• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2019

VATRA PËRSHËNDET KOALICIONIN PARAZGJEDHOR PËR KOMUNËN E TUZIT

February 5, 2019 by dgreca

1 Pashko CamajNga Dr. Pashko CAMAJ/

Memorandumi

Shpesh e ndëgjoimë thënjen ‘ma mirevonë se kurr!’Kjo gjë mund të thuhet edhe për marrëveshjen mbi formimin e koalicionit të përbashkët parazgjedhor për zgjedhjet lokale në Komunën e sapoformuar të Tuzit (Malësis).  Eshtë ky një vendim i drejtë që ka potencial që t’u kontribuojë jo vetëm banorëve tëMalësisë, por dhe pozitës së gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.

Në opozitë sot apo dhe në pozitë nesër, një bashkëpumin i sinqertë dhe angazhim per te mirën shoqërore e kombetare, ështe e vetmja mënyrë që të ndihmojnë dhe përmirësojnë pozitën tonë në Malësi.

Memorandumi i bashkëpunimit i hartuar dhe nënshkruar nga forcat politike shqiptare: ASH, LDSH dhe UDSH i shërben drejtëpërdrejtë interesave Kombëtare. Në fund të fundit qëllimi i forcave politike nuk është qëllim në vetëvete marrja e pushtetit, por edhe mbrojtja e interesave kombëtare. Forumi Shqiptar i krijuar nga tri forcat politike shqiptare me qëllim të përbashkët, është një lëvizje e zgjuar që duhet të finalizohet me sukses me 3 Mars në ditën e  zgjedhjeve.

Prandaj, në emrin tim personal, dhe si perfaqësues i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, dëshiroj të përgëzoj udhëheqesit politik shqiptar nga Malësia, për vigjilencën politike dhe për angazhimin që  treguan ndaj Malësisë.  Ky hap i tyre dëshmoi se malësorët  duan dhe dijnë të bashkëpunojnë kur e lyp nevoja.  Mbetemi me shpresë se ky bashkëpunim do të jetë frytdhënës dhe afatgjatë, e po ashtu edhe se do të sherbejë si shembull i mirë shqiptarëve kudo që jetojnë. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’i përkrahim dhe t’u dëshirojmë sukses në zgjedhjet e 3 marsit, dhe në administrimin e Malësisë dhe për tëmirën e gjith banorëve te saj!

Me respekt,

Pashko R. Camaj, Dr.PH

Shef i Kabintetit tëPresidentit të Fedrates Panshqipatre-Vatra

Filed Under: Politike Tagged With: dr. Pashko Camaj, Koalicioni parzgjedhor, Komuna e Tuzit, Vatra

Alibitë serbe të Baton Haxhiut në funksion të ndarjes së Kosovës!

February 5, 2019 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Baton Haxhiu nuk mund t’i mungonte mbreme opinionit te Blendi Fevziut. Ai kishte ardhur nga Prishtina, i bindur se alibitë e tij të reja në mbrojtje të idesë së ndarjes së Kosovës, do ta nxirrnin fitimtar. Dhe falë shumicës së panelistëve ia arriti qëllimit. Ai shtroi para shikuesve disa alibi: 1. Së pari tha se ideja për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi dështoi nisma e Berlinit për Ballkanin Perendimor. Sipas tij, meqenëse “dështoi” Gjermania në përpjekjet e saj për arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, çeshtja kaloi në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt kaloi në duart e Moskës dhe Beogradit. Por Amerika përdoret për të kamufluar shërbimin që Thaçi, Rama dhe Batoni ia bëjnë Serbisë dhe Rusisë. Kjo ishte gënjeshtra e parë e radhës, të cilën Batoni e solli nga Beogradi në ekranin e vogël të TV Klanit, përmes Blendi Fevziut. Ishte një gënjeshtër, sepse ideja dhe procesi i ndarjes së Kosovës ka qenë gjithmonë aty dhe është riaktivizuar me forcë pas takimit në Nish në vjeshtën e vitit 2016 të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucciq. Të dy këta, sipas Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Serbi, në atë takim kanë folur dhe kanë vendosur që të punojnë së bashku për një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, me opsion ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë. Aso kohe projekti I Berlinit nuk kishte dështuar, përkundrazi ishte në kulmin e suksesit të vet. Por Rama dhe Vucciq ishin kundër atij projekti, pavarësisht premtimit që i kishin dhënë zonjës Merkel për të punuar për zbatimin e tij. Ata që ishin thirr në panel nuk e dinin ose nuk deshën ta ballafaqojnë këtë argument me Baton Haxhiun. Batoni u duk se e fitoi betejën me alibinë serbe të “dështimit” të Berlinit dhe hyrjes në lojë të SHBA-ve. 2. Alibia e dytë e Batonit dhe përkrahësve të ndarjes së Kosovës kishte të bënte me faktin se “veriu i Kosovës nuk administrohet nga qeveria e Kosovës”, për pasojë “nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm se t’i bashkohet Serbisë. Ndërkaq vihet re lehtë se veriun e Kosovës qëllimisht e kanë lënë në mëshirën e fatit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Them qëllimisht, sepse ata mesa duket ata në kulisa kanë projektuar shumë vite më parë që ta çojnë zgjidhjen te ndarja e Kosovës. Dhe gjithçka ka ndodhur në fshehtësi, kur të dy kanë qenë aktorët kryesorë politikë në të dy vendet e tyre. Jam i sigurt se në këtë lojë antishqiptare ka rolin e vet Baton Haxhiu, i cili mbrëmë hiqej se nuk di se kush është ideatori dhe iniciatori i projektit të ndarjes së Kosovës. Kishte frikën e dekonspirimit po ta pranonte atë që Batoni e di më mirë se kushdo, se Vuçiq dhe Daçiq janë kreatorë të kësaj ideje. Në panel askush nuk solli argumentin e tillë, ku t’i thuhej Batonit se ai që në vitin 2015 ka anonçuar në televizionin e tij Klan Kosova lajmin se Daçiq deklaron: “Mua nuk më intereson në sa shtete jetojnë shqiptarët. Interesi i Serbisë është që serbët në Ballkan të bashkohen e të jetojnë në shtetin e tyre të përbashkët”. Kjo deklaratë nuk i drejtohej vetëm veriut të Kosovës, por edhe Republikës Srpska. 3. Alibia e tretë e Batonit lidhet me thënien e tij se “Mua nuk më intereson se destabilizohet Ballkani, mjafton të ketë një marrëveshje midis Prishtinës e Beogradit”, dmth mjafton që Kosova t’ia japë Serbisë pjesën më vitale të territorit të saj. E vërteta është se me këtë alibi Baton Haxhiu dhe kreatorët e tij në Tiranë, Beograd e Prishtinë janë vënë në shërbim të skenarit ruso-serb për krijimin e Serbisë së Madhe dhe operojnë me “gjetjen patriotike”, sipas së cilës “u dhemb shpirti për Kosovën”, me territoret e së cilës duan të kënaqin orekset nacionaliste të Serbisë. Ky truk i shkollës sllave ishte ndoshta suksesi më i madh i Batonit në opinionin e mbrëmshëm. Dhe përsëri suksesi i tij kaloi nga paaftësia ose papërgjegjshmëria e panelistëve të përzgjedhur nga Fevziu. Përveç argumenteve të Bejtjes, asgjë nuk tingëlloi bindëse për të kundërshtuar alibitë e Batonit. Së katërti, Batoni dhe Fevziu, por edhe Preçi e Muçi, u nbërthyen në alibinë e vendimmarrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket arritjes së marrëveshjes Prishtinë-Beograd. Por asnjëri prej tyre nuk tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është angazhuar si askush tjetër në historinë e shteteve të botës, që të punojë me lobin serb në Amerikë, me lobin antishqiptar, për të fituar mbështetje për idenë dhe nismën e tij për ndarjen e Kosovës. Aleati më i ngushtë i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës është gjithashtu aleati më i ngushtë i Aleksandër Vuçiq dhe Ivaca Daçiq. Ai quhet John Bolton. Në SHBA ka një lob të fuqishëm proshqiptar. Janë ata që kanë çliruar Kosovën dhe kanë bekuar pavarësinë e saj. Por Hashim Thaçi nuk bashkëpunon me këta amerikanë vullnetmirë në dobi të kombit shqiptar. Ai punon dhe bashkëpunon me kundërshtarin e pavarësisë së Kosovës, Bolton. Megjithatë, askush nuk e përmendi këtë fakt në atë debat, sepse i duhej hapë rruga idesë se “Të kundërshtosh Thaçin, Ramën e Batonin je kundër Amerikës”! Pra Batoni ia arriti ta përccojë këtë mesazh te shqiptarët falë angazhimit të Blendi Fevziut dhe kontributit të Preçit e të tjerëve, përveç Andi Bejtjes, i cili theksoi se nuk është momënti i duhur që Kosova të kërkojë marrëveshje me Serbinë. Dhe e fundit, Btoni shpalli alibinë beogradase, sipas së cilës “Edhe Sali Berisha paska qenë për ndarjen e Kosovës, si zgjidhje”! Prisni të enjten që vjen, kur Edi Rama të bëjë në parlament shoun e radhës me këtë alibi serbe të Baton Haxhiut! Të gjitha këto alibi kanë vetëm një burim – Beogradin. Por kjo nuk do të thotë se ato nuk përpunohen rrugës nga Prishtina deri në Tiranë. Të gjithë proserbët janë vënë në shërbim të projektit të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Ndaj dhe Artur Zheji nuk ka të drejtë kur thotë se ky projekt nuk zbatohet dhe se Tirana duhet të heshtë! Tiranë, më 05.02.2019

Filed Under: Analiza Tagged With: Alibitë serbe të Baton Haxhiut në funksion, Enver Bytyci, të ndarjes së Kosovës!

Mbështetja e Amerikës, vitale për Kosovën

February 5, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC: Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin\

1 flet

UASHINGTON, 5 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën, tha sot Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi. Ai ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, bën të ditur njoftimi i dërguar.“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë, paqe dhe stabilitet në rajon dhe do të ketë rol transformues në shoqërinë tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

 “Nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte”, shtoi presidenti Thaçi.Kreu i shtetit theksoi se qëllim kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë.Ndërsa, duke folur për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Uashingtonit është vitale për Kosovën.

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me Shtetet e Bashkuara, ka dal fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike”, u shpreh presidenti Thaçi.“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, shtoi ai.Në këtë bashkëbisedim, presidenti Thaçi ka pranuar pyetje edhe nga audienca.

 James Pardew, diplomat amerikan dhe një nga përfaqësuesit e SHBA-së për Kosovën në vitet 1999-2001, pyeti për çështjen e korrigjimit të kufirit.Në përgjigjen e tij, presidenti Thaçi u shpreh se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë sigurisht do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”.“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, u shpreh ai.“Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, pohoi presidenti Thaçi.

 Pjesëmarrësit e tjerë kanë pyetur edhe për zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë, për të cilat presidenti Thaçi theksoi se janë storie të suksesshme, por se vazhdimi i suksesshëm i tyre varet nga krijimi i stabilitetit politik.“Prandaj na nevojitet marrëveshja e përhershme e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t’i hapë rrugë reformave, zhvillimit dhe transformimit pozitiv të tërë shoqërisë”, përfundoi presidenti Thaçi./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Council on Foreign Relations, Presidenti Thaçi

Ipeshkvinjtë Arbëreshë të Ungrës (Lungros)

February 5, 2019 by dgreca

1-don-lush-gjergji

Shkruan: DR. LUSH GJERGJI/

Papa Benedikti XV më 13 shkurt 1919 me bullën e veçantë “Catholici fideles” e ka themeluar ipeshkvinë – eparkinë lindore të ritit grek – bizantin ,  duke i ndarë  klerin dhe besimtarët nga ipeshkvijtë perëndimore italiane.

Arsyeja e këtij vendimi dhe themelimi është kjo: “Besimtarët katolikë të ritit grek, banorë të Epirit dhe të Shqipërisë, duke u larguar në një numër të madh nga sundimi turk, kanë emigruar në Italinë e afërt, ku janë pranuar me dashuri dhe janë vendosur në krahinën e Kalabrisë dhe të Sicilisë, duke ruajtur, siç është e drejtë, traditat dhe institucionet, ritin e Kishës së tyre, si dhe të gjitha ligjet tjera zakonore  që i kanë pranuar nga paraardhësit e tyre, dhe që gjatë shumë shekujve i kanë ruajtur me kujdes dhe dashuri…”

Bulla vazhdon kështu: “Shi për këtë Ne, me fuqi të plotë apostolike, vendosim që menjëherë të themelohet kanonikisht  një ipeshkvi e ritit grek në Kalabri, me emërtim e selisë në Unga – Lungro, me katedralen e Shën Kollit nga Mira, ipeshkvin ordinar…”.

Ipeshkvinjtë Arbëreshë deri me sot…

Mons. Giovanni MELE

  • Imzot Giovanni MELE (1919 – 1979)

Giovanni Mele lindi në fshatin arbëresh Acquaformoza (Firmoza) më 19 tetor 1885. Ka studiuar në Cassano, më vonë në Kolegjin Grek në Romë. Gjatë viteve të rinisë dhe formimit meshtarak ishte mjaft i zellshëm, shumë i vëmendshëm dhe i vendosur për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut.

Shugurohet meshtar më 7 qershor 1908. Gjatë viteve 1908 – 1913 ishte famullitar në Civita (Çifti), pastaj në Ungra (Lungro) në vitet 1913 – 1919.

Emrohet ipeshkëv – epark më 10 mars 1919. Gjatë shërbimit të tij të gjatë dhe besnik baritor, dallohej në zell, përkushtim dhe kujdes atëror.

Në qarkoren e tij të parë baritore ai kishte kërkuar prej klerit ndihmë dhe bashkëpunim për udhëheqjen sa më të mirë të eparkisë.

Në vitin 1922, pasi kishte vizituar të gjitha famullitë, shkroi “Letrën baritore”, ku kishte theksuar sidomos dy gjëra: ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe të ritit grek-bizantin (lindor) dhe gjuhën arbërishte – shqipe.

Në vitin 1925 ka filluar botimin e Fletushkës ipeshkvore të Ungrit. Më vonë, në vitin 1940, organizohet në Grottaferrata Sinodi ndërdioqezan, ipeshkvia e Ungrës,  Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili dhe  Abacia e Grottaferratës.

Imzon Giovanni Mele ishte pjesëmarrës aktiv në Koncilin e Dytë të Vatikanit. Atë Vinçenc Matrangola e kishte definuar si “Njeri të qëlluar të Provanisë së Zotit, i fesë së gjallë dhe të dashurisë së krishterë”.

Ai ishte edhe shkrimtar, poet, njeri i kulturës dhe krijimtarisë. Poezitë e tija janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe italishte, si uratë, kërkim i Zotit, shërbim ndaj Kishës dhe njeriut, me plot fe dhe përkushtim.

Mbi të gjitha Imzot Giovanni Mele ishte njeri i thjesht dhe shumë i përvujtë. Në 80 vjetorin e lindjes së tij, ai ndër të tjera kishte thënë kështu: “Bëra atë që ma ka mundësuar dobësia ime dhe hiri i Zotit”.

Kaloi në amshim më 25 qershor 1979. Pasardhësi i tij, imzot Giovanni Stamati, në varrimin e Mons. Giovanni Mele tha: “Imzot Giovanni Mele ishte Njeri i Zotit, Kishës, popullit Arbëresh…, duke ndihmuar që me një zë dhe zemër të lavdërohet Hyji”.

Mons. Giovanni STAMATI

Imzot Giovanni STAMATI (1979 – 1981)

Mons. Giovanni Stamati lindi në Plataci ( Pllatëni) më 9 qershor 1912.  Përgatitjen  për meshtari dhe studimet i kreu në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 2 maj 1935.

Së pari ishte famullitar i Firmos, duke dëshmuar aftësitë e tija njerëzore dhe të krishtera. Pastaj qe udhëheqës i rinisë katolike në eparkinë e Ungrës gjatë viteve 1936 – 1965. Në vitin 1949 emërohet edhe udhëheqësi apo kryeprift për katedralen e Ungrës, kurse në vitin 1965 edhe Vikar Gjeneral.

Më 25 mars 1967 Papa Pali VI e emëroi arqipeshkëv titullar dhe administrator apostolik “sede piena” të Ungrës. Shugurohet ipeshkëv më 29 qershor 1967.

Pas vdekjes së Imzot Giovanni Mele, emërohet ipeshkëv i Ungrës (Lungros).

Gjatë    tërë jetës dhe shërbimit të tij kishtar kishte disa synime bazë: vlerësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë liturgjike bizantine (lindore), si dhe të vlerave gjuhësore dhe kulturore arbëreshe.

Në vitin 1968 e ka vendosur gjuhën shqipe, arbërishte, në liturgji, kuptohet, pas përgatitjeve dhe përkthimeve ndërdioqezane mes Horës Arbëreshe, Ungrit dhe  Abacisë së Grottaferratës, me aprovim të Selisë Shenjte.

Sa i përket natyrës, ishte i butë dhe gjithmonë në mesin e popullit dhe me popullin, me klerin vëlla dhe babë, prijës dhe shërbyes besnik i Krishtit dhe Ungjillit,  Kishës vendore.

Vdiq pas shërbimit 52 vjeçar të meshtarisë, 19 vjeçar ipeshkvor, duke lënë gjurma të pashlyeshme në jetën e Kishës ndër Arbëreshë.

Camera: DCS520C Serial #: K520C-02770 Width: 1152 Height: 1728 Date: 20-11-2002 Time: 4:03:36 DCS5XX Image FW Ver: 3.2.3 TIFF Image Look: Product Sharpening Requested: No Counter: [53543] ISO Speed: 200 Aperture: f9.0 Shutter: 1/60 Max Aperture: f2.8 Min Aperture: f22 Exposure Mode: Manual (M) Compensation: +0.0 Flash Compensation: +0.0 Meter Mode: Evaluative Flash Mode: TTL (1st curtain sync) Drive Mode: Continuous Focus Mode: One Shot Focus Point: --o-- Focal Length (mm): 63 White balance: Custom Time: 04:03:36.761

Imzot Ercole Lupinacci (1987 – 2010)

Mons. Ercole Lupinacci lindi në San Giorgio Albanese (Mbuzati) m 23 nëntor 1933.

Ai kishte studiuar në seminarin Benedikti XV në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 22 nëntor 1959.

Gjatë viteve 1960 – 1963 ishte ndihmës në San Dimetrio Magalomartire (Shën Mitri). Në vitin 1963 emërohet famullitar në San Cosmo Albanese (Strihari), deri te emërimi ipeshkvor.

Papa Gjon Pali II e ka emëruar ipeshkëv të Horës së Arbëresheve (Piana degli Albanesi) në Sicili,  më 25 mars 1981; shugurohet ipeshkëv më 6 gusht 1981. E ka udhëhequr  këtë ipeshkvi (eparki) gjatë viteve 1981 – 1987.

Papa Gjon Pali II e transferoi në selinë ipeshkvore të Ungrës (Lungro) në Kalabri më 30 nëntor 1987. Më 17 janar 1988 e mori zyrtarisht udhëheqjen e kësaj selie ipeshkvore. Për arsye të moshës ka dhënë dorëheqje më 10 gusht 2010. Vdiq në San Cosmo Albanese (Strihari) më 6 gusht 2016, në 35 vjetorin e shugurimit ipeshkvor.

Imzot Ercole Lupinacci ishte shumë aktiv në dialogun ekumenik mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Duhet theksuar që Arbëreshët janë të vetmit në botë gjithnjë katolikë, pra me Papën dhe Kishën e Romës, por gjithnjë edhe lindorë apo bizantinë.

Mons. Ercole Lupinacci fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, italisht, greqishten e vjetër dhe të re, si dhe gjuhën frëngjishte.

Në kumtesën e Eparkisë së Ungrës për vdekjen e tij ndër të tjera shkruante: “Ka promovuar në mënyrë të thellë kulturën arbëreshe, liturgjinë dhe përshpirtërinë bizantine, dialogun ekumenik, dashurinë e ndritshme…”.

Synimi dhe qëllimi bazë i tij ishte ky: të jetë e pranishme dhe e gjallë pasuria kishtare lindore edhe në perëndim, por edhe të ruhet lashtësia dhe tradita kulturore dhe gjuhësore arbëreshe.

Ishte ipeshkëv i Horës Arbëreshe në Sicili gjatë viteve 1981 -1988, ndërsa i Ungrës (Lungros) gjatë viteve 1988 -2016.

Ai disa herë e ka vizituar Kosovën, së pari gjatë gushtit 1973, ku mori pjesë edhe në shugurimin dhe Meshën e Parë të Don Ndue Gjergjit, Don Aleksandër Kolës dhe Don Lush Gjergjit (11 dhe 12 gusht 1973).

Gjatë vizitave dhe  takimeve me Imzot Nikë Prelën, me klerin tonë, me shumë famulli dhe besimtarë, ishte gjithnjë i hareshëm dhe frymëzues, sidomos përkrahës i flakët i revistës fetare kulturore “DRITA” dhe botimeve tona.

Ai   ishte dhe mbetet urëlidhës e Kishës  Arbëreshe me Kishat në trojet tona. Ishte i deleguari i parë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, pas rrënimit të diktaturës komuniste ateiste shumëvjeçare, detyrë kjo që e kishte krye me shumë përkushtim dhe dashuri.

Para se të emërohej Donato Oliverio ipeshkëv i Ungrës (Lungros), gjatë viteve 2010 – 2012 administrator apostolik ishte Imzot Salvatore Nunnari.

Mons. Donato OLIVERIO

Imzot Donato OLIVERIO (2012 – )

Imzot Donato Oliverio lindi në Cosenza më 5 mars 1956. Përgatitjen për jetën dhe shërbimin meshtarak e pati në Cosenza, më vonë në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar në Ungrës (Lungro) më 17 tetor 1982.

Shërbeu në San Benedetto Ulano (Shën Benedhiti). Më vonë ishte përgjegjës për Zyrën katekistike deri në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2012 ishte koordinatori i Kurisë ipeshkvore.

Papa Benedikti XVI e ka emëruar ipeshkëv të Ungrës (Lungros),  më 12 maj 2012.

Mons. Donato Oliverio ka vazhduar bashkëpunimin me Kishën Katolike në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka organizuar festime për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka vizituar Shqipërinë dhe Kishën katolike në këto hapësira. Ai  ka marrë pjesë  po ashtu edhe në 100 vjetorin e lindjes së Shën Nënës Tereze në Prishtinë.

Është njeri i hapur dhe dinamik, me plotë gjallëri dhe vullnet për punë, shërbim dhe dëshmi  për jetën e  krishterë, promovues për bashkëpunim vëllazëror ndërmjet Kishave dhe Shteteve tona.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr.Lush Gjergji, Ipeshkvinjtë Arbëreshë, të Ungrës (Lungros)

Presidenti Meta, i Ftuar Nderi në Senatin amerikan

February 5, 2019 by dgreca

Uashington, D.C. Sh.B.A.-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i Ftuar Nderi në Senatin amerikan nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Senatori Jim Inhofe, për të mbajtur fjalën në forumin me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”.

Presidenti Meta njohu audiencën me sfidat e sigurisë në rajonin e Europës Juglindore dhe rolin e Shqipërisë në politikën rajonale, qëndrimin e tij mbi bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE-ja, si dhe përpjekjet dhe reformat e vendit drejt integrimit në bashkimin evropian.

Presidenti Meta tha se Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA-ja dhe BE-ja.

Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon.

Marrëveshja që mendohet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të dy vendet.

Lidhur me ndërhyrjen e Rusisë dhe rolin e saj në rajon, Presidenti Meta u shpreh se ardhmja rajonin është Europa e Bashkuar dhe NATO-ja, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët do vazhdojnë të jenë promotorë e integrimit të rajonit në NATO dhe BE.

Presidenti Meta foli gjithashtu lidhur me situatën në Maqedoni e Veriut dhe konsideroi miratimin nga dy parlamentet të ndryshimit të emrit si një arritje historike që do ta bëjë rajonin më të sigurtë dhe do ta sjellë më pranë BE-së dhe NATO-s, duke theksuar se ky është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij.

Në vijim, fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta:

“Ndihem shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj audience të shquar.

Europa Juglindore po kalon një transformim epik, duke rindërtuar të ardhmen e saj nga hiri i Luftës së Ftohtë dhe konfliktet e përgjakshme që trazuan gjithë rajonin për një kohë të gjatë.

Në të vërtetë, një skenar i tillë do të vazhdonte edhe deri tani kur po flasim, nëse rajoni ynë nuk kishte përqafuar modelin më të mirë të arkitekturës së sigurisë në historinë e njerëzimit: NATO-n dhe Bashkimi Europian.

Procesi i paqes dhe dizenjoja e sigurisë u mbështetën nga udhërrëfyesi i NATO-s, për ta ankoruar plotësisht këtë rajon në axhendën e përbashkët të sigurisë të Aleancës.

Ne mbështetemi në përpjekjet dhe vëmendjen e shtuar të SHBA-së për t’i çuar deri në fund punët e papërfunduara në Ballkanin Perëndimor.

Jam krenar që qëndroj para jush sot duke e ditur se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë një katalizator jetik për të zgjeruar kufijtë e NATO-s dhe të BE-së, pasi ato mbeten bazat e stabilitetit dhe të begatisë në Ballkanin Perëndimor.

Rajoni ynë është ende në një fazë vendimtare. Anëtarësimi sfidues i Malit të Zi në NATO dëshmoi nevojën për një rajon plotësisht të integruar në Aleancë.

Po aq i rëndësishme është edhe anëtarësimi i Maqedonisë Veriore, pas arritjes së marrëveshjes historike me Greqinë si dhe vendeve të tjera në rajon.

Teksa vazhdojmë të konsolidojmë demokracinë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe ndaj ndikimit të huaj që duan të kontrollojnë këtë rajon, ky proces vendimtar nuk është se shkon në të vërtetë krejtësisht i pakontestueshëm.

Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues.

Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara.

Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor.

Pse Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përqendruara në këtë rajon?

Jemi realistë se sfidat gjithnjë e në rritje, me të cilat përballet SHBA-ja në arenën globale, por jo vetëm ato, tranzicionet e BE-së, si dhe sfidat e brendshme strukturore me të cilat përballet Aleanca, kërkojnë dhe meritojnë vëmendje të plotë.

Është koha për të ngritur flamurin sinjalizues e një rreziku potencial që mund të krijojë e të lerë një vakum në rajon, i cili mund të mbushet nga ekstremizmi fetar me ndihmën e disa fuqive të huaja.

Vetëm pak javë më parë, Shqipëria dëboi ambasadorin iranian në Tiranë, së bashku me njërin prej diplomatëve të tyre, të cilët po rrezikonin sigurinë tonë kombëtare.

Zvogëlimi dhe mungesa e koordinimit të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian si dhe përfshirjes së tyre në Ballkan mund të krijojë një vakum që do të rriste praninë e Rusisë dhe aktorëve të tretë në rajon.

Suksesi i një paqeje të qëndrueshme në rajon ka ardhur si rezultat i partneritetit të fortë transatlantik, i cili mbetet jetik edhe sot, pavarësisht dallimeve.

Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë, ndërsa fati i tij në rajon është në BE dhe në NATO gjithashtu.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe BE-në se po përpiqen të destabilizojnë seriozisht rajonin.

Në të vërtetë, ne dëshirojmë që Rusia të respektojë aspiratën euroatlantike të vendeve në rajon.

Jemi realistë për faktin se e kuptojmë që fuqitë rivale dhe aktorët që sfidojnë Aleancën Euro-Atlantike janë të fortë, por ne duhet të jemi këmbëngulës në përballimin e këtyre kërcënimeve, nëpërmjet një partneriteti strategjik kolektiv në mënyrë të tillë që të gjithmonë të mbrojmë rajonin tonë dhe interesat e Aleancës.

Ju faleminderit të gjithëve për vëmendjen tuaj!”

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: i Ftuar nderi, Presidenti Meta, Senati Amerikan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT