• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

Tokë e lëvrueshme e ëndrrës

May 29, 2019 by dgreca

Tregim Nga Bujar Meholli /

Jetoja prej kohësh në amulli. Nuk di si ta përshkruaj dëshpërimin që më ngjitej e nuk më lëshonte, kur me apo pa dashje sillja nëpër kokë ato mendime. Me shëndetin e lig qeshë mësuar më; gjersa ecja nëpër bulevardet e mëdha ndjeja zemrën të më rrihte fortë, e një ligësi të ma përshkruante gjithë trupin. E shihja këtë ligësi si premisë kryesore të vdekjes! E, ç’mund të jetë vallë vdekja?  

Natyrisht që sado vrisja mendjen nuk arrija në kurrfarë përfundimi, siç nuk kanë arritur edhe mijëra e mijëra njerëz para meje.  

Nganjëherë e dëshiroja vdekjen, sinqerisht, e imagjinoja si një grua simpatike që donte të ngjizej në trupin tim. Dhe kur më ftonte në një udhëtim interesant, nuk më linte hapësirë as mundësi ta kundërshtoja, veçse t’i zgjatja dorën dhe të niseshim. Kur psikika ime rëndohej dhe më shfaqeshin neurozat, atëherë e imagjinoja veçse si një mëndesh të inatosur me pronarët, që e ruan momentin kur prindërit e foshnjës janë të zënë me punë, dhe në pabesi, për t’u hakmarrë, ia shkëput ëndrrat…    

Mendoja shpesh, ç’lidhje misterioze kanë ëndrrat me vdekjen?

Bridhja nëpër bistro e kafene, sa në njërën e në tjetrën, nganjëherë s’kisha ku ta fus kokën dhe pronarët më lejonin në qosh ta bëj një sy gjumë, dhe ta ha një vakt. S’para kisha kurrfarë problemesh. Duke e çuar atë lloj jete, mendoja se kisha arritur nirvanën, se s’kishte gjë përtej kësaj – gjithçka i duhet njeriut, është ta ketë një copë bukë dhe kur t’i qepen sytë, të shtrihet diku.

– Shoku, tani bën mirë të largohesh për disa orë, sepse kemi një konferencë sot, do të vinë figura me nam, gazetarë, fotoreporterë… – po më thoshte kamerieri në një mëngjes, në kafenenë e ngjashme me Tari-Barin, ku kisha fjetur dhe isha zgjuar i qullur mes djersëve dhe ende i mpirë nga ca ëndrra të çuditshme. Ju që e njihni pikturën, kujtojeni tablonë Ëndrra të Pierre Puvis de Chavannes. Isha në aso gjendje, dhe kur më zgjoi kamerieri m’u turbullua gjithçka.  

Një tip poeti i leckosur siç isha, natyrisht që s’kishte vend aty ku kishte ngjarje të tilla. Imazhi i kafenesë duhej ruajtur, e kuptoj; kur në netët e acarta më hapej dera, dhe lejohesha ta fus kokën e rënduar, më vinte mirë, e si mos ta thyeja qafën dikund, kur më kërkohej nga stafi i atij vendi?

Por, e marrtë e mira, e pashë atë! Ishte një grua që zbriti nga makina dhe tok me grupin ia mësynë kafenesë. Gazetare? Prezantuese? Nimfë?

Oh, nuk do ta përmend emrin e saj, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Ajo ishte mrekullia dhe fundosja ime, vendosjani cilin emër të doni nga këta të dy…

Nuk do të besoja kurrë se një njeri do të kishte aq shumë ndikim në jetën time. Kurrë! Kudo shkoja, shihja fytyrën e saj. Diçka më thoshte se isha lidhur kokë e këmbë; syri im që shihte leckat e trupit, u ngrit ngadalë dhe përmes pezhishkave të dritareve u drejtua tek ajo fytyrë, që me qindra shikime të shpejta zhbiruese nuk përcaktohej dot. Qëndronte në mes të bukurës dhe dehjes. Rëndom gratë e zonja në karrierë, s’kanë fat me partnerët e tyre dhe këtë postulat (për mua ishte i tillë) e doja me gjithë shpirt. Më dukej njëfarë hajmalie. Ajo vërtet më pranoi si mik të saj, kurse unë nga dashuria e zjarrtë që ndjeja për të, mora guximin dhe i nisa një pusullë.   

