• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

VARRI I MID’HAT FRASHËRIT MBULOHET ME LULE DHE FLAMUR KOMBËTAR

November 7, 2018 by dgreca

1 VATRANET TEK VARRI I MID'HAT FRASHERITIMG_62841 Hymni

–  VATRA DHE KOMUNITETI- HOMAZHE DHE KURORA PËR MID’HAT FRASHËRIN/

– Kryetari Dritan Mishto: Po e  nderojmë me homazhe të veçanta shërbestarin e Kombit, jo vetëm për ta nderuar personalitetin e tij, por edhe për ta përcjellë atë në Atdhe ashtu siç ishte; të kristaltë, të papërlyer dhe të pakeqpërdorur nga politika dhe qeveria.

– Pwllumb Lamaj: Qeveria nuk tregoi transparencë dhe e humbi shansin për ta bërë bashkë Kombin, duke shfrytëzuar emrin e Mid’hat Frashërit.

-Ambasadori Mal Berisha:MID’HAT FRASHWRI, IDEATORI MË I MADH I BASHKMIT TË TROJEVE SHQIPTARE…Edhe ky amanet i Tij, heret ose vonë, do të bëhët realitet siç u bë realitet kthimi i eshtrave të tij në Atdhe.

Nga Dalip GRECA/

Të Mërkurën në mesditën e 7 nëntorit 2018, tre ditë përpara se të përcillen për në Atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra dhë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju Jork, organizuan homazhe në varrezat Ferncliff në Hartsdale, Nju Jork. Kanë marrë pjesë përveç përfaqësuesëve të Vatrës edhe përfaqësues të komunitetit si dhe përfaqësues të familjeve nacionaliste.

Ceremonia ka nisë me Hymnin Kombëtar të kënduar nga këngëtari i mirënjohur, Frederik Ndoci,Mjeshtër i Madh, menaxher i përgjithshëm për veprimtaritë kulturore dhe artistike në Vatër.

Më pas , z. Dritan Mishto, kryetar i Vatrës, spjegoi përse Vatra kishte vendosur që ta nderonte Mid’hat Frashërin aty në varrezë. Ne tha z. Mishto, po e  nderojmë me homazhe të veçanta shërbestarin e Kombit, jo vetëm për ta nderuar personalitetin e tij, por edhe për ta përcjellë atë në Atdhe ashtu siç ishte; të kristaltë, të papërlyer dhe të pakeqpërdorur nga politika dhe qeveria. Vatra, shtoi kryetari Mishto, me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re(siç i kemi disa prej tyre sot), me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë, por Vatra nuk mund të bëhet pjesë as fasadë në një ceremoni të cunguar të minutës së fundit.Ai falenderoi ata që ishin përgjigjur bashkëpunimit me Vatrën, veçanërisht z. Pëllumb Lamaj, familjen Lepenica, Karagjozi, vëllezërit Mujo, familjen Mrnaçaj, Cungu, ambasadorët Mal Berisha dhe Bujar Skendo, presidentin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan Haxhi Dauti etj.

Kryetari i Vatrës solli në kujtesë edhe një herë pikëtakimet e Mid’hat Frashërit me Vatrën: – Mid’hat Frashëri, tha ai, ishte ambasador në Zvicër i emëruar nga Vatra, në kohën kur Federata jonë  kryente rolin e shtetit të vdekur.

– Mid’hat Frashëri u thirr nga Kuvendi i Vatrës më 1919 që të drejtonte Federatën.

– Më 1920 Mid’hat Frashëri erdhi pranë Vatrës si i dërguar i Qeverisë Shqiptare për të organizuar Huan Kombëtare, kur Vatra mblodhi rreth 198 mijë dollarë për ti ardhë në ndihmë shtetit shqiptar që rrezikonte falimentimin etj.

  1. Pëllumb Lamaj, i cili kishte përgatitë dhe një Kurorë në emrin e tij, tha se atë ia kushtonte Mid’hat Frashërit, në emër të gjithë atyre që u dergjën burgjeve të diktaturës komuniste dhe që kishin mbajtur lart emrin, idealet dhe veprën Mid’hat Frashërit. Ai kritikoi ashpër qeverinë , e cila nuk tregoi transparencë dhe e humbi shansin për ta bërë bashkë Kombin, duke shfrytëzuar emrin e Mid’hat Frashërit.

Lamaj, që e përjësoi jetën dhe veprën e Mid’hat Frashërit edhe në dokumentarin kushtuar Babait të Kombit( gjithçka me shpenzimet e veta) recitoi poezinë e Kudret Kokoshit, kushtuar Mid’hat Frashërit, poezi që u shkrua në burgun e Burrelit, në kohëvdekejn e Babait të Kombit.

Ishte e habitshme se sa shpejt pat mbërrit’ lajmi i vdekjes në burgun famkeq të Burrelit.

Ja vargjet,që Lamaj i përcolli përmes emocioneve të thella:

 

Ne dhe` te huaj larg shqipes me gjak lyer

Qe ti me ankth aq shume e dashurove

Ne dhe` te huaj prej fatit te zi nderkryer

Atdheut te vuajtur jeten i dhurove

 

Babai kombit nder beteja plakur

Ti zemrat tona me ideal i ngrohe

Rrugen e jetes tone te perflakur

Hyjnor,promethe` ti na e ndriçove

 

Nder male e fusha nga veriu ne lindje

Gjemon jehona e thirrjes shpetimtare

Vrapo,vrapo Shqiperi per ne Rilindje

Therret Mit’hadi Shqiperia e Shqipetareve

 

BURG BURREL 1949 KUDRET KOKOSHI

 

Zuhdi Karagjozi, anëtar i Këshillit të Vatrës, tek u përul me nderim para varrit të Midhat Frashërit, në fjalën e tij vlerësoi emrin dhe veprën Kombëtare të Shërbestarit të Kombit. Karagjozi tregoi se familja e tij kishte qenë pjesë aktive e Ballit Kombëtar.

  1. Zudi Karagjozi falenderoi organizatorët që i dhanë mundësinë të fliste në këtë ceremoni në emër të babait Agim dhe nënës Roze Karagjozi. Fillimisht ai vlerësoi kontributin e madh për çështjen Kombëtare të Mid’hat Frashërit dhe babait e xhaxhallarëve të tij, të cilët ai i cilësoi si themelues të Shqipërisë moderne. Midhat Frashëri , tha ai, ishte themeluesi dhe udhëheqësi i Balli Kombetar, organizatë e krijuar për të luftuar për çështjen kombëtare dhe për të mbrojtur popullin shqiptar.Mid’hat Frashëri u largua nga Shqipëria në nëntor 1944 nga Ulqini me krerët dhe luftëtarët e Ballit Kombëtar dhe Legalitetin. Ata u arratisën në dy varka që e sollën grupin në Itali. Në këtë varkë, theksoi Zudi Karagjozi, ndodhej babai dhe nëna e tij. Grupi u vendos në kampet e refugjatëve 1944-1949. Gjatë kësaj kohe, Mid’hat Frasheri kishte një ndikim të thellë tek të gjithë në shqiptaret ne kampe, ishte si nje baba për të gjithë, edhe për Agimin.

Më pas z. Zudi Karagjozi komentoi se babai i tij kishte pasë fatin që të qëndronte pranë Mid’hat Frashërit dhe se ai i kishte folë për domosdoshmërinë e rrëzimit të komunizmit. Ai i shpjegoi Agimit rolin e rëndësishëm që kishte VATRA në botën shqiptare. Agimi e përqafoi filozofinë e Tij dhe se ishte si një dhuratë e madhe mundësia e marrëdhënieve të ngushta me Mid’hat Frashërin gjatë adoleshencës së vonë të Agimit deri në moshën e të njëzetave. Babai i tij, Agimi, u udhëhoq nga idealet Kombëtare dhe nuk hoqi dorë nga kjo kauzë. Ai e bëri të vetën filozofinë e Mid’hat Frashërit se “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri dhe pa Shqipëri nuk ka Kosovë”. Agim e vazhdoi filozofinë e Midhat Frashërit në Vatër për pothuajse 60 vjet anëtar dhe udhëheqës i organizatës…

Më pas  Zyhdi Karagjozi tregoi se gjatë kohës që ishte nëpër kampe Mid’hat Frashërit kaloi shumë kohë me familjen e nënës , Peshkëpia. Gjyshja dhe tezja shpesh do të gatuanin darkë për atë dhe do të lanin rrobat e tij. Rose dhe vëllezërit e motrat e saj ishin shumë afër Mid’hatit dhe me dashuri do ta quanin “xhaxha”.

Ambasadori Mal Berisha, tha se ndjehej i emocionuar që ishte pjesë e kësaj ceremonie nderimi për Mid’hat Frashërin, intelektualin, që punoi aq shumë për Kombin.MITHAT FRASHËRI – Patrioti, shkrimtari, diplomati, aktivisti më i shquar i zgjimit të ndërgjegjes tonë kombëtare, ideatori i bashkimit të trojeve shqiptare me çdo kusht, organizatori i Kongresit të Manastirit dhe nënshkruesi i Akti të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i biri i Rilindasit të Madh, Avdyl Frashëri, është prehur në këtë vend që në vitin 1949. Erdhi koha që eshtrat e tij të prehen në atdhe. Pavarësisht se si do të etiketojnë kthimin e Tij në atdhe palë të ndryshme midis shqiptarëve, ai mbetet IDEATORI MË I MADH I BASHKMIT TË TROJEVE SHQIPTARE…Edhe ky amanet i Tij, heret ose vonë, do të bëhët realitet siç u bë realitet kthimi i eshtrave të tij në atdhe.

Dr. Skënder Murtezani, i anëtarësuar në Vatër që në vitin 1990, kur kryetar ishte Profesor Arshi Pipa, tregoi se si që nga ditëthemelimi i degës së Vatrës së Queensit, Mid’hat Frashëri kishet qenë në qendër ët veprimtarivë të degës dhe ai në krye të degës që  para pesë vitesh kërkoi kthimin e eshtrave të Shqipëri, atje pranë atit të Tij. Për çdo vit dr. Murtezani dhe dega që ai drejton kanë nderuar veprën e Mid’hat Frashërit me sesione përkujtimore në hotelin ku u gjet i vdekur Mid’hat Frashëri, por edhe në auditore.

Mid’hat Frashëri, ky patriot i madhe e meritonte prej kohësh raitdhesimin, tha dr. Murtezani. Më pas e kanë nderuar jetën dhe veprën e Midhat Frashërit me mesazhe të shkurtra ambasadori Mal Berisha, Shkëlqim Lepenica, Eqerem Mujo, Pjetër Mrnaçaj, Presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan Haxhi Dauti, vatrani i vjetër Lumo Cungu, Marjan Cubi, Zef Balaj, Asllan Bushati e të tjerë. Editori i Diellit lexoi një letër Mid’hat Frashërit, e cila publikohet për të parën herë. Letra ëshët gjetur nga studiuesi Idriz Lamaj. Ajo mbanë datën 12 tetor 1937. Letra e shkruar me shkrim dore nga Mid’hat Frashëri i drejtohet ish kryetarit të Vatrës në Michigan, Fazlli Panariti, në përgjigje të letrës që kryetari vatran i dërgonte Mid’hat Frashërit. Vatra në Michigan i kishte propozuar Mid’hat Frashërin që të ishte delegat i saj në Shqipëri dhe ta përfaqësonte  Vatrën në festimet e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si delegat i saj. Mid’hat Frashëri shkruan me fjalë ët zgjedhura:”Komisioni i Federatës me këtë vendim po më bën një nder të madh, dhe për mua është Jo vetëm nëj Lumturi, por një Detyrë që të jem përfaqësues i një Shoqërie nga e cila vendi dhe Kombi ynë ka pasë aq shumë shërbime…”. Po në këtë Letër Mid’hat Frashëri publikon faktin se ka hequr dorë nga jeta politike.

Më pas pjesmarrësit kanë kryer homazhe pranë Mid’hat Frashërit dhe kanë qëndruar pranë në heshtje pranë varrit të tij.

Pjesmarrësit në këtë nderim e kanë mbuluar varrin e Mithat Frashërit me kurora me lule dhe Flamurin kuq e zi. Administarta e Varrezave ka premtuar se nuk do t’i heqë ato nga varri deri në momentin që dot ë kryhet zhvarrimi.

Veprimtaria u filmua nga Adem Belliu, Televizioni Kultura Shqiptare në Nju Jork dhe nga Dritan Haxhia”EURO PHOTOGRAPHY & VIDIO”

 

Filed Under: Featured Tagged With: homazhe, Komuniteti, KURORA, Midhat Frasheri, Vatra

Përfundimi i zgjedhjeve jo një dallgë blu, por një luftë blu

November 7, 2018 by dgreca

Rezultatet e zgjedhjeve 2018 , tregojnë se zgjedhjet u fituan nga të gjithë dhe nga askush, me gjithë sulmet për të rrëzuar Trump-in./

1 a Presid Trump.jpg

– Dhoma e Re e Përfaqësuesve Demokratike së shpejti do të mësojë deri ku i ka kufijtë e pushtetit të saj/

Nga  Rafael Floqi/Dielli

Demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës të Përfaqësuesve ne Kongres (The House), por pavarësisht kësaj ata do të përballen me pengesa të mëdha në Senatit. Vitet e ardhshme të politikës amerikane mund të duken si ajo që ka ndodhur në vitin 1874, thonë komentuesit amerikanë . Pas rezultateve së natës të së martës, shtrohet çështja nëse shumica Demokratike e Dhomës së Përfaqësuesve kryesisht do të bëjë hetime në vend që të bëjë ndryshime ligjore, pasi sido që të jetë, ata nuk kanë mandat vendimmarrës, pasi këtë e ka Senati dhe Presidenti.

Zgjedhjet afatmesme të 2018 po vazhdojnë atë çka është bërë një traditë e re amerikane, qeverisja e ndarë. Katër presidentë me radhë kanë hyrë në zyrë me një Kongres miqësor dhe më pas kanë parë që partia opozitare merr shumicën gjatë zgjedhjeve afatmesme, dhe Trumpi nuk është përjashtim. Kjo i ndodhi edhe Bill Clinton-it në vitin 1994, George W. Bush në 2006, Barack Obamas në 2010, dhe tani Donald Trump-it.

Nga të gjitha këto kalime, ky i fundit është më pak dramatik. P.sh. fitorja e Tea Partie në vitin 2010 ishte më e thellë pasi republikanët morën 63 vende në Dhunën e Përfaqësuesve dhe morën kontrollin e Senatit me një fitim prej gjashtë senatorësh. Në zgjedhjet “Kontratë me Amerikën” në vitin 1994, GOP fitoi +54 vende, dhe gjithashtu mori Senatin. Demokratët fituan të dyja Dhomën e Përfaqësuesve  dhe Senatin në vitin 2006 në zgjedhjet që u konsideruan gjerësisht si një referendum kundër Luftës në Irak.

Demokratët nuk do të jenë në gjendje të bëjnë shumë punë

Megjithatë, kësaj radhe demokratët e morën House, duke i dhënë terren të rëndësishëm Senatit. Dhe totali përfundimtar i fitoreve te vendeve ne Dhomën e Përfaqësuesve ka të ngjarë të jetë shumë më poshtë parashikimeve më optimiste të  “Blue Wave” të verës së kaluar. Nuk është patjetër një referendum vendimtar mbi Presidentin Trump dhe në asnjë mënyrë nuk jep një mandat ligjvënës opozitës.

Udhëheqja e re demokratike – ndoshta e kryesuar nga Nancy Pelosi, ose ndoshta jo, pasi ka shumë demokratë që se mbështesin pasi duan gjak të ri – duhet të zgjedhë se ku duhet të fokusohet në promovimin e agjendës së tyre legjislative. Po për këtë do të duhet të ndjekin një politikë bipartizane.  Megjithatë, demokratët treguan pak interes në bashkëpunimin me Presidentit Trump në dy vitet e para, megjithëse ai vazhdimisht u kërkoi atyre të gjejnë një bazë të përbashkët për buxhetin dhe çështje të tjera. Demokratët u dukën shumë më të interesuar në vazhdimin e hetimeve të fushatës së Trumpit 2016 dhe pretendimeve për  “ndërhyrjen  ruse”. Ndonëse demokratët rrëzuan flamurin e fajësisë në fushatën e fushatës 2018, sa për strategji, por rrëzimi i Donald Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve e Bardhë ka të ngjarë të jetë çështja numër një e demokratëve.

Kështu rezultatet e zgjedhjeve 2018 , tregojnë se zgjedhjet u fituan nga të gjithë dhe nga askush, me gjithë sulmet për të rrëzuar Trump-in.

Demokratët e Kongresit gjithashtu përballen me disa kufizime të rëndësishme në ndjekjen e prioriteteve të tyre legjislative. Disa propozime, të tilla si Medicare për të Gjithë, ose mbyllja  e Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave ICE , që mund të jenë të njohura si motive me bazën Demokratike, janë tepër radikale për të fituar mbështetjen e zgjedhësve të zakonshëm. Shkuarja më shumë larg majtas, do të rrezikojë vendet e tyre që i sapo fituan, çka mund të krijojë më shumë mundësi për një rizgjedhje te Trump më 2020.

Gjithashtu, çdo iniciativë e rëndësishme legjislative që ata do të duhej të marrin do të vuajë nga fakti se ata kurrë nuk mund të kalojnë projektligjet në ligje ligj pa bashkëpunimin e Senatit dhe nënshkrimit të Presidentit Trump (vendosja e vetos). Kështu shumica e Demokratëve të Dhomës mund të jenë tërësisht të gatshëm për të bërë kompromiset e nevojshme. Atëherë ne ka të ngjarë të shohim më shumë përpjekje sa për të fituar duartrokitje, sesa një ligj bërje serioze, dhe do të ketë një kthim tek bllokimit legjislativ.

Historia sesi ka ndodhur, dhe si mund të ndodhe me Demokratët e Dhomës se Përfaqësuesve  thonë komentuesit mund të duket e njëjtë si ajo që ndodhi në 1874, kur demokratët morën atë për herë të parë qysh nga Lufta Civile dhe filluan hetimet e vazhdueshme ndaj administratës së Presidentit  Ulysses S. Grant. Demokratët – sidomos ata nga jugu – e përçmonin Grantin dhe kërkuan me çdo mjet për ta (impeach) shkarkuar atë. Ata ishin aq të fiksuar për ta poshtëruar  Grantin sa ata madje e kishin fajësuar Sekretarin e Luftës William Belknap pasi i kishte dhënë dorëheqjen nga posti i tij i kabinetit. Senati me shumicë republikane dështoi ta dënonte Belknap, por sulmet hetuese për këtë  dhe raste të tjera e dëmtuan Grantin politikisht dhe bënë zgjedhjen e tij  për një term të tretë të papërshtatshëm.

Presidenti Trump gjithashtu mund të llogarisë mbështetjen e Senatit për të siguruar një kundërpeshë të dobishme ndaj ekseseve të Shtëpisë. Për çdo hetim që Dhoma e Përfaqësuesve vjen me Senatin mund të ngrejë hetimin e vet. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton për fajësimin e Trump me  disa akuza të prodhuara, ka shumë të ngjarë qe nisma të vdes në katedrën e Senatit. Dhoma e Përfaqësuesve do të synojë  për të rikonfiguruar Gjykatën e Lartë ose për të hequr gjykatësin në Kavanaugh ajo do të dështonte gjithashtu. Prandaj radikalët në grupin Demokratik nuk mund të kujdesen për këtë megjithëse ata mund të marrin një veprim simbolik që ta plagosin presidentin Trump politikisht.

Presidenti amerikan Donald Trump, po flet me krenari “për një fitore shumë të madhe” në zgjedhjet për kongres, pasi republikanët forcuan pozitat e tyre në kontrollin e Senatit edhe pse demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë pas tetë vitesh.

“Ata që kanë punuar me mua në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, ata të cilët përqafuan disa politika dhe parime, dolën shumë mirë,” shkruante zoti Trump në një postim në Twitter të mërkurën përpara konferencës të paralajmëruar për shtyp në Shtëpinë e Bardhë lidhur me zgjedhjet.

“Ata që nuk e bënë këtë, thanë lamtumirë! Dje u shënua një fitore shumë e madhe dhe nën presionin e një medie armiqësore e të ligë!”

Rezultatet e bëjnë më të vështirë për zotin Trump të marrë miratim për iniciativat e tij legjislative. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve gjithashtu kanë premtuar se do të nisin hetime të shumta lidhur me financat e zotit Trump dhe politikat e administratës së tij, të cilat udhëheqësi amerikan tha se do të marrin të njëjtën përgjigje me hetime që do të zhvillohen nga Senati për Demokratët.

Zoti Trump e telefonoi udhëheqësen e Partisë Demokrate Nancy Pelosi për ta uruar për fitoren e arritur në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se ligjvënësit demokratë, disa prej të cilëve kanë thënë se partia ka nevojë për udhëheqje të re, duhet ta bëjnë atë përsëri kryetare të Dhomës.

Pjesëmarrja e lartë të martën pason një numër rekord votimesh të hershme gjatë javës së kaluar. Megjithëse emri i Presidentit Donald Trump nuk ishte në fletët e votimit, shumë votues në gjithë vendin, i shohin këto zgjedhje si një referendum për dy vitet e para të tij në detyrë.

Arsyetimi për një valë gjigante blu që do të përfaqësonte një mohim të rezultatit të zgjedhjeve të 2016-ës se miliona amerikanë do kërkonin të largoheshin nga masat e presidenti Trump dhe axhenda e tij dhe do te ishte në atë masë sa do t’i dorëzojë me shumicë të madhe Kongresin demokratëve, për të dëshmuar atë që thonë urrejtësit e Trumpit, se zgjedhja e tij ishte një anomali dhe se politika amerikane shpejt do të kthehej në rrugën e mërparshme, duket që nuk do të ndodhë – sepse mbështetet në një premisë të rreme.

Republikanët nuk duan të kthehen në epokën Bush-McCain-Romney më shumë se demokratët duan të kthehen në klintonism. Por qysh nga seancat e Kavanaugh, dhe nga mënyrë se vepruan demokratët, republikanët janë po aq energjikë dhe të bashkuar ashtu si demokratët. Kjo do të thotë që çdo gjë është gati për ndeshje. Këto zgjedhje, me fjalë të tjera, janë pjesë e një procesi në të cilin elektorati po punon drejt një periudhe të re politike që do të zëvendësojë atë që mbizotëronte qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri diku nga fundit administratës së Obamës.

Kështu Amerika do të  përballet me dy vjet teatër politik mjaft të intensifikuar në prag të garës presidenciale të vitit 2020. Do të jetë një shfaqje interesante për t’u parë .

Filed Under: Featured Tagged With: lufta blu, Perfundimi i zgjedhjeve SHBA, Rafael Floqi

DERVISH HIMA PARALAJMËROI PAVARËSINË SHQIPTARE NGA BUKURESHTI

November 6, 2018 by dgreca

“Le Temps” ka botuar, të martën e 26 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën e patriotit dhe liderit shqiptar, Dervish Himës,/

1 Dervish_Hima.341174539_std

DERVISH HIMA – GAZETARIT TË PESTER LLOYD-IT NË BUKURESHT (26 NËNTOR 1912) : “SHQIPTARËT DO TË SHPALLIN PAVARËSINË DHE DO TA MBROJNË ATË ME GJAKUN E TYRE.”/

1 aurenc

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Nëntor 2018/

“Le Temps” ka botuar, të martën e 26 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën e patriotit dhe liderit shqiptar, Dervish Himës, me korrespondentin e gazetës hungareze në Bukuresht, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

image

Pavarësia shqiptare

Korrespondenti ynë nga Budapesti na telegrafon :

 “Pester Lloyd” publikon një intervistë të korrespondentit të saj në Bukuresht me Dervish Himën, liderin e njohur shqiptar :“Shqiptarët, deklaroi Hima, duan të shpallin pavarësinë shqiptare tani dhe ata janë të gatshëm ta mbrojnë këtë pavarësi me çmimin e gjakut të tyre. Ata janë të bindur se afesksioni i Austro-Hungarisë për ta është i sinqertë dhe shpresojnë se të gjitha fuqitë evropiane do të mbështesin monarkinë Austro-Hungareze në interes të Shqipërisë.”

Ai shton : “Asnjë vendim nuk është marrë ende mbi zgjedhjet e personave, megjithatë është e vendosur paraprakisht që një princ i huaj do të zgjidhet sovran i Shqipërisë.”

Nga ana tjetër, telegrafojnë nga Durrësi në Daily Telegraph :“Ismail Qemali, si dhe shumë patriotë shqiptarë që erdhën këtu për t’u bashkuar me të, kanë ndërmarrë hapa për të thirrur një asamble kombëtare shqiptare për të diskutuar mbi situatën aktuale. Të gjithë udhëheqësit fisnorë janë paralajmëruar. Mendojmë se takimi do të zhvillohet në Vlorë.”

Filed Under: Fejton Tagged With: Aurenc Bebja, Bukuresht, Dervish Hima, pavaresia

Si do t’i quante Fatos Arapi

November 6, 2018 by dgreca

…. Disa ditë më parë vdiq poeti i shquar Fatos Arapi…..Vetëm kur vdiq e kujtuan dhe e qanë postmortum me lotë krokodili, ndërsa sa ishte gjallë, duartrokitën si poetë, shitësit e kastravecëve në tregun e kolkozeve dhe kooperativave bujqësore pa asnjë lloj kanalizimi të ujrave të zeza./

1 elii (1)

Nga Elida Buçpapaj/

Fekalet janë “mbeturinat ushqimore trupore”.

Akronim i këtij triptiku fjalësh vetëm në gjuhën shqipe krijon slangun vulgar që populli e përdor rëndom si sinonim pa e ditur ndofta as prejardhjen dhe pa u lodhur kurrë të zbulojë etimologjinë.

Populli nuk thotë “ti je një mbeturinë ushqimore trupore”, por për të fituar kohë dhe për të qenë sa më ekspresiv i bie shkurt!

A mund t’iu dedikosh opinione mbeturinave ushqimore trupore, pisllikut, ndyrësisë?

Kur lind nevoja, po!
Detyrimisht po!

Për të mirën e higjenës sociale!

Sepse pa kanalizime, atëhere populli përmbytet prej tyre dhe bëhet prè e sëmundjeve që i rrezikojnë ekzistencën!

Pastërtia e njeriut nis nga higjena personale, larja e duarve, e dhëmbëve dhe shkon deri tek higjena apo pastërtia e figurës, që njihet si integritet.

E kështu shkohet deri tek higjena kolektive.

Për higjenën kolektive, edukatën, shkollimin, kulturimin, artin, kulturën në një sistem demokratik kujdeset shteti dhe instrumentat e sistemit, për të ngritur, ruajtur dhe zhvilluar vlerat kulturore që shprehin identitetin kombëtar.

Në trevat shqiptare dhe diasporë ndodh e kundërta: linçohen vlerat kulturore dhe lançohen antivlerat, që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën, por që kanë mundësi financiare për të mbushur defiçitet, inkompetencat, mungesën e talentit, zgavrat bosh të intelektit apo të karakterit.

Është fjala për abuzim të mirëfilltë, që duket sikur legjitimohet nga varrosja e kritikës dhe e gjykimit profesional.

Një poet apo krijues në Shqipëri a Kosovë ka një jetë të varfër, një rrogë minimale që nuk mund të paguajë asgjë, as librat, ndërsa një punëtor shqiptar në Perëndim paguhet sa 20 fishi i poetit dhe nga këto pozita i shkrep të blejë e të bëhet gjithçka, duke përfituar se në tregun shqiptar gëlon informaliteti, tregu i zi dhe kur shteti vetë është i inonduar nga plehrat dhe pisllëku.

Në këtë situatë kritike për të shpëtuar kombin duhen të ngrihen të gjithë, pa dallim duke startuar nga alfa, që është higjena kolektive mendore dhe shpirtërore! Me atë që ushqehet shpirti i shoqërisë!

Vetëm atëhere shoqëria shqiptare bëhet koshiente për të dalluar domosdoshmëritë, të pastrën nga e ndyra, vetëm atëhere kombi e kthen pastërtinë në një ingredient të jetës dhe e kërkon si standart nga pastërtia e duarve të veta, tek bashkëqytetari, arti, kultura që ushqehet e deri politika që e drejton shtetin.

Politikanët janë pisllëku më i madh ndër trevat shqiptare, Shqipërinë londineze, Kosovë, Maqedoni, por dramatike është se pisllëku ka përfshirë kulturën!

Kur pisllëku përfshin kulturën jemi afër katastrofës!

Kur kultura rrezikohet nga inonandatat çidentifikuese, kombi përjeton dramën e tij më të madhe dhe rreziku kombëtar është tek dera!

Seicili prej nesh duhet të pyesë, kush jam unë?

Sikur pyesin italianët për shembull, që krenohen se janë trashëgimtarë të Leonardo Da Vinçit, Petrarkës, Dantes e vijojnë më tutje duke u identifikuar me Fellinin, Umberto Ekon e me rradhë; e kështu të gjitha kombet, nga kanë dalë pastaj shtetet.

Vetëm shqiptarët krenohen kur bëjnë foto me politikanë dhe këtë e tregojnë si vlerë të tyre, të mundësisë për të blerë e fituar gjithçka pa meritokraci.

Kjo është antivlera më tipike e shoqërisë shqiptare sot!

Që ka krijuar varfëri ekstreme kulturore! Kur e ushqen shpirtin me bërllok dhe thua “sa bukur”, edhe kur e ndjen nga era e keqe se është gjiriz!

Nuk janë të rrezikshme ushtritë e huaja sa është i rrezikshëm helmimi i kombit nga mallra që shiten si ushqim shpirtëror nga “nutricionistë” sharllatanë, “Doktor Adhamudhë” modernë, si personazhi i veprës satirike “Pas vdekjes” të Andron Zako Çajupit, të cilët e dinë më mirë se askush se çfarë do të thotë helm i ndërgjegjes dhe psikës kulturore!

Prandaj është koha për zgjim kombëtar!

Disa ditë më parë vdiq poeti i shquar Fatos Arapi.

Vetëm kur vdiq e kujtuan dhe e qanë postmortum me lotë krokodili, ndërsa sa ishte gjallë, duartrokitën si poetë, shitësit e kastravecëve në tregun e kolkozeve dhe kooperativave bujqësore pa asnjë lloj kanalizimi të ujrave të zeza.

Spekulantët e tillë, që janë në gjendje të dallojnë mutin e bletës nga fekalet, Fatos Arapi në zemrim e sipër, për vitet e tij të mbyllura i vetmuar në dhomën e tij, do t’i quante thjesht me slangun popullor, sikur quhet ekskrementi apo mbeturinat ushqimore trupo

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Fatos Arapi, triptiku

Dialog i munguar me etërit

November 6, 2018 by dgreca

Po sikur gjyshi im të ishte gjallë?!/

Marjana me salle

Nga  Marjana BULKU/

Është kjo ndjesia që më përshkon sa herë që shkel në Vatër, sa herë që shoh ato foto historike që për ne që jetonim matanë telash me gjemba ishin të ndaluara, të vdekura, tradhëtarë , agjentë ,,,e çfarë nuk ishin.

Më duket sikur gjyshi im është gjallë…

Është ky dyshimi që më përshkon sa herë shkel në vatër ku takon ata që izolimit i ikën por kurrë atdheut. Duket sikur sejcili prej tyre ka mall , ka brengë , ka diçka të pathënë që koha , ikja , arratisja ia preu në mes.

Aty ora ka mbetur diku në vitin 195… .

Është ky perceptimi im kur shoh jo luksin por librat, orenditë , gjithçka të mirmbajtur nga duar gjyshësh .

Kur dëgjoj Gjonin, Zefin Gjekën…fytyra e gjyshit të arratisur , bëhet një me ta. E njejta histori zhgënjimi me vendin e amës që bijtë ia braktisin një nga një prehërin e ngrohtë, i njëjti zemërim me kohën që pjell vetëm pushtete të padrejta që vret të drejtët, të diturit, ëndërrimtarët

Kur çelet ajo portë qoftë edhe për të thithur ajrin e jetës apo pritur njerëz unë ndjej se nuk hyj kurrë vetëm. Me mua është historia e pashkruar e një të ikuri të cilin familja e quante të vdekur, madje as varrin nuk ia di , sepse ky është fati i kombeve pa zot, si ai i robërve  endacakë ku portat e kthimit janë të mbyllura që në ikje.

Aty gjithçka shndërrohet në histori…

E shkruar ose jo , e pranuar apo e kundërta , teksa hyn e del prej Vatrës diçka ke marrë me vete domosdoshmërisht.

Është një vend ku bashkohen breza, histori dhe një popull që për fat të keq u mësua të jetojë i ndarë , edhe pse prej një  gjuhë, një kulturë por pre flamujsh të ndryshëm, melankolish.

Aty ti mund të bisedosh me etërit…me ata të mohuarit , të sulmuarit, akuzuarit që për ne të përtej gjembave ishin të ndaluar.

Vonë, e di , është shumë vonë për të kuptuar pse mama kur isha fëmijë gjithmonë më thoshte se babai i saj kish vdekur, dhe unë ende vazhdoj të ëndërroj se historinë e tij do nis ta shkruaj sapo tja zbuloj varrin , atje në vendin ku jetoi për 30 vjet .

Kur ulem në Vatër ndjej dialogun e munguar me etërit, këtë shtyllë të fortë që bashkon, trashëgon emër ,histori e pasuri.

E çfarë trashëguam ne?!

Pyes veten … Në familjen me baballarë të dënuar, internuar, arratisur, pushkatuar, historitë arratisen në drejtime të paditura dhe e vërteta mjegullohet duke i lënë brezat brenda një tradhëtie pa autor, brenda një kaosi me shumë autor ku autorët janë në një duel të heshtur që vret pafajsinë.

Po ne paskemi trashëguar mjaft … Më thonë muret plot me foto e histori që flasin, heshtin, vallëzojnë me fatet .

Ky prag,,, ah ky akt dialogu i munguar me etërit .

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dialog i munguar, Marjana Bulku, me etërit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT