• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

KOSOVA PËRKUJTOI MARTIRËT E DËSHMORËT

March 27, 2019 by dgreca

-Në Kosovë, veprimtari përkujtimore në 20 vjetorin e masakrave të forcave serbe/

-Presidenti  Hashim Thaçi: Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës dhe është pjesë e historisë sonë të lavdishme. Kosova ka përjetuar shtypjen më të tmerrshme dhe më të përgjakur në historinë më të re të Ballkanit, prandaj liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi/ 

Kryeministri Ramush Haradinaj: Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të masakrës së Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, familjes Berisha nga Theranda dhe të të gjitha masakrave anëkend Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: Serbia një ditë duhet të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë. Dhe ajo ditë do të vijë gjithsesi, sepse krimet nuk vjetërsohen dhe drejtësia është e domosdoshme/

-Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  26 Mars 2019/ Përkujtohen sot në 20 vjetor martirët e dy masakrave të forcave serbe,  241 në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe 113 në Krushë të Vogël në rajonin e Prizrenit.

Në Krushë të Madhe në axhendën  e veprimtarive përkujtimore të tre ditëve, të nisura në 24 mars, është edhe “Një fidan një kujtim” – mbjellja e 241drunjëve dekorativë në fshat.

Në Krushë të Vogël përkujtohet edhe se në 26 mars 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe shtëpisë me plot burra shqiptarë që i kishin vrarë ia vunë edhe zjarrin dhe po atë ditë gjenocidi bënë edhe spastrimetnik duke i dëbuar me forcë gratë dhe fëmijtë drejt Shqipërisë.

Krusha e Vogël ka mbetur fshat i grave të veja dhe i fëmijëve jetimë, si pasojë e asaj masakre.

Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës, kriminelët herët a vonë do të japin përgjegjësi, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot në tubimin përkujtimor në Krushë të Vogël.

“Sot, jemi mbledhur bashkë këtu në Krushë të Vogël, për t’i kujtuar dhe për t’i nderuar 113 martirët dhe dëshmorët e Krushës së Vogël, për t’i kujtuar mbi 13 mijë viktimat e dhunës dhe terrorit të shtetit serb gjatë luftës së viteve 1998-1999”, është shprehur presidenti Thaçi.

Sot, vijoi ai,  kujtojmë mijëra qytetarë të Kosovës, gra, burra, nëna, baballarë, pleq, të rinj e të reja dhe fëmijë të pafajshëm që u vranë padrejtësisht vetëm pse ishin qytetarë të një etnie të caktuar.

“Dhunën sistematike të shtetit serb popullata civile e kishte provuar në masakrën e Likoshanit dhe Çirezit që në fillim të vitit 1998, në Abri në vjeshtën e po atij viti, si dhe në Reçak më 15 janar 1999”, tha presidenti Thaçi.

Ai përkujtoi se, pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s theksoi se forcat policore dhe ushtarake serbe kishin intensifikuar edhe më shumë krimet, gjenocidin dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova.

“Mbi gjysmë milioni njerëz u dëbuan jashtë Kosovës. U dhunuan me mijëra gra shqiptare. Popullata e paarmatosur pësoi rëndë në Celinë, në Fortesë, në Brestovc, në Krushë të Vogël, ku, këtu e 20 vjet më parë u vra edhe fëmija 13 vjeçar. Ndërsa, gjatë 25, 26 dhe 27 marsit 1999, në Krushë të Madhe ndodhi masakra më e madhe në tërë Kosovën ku pësuan 243 persona. Masakra mbi popullatën civile u bënë edhe në Izbicë, Rezallë, në Qyshk, Studime dhe në Meje”, ka thënë presidenti Thaçi.

Para të pranishmëve në këtë tubim përkujtimor, kreu i shtetit ka thënë se shumë prej jush këtu i keni humbur më të dashurit tuaj para 20 vjetësh.

“Ata, as ju e as ne, nuk do t’i harrojmë kurrë. E dimë që nuk kemi bërë sa duhet, për sa kohë që nuk gjenden dhe identifikohen të gjithë trupat e viktimave, që as sot e kësaj dite nuk kemi arritur t’i sjellim në varrezat e Krushës së Vogël. Personat që i shpëtuan masakrës në Krushë të Vogël, dëshmojnë edhe sot me emër dhe mbiemër për autorët e krimeve në uniformë policore dhe ushtarake serbe. Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë krimet e bëra në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës. Herët a vonë për to do të jepet përgjegjësi”, u shpreh presidenti i Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se të gjithë njerëzit që mbijetuan dhunën dhe terrorin çnjerëzor këtu, sot kanë arritur ta rikthejnë jetën dhe ta mundin dhimbjen e madhe që ua solli lufta.

“Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës dhe është pjesë e historisë sonë të lavdishme. Për mua personalisht dhe besoj edhe për shumicën prej jush këtu, Krusha e Vogël është fshati i rilindur dhe i ringritur mbi hirin dhe gjakun e viktimave, që ranë dhe u viktimizuan vetëm pse ishin në vendin dhe shtëpitë e tyre. Vendi ynë ka përjetuar shtypjen më të tmerrshme dhe më të përgjakur në historinë më të re të Ballkanit, prandaj liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi”, tha kreu i shtetit.

 Presidenti Thaçi theksoi se liria që gëzojmë sot është fryt i gjakut dhe sakrificës së martirëve e dëshmorëve tanë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në homazhe dhe tubimet përkujtimore në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe edhe te pllaka përkujtimore për viktimat e familjes Berisha në qytetin e Therandës (Suharekës) dhe ka vizituar vendin ku është kryer masakra ndaj familjes Berisha në mars të vitit 1999, ku ka takuar të mbijetuarit e kësaj masakre, Shyhrete Berisha, Vjollcë Berisha dhe Gramos Berisha, të cilëve u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të tij dhe të Qeverisë, duke thënë se Qeveria e vendit do të jetë pranë tyre.

“Secili martir i kësaj toke, ka dhe një ekzekutor, që duhet të dënohet për këto krime çnjerëzore. Përgjigja më e mirë, atyre që deshën ta zhdukin një popull të tërë, është ringjallja, për të cilën fëmijët e Kosovës janë dëshmia më e fuqishme se ne kurdoherë gjejmë forcën për të shikuar kah e ardhmja. Nuk do të ndalim kurrë betejën tonë, për të sjellë kryesit e këtyre krimeve para drejtësisë si dhe për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të masakrës së Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, familjes Berisha nga Theranda dhe të të gjitha masakrave anëkend Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, është shprehur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 20-vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, të kryer nga forcat serbe mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare, ka thënë se këto dy vende janë simbol i një populli që kurrë nuk pranoi të nënshtrohet, duke u bërë kështu simbol i triumfit të jetës mbi vdekjen.

Kryetari i Kuvendit tha se ata që urdhëruan dhe kryen masakrën në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, ende janë të lirë, por tha se kjo nuk do të harrohet kurrë.

“Kanë kaluar 20 vite nga ky krim çnjerëzor. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të vendoset për këto fshatra martire të Kosovës. Serbia një ditë duhet të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë. Dhe ajo ditë do të vijë gjithsesi, sepse krimet nuk vjetërsohen dhe drejtësia është e domosdoshme”, theksoi Veseli.

Ai tha se Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël janë simbol i sakrificës sonë për liri, janë identiteti ynë historik.

“Ne jemi sot në Krushë jo vetëm për të nderuar martirët e saj dhe për të kërkuar drejtësinë e munguar për ta. Jemi sot në Krushë për të dhënë zotimin tonë të madh, se kurrë më në tokën e Kosovës, në atdheun tonë, nuk do të lejojmë që të cenohet jeta dhe liria e njerëzve tanë. Kosova përgjithmonë do të jetë e lirë, shtet i pavarur, sovran, e i paprekshëm”, tha kryeparlamentari Veseli.​

Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi.

Është stina kur përkutohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.

Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në  fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.

Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek,  Suharekë, Kralan, Goden,  Rogovë,  Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…

 Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e më shumë se 1600 të zhdukurve ende të pagjetur. 

KRYEPARLAMENTARI VESELI: PRANVERA NË KOSOVË ËSHTË STINË E DËSHMORËVE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Prekaz se pranvera në Kosovë është stinë e dëshmorëve, stinë e heronjve, të cilët, siç tha ai, në ditët më të rënda për kombin, nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e Kosovës.

Duke folur në manifestimin e mbajtur sot në Prekaz, në shënim të 20-vjetorit të rënies së katër dëshmorëve të lirisë, Beqir Meha, Ilir Lushtaku, Mustafë Qorraj dhe Avdullah Kodra, Kryeparlamentari Veseli tha se Prekazi dhe Drenica ishin në ballë të luftës çlirimtare, ndërsa çdo fshat, çdo lagje dhe çdo familje e saj, ishin pjesë e luftës, nga fillimi deri në fund.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se dëshmorët ranë që Kosova të ngrihej, të fitojë lirinë e të bëhet pjesë e kombeve të lira.

 “Sot ne qëndrojmë krenarë para kujtimit të këtyre heronjve, sepse ëndrra e tyre u bë realitet. Dhe duke nderuar ata, ne zotohemi që ky realitet i Kosovës së lirë nuk ka do të ndryshojë kurrë, në jetë të jetëve: Kosova është çliruar dhe përgjithmonë do të jetë shtet i lirë, i pavarur e sovran, shtet që ecë përpara në rrugën e fuqizimit dhe zhvillimit ekonomik, në rrugën e perspektivës së sigurt euro-atlantike”, theksoi Veseli.​

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Deshmoret

TONY SUFAJ- $2.000.00 PËR DIELLIN

March 26, 2019 by dgreca

TONY SUFAJ- $2.000.00 PËR DIELLIN

Shembulli i Kryetarit te deges se VATRES ne Toronto -Kanada-

Kryetari i degës së Vatrës në Toronto, Kanda, z. Tony Sufaj, bëhet i pari kryetar nga 13 degët e Vatrës që dhuron shumën $2,000.00 për fushatën e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”. Ai  ia bëri të njohur Editorit shumën e dhuruar, sot në mesditë gjatë telefonate nga Toronto. Falenderime të përzemërta z. Tony Sufaj. Ftojmë kryetarët e degëve që të japin vetë shembullin e bujarisë dhe të nxisin anëtarësinë për t’u bërë pjesë ek ësaj fushate. Si rregull i përgjithshëm në fushata të tilla gjatë  110 vitet e DIELLIT dhe 107 VITET e VATRËS, asnjë vatran nuk mbetej jashatë fushatës, secili jepte dicka, natyrisht aq sa mundëte.

Vatran, mos qëndro jashtë fushatës, nuuk do të ndjehesh mirë nëse emri yt nuk do të mungojë në listat e dhuruesëve.

Faleminderit!

***

THIRRJE E PËRSËRITUR E EDITORIT TË DIELLIT

Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës
Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.
Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!
Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!

Filed Under: Featured Tagged With: TONY SUFAJ-200.00-DIELLI

SERBIA – RRËNJËT E NJË DESTRUKSIONI POLITIK

March 25, 2019 by dgreca

Nga Xheladin Zenjeli/

Nga Xhelal Zenjeli/ Në historinë politike të kohës më të re, Serbia ka pasur një qëllim të vetëm – të krijojë Serbinë e madhe. Kjo periudhë zgjat mbi 200 vjet. Me fjalë të tjera, ideja e krijimit të Serbisë së madhe është më e vjetër se Projekti i Garashaninit. 

Krijimi i Serbisë së madhe nënkuptonte rimëkëmbjen e perandorisë së car Dushanit. Krijimi i Serbisë së madhe nënkuptonte pushtimin e territoreve të popujve të Ballkanit, por edhe të atyre që nuk i takojnë gadishullit – të shqiptarëve, të boshnjakëve, të malazezëve, të kroatëve, të bullgarëve, të rumunëve dhe të hungarezëve.

Malazezët i konsideronin serbë, Myslimanët e Bosnjës dhe të Hercegovinës – serbë të islamizuar, kroatët ndërkaq – serbë të fesë katolike. Maqedoninë e konsideronin Serbi jugore.

Përpunimin e hollësishëm të idesë për krijimin e Serbisë së madhe e bëri ideologu serbomadh Ilija Garashanininë traktatin e tij të njohur si Naçertanie (Projekt) të hartuar në vitin 1844. Që atëherë, ky projekt është konsideruar program kombëtar serb.

Në shërbim të realizimit të projektit kombëtar serbomadh është vënë shkenca serbe, politika serbe dhe kleri ortodoks serb.

Duke u vënë në shërbim të një ideologjie ekspansioniste, shkenca serbe s’mund të ishte shkencë. Në të vërtetë, ajo ka qenë pseudoshkencë. 

Ideologjia serbomadhe nënkuptonte ekspansion, hegjemoni, politikë të forcës dhe pushtim të trojeve të popujve joserbë.

Duke përfshirë nën Serbinë e madhe troje joserbe, politika serbomadhe gjithmonë ka qenë unitariste, centraliste, etatiste, shtypëse, shfrytëzuese dhesunduese. Me fjalë të tjera, politika serbe ka qenë kolonialiste. 

Për t’i nënshtruar më lehtë popujt e trojeve të pushtuara, serbomëdhenjtë zbatuan:

– politikën e asimilimit;

– politikën e dëbimit, të deportimit, përkatësisht të shpërnguljes me dhunë të popujve joserbë; 

– politikën e ndryshimit të strukturës etniketë trojeve të pushtuara, duke dërguar në viset shqiptare, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Maqedoni, në Vojvodinë dhe në Kroaci – kolonë serbë.

Gjatë pushtimit të trojeve të huaja, serbomëdhenjtë kanë ndjekur edhe politikën e tokës së djegur. Një politikë të këtillë kanë ndjekur ndaj shqiptarëve sidomos në vitin 1877-1878 në rajonin e Toplicës. 

Ndaj popujve të trojeve të pushtuara, serbomëdhenjtë ndoqën dhe zbatuan edhe politikën e gjenocidit.

Popujt që i rezistuan pushtimit serbomadh u ballafaquan me vrasje, me plagosje, me burgosje, me hetime, me tortura, me dënime drakonike, me ekzekutime, me procese gjyqësore të montuara, me spiunë, me dëshmitarë të rrejshëm, me gjyqtarë, me hetues, me prokurorë, me xhandarë, me gardianë. 

Qëkur u njoh si shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit (1878) e deri më sot, Serbia as edhe një ditë nuk ka qenë shtet demokratik. 

Për ta realizuar ideologjinë serbomadhe, politika serbe e dy shekujve të fundit iu mbështet Rusisë. Me fjalë të tjera, në 200 vitet e fundit, Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë satelite politike e Rusisë dhe përçuese historike e interesit rus në Ballkan. 

Rrugën e Garashaninit e ndoqën edhe intelektualët serbë të shekullit XIX, si për shembullVuk Karaxhiqi e të tjerë si ky si dhe akademikët apo intelektualët e fillimit të shekullit XX – Jovan Cvijiqi, Vlladan Gjorgjeviqi, autor i libritArnauti i Velike sile, Beograd 1913. Në faqen 113 të këtij libri, ky albanofob e bën dehumanizimin e shqiptarëve, duke i paraqitur si njerëz me bisht e që flenë nëpër degët e drunjve. 

Gjurmëve garashaniniste ka ecur edhe akademiku dhe historiani serbomadh Vasa Çubrilloviqiautor i elaboratit famëkeq Iseljavanje Arnauta (Dëbimi i shqiptarëve), që e lexoi në Klubin kulturor serb të Beogradit më 7 Mars 1937.

Një projekt antishqiptar hartoi edhe shkrimtari i konsideruar serb – Ivo Andriqi, i cili për turpin e botës, u laureua edhe me çmimin Nobel.

Pas Luftës së Dytë Botërore, akademiku serb me shkollë të mesme bujqësore, i mbiquajtur baba i kombit, shkrimtari Dobrica Qosiq, gjatë gjithë jetës së tij, preokupim të vetëm e kishte të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe,këtë murtajë të zezë të Ballkanit.

I zhgënjyer me vendimet e AVNOJ-it (KAÇKJ) (29.11.1943) dhe me statusin e avancuar të Kosovës dhe të Vojvodinës, Qosiqi, ky albanofob i përbetuar, lansoi pikëpamjen e tij: atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe.

Në janar të vitit 1986 doli në Beograd Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Ky pamflet doli në formë libri dhe pa emrat e autorëve. Ishte hartuar prej një grupi akademikësh serbë. Më vonë u konstatuan edhe autorët e artikujve të përfshirë në të. Babai i kombit – Qosiqi, nuk figuron si një prej autorëve, ndonëse ishte ati shpirtëror i pamfletit. Memorandumi i pseudoakademikëve serbomëdhenj u konsiderua si nekrolog i Jugosllavisë së AVNOJ-it.

Pas kësaj, amalgama jugosllave hyri në fazën e shpërbërjes së përgjakshme. 

Ideologjinë serbomadhe tentoi ta sendërtonte politika serbe e ndjekur dhe e zbatuar nga karagjorgjeviqët, Pashiqi, Rankoviqi dhe Millosheviqi.

Në prag të shpërbërjes së federatës jugosllave, në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, serbët kryen dy revolucione të mëdha: 

– jogurt revolucionin (revolucioni i kosit) dhe

– balvan revolucionin (revolucioni i trungjeve) në Krainë të Kroacisë.

U quajt jogurt revolucion për arsye se çdo pjesëmarrësi në mitingjet dhe në tubimet e organizuara nga Millosheviqi dhe Vojisllav Shesheli, u ndanin nga një gjevrek dhe nga një gotë jogurt (kos).

Në këtë kohë, Serbia vuri në dorë ushtrinë jugosllave dhe kreu agresion luftarakndaj Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës.

Politika ekspansioniste serbomadhe u mbështet:

– nga kreu politik i Serbisë;

– nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve;

– nga Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, me seli në Rr. Francuska 7;

– nga kleri ortodoks serb;

– nga qarqet ushtarake serbe;

– nga mediumet serbe.

Fjala e lirë – u ndalua, mendimi ndryshe – u shua. Politika populiste imponoihomogjenizimine dhunshëm të shoqërisë serbe si dhe shtrirjen marramendëse të njëmendimit politik.

Beogradi vuri në veprim propagandën serbomadhe, luftën specialedhe luftën psikologjike.Serbët janë të njohur si mjeshtër planetar të gënjeshtrave politike, të shpifjeve dhe të insinuatave. Asnjë shtet i rruzullit tokësor nuk e ka aftësinë e Serbisë që gënjeshtrën ta paraqesë si të vërtetë.

Për zhbërjen e federatës jugosllave, Beogradi fajësoi:

– Gjermaninë;

– Vjenën;

– CIA-n;

– Vatikanin; si dhe 

– agjentin e Vatikanit – Titon.

                  Si pasojë e agresionit ushtarak serb, vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë u vranë mbi 100.000 vetë. Në Sreberenicë serbët ekzekutuan mbi 8000 boshnjakë.

* * * 

                  Ndërhyrja ushtarake e NATO-s – Për ta ndaluar tragjedinë dhe eksodin përmasash biblike, vendet anëtare të NATO-s, ndërhynë ushtarakisht kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Piromani i Ballkanit – Sllobodan Millosheviqi vuri në veprim në Kosovë makinerinë ushtarake vrastare serbe dhe detyroi që një milion shqiptarë të largohen nga Kosova.

                  Duke mos qenë për çfarëdo zgjidhjeje paqësore, vetë Serbia ia imponoi vetes ndërhyrjen ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike.

                  Sot Serbia udhëhiqet nga politikanë ultranacionalistë, radikalëdhe luftënxitës.

                  Ish-kryetari i Serbisë – Tomisllav Nikoliqidhe kryetari i përtashëm, Aleksandër Vuçiqinë kohën e jogurt revolucionit i ngjitnin në muret e ndërtesave të Beogradit fotografitë e kriminelit të luftës – Vojisllav Sheshelit, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daciçi, e ngjiste fotografinë e zjarrvënësit të Ballkanit – Millosheviqit.

                  Politika e sotme e Beogradit përputhet 100% me politikën e Sllobodan Millosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit  të kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë.

                  E mbështetur nga Moska dhe ngaVlladimir Putini, politika e sotme e Beogradit është destruktive, destabilizuese, luftënxitëse, autoritare, dhe antidemokratike.

                  Për krimet e kryera në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë e sidomos në Kosovë, Serbia nuk ka marrë dënim të merituar. Brukseli nuk duhet ta ledhatojë një Serbi që vazhdon të ecë shtigjeve të Garashaninit.

                  Kancelaritë e Fuqive historike të kontinentit të vjetër duhet të jenë të mbyllura për politikanët siç janë Vuçiqi dhe Daçiqi.

                  Për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia mbi të gjitha duhet të heq dorë njëherë e përgjithmonë, nga ideologjia retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike e krijimit të Serbisë së madhe. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zenjeli

Më pak gënjeshtra, të lutem!

March 25, 2019 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Njerëzit, ndoshta, kot i bien në qafë socializmit e kapitalizmit. Sepse të dyja idetë kur bien në dorë të njeriut, deformohen, pavarësisht se njëra paraqitet më humane se tjetra.
Në kapitalizëm, qeveria i thotë qytetarit: Pesë muaj në vit do të punosh për mua. Në socializëm, njeriut i duhet të punojë rreth 7 muaj për qeverinë dhe 5 muaj për veten. Këto të ardhura mbahen në formë taksash, dhe pak-a-shumë kaq i bie.
Në një vend komunist, ku qeveria gënjen, njeriut i thuhet se nuk ke taksa fare, por çdo gjë e jotja është e imja; dhe njeriu bëhet krejtësisht i robëruar. Kësaj ideje i ka dalë boja e kuqe, duke u bërë rozë a socialiste.
Lufta për sundimin e njeriut tani bëhet vetēm midis socializmit dhe kapitalizmit, dhe njeriu nuk duhet të jetë matematicien për të llogaritur e zgjedhur, se fundja çdo gjë varet sesa para fiton për veten tënde dhe jo për qeverinë. Prandaj thonë se kapitalizmi është sot sistemi më i mirë i mundshëm, që ofron më shumë liri, më pak gënjeshtra dhe më pak taksa sesa socializmi

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

REVOLVERI

March 25, 2019 by dgreca

Nga Bujar MEHOLLI/

I 

– E shkrepa, të shkretin. E shkrepa! – po i fliste për të satën herë vetes në pasqyrë një fytyrë e lodhur gruaje, e zhgënjyer nga jeta. I dridheshin duart teksa mbante revolverin, të cilin nga çasti në çast pritej ta shkrepte. Do dëgjohej krisma, më pas do ta gjenin njerëzit, por gjithçka do të mbaronte… përgjithmonë. Ajo s’do dëgjonte asgjë dhe më në fund, shkrepja do t’i sillte prehjen.

I mori borxh revolverit ca kohë, për të lundruar në kujtesë, për ta parë të kaluarën e saj përgjithësisht dhe ardhjen në këtë gjendje…                                                       

Natyrisht, kohë më parë kish qenë ndryshe. Dhe kish qenë e bukur njëmend, e mbase mund të tingëllojë si klishe “e bukur” sepse rëndom thuhet për vajzat e reja, por Maria ishte vërtet e bukur në të ri të saj.

Spikatte hunda vogëloshe, e vendosur mbi ca buzë as të trasha as të holla, që gjithherë i shkëlqenin. Flokët e dendura ngjyrë të zezë i binin bukur mbi supe. Faqet i skuqeshin lehtë, kur ndonjë nga çunat i lëshonte ndonjë fjalë tek shkonte kaluar… Sytë i qëndronin mes ngjyrës kafe dhe të zezës dhe qerpikët e dendur përmbi i bënin ata krejt të veçantë…

Shkurt, ajo dukej si tablo e ndonjë mjeshtri të madh veçse e dalur nga korniza, e mbushur jetë dhe e lëshuar në tokë.

Ah, sikur të ishte vetëm tablo tani do të ishte e vendosur në ndonjë muze të Parisit apo Amsterdamit, prej nga do të magjepseshin shumë njerëz, por siç thotë Sartri: nuk mund t’i shpëtojmë ankthit, sepse jemi vetë ankthi.

II

E ç’nuk përjetoi kjo krijesë e paracaktuar femër nga natyra, në këtë jetë të egër, rrethuar me egërsira në formë njeriu, përherë në gjendje të të gllabërojnë nga minuti në minutë.

Vetëtimthi i ranë të këqijat mbi kokë të gjorës. Brenda një moti, iu sëmur babai i cili vdiq shumë shpejt. Pas tri motesh në një ditë të zymtë, i iku edhe mamaja, e cila pësoi një sulm zemre. Mamaja kish qenë gjithmonë personi më i afërt dhe i dashur për të. Këto tronditje sa nuk ia morën frymën edhe asaj… por si besimtare që ishte, i vari shpresat te Zoti, edhe pse thellë në vete qe e mbushur mllef ndaj tij, pse ky i fundit për pak kohë i rrënojë gjithçka, dhe i hapi rrugë të re, mbushur me gjemba, dhe në krye pa cak. E pra, ajo u nis. E mori, atë rrugë.  

Fakti që s’pati kurrë vëllezër e motra, bëri që ajo ta marrë secilin që i dilte në rrugë për të tillë. Është burrë, trajtoje si vëllain e madh, është vajzë, si motrën e vockël.

Mundohet t’i ndalojë dridhjet e duarve, duke i shtrënguar ato… teksa neveritet nga ajo pamje që i shfaqet në pasqyrë. Me qejf, do ta thyente atë në njëmijë copë. 

Atje tej, në sallën e kafenesë ku ndodhej, vazhdonte të luhej muzikë dhe të flitej me të madhe. Qeshje, kërcitje gotash, dhe natyrisht tinguj xhazi që përpiqeshin ta mbulonin zallamahinë e pasditës.

Në çastet kritike të Marias, sallën e kafenesë së madhe të qendrës së qytetit, po e mbushnin tingujt e Autumn Leaves të cilët ajo i pëlqeu. Gjithmonë thellë në zemrën e saj të shpuar, e kish dashur muzikën. Po, ç’rëndësi kishte tani? Njerëzit krijonin tinguj të bukur, në një jetë të egër, dhe sipas saj, paradoksi i madh qëndronte te fakti se brenda një toke diku luhej muzikë e mrekullueshme, diku vidhej, dikush lëndohej e vritej, dikush qeshte kur dikush vuante…

E pra, ç’kuptim kishte gjithë kjo? – ç’i dua këta tinguj të mallkuar, që për një moment të dehin, dhe më pas të kthejnë në realitetin e hidhur, të jetës mizore?… 

III

I ngriu gjaku për një moment. Dera e banjos trokiti, dhe u ndal më pas. Ajo shtrëngoi dhëmbët, hodhi rrufeshëm sytë tek shuli. Oh, Perëndi. Ishte i kyçur. Duart i dridheshin vazhdimisht, goja i terej dhe i nxirrte një erë të ligë. Bobo, si jam shndërruar, murmuronte me vete. Pati frikë të marr frymë thellë. Dera trokiti edhe njëherë, por më pak se më parë dhe u ndal prapë, e rrëmuja jashtë vazhdonte. 

Por, mos po dyshonte kush? Mos e kishin përcjellë tek kish hyrë qe një copë herë në banjo? Mbase ndonjëri nga kamerierët e kish parë? Ajo i kishte zët ata, kur i sorrollateshin teksa i sillnin kafenë dhe ëmbëlsirën; me intuitën e pagabuar femërore e ndjente se qeshjet e tyre ishin falso, dhe ata s’dallonin aspak nga shumë meshkuj të tjerë që parasyve të një femre përpiqen t’i zgjedhin fjalët dhe të sillen solemnisht, sepse lajkat ashtu e donë, derisa mbas syve të saj, shpërthejnë me shprehje vulgare… Bah!

Për të mos ngjallur dyshime, ajo lëshoi rubinetin dhe… i erdhi në mendje të kollitej. U kollit pak; çuni thatim si e dëgjoi kollitjen dhe ujin, iku për tek gota me vodkë që e priste në tavolinë. Ja pra, kaloi… mendonte ajo, kur dera pushoi. Muzika jehonte, qeshjet e kërcitjet e gotave poashtu… 

Kohën që ia kish marrë revolverit ende s’e kish shpenzuar, kështu me zemrën që i rrihte paksa, dhe me gjoksin që ngrihej e ulej nën atë fustan të mëndafshtë, blerë në dyqanet e dorës së dytë, vazhdoi lundrimin nëpër kujtimet e saj…

IV

Bredhja i qe bërë pjesë e pandashme e jetës. Shëtiste nëpër rrugë e rrugica, herët në mëngjes, vonë në mbrëmjet me hënë. Shihte vitrinat e dyqaneve të mbushura me lloj-lloj rrobash të modës së fundit, e aksesorë të ndryshëm, që një femër teksa i sheh dhe e di s’e s’mund t’i posedojë… zemra i thyhet në shumë pjesë, sikur vazoja e rënë nga kati i sipërm i ndërtesës. 

Pa një qindarkë për ilaq, ajo bariste, derisa u takua me një djalosh me trup të gjatë, flokë të yndyrshme dhe mustaqe të dendura. Ata u afruan dhe kaluan mjaft kohë bashkë nëpër kafenetë e sërës së tyre. Ai e trajtonte tamam si vajzë dhe e donte me zemër. Edhe ajo për herë të parë e ndjenjte veten të rëndësishme; pra dikujt i bëhej vonë për të, për më shumë ajo duhej nga dikush. A s’ishte mrekulli? Edhe ajo e donte atë krejt sinqerisht. Shkurt, ata u martuan. 

Si gjithçka që ishte destinuar e shkurtër për Marian, ishte dhe kjo martesë, e cila u rrënua kur një mëngjes u zgjua dhe gjeti tek krevati bashkëshortin e saj pa shenja jete. Versioni zyrtar i mjekëve qe, se ai kish pas një sulm të fortë në zemër, të cilit nuk i kish mbijetuar për shkak edhe të konsumimit të tepërt të alkoolit gjatë jetës së tij, jo të gjatë.

Ai e kish dashur njëmend. Dhe me fitimin e vogël nga puna e lodhshme si çirak, përpiqej t’i plotësonte dëshirat e saj. Madje për ditëlindje, e pat befasuar duke i blerë këtë fustan të mëndafshit, të cilin ajo e kishte pëlqyer jo për shkak të ndonjë vlere estetike, por sjellja e saj prej megalomaneje a do të kish farë kuptimi? 

Pastaj ai sillej butë me të, dhe ishte krejt e kundërta e atyre kamerierëve të veshur bukur, por të ashpër dhe vulgarë. Vdekja e tretë në jetën e saj, ishte tronditëse. U mat disa herë të hidhej nga ballkoni i katit të tetë të ndërtesës modeste në periferi ku jetonin, por i mungonte guximi. Ku të vente, dhe çfarë të bënte?

Tani ishte 29-vjeçe; këto vitet e fundit s’donte më t’i kujtonte… dhe një moment e preku këmbëzën, por deshi apo s’deshi vajti me mendje tek ai ferr… ferr njerëzor, ku vajzat dhe gratë shihen thjesht si kafshë… dhe bëhet seks me to, për ca grosh.

E mbetur vetëm nëpër qoshe dhe rrugë të pista, në një mbrëmje, ajo pa një një tabelë që llamburiste. U fut. Mendoi të fitonte ndonjë punë, përfundoi si skllave seksi. Portieri e pat pritë me një fytyrë të dhimbshme, mbase ai e dinte se çfarë do ta gjente të gjorën… 

Nuk deshi t’i kujtonte gjërat që i kishin ndodhur atje në detaje, nga frika se do të çmendej… atje ishte në ankth çdo natë, i mpiheshin duart e këmbët, nga çdo krismë sado e vogël. Pastaj neveritej nga britmat vulgare të fatzezave tjera, e ulurimat e shpifura burrërore nga kënaqësia…

Pale, ata burra barkëmëdhenj, me fytyra të egra e trupa të rëndë, të cilët ajo ishte e shtrënguar t’i shihte dhe t’i kënaqte çdo mbrëmje… Oh, Perëndi! 

V

Gjatë atij lundrimi nëpër kujtesën e saj, mbase do të ketë trokitur prapë dera por fatmirësisht ajo s’kish dëgjuar gjë, e mesa dukej prapë gjithçka kishte shkuar mbarë.

Tashmë ishte krejt e ronitur, gjithçka i dukej shpifëse; me ato para që kish kursyer nga ajo punë, kish marrë një dhomë modeste me qira në një hotel të dorës së dytë. Ishte kliente e përhershme e kësaj kafeneje, ku hante mëngjesin, pinte kafenë duke lexuar gazetat dhe s’i jepte askujt shans që t’i afrohej, qoftë dhe për t’u njoftuar. Në njëfarë mënyre ishte në paqe me veten…

Por, gjithçka u rrënua prapë, kur kartat e mallkuara mbaruan dhe hotelxhiu e degdisi jashtë. Ç’të bënte tani, ta shiste trupin prapë, për ca karta tjera? Po besimi i madh që kishte në Zot, pse s’po i dilte përpara tani, dhe ta shpëtonte? Thjesht, ta bënte si ato gra që shëtisin të shkujdesura nëpër rrugë, dhe pastaj ikin në gjirin e tyre familjar, ku bënin pjesë prindërit, bashkëshorti e fëmijët…

Pse dhe ajo mos të kishte një fëmijë kolopuç, sikur këta që i shihte rrugës. Dhe kush të mos kish fëmijë, ajo, që i adhuronte këto krijesa vogëloshe, të padjallëzuara. Ajo që do të ishte një nënë e shkëlqyer… Por, çfarë trishtimi i madh për një grua, të mos arrijë ta shijojë ndjenjën hyjnore të të qenurit nënë!  

Para se të ish futur në kafene këtë herën e fundit, në bulevard iu afrua një burrë me flokë të kthyera anash aq bukur. Asaj i qe nxehur trupi. Në çantë e kishte revolverin, me të cilin mendonte t’iu ikte të gjitha përsiatjeve të kota jetësore, dhe të shpëtonte…

Prej nga tani ky tip, që i qeshte me vrimat e formuara në faqe. Mos do më prish punë ky, thoshte ajo. Nëse tenton të më bëjë diçka, para syve të botës do t’ia plas turinjve. 

– Zonjushë e nderuar, jam klient i kafenesë në të cilën edhe ju jeni e rregullt. Ajo u step. Zonjushë e nderuarnuk e kishin thirrur kurrë, dhe mendoi me zemër të plasur për jetën e shkuar dëm, derisa po të kishte një fat tjetër do të ishte njëmend zonjushë e klasit të lartë, e veshur me pallto të shtrenjta, e lyer me pomada italiane dhe me flokët e rregulluara te frizerët më në zë. U shtendos pak, derisa ai vazhdoi:

– E pra, mbase s’do më keni vërejtur, por edhe unë jam këtu çdo mëngjes. Thjesht, desha t’ju ftoj për një kafe miqësore, me mundësi për ta njohur-njëri tjetrin. 

Por mënyra sesi i tha këto fjalë, asaj iu duk e rëndë, e pa kapërdishme. Nxitoi për ta refuzuar.

– Më falni, por jam e zënë. Sot, do të pres dikë, shpresoj në mirëkuptimin tuaj. Dhe ai e mirëkuptoi duke u larguar, po me buzëqeshje si në fillim.

Edhe ky pasazh po i kujtohej asaj; më vonë kish marrë vesh se djaloshi ishte nëpunës dhe gëzonte respekt, e ishte ndër klientët më të nderuar të kafenesë. Beqar, natyrisht. Po si s’e kishte vërejtur asnjëherë ajo, për më tepër si mundi të tregohej aq e ftohtë dhe aq shpejt ta refuzonte, kur ai hapur iu afrua dhe u tregua i mirë me të.

Në anën tjetër, si nuk i qe afruar ai më parë kur rrinin brenda një objekti, pinin, shfletonin gazetat dhe sodisnin rrugën… 

Ja, një arsye më tepër për ta ngre atë këmbëz të mallkuar, dhe për t’u shliruar. Ndërkohë, para derës tashmë ishin grumbulluar disa njerëz, e poashtu edhe volumi i muzikës ishte ulur. Megjithatë, një tip nga qoshi i kafenesë ku rrinte i shkujdesur e kishte parë teksa shkonte në banjo me një fytyrë të acaruar, (ajo madje e kishte derdhur kafenë mbi gazetë, por njëri nga kamerierët me qeshje lajkatare i kish thënë se çdo është në rregull!) dhe i njoftoi kamerierët se një grua ishte e mbyllur aty, në banjo, pothuajse qe një orë.

– Si mundet, si? Ta marr djalli, i thoshte ajo vetes. Si e përbuze atë djalosh. Dhe nisi të qajë, por e mori veten shpejt. Në kokë i vërtitej dilema: a ta përfundonte më këtë punë, të shpëtonte, apo të dilte sikur s’kish nodhur gjë. T’i linte të gjitha anash, dhe të kërkonte nisjen e një jete të re. Mund të takonte ndonjë djalosh tjetër të sërës së tij, në mos atë vetë… dhe kështu do rregullohej gjithçka, edhe pa mjetin e frikshëm që mbante afër vetes.

– A jeni mirë? Ç’po ngjan aty brenda? Thoni diçka! – ishin fjalët e kamerierit të shqetësuar për klienten e tij të ngujuar brenda. Ajo mezi i dëgjoi këto fjalë. Por, me t’i dëgjuar u drodh e gjitha nga maja e gishtave, tek flokët. Ata e paskëshin zbuluar. Dhe tani po doli, do t’i bien në qafë. Dhe kush? Prapë ata kamerierët dhelpërak, përreth me klientë kureshtar. E, ç’i bënte asaj për ta. Dilema e madhe i sillej nëpër kokë: të dilte nga banjo, apo ta tërhiqte këmbëzën dhe pastaj ta gjenin, por ajo të shlirohej e të mos i dëgjonte llomotitjet e tyre?

Ndërkohë trokitjet s’reshtnin, madje kish kërcënime (nga kamerieri që i pati thënë se s’ka gjë për derdhjen e kafesë mbi gazetë, ajo e njohu zërin e ngjirur të tij) se do e thyenin derën, nëse edhe këtë herë s’do kishte përgjigje nga brenda.

– Ç’bëni kaq gjatë aty? Mos ju ka ndodhur diçka? Pa nxjerr ndonjë zë, të lutem, që konfirmon se jeni mirë dhe gjithçka është në rregull. Asnjë pipëtimë. Vetëm ngritja dhe ulja e gjoksit të saj nën fustanin e mëndafshit, dhuratë nga ish-bashkëshorti i saj; kaq ishte pra, siç duket erdhi koha për hapin e madh. Koha për të vajtur te bashkëshorti i saj i dashur? Fytyra e saj pasqyruar në xham, shëmbëllente me ndonjë egërsirë të maleve të largëta afrikane. 

– Është hera e fundit që ju flas, dhe ju lus, – u nxeh kamerieri. Kam shumë punë dhe s’mund të rri këtu, e t’i duroj kapriçot tuaja, megjithë respektin që ushqej ndaj jush.

Kësaj here, o folni diçka, jepnani ndonjë përgjigje se s’ka ngjarë gjë, o në të kundërtën do ta bëjë copë e thërrime këtë derë të mallkuar! Dhe, përgjigjja e shumëpritur megjithatë erdhi.

Kur para asaj dere u shtua kërshëria e humbi durimi, njëri padashje goditi me bërryl marionetën flamande që qe vendosur aty, dhe po në çastin që u përkul për ta marrë, nga brenda banjos u dëgjuan dy krisma të forta njëra pas tjetrës. U stepën të gjithë, duke u parë me sy të shqyer, dikush mbulojë veshët. E shtëna e parë iu drejtua pasqyrës, thërrimet e së cilës ranë nëpër tokë me tinguj të çjerrë, ndërsa e shtëna e dytë, më e fortë se e para, nuk u ditë nga u drejtua. Kamerieri, për dreq, sikur mori gjithë fuqinë e botës në supet e tij dhe me t’u vërsulur, më në fund e theu derën…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bujar Meholli-Revolveri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT