• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

ZONJA ROSE KARAGJOZI, NJË JETË NË SHERBIM TË FAMILJES DHE TË “VATRËS”

November 1, 2018 by dgreca

3 agim Karagjozi

NGA IDRIZ LAMAJ/

            Në fund të shtatorit ndrroi jetë në Long Island të New Yorkut, zonja Rose Peshkëpia – Karagjozi.  Ajo lindi në mars të vitit 1940-të, në fshatin Visoka, rrethi i Fierit. Lindi në kohën e pushtimit të Shqipërisë; në kohën kur shumë patriotë të shquar intelektualë, si Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Nexhat Peshkëpia, Abas Ermenji, etj.  po organizonin në Shqipërinë e Jugut një levizje të armatosur nacionaliste kundër pushtuesit të atdheut.  Babai i Rose-t, Eqrem Peshkëpia ishte atdhetar i njohur dhe  një prej themeluesëve të  “Ballit Kombëtar”.  Eqremi ishte komandant i forcave të “Ballit” në Fier dhe në Mallakastër. Jeta dhe veprimtaria e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në atdhe dhe në mërgim është një histori e gjatë vuajtjesh, sakrificash dhe përpjekjesh që lidhen ngushtë me zhvillimet historike të kohës. Nga fundi i vitit 1944,  Eqremi me familje i la lamtumirën atdheut – largohet nga Shqipëria në një anije me Mitat Frashërin dhe shumë atdhetarë të tjerë të njohur të nacionalizmit shqiptar. Emigrojnë në Itali dhe  vendosën në kampet e refugjatëve.

          Pas afër pes vjet vuajtjesh nëpër kampet e refugjatëve në Itali, Eqrem Peshkëpia bashkë me familje emigroi më 1949 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

           Babain dhe nënën e Rose-it, Nekije-n  i njoha për herë të parë me 1969, kur shkova në shtëpinë e tyre në Detroit së bashkut me Prof. Nexhat Peshkëpinë. Në atë kohë Prof. Peshkëpia nuk ndihej mirë nga shendeti dhe ishte në fazen e fundit të jetës së tij. Si person kam qenë njeri me fat; jamë njoftë me Prof. Nexhat Peshkëpinë ditët  e para të ardhjes time në New York.  Me të më ka lidhur një miqësi e ngushtë. Në kohën e rënies së tij shendetësore kam dhënë ndihmesën time  në përgaditjen dhe botimin e gazetës, “Shqiptari i Lirë”, të cilën ai e drejtoi për afër një çerek shekulli, 1956-1970-të.  Për jetën dhe veprimtarinë e Prof. Peshkëpisë kanë shkruar miqët dhe kolegët e tij të njohur, Rexhep Krasniqi, Hasan Dosti, Vasil Gërmeni, e të tjerë.

          Nëna e e zonjës Rose – Nekije ( Koprenska ) Peshkëpia ishte  një  zonjë fisnike shqiptare e papërulur nga vështirësitë e jetës.  Kujtesa ime për zonjën Nekije mbetet e pashlyer gjatë ditëve të përcjelljes për në banesën e fundit të Prof. Nexhat Peshkëpisë;  Eqremi dhe Nekija ishin pranë tij kur ai  i mbylli sytë përgjithmonë.

           Pas vdekjes së Nexhatit dhe angazhimit tim të plotë në përgatitjen e gazetës “Shqiptari i Lirë”, me Eqremin dhe Nekijen mbajta kontakte të shpeshta – letër kembime dhe telefonata. Në bibliotekën time ruej një shkrim të Eqremit afër  30-të faqesh lidhur me  organizimin dhe drejtimin e forcave luftarake të “Ballit Kombëtar” në Shqipëri.Në paragrafin e fundit të atij shkrimi i cili ende nuk e ka pa dritën e botimit, Eqrem Peshkëpia iu drejtohet lexuesëve:

          “…Lexonjësve u lutem me shpirt të besojnë se përshkrimi im nuk duhet n’asnjë mënyrë të merret e të gjykohet në lidhje me ndonjë person ose parti politike të mërgimit. Që në muajin Nëntor 1954, vullnetarisht unë me gjithë familjen u bëmë nënështetas amerikanë, dhe që atëherë jemi bërë pjesë të VATRËS dhe të asnjë tjetër organizate. N’emrin edhe të shoqes së jetës, Nekijesë, u bëjë të ditur gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim, se shtëpia t’onë mbetet e hapët, ashtu sikurse ka qenë e hapët në Shqipëri dhe në kampet e refugjatëve të Italisë…”.

          Rose Peshkëpia Karagjozi, u rritë dhe edukue në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo lidhi fatin e jetës me Agim Karagjozin, u martua  në vitin 1959.  Gjithë jetën mbeti e brumosur me idealet e larta të prindëve të saj.  Në bisedime me të, shpesh ankohej dhe e thonte troç: – Agimi nuk po i kushton  kohë familjes.  Por,  menjëherë e kthente  biseden  rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë. Aty-përaty, na kritikonte të gjithëve: “Ju nuk po bëni  përpjekje të duhura kundër komunizmit në Shqipëri; nuk po i delni zot sa duhet çështjes së Kosovës”.

     Kur i dëgjoje me vemendje kritkaët e saj, shihje se Rose kishte njohuri të thella rreth  zhvillimeve  të kohës. Ajo lexonte shkrimet më serioze lidhur me atdheun e saj etnik.

           Nderin, karakterin e hekurt, besën, mikëpritjen dhe përpjekjet për të ndihmuar në çdo rast veprimtarinë kombëtare në mërgim, Rose iu la trashegim tre fëmijëve të saj – Zuhdiut, Shpetimit dhe Angel-s

          Shokëve të mij të ngushtë dhe fëmijëve të Rose-it iu kam thënë herë pas here:

 –  Agim Kragjozi i kushtoi tërë jetën çështjes kombëtare dhe Federatës Panshqiptare “Vatra” në saje të  mbështetjes, shtytjes dhe angazhimit të bashkëshortes së tij, Rose-it. Ajo  mbajti mbi shpatullat e veta familjen, rriti dhe  edukoi fëmijtë, dhe inkurajoi  e mbështeti  Agimin në secilin sherbim të tij kombëtar. Ajo e adhuroi “Vatrën” dhe e shoqëroi Agimin në veprimtaritë më të dukshme të “Vatrës”.  Ajo ishte shtyllë e hekurtë e Agim Karagjozit  në veprimtaritë  e tij kombëtare.

          Rose (Peshkëpia) Karagjozi qe një zonjë mërgimtare e motit, e dashur, mikpritëse, serioze, e buzëqeshur, dhe plotë kujtime të rrjedhëshme e të qarta të jetës të cilat nuk kthehen më. Kur Rose hynte atyre tregimeve, sidoemos për ata që i kishte njohur  dhe ato që kishte përjetuar e dëgjuar, të dukej se ishte këthye në kohën e fëminisë, rinisë, pjekurisë dhe pleqërisë, në jetën e mërgimit të pafund. Me ikjen e Rose Karagjozit zhduket një thesar kujtimesh të jetuara, të cilat nuk janë mbledhur, si nuk janë mbledhur kujtimet e shumë e shumë të tjerëvet, për dëm të madh të njohurive të vërteta mbi jetën dhe veprimtarinë e shumë atdhetarëve tonë në mërgim, të cilët moren me vete një pjesë të historisë tonë kombëtare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhe Vatres, Idriz Lamaj, ne sherbim te Familjes, nje jete, Rose Karagjozi

Piktura të shekullit XVI ne kishat e jugut

November 1, 2018 by dgreca

 1 Gezim ll

Nga Gëzim Llojdia/

  1. Cilët piktorë kanë punuar në kishat e Dhërmiut?Për të mos mbetur mister diku nga viti 1966 ,një artikull i historianes së artit  Dhorka Dhamos në vitin 1966 i titulluar :”Vepra të reja të piktorëve të shekullit të XVI,trajton pikërisht këtë temë.1966 Dhorka Dhamo boton: Mbi disa ikona të panjohura të piktor Nikollës dhe Onufer Kipriotit me 124 faqe.Në vitin 1974,Dhorka Dhamo boton  në gjinin e ikonografisë :Piktura murale e mesjetës në Shqipëri,një botim të Shtëpisë botuese «8 Nëntori(La Peinture Murale du Moyen âge en Albanie).Te artikulli i gazetës autorja Dh.Dhamo  sjell detaje të reja rrreth pikturës  dhe autorit siç ishte Nikolla në shekullin e XVI dhe kryesisht për kishat e jugut.

5 foto

2.Pikturat e shumta dhe me vlere artistike të Dhërmiut deri vonë të pa studiuara ose të shqyrtuara vetëm kalimthi kanë mbetur disi të veçuara nga rruga e zhvillimit  të artit vendas,thotë autorja D.Dhamo. Ndonjëherë ato janë cilësuar si të  shekullit XII si ndodhi me pikturat murale të kishës së  Shën Stefanit, por, siç do të  shohim më vonë kjo nuk i përgjigjet se vërtetës. Një hije dyshimi i hedh datimit të mësipërm në radhë të parë afria e ngushte stilistike që kanë ndërmjet tyre fragmentet e Shën Stefanit me pikturat mu­rale të padatuara të kishës së Ipapandisë, që ndodhet pranë saj. Shumica e pikturave në këtë te fundit ruhen në një gjendje fare të mirë. Ky grup me tipare stilistike krejt të përbashkëta ë ‘asnjë mënyrë nuk mund të lidhet, pikësëpari për nga mënyra e punimit dhe për nga fryma e përgjithshme që e përshkon, me një periudhë kaq të largët siç është shek. XII.  Në asnjë moment të  periudhës pa­ra pushtimit otoman nuk gjejmë gjëkundi përfytyrimin e Spiridhonit. Kulti i tij nis të përhapet tek ne më vonë. Një tjetër arsye me  rëndësi është ikonografia e figurave. Para shekullit XVI në  pikturën tonë, as Shën Gjergji me Shën Mitrin, as edhe ndonjë strateg tjetër nuk përfytyrohen si kalores mbi kuaj, por qëndrojnë drejt e në këmbë. Këto ndryshime të rëndësishme   ikonografike nxjerrin krye veçanërisht te vepra e Onufrit. Ato nuk linden si të shkëputura nga historia jonë, nuk janë huajtur në mënyrë të  verbët, por janë një materi] me interes, sepse   tërthorazi kane buruar prej ndryshimeve që solli vet rrjedha e ngjarjeve të fundit të  shek. XV dhe fillimit të  shek. XVI. Lëvizjet në ikonografinë e artit gjithmonë kane ndihmuar për ta përcaktuar në kohë monumentin. Rasti i dy kishave të mësipërme jep edhe diçka më tepër që çon përfundimisht datëlindjen e tyre   në shek. XVI: që  të  dy monumentet janë pikturuar nga dora e mjeshtrit të njohur të kësaj periudhe. Nikollës së Onuf­rit. Një krahasim sado i shpejtë i fi­gurave me ato që ka pikturuar Nikolla me 1578 në Kishën Vllaherne të Beratit e dëshmon fare qartë  këtë identifikim. Figurat kanë po ato përpjesëtime të zgjatura, gjymtyrë tepër të zhvilluara, koka të  vogla,qafa ele­gante dhe fytyra   ovale të  bukura. Pleqtë diferencohen nga të rinjtë nga një punim me grafik ,një  linjë e rrumbullakuar shënon mollëzat e fanove, pjesën e mbivetullave. Më  zbeh të tingëllon ne fytyrat e pleqve gama e ngjyrave, me e kursyer është te roza dhe e kuqja tone, që ngrohin veçanërisht fytyrat e grave. Që  të  gjitha portretet pa dallim mbulohen me vija të panumurta në ngjyrë të bardhe, si në një rrjetë  njolle, nga larg të pashquar. Në këtë mënyrë  piktori ndriçon pjesët më me reliev, modelon dritën. Theksimet e bardha i shtojnë një notë  të re disi të ftohtë koloritit origjinal e të pasur të Nikolles, që e shquan aq fort dhe nga Onufri që ka qen ati dhe mësuesi i tij. Të gjitha këto tipare dalin të qartë si në fragmentet e Shën Stefanit ash­tu dhe në figurat e Ipapandise. Dimë se Nikolla ka punuar në Kurjan të Fierit dhe më 1578 në Kala të Beratit. Në ç’periudhë të  aktivitetit të tij janë dekoruar muret e dy kishave të Dhërmiut?

Pa u futur në supozime një gjë është e sigurte: ato janë pikturuar pas Kurjanit, ku Nikolla përmendet pas një mjeshtri tjetër. Joanit. Në  Dhërmi ai është krejt i formuar si mjeshtër i pavarur, me një individualitet artistik të  përcaktuar mirë  dhe dorë të sigurtë, duke përjashtuar disa pjesë e detaje që janë punë e padyshimtë e ndihmësve dhe nxënësve të tij, fakt që edhe ky dëshmon se në  Dhërmi ai ka pu­nuar si mjeshtër i dëgjuar, që  krye­son një atelie të organizuar  Ndër punët më interesante, për nga ritmi i linjave dhe harmonia e ngjyrave, mund të cilësohen portretet e Kostandinit dhe të Elenës dhe sidomos paltitera – Shën Meria me foshnjën, që ka qenë një temë shumë e preferuar në mesjetë. A jo vazhdoi të këndohet e të  lartësohet në himne edhe në artin e rilindjes italiane, por duke humbur thuajse gjithshka mistike e fetare. Te Nikolla, e përgjithësisht në artin tonë mesjetar, kjo nuk ndodh. Deri në këtë shkallë arti i mjeshtreve tanë nuk u ngrit as në shek. XVII, për arsye që dihen.

Pra, përveç traditës fetare që u trashëgua në tematike, edhe përmbajtja e stili i vjetër nuk u thyen dot. Por artistet më të talentuar, ndër të cilët dhe Nikolla, duke qenë të lidhur me kohën, futën nuanca të shqetësimeve të saj në një sfond të  largët, të përgjithshëm, edhe duke qenë të mbërthyer nga tradita e kanunet rigoroze të kishës. Aktualiteti zuri vend në artin e tyre në një mënyrë sa të  tërthortë aq edhe spontane. Kështu Ni­kolla, përmes artit të tij konvencional e fetar, nuk percon deri tek ne veçse ndjenjën e një dëshpërimi te përgjithshëm, një ankth shpirtëror që duhet kuptuar, ne radhe te pare si një krize e orientim që  pushton tejembanë fenë kristiane dhe pastaj në fund fare, si një jehone e largët e këtij kërcënimi që solli për lirin e pavarësinë e vendit pushtimi otoman.

Përtëritja e forcave krijuese dhe ngritja në cilësi e pikturës së shek. XVI tek ne, kur në shume vende të Ballkanit arti është në zbritje  dhe nuk krijon veçse vepra të dobëta nga ana profesionale që cilësohen më tepër për karakterin e tyre  zejtar ose imitues, dëshmon dhe për një ane tjetër të  rezistencës se popullit  tonë, për rezistencën kulturale. Krijimet e Nikolles në Dhërmi sëbashku me ato të piktorit Onufër Qipriotit,që tani së fundi zbulohet edhe si dekorues i mureve të Shën Kollit po në Berat,dëshmojnë për vazhdimësinë  e lidhjeve shpirtërore ,që ishin krijuar si jehonë e atij bashkimi 25 vjeçar të vendit nën Skënderbeun,për të përballuar së bashku armikun me armë dhe vërtetojnë edhe një herë se Berati i cilësuar nga Onufri si një qytet i shkëlqyer,vazhdoi të jetë një qendër e rëndësishme kulturave duke tërhequr pranë vetes  së tij,nga njëra anë krahinën e Elbasanit dhe nga ana tjetër,Shqipërinë e Jugut.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Pikturat e shekullit XVI

SHQIPËRI-GREQI, BILANC TRAGJIK VIKTIMASH

November 1, 2018 by dgreca

-A do të  fillojë Prokuroria e Përgjithshme e Greqisë hetimet për vrasjen e mbi 171 emigrantëve shqiptarë të pafajshëm- 97 të vrarë nga policia !/

–  480 fëmijë shqiptar të zhdukur në Shtëpinë Bamirëse “Agio Varvara” në Athinë/

1 shpetim.zinxhiria

Shkruan nga Athina:  Shpëtim Zinxhiria/

A do fillojë Prokuroria e Përgjithshme e Greqisë hetimet për vrasjen e mbi 171 emigrantëve shqiptarë të pafajshëm, të pa armatosur me armë, duke filluar nga vrasja e 14-vjeçarit Erion. X (8/02/1996 nga policia ne burgun e fëmijëve të Avlonës në Athinë, të Gramoz Palushit (4 shtator 2004) pse veshi një bluze te kuqe e deri te vrasja e fundit e Pëllumb Marnikolaj (3 gusht 2016) ne komisariatin e policisë nga vete autoritetet në Ano Patisia në Athinë ?

Në Greqi, kronologjia na tregon se që nga viti 1992 e deri me sot janë vrarë 171 emigrantë, nga këta 97 janë vrarë nga policia dhe rojet kufitare.

Sikur të mos mjaftojë kjo, gjithashtu kemi edhe 480 fëmijë shqiptar të zhdukur në Shtëpinë Bamirëse “Agio Varvara” në Athinë në rrugën Singou Fiks. Kujtojmë se kemi edhe zhdukjen e 37 dibraneve ne ujrat greke, kemi rreth 540 raste te keqtrajtimeve të emigrantëve nga forcat e policisë, si dhe plagosje me armë.

Në se minoritari 35-vjeçar u vra me armë në dorë nga forcat RENEA, asnjë shqiptar nga 171 të vrarë në Greqi nuk u vra me armë në dorë, apo në shkëmbim zjarri me policinë, përkundrazi ata janë vrarë pse kanë qenë ilegalë dhe pse ishin shqiptarë.

Per këto vrasje qeveria greke nuk ka mbajtur asnjë qendrin ashtu si edhe drejtësia, përkundrazi vrasesit janë duartrokitur (pamjet filmike jane ne tv greke) 

Vrasja e emigrantëve në Greqi duhet të kishte ndërgjegjësuar shtetin grek, por njëkohësisht dhe shtetin shqiptar që me kohë duhet të kishin filluar  hetimet rreth të këtyre vrasjeve makabre. Vrasja e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk ka të bëjë fare me kriminalitetin, por thjesht ata janë vrarë se ishin shqiptar

Mosha mesatare e emigrantëve të vrarë është 26 vjeç. Mosha më e madhe e të vrarëve është 48 vjeç, ndërsa mosha më e re është 13 vjeç.

Studimi shumë vjeçar është bazuar mbi të dhënat zyrtare të mediave greke si dhe të Organizatës Antiraciste Evropiane (YRE) 

Nga studimi i viteve 1991-2010 vërehet se:

Mosha mesatare e emigrantëve të vrarë është 26 vjeç. Mosha më e madhe e të vrarëve është 48 vjeç, ndërsa mosha më e re është 14 vjeç.

Për periudhën nëndor 1992 mars të 1997 janë vrarë 47 emigrantë, ku nga këta 45 ishin shqiptarë dhe 2 ciganë. Për këto vrasje janë kryer 141 sulme kundra emigrantëve, ku mekanizmi shtetëror policia ka kryer 86 sulme, ndërsa nga qytetarët janë kryer 67 sulme. Deri më sot dy qeveritë kanë heshtur përball 154 vrasjeve makabre. Lista e gjatë makabre e emigrantëve të vrarë.

1991 -1 vrasje nga roja e kufirit

1992 – 12 vrasje. 5 janë vrare nga policia dhe 4 të tjerë nga rojet kufitare

1993 – 6 vrasje me armë zjarri. 4 janë  vrarë nga policia

1994 –  6 vrasje me arme zjarri të kryera nga policia

1995 –  9 vrasje. 5 janë kryer me armë zjarri, ku nga këto 3 nga policia dhe 2 nga rojet kugitare

1996 – 10 të vrarë. Ku 6  prej tyre i ka vrare policia dhe 1 rojet kufitare

1997 – 14 vrasje, nga këto 10 jane kryer me arme zjarri. 10-të i ka kryer policia

1998 – 13 vrasje, nga këto 8 janë kryer me armë zjarri. 4 vrasje mbajnë vulën e policisë

1999 – 15 vrasje, nga këto 7 janë kryer me armë zjarri .  6 vrasje i ka kryer policia dhe 2 rojet kufitare

Nga viti 1992 – 1999 janë vrarë 75 emigrantë. Nga këta, 60 i ka vrarë policia si dhe rojet kufitare, ndërsa pjesa tjetër nga vendasit

2000- 9 vrasje me armë zjarri. Të gjithë u vranë nga policia

2001- 3 vrasje të  kryera me armë zjarri nga policia

2002- 3 vrasje me armë zjarri nga policia

2003- 5vrasje. 2 janë kryer me armët e policisë

2004- 6 vrasje. Policia ka kryer një vrasje

2005- 2 vrasje.

2006- 2 vrasje.

2007- 6 vrasje. 2 ka kryer policia. .

2008- 10 vrasje. Një është kryer me armë zjarri.

2009- 4 vrasje

2010- 8 vrasje. Nga këto; me armë zjarri 5. 2 vrasje i ka kryer policia.

Nga viti 2000 – 2010 janë vrarë 58 emigrantë. Nga këta, 33 i ka vrarë policia dhe rojet kufitare, ndërsa pjesa tjetër janë vrarë nga vendasit

Nga viti 1992-2010: Janë vrarë 154 emigrantë. Janë verifikuar 135 dhe mbeten për verifikim edhe 19 vrasje të tjera. Në 135 vrasjet e kryera forcat e policisë greke kanë kryer 93.

Viti 1991, është fillimi i vrasjeve por edhe i regjistrimeve të krimeve të kryera ndaj shqiptarëve. 6 marsit është dita kur shtypi grek publikon për të parën herë  vrasjet e emigrantëve.

Disa prej vrasjeve më të bujshme ndër vite të shqiptarëve në shtetin grek:

  1. Grina vrarë më 1992. N. Dremaj (20 vjeç ) vrarë më 18/12/ 1992.  A. Kuka (18 vjeç) 25/02/1995. I.Frroku (26 vjeç) 15/03/ 1995. A. Trocka 27/03/1995. A.Isaku 1/05/1995. Q. Bikli Nëntor 1995. T. Kodra 2/12/1995. B.Xixa (28 vjeç) 26/12.1996. J. Moka Nëntor 1996. Erion. X (14 vjeç) 8/02/1996. G.Meko (17 vjeç) 6/04/1997. I.Meksi ( 26 vjeç) 3/08/1997. A. Domaniku (16 vjeç) 30/09/1997. B. Bregkoki ( 30 vjeç) 16/12/1997. H. Sefa (19 vjeç) 28/12/1997. A. Fotiu 8/05/1998. B.Bakollari (28 vjeç) 5/06/1998; M. Gjenci 15/06/1998. S. Butka (40 vjeç) 8/11/1998. A. Hoxholli Nëntor 1998. I.Subashi 2/08/1999. S. Qilari 14/02/1999. A. Vekshi Mars 1999. A. Vejziu 13/03/1999. L. Pepa (20 vjeç) 18/03/1999. F. Neta (45 vjeç) 7/04/1999. A. Sufo 16/07/1999. A. Xhafa (48 vjeç) Prill 2000. B. Qoshku (23 vjeç) 1/11/2000. Xh. Kacani (22 vjeç) 23/11/2000. G. Çelniku (20 vjeç) 21/11/2001. A. K. (32 vjeç) 2/11/2002. A. Beso (27 vjeç) 11/05/2003. G. Fati (23 vjeç) 23/08/2003 (25 vjeç). 23/08/2003. V. Bytyçi (18 vjeç) 23/09/2003. A. Lufo (20 vjeç) Korrik 2003. L. Bërdëllima (36 vjeç) 11/08/2004. J. Karo (30 vjeç) 16/09/2004. I. Frroku (26 vjeç) 15/03/2005. B. Braimi (39 vjeç) 8/09/2005. F. Lika (24 vjeç) 2/11/2005. E. Jahaj (18 vjeç) 1/01/2006. L. K. (20 vjeç) 15/03/2007. G. Lajoti Nëntor 2007. L. Kalca (18 vjeç) 15/04/2007; I. Late (45 vjeç) 8/11/2007. A. Zoto (20 vjeç) 1/03/2008. F. Lala (24 vjeç) 22/09/2008. E. Bakiu (22 vjeç) 22/09/2008. A. Gashi 20/04/2009. N. Todi (20 vjeç) 4/02/2010. A. Manko 1/06/2010.

Disa emra të policëve grekë që dyshohet se kanë vrarë emigrantët e pafajshëm (1992-2001)

Dh. Janopoulos 27/12/1992. A. Dellas 12/09/1993. A. Mesinis 20/02/1994. N. Kunapakis 9/03/1994. L. Karajanis Nëntor 1994. I. Rigas nëntor 1994; I. Sejtaridhis  9/11/1992. Dh. Janopoulos 27/12/1992. A. Dellas 12/09/1993. A. Mesinis 20/02/1994. N. Kunapakis 9/03/1994. L. Karajanis nëntor 1994. I. Rigas Nëntor 1994. Papadopulos 25/02/1995. A. Fotopulos Nëntor 1995; D. Karakajdas 20/01/1996. D. Spiropulu 11/11/1996. D. Trimis 10/11/1996. M. Andreopulos 8/02/1997. S. Tagaras 15/04/1997. D. Tsagrakos 3/08/1997. G. Spanidis 16/12/1997. G. Atmaxidis 6/03/1998. S. Demetriu 8/05/1998. P. Tcoleridis 8/11.1998; K. Zaharopulos Shkurt 1999. And. Kanavas Mars 1999. Ath. Kanavas 13 mars 1999. J. Rizopulos 21/11/2001.

Nga viti 2000 – 2010 janë vrarë 58 emigrantë. Nga këta, 33 i ka vrarë policia dhe rojet kufitare, ndërsa pjesa tjetër janë vrarë nga vendasit

Nga viti 1992-2010: Janë vrarë 154 emigrantë. Janë verifikuar 135 dhe mbeten për verifikim edhe 19 vrasje të tjera. Në 135 vrasjet e kryera forcat e policisë greke kanë kryer 93. Viti 1991, është fillimi i vrasjeve por edhe i regjistrimeve të krimeve të kryera ndaj shqiptarëve. 6 marsit është dita kur shtypi grek publikon për të parën herë  vrasjet e emigrantëve.

Po mbas viteve 2010 është policia ajo qe kryen vrasje makabre me lloj-lloj menyrash. Konkretish autori i krimit është për oficer policie që shërben në Parlamentin grek. I është dhënë prokurorisë së Livadhias së qytetit të Thivës. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 28 tetor të 2011, ku mbas një zënie në makinë në zonën Avlona, e ka mbytur me xhupin e tij gruan shqiptare 49-vjeçare. Më pas e ka braktisur në një zonë bujqësore të Sqimatarius, me qëllim që të kuptohej se ishte viktima e një aksidenti automobilistik. Deri më sot asnjë punonjës policie që ka torturuar dhe vrarë në mënyra nga më të ndryshme emigrantë shqiptarë nuk është dënuar nga drejtësia vendase. Duke u nisur nga këto lloj vrasjesh të ndryshme shikojmë se gjatë periudhës 1992-1999 policia ka vrarë 60 emigrantë shqiptarë, ndërsa më pas vrasjet e policëve ndaj emigrantëve tanë ka ardhur në ulje. Nga viti 2000-2010 policia ka vrarë 33 emigrantë shqiptarë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 93 shqiptarë të vrarë, duke e cuar atë më pas në 97, me rastin e vrasjes se Pellumb Marnikolaj nga vete autoritetet e ruajtjes se rendit.

Emrat e disa shqiptarëve  të keqtrajtuar dhe torturuar nga policia

A.Biba, A. Caco, A. Përllalla, A. Hodi, A. Nesto, A. Allkja, A. Torkja, A. Cenika, A. Lleshi, A. Prifti, A. Metaliaj, B. Metaliaj, G. Rama, D. Troshku, D. Topallaj, D. Brakolli, E. Sula, F. Ceka, R. Bullari, S. Hallko, S. Allkja, SH. Shabani, Η। Allia, K. Rrapi, B. Meçe, M. Halimi, R. Halili, R. Pashollari, R. Saliaj, K. Rrapi, V. Mema, V. Karaj, O. Osmani, S. Gjani.

Asnjë polic nuk është dënuar për vrasjet ndaj emigrantëve

  • Në vitin 2000 – 2001, vetëm tre policët e akuzuar për tortura dhe abuzim kanë qëndruar në bankën e të akuzuarve. Dy nga të tre të akuzuarit fitojnë lirimin, ndërsa i akuzuari i tretë u dënua me 30 muaj burgim dhe më pas 15 muaj burg me kusht.
  • Asnjë polic nuk është i gjykuar për torturat dhe vrasjet e emigrantëve gjatë tetë muajve të parë të vitit 2002. Nga fillimi i vitit 2000 deri në qershor të vitit 2002, trupat gjyqësore kanë lëshuar vendime për pesë raste të të shtënave me armë zjarri nga ana e policisë.

Në dy, nga pesë rastet, janë akuzuar dy oficer policie. Kur ka gjetur fajtor oficer policie me akuzën për vrasje janë dhënë “dënime me kusht”. Njëri nga oficerët u shpall fajtor për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me 4.5 vjet burg. Më vonë edhe ky (i mjeri) lihet i lirë me kusht; po të vrasë përsëri do të bëj burg jo 4.5 vjet po 9 vjet.

 Deri në fund të qershorit 2002, nuk ishin akuzuar për vrasje apo tortura në asnjë roje kufitare apo ushtar në incidentet kufitare cituara në raport.

  • Sipas shifrave zyrtare, as një polic nuk është dënuar për tortura dhe vrasje dhe abuzim në detyrë të kryera nga 1996 – 2001.

Në vitet 2000-2002 u penalizuan për vrasje vetëm pesë policë, po më në fund asnjë nga këta nuk u dënua. Duke ndjekur rrugën e ndjenjave antishqiptare, Greqia i ka mbushur burgjet e saj me emigrantë duke zënë vendin e parë për sa i përket numrit të dënuarve të huaj. Nuk është e rastit që drejtësia greke të mos ketë kurajën morale, për të dënuar asnjë nga vrasësit, të cilët deri më sot nuk u kanë kërkuar të falur familjeve të viktimave, por përkundrazi janë duartrokitur në sallat e gjykatave. Mos vallë rethanat e fundit na cojne per Reciprocitet…le te shpresojme se me ne fund do te kemi nje gje te tille.

Filed Under: Analiza Tagged With: bilanc tragjik, Greqi -Shqiperi, Shpetim Zinxhiria

Kalendar Historik-ZALLI I KIRIT, EKZEKUTOHET NDUE PALI E CAF METI

November 1, 2018 by dgreca

2 NANDOR 1945-ZALLI  I  KIRIT  SHKODER/

1 Nue Pali

NDUE PALI (1922 – 1945)/

Aranit Çela: Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para dreke, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto: “Ndue Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij…../

Shkruan: Fritz RADOVANI/

ZALLI I KIRIT në Shkoder, jo pak djelm si Ndue Pali ka kalbë në lule të Rinisë. Edhe krimineli Aranit Çela, mik i tiranit Enver Hoxha, jo pak plumba mbas koke ka shprazë aty n’ atë Zall të bardhë si biluri pranë atij Muri Gjakut, rrethues i Rrëmajit .

Kaçubat e ferrave me kandilat e ndezun brij Pendës, nuk harrohen asnjëherë prej nesh!

Ashtusi shprazjet e pafund të automatikëve vrastarë që nuk pushuen asnjëherë…

DOSJA 1108: NDUE MIRASH PALI…

“ V.F.L.P.

Proçes- verbal 

I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,

Ndue Mirash Pali dhe Caf  Meti, nga Shkodra.

Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para dreke, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:

“Ndue Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij.

Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët.

Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!

Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!

Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve!

Të fala familjes.

Prokuror  (Aranit Çela) d.v.”

14 KORRIK 1945 Asht dita e zezë që u dha “Vendimi me vdekje, me pushkatim”.

Arkivi ruen edhe një letër që Ndue Pali i dërgon Riza Danit, me anë të së cilës Ndou i kërkon Rizasë, mundësinë e ndërmjetsimit për me u dorzue.

Mbrojtja e Avokat Paulin Palit ka titullin “Liri, Nderë e Burrni”.

15 GUSHT 1945: Aty rreth orës 3.30 e mëngjezit, kur rojet e Burgut të vjetër të Gestapos (pranë shtëpisë së Zef Shirokës), hapnin dryjt e dyerve me zhurmë e virrma për me hy xhelatët e sigurimit të shtetit per me marrë të dënuemit me vdekje me i çue me i pushkatue, ata u gjetën para një të papritune që as nëpër mend nuk i shkonte! Ndou dhe Cafi kishin mpreh bishtat e lugëve që hanin dhe i kishin kthye në thika. Xhelatët vrasës e katila të sigurimit të Degës së Mbrendshme të Shkodres, gjetën aty atë që lypnin me sjelljen e tyne barbare prej katilash të panjohun nga historia e Popullit të pafajshem.

Heroizmi i Ndue Palit e Caf Metit mbeti i pashlyeshëm perjetsisht në kujtesën e Popullit të Shkodrës! Akti heroik i vdekjës së Tyne u kthye në një legjendë. Ata trandën hekrat dhe murët e burgjeve barbare në gjithë Shqipninë e robnueme nga sllavokomunistët.

2 NANDOR 1945 Si gjithmonë, Shkodra kujton të vdekunit. Ishim ndër vorret e Rrëmajit që atë ditë marrin një pamja madhështore nga vizitorët. Papritmas u hap fjala, se mbas murit të vorreve, në Zallin e Kirit, pranë Çinarëve, janë rregullue disa vorre të njerëzve të pushkatuem. Si fëmijë kaluem mbas Pendës së Kirit kur, shka me pa me sy?! Një korte i vërtetë njerzish. Drejtë me Çinarin e dytë ishin pesë vorre të bame me gurtë e Zallit të Kirit, të mbuluem me guraleca të vegjël, të bardhë si biluri. Tre prej tyne me kokë nga Penda e Kirit ishin me Kryqa, ndërsa dy që hynin ndërmjet me fëtyra përballë atyne të treve, kishin shenjën e Myslimanëve. Ndër të gjithë shenjat varëshin fotografi të mëdha (rreth 35×50 cm.). Ishin Portretet Atyne djelmëve të pushkatuem në lule të rinisë. Tek koka e sejcilit vorr ishte e ulun kacuk Nana ose një i afërm i të vramit. Mbi gurët anësor të vorrit ishin të rreshtueme cigare, të cilat, dy a tre nga të afërmit ose miqtë që rrinin në kambë, ua shpërndanin burrave që vinin aty dhe i banin ngushllimet.

Kujtoj, se mbi vorrin e Ndue Palit e Kol Sokolit kishte edhe fruta tek fundi i vorrit Tyne. Ishte zakon i malëve. Në mes të Ndout e Kolës, me fëtyrë përballë, ishte Caf Meti. Emnat tjerë nuk i kujtoj. Nën fotografia kishte lule të bardha dhe të freskëta që na kujtonim se lagëshin nga lotët e atyne Nanava me futa të zeza e degërmia të bardha, Ato vetem u merrnin erë  atyne luleve, por jo, jo tue kja loçkat e zemrës së Tyne, që ua kanë tha Shpirtin për gjithë jetën. Asnjenës nuk i pashë pikë loti!..

Aty kuptova se Herojtë Nanat Shqiptare nuk i vajtojnë!..

Për pak minuta erdhën disa makina me ushtarë të mbrojtjës, filluen me vrritë si bishat e tërbueme. Kur filluen krizmat e automatikëve na ikëm me vrap prej frikës.

Mbas asaj ngjarje nuk bahej fjalë ma për vorre të pushkatumëve. Aty ai vend u mbush me pleh e mbeturina, me kafshë të ngordhuna, me pisllëkun e pusave të zezë të qytetit, që karrocat hillnin sipër me zhdukë çdo gjurmë. Aty-këtu filloi ndërtimi i ndonjë shtëpisë ku Sigurimi, solli të besuemit e vet me qëndrue gjithënjë në roje t’ atij vendi.

Megjithatë, kishte ndër kaçuba e ferra ndonjë qiri të ndezun e të futun mbrenda në një kuti teneqeje  që mos të fikej. Ai qiri derdhte lotët e tij në atë vend të bekuem…

Ishin Lotët e Nanave Tona që nuk u thane kurrë…Asnjëherë! U vorrosen me lot perfaqe!

Edhe “Rilindja” atë detyrë ka… Me Lot’ e Vaje Nanash me mbytë Shqipninë…

E Ajo pra, asht bash Shqipnia e Gjergj KASTRIOTIT – SKENDERBEUT !

  Melbourne, 1 Nandor 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 2 Nentor 1945, Ndue Pali, u ekzekutua

Ish-ministri i Jashtëm grek: Kush qëllon, qëllohet

November 1, 2018 by dgreca

-Rama bëri deklaratën e gabuar në orën e gabuar. Rama është një politikan që interesohet vetëm për vota. Kërkon që të mbledhë vota në jug të Shqipërisë./

1 pagkalos

Ish-ministri i Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos, në një intervistë për televizionin Sky mëngjesin e së enjtes, i pyetur për ngjarjen në fshatin Bularat, ka deklaruar se mbron qëndrimin se kushdo që mban armë dhe qëllon, duhet të qëllohet nga policia.

“Unë kam bindjen se kush mban në mënyrë kërcënuese armë në dorë të qëllohet menjëherë nga policia, ashtu siç ndodh në vendet e civilizuara, në vendet skandinave apo SHBA”,- tha Pangalos.

Nuk ishte e nevojshme që të shkonte dikush nga Greqia për të ngritur, siç thonë një flamur, ka shtuar Pangalos, kur kemi parë që në Derviçan dhe Bularat ka për festa aq shumë flamurë, deri në tepricë.

Pangalos, një ish-politikan shpesh shumë kontravers në deklaratat e tij, ka thënë gjithashtu se deklarata e kryeministrit Edi Rama pas kësaj ngjarjeje ishte e gabuar, në kohën e gabuar.

“Rama bëri deklaratën e gabuar në orën e gabuar. Rama është një politikan që interesohet vetëm për vota. Kërkon që të mbledhë vota në jug të Shqipërisë. Dhe kjo për faktin se aty në jug nuk banojnë vetëm grekë, por edhe shqiptarë”,- shpjegoi Pangalos.

Gjithashtu, Pangalos ka thënë se Greqia, që të jetë një lider në rajon, duhet të ketë aleanca të fuqishme me gjithë shtetet ballkanike, midis tyre edhe me Shqipërinë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Faqe zi, Kacifas, kush qellon, Pangalos, qellohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT