldikën e familjes Kastrioti shfaqen që në vitet 1450 përballë njëri-tjetrit si shqiponja dykrenore, ashtu dhe luani në këmbë e me shpatë në putër, (fig.5) emblemë kjo domethënëse e Skënderbeut që dëshmon për aleancat martesore, për bashkimin dhe lidhjen e gjakut të familjes Kastrioti me familjet e mëdha të Topiajve, Muzakajve, Skurrajve, e më tej me krejt familjet fisnike të Arbrit, në qëllimin e madh dhe lavdiplotë të Skënderbeut për bashkim të kombit. Shkrirja e shqiponjës me luanin, dy prej simboleve kryesore të fisnikërisë arbërore, njëjësimi i tyre nëpërmjet figurës së grifonit në shpatën ensis paraqet kësisoj, simbolikisht e bukurisht, idenë madhore të bashkimit kombëtar. (Në parantezë, vëmë në dukje se në heraldikën shqiptare e hasim simbolin e grifonit të artë, me kurorë mbi krye, në qendër të emblemës komplekse të Mërkur Bua Shpatës, këtij stradioti të famshëm shqiptar që veproi e luftoi me lavdi në mbarë Europën gjatë shekullit XVI).

 

Duke e parë përdorimin e simbolit grifon nga këndvështrimi i mitologjisë, vëmë re se dy emra kolosësh luftarakë të Lashtësisë, që lidhen me historinë e popullit tonë, Aleksandri i Madh dhe Pirroja i Epirit – ndoshta vetë kokëza e shpatës ensis dëshmon për ta – na paraqiten grafikisht jo rrallë nën shoqërinë e grifonit, si për të shprehur vlerat dhe madhështinë që i karakterizonte me një rojtar të denjë besnik. Përsëri, i referohemi këtu historianit dhe mitologut Agron Luka tek na e ka sjellë nga thesaret e trashëgimisë sonë basorelievin e kishës ortodokse të Kurjanit pranë Roskovecit që e paraqet figurën e Aleksandrit të madh mes dy grifonësh, si dhe mozaikun e Katedrales së Otrantos, ku përsëri Aleksandri i Madh është i ulur mes dy grifonësh për të fluturuar lart në qiell, drejt pavdekësisë (fig.6). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Pirron e Epirit që mbante simbolin e grifonit në kaskën e tij, siç na e japin monedhat e prera në Lashtësi. Në këtë mënyrë, mesazhi i grifonit mbrojtës në shpatën e tretë ensis të KryeTrimit shqiptar është më se i qartë: Kjo shpatë me këtë simbol është e denjë vetëm për krahun e fuqishëm të Aleksandrit të Madh të Rilindjes Europiane – Skënderbeut -, të Pirros modern – Gjergj Kastriotit -, mbret i Shqipërisë e i Epirit.

 

Por dy gjeneralët e mëdhenj të Lashtësisë, Pirroja i Epirit dhe Aleksandri i Madh nuk kishin të përbashkët vetëm simbolin grifon. Ata na shfaqen të ilustruar që nga Lashtësia edhe me brirët e cjapit në armët e tyre, siç dëshmojnë autorët klasikë, Plutarku me shokë. Andaj, nuk është rastësi që përkrenarja e Skënderbeut, dhurata e dytë e Papa Palit II që shoqëroi shpatën ensis, mban mbi krye brirët e dhisë për t’u shndërruar me kohë në simbolin tipik skënderbejan, në entitet më vete, kurorë lavdie dhe kurorë e vetë Shqipërisë.

 

Edhe për përkrenaren e Skënderbeut është folur e komentuar shumë, dhe kohët e fundit duan të shohin mbi të brirët e cjapit, duke e lidhur këtë simbol me shenjën e zodiakut të bricjapit, me Jupiterin Ammon, me Marsin, perëndinë e luftës, që godet gjithçka që pengon, me bririn e bollëkut si simbol pjellorie, dhe mbi të gjitha me figurën e vetë Aleksandrit të Madh, të “Dhu l’Karnaïn” të persëve e arabëve, njeriut me dy brina, “bashkuesit të Lindjes me Perëndimin”.

 

Në fakt, deri më sot, që prej periudhës së Rilindjes dhe romantizmit, mitologjia dhe historiografia shqiptare kanë parapëlqyer të shohin në përkrenaren skënderbejane simbolin e brirëve të dhisë së shenjtë Amaltea, bija e Diellit që mëndi Zeusin foshnje – Kryeperëndinë. Në fund të fundit, “Trimat, heronjtë, lindin nga gratë!”, thotë Dora d’Istria, kjo idhtare e emancipimit të gruas që në shekullin XIX. Dimë po ashtu që simboli i dhisë, emblemë dodonase e mëmësisë, zë vend qendror edhe në eposin tonë të kreshnikëve dhe shfaqet si shoqëruesja e denjë e Donika Kastriotit, bashkëshortes të KryeTrimit shqiptar (fig.7). Krejt thelbi i këtij simboli pasqyrohet bukur në shprehjen e popullit tonë “burrë me brina” – burrë trim, siç nënvizon Dhimitri Pilika, apo shkurt në fjalën e vetme “burrë”, tek shohim në të lidhjen etimologjike “Burrus-Phyrrus”, apo Pirro Burri, siç kishte qejf të shprehej Ali Pashë Tepelena.

 

Në të vërtetë, nuk e shohim aspak të rastësishme që si shpata ensis me grifonin, ashtu dhe përkrenarja me brirët e dhisë (apo cjapit) iu dhuruan së bashku, si armë ceremoniale, princit arbër nga Pali II. Simbolika është po aq e thjeshtë sa madhështore: në të dy rastet, qoftë me grifonin, qoftë me brirët e cjapit, kemi të bëjmë me binomin Aleksandër i Madh – Skënderbe, Pirro Burri – Skënderbe. Puqen kësisoj epokat historike e epike në emblemat e Skënderbeut, këtij Aleksandri të Ri modern, këtij Aleksandri të Krishterë, emëruar nga vetë sulltanati “Iskanderbej”. “Brirët e cjapit që shfaqeshin në kaskën e këtij ushtari të shkëlqyer, vë në dukje historiani i shquar frëng Jules Michelet më 1831, të sjellin ndër mend vrullin e papërmbajtshëm të kafshëve mistike që, në ëndrrën e [profetit] Ezekiel bëjnë veç kërcime përpara me forcën e trupit, pa e prekur tokën, duke përmbysur perandori në udhën e tyre.”…

 

Është interesante që Viktor Hygo, tek flet për Shtetet e Bashkuara të Europës (te vepra “Rhini”), përmend edhe Shqipërinë, por më shumë i referohet figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe trimave të tij tek “Oriantalet”, krahas heronjve arvanitas të revolucionit grek. Veçse, te kryevepra “Katedralja e Parisit” Hygo na shfaq ciganen Esmeralda, ardhur siç thotë nga Ballkani, konkretisht nga “vendet (trojet) e Shqipërisë”, dhe shoqëruar nga dhia e saj. Çuditërisht, Esmeralda e quan dhinë e saj – me të cilën jepte shfaqje para Katedrales -, “Djali”, siç e transkripton në origjinalin frëngjisht këtë emër vetë Hygoi, kryeromantiku i letërsisë franceze. Dhe çuditërisht përsëri, në përkthimin shqip të kësaj vepre, personazhi i dhisë “Djali” shqipërohet “Xhali”, si për ta larguar enkas nga shqipja dhe për ta orientalizuar sa më shumë termin, kur në fakt, ky term apo ky emër nuk ekziston në botën orientale. Për mendimin tonë, gjeniu Hygo, që i bazon episodet në ngjarje të ndodhura, duhet të ketë pasur këtu parasysh termin shqip “djali”, që i shkon aq bukur si nofkë afektive e përkëdhelie dhisë (apo cjapit) të Esmeraldës, vajtur nga Shqipëria në Karnavalet e Parisit, ku nuk mungon as simboli i “albanojës”, kapuçi i lartë shqiptar i Mesjetës. Normalisht, Hygo duhej ta quante “Vajza” dhinë e Esmeraldës dhe jo “Djali”, ose ndryshe, më saktë, do duhej të ishte “cjapi Djali”. Por, ja që ngatërresa krijohet lehtë kur jo domosdoshmërisht brirët e kafshës përcaktojnë gjininë e saj, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për kokën e dhisë (cjapit) mbi përkrenaren e Skënderbeut. Kjo “zgjidhje” hygoiane, “Dhija Djali” duket sikur i shkon për shtat edhe simbolit të brirëve mbi përkrenaren emblematike kastriotine.

 

Që përkrenarja e Skënderbeut duhet të ketë pasur një funksion vetëm simbolik e ceremonial, e vërteton këtë edhe ilustrimi i piktorit flamand Dominic Custos, më 1601, ku Skënderbeu jepet për herë të parë me shpatë në dorë dhe përkrenare vendosur mbi tokë dhe jo në kokë (fig.8). Dhe vetëm nga gjysma e dytë e shekullit XIX, siç vëren me të drejtë Dr. Moikom Zeqo, KryeHeroi shqiptar fillon të na shfaqet me përkrenaren mbi krye, në portrete të realizuara kryesisht nga piktorë të njohur shqiptarë të Rilindjes (G. Panariti, Th. Gjini, S. Frashëri, M. Toptani, etj). Princi spanjoll Aladro Kastrioti, për të shtuar artificialisht famën e tij si pretendues për fronin e Shqipërisë, do t’i kërkonte piktorit të talentuar shqiptar Theohar Gjinit t’ia paraqiste portretin “princëror” me përkrenaren e Skënderbeut mbi krye. Dhe pas tij do të ishte mbreti Zog, në dëshirën për t’u shpallur “Skënderbeu III”, që do të pasqyrohej me përkrenaren kastriotase mbi krye në disa portrete artistike të tij. Përkrenarja me kokën e dhisë do të shndërrohej gradualisht në emblemë gjatë shekullit XX, kur në fakt, tërë piktorët e huaj klasikë e kanë shfaqur portretin e Skënderbeut pa përkrenare, por vetëm me kësulën tipike frigine dhe me pilusin shqiptar, krahas beretës së tij karakteristike “alla Caramagnola” në veshjen princërore europiane që mbante si burrë shteti.

 

Përgjithësisht, thuhet për toponimitë dhe për gjithçka që ka të bëjë drejtpërdrejt me historinë dhe figurën e Kastriotit të Madh emërtesa origjinale “… e Skënderbeut”. Kësisoj kemi: “Kalaja e Skënderbeut”, “Mali i Skënderbeut”, “Shkalla e Skënderbeut”, “Gjurma e Kalit të Skënderbeut”, “Kali i Skënderbeut”, “Libri i Skënderbeut”, “Shpata e Skënderbeut”, “Krahu i Skënderbeut”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, e me radhë. Jemi kështu më pranë reales, të vërtetës historike, të një përcaktuesi pronor veshur me madhështi e fisnikëri, larg legjendares, mitikes, kur kalorësit e lashtë dhe sidomos të Mesjetës u jepnin emra shpatave, kuajve, helmetave, etj. duke i vendosur me simbole edhe në heraldikë. Kështu, kanë mbetur legjendare shpatat “Zhuajëza” e Karlit të Madh, “Dyrendali” i Rolandit, “Hotklera” e Olivierit, “Kurtina” e Origierit të Danimarkës apo “Eskaliburi”, shpata magjike e mbretit Artur. Por është jo pa interes të vëmë këtu në dukje se që në Mesjetën e hershme, shekulli XIV, fisnikëria arbërore, e njohur për zanatin e armëve e të luftës, do ta shndërronte simbolin e shpatës në mbiemër të një familjeje të tërë të lashtë shqiptare, Buaj-Shpatat, me të parin e tyre Gjin Bua Shpatën dhe me shkëlqimtarin e tyre Mërkur Bua Shpatën.

 

Sakaq, simbolin e shpatës do ta shohim të përfshirë që herët në heraldikën arbërore dhe në emblemën e familjes Kastrioti, tek e shohim të vendosur në putrën e luanit vertikal në këmbë (fig. 5), ndërkohë që luani horizontal i Shën Markut të Venedikut e ka putrën vendosur mbi libër, ose pastaj mban ngritur një shpatë. Por nuk do vononte dhe, nën ndikimin e Barletit e të Lavardinit, shprehjen “shpata e Skënderbeut” e shohim të përdoret shumë herë nën penën e autorëve dhe shkrimtarëve klasikë europianë, qoftë si krahasim, qoftë si proverb, e lidhur kjo me shprehjen “krahu i Skënderbeut”, aluzion për përgjigjen e Gjergj Kastriotit dhënë Mehmetit II: “Të dhashë shpatën, por jo krahun”. Dhe jo vetëm kaq, por vërejmë se shprehja “krahu i Skënderbeut” do të bëhej njëfarësoj realitet kur në Rumani ndeshja e sportit me thyerje krahuquhet “un skanderbeg”, dhe shprehja “Facem un skanderbeg”, thjesht do të thotë “bëjmë një skënderbegë”. Sa mirë do të ishte që tradita e hershme shqiptare e duelit me thyerje krahu të ripërtërihej mes brezit të ri nën emrin e bukur “skënderbegë”, si tek fqinjët tanë rumunë, që e huazuan termin nga Barleti ynë dhe po me këtë term zhvillojnë edhe kampionate botërore të thyerjes së krahut.

 

Më në fund, mbështetur te historiani francez Eugène Müntz, ekspert i artit të Rilindjes italiane  (në veprën e tij “Les arts à la Cour des Papes pendant le XVe et XVIe siècles, Zürich, New York, 1983 – Artet në Oborrin papal gjatë shekujve XV e XVI)”), vërejmë se gjatë pontifikatit të Palit II në vitet 1464-1471, mjeshtri i ndritur Simone di Giovanni nga Firenca, ushtronte funksionin e kontrollorit të arit të Vatikanit që përdorej nga arpunuesit apo argjendpunuesit e Papës dhe se ai bashkëpunonte ngushtë me mjeshtërin Paolo di Giordano nga Roma (që punoi tiarën e famshme të Palit II për të cilën folëm me lart), me artistët Emiliano De Foligno dhe Pietro Paolo, po nga Roma, të cilët gravuruan monedhën pontifikale të Palit II. Sakaq, studiuesi frëng na shfaq në tri emra të ndryshëm që mund të jenë një person i vetëm argjendpunuesin Nardo (Leonardo) Corbolini, (që del edhe me emrat Nardo Comballino e Nardo di Pietro di Domenico), i cili nxori nga duart e tij më 1465 vazon e purpurt për mbajtjen e ujit të bekuar në bazilikën e Shën Markut, si dhe artistët e tjerë Leonardo di Guidozo, Andrea di Niccolo de Viterbe, Meo de Flaviis nga Roma e Giacomo di Domenico. Tërë këta artistë që përbëjnë rrethin e ngushtë të arpunuesve të Vatikanit, u ngarkuan të punonin trëndafilat e artë të bekuar nga Papa (reliktet e shenjta) si dhe shpatat e nderit që u dhanë nga Pali II, konkretisht për perandorin Frederiku III, për Mathias Korvinin, Borso d’Esten dhe Henrin IV, mbret i Kastijës. Studiuesi frëng nuk përmend mes tyre emrin e Skënderbeut, që mori dhuratë nga Pali II shpatën ensis, duke qenë se vizita e tij në Vatikan i paraprin vizitave të bujshme të sovranëve të mësipërm. Por e sigurt është se në mesin e këtyre argjendpunuesve gjendet edhe emri i artistit që punoi “pilus-in dhe ensis-in” (përkrenaren dhe shpatën), dy dhuratat e Papa Palit II për Skënderbeun, siç shkruan kardinal Gonzaga në rolin e kronikanit, i pranishëm në pritjen e Skënderbeut në Vatikan. Dhe ndër këta artizanë, emri i mjeshtrit Nardo Corbolini, mjaft aktiv në Papat në vitin 1465, duhet të jetë artisti që ka punuar shpatën e tretë ensis të Skënderbeut dhe përkrenaren e tij me brirët e dhisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Enigma e shpatës, Fotaq Andrea, së tretë “ensis”, të Skënderbeut

115 nxënës nga Lugina vizitojnë Kosovën

October 6, 2018 by dgreca

1 lugina1 shqiponja1 Ramushi1 Jasharet1 Varrezatprizren

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e mbështëti fuqishëm nismën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, për organizimin institucional të eskursionit të nxënësve nga Presheva Metvegja dhe Bujanoci dhe shprehu gatishmërinë që nisma të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Njëkohësisht, Kryeministri Haradinaj kërkoi nga nxënësit që t’u bëjnë ftesë edhe bashkëmoshatarëve të tyre të të gjitha kombësive që ta viziojnë Kosovën bashkarisht.

“Në Kosovë bashkëndjej me ju, familjet e juaja, prindërit me të cilët jeta është jo aq e lehtë, për gjendjen ekonomike, të drejtat njerëzore por edhe kombëare, nevojat e përgjithshme të njerëzve tanë aty, njëkohësit për nxënësit, shkollën, vendbanimet. Rinia shqiptare, autoktone në trojet e veta, me vlera unike dhe paqedashës, do të kenë të ardhme prosperuese për të cilën është garancë orientimi ynë properëndimor dhe synimi për paqe e mirëkuptim me të gjithë popujt e rajonit”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri Haradinaj.

Organizatori i këtij eskursioni, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, falenderoi Kryeministrin Haradinaj që ia mundësoi ta realizojë premtimin e dhënë gjatë vizitës në Preshevë.

“Është nder i veçantë që në Qeverinë e Republikës së Kosovës të presim nxënës të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, si dhe të bëjnë një vizitë të tillë nëpër disa vende të Republikës së Kosovës. Shumë shpejt do të organizojmë një vizitë dy ditore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ku edhe do të shpalosim Programin Nacional për Rininë”, tha Koordinatori Hoti.

Hoti shprehu gatishmërinë që herave tjera vizita të tilla të bëhen edhe me nxënësit e shkollave fillore të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Gjatë këtij eskursioni,  115 nxënësit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit vizituan Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku edhe u njoftuan nga afër për historinë e Jasharajve. Pastaj, vizituan Qeverinë e Kosovës ku u pritën nga Kryeministri Haradinaj. Nxënësit patën mundësinë që të drekojnë në objektin e kryeministrisë, për të vazhduar pastaj në Parkun Arkeologjik në Ulpianë dhe në qytetin e Prizrenit.

*Per me shume fotografi shko ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: 115 nxënës nga Lugina, vizitojnë Kosovën

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT