• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

LUFTA PËR PUSHTET DHE INTERESAT E SHQIPTARËVE

April 10, 2019 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Më 3 prill u zhvillua protesta e tetë e rradhës, në stinën më të pasur me të tilla në historinë shqiptare. Nota pozitive, ndoshta e vetmja e dukëshme e tyre, mbetet fakti që kundërshtia e theksuar respektoi deri tani caqet e një të tille, sado të ashpër, por pa shpërthyer në skena masive të dhunës, të cilën po e shfaqin në mënyrë të përsëritur një pjesë e vogël jelek verdhësh në Francën e qytetëruar. Por ngushullimi i këtij fakti, megjithë rëndësinë e madhe të tij, nuk arrin të fashisë shqetësimin e shumë shqiptarëve në Atdhe, apo kudo në botë ku jetojnë e punojnë, për fatet e Vendit të tyre në prag të një pritjeje të tejzgjatur për të filluar bisedimet për hyrjen në BE.

            Nuk është tjesht një rastësi fakti që pështjellimet në politikën shqiptare të pas komunizmit, shpesh përkasin me hapin e fundit që Shteti pret të hedhë në drejtim të bashkimit konkret me ata institucione të kontinentit që, në sytë dhe mëndjen e banorëve të tij, përbëjnë synimin për t’u arritur me çdo kusht, një ide e përqafuar që në ditët e para të tronditjes së regjimit komunist. Nuk është rastësi që të gjitha qeveritë shqiptare të këtyre tridhjetë viteve, me përjashtim, deri diku, të së parës Qeveri demokratike, janë paditur nga kundërshtarët e tyre në opozitë për korrupsion, vjedhje të votave, paligjshmëri, përfitime vetiake, pasurim marramendës e të tjera paudhësi. Madje këto padi janë kthyer në një refren të përhershëm të jetës politike. E sado që ndërsjelljet në pushtet kanë pasuar njëra tjetrën, shëmbëllimi i dukurisë ka mbetur gjithënjë i njëjti, gjë që tregon se, në pjesën dërmuese të saj, klasa politike ruan barazpeshën e përfytyresës së saj negative, me pasoja dramatike për jetën e shqiptarëve.

            Sot gjindemi në një qorrsokak ku nuk shihet rrugëdalja, në të cilin shumica qeverisëse, e personifikuar në figurën e Kryeministrit dhe Opozita, e vetëdeklasuar si institucion, ecin në dy drejtime krejtësisht të kundërta, duke u vënë në garë kush mund të përgojojë, të shajë e të zhvlerësojë sa më shumë kundërshtarin. Kjo gjëndje merr përmasa shqetësuese gjithënjë e më tepër, kur tfillohet në kuadrin e pritjeve të rëndësishme para të cilave jemi, duke filluar nga reformat në vazhdim në drejtësi, apo në fushën zgjedhore, në votimet për drejtuesit vendorë, e deri tek vendimi i BE për të filluar bisedimet mbi pranimin në të të Shqipërisë.

            Pa hyrë në shtjellimin e hollësishëm të arsyeve apo mosarsyeve të dy kampeve kundërshtarë, mendoj se ajo që është e dukëshme tregon një papërgjegjshmëri të lartë kundrejt interesave të çastit e të s’ardhmes së Shqipërisë. Papërgjegjshmëria binjakëzohet me një pandershmëri intelektuale që shfaqet në mosnjohjen e gabimeve, apo në pranimin formal e në formë të përgjithëshme të tyre, në lënien në heshtje të skandaleve politikë, në prirjen autoritariste të manipulimit të dukurive në kundërshtim me të vërtetën, në tjetërsimin e kësaj të fundit në dobi të interesave vetiake, partiake apo klanore.

            Tani flitet, ndër të tjera, edhe për reformën zgjedhore që, ende mbas gati dy vitesh është ndalur në vënd numuro, aq sa të jetë e pazbatueshme në votimet e pritme të 31 qershorit. Tani, mbas 28 vitesh nga zgjedhjet e para pluraliste, politika kujtohet se sistemi i numurimit të votave, i përbërë nga komisione të zgjedhur nga partitë kryesore i ka hapur shtegun tjetërsimit të përfundimeve të votimeve, dhe se ai nuk është faktori kryesor i dukurisë së turpëshme të vjedhjes së votave. Tepër vonë, zotërinj politikanë, jeni kujtuar t’u besoni  qytetarëvet jashtë partive numurimin e votave, siç ndodh në botën demokratike e siç është sugjeruar nga dhjetra shkrime të kësaj kohe. Thoni se do të krijoni mundësi të mërguarve të votojnë aty ku jetojnë, keni zbuluar ujin e ngrohtë, ka më se njëzet vite që kërkohet kjo nëpërmjet shumë artikujve të botuar, por pa asnjë ligj n’atë drejtim. Ndoshta i jeni trëmbur votës së të mërguarve nga frika se mund të ndryshojnë barazpeshat politike, për të cilat keni bërë një “marrëveshje” në vitin 2008, e cila e ka ballsamosur jetën politike, duke i hapur udhë prirjeve autoritariste të drejtuesve të dy apo tri partive, që vendosin në pavarësi të plotë për emrat e atyre të cilëve populli, aq shumë i përmendur si “sovran”, do të vendoste, pa i njohur fare, si përfaqësues të tij në Kuvendin e republikës.

            Sa kërkesa e propozime nga opinioni publik mbarëshqiptar janë shtruar në këta vite të pas komunizmit, për të ndryshuar një nen të kushtetutës e për të vendosur zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit nëpërmjet votimit të përgjithshëm. Asnjëherë nuk është marrë në shqyrtim një mundësi e tillë, mbasi është parapëlqyer që të zgjedhurit e listave të kryetarëve të partive të kenë në dorë edhe autoritetin më të lartë të Shtetit, që të kenë n’atë vend një roje të bindur të interesave të tyre. Përvoja e shumë Vendeve si Austria, Rumania, Sllovakia etj. ka provuar se një Kryetar i zgjedhur nga populli ka autoritetin e duhur për të qenë mbi palët politike, në dobi të interesave të gjithë qytetarëve.

            Kryeministri, në seancën e fundit të Kuvendit e blindoi marrëveshjen e vitit 2008, duke paraqitur si argument faktorin gjinor, që në sajë të listave të hartuara prej tij, i paska hapur dyertë e politikës grave e vajzave. Vlen të kujtohet se gra të njohura të politikës botërore janë shprehur kundër barazisë gjinore të detyruar me ligje, mbasi parimi kryesor i mbarëvajtjes së jetës politike duhet të jetë ai i meritokracosë, pa bërë as më të voglin dallim ndërmjet sekseve. Personalisht e quaj një gjë tepër pozitive pjesëmarrjen e grave në politikë, mbasi ato janë më të imunizuara se burrat, për natyrë, në ballafaqimin me faktorët brejtës të asaj jete, siç është abuzimi me detyrën për motivet më të ndryshme. Por ajo pjesëmarrje nuk duhet të jetë shprehje e vullnetit apo mos vullnetit të kryetarit të partisë, por e një serie rrethanash që përcaktojnë mjedisin e përshtatëshëm shoqëror  që ve në të njëjtin start nisjeje mashkullin e femrën e që i jep vëndin e duhur secilit simbas aftësive, përkushtimit e shtatit moral e intelektual.

Kjo duhet të jetë Shqipëria evropiane, një shoqëri e hapur e pa paragjykime, që i njeh secilit pjesëmarrës të saj të drejtën për të garuar, por që i jep me paanësi secilit vëndin e merituar. Fatkeqësisht jemi ende shumë larg asaj etape të zhvillimit e kjo është njëra nga arsyet që mbetemi në vende krejt të papërfillëshme në shkallëzimet botërore. Prandaj në Shqipëri ndodhin gjërat më të pabesueshme, si fakti që shoqëritë naftënxjerrëse kanë 15 vjet që “kanë gjetur Amerikën”, që hanë marrin e ikin pa paguar asnjë qindarkë në buxhetin e Shtetit shqiptar. Apo ndoshta ata i depozitojnë detyrimet e tyre financiare në llogaritë e disa “drejtuesve”, diku në Vendet më mikpritëse të hajdutëve e batakçinjëve të botës, sepse është e ligjëshme dhe e natyrshme të mendohet kështu para një fakti, sa të padrejtë aq dhe të pakuptueshëm, që dikush nga cilido Vend i botës të vijë në atë më të varfërin e Evropës, të fitojë 3,5 miliard dollarë e të shkojë i patrazuar pa paguar asgjë.

            Kurse nga ana tjetër për shqiptarët taksat e karburantit kanë arritur në 66% të vlerës së përgjithëshme të shitjes së tij. Madje në raport me t’ardhurat, Shqipëria është një nga Vëndet ku një litër benzinë merr 10,3 % të pagës mesatare ditore, kur në Francë ajo kap 1,3 %, në Bosnjë 7,1 % e në Maqedoni 7,2 %. Shteti shqiptar tregohet kaq “bujar” ndaj kompanive të huaja, por ende mbas më shumë se një të katërt shekulli, nuk plotëson premtimin e kthyer në ligj të pagesës së dëmshpërblimevet për punën e papaguar të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për taksimin e objekteve faraonike të turizmit, për të cilët zbatohet tarifa e TVSH me 6%, ndërsa në të tjera veprimtari ekonomike ajo arrin në shifra dy apo trefish. Mund të vazhdohet me një listë të gjatë të dështimeve ekonomike në shfrytëzimin e aftësive potenciale të Vëndit, por qëllimi i shkrimit është gjëndja kaotike në të cilën është futur politika shqiptare e perspektiva e zymtë që e pret atë.

            Në ditët e para Kryeministri dhe kryetar i PS në pushtet u tregua i gatshëm për të biseduar në lidhje me krizën, e pashembullt në gjithë historinë e kalesës, por ky qëndrim erdhi duke u ashpërsuar deri në një mospranim të prerë të çfarëdo mundësie bisedimesh, si përgjigje kundrejt kërkesave të Opozitës për dorëheqjen e tij. Ky mur kundër muri nuk i sjell asgjë të dobishme Shqipërisë, pavarësisht argumentave demagogjikë të dy palëve. Është një gjëndje që kërkon një gjyqtar dhe një ndërmjetësues, aq më tepër nëse Opozita vendos të braktisë zgjedhjet për organet vendore. Normalisht ky duhej të ishte roli i Kryetarit të Shtetit, po të kishte tagrin që do t’i kishte dhënë zgjedhja me votim të përgjithshëm. Por kryetari Meta, me qëndrimin e tij të mefshtë e valëzues, nuk frymëzon besim, edhe për faktin se ai për arsye vetiake e politike nuk mund të mbetet asnjanës. Madje në një deklaratë të kohëve të fundit ai foli për një prirje “flijimi” si ish presidenti i Kilit Salvador Allende në vitin 1973, kur u vetëvra në pallatin Moneda, për të mos rënë në dorë të ushtarakëve kundër komunistë. Kjo deklaratë e ka vështirësuar edhe më shumë gjëndjen.

 Në mungesë të një organi gjyqësor t’aftë për të marrë në shqyrtim paditë e Opozitës për dosje përgjimesh që vërtetojnë vjedhjen e votave e të një ndërmjetësuesi shqiptar me besueshmëri të dyanëshme, nuk mbetet tjetër veçse shpresa tek diplomacia ndërkombëtare, që duhet të vijë e të rregullojë punët tona, një tjetër dështim i hapur jo vetëm i klasës politike, por edhe i shoqërisë shqiptare që e ka prodhuar atë.

 Me gjasë skenari më i mundshëm është  që Qeveria dhe shumica të shkojnë përpara, pa përfillur protestat të cilat, në synimin e organizatorëve, duhet të vazhdojnë në pafundësi, jo vetëm me shkarkimin e kryeministrit, e me ngritjen e Qeverisë teknike, por edhe me arrestimet e përgjegjësve të supozuar të vjedhjes së votave. Por ndërsa kryeministri ka në dorë një atu, atë të marrëveshjes së vitit 2017, mes tij dhe Bashës, ky i fundit në kundërshtinë e hapur ndërkombëtarëve, mund të shpresojë vetëm në një përshkallëzim në përmasa të stërmëdha të protestës popullore, me pasoja të papërcaktueshme, por që nuk përjashtojnë asgjë, as hipotezën më të keqe.

Ndoshta edhe raporti i Komisionit Evropian që, me shumë gjasë, do t’u ngjajë atyre parardhës edhe në këtë vit, do t’u kujtojë shqiptarëve se lufta për pushtet e përfaqësuesve të tyre, kur del nga shinat e normave dhe parimeve normale demokratike, është në gjëndje të kthejë mbrapsht akrepët e orës së tyre historike, në një gjëndje në të cilën nuk do të kishte fitues e të humbur, mbasi humbës do të ishin të gjithë shqipfolësit. Por ndoshta mund të ketë edhe një mundësi tjetër: mbas shtyrjes tjetër të rradhës nga Komisioni evropian, gjakrat të fashiten, mbasi misioni u krye e mund tw shtyhen edhe pështjellimet e politikës shqiptare. Prill 2019                  

NGA EUGJEN MERLIKA/

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

KOSOVË-“BLLACA 99”, MUZE I GJENOCIDIT SERB

April 10, 2019 by dgreca

Bllaca-1999-
20 Vjet nga gjenocidi serb….

-“Bllaca 99”, Muze atje ku u dëbuan qindra mijëra shqiptarë të Kosovës para 20 viteve/

-Kryeministri Ramush Haradinaj:  Liria e Kosovës në themele ka emrin e secilit refugjat të Bllacës. Falënderim shqiptarë kudo që jeni, faleminderit për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtët gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara. Po ashtu, një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

BLLACË, 10 Prill 2019/ Në jug të Kosovës,  komunën e Hanit të Elezit – kufitare me Maqedoninë Veriore, është vënë sot gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, atje ku u dëbuan qinda mijëra shqiptarë para 20 viteve.

“Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe të gjithë atyre që dhunshëm u përndoqën nga shtëpitë e tyre. Ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj foli në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, në kujtim dhe nderim të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën dhe eksodin e 99-ës, në kujtim dhe nderim të gjithë të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve, në respekt dhe falënderim për të gjithë ata që ndihmuan popullin shqiptar dhe Kosovën në vitin 1999.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se janë në Bllacë për të respektuar  rezistencën e vuajtjen e shqiptarëve që kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës, gra e burra, fëmijë e pleq, që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëz të tyre në zjarrin e luftës.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj falënderoi shqiptarët kudo që janë, për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtën gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara.

“Një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut, në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga një fjalë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, mbajtën edhe kryetari BDI-së – partisë shqiptare në Maqedoninë Veriore, Ali Ahmeti dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

“Sot, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, bashkëveprimtarin dhe bashkuftëtarin Ramush Haradinaj, vendosëm gurthemelin e qendrës së kujtesës kolektive kombëtare për gjenocidin ndaj popullit shqiptar në Kosovë. E kaluara duhet të kujtohet në mënyrë që asnjëherë mos të harrohet dhe mos të përsëritet”, u shpreh lideri i BDI-së,  Ahmeti

Po sot, në Bllacë, është hapur ekspozita me fotografi nga kampet e refugjatëve e fotografit profesional nga Brukseli, Asllan Krasniqi, është mbajtur mitingu i poezisë “Bllaca 99”, me pjesëmarrjen e mbi 90 poetëve nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe janë mbjellë 99 fidane në shenjë kujtimi dhe nderimi për të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën.    

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HARADINAJ:

Në fillim, më lejoni të përshëndes ata që ndodhen këtu, e që përmes këtij treni i kanë ikur vdekjes, të gjithë që janë prezent, që kanë ardhur nga të gjitha viset e Kosovës.

Sot, po vejmë gurthemelin e një shtëpie jo të jashtëzakonshme, që i zë kujtimet e  gjithë shqiptarëve, me shpresë që ndjekjen nga toka e vet kurrë më nuk do ta përjetojë askush.

Një shtëpi që do të jetë shtëpi e kujtesës kolektive, ku do të vijën breza e breza për të mësuar leksionin e parë: Sa e shtrenjtë është liria dhe sa dhembje sjell rruga deri në liri!?

Në respekt dhe përkujtim të vuajtjeve, por edhe rezistencës  së refugjatëve kosovarë, po e ngremë këtë Qendër Përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë, Bllaca ’99, shtëpi që flet më zërin e ndërgjegjes, kundër harresës.

Ky duhet të jetë një Muze Botëror, i gjithkohëshëm, që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut!

Jemi sot këtu për respekt të rezistencës dhe vuajtjes së 440 mijë shqiptarëve që kanë kalua nëpër Kampin e Bllacës, nga mbi një milionë gra e burra, fëmijë e pleq që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëz të tyre në zjarrin e luftës.

Ndërkohë që 60 për qind prej tyre janë vendosur nëpër shtëpi të shqiptarëve, që i hapën dyert dhe zemrat, deri në lajmin e madh, që ushtoi si vetëtima: Kosova u çlirua! Kosova mbeti gjallë!

Falënderim shqiptarë kudo që jeni, faleminderit për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtët gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara. Po ashtu, një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit.

Dhe sot, kur po e vendosim një shenj në kohë dhe në këtë tokë të ujitur me gjak e lot, e cila ka për të qëndruar shekujve dhe ka më shërbye si vërejtje, që bota e lirë mos të lejojë më spastrim etnik, vrasje në masë dhe ndjekje e trena të vdekjes, sepse kush nuk mëson nga historia ajo do t’i përsëritet.

Pushtuesi mësyu një shekull të marrë tokë nga shqiptarët dhe kur u shfaq UÇK –ja, populli e rizbuloi forcën e tij – mos me dhanë më tokë – duke u rreshtuar në luftën për liri e dinjitet dhe regjimi i Millosheviqit duke e ndje fundin e vet, nisi fushatën e mizorive, për të marrë sa më shumë jetë nga shqiptarët.

Por bota e lirë, e prirë nga Amerika, ia mbylli rrugën me drejtësi kësaj mizorie për ta rikthyer shpresën. Kosova u rikthyer në historinë gjeopolitike të botës.

Kosova e ngrit këtë Muze edhe si falënderim të përjetshëm botës demokratike, si atyre që ndanë drejtësinë.

Sot, kujtesa jonë duhet ta zgjojë vëmendjen e secilit njeri, edhe fqinjëve tanë serbë, që mos t’ua trazojnë plagët ende të freskëta shqiptarëve, por t’i respektojnë vuajtjet e tyre.

Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe të gjithë atyre që dhunshëm u përndoqën nga shtëpitë e tyre, ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri, gjithë sakrificës së popullit tonë!

Faleminderit!

*Per me shume foto shkoni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-Bllaca -20 Vjet-Gjenocid

“Mirënjohjen e Lartë të Vatrës”për Harry Bajraktarin

April 10, 2019 by dgreca

Gjatë darkës zyrtare me rastin e 110 vjetorit të Gazetës Dielli, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLIi nderuan Z. Harry Bajraktari me “Mirënjohjen e Lartë të Vatrës”, titulli më i lartë që Federata jep për personalitete të spikatura.

Z. Harry Bajraktari është një nga mbështetësit më të shquar të Federatës sonë ndër vite. Kontributi i Tij përmbledh një sërë fushash të jetës së komunitetit shqiptar jo vetëm në Amerikë. Nën shembullin e Gazetës Dielli, Z. Bajraktari themeloi Gazetën Illyria, një organ me peshë në informimin e shqiptaro – amerikanëve dhe më gjerë. Ndihma, kontributi dhe prania e Tij thelbësore në një sërë drejtimesh, ku mund të përmendim: çështjen e Kosovës, demokratizimin e Shqipërisë, kulturën dhe gazetarinë, ruajtjen e traditave dhe forcimin e rolit të grave në komunitet, mbështetjen për ruajtjen e historisë sonë në marëdhëniet e shkëlqyera me komunitetin hebre, etj ishin dhe mbeten disa nga arsyet që Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLI e nderuan me Mirenjohjen e Lartë të Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: HARRY BAJRAKTARI-VATRA

Homazh për mikun tonë Teki Gjonzenelaj

April 10, 2019 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Ike i dashur vëllau ynë Teki, ike duke na lënë një boshllëk të madh brenda vetes. Donim të të kishim gjithmonë pranë, të dëgjonim zërin tënd, mendimet e tua. Ti  ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm.   Por ti ike duke na lënë të vetmuar. Ne donim të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri. Nuk besoja se do të isha unë që do të shkruaja këto rreshta për përcjelljen tënde në parajsën qiellore.

Ishe fare i ri, vetëm shtatë vjeç, kur u detyruat së bashku me motrat dhe vëllezërit e tu, më i madhi vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, të përballeshit me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ju nuk u thyet. Ato dallgë i përballuat me krenari dhe dinjitet dhe kjo pasi kishit një nënë heroinë e cila dijti t’ju rrisë dhe edukojë me normat e moralit të lartë pa patur pranë atin tuaj të nderuar, Muhamet Gjonzenelaj, që dergjej burgjeve të komunizmit.

Çfarë të të kujtoj më parë i dashur vëlla, Burrelin e zi apo kampet e punës së  detyruar në të cilat ishit të detyruar të jetonit. Nuk ju thyen as internimet, as burgosjet dhe as endjet nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri dhe përsëri nga veriu në jug. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira.  Po, Teki i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte  gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku…

Dhe ky gjak nuk ju mungonte, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Por  kohët  ndryshuan.  Kuçedra  e  zezë  që kishte  zaptuar   vendin  u  shpor.  Atëherë  ti

fluturove në botën që kishe ëndërruar, në botën e lirë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë sepse deri atëherë, për fatin e keq të atdheut, kishe jetuar në një epokë të gabuar, në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe, në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër, në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as  të jetoje, në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

            E nderuara Didi! Të nderuar Monika dhe Fatmir! Të nderuar Memisha dhe Murat! Të nderuara motra të të ndjerit! Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet e mia dhe të shokëve tanë që humbën një mik me të vërtetë të rrallë. Do të kishim dashur të ishim prezent në përcjelljen e tij në banesën e fundit, për mosha e thyer nuk na lejon. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë .Ai ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që  do t’i bjerë përsipër!

Filed Under: Emigracion Tagged With: TEKI GJONZENELI-RESHAT KRIPA

PROF.DR. ELENI KOCAQI, TE ENJTEN NË VATËR

April 9, 2019 by dgreca

PROF. DR. ELENI KOCAQI DO TË PREZANTOJË NË VATËR LIBRIN ” LUFTA E TROJES,LUFTE PELLAZGO-ILIRE” 

Njoftojmë vatranët dhe Komunitetin se të Enjten, 11 Prill 2019, në Orën 6 .P.M. në Vatër do të jetë e pranishme për të vizituar Vatrën Prof. Eleni Kocaqi, e cila do të prezantojë librin e saj “Lufta e Trojës, Luftë Pellazgo-Ilire”, që deri tani është prezantuar në disa shtetet të Amerikës së Veriut, ku jetojnë shqiptarët dhe pas Nju Jorkut do të vijoi me shtete të tjerë.

Libri është interesant dhe tenton të hedhë dritë mbi Luftën e Trojës nga konteksti historik, duke u bazuar tek të dhënat që japin autorët antik.  Lufta e Trojës është trajtuar nga të gjithë autorët antik, te cilët e kanë konsideruar një ngjarje të tillë, si absolutisht të padiskutueshme. Por cfarë të rejash sjell Kocaqi? Ejani të Enjten në VATËR.

Filed Under: Politike Tagged With: ELENI KOCAQI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT