• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Kosovë-Përkujtohet në 20 vjetor dëshmori Xajë Jashari

October 26, 2018 by dgreca

1 Xaje JashariPërkujtohet në 20 vjetor dëshmori i lirisë së Kosovës, luftëtari i UÇK-së, Xajë Jashari, me një akademi të shtunën e 27 Tetorit 2018  në orën 11:00 në fshatin e lindjes Strofc.

“Luftëtari i Lirisë veç i Falet Atdheut – Xajë Jashari  Dëshmor i Kombit, 19. 06. 1955 – 27. 10. 1998”, shkruan në lapidar aty ku prehet në amshim e ku do bëhen homazhe.

Xajë Jashari  shumë vite punoi në Radio Televizionin e Prishtinës.

Akademia përkujtimore mbahet në Shkollën Fillore “Liria” në Strofc, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe  Sport dhe Shoqatat e dalura nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: perkujtohet me 27 tetor, Xaje Jashari

SHKODRA, KRENARI SHQIPTARE NDËR SHEKUJ

October 24, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Shkodra na ka bërë krenarë ndër shekuj, pika jonë lidhëse me civilizimin/

1 Ok para Ises 1

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Shkodër, është pritur nga kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi. Vizitën e ka nisur me homazhe te shtatorja e Heroit Kombëtar, Isa Boletini/

4 policia nderim

SHKODËR, 24 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/*

7 etno

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkodër, është pritur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi me bashkëpunëtorë. Vizitën e tij zyrtare, kryeministri Haradinaj i shoqëruar edhe nga kryetarja Ademi, e ka nisur me homazhe te shtatorja e Heroit Kombëtar, Isa Boletini.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se ndjehet i emocionuar që po e viziton qytetin e Shkodrës, të cilin e quajti adresë të gjithë shqiptarëve.

“Jam vërtetë i prekur dhe i emocionuar të jem në Shkodër, në adresën e kombit, në adresën e shqiptarisë, në vendin i cili na ka bërë krenarë dhe na ka bërë të mburremi ndër shekuj për atë që jemi, pra që jemi shqiptarë”, tha kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar kryetaren Voltana Ademi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë për pritjen, dhe shtoi se ndjehet i vlerësuar me shpalljen “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Shkodrës në vitin 2017.

Ndërkaq, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i ka uruar mirëseardhje dhe e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj, që ka zgjedhur për të vizituar qytetin e tyre, Shkodrën.

“Unë ju falënderoj për vizitën dhe shpresoj se do të kemi mundësinë që të marrim disa iniciativa edhe në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe të disa ngjarjeve kombëtare për Shqipërinë dhe Kosovën”, tha kryetarja Ademi, duke e cilësuar vizitën e kryeministrit Haradinaj historike për qytetin e Shkodrës.

Më pas, kryeministri Haradinaj është pritur në Bashkinë e Shkodrës nga kryetarja, Voltana Ademi me bashkëpunëtorë, me të cilën ka biseduar rreth bashkëpunimit institucional të nivelit qendror dhe atij lokal ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndër temat që janë biseduar gjatë këtij takimi kanë qenë zhvillimi i turizmit, si dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë. Po ashtu është biseduar edhe për bashkëpunimin në fushën e kulturës, si dhe fusha tjera të interesit reciprok.

Gjatë këtij takimi është propozuar edhe renovimi i shtëpisë muze të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, për të cilën u tha se vlerat e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve historike, do ta kenë vëmendjen e institucioneve të të dyja vendeve.
Më tej, Kryeministri Haradinaj ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë, “Marubi”, ku nga drejtori i këtij institucioni, Luçjan Bedeni, është njoftuar për vlerat e koleksionit fotografik përmes të cilit janë dokumentuar momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive dhe politike përgjatë historisë.

“Jam i kënaqur që jam në Shkodër, një vend i mirë, i njerëzve të mirë dhe vlerë e mirë e shqiptarëve. Dikur, pika jonë lidhëse me civilizimin, pra me këtë ndjenjë po largohem nga Shkodra”, tha kryeministri Haradinaj, në fund të vizitës së tij./b.j/

*Per me shume fotografi shih ne Facebook(dielli vatra)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kryeminstri Haradinaj, vizite en Shkoder, Voltana Ademi

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu: “AT I KOMBIT SHQIPTAR”

October 24, 2018 by dgreca

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka qenë, është dhe do të mbetet, figura dhe personaliteti më i lartë i Kombit, Kryeheroi i lirisë dhe mëvetësisê së shqiptarëve, simboli i bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trevave, themeluesi i shtetit të parë shqiptar të mesjetës, themeluesi i parë i vetedijes kombëtare të shqiptarëve, themeluesi i flamurit tonë që trashëgojmë sot, gjeneral ushtarak i përmasave botërore, politikan dhe strateg i shquar, frymëzues për liri dhe pavarësi ndër shekuj i shqiptarëve dhe sidomos Rilindasve tanë, frymëzues i luftës për liri i shumë popujve evropiane, një emblemë e çmuar njëqind përqind shqiptare, që ka marrë vleresime maksimale gjatë gjithë historisë deri në ditët e sotme, në libra, shkrime, poezi, monografe, tituj, lavde, elogji, buste, përmendore, emra sheshesh e rrugësh në mbarë Evropën…..

1 ok te gjithe

Nga Dom Ndue GJERGJI*/

KOMUNIKATË PËR SHTYP – Këshilli Organizator i Simpozumit Shkencor Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i përberë nga përfaqësitë e shoqatave atdhetare, intelektuale dhe qendrave fetare në Michigan, mbas përfundimit me sukses te këtij Simpoziumi me 27 Janar 2018, i propozon instancave më të larta të shteteve së Repuplikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, shpalljen me ligj të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, “AT I KOMBIT SHQIPTAR”.
Ideja e këtij propozimi lindi në fazat përmbyllëse të këtij Simpoziumi dhe mori rrugë përgjatë reflektimeve dhe debateve të përbashkëta në grup, me mbështetjen e profesorëve më të mirë të historisë së Shqipërisë, të cilët morën pjesë në këtë Simpozium, me bindjen se kjo ide përfaqëson dëshirën dhe vullnetin e lirë të shumicës së shqiptarëve në trojet amtare dhe diasporë.
Ne anëtarët e këtij Komisioni, mendojmë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka qenë, është dhe do të mbetet, figura dhe personaliteti më i lartë i Kombit, Kryeheroi i lirisë dhe mëvetësisê së shqiptarëve, simboli i bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trevave, themeluesi i shtetit të parë shqiptar të mesjetës, themeluesi i parë i vetedijes kombëtare të shqiptarëve, themeluesi i flamurit tonë që trashëgojmë sot, gjeneral ushtarak i përmasave botërore, politikan dhe strateg i shquar, frymëzues për liri dhe pavarësi ndër shekuj i shqiptarëve dhe sidomos Rilindasve tanë, frymëzues i luftës për liri i shumë popujve evropiane, një emblemë e çmuar njëqind përqind shqiptare, që ka marrë vleresime maksimale gjatë gjithë historisë deri në ditët e sotme, në libra, shkrime, poezi, monografe, tituj, lavde, elogji, buste, përmendore, emra sheshesh e rrugësh në mbarë Evropën.
Ne anëtaret e këtij Komisioni, mendojmë se në etapat e reja social-historike, dhënia e këtij titulli të lartë Kryeheroit tonë, do të shërbente për një mobilizim të ri moral, intelektual dhe shpirtëror mbarëshqiptar, për të fuqizuar integritetin, kohezionin dhe njësimin kombëtar, si shtylla kryesore të identitetit tonë si shqiptar, pasardhës të Ilirëve, si një vector emancipues dhe një pasaportë dinjtoze për shqiptarët në proceset integruese në komunitetin evropian dhe më gjerë.

Dhënia e këtij titulli, do te shërbente si një mesazh i fortë dhe i guximshem për bashkësinë Evropiane, se orientimi gjithë-dimensional i shqiptarëve është Evropa, se shqiptarët janë pasardhësit e Skënderbeut, i cili luftën e tij të drejtë, ja kushtoi jo vetëm çlirimit të viseve arbnore, por edhe mbrojtjes së civilizimit të hershëm evropian. Si rrjedhojë, identifikimi ynë si Skënderbegas, do të kthehej në një vlerë të shtuar dhe faktor emancipues për vetë komunitetin evropian.
Me një argument historik të pregatitur nga historiani i njohur Prof. Dr. Jahja Drançolli, me sugjerimet e vazhdueshme të Dr. Pëllumb Xhufi, në kontakte të vazhduesheme me Prof. Dr. Romeo Gurakuqi e të tjerë, me kontributin e dëlirë të anëtarëve të këtij Komisioni, dhe pas një mbështetjeje te jashtëzakonshme nga elita intelektuale dhe biznesmenë të shquar të Diasporës në SHBA dhe Kanada, kemi përfunduar dhe dërguar instancave përkatese shtetërore shqiptare për t’a ratifikuar këtë dokument, i cili po te kurorëzohet me sukses, mendojmë se përbën një akt të lartë vlerësimi, civilizimi dhe qytetarie, per te cilin kemi nevojë ne shqiptarët si komb dhe më së shumti e meriton figura e pavdekshme e Skënderbeut në përmbyllje të 550 vjetorit të vdekjes së tij. Ne anëtaret e këtij Komisioni, i bëjmë thirrje të gjitha mediave vizive dhe të shkruara, të gjithë rrjeteve sociale dhe mbarë opinionit publik shqiptar, që t’i bashkohen dhe të na mbështesin në këtë nismë tē pastër atdhetare, jashtë të gjitha influencave krahinore, politike apo fetare; t’a shpërndani këtë dokument në çdo dritare mediatike, derë dhe zemër shqiptare, duke qenë të bindur se kjo është shërbesa më e vyer ndaj vetes suaj dhe identitetit të trashëgimtarëve tuaj, të lidhur pazgjidhshmërisht dhe përjetë me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Për Komisionin Organizator:
Dom Ndue Gjergji, Kryetar

Shenim:Komunikates per shtyp i bashkengjitet edhe promemoria qe i eshte derguar personaliteeve me te larta shteterore, politike dhe shkencore ne Shqiperi dhe Kosove, e cila pervec Komisionit ehste e nenshkruar nga Personalitete dhe nga Ligjeruesit e Seminarit shkencor organizuar ne Detroit, Janar 2018…

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dom Ndue Gjergji, me Gjergj Kastriotin – Skenderbeu, Shqipёria nё Europё

AMERIKA JEP ALARMIN PËR SHTRIRJEN E INFLUENCËS RUSE DHE KINEZE NË EVROPËN LINDORE DHE QENDRORE

October 24, 2018 by dgreca

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Wes Mitchell kritikoi  “Shumë prej aleatëve të ngushtë të Amerikës në Evropën Qëndrore dhe Lindore”, të cilët, sipas tij brenda vendeve të tyre, “Kanë venë në veprim rrjete korrupsioni që bashkpunojnë me ndërmarrje shtetërore, brenda një sistemi që favorizon Kinën dhe Rusinë”. /

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Wess Mitchell është Ndihmës Sekretar i Shtetit Amerikan për Evropën dhe Euro-Azinë.  Diplomati Mitchell, konsiderohet si një prej ekspertëve më të njohur amerikanë mbi punët e Evropës Qendrore dhe Lindore.   Në një fjalim që ka mbajtur në Fondacionin Heritage në Washington qershorin që kaloi, diplomati i lartë amerikan kishte njoftuar strategjinë e politikës së jashtme të Administratës së Presidentit Trump ndaj Evropës.  Thelbi i atij fjalimi, mbi strategjinë e politikës amerikane në Evropë ishte se Shtetet e Bashkuara e shikojnë Evropën me syzat e një konkurence politike strategjike midis qytetërimit Perëndimor dhe alternativës së një autokracie absolute cariste dhe komuniste që sjellin Rusia dhe Kina.

Por të ënjtën e javës që kaloi, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, foli në Këshillin e Atlantikut në Washington, në mënyrë më të theksuar dhe më urgjente, për shtrirjen aktuale të influencës ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qendrore, duke thënë se, “Këthimi i konkurencës midis shteteve të mëdha është një fakt përcaktues gjeopolitik i kohës në të cilën jetojmë”.   Ai u tha të pranishëmve se rivalët e Shteteve të Bashkuara janë duke shtrirë influencën e tyre në Evropën Lindore dhe Qëndrore në dëm të Aleancës Perëndimore. “Konkurrenca e sotëme politike ndihet në mënyrë të mprehtë në Evropën Qendrore dhe Lindore.  Nga Baltiku e deri në Adriatik, anë e mban gadishullit Ballkanik e deri në Kaukaz, rivalët e Amerikës po shtrijnë influencën e tyre politike, ushtarake dhe tregëtare”, ka thekësuar diplomati amerikan, i cili është përgjegjës për politikën e Shteteve të Bashkuara  ndaj Evropës dhe Euro-Azisë.  Ai nënvijoi se “Për një kohë tepër të gjatë tani, Perëndimi nuk e ka marrë seriozisht këtë konkurrencë” ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qëndrore.  Në fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut në Washington, Z. Mitchell tha se, “Rusia përdor taktika manipulative përsa i përket shitjes së energjisë, korrupsionit dhe propagandës, me qëllim për të dobësuar vendet perëndimore nga brenda dhe për të minuar lidhjet e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kina, nga ana tjetër, thekësoi ai, përdor diplomacinë e borxheve, për të siguruar koncesione në infrastrukturën e shteteve më të vogëla të rajonit euro-aziatik.

Për shtrirjen e influencës së hapët ruse në këtë rajon është folur dhe është shkruar shumë në vitet e fundit, por të përmendurit e shtrirjes së influencës kineze në Evropë dhe Euroazi, në fjalimin e Z. Wes Mitchell javën që kaloi, pasqyron një fokusim më të madh të Administratës së Presidentit Trump mbi shtrirjen ndërkombëtare të influencës kineze në përgjithësi, përfshirë edhe fjalimin e Zëvëndës Presidentit amerikan, Z. Mike Pence, më heret këtë muaj, në të cilin ai numëroi një seri veprimesh aggressive në botë, nga ana e Pekinit.  Si pasqyrim të shtrirjes së influencës kineze në Evropë, Z. Mitchell theksoi faktin se investimet kineze në kontinentin evropian vitin që kaloi, “Ishin gjithsejt 318-miliardë dollarë”, duke shtuar se, “Pekini kontrollon ose ka pronë të tijën pothuaj një të 10-tën e kapacitetit të porteve evropiane.”

Përball këtyre fakteve – nënvijoi Z. Mitchell, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të rrinë duar-kryq ndaj këtij kërcënimi në rritje e sipër ndaj Evropës Qendrore dhe Lindore.  “Ne nuk mund të konsiderojmë si një punë të kryer faktin se vendet e ndryshme do të mbeten automatikisht miqësore me Amerikën, por duhet të bëjmë çfarë është e mundur që të ndalojmë dominimin e këtyre vendeve nga rivalët e Amerikës”, është shprehur diplomati i lartë amerikan.  “Washingtoni duhet të bëjë më shumë” për të kundërshtuar influencën ruse e kineze në Evropë, tha ai, por Washingtoni pret gjithashtu nga vendet të cilat i ndihmon Amerika, të mos mbështesin rivalët tonë”.  Duke u folur drejt për së drejti evropianëve, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, tha se, “Evropiano-perendimorët nuk mund të vazhdojnë të thellojnë varësinë e tyre energjetike me të njëjtën Rusi, nga e cila Amerika, njëkohsisht edhe i mbron.  Ose që të pasurohen nga i njëjti Iran”, theksoi ai, “I cili prodhon raketa balistike që kërcënojnë Evropën.”  Ndërkaq, Z. Mitchell tha se shpreson se do të bindet Turqia që të heq dorë nga blerja e njoftuar e raketave ruse nga Ankaraja me një vlerë prej 400-milion dollarësh, me shpresën, tha ai, për të mbajtur Turqinë, jo vetëm në një trajektore politike perëndimore, por edhe në një trajektore strategjike të Perëndimit.”

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Wes Mitchell kritikoi gjithashtu edhe “Shumë prej aleatëve të ngushtë të Amerikës në Evropën Qëndrore dhe Lindore”, të cilët, sipas tij brenda vendeve të tyre, “Kanë venë në veprim rrjete korrupsioni që bashkpunojnë me ndërmarrje shtetërore, brenda një sistemi që favorizon Kinën dhe Rusinë”.  Kjo, situatë e krijuar, theksoi ai, nuk u jep të njëjtën mundësi veprimi dhe nuk është e volitshme për firmat amerikane, ka thënë ai.  Zyrtari i lartë amerikan tha në fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut të ënjten që kaloi, se Shtetet e Bashkuara do t’u japin gjithmonë prioritet me ndihma dhe mbështetje, atyre vendeve që janë miqtë tanë, por njëkohësisht, shtoi ai, Washingtoni, “U bën thirrje këtyre vendeve që të ndjekin shembullin tonë dhe të përmirësojnë e të forcojnë ligjet me qëllim që të kontrollohen më mirë investimet e huaja nga kërcënimet që mund t’i vijnë sigurisë kombëtare nga këto investime”, në vendet e rajonit euro-aziatik.Mitchell tha, në fjalimin e tij javën që shkoi se grindjet midis disa qeverive të Evropës Lindore e Qendrore me Bashkimin Evropian, kanë bërë të mundur që Rusia dhe Kina ta paraqesin veten para këtyre vendeve si, “Kampionë të sinqertë të pavarësisë së vërtetë kombëtare”, një zhvillim ky, që sipas diplomatit të lartë amerikan, nuk mund të merret as me mend. “Aleatët tonë në Evropën Qendrore dhje Lindore nuk duhet të kenë asnjë iluzion se këto fuqi (Rusia dhe Kina) janë miqtë e tyre”, duke shtuar se, “Ideja se Vladimir Putini është me të vërtetë mbështetës i pavarësisë kombëtare të një shteti të vogël, është çmenduri… Mbështetja jonë ndaj pavarësisë dhe integritetit kombëtar, është pikërisht ajo që dallon Perëndimin nga regjimet autoritare”, dhe udhëheqsit e tyre, siç janë Rusia e Kina.  Ndryshe nga rivalët tonë, u shpreh Z. Mitchell, “Amerika nuk kërkon   shtete të varura tek ne, por kërkon aleatë dhe partnerë të fortë të cilët janë të lirë, të pavarur dhe shtete të cilat janë të gatëshme dhe që kanë mundësi të kontribojnë për mbrojtjen e përbashkët perëndimore… Janë aleatët e fortë dhe të pavarur, dhe jo shtetet e dobëta varëse, ata që do të bëjnë të mundur që Perëndimi të triumfojë përsëri”, ka thënë diplomati i lartë amerikan.
Megjithë paralajmërimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për rrezikun që paraqet shtrirja në rritje e sipër e influencës ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qëndrore, diplomati lartë amerikan, Z. Wes Mitchell përfundoi fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut në Washington me një notë optimiste se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do t’i mundin kundërshtarët e tyre në Evropë. “Një prej përparësive më të mëdha në garën e Amerikës me rivalët e saj autokratë, është vetë historia e Shteteve të Bashkuara, pra, trashëgimia jonë si një popull demokratik, bujar e shpirtmadh, energjetik e plot incitiativë”, përfundoi ai fjalimin e tij javën që kaloi — duke i siguruar të pranishmit se kjo trashëgimi dhe përvojë e përbashkët edhe në “luftën kundër tiranisë” gjatë shekullit të kaluar, së bashku me popujt e Evropës Qendrore dhe Lindore, do të mund të garantojë përsëri që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë frontet e lirisë, edhe në të ardhmen.

Zoti Mitchell tha se “Me aleatë të fortë, të mbështetur nga dashuria e tyre për liri, e që është trashëgimia më e madhe e Perëndimit, ne do të triumfojmë përsëri”, përballë shtrirjes aktuale të influencës, në rritje e sipër, të Rusisë dhe Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Filed Under: Politike Tagged With: Europe Lindore e Qendrore, Frank shkreli, influenca rus-kineze, jep alarmin, SHBA

Unë dhe diktatura

October 23, 2018 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat Kripa/*

E nderuara zonja Susanne Schütz, Anbasadore e Gjermanisë, Tiranë/

I nderuar zoti Ëalter Glos, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Tiranë/

I nderuar zoti Karsten Dümmel, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Bosnje Hercegovinë./

E nderuar zonja Jonila Godole,  Drejtoreshë e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Tiranë/

Të nderuara zonja dhe zotërinj/

Ju   falënderoj  për  organizimin  dhe  pjesëmarrjen  tuaj  në këtë  simpozium  mbi  ditët  e kujtesës së diktaturës komuniste. Është kënaqësi për mua, por në të njejtën kohë edhe dhimbje, për të shprehur  mendimet e mia për atë periudhë të errët që kaloi kombi ynë. Them dhimbje se, kur kujtoj atë kohë, më del para syve rinia ime, një rini e mbuluar nga hija e pleqërisë. Më del para syve ajo periudhë kur donim të mësonim dhe nuk na linin të mësonim, donim të punonim dhe nuk na linin të punonim, donim të jetonim dhe nuk na linin as të jetonim.

I përkas një familjeje tregëtare nga qyteti i Vlorës. Im atë ka qenë pronar i një fabrike vaji dhe ushtronte tregëtinë e vajit të ullirit. Si parim të jetës së tij kishte mos përfshirjen në lëvizjet politike të kohës dhe këtë porosi na e jepte dhe ne fëmijve të tij. Por, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të qëndroje asnjanës. Kështu, dy motat e mia, nxënëse të shkollës “Nana Mbretëreshë” në Tirnë, Drita dhe Fatushe Kripa, u aktivizuan me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke shpërndarë trakte në qytet. Pas përfundimit të luftës, Drita i kushtohet teatrit duke qenë një nga themelueset e Teatrit Kombëtar. Fejohet  dhe më pas martohet me Hysen Pelingun, këngëtar i njohur i operas, komunist dhe pjesëmarrës në rradhët partizane në kohën e luftës. Gjithashtu motra tjetër, Qamilea, fejohet me Muharrem Çoratin, familje komuniste, Zëvendës Ministër i Industrisë dhe Minierave në periudhën 1945-1947.

Çuditërisht, pikërisht në këtë periudhë, me vendimin numër 2 datë 21 tetor 1946 të Komisionit të Rregullimit të Urbanizimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës Tiranë, dëbohemi, për arsye politike, në qytetin e Vlorës. Çfarë motive politike kishte familja e jonë për t’u dëbuar? Asnjë, por fantazia e udhëheqësve komunistë kishte shpikur një organizëm që i krijonte armiqtë dhe pa pasur të tillë. Ky organizëm ishte Sigurimi i Shtetit që kishte depërtuar në çdo qelizë të tij në atë kohë.

Kështu, kur u kthyem në qytetin e Vlorës, trajtoheshim si familje  e  armiqve  të  popullit.

Isha në klasën e gjashtë të shkollës shtatëvjeçare. Nuk isha më shumë se trembëdhjetë vjeç. Ora e leximit letrar. Lexohej një tregim i shkrimtarit Aleks Çaçi me titull “Për një shishe vaj”. Ishte historia e një punëtori te një fabrike vaji që, nga nevoja, vodhi një shishë vaj. Pronari e kapi dhe e pushoi nga puna. Çuditërisht, autori, pronarit i kishte vënë emrin Qazim, emrin e tim eti, që ishte gjithashtu një pronar i një fabrike vaji. Profesori i letërsisë thirri emrin tim për të lexuar pikërisht pjesën ku përmendej emri i atit tim. Unë refuzova. Profesori më nxorri jashtë nga klasa. Të nesërmen u njoftua se isha përjashtuar nga organizata e pionierit. Në koridorin e shkollës, te gazeta murit, ishte vizatuar një karrikaturë e imja me mbishkrimin” Poshtë borgjezia”. Kush ishte borgjezia? Mos vallë unë, një trembëdhjetë vjeçar?

Një  trajtim i  tillë  bëri  që  im  vëlla,  Besniku,  së  bashku  me   dy  shokë  të  klasës,  në

moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare,  të  krijonin  një  grup  antikomunist  dhe  të  shpërndanin  trakte

në  shkollë. Zbulohen dhe dënohen me nga pesëmbëdhjetë vjet burg. Kryejnë nga dymbëdhjetë vjet sejcili. Një vit më vonë edhe unë, në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, në klasën e parë të gjimnazit,  së bashku me dy shokë të klasës, krijojmë gjithashtu një grup antikomunist që shpërndante trakte  në  qytet. Arrestohemi  dhe,  për shkak të moshës, dënohemi me nga pesë vjet burg, të cilat i kryem të gjitha.

Pas lirimit nga burgu, kryeva edhe shërbimin ushtarak në repartin e punës ku mësova mjeshtërinë e muratorit që e ushtrova gjatë gjithe periudhës së rregjimit komunist. Kisha një dëshirë të madhe për të studiuar. Përfundova arsimin e mesëm me rezultate të shkëlqyera. Kisha bërë kërkesë për arsimin e lartë me korespondencë, por m’u mohua. Kërkova një takim në Ministrinë e Arsimit. Më priti Zëvendës Ministri, Anastas Kondo. Më dëgjoi por, kur mori vesh që kisha qenë i dënuar politikë, më tha:

  • Ik ora djalë dhe vazhdo punën, i di Partia këto gjëra.

Kështu,  dyert e arsimit të lartë u mbyllën një herë  e  përgjthmonë, dhe  unë  vazhdova që

për gjithë periudhën e komunizmit të ushtroja mjeshtërinë e muratorit.

Por, së fundi, komunizmi u përmbys dhe ne, shtresa e të përndjekurve politikë, filluam të marrim frymë lirisht. U hapën rrugët e punësimit dhe arsimit. Të përndjekurit politikë arritën deri në majat më të larta të pushtetit dhe partive politike. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Viti i zi 1997 do t’i përmbyste të gjitha arritjet e atyre pesë viteve të para të demokracisë. Edhe sot, njëzetetetë vjet nga përmbysja e sistemit komunist, megjithëse nuk është më viti 1997, vazhdon të ndihet një heshtje madje, do të thoja, një mospërfillje karshi problemeve të shtresës së të përndjekurve politikë.

Më lejoni t’ju paraqes disa fakte për sa thashë më sipër.

Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshilit të Europës miratoi rezolutën Nr.1096  ”Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”. Në Shqipëri nuk u dha asnjë njoftim, megjithëse vendi ynë ishte anëtar i Këshillit të Europës dhe e kishte nënshkruar këtë rezolutë, madje edhe shtypi i shkruar dhe ai televiziv heshtën. Përse?

Në vitin 2006 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën e dytë, atë Nr. 1481 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Në mbështetje të kësaj Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Kanë kaluar dymbëdhjetë vjet nga miratimi i kësaj rezolute dhe nuk është realizuar  pothuajse asnjë nga pikat e saj. Lidhur me sa më sipër na dalin disa pyetje

  1. Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi,  dhe ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore? (pika 8)
  2. Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që  shënojnë  instalimin diktaturës komuniste? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist? Kur do të hiqet basorelievi nga fasada e Muzeut Historik Kombëtar, një vepër e realizmit socialist, ku dy të tretat i zënë partizanët dhe ndërtimi i socializmit në Shipëri dhe vetëm një e treta për gjithë historinë e kombit shqiptar dhe ku, në mënyre të veçantë, mungojnë trojet e tjera shqiptare?  (pika 9)
  3. Kur do të  bëhen  publike  dokumentat  që  dëshmojnë  krimet  e  rregjimit  komunist,

përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve? (pika 10)

  1. Kur do të hapen dosjet e ish-bashkëpuntorëve  të  sigurimit  të  shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive dhe të shkruara? (pika 11)
  2. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të  zhdukurve  me  ose  pa  gjyq  për

arsye politike? (Pika 15)

  1. Kur do  të  organizohet  konferenca  kombëtare  me  pjesëmarrjen  e  përfaqësuesve  të

parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? (Pika 17).

Të gjitha këto janë të përfshira në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë. Për të gjitha këto. për fat të keq, nuk ka asnjë përgjigje. Heshtja sundon.

Le të vazhdojmë më tej’

Në muajin mars 2010  një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkoj  Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit do të thotë se ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo.

Gjithashtu më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga  ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi.

Dy lajme me të njejtën përmbajtje. Ka kohë që  Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shipërisë, ku unë bëj pjesë, e ka ngritur zërin me forcë për këtë problem, madje në  vitin 2007, në Kongresin e XV-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Çeki, ku mori pjesë edhe një delegacion i shoqatës tonë, u mor vendimi për t’i kërkuar BE-së ngritjen e nje Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Lidhur me këtë, në muajin tetor të atij viti, u mbajt në Tiranë, me nismën e shoqatës tonë,  konferenca shkencore me temë “Komunizmi në Gjykatën Ndërkombëtare” ku, nëpërmjet kumtesave të mbajtura, ngrihesh domosdoshmëria e kësaj gjykate. Por reflektimi i kësaj ngjarje në opinionin publik ishte fare i vakët, megjithse vetëm një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar rezolutën mbi dënimin e krimeve të  rregjimit komunist.

Dëgjoni si është shprehur zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:Nuk ka  asnjë vend ku komunizmi  ka  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë  demokratik.

Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri i kalojnë disa  herë  atyre  të  kryera

në ish-vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një  shembull. Sipas deklaratës  së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, dënimi i fundit me  vdekje  në  Sllovaki  është  dhënë  në  vitin 1956,  ndërsa  te  ne  në  vitin  1988,   me

varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim është kryer kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit të jetës ai kërkonte gjak. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuara zonja dhe zotërinj.

Sot në Shqipëri nuk ka një memorial kushtuar viktimave të komunizmit, nuk ka një burg apo kamp të punës së detyruar të kthyer në muze, ndërkohë që ato ekzistojnë në pothuajse të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore që ishin nën sundimin komunist. Ka mbi dhjetë vjet që është krijuar shoqata për kthimin e kampit të Spaçit në muze dhe ende nuk po gjen përkrahje për t’u ngritur.

Në Shqipëri nuk ka asnjë president, kryetar parlamenti, kryeministër, deputet apo  kryetar partie që të ketë kërkuar falje për krimet e  kryera  në  kohën  e  komunizmit,  në  një  kohë  kur  i ndritshmi Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në mesjetë, Kancelarja Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi, madje edhe një qytetar gjerman kërkoi  falje për krimin që kishte kryer ati i tij, duke marrë pjesë në masakrën e Borovës këtu në Shqipëri.

Në të kundërt, në Shqipëri vazhdon ende politika e vjetër e përndjekjes për kundërshtarët e regjimit. Një shembull konkret në këtë drejtim. Qysh në fillim të vitit 2017, Shoqata e jonë dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithëshme një kallzim penal për krime kundër njerëzimit dhe genocid ushtruar me rastin e masakrës  së të ashtuquajturës bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë më 26 shkurt 1951. Kaloi më tepër se një vit dhe asnjë përgjigje nga ana e prokurorisë. Atëhere Kryetari i shoqatës tonë, zoti Nebil Çika, i dërgoi një letër të hapur Prokurores së Përgjithëshme zonjës, Arta Marku. Nuk kaluan më shumë se dy ditë dhe hakmarrja e institucioneve të larta karshi të përndjekurve politikë arriti. Pikërisht në ditën e përvjetorit  të ditëlindjes së diktatorit Enver Hoxha, më 16 tetor 2018, Ministria e Drejtësisë i dërgon një ultimatum shoqatës duke kërkuar lirimin e zyrave të saj, zyra që janë marrë me një vendim të posaçëm të ish-Këshillit të Ministrave qysh në vitin 1994, pa iu caktuar një ambjent tjetër. Për më tepër ky vendim nuk është marrë nga Këshilli i Ministrave por nga një urdhër verbal i një ministreje dhe si i tillë është një veprim arbitrar. Më thoni, a mund të keq skandal më të rëndë se ky?

Në vendin tonë sot të gjithë thërrasin:  “Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!” Atëhere, kush paska qenë fajtori për gjithë atë tmerr dhe katastrofë që kaloi vendi ynë? Mos vallë paskemi qenë ne që e paguam me jetët tona?

Ju faleminderit.

*Kumtesë mbajtur në ceremoninë e zhvilluar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Fodacioni “Konrad Adenauer”, me rastin e fillimit te “Ditëve të Kujtesës”.

 

Filed Under: Histori Tagged With: reshat kripa, Unë dhe diktatura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT