-Në Kosovë, veprimtari përkujtimore në 20 vjetorin e masakrave të forcave serbe/
-Presidenti Hashim Thaçi: Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës dhe është pjesë e historisë sonë të lavdishme. Kosova ka përjetuar shtypjen më të tmerrshme dhe më të përgjakur në historinë më të re të Ballkanit, prandaj liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi/
Kryeministri Ramush Haradinaj: Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të masakrës së Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, familjes Berisha nga Theranda dhe të të gjitha masakrave anëkend Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!
-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: Serbia një ditë duhet të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë. Dhe ajo ditë do të vijë gjithsesi, sepse krimet nuk vjetërsohen dhe drejtësia është e domosdoshme/
-Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 26 Mars 2019/ Përkujtohen sot në 20 vjetor martirët e dy masakrave të forcave serbe, 241 në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe 113 në Krushë të Vogël në rajonin e Prizrenit.
Në Krushë të Madhe në axhendën e veprimtarive përkujtimore të tre ditëve, të nisura në 24 mars, është edhe “Një fidan një kujtim” – mbjellja e 241drunjëve dekorativë në fshat.
Në Krushë të Vogël përkujtohet edhe se në 26 mars 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe shtëpisë me plot burra shqiptarë që i kishin vrarë ia vunë edhe zjarrin dhe po atë ditë gjenocidi bënë edhe spastrimetnik duke i dëbuar me forcë gratë dhe fëmijtë drejt Shqipërisë.
Krusha e Vogël ka mbetur fshat i grave të veja dhe i fëmijëve jetimë, si pasojë e asaj masakre.
Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës, kriminelët herët a vonë do të japin përgjegjësi, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot në tubimin përkujtimor në Krushë të Vogël.
“Sot, jemi mbledhur bashkë këtu në Krushë të Vogël, për t’i kujtuar dhe për t’i nderuar 113 martirët dhe dëshmorët e Krushës së Vogël, për t’i kujtuar mbi 13 mijë viktimat e dhunës dhe terrorit të shtetit serb gjatë luftës së viteve 1998-1999”, është shprehur presidenti Thaçi.
Sot, vijoi ai, kujtojmë mijëra qytetarë të Kosovës, gra, burra, nëna, baballarë, pleq, të rinj e të reja dhe fëmijë të pafajshëm që u vranë padrejtësisht vetëm pse ishin qytetarë të një etnie të caktuar.
“Dhunën sistematike të shtetit serb popullata civile e kishte provuar në masakrën e Likoshanit dhe Çirezit që në fillim të vitit 1998, në Abri në vjeshtën e po atij viti, si dhe në Reçak më 15 janar 1999”, tha presidenti Thaçi.
Ai përkujtoi se, pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s theksoi se forcat policore dhe ushtarake serbe kishin intensifikuar edhe më shumë krimet, gjenocidin dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova.
“Mbi gjysmë milioni njerëz u dëbuan jashtë Kosovës. U dhunuan me mijëra gra shqiptare. Popullata e paarmatosur pësoi rëndë në Celinë, në Fortesë, në Brestovc, në Krushë të Vogël, ku, këtu e 20 vjet më parë u vra edhe fëmija 13 vjeçar. Ndërsa, gjatë 25, 26 dhe 27 marsit 1999, në Krushë të Madhe ndodhi masakra më e madhe në tërë Kosovën ku pësuan 243 persona. Masakra mbi popullatën civile u bënë edhe në Izbicë, Rezallë, në Qyshk, Studime dhe në Meje”, ka thënë presidenti Thaçi.
Para të pranishmëve në këtë tubim përkujtimor, kreu i shtetit ka thënë se shumë prej jush këtu i keni humbur më të dashurit tuaj para 20 vjetësh.
“Ata, as ju e as ne, nuk do t’i harrojmë kurrë. E dimë që nuk kemi bërë sa duhet, për sa kohë që nuk gjenden dhe identifikohen të gjithë trupat e viktimave, që as sot e kësaj dite nuk kemi arritur t’i sjellim në varrezat e Krushës së Vogël. Personat që i shpëtuan masakrës në Krushë të Vogël, dëshmojnë edhe sot me emër dhe mbiemër për autorët e krimeve në uniformë policore dhe ushtarake serbe. Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë krimet e bëra në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës. Herët a vonë për to do të jepet përgjegjësi”, u shpreh presidenti i Kosovës.
Presidenti Thaçi tha se të gjithë njerëzit që mbijetuan dhunën dhe terrorin çnjerëzor këtu, sot kanë arritur ta rikthejnë jetën dhe ta mundin dhimbjen e madhe që ua solli lufta.
“Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës dhe është pjesë e historisë sonë të lavdishme. Për mua personalisht dhe besoj edhe për shumicën prej jush këtu, Krusha e Vogël është fshati i rilindur dhe i ringritur mbi hirin dhe gjakun e viktimave, që ranë dhe u viktimizuan vetëm pse ishin në vendin dhe shtëpitë e tyre. Vendi ynë ka përjetuar shtypjen më të tmerrshme dhe më të përgjakur në historinë më të re të Ballkanit, prandaj liria dhe shteti ynë themelet i kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi”, tha kreu i shtetit.
Presidenti Thaçi theksoi se liria që gëzojmë sot është fryt i gjakut dhe sakrificës së martirëve e dëshmorëve tanë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në homazhe dhe tubimet përkujtimore në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe edhe te pllaka përkujtimore për viktimat e familjes Berisha në qytetin e Therandës (Suharekës) dhe ka vizituar vendin ku është kryer masakra ndaj familjes Berisha në mars të vitit 1999, ku ka takuar të mbijetuarit e kësaj masakre, Shyhrete Berisha, Vjollcë Berisha dhe Gramos Berisha, të cilëve u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të tij dhe të Qeverisë, duke thënë se Qeveria e vendit do të jetë pranë tyre.
“Secili martir i kësaj toke, ka dhe një ekzekutor, që duhet të dënohet për këto krime çnjerëzore. Përgjigja më e mirë, atyre që deshën ta zhdukin një popull të tërë, është ringjallja, për të cilën fëmijët e Kosovës janë dëshmia më e fuqishme se ne kurdoherë gjejmë forcën për të shikuar kah e ardhmja. Nuk do të ndalim kurrë betejën tonë, për të sjellë kryesit e këtyre krimeve para drejtësisë si dhe për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të masakrës së Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, familjes Berisha nga Theranda dhe të të gjitha masakrave anëkend Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, është shprehur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 20-vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, të kryer nga forcat serbe mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare, ka thënë se këto dy vende janë simbol i një populli që kurrë nuk pranoi të nënshtrohet, duke u bërë kështu simbol i triumfit të jetës mbi vdekjen.
Kryetari i Kuvendit tha se ata që urdhëruan dhe kryen masakrën në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, ende janë të lirë, por tha se kjo nuk do të harrohet kurrë.
“Kanë kaluar 20 vite nga ky krim çnjerëzor. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të vendoset për këto fshatra martire të Kosovës. Serbia një ditë duhet të përgjigjet për krimet e kryera në Kosovë. Dhe ajo ditë do të vijë gjithsesi, sepse krimet nuk vjetërsohen dhe drejtësia është e domosdoshme”, theksoi Veseli.
Ai tha se Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël janë simbol i sakrificës sonë për liri, janë identiteti ynë historik.
“Ne jemi sot në Krushë jo vetëm për të nderuar martirët e saj dhe për të kërkuar drejtësinë e munguar për ta. Jemi sot në Krushë për të dhënë zotimin tonë të madh, se kurrë më në tokën e Kosovës, në atdheun tonë, nuk do të lejojmë që të cenohet jeta dhe liria e njerëzve tanë. Kosova përgjithmonë do të jetë e lirë, shtet i pavarur, sovran, e i paprekshëm”, tha kryeparlamentari Veseli.
Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes dhe lotëve, e nderimeve dhe përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrenjtën lari e pavarësi.
Është stina kur përkutohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.
Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.
Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek, Suharekë, Kralan, Goden, Rogovë, Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…
Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e më shumë se 1600 të zhdukurve ende të pagjetur.
KRYEPARLAMENTARI VESELI: PRANVERA NË KOSOVË ËSHTË STINË E DËSHMORËVE
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Prekaz se pranvera në Kosovë është stinë e dëshmorëve, stinë e heronjve, të cilët, siç tha ai, në ditët më të rënda për kombin, nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Duke folur në manifestimin e mbajtur sot në Prekaz, në shënim të 20-vjetorit të rënies së katër dëshmorëve të lirisë, Beqir Meha, Ilir Lushtaku, Mustafë Qorraj dhe Avdullah Kodra, Kryeparlamentari Veseli tha se Prekazi dhe Drenica ishin në ballë të luftës çlirimtare, ndërsa çdo fshat, çdo lagje dhe çdo familje e saj, ishin pjesë e luftës, nga fillimi deri në fund.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se dëshmorët ranë që Kosova të ngrihej, të fitojë lirinë e të bëhet pjesë e kombeve të lira.
“Sot ne qëndrojmë krenarë para kujtimit të këtyre heronjve, sepse ëndrra e tyre u bë realitet. Dhe duke nderuar ata, ne zotohemi që ky realitet i Kosovës së lirë nuk ka do të ndryshojë kurrë, në jetë të jetëve: Kosova është çliruar dhe përgjithmonë do të jetë shtet i lirë, i pavarur e sovran, shtet që ecë përpara në rrugën e fuqizimit dhe zhvillimit ekonomik, në rrugën e perspektivës së sigurt euro-atlantike”, theksoi Veseli.