Nga Bujar MEHOLLI/
I
– E shkrepa, të shkretin. E shkrepa! – po i fliste për të satën herë vetes në pasqyrë një fytyrë e lodhur gruaje, e zhgënjyer nga jeta. I dridheshin duart teksa mbante revolverin, të cilin nga çasti në çast pritej ta shkrepte. Do dëgjohej krisma, më pas do ta gjenin njerëzit, por gjithçka do të mbaronte… përgjithmonë. Ajo s’do dëgjonte asgjë dhe më në fund, shkrepja do t’i sillte prehjen.
I mori borxh revolverit ca kohë, për të lundruar në kujtesë, për ta parë të kaluarën e saj përgjithësisht dhe ardhjen në këtë gjendje…
Natyrisht, kohë më parë kish qenë ndryshe. Dhe kish qenë e bukur njëmend, e mbase mund të tingëllojë si klishe “e bukur” sepse rëndom thuhet për vajzat e reja, por Maria ishte vërtet e bukur në të ri të saj.
Spikatte hunda vogëloshe, e vendosur mbi ca buzë as të trasha as të holla, që gjithherë i shkëlqenin. Flokët e dendura ngjyrë të zezë i binin bukur mbi supe. Faqet i skuqeshin lehtë, kur ndonjë nga çunat i lëshonte ndonjë fjalë tek shkonte kaluar… Sytë i qëndronin mes ngjyrës kafe dhe të zezës dhe qerpikët e dendur përmbi i bënin ata krejt të veçantë…
Shkurt, ajo dukej si tablo e ndonjë mjeshtri të madh veçse e dalur nga korniza, e mbushur jetë dhe e lëshuar në tokë.
Ah, sikur të ishte vetëm tablo tani do të ishte e vendosur në ndonjë muze të Parisit apo Amsterdamit, prej nga do të magjepseshin shumë njerëz, por siç thotë Sartri: nuk mund t’i shpëtojmë ankthit, sepse jemi vetë ankthi.
II
E ç’nuk përjetoi kjo krijesë e paracaktuar femër nga natyra, në këtë jetë të egër, rrethuar me egërsira në formë njeriu, përherë në gjendje të të gllabërojnë nga minuti në minutë.
Vetëtimthi i ranë të këqijat mbi kokë të gjorës. Brenda një moti, iu sëmur babai i cili vdiq shumë shpejt. Pas tri motesh në një ditë të zymtë, i iku edhe mamaja, e cila pësoi një sulm zemre. Mamaja kish qenë gjithmonë personi më i afërt dhe i dashur për të. Këto tronditje sa nuk ia morën frymën edhe asaj… por si besimtare që ishte, i vari shpresat te Zoti, edhe pse thellë në vete qe e mbushur mllef ndaj tij, pse ky i fundit për pak kohë i rrënojë gjithçka, dhe i hapi rrugë të re, mbushur me gjemba, dhe në krye pa cak. E pra, ajo u nis. E mori, atë rrugë.
Fakti që s’pati kurrë vëllezër e motra, bëri që ajo ta marrë secilin që i dilte në rrugë për të tillë. Është burrë, trajtoje si vëllain e madh, është vajzë, si motrën e vockël.
Mundohet t’i ndalojë dridhjet e duarve, duke i shtrënguar ato… teksa neveritet nga ajo pamje që i shfaqet në pasqyrë. Me qejf, do ta thyente atë në njëmijë copë.
Atje tej, në sallën e kafenesë ku ndodhej, vazhdonte të luhej muzikë dhe të flitej me të madhe. Qeshje, kërcitje gotash, dhe natyrisht tinguj xhazi që përpiqeshin ta mbulonin zallamahinë e pasditës.
Në çastet kritike të Marias, sallën e kafenesë së madhe të qendrës së qytetit, po e mbushnin tingujt e Autumn Leaves të cilët ajo i pëlqeu. Gjithmonë thellë në zemrën e saj të shpuar, e kish dashur muzikën. Po, ç’rëndësi kishte tani? Njerëzit krijonin tinguj të bukur, në një jetë të egër, dhe sipas saj, paradoksi i madh qëndronte te fakti se brenda një toke diku luhej muzikë e mrekullueshme, diku vidhej, dikush lëndohej e vritej, dikush qeshte kur dikush vuante…
E pra, ç’kuptim kishte gjithë kjo? – ç’i dua këta tinguj të mallkuar, që për një moment të dehin, dhe më pas të kthejnë në realitetin e hidhur, të jetës mizore?…
III
I ngriu gjaku për një moment. Dera e banjos trokiti, dhe u ndal më pas. Ajo shtrëngoi dhëmbët, hodhi rrufeshëm sytë tek shuli. Oh, Perëndi. Ishte i kyçur. Duart i dridheshin vazhdimisht, goja i terej dhe i nxirrte një erë të ligë. Bobo, si jam shndërruar, murmuronte me vete. Pati frikë të marr frymë thellë. Dera trokiti edhe njëherë, por më pak se më parë dhe u ndal prapë, e rrëmuja jashtë vazhdonte.
Por, mos po dyshonte kush? Mos e kishin përcjellë tek kish hyrë qe një copë herë në banjo? Mbase ndonjëri nga kamerierët e kish parë? Ajo i kishte zët ata, kur i sorrollateshin teksa i sillnin kafenë dhe ëmbëlsirën; me intuitën e pagabuar femërore e ndjente se qeshjet e tyre ishin falso, dhe ata s’dallonin aspak nga shumë meshkuj të tjerë që parasyve të një femre përpiqen t’i zgjedhin fjalët dhe të sillen solemnisht, sepse lajkat ashtu e donë, derisa mbas syve të saj, shpërthejnë me shprehje vulgare… Bah!
Për të mos ngjallur dyshime, ajo lëshoi rubinetin dhe… i erdhi në mendje të kollitej. U kollit pak; çuni thatim si e dëgjoi kollitjen dhe ujin, iku për tek gota me vodkë që e priste në tavolinë. Ja pra, kaloi… mendonte ajo, kur dera pushoi. Muzika jehonte, qeshjet e kërcitjet e gotave poashtu…
Kohën që ia kish marrë revolverit ende s’e kish shpenzuar, kështu me zemrën që i rrihte paksa, dhe me gjoksin që ngrihej e ulej nën atë fustan të mëndafshtë, blerë në dyqanet e dorës së dytë, vazhdoi lundrimin nëpër kujtimet e saj…
IV
Bredhja i qe bërë pjesë e pandashme e jetës. Shëtiste nëpër rrugë e rrugica, herët në mëngjes, vonë në mbrëmjet me hënë. Shihte vitrinat e dyqaneve të mbushura me lloj-lloj rrobash të modës së fundit, e aksesorë të ndryshëm, që një femër teksa i sheh dhe e di s’e s’mund t’i posedojë… zemra i thyhet në shumë pjesë, sikur vazoja e rënë nga kati i sipërm i ndërtesës.
Pa një qindarkë për ilaq, ajo bariste, derisa u takua me një djalosh me trup të gjatë, flokë të yndyrshme dhe mustaqe të dendura. Ata u afruan dhe kaluan mjaft kohë bashkë nëpër kafenetë e sërës së tyre. Ai e trajtonte tamam si vajzë dhe e donte me zemër. Edhe ajo për herë të parë e ndjenjte veten të rëndësishme; pra dikujt i bëhej vonë për të, për më shumë ajo duhej nga dikush. A s’ishte mrekulli? Edhe ajo e donte atë krejt sinqerisht. Shkurt, ata u martuan.
Si gjithçka që ishte destinuar e shkurtër për Marian, ishte dhe kjo martesë, e cila u rrënua kur një mëngjes u zgjua dhe gjeti tek krevati bashkëshortin e saj pa shenja jete. Versioni zyrtar i mjekëve qe, se ai kish pas një sulm të fortë në zemër, të cilit nuk i kish mbijetuar për shkak edhe të konsumimit të tepërt të alkoolit gjatë jetës së tij, jo të gjatë.
Ai e kish dashur njëmend. Dhe me fitimin e vogël nga puna e lodhshme si çirak, përpiqej t’i plotësonte dëshirat e saj. Madje për ditëlindje, e pat befasuar duke i blerë këtë fustan të mëndafshit, të cilin ajo e kishte pëlqyer jo për shkak të ndonjë vlere estetike, por sjellja e saj prej megalomaneje a do të kish farë kuptimi?
Pastaj ai sillej butë me të, dhe ishte krejt e kundërta e atyre kamerierëve të veshur bukur, por të ashpër dhe vulgarë. Vdekja e tretë në jetën e saj, ishte tronditëse. U mat disa herë të hidhej nga ballkoni i katit të tetë të ndërtesës modeste në periferi ku jetonin, por i mungonte guximi. Ku të vente, dhe çfarë të bënte?
Tani ishte 29-vjeçe; këto vitet e fundit s’donte më t’i kujtonte… dhe një moment e preku këmbëzën, por deshi apo s’deshi vajti me mendje tek ai ferr… ferr njerëzor, ku vajzat dhe gratë shihen thjesht si kafshë… dhe bëhet seks me to, për ca grosh.
E mbetur vetëm nëpër qoshe dhe rrugë të pista, në një mbrëmje, ajo pa një një tabelë që llamburiste. U fut. Mendoi të fitonte ndonjë punë, përfundoi si skllave seksi. Portieri e pat pritë me një fytyrë të dhimbshme, mbase ai e dinte se çfarë do ta gjente të gjorën…
Nuk deshi t’i kujtonte gjërat që i kishin ndodhur atje në detaje, nga frika se do të çmendej… atje ishte në ankth çdo natë, i mpiheshin duart e këmbët, nga çdo krismë sado e vogël. Pastaj neveritej nga britmat vulgare të fatzezave tjera, e ulurimat e shpifura burrërore nga kënaqësia…
Pale, ata burra barkëmëdhenj, me fytyra të egra e trupa të rëndë, të cilët ajo ishte e shtrënguar t’i shihte dhe t’i kënaqte çdo mbrëmje… Oh, Perëndi!
V
Gjatë atij lundrimi nëpër kujtesën e saj, mbase do të ketë trokitur prapë dera por fatmirësisht ajo s’kish dëgjuar gjë, e mesa dukej prapë gjithçka kishte shkuar mbarë.
Tashmë ishte krejt e ronitur, gjithçka i dukej shpifëse; me ato para që kish kursyer nga ajo punë, kish marrë një dhomë modeste me qira në një hotel të dorës së dytë. Ishte kliente e përhershme e kësaj kafeneje, ku hante mëngjesin, pinte kafenë duke lexuar gazetat dhe s’i jepte askujt shans që t’i afrohej, qoftë dhe për t’u njoftuar. Në njëfarë mënyre ishte në paqe me veten…
Por, gjithçka u rrënua prapë, kur kartat e mallkuara mbaruan dhe hotelxhiu e degdisi jashtë. Ç’të bënte tani, ta shiste trupin prapë, për ca karta tjera? Po besimi i madh që kishte në Zot, pse s’po i dilte përpara tani, dhe ta shpëtonte? Thjesht, ta bënte si ato gra që shëtisin të shkujdesura nëpër rrugë, dhe pastaj ikin në gjirin e tyre familjar, ku bënin pjesë prindërit, bashkëshorti e fëmijët…
Pse dhe ajo mos të kishte një fëmijë kolopuç, sikur këta që i shihte rrugës. Dhe kush të mos kish fëmijë, ajo, që i adhuronte këto krijesa vogëloshe, të padjallëzuara. Ajo që do të ishte një nënë e shkëlqyer… Por, çfarë trishtimi i madh për një grua, të mos arrijë ta shijojë ndjenjën hyjnore të të qenurit nënë!
Para se të ish futur në kafene këtë herën e fundit, në bulevard iu afrua një burrë me flokë të kthyera anash aq bukur. Asaj i qe nxehur trupi. Në çantë e kishte revolverin, me të cilin mendonte t’iu ikte të gjitha përsiatjeve të kota jetësore, dhe të shpëtonte…
Prej nga tani ky tip, që i qeshte me vrimat e formuara në faqe. Mos do më prish punë ky, thoshte ajo. Nëse tenton të më bëjë diçka, para syve të botës do t’ia plas turinjve.
– Zonjushë e nderuar, jam klient i kafenesë në të cilën edhe ju jeni e rregullt. Ajo u step. Zonjushë e nderuarnuk e kishin thirrur kurrë, dhe mendoi me zemër të plasur për jetën e shkuar dëm, derisa po të kishte një fat tjetër do të ishte njëmend zonjushë e klasit të lartë, e veshur me pallto të shtrenjta, e lyer me pomada italiane dhe me flokët e rregulluara te frizerët më në zë. U shtendos pak, derisa ai vazhdoi:
– E pra, mbase s’do më keni vërejtur, por edhe unë jam këtu çdo mëngjes. Thjesht, desha t’ju ftoj për një kafe miqësore, me mundësi për ta njohur-njëri tjetrin.
Por mënyra sesi i tha këto fjalë, asaj iu duk e rëndë, e pa kapërdishme. Nxitoi për ta refuzuar.
– Më falni, por jam e zënë. Sot, do të pres dikë, shpresoj në mirëkuptimin tuaj. Dhe ai e mirëkuptoi duke u larguar, po me buzëqeshje si në fillim.
Edhe ky pasazh po i kujtohej asaj; më vonë kish marrë vesh se djaloshi ishte nëpunës dhe gëzonte respekt, e ishte ndër klientët më të nderuar të kafenesë. Beqar, natyrisht. Po si s’e kishte vërejtur asnjëherë ajo, për më tepër si mundi të tregohej aq e ftohtë dhe aq shpejt ta refuzonte, kur ai hapur iu afrua dhe u tregua i mirë me të.
Në anën tjetër, si nuk i qe afruar ai më parë kur rrinin brenda një objekti, pinin, shfletonin gazetat dhe sodisnin rrugën…
Ja, një arsye më tepër për ta ngre atë këmbëz të mallkuar, dhe për t’u shliruar. Ndërkohë, para derës tashmë ishin grumbulluar disa njerëz, e poashtu edhe volumi i muzikës ishte ulur. Megjithatë, një tip nga qoshi i kafenesë ku rrinte i shkujdesur e kishte parë teksa shkonte në banjo me një fytyrë të acaruar, (ajo madje e kishte derdhur kafenë mbi gazetë, por njëri nga kamerierët me qeshje lajkatare i kish thënë se çdo është në rregull!) dhe i njoftoi kamerierët se një grua ishte e mbyllur aty, në banjo, pothuajse qe një orë.
– Si mundet, si? Ta marr djalli, i thoshte ajo vetes. Si e përbuze atë djalosh. Dhe nisi të qajë, por e mori veten shpejt. Në kokë i vërtitej dilema: a ta përfundonte më këtë punë, të shpëtonte, apo të dilte sikur s’kish nodhur gjë. T’i linte të gjitha anash, dhe të kërkonte nisjen e një jete të re. Mund të takonte ndonjë djalosh tjetër të sërës së tij, në mos atë vetë… dhe kështu do rregullohej gjithçka, edhe pa mjetin e frikshëm që mbante afër vetes.
– A jeni mirë? Ç’po ngjan aty brenda? Thoni diçka! – ishin fjalët e kamerierit të shqetësuar për klienten e tij të ngujuar brenda. Ajo mezi i dëgjoi këto fjalë. Por, me t’i dëgjuar u drodh e gjitha nga maja e gishtave, tek flokët. Ata e paskëshin zbuluar. Dhe tani po doli, do t’i bien në qafë. Dhe kush? Prapë ata kamerierët dhelpërak, përreth me klientë kureshtar. E, ç’i bënte asaj për ta. Dilema e madhe i sillej nëpër kokë: të dilte nga banjo, apo ta tërhiqte këmbëzën dhe pastaj ta gjenin, por ajo të shlirohej e të mos i dëgjonte llomotitjet e tyre?
Ndërkohë trokitjet s’reshtnin, madje kish kërcënime (nga kamerieri që i pati thënë se s’ka gjë për derdhjen e kafesë mbi gazetë, ajo e njohu zërin e ngjirur të tij) se do e thyenin derën, nëse edhe këtë herë s’do kishte përgjigje nga brenda.
– Ç’bëni kaq gjatë aty? Mos ju ka ndodhur diçka? Pa nxjerr ndonjë zë, të lutem, që konfirmon se jeni mirë dhe gjithçka është në rregull. Asnjë pipëtimë. Vetëm ngritja dhe ulja e gjoksit të saj nën fustanin e mëndafshit, dhuratë nga ish-bashkëshorti i saj; kaq ishte pra, siç duket erdhi koha për hapin e madh. Koha për të vajtur te bashkëshorti i saj i dashur? Fytyra e saj pasqyruar në xham, shëmbëllente me ndonjë egërsirë të maleve të largëta afrikane.
– Është hera e fundit që ju flas, dhe ju lus, – u nxeh kamerieri. Kam shumë punë dhe s’mund të rri këtu, e t’i duroj kapriçot tuaja, megjithë respektin që ushqej ndaj jush.
Kësaj here, o folni diçka, jepnani ndonjë përgjigje se s’ka ngjarë gjë, o në të kundërtën do ta bëjë copë e thërrime këtë derë të mallkuar! Dhe, përgjigjja e shumëpritur megjithatë erdhi.
Kur para asaj dere u shtua kërshëria e humbi durimi, njëri padashje goditi me bërryl marionetën flamande që qe vendosur aty, dhe po në çastin që u përkul për ta marrë, nga brenda banjos u dëgjuan dy krisma të forta njëra pas tjetrës. U stepën të gjithë, duke u parë me sy të shqyer, dikush mbulojë veshët. E shtëna e parë iu drejtua pasqyrës, thërrimet e së cilës ranë nëpër tokë me tinguj të çjerrë, ndërsa e shtëna e dytë, më e fortë se e para, nuk u ditë nga u drejtua. Kamerieri, për dreq, sikur mori gjithë fuqinë e botës në supet e tij dhe me t’u vërsulur, më në fund e theu derën…