Nuk para dija se u shndërrova në një adhurues tjetër të saj, të listës së gjatë sa Kulla e Babelit.

Më dukej vetja tuhaf, teksa bridhja i vetëm mbrëmjeve nëpër bulevard, duke rrëmuar për ndonjë bistro ku të futesha dhe ta njomja shpirtin me muzikë. Lëshoheshin kompozimet e hungarezit B.B. dhe unë thurja ëndrra të llojllojta tok me të, larg nga ky planet, larg nga kjo tokë…

Një natë, dy hëna ndriçonin përmbi kokën time teksa ecja ngadalë si somnambul përbri lumit të qytetit, mbi të cilin disa tapa me fytyra njerëzish pluskonin. Unë po pluskoja në ajër. Katedralja e madhe u shfaq përball si kek dhe unë renda që ta gëlltisja. Pak më tutje në lagjen e ngushtë gjarpër, gjendej kompleksi i kafeneve dhe bistrove, ku më në fund arrita. U futa.

Fytyra e saj m’u shfaq përball, e madhe, saqë unë bërtita, ca nga frika ca nga kënaqësia që më shkrinte të tërin, si sheqeri që shkrihej për ta bërë kafenë të ëmbël. Edhe në kafene njerëzit pluskonin. Të gjithë po rrinin lart në tavan me kokat e kthyera poshtë, tavolinat e drurit, jetime, po rrinin të shtangura. Vetëm tavolina jonë ishte e mbushur, ajo ishte me mua dhe më buzëqeshte herë pas here me dhëmbët e mëdhenj të renditur aq hijshëm afër njëri-tjetrit. Qeshte kur i flisja për poezitë e mia, për bashkëpunimin me gazetat, e orvatjet për të kompozuar muzikë. – Ja, një copë gazete ku jam unë e dashur, e nxora nga xhepi i zhubrosur dhe ia tregova. Ajo qeshte. Më adhuronte. Mund t’i ndjeja shikimet nga lartë, të atyre syve me maje që drejtoheshin te ajo. Çdokush e njihte, ishte figurë publike, e parë nga qindra mijëra veta pothuajse çdo ditë, kur ajo dilte para ekranit. Çdo pore e trupit tim, u mbush me frikë, me një si neveri ndaj gjithçkaje. – E dashur, eja të ikim bashkë… shumë larg nga gjithçka! Ajo qeshte prapë, a thua se ishte mësuar të qeshte me gjithkënd kësisoj? Kur u përkula që ta puth dhe t’ia shpupurish flokët e dendura me njëfarë ngjyre që nuk ekziston më, ajo u tret, porsi një sirenë deti e frikësuar, u zhduk, e unë kisha pas rrëzuar filxhanin e madh sa një vazo; rrapëllima e ngjirur, më cyti të çohem. Kur ju kërkova kamerierëve të ma bëjnë një vend për natën, më panë egërsisht, para se të më degdisin jashtë…

Si ta përshkruaj brendësinë e shpirtit tim, pas gjithë këtyre ndodhive? Ajo vazhdonte punën e saj, ishte në kulm të gjithçkaje; e bukur, me trup të hajthëm, me asi zëri që a thua mjaftojnë katër palë vesh për ta shijuar! Ishte tri herë më tërheqës se zëri i Josephine Baker.

Unë, thjesht isha i tërhequr nga gjithçka. Pothuajse nuk më njihte kush në gjithë atë qytet të madh; më kishin çmuar pronari dhe djemtë e vendit, ku për herë të parë e pata takuar… ai vend nuk ekzistonte në hartë prej kohësh. Bëja gjumin kryesisht nën urat e qytetit, pranë ujit, ku edhe lahesha. Nëpër xhepa, mbaja poezitë që kisha shkruar në kartë-peceta restorantesh, të gjitha për të… ajo nuk e diti kurrë.

Në kulm të dëshpërimit, më kuptoni, përveçse mendova vetëvrasjen, i zhduka të gjitha krijimet e mia së pari duke i shqyer në njëmijë copë, dhe pastaj duke i hedhur në lumë…

Mbase duhej të shkoja në çmendinë. O Zot! O tmerr! Zjarri i gllabëroi fijet e zemrës sime.

Netët që vinin varg, nuk më premtonin asgjë. Dikur, të paktën gjeja rehati në gjumin i cili më kridhte në lloj-lloj ëndrrash, por ato janë venitur tashmë. S’ka ëndrra, s’ka asgjë. Vetëm ajo fytyrë tundon qenien time… Ajo fytyrë që e kam nganjëherë aq afër, ndërsa herë tjera është me milje larg nga unë… Ah! Sikur të isha i denjë për përdëllimin e saj…   

Zot! Bërtita i lemerisur me duart lart, në kodrën prej nga shihej gjithë qyteti. Pamje madhështore!

O botë, mizorisht e bukur! Qyteti dukej i bukur sidomos mbrëmjeve, i spërkatur lehtë me dritat e hënave mbi rrugët e ngushta, dhe kafenetë e mbushura. Ah, si nuk hasa në sozinë e saj! Apo në ndonjë krijesë tjetër po aq të magjishme sa ajo! Nuk e di sigurt, nëse e doja vdekjen e saj. Do t’ia gjeja varrin, dhe do t’i shkruaja qindra pusulla, njomur me lot të hirtë për të. Në mos ajo, kësaj jete të vrerosur po mendoja t’i jap fund unë. Trajta fytyrash që herë më bëhej se i njoh, herë jo, më kalonin para syve nëpër bulevarde dhe pranë dritareve të kafenesë ku ulesha i vetëm, dhe pija. Edhe sa kështu? Sa hapa ishte larg nga unë ajo, vallë? Kështu i kaloja netët, në mesin e njerëzve të pastrehë, të lënë mbas dore; ata shpirtra të sinqertë m’u bënë miq të mirë. Nëpër net si këto gjeja frymëzim dhe shkoja në qosh të mejhanes, e mbushja fletën e bardhë që ma dhuronin. Pasioni për të shkruar nuk m’u largua, bashkë me frikën dhe mllefin. Nga çasti në çast, më bëhej se do më lëshonin këmbët, do më pështjelloheshin mendimet, e do më dërgonin në spital. A mund të jetoj unë në ankth, me fytyrën e saj çdoherë në lëvizje, me buzët e saj që porsa thirrin emrin tim, shkronjat i degdis era e fortë? U mendova gjatë dhe kuturisa këto dilema në fletën e bardhë, mes muzikës, pijes, dhe ngrohtësisë që dinë ta japin vetëm njerëzit e kësaj sëre, mbase para se të lëshohem atyre shkallëve të ferrit, drejt asaj hapësire të ngushtë me ajër të rëndë – që mund ta emërtojmë çmendinë…  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bujar Meholli-Tokë e lëvrueshme e ëndrrës

HYSNI LEPENICA VENDI QË ZË NË HISTORINË E POPULLIT SHQIPTAR

May 28, 2019 by dgreca

Njoftim për botime të reja historike/

Nga Enver Memishaj/

Kush është Hysni Lepenica (1900- 1943)/

Komandant dhe udhëheqës i rendësishëm i Luftës Antifashiste, firmëtar i Marrëveshjes së Mukjes, 1 – 2 gusht 1943, anëtar i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, komitet që doli nga kjo Marrëveshje, Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar, Dëshmor i Atdheut, dekoruar pas vitit 1990 nga presidenti Sali Berisha, presidenti Alfred Moisiu dhe së fundi nga presidenti Bujar Nishani ”Nder i Kombit Shqiptar”

                                                                    *          *         *

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Hysni Lepenicës, në vitin 2000, botova librin “Hysni Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar”, Vëllimi i I, dokumente, këngë, kujtime dhe rrëfime. Recenca e librit nga prof. dr. Beqir Meta akademist, prof. dr. Muharrem Dezhgiu, Instituti i Historisë dhe prof. dr. Hysni Myzyri.
Këtë vit sapo ka dalë në qarkullim vëllimi i dytë  “ Hysni Lepenica, vendi që zë në historinë e popullit shqiptar”. Formati 24 x 17, faqe 740. Ky vëllim është një studim i plotë, shterues, mbi jetën dhe veprimtarinë  atdhetare të Hysni Lepenicës me materiale dhe dokumente te reja dhe nuk përfshin asgjë nga ato materiale dhe dokumente qe janë botuar në vëllimin e parë.
Konsulenca historike nga dr. Bujar Leskaj, ish deputet, ish ministër dhe sot Kryetar I Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Recenca nga prof. dr. Eshref Ymeri anëtar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane dhe dr. Nuri Dragoi, me nje vleresim per figurën e Hysni Lepenicës nga prof. dr. Paskal Milo.

Përkthimet: nga italishtja Etleva Memishaj – Kashau dhe Denada Sejdiaj, nga frëngjishtja: dr. Kujtim Nuro.

Kopertina:  Piktor i Popullit, Skënder Kamberi.

Vëllimi i dytë në fund ka edhe treguesin e lëndës të vëllimit të parë.

Libri hapet me fjalët e Naim Frashërit: “Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj të mbretërojë / Errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë.( “Bagëti e Bujqësia”, Bukuresht, më 5 të majit 1886)

Si hyrje janë kujtimet e anëtarëve të Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar: Faik Quku, Kol Tromara, Ali Këlcyra dhe Hasan Dosti mbi çetat e para të Ballit Kombëtar.

Kapitulli i parë i librit merr në studim jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Hysni Lepenicës, një kapitull më vete është Hysni Lepenica gjatë luftës së dytë botërore dhe vazhdon, luftërat në të cilat ka luftuar ose komanduar Hysni Lepenica, beteja e Gërhotit, konkluzione: vendi që zë Hysni Lepenica në historinë e popullit shqiptar dhe mbyllet me kapitullin: mbrojtja e figurës së Hysni Lepenicës, po ashtu është trajtuar vatra atdhetare ku lindi dhe u edukua.

Në libër janë botuar edhe kujtimet e 29 bashkëluftëtarëve të Hysni Lepenicës, po ashtu janë dhënë njoftime për 114 personazhe historik që përmenden në këtë libër.  

                                                         *      *      *

Po këtë vit sapo ka dalë në qarkullim edhe vëllimi i tretë “ Hysni Lepenica, dokumente dhe Bibliografi”, formati 24 x 17, faqe 380, që përmbledh dokumente mbi jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Hysni Lepenicës dhe bibliografinë.
Dokumentet e botuara në këtë libër, janë renditur sipas rendit kronologjik.

Në dokumente nuk janë përfshirë:

1. Trakte dhe publikime të Ballit Kombëtar gjatë luftës 1939 – 1944, pasi ato janë botuar të plota në librin: Enver Lepenica “Parti Komuniste apo Parti Terroriste”, Triptik, Tiranë 2013

2. Këngë, poezi dhe vjersha popullore, kushtuar Hysni Lepenicës pasi ato janë botuar të plota në librin Enver Lepenica  “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, Tiranë 2017  
Në bibliografi, pasi jepet saktësisht vepra e cila është shfrytëzuar për të tre vëllimet jepen faqet ku citohet ose flitet për Hysni Lepenica, me qëllim që libri t’u shërbejë të gjitha shtresave të popullsisë që nga njerëzit e thjeshtë deri te profesorët e universitetit.
Studimit mbi jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Hysni Lepenicës,  në tre vëllime dhe major Ahmet Lepenicës ( “Major Ahmet Lepenica Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”) u kam kushtuar gjith jetën time.
Jam krenar që munda të nxjerr në dritë shërbimet e shquara që këta dy burra i sollën atdheut tonë, në kohë shumë të vështira. Mbi bazën e veprave të mia ata zunë vendin e merituar në historinë
e popullit shqiptar, morën vlerësimet dhe dekoratat më ta larta prej  presidentëve të Republikës së Shqipërisë. Jam krenar që ata patriot të shquar i vendosa në peidestalin e munguar dhe të merituar.

                                                           *        *       *

Lexuesi shqiptar do t’i  gjej këto libra në libraritë e Tiranës dhe të Vlorës dhe në biliotekat e këtyre qyteteve.

Shqiptarët e interesuar jashtë kufijëve të atdheut mund t’i porositin librat në këtë adresë:
ofrimi i shërbimeve nëpërmjet faqes online: ShtepiaeLibrit.com

Libraria ShtepiaeLibrit.com: Rruga Nikolla Jorga, Shkalla 9, Kati i Tretë Tirana, Albania

Email: admin@shtepiaelibrit.com; Cel:  Gjergji 0662050438 / Elvisi – 0686052510

Filed Under: Kulture Tagged With: Enver Lepenica

Presidenti Thaçi, bashkim me Shqipërinë…

May 27, 2019 by dgreca

-Thaçi inkurajon Parlamentin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë të nxjerrin deklaratën e bashkimit/

Sipas Europes se Lire, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Por po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”, tha Thaçi.Këto komente ai i ka bërë gjatë një fjalimi në njëzetvjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik. Pas idesë për korrigjimin, përkatësisht ndryshimin e kufirit, sipas së cilës tri komuna në Serbinë jugore, Presheva, Bujanoci e Medvexha do t’i bashkoheshin Kosovës, presidenti Hashim Thaçi tani po lason idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.Për idenë e fundit, Thaçi i ka dhënë dy ide, atë të bashkimit nën “ombrellën e Bashkimit Evropian” apo të bashkimit “nën ombrellën shqiptare” të dy vendeve në një territor të vetëm. Ngjashëm me fjalimin në njëzetvjetorin e luftimeve në Pashtrik, Thaçi foli edhe të dielën në bashkinë e Hasit në Shqipëri, ku tha se Kosova dhe Shqipëria, në një të ardhme të afër të do bashkohen.”Ju keni qenë bashkërisht në istikame të luftë dhe bashkërisht do të jetojmë në liri e bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt, në një shtet të përbashkët Kosovë dhe Shqipëri”, tha Thaçi, pasi në Has, mori titullin “Qytetar Nderi”.Sipas tij, është më e lehtë të realizohet, siç ka thënë ai, kjo ëndërr, pra që të ketë një hapësirë mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova.

Deklaratat e Thaçit, nga analistët politikë në Prishtinë shihen si pjesë e retorikës, dhe pa një plan konkret.

Politologu Ramush Tahiri, thotë se presidenti deri tani nuk e ka paraqitur ndonjë program apo plan konkret për idenë e përmendur për bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet.

“Presidenti Thaçi bën deklarata politike, duket së është i frustruar me gjendjen ekzistuese në Kosovë edhe me dallimet e brendshme rreth çështjes themelore, por edhe me procesin e integrimeve evropiane si dhe me procesin e dialogut me Serbinë dhe për këtë e hedh opsionin që Kosova është krahinë e Shqipërisë dhe do të bashkohet me Shqipërinë”, tha Tahiri.

Tahiri deklarimet e presidentit me shumë i sheh si një lloj pakënaqësie me politikën e Bashkimin Evropian karshi Kosovës, sidomos me procesin e liberalizmit të vizave.

“Thaçi luan në një kartë kombëtare që më herët është konsideruar nacionaliste, por tash konsiderohet kombëtare dhe nuk thotë që me çdo mjet do të realizohet, por thotë se është një nga alternativat nëse Kosovës dhe kosovarëve u mbyllen dyert e Bashkimit e Evropian. Presidenti Thaçi ashtu siç po e shpjegon e konsideron se një bashkim i Kosovës më Shqipërinë do të ishte një zgjidhje për paqe dhe stabilitet”, tha Tahiri.

Kurse, analisti politik Artan Muhaxhiri, thotë se diskursi i presidentit Thaçi për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, është krejtësisht i pabazuar në realitetin politik.”Më shumë është një tendencë për të qëndruar i rëndësishëm në media dhe në biseda kafehanesh sesa që mund të ketë ndonjë gjë serioze dhe konkrete. Është absolutisht e qartë se si bëhen këto ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe gjerostrategjike në Ballkan dhe asnjëherë nuk janë bërë në këtë mënyrë. Pra, nevojitet një ndryshim i madh dhe një presion i madhe ndërkombëtar për tu bërë dhe për të dhënë efektet e tilla, gjë që tani nuk është 0.1% pra nuk ka asgjë konkrete”, thekson ai.Muhaxhiri, pos tjerash thotë se deklaratat e Thaçit janë populiste, por të cilat nuk dihet as kujt në fakt i drejtohen. “Nuk e kuptojmë se kë dëshiron ta shënjestrojë me këto deklarata se të gjithë qytetaret e Kosovës e dinë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet asnjëherë në ketë mënyrë tendencioze e pompoze”, tha Muhaxhiri.Presidenti i Kosovës vazhdon të mbajë në jetë, siç thotë ai, ‘përkushtimin jetësor’ të tij për bashkimin e Preshevës, Medvexhës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.“Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës, pa u cenuar asnjë centimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës, si parakusht për bashkim kombëtar”, ka deklaruar Thaçi.Lidhur me deklarimet e presidentit Thaçi përndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Ai ka shkruar në profilin e tij në Facebook se presidentit Thaçi i ka thënë edhe personalisht se diskursin politik për korrigjim të kufijve e ka të gabuar dhe të papranueshëm.Kurse, Thaçi i është përgjigjur liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, se korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi i tiji pandalshëm.”Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyll dyert e saj për ne”, ka thënë Thaçi.

Deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si opsion, vijnë edhe në kohën kur Kosova dhe Serbia po përgatiten për takimin e radhës më 1 korrik, në Paris, i cili pritet të mbahet me ndërmjetësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Anglela Merkel.Takimi i 1 korrikut në Paris, është vazhdimësi e procesit të Berlinit të iniciuar nga kancelarja Merkel.(Kortezi-Arton Konushevci RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: Presidenti Thaci-Haradinaj- Veseli-Aleanca e Atlantikut

Amerika nderon të rënët në luftra

May 27, 2019 by dgreca

Në Shtetet e Bashkuara të hënën e fundit të muajit maj shënohet çdo vit Dita Përkujtimore e të Rënëve, kur nderohen të gjithë ata që humbën jetën në luftra. Në mbarë vendin zhvillohen parada dhe festime të tjera.

Presidenti Donald Trump ndodhet në Japoni për një vizitë shtetërore, prandaj këtë vit ishte Zëvendëspresidenti Mike Pence udheheqësi më i lartë që vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, pranë Uashingtonit.

Nënpresidenti Pence mbajti një fjalim tek Monumenti i Ushtarit të Panjohur, ku ishin të pranishëm qindra komandantë ushtarakë, ushtarë të thjeshtë dhe familjarë të të rënëve në krye të detyrës. Ai tha mes të tjerash se Shtetet e Bashkuara nuk munden kurrë t’ua pagojnë borxhin që u kanë personave që dhanë jetën për vendin e tyre..

“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë dhe nuk do të harrojmë asnjëherë t’i nderojmë ata”, tha Nënpresidenti Pence.

Presidenti Trump, do ta shënojë festën me një fjalim të martën para trupave amerikane në bazën detare amerikane Yokosuka, ku ai pritet të flasë lidhur me “natyrën globale të partneritetit midis Japonisë dhe SHBA-së”.

Numri i amerikanëve të vrarë në luftra Vlerësohet të jetë 1.1 milionë vetë, por numri më i madh i viktimave, gati gjysëm milioni, humbën jetën gjatë Luftës Civile të shekullit të 19-të. Në Luftën e Dytë Botërore u vranë më shumë se 400,000 ushtarë amerikanë. Këtë fundjavë në Uashington kanë vërshuar mijëra motoçikleta, për të demonstruar në paradën e përvitshme të njohur si “Rolling Thunder”, gjëmimi i motorrëve, që bart simbolikën për të tërhequr vëmendjen për të burgosurit e luftës dhe personat që figurojnë të zhdukur në aksion.(KOrtezi-VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Amerika-Nderim-Te renet

RIKONFIRMOHET ANGAZHIMI I ATLANTIC COUNCIL PËR KOSOVËN

May 27, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi, Kryeparlamentari Veseli, Kryeministri Haradinaj  priten zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson/

PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zëvendëspresidentin e Atlantic Council, Damon Wilson, së bashku me një delegacion nga Senati