• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

LUDMILA ALEXEEVA: NJË ZË I FUQISHËM NË MBROJTJE TË DREJTAVE TË NJERIUT

December 12, 2018 by dgreca

Mandatory Credit: Photo by Maxim Shipenkov/EPA/REX/Shutterstock (7956701n)
Lyudmila Alexeyeva Head of the Moscow Helsinki Group Speaks During All-russia Civil Forum in Moscow Russia 23 November 2013 More Than One Thousand People Participated in a Forum Russian Federation Moscow
Russia All-russia Civil Forum - Nov 2013

Ludmila Alexeeva, historiane, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish-disidente në Bashkimin Sovjetik, ishte gjithashtu edhe antarja themeluese e Grupit të Helsinki në Moskë më 1976. /

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli

”Ku fillojnë më në fund të drejtat universale të njeriut?  Në vende të vogëla, afër shtëpisë ku jetojmë – aq afër dhe aq të vogëla janë ato hapësira, sa që nuk mund të shihen në asnjë hartë të botës.  Prandaj, nëqoftse këto të drejta nuk kanë ndonjë vlerë aty ku jetojmë dhe veprojmë, atëherë ato nuk kanë asnjë vlerë, askund tjetër.  Pa veprim të përbashkët të qytetarëve për t’i zbatuar ato në hapësirën dhe në vendin ku banojmë e punojmë, është e kotë të kërkojmë zbatimin e tyre në një botë më të gjërë”, ka thënë Eleanor Roosevelt, promovuesja kryesore e asaj që tani njihet si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Më 8 Dhjetor, dy ditë para Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Moskë ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, Ludmilla Milkhailovna Alexeeva, gruaja më e njohur e lëvizjes së të drejtave të njeriut në Rusi, promovuese e këtyre të drejtave jo vetëm në vendin ku jetonte dhe vepronte, por anë e mbanë botës, për më shumë se 50-vjetë.   Në vitin 1968, ajo është përjashtuar nga Partia Komuniste sovjetike dhe është pushuar nga puna, në një shtëpi botimi, si përfundim i veprimtarisë së saj në mbështetje të zbatimit të drejtave të njeriut.  Në këtë ndërkohë, ajo bashkpunonte me buletinin klandestin të lajmeve, “Kronika e Ngjarjeve Aktuale”, një botim ky që i dedikohej shkeljeve të të drejtave të njeriut anë e mbanë ish-Bashkimit Sovjetik.

Ludmila Alexeeva, historiane, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish-disidente në Bashkimin Sovjetik, ishte gjithashtu edhe antarja themeluese e Grupit të Helsinki në Moskë më 1976.   Një vit më vonë ajo u detyrua nga autoritetet komuniste të largohej nga Bashkimi Sovjetik për në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi veprimtarinë e saj, në fushën e të drejtave të njeriut.  Gjatë viteve 1960-ta, Ludmila bënte pjesë në lëvizjen disidente sovjetike dhe luftonte për lirimin e disidentëve të burgosur nga regjimi komunist sovjetik.  Autoritetet komuniste nuk mund të toleronin punën e saj dhe të bashkpuntorëve të saj disidentë rusë në mbështetje të të drejtave të njeriut, kështuqë shumë prej tyre u arrestuan ose u detyruan me forcë të emigronin.  Në vitin 1977, Alexeeva detyrohet nga qeveria sovjetike që të emogronte në Shtetet e Bashkuara, ku ajo vazhdoi të promovonte të drejtat e njeriut, ndërsa punonte për shërbimin rus të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë.  Pas shembjes së komunizmit, ajo është këthyer në atdhe ku ka shërbyer si kryetare e Grupit të Helsinkit, dega e Moskës, ç’prej vitit 1996 dhe konsiderohej si kritike e fortë dhe e pa frikë e politikës së Kremlinit.

Unë e kujtoj me respekt Ludmila Alexeevën, të cilën e kam njohur, falë punës së saj si kontribuese me komentet e saja, për disa vjetë pranë shërbimit rus të Zërit të Amerikës, kur shërbeja si Zëvendës- Drejtor në Drejtorinë e VOA-s për ish-Bashkimin Sovjetik, në fillim të 1990-ave.  Ishte një grua me një trup të brishtë por e vendosur në pikëpamjet e saja anti-komuniste dhe mbrojtëse e flakët e të të drejtave të njeriut, jo vetëm për bashkatdhetarët e saj në Rusi dhe në vendet e tjera të okupuara nga ish-perandoria komuniste sovjetike, përfshirë popujt e Evropës Lindore, por edhe anë e mbanë botës.  Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, anëtare e të cilës ishte, në njoftimin e saj për vdekjen e të ndjerës Ludmila Alexeeva, e cilësoi atë si, “Një figurë të dalluar dhe shembullore për aktivistët e të drejtave të njeriut kudo dhe përgjithmonë: si një zë moral i qartë në mbështetje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.”

Human Rights Watch e njihte mirë punën e saj, pasi ishte anëtare aktive e kësaj organizate.  Ludmila Alexeeva i kushtoi gjithë energjinë dhe zemrën, shumë kauzave dhe çështjeve që kishin të bënin me të drejtat e njeriut, duke filluar nga persekutimi i pa drejtë i njerëzve të thjeshtë gjatë regjimit komunist e deri tek masakrat ruse të civilëve në luftën e Çeçenisë, përfshirë sulmet kundër shoqërisë civile nën pushtetin e Vladimir Putinit.  Për ata që e njihnin mirë, ajo fliste thjeshtë, por me një mesazh të fuqishëm, ishte gjithmonë fisnike dhe e dhimbshme, por edhe e ashpër ndaj kundërshtarëve, po të ishte nevoja.  Ajo refuzoi të sakrifikonte dinjitetin e saj para pushtetit komunist sovjetik dhe më vonë Alexeeva nuk lejoi gjithashtu as politikën aktuale autokratike të Kremlinit që t’i diktonte asaj kushtet e punës ose të veprimtarisë së saj, si aktiviste në mbështetje të të drejtave të njeriut, thuhet ndër të tjera, në njoftimin e Human Rights Watch për vdekjen e disidentes dhe mbrojtëses së të drejtave të njeriut, Ludmila Alexeeva.

Në një intervistë me Human Rights Watch disa vite më parë,   Alexeeva, e ka cilësuar punën e saj si një, “Trysni  ndaj qeverisë për të zgjidhur problemet aktuale të njerëzve.  Nëqoftse për këtë detyrohem të paguaj një çmim të lartë, atëherë unë do të paguaj një çmim të tillë.  Kjo është më e rëndësishme se sa të strukem dhe nga frika të zbatoj urdhërat e autoriteteve.”

Aktive deri në ditët e fundit të jetës së saj, Ludmila Alexeeva qëndroi kritike ndaj ritmit të zhvillimit të demokracisë në Rusi, këto vitet e fundit.  Në një intervistë dhënë radios gjermane Deutsche Welle, ajo shprehet se vitet e fundit në Rusi ka patur një, “Këthim prapa sepse vendi im, pothuaj nuk ka njohur kurrë në historinë e tij periudha lirie, megjithse periudha nga viti 1987 e deri nga mesi i viteve 2000, deri diku, mund të konsiderohet si e tillë.  Bashkimi Sovjetik u shpërbë nga brenda, ne nuk luftuam që të çliroheshim nga komunizmi. Tani jemi të detyruar që të fillojmë ato përpjekje të mundimshme drejtë sigurimit të lirisë së vërtetë, megjithse nuk pres që të shikoj Rusinë si një shtet demokratik.  Por do të ndodhë, sepse ne jemi komb evropian, gjeografikisht, historikisht, fetarisht dhe për nga kultura”, ka thënë Alexeeva për radion gjermane.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shprehu keqardhjen për vdekjen e Ludmila Alexeeva, duke e cilësuar atë si “Një prej mbrojtësve më të mëdhej të të drejtave të njeriut në botë.” Në deklaratën e DASH theksohet se, “Deri në ditët e fundit, ajo ishte një forcë në mbështetje të dinjitetit njerëzor, duke frymëzuar breza të tërë qytetarësh aktivistë në atdheun e saj.  Vdekja e saj është një humbje e madhe për të gjithë ata që punojnë për kauzën e lirisë në Rusi dhe anë e mbanë botës, në një kohë kur të drejtave të njeriut dhe burrave e grave — të cilët me vendosmëri i mbrojnë ato të drejta — po u bëhet trysni, jo vetëm në Rusi, por dhe në shumë vende të tjera.  Puna dhe veprimtaria e gjatë e Ludmila Alexeeva-s, në mbështetje të të drejtave të njeriut, janë kontribute të përhershme për një botë më të lirë dhe më në paqë”, përfundon deklarata e DASH, me rastin e vdekjes së disidentes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Rusi dhe anë e mbanë botës.

  • Ludmila Alexeeva u varros më 11 Dhjetor në Moskë, një ditë pasi bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Ludmila Alexeeva, te d rejtat e Njeriut, vdiq, ze i fuqishem

MËSIME NGA PROTESTA E STUDENTËVE

December 12, 2018 by dgreca

Asllani 07

Nga Asllan Bushati/

Shoqëria shqiptare  dihet  tashmë, se ka qenë  e masakruar, e tulatur dhe e përcudnuar në cdo aspekt nga shteti totalitar. Por edhe pas shembjes së diktaturës komuniste  në  vijim të këtij mentaliteti, ajo qëndroi e vazhdon të qëndrojë inaktive dhe e trembur. Qytetarët e një rajoni të caktuar, biznesmenët, njerëzit e të të njejtit profesion ose profil si: minatorët, naftëtarët, bujq e blegtorë, student, infermjerë, arsimtarë etj, nuk  u bënë kurrë bashkë ti tregonin forcën e bashkimit një qeverie  që nuk i përfillte  interest e  tyre.

Kurse protestat studentore të këtij dhjetori,  erdhën në një moment shumë të  mirpritur dhe të domosdoshëm. Ata  në një farë forme i ngjajnë  një pranvere  mbarë popullore, si një shpresë për rigjenerim të energjive kombëtare, si një lajmtar se sensi i kundërshtimit të brutalitetit qeveritar nuk ka vdekur.Prandaj ajo po përkrahet pothuaj nga të gjitha shtresat e  shoqrisë.

Po pse u desh kaq kohë që studentët të dilnin në sheshbetejë, kur ata ishin të provokuar që kur nisi e ashtuquajtura reforma arsimore? Mund të ketë shumë arsye, por disa nga më madhoret janë:

Keqqeverisja që coi në një varfërim  të tejskajshëm të më shumë se 95 përqind të popullatës përfshi dhe studentët.

Mos hapja e vendeve të reja të  punës dhe emigrimi i masës më të madhe të rinisë nga perspektiva e zymtë dhe vrasja e shpresës për të ardhmen.

Inkriminimi i të gjithë piramidës  së drejtimit, dhe mos funksionimi i organeve të drejtësisë duke e bërë krimin e pa ndëshkueshëm.

Uni  estravagant i Kryeministrit i shoqëruar me një brutalitet e arrogancë të paparë, tallje e baltosje pakufi e paarsye e kundërshtarëve e deri njerëzve të thjeshtë. Mashtrimi, mburrja e  përdorimi i batutave, shprehjeve banale, e deri veshjeve të papërshtatëshme për një kryetar qeverije.  Heqja e kompetencave  të ministrave , cveshja e personalitetit të tyre dhe marrja e vendimeve vetëm nga Rama në këmbë, pa  asnjë oponencë.

Mburrje se po bëjmë shtet me reforma të  thella e gjithpërfshirëse, por që në fakt rezultoi në një dështim total. Një nga këto reforma ishte ajo në arsim  e cila u këthye në një boomerang pas VKM-së për studentët.

Dhënia e parave , pronës , posteve publike  dhe PPP-ve si shpërblim vetëm 5-6 miqve, shokëve,e bashkpunëtorëve duke i këthyer ata në oligarkë dhe zotërues të 95 përqind  të të ardhurave  të vendit etj etj.

Kështu studentët me daljen  e tyre në protesta  dhe me deklarimet në media, nxorrën në shesh  shumë të palara brenda universiteteve  dhe një llum korrupsioni  që gulfon atje brenda.Bordet e administrimit  të tyre ,janë këthyer në vend punësimi të  autoriteteve të larta partiake në kundërshtim me ligjin, kanë shpërdoruar fonde, kanë përvetsuar për vehte shpërblime të pa drejta dhe e kanë cuar kërkimin shkencor në zero.

Ka pedagogë të nderuar, të ditur e shumë të respektuar që gëzojnë shumë respekt. Por ka edhe nga ata që kanë bërë plagjaturë në kërkimin e titujve akademik, që shesin librat e tyre të pavlerë me detyrim , që kërkojnë ryshfet nga studentët, për testet, detyrat dhe provimet dhe ndaj tyre nuk po merret asnjë formë vetingu për ti nxjerrë jashë universiteteve. Niveli i mësimdhënies vazhdon të bjerë poshtë e më poshtë, mungojnë klasat, sallat e studimit, bibliotekat, laboratoret, baza materiale mësimore e shkencore etj. Studentët kanë tarifa të larta e të pa përballueshme për studentët dhe familjet e tyre.

Studentët vërtetuan se shkollimi si një e drejtë kushtetuese po u mohohet  padrejtësisht atyre që nuk kanë mjete monetare të mjaftueshme. Kështu shumë prej tyre treguan se janë të detyruar të ndërpresin studimet një vit, të  punojne  me dy turne në punë të rënda,  për të vazhduar vitin tjetër  nga tarifat e larta në shkolla e konvikte.

Nuk është ndërmarrë asnjë hap për  frenimin e  emigracionit  për disa specialitete që ka kërkesa tregu i BE-së si mjekë, infermjerë, arkitektë, elektronistë etj, ku nëpërmjet politikave sociale të frenohet si fenomen sepse pas dhjetë vitesh nuk do të kemi fare mjekë e as  infermjerë. Një nga format e mundëshme për këtë fenomen do të ishte shkollimi fals  por me kontratë paraprake për të punuar  detyrimisht për dhjetë vite në  Shqipëri.

Shopëria shqiptare në tërësi  dhe sistemi arsimor në vecanti kishin shumë  nevojë për këtë shkundje të madhe që ju dhanë protestat studentore. Kurse qeveria Rama është praktikisht e rrëzuar. Edhe në se ajo vazhdon të zvarritet më tej  me forma e metoda të ndryshe , do ti bëjë akoma më shumë dëm Shqipërisë . Kjo qeveri le të shikojë vetëm për një moment reagimin e Presidentit Francez Makron se si e tërhoqi përgjegjësinë mbi vehte, për të dëgjuar ate cfarë populli francez po kerkon. Mbi këtë bazë të reflektojë duke e parë vehten në pasqyrë dhe jo virtualisht si e ka në mendje. Edhe opozita ka cfarë të mësojë nga këto protesta shumë qytetare, por shumë domethënëse. Edhe biznesi i vogël, naftëtarët, minatorët, infermjerët, prodhuesit e vegjël  bujqësor e blegtoral po ashtu. Shpresojmë se protestat nuk do të shkërmoqen, nuk do të deformojnë drejtimin dhe do të prodhojnë produkt të ri politik e shoqëror.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, MËSIME NGA PROTESTA E STUDENTËVE

Thërrime urtije

December 11, 2018 by dgreca

Thërrime urtije/

3-anton_cefa

Nga Anton Çefa/           

“Gëzimi i jetës është gëzimi i qenies, i njohjes nga të tjerët dhe i njohjes së të tjerëve në veten tonë.”

Francis Jeanson

“Përvoja më e bukur që na është dhënë është misteri i jetës: ndjenja e thellë që gjejmë në rrënjët e artit të vërtetë dhe shkencës së vërtetë. Mospërfillja e tyre humb sensin e mahnitjes e të mrekullisë, do të thotë gati të vdesësh, të mos shikosh.”

Albert Anshtajn

“Nuk dialogohet për të arritur fjalën e fundit, por për të zbuluar së bashku të vërtetën dhe të drejtën.”

Jean  Lacroix

“Nji dialog i vërtetë është një sforcim i përbashkët për të hyrë në mendimin dhe në ndjenjat e tjetrit, me kuptue me të pamë njerin prej të tjerëve, me i dhanë unin të tjerëve dhe me u pasunue reciprokisht.”

Albert Dondeyene

“Elementi më nxitës i jetës sonë nuk është njohja e së ardhshmes, por të ndihmojmë për ta realizuar e për ta dalluar përballë nesh, të pallogaritshme në plotninë e saj. Vetëm e tashmja është reale. Siguria absolute e një të ardhmeje mund të grabitet nga e tashmja. Vetëm duke pranuar përgjegjësinë për të tashmen, mund të bëhemi përgjegjës për të ardhmen.”

Karl Jaspers

“Na njerëzit e sotëm jemi njerëzit e parë në gjendje për të dominuar Apokalipsin, prandaj jemi edhe të parët për ta pësuar pa pushim kërcënimin e tij.”

Günther Anders

“Vetëm kur njeriu nuk njeh lëkundje dhe nuk i harxhon forcat në shumë drejtime, vetëm atëherë vullneti i tij mund të bëjë mrekullira.”

Stefan Cvajg

“Mënia zhgatrron e dërmon; dashtnia e bazueme në drejtësi nderton. Ideja është më e fortë se shpata. Tagri (e drejta,  shënimi im A. Ç.) më e fortë se dhuna.”

Imzot Gasper Thaçi

“Destinacioni i vërtetë i njeriut si bashkëkrijues i universit është dinjiteti dhe madhështia e tij.”

Alfred NorthVitchead

“Dinjiteti njerëzor . . .  rrjedh nga një sens pavarësie.”

Maria Montessori

I vetmi lloj dinjiteti gjenuin (origjinal, shënimi im A. Ç.) është ai që nuk zvogëlohet prej indiferencës së të tjerëve.”

Dag Hamarskjold

“Dinjteti nuk është i diskutueshëm.”

Vartan Gregorian

“E mira e parë e nji populli është dinjiteti i tij.”

Camillo Benso di Cavour

“Hapi i parë në evolucionin e etikës është nji sens i solidaritetit me njerëzit tjerë.”

Albert Sehxeitzer

“Shpirti ynë asht plot nostalgji për diçka ma të naltë e ma të ndritshme.”

Gëte

“Ata që nuk kujtojnë të kaluemen janë të dënuem ta përsërisin atë.”

Xhorxh Santayana

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Thërrime urtije

PRESIDENTI GEORGE H. W. BUSH DHE NDERLIDHJA SHQIPTARE

December 11, 2018 by dgreca

bush2

Me rastin e vdekjes/

1-Sami-Repishti1-240x300

Nga Sami Repishti, Ph.D./

Ridgefield, CT.- Të premten, 30 nandor 2018, në moshën 94 vjeçare pushoi së rrahuni zemra fisnike e nji bujari amerikan, George Herbert Walker Bush, presidenti 41 i SHBA-se. Ai vdiq qetësisht në shtëpinë e tij, Houston, Texas, i rrethuem nga pjestarët e familjes tij të madhe. Pushoftë në paqë!

George H.W. Bush, nji politikan republikan, dhe personalitet me dinjitet të naltë, ka qenë nji president “tranzicional” gjatë viteve 1989-1993, kulminimi i nji sherbimi publik për ma shumë se 40 vjet. Në mbarim të termit të parë, ai u mund nga nji politikan i ri, William J. Clinton, për arsye të gjendjes së vështirë ekonomike në vend. Gjatë viteve të tia presidenciale, ai i sherbeu Kombit amerikan në periudhën e vështirë të gjendjes së ndërlikueme ndërkombëtare, me guxim dhe dinjitet të veçantë. Gazetarja Maureen Dowd e cilësoi:”Drejtori i njerëzishëm i anijes lundruese në valët e politikës ndërkombtare”.

Këto ditë, populli amerikan dhe të gjithë paqëdashësit vajtojnë vdekjen e Presidentit Bush. Si ngushëllim: pothuejse pa përjashtim, ai kujtohet si presidenti që punoi randë me krijue nji atmosferë politike ma miqësore dhe ma të njerëzishme në politikën amerikane, (“a kind and gentle Nation”) dhe paqën në botë, nji pikësynim që ai e kërkoi gjatë gjithë jetës së tij. Fletorja The New York Times e 2 dhetorit e përcaktoi: ”Nji forcë gjeniale e politikës amerikane që udhëhoqi Kombin në vitet e fundit të Luftës së Ftohët”. Revista prestigjoze Foreign Affairs në nji shkrim nga dy ekspertë, Ivo H.Daalder dhe I.M.Destler, e percakton: “George H.W.Bush u zgjodh president me udhëheq marrëdhanjet e Shteteve të Bashkueme me botën ma i përgatitun se çdo tjetër president, para dhe mbas tij….” (FA 7.XII.2018)

George H.W. Bush ka qenë presidenti i fundit i breznisë së L2B që zuni vend në Shtëpinë e Bardhë. Patriotizmi i tij ashtë nji shembull i rrallë. Ditën që plotësoi 18 vjet, ai u rregjistrue vullnetarisht si student në shkollën e pilotëve të luftës (marine) dhe u nis në frontin e luftës të Oqeanit Paqësor në kundërshtim me dëshirën e           prindëve që ai të vazhdonte studimet pranë Universitetit prestigjoz Yale (CT) Shpejt, u dekorue për trimni. U rrëzue në luftim nga forcat japoneze, 1944, dhe shpëtoi për mrekulli nga nji nendetëse amerikane kalimtare.

I kthyem nga lufta, ai zhvilloi tregëtinë dhe njikohësisht u angazhue në politikën e vendit. Humbi dy herë dhe u zgjodh dy herë kongresmen nga Texas dhe senator; u emnue ambasador në OKB, ambasador në Kinë, drejtor i CIA-së, kryetar i Republican National Committee, dhe në vitin 1980 Presidenti Reagan e zgjodhi si vice-president në fushatën elektorale që doli me sukses. Për tetë vjet me rradhë, Presidenti Bush u familjarizue plotësisht me detyrën e re, dhe me gjendjen ndërkombëtare. I ushqyem me frymën “detyra duhet krye” dhe të “sakrificës për atdheun”, në fjalimin e pranimit të zgjedhjes së tij si kandidat për president, 1988, ai deklaroi në mes tjerash: ”Ky ashtë misioni  im” dhe përfundoj, “ unë do ta plotësoj”.

Kjo frymë detyre që duhet krye e ka nxitë për ndërhymjen ushtarake me arrestue presidentin e Panamasë, që ktheu vendin në republikë droge, dhe me sulmue Irakun e Sadam Husejn-it që kishte pushtue arbitrarisht shtetin Kuweit. Sulmi kundër Irakut tregoi guximin e tij për vendimmarrje me rrjedhime botënore; dhe ndalimi i luftës mbas katër ditësh, tregoi urtësinë e tij mos me u angazhue në nji luftë shkatërrimtare.

Para fjalimit të pranimit të detyrës si president, ai i dha këto shenime sekretares që përgatiste fjalimet: “Jam ai që jam. Unë e di se ku do të shkoj. Unë kam eksperiencën me arrijtë atë objektiv. Punësim, paqë, dhe arsim. Unë jam koshient i asaj që më rehaton mue ma shumë: familja, besimi, shokët e miqtë.”(Shenime për sekretaren, New Orleans, 1988)

Si president, ai u dallue si byrokrat i shkathët, dhe nji diplomat i përkryem që ndihmoi fuqimisht përfundimin e periudhës famëkeqe të “luftës së ftohët” dhe largoi kercënimin e nji lufte nukleare, në bashkëpunim me presidentin e ish Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov. Ky kurs paqësor bani të mundun bashkimin e dy Gjermanive të ndame, në nji shtet të vetëm, dhe inkurajoi ish republikat sovjetike me deklarue pavarësine e tyne. Për fatin e tij dhe të gjithë Europës, u gjindën dy personalitete me peshë botënore: Helmuth Kohl, kancelar për Gjermaninë dhe Mikhail Gorbaçov, për ish Bashkimin Sovjetik, dy politikanë-burra shteti që kuptuen se bota e mbasluftës kishte ndryshue, se “lufta e ftohët” duhej të pushonte, dhe se nji botë e re me paqë e bashkëpunim ndërkombëtar po hynte në historinë europiane. Si hap plotësues, të dy udhëheqsit, amerikan dhe rus, nenshkruen traktate që detyruen pakësimin në vendet e tyne të sasisë së armëve nukleare dhe kimike. James A. Baker, III deklaroi në nji intervistë, 2013 :”Unë besoj se historia do ta trajtojë shumë mirë!”

Në lamin e politikës së mbrendshme suksesi i tij ka qenë kompromisi me “demokratët” për bashkëpunim, për ngritjen e taksave dhe pakësimin e deficitit deri në zhdukje, si dhe Traktati me Kanadan dhe Meksikën, i njohun si NAFTA. Presidenti Bush ka qenë promotori i kalimit të legjislacionit “American Disability Act” për qytetarët e moshuem, sidomos ata me të meta fizike dhe mendore.

Kundërshtarët e akuzojnë se nuk ka tregue interesim të mjaftueshëm për problemet e mbrendshme dhe sidomos për klasët e vorfëna.

Gjykimin ma të plotë ndoshta ka dhanë biografi i tij, historiani presidencial Jon Meacham, kur shkroi se ajo që Presidenti Bush nuk pranoi asnjiherë janë elementët ideologjikë, të ashpër dhe të gatshëm për nji revolucion partizan. Kryetarit të Dhomës i tha: “Kam frikë se nganjiherë idealizmi i juej do të pengojë punën që bajmë, nji qeverisje e mirë”. Ajo që deshti të thoshte ka qenë ”ekstremizmi” i juej, “fanatizmi” i juej….”Ai u rrit” shkruen Meacham,“në nji botë ku politika ishte nji instrument me sherbye të mirën publike, jo nji mjet për vetësmadhim ose vetëpasunim. George H.W.Bush u ba ‘vullnetar’ në konfliktin e L2B që ditën e parë që lejonte ligji (18  vjeçar) dhe nuk pushoi asnjiherë”.

“Presidenti Bush” shkruen Meacham,”ka qenë nji ‘gentleman’ por edhe nji ‘politikan’. dhe këtu ka qenë tensioni i jetës tij…. Politika nuk ashtë nji ndërmarrje e papërlyeme,” thonte ai, “ sidomos në se kërkohet me fitue. Fatkeqsisht, kështu ashtë politika!” Bush e kuptoi se “grumullimi i pushtetit sherben vetëm me ndihmue Amerikën dhe botën mbar. Ajo që peshon në këte mes ashtë faktori moral i udhëheqsit që komandon: nji person parimor dhe jo egoist. I tillë, Presidenti Bush ka qenë,” shkruen historiani Meacham, shembull i rolit të individit në histori….¡

I pyetun si dëshiron të kujtohet nga breznitë e ardhme, Presidenti George H.Bush përgjegji:” Nji qytetar që ka vue atdheun në vend të parë”. Nji shërbestar i Amerikës…!  “ …e pame si  “a kind and gentle Nation!”.

*****

Ndërlidhja shqiptare u forcue me “Paralajmërimin e Krishtlindjes” 25 dhetor 1992, dhe vazhdoi pa ndërpremje. Presidenti Bush përfundoi njohjen diplomatike të Shqipërisë, mars 1991, i dha Shqipërisë “the most favored nation clause”, dhe kercënoi diktatorin Milosevic me bombardim në se ai guxonte me sulmue Kosovën. Ky qendrim u adaptue edhe nga Presidenti mbasardhës, W.J.Clinton me deklaratën e Sekretarit të Shtetit Warren Christopher, 13 shkurt 1992. Nji aksion i këtill i kombinuem ngriti lidhjet me shqiptarët (e Shqipërisë dhe Kosovës) nga nji nevojë teknike e përkohëshme, në lamin strategjik, afatgjatë; hyni në fushë termi “strategic ally” për të dy shtetet shqiptare në Ballkan, nji hap i madh kualifikativ politik që vazhdon edhe sot. Shqipëria huazoi bazën e Gjadrit për dronet amerikane gjatë luftës për Bosnje-Herzegovinën (1991-95).

Akti themelor i vitit 1992, theu akullin 45 vjeçar të marrëdhanjeve në mes Shqipërisë dhe SHBA-së që kishin krijue qeveritë komuniste të Shqipërisë që nga viti 1945, me rezultat izolimin e plotë të vendit dhe “atmosferën armiqsore” që u ushqye nga PPSh-ja me fanatizëm stalinian. Në prill 1965, unë kam dëshmue për herë të parë para Kongresit Amerikan në lidhje me Shqipërinë komuniste, por kam paraqitë edhe problemin e Kosovës për të parën herë. Atmosfera e Kongresistëve ka qenë anmiqsore dhe u çfaq haptazi. Kryetari i Komisionit, kongresmeni Lee Hamilton, mu drejtue me këto fjalë: “Z. Repishti, Shqipëria na sulmon 7 ditë në javë me radio e shtyp. Ashtë nji fat për atë, që ne nuk flasim shqip me lexue e kuptue këto shamje të përditëshme. Presidenti Tito ashtë mik i joni. Ju vini këtu e kërkoni që ne të marrim qendrim kundër Titos, nji mik, e të përkrahim kërkesat e Shqipërisë. Nuk mund ta bajmë këte.”

I prekun në sedër, u përgjigja: “Z. Kryetar, unë nuk kam ardhë këtu për politikë. Unë kam ardhë si aktivist për çeshtjet e të drejtave të njeriut, me kerkue ndihmën tuej që shtypjet në Shqipëri dhe në Kosovë të pushojnë. Për këte ngulim kambë”.

Me këte atmosferë në vend, veprimtaria e jonë në përkrahje të të drejtave të njeriut ka qenë e vështirë. Në vitin 1975 u firmue Akti Final i Helsinki-t. Nji dritore e re u hap për të gjithë aktivistët. Bashkësia shqiptaro-amerikane u mobilizue, u organizue dhe filloi veprimin. Traktet, konferencat akademike, dhe pjesëmarrjet në dëshmi kongresiane u shtuen.

Në 28 nandor 1968, u formue organizata Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë me qellim informimi të Botës së Lirë mbi ngjarjet në Kosovë. Unë veprova si “l’éminence grise”. Trakte dhe materiale tjera informative shpërndaheshin rregullisht para OKB-së dhe në disa qendra të New York-ut. Në shtator 1976 u dërgue Memorandumi i parë për Sekretarin e Përgjithshëm pranë OKB-së dhe me 20 shtator 1980 Memorandumi i parë për Komisionin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian me nji listë të gjatë denoncimesh të verifikueme edhe nga shtypi kosovar. Kjo praktikë u vazhdue për 15 vjet me rradhë.

Në qershor 1986 u formue Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) nën kryesinë e kongresmenit Joseph J. DioGuardi. (Unë veprova si Drejtor Ekzekutiv)  Qellimi kryesor ka qenë organizimi i rezistencës shqiptaro-amerikane kundër shtypjes së popullsisë shqiptare në Jugosllavi, kryesisht në Kosovë.

Akte rezistence individuale, ose grupesh spontane kanë ekzistue në SHBA vazhdimisht për vite me rradhë, dhe unë shpresoj se dikush, dikur, do të marrë mundimin me i hetue, regjistrue e paraqitë si dokumentarë të veprimtarive të emigracionit shqiptar. Gazeta DIELLI (e Bostonit) organ i VATRES ka qenë tribunë kryesore në dispozicion të elementit qellim-mirë. Gazeta LIRIA me prirje të forta pro-Tiranës komuniste ka qenë e përmbajtun dhe raportonte vetëm shkrime të huazueme nga shtypi komunist. LIRIA ashtë subvencionue nga Tirana.

Më 1962, me rastin e 50 vjetorit të themelimit, VATRA mori nji qendrim ma të premë anti-komunist. Anëtarsia u rrit dhe DIELLI dilte ma me rregull .Ky ka qenë edhe momenti kryesor i orientimit të ri të VATRES dhe editorit Xhevat Kallajxhiu. Ashtë meritë e VATRES që nuk pranoi ndihmë të ofrueme nga qarqet qeveritare për kundër-propagandë anti-komuniste. Ish kryetari, i nderuemi Christo Thanas, më ka tregue konfidencialisht se “…përgjigja e jonë këtyne ofertave ka qenë:’Në se nuk jemi në gjendje ta mbajmë, do ta mbyllim; por nuk e mbajmë të hapun me ndihma nga jashtë Federatës’.”

Ndërkaq, Lidhja Qytetare vepronte me kontakte të marruna me anëtarë të Kongresit dhe me rritje të anëtarsimit të shqiptarëve ne Lidhje. Në shtator 1986, u paraqit rasti për nji aksion me rrjedhime pozitive për veprimtarinë e Lidhjes Qytetare. N/Presidenti George H.W.Bush vendosi të ndihmojë fushatën elektorale në favor të kongresistit DioGuardi. Ai erdhi në Hotelin Hilton Westchester (N.Y.). Nga ana e Lidhjes Qytetare u organizue nji “drekë pune” në nder të vizitorit të shquem, me datën 4 shtator 1986. Me sugjerimin e Dr.Ramadan Xhema, unë propozova të përgatitet nji Peticion me shkrim për N/Presidentin ku të kërkohej që SHBA të hapte nji Zyrë Informative (Information Office) në Prishtinë-Kosovë, me qellim të monitorizohej gjendja e randë në atë Krahinë. U gjykue se “prania amerikane në Prishtinë” do të lehtësonte shumë gjendjen dhe do të sherbente si “syni dhe veshi i Amerikës”, në atë Krahinë që kishte mbulue terri informativ dhe shtypja politike. Bota dinte shumë pak për gjendjen katastrofike të shqiptarëve në Jugosllavi për arsye të censurës policore serbe mbi shtypin e vendit,e vizitat e të huejve në Kosovë.

Ditën e takimit, përgatita nji Peticion dhe ofrova ta dorëzoj me dorë Peticionin N./Presidentit Bush. Kur mbledhja u hap, fola me shefin e eskortës së sigurimit, dhe kërkova të shkoj në tribunë për dorëzimin. Ai mori instruksionet dhe me lejoi. I impresionuem nga ky akt fisnik, dhe pa formalitete, u afrova pranë N/Presidentit. Ai u ngrit dhe unë i dorëzova dokumentin. N/Presidenti Bush, i njohun për sjelljet e tia fisnike (familje aristokrate!) më ofroi dorën, që unë shtërngova me gëzim të madh, dhe i ofrova zarfin. Ai e mori e me falënderoj. Unë e falënderova gjithashtu.

U ktheva në tryezën time. Nga aty vrejta se ai hapi zarfin e filloi leximin e faqes së parë. Në paragrafin e parë unë kisha tregue se isha nji i burgosun politik që kishte kalue njimbëdhjetë vjet në burgjet dhe kampet e punës komuniste (Shqipëri dhe Jugosllavi) dhe se isha aktivist për të drejtat e njeriut, mora guximin me vue ne dijeni udhëheqsit amerikanë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, me Peticionin që vijon.

Ndërkaq, drejtuesi i mbledhjes përfundoi paraqitjen e N/Presidentit dhe i ofroi mikrofonin. Për çudinë time, N/Presidenti filloi fjalën e tij (afërsisht): “Posa mora nji Peticion mbi shkeljen e të drejtave të njeriut nga Dr. Repishti, dhe e përgëzoi për aktivitetin e tij. Dr. Repishti ka kalue ma shumë se dhjetë vjet në burgjet e kampet komuniste si luftar për lirinë e vet dhe të popullit të vet. Më lejoni të ju them se përsa kohë që elementë si Dr. Repishti që ka rrezikue jetën në kërkim të lirisë, dhe këte liri e ka gjetë në Shtetet e Bashkueme, na siguron se në vendin tonë, liria nuk do të shuhet…” Na duertrokitëm.

Me kalimin e viteve, kontaktet e bashkësisë shqiptaro-amerikane me Kongresin dhe Qeverinë amerikane u shtuen. Disa veprimtarë u treguen shumë aktivë. Kontakte të shumëta dhe të përzemërta u zhvilluen sidomos me Senatorët R.Dole  A.D’Amato, dhe L.Pressler si dhe me kongresistët W.S. Broomfield, T.Lantos, E.Engel e tjerë. Nga rezultatet ma me randësi të arrituna nga këto kontakte kanë qenë nderhymja e Senatorit R.Dole me bindë Presidentin Bush të dergoj ultimatumin ish-Presidentit serb Milosevic 25 dhetor 1992 (i njohun si “Paralajmërimi i Krishtlindjes”); dhe me 13 shkurt 1993, ai i Presidentit Clinton, dy akte që çimentuen marrëdhanjet shqiptaro-amerikane:

“Na jemi të përgatitun me reague kundër Serbëve në rast se krijojnë nji konflikt në Kosovë si rrjedhim i veprimtarisë serbe; dhe, për ma tepër, na do të punojmë me forcue praninë ndërkombëtare në Maqedoni. Firmue: Warren Christopher”. (The NYTimes, 11 II. 1993).

Në mars 1991, u vendosën marrëdhanjet diplomatike me Shqipërinë, dhe nji vjet ma vonë, Presidenti Sali Berisha vizitoj Shtëpinë e Bardhë. Në takimet me Presidentin Bush u paraqit nji rast i veçantë për diskutime të hollësishme rreth çeshtjes gjithëshqiptare në qarqet ma të nalta amerikane.

Me inisiativën e American Friends of Albania,-grup shqiptaro-amerikanësh-, Departmenti i Shtetit siguroi nji ndihmë prej 30 miljonë dollarë si Fond për ngritjen ekonomike të Shqipërisë. U themelue Banka Shqiptaro-Amerikane në Tiranë, nji institucion që mbijetoi, dhe u rrit.

Me 11 qershor 1997, me inisiativen e KKSHA, nji Koalicion i Shoqatave Shqiptaro-Amerikane Fetare, Kulturale dhe Civike i drejtoi nji Peticion Presidentit W.J.Clinton me të cilin kërkohej që  “… Qeveria e Shteteve të Bashkueme të Amerikës të luaj nji rol ma aktiv në Shqipëri, me qellim që të sjellin paqën, stabilitetin, dhe prosperitetin në atdheun e të parëve tonë….”. Peticioni u firmue nga Dr.Sami Repishti. Përgjigja e Presidentit Clinton erdhi me 8 gusht 1997. Ishte “viti i mbrapshtë” në Shqipëri.  Në mes tjerash Letra presidenciale thotë:

“I nderuemi Sami: Ju falënderoj për Letren e tuej të datës 11 qershor në lidhje me situatën e Shqiptarëve etnikë në Ballkan. Shqipëria ka arrijtë në nji pikë kritike gjatë rrugës saj drejt demokracisë, dhe qetësimi i kaosit që mbretnon atje që nga mueji i marsit ashtë nji përparësi e politikës sonë te jashtëme.

Na mendojmë që ashtë me randësi me veprue së bashku si nji bashkësi ndërkombëtare, prandej Administrata e ime po punon ngushtësisht me partnerët tonë Europianë, tue përfshi edhe Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, me ndihmue ringritjen e institucioneve demokratike dhe me përmirësue situatën e të gjithë Shqiptarëve…..

Unë due të ju siguroj se Administrata e ime ashtë e angazhueme me punue për promovimin e të drejtave të të gjithe qytetarëve të Ballkanit, si dhe me vazhdue përpjekjet tona drejt nji zhvillimi të demokracisë, dhe rivendosjes së rendit publik në Shqipëri.

Edhe nji herë ju falënderoj për interesimin tuej aktiv në këte problem me randësi.

Sinqerisht,  Bill Clinton (firma) “

Me 8 mars 1998, Sekretarja e Shtetit, M.Albright, dha sinjalin e fundit: mbas tragjedisë së Prekazit. Nga Bon i Gjermanisë, ajo deklaroi:“Koha me u dhanë fund vrasjeve ashtë tani, para se të përhapen. Mënyra për ta ba këte ashtë tue ndërmarrë veprime të menjiherëshme kundër rregjimit në Beograd”.

Ka qenë rrjedhim i kësaj situate të rrezikshme për të gjithë shqiptarët në Ballkan, që në maj të vitit 1996, u formue Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) (kryetar, 1996-98-SR), nji formacion politik ma i organizuem dhe ma efektiv me përfaqësi të rregulltë në Washington,D.C. Këshilli luejti rolin e nji ambasade kosovare që mungonte ato ditë në Washington,DC.  Këshillat profesionale të ish ambasadorit  W.E.Ryerson kane qenë të cilësisë e randësisë së dorës së parë.

KKSHA (NAAC) ka pasë sukses me kontakte të rregullta me të gjitha organet e interesueme federale në kryeqytet, dhe ka fitue besimin e tyne për korrektesë politike e konfidencialitet. Sot shijojmë gëzimin e madh të raporteve shumë miqësore shqiptaro-amerikane, nji shperblim edhe i punës së ndershme të emigracionit politik shqiptar. Kujtoj me kryenaltësi frymën fanoliane “Jepni për Nënën” që mbretnoi kudo gjatë atyne viteve, dhe që frymëzon akoma mergimin politik dhe jo-politik të sotëm, sidomos punëtorët e thjeshtë që sakrifikojnë aq shumë për ndihmë Shqipërisë dhe Kosovës.

Ish Ambasadori amerikan në Tiranë, i nderuemi William E. Ryerson, komentonte në nji Letër që më drejtonte me 6 shtator 2001, sa vijon:

“ I nderuemi Sami

…..Pa dyshim merita për lirimin e Kosovës i takon Sekretares (së Shtetit) M.Albright që pati urtësinë me përkrahë atë që ishte e drejtë si dhe aftësisë saj me bindë “boss-in” (Presidentin Clinton) dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithate, ajo nuk do të dilte me sukses sikur ju, dhe të tjerë si ju, të mos kishin shpenzue vite të gjata sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tonë (amerikanë) mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.

Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për të gjitha sukseset e jueja. Jo, ju nuk i keni arrijtë vetëm këto suksese; por, unë dyshoj në se pa përpjekjet e jueja udhëheqsit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.

Sinqerisht i jueji,

William E. Ryerson, ish ambasador i SHBA-së në Tiranë.”

Kështu vepruen shqiptarët e Amerikës për Nanën Shqipri e për Kosovën, bijë e shtrenjtë e saj!

Filed Under: Politike Tagged With: GEORGE H. W. BUSH DHE, NDERLIDHJA SHQIPTARE, Ph.D, presidenti, Sami repishti

Mbahu Nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë

December 11, 2018 by dgreca

Terroristët kanë fytyrën e djallit dhe nuk ka rëndësi nëse janë grekë, turq, arabë, amerikanë, shqiptarë, etj ata kanë emëruesin e përbashkët: terroristë, dhe për rrjedhojë dënohen nga gjithë bota e civilizuar./

1 Balaj me Kezen1 terroristet.JPG1 Bashke3 keze1 Marko2 Me flamur shqipet1 hreket 2

Nga Keze Kozeta Zylo/

“Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!” do të shkruante Noli shekullin e kaluar.Dhe kjo thënie proverbiale, ky varg lapidar do të vazhdojë të këndohet sa të ketë frymë shqiptari në Diasporën e Amerikës. Me 9 Dhjetor një grup shqiptarësh të organizuar nga Presidenti I organizatës “Rrënjët shqiptare” z.Marko Kepi u mblodhën për të protestuar kundër shoqatës Laconian, Spartans, “Pan Hellenic” greke në Brooklyn e cila organizoi ceremoni për të nderuar terroristin grek Konstantinos Katsifas. Terroristi grek terrorizoi shqiptarët në Bularat të Gjirokastrës dhe donte të qëllonte me armë policinë shqiptare.

Si Shqiptarë që ishim mbledhur aty hodhëm parrulla kundër shoqatës “Pan Helenike” dhe gati u “Përleshëm” me drejtuesit e kesaj shoqate që nuk i kursyen fjalët fyese kundër nesh dhe popullit shqiptar. Shqiptarët patriotë si Sali Bollati me familjen e tij mbanin pankarta në duar që shkruanin për Camërinë, tokën e shenjtë të vjedhur nga grekërit, Esad Gjonbalaj, Zef Balaj, etj mbanin Flamurin Kombëtar, disa djelmosha të tjerë valëvisnin Flamurin e Shqipërisë etnike. Shqiptarët protestues hodhën parrullat si: “Shame on you” “Turp për ju”, Ju jeni terrorista, ju jeni rracista, Camëria është e jona! Policia amerikane merrte shpesh herë masat që mos të ndodhte ndonjë incident midis protestuesve dhe organizatorëve grek që nderonin si Hero një terrorist… TV “Alba Life” ështe duke trasmetuar  protestën e shqiptarëve të Amerikës kundër organizatës Laconian, Spartans, “Pan Hellenic” greke në Brooklyn.

9 Dhjetor, 2018

Brooklyn, New York

***

Dënoj terroristët

Terroristët kanë fytyrën e djallit dhe nuk ka rëndësi nëse janë grekë, turq, arabë, amerikanë, shqiptarë, etj ata kanë emëruesin e përbashkët: terroristë, dhe për rrjedhojë dënohen nga gjithë bota e civilizuar.

Nga Keze Kozeta ZYLO/

Si shqiptaro amerikane aktive në Diasporë dhe si publiciste që me shkrimet e mia kam dënuar herë pas here krimet e qeverisë greke dhe te ekstremistëve në cdo sistem vajta në protestë për të denoncuar terrroristin grek Kostandinos Katsifas që u vra në tokën shqiptare nga policia se po terrorizonte me armë në dorë popullin e pafajshëm dhe qëlloi mbi policinë shqiptare në Bularat të Gjirokastrës.  Vajta atje të kundërshtoja federatën Laconian, Spartans, “Pan Hellenic” greke në Brooklyn e cila organizoi ceremoni për të nderuar terroristin grek Konstantinos Katsifas si një hero. Terroristi grek terrorizoi shqiptarët në Bularat të Gjirokastrës dhe qëlloi me armë mbi policinë shqiptare.

Une ishja atje për të denoncuar nga Tempulli i Lirisë në Botë grupet terroriste, grupet ekstremiste kundër popullit tim dhe popujve në botë, vajta atje për të denoncuar organizaten greke në New York që nderoi si Hero, terroristin grek Kostandinos Katsifas i cili u vra në tokën shqiptare.

Terroristet kanë fytyrën e djallit dhe nuk ka rëndësi në janë grekë, turq, arabë, amerikanë, shqiptarë, etj ata kanë emëruesin e përbashkët: terroristë, dhe për rrjedhojë dënohen nga gjithë bota e civilizuar.

Shkova atje tëdënoja gjithë padrejtesitë greke, filluar qysh në fillim të shekullit të kaluar me vrasje, dhunime, djegje, prerje kokash e deri në tragjedinë e tmerrshme came, nje genocid i pashoq ushtruar nga gjenerali grek famëkeq Napolon Zerva të cilët realizuan spastrimin e plotë etnik të shqiptarëve të Çamërisë së bashku me ushtarët e tij.

Unë shkova atje për të dënuar dhunimet barbare të zhvarrosjeve të eshtrave të të parëve tanë shqiptarë si në Kosinë të Përmetit, Boboshticë të Korcës se gjoja ishin kockat e grekëve ndihmuar nga Kalorësi grek i Kalit të Trojës Janullatos, që sot më tund pashaportën nëpër botë se është shqiptaro grek…  Noli po rrotullohet tek varri kur dëgjon këto krime barbare dhe zëvendësimin e një peshkopi shqiptaro ortodoks me grek duke e vënë në krye të Kishës autoqefale shqiptare…, sepse Noli dhe gjithë besimtarët patriotë që kanë mbi cdo gjë Shqipërinë luftuan fort kundër patrikanës greke që helmoi, vrau dhe therri nëpër natë atdhetarët e flaktë shqiptare, një pjesë të elitës së Kombit.

Janullatosi që pushtoi kishën autoqefale shqiptare të Fan Nolit ligjërisht, nuk mund t’i dilte shpirti pa parë të ndërtuar varrezën e ushtarëve grekë në tokën shqiptare, që ai dhe shpura e tij e quan tokë greke, toka e Vorio Epirit, ndërsa për Çamërinë as që i bie mendja fare…

Une vajta atje jo vetëm si shqiptare e bijë shqiptari që s’mund të heshtë, por kam dhe të drejtën morale dhe legjitime si bijë e Mezhgoranit ne Tepelene të flasë dhe te rrëfejë tmerret e luftës italo greke që na treguan prindërit dhe gjyshërit sa ishin gjallë, meqënse një pjesë e tragjedisë ka pasur për skenë Mezhgoranin që rri buzë Trebeshinës dhe që lag këmbët nga uji i bekuar i lumit Vjosa, ku u vrane u therren dhe ne fshat u be baterdia.

Opinionistët dhe sahanlëpirësit e qeverisë qe pasurohen ne saje te mashtrimeve te pabesa po e shesin luftën italo greke sikur të ketë qenë një show i “kryeqeveriut” të tipit “ERTV” dhe jo një luftë që mbushi fshatrat me viktima të pafajshme, me kufoma që s’kaloje dot në faqen e malit të Trebeshinës që quhet “Kumbulla”, me kufoma që tromaksën fëmijë e pleq.

Kur dëgjova se do të ngrihet varreza madhështore për ushtarët grekë, ose “vendprehje” meqënse grekët e kanë shumë për zemër këtë shprehje, pasi greket thone se atje ku prehen eshte toka e tyre, u drodha, u trishtova pamasë, por nga ana tjetër mora fuqi Anteu se një ditë shqiptarët do t’i çojnë në vendprehjen greke atje ku kanë atdheun e tyre dhe jo te nderohen ne Shqiperi me vendim qeverie. Mora fuqi si Anteu nuk do të mposhtem ose s’do të mposhtemi për sa kohë ne të Diasporës kemi kontakt me tokën, nënën tonë, Kombin.

Populli i qytetëuar, i lashtë dhe plot kulturë, varrezat e ushtarëve grekë dhe italianë në Sajmolë që është një fushë e bukur buzë Vjosës, i trajtuan me respekt, sepse është kodi: “Te vdekurin lëre të prehet i qetë, mos e ngacmo. Dhe plot 80 vjet eshtrat dhe varret e tyre s’u ngacmuan kurrë, toka nuk u prish, pasi ishte tokë buke, trupat e tyre nuk u prekën dhe kjo është mëse njerëzore”.

Por pabesia greke eshte e njohur ne gjithe boten dhe nuk cuditem aspak qe sot nje organizate greke “Pan Hellenic” ne zemer te Nju Jorkut nderon nje terrorist grek qe erdhi me arme ne dore ne Bularat ne diten qe me vendim te padrejte te qeverise shqiptare po nderoheshin ushtaret greke qe lane kockat ne token shqiptare.  Dhe keto jane tragjedite shqiptare akoma te pashkruajtura dhe te pa luajtura ne skenat boterore.

Kryebashkiaku I qytetit te Argons ne Mikene, Dimitris Kambosos ka propozuar t’I ngrihet nje bust dhe rruge ne emrin e tij, pra shikoni se cfare nderimi bejne politikanet greke per terroristet e tyre kur vrasin shqiptaret…

Une shkova atje per vrasjet barbare qe jane bere ne token greke per vellezerit shqiptare qe sipas statiskave jane 171 shqiptarë të vrarë në Greqi, ndersa 97 jane nga policia.  Vetem ne muajin nentor jane 4 shqipare.

Le te denoncojme se bashku dhe mos te heshtim kurre si shqiptare gjithe krimet greke dhe mbeshtetesit e tyre qe i terroristet i nderojne si heronj.

Rrofte Shqiperia jone etnike!

Rrofte Amerika vendi qe shpetoi Shqiperine!

*Keze Kozeta Zylo, shkrimtare, publiciste dhe themeluese e Shkollave Shqipe ne New York

9 dhjetor, 2018

Brooklyn, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kacifas, Keze Kozeta Zylo, Mbahu Nëno, mos ki frikë, proteste, rrenjet shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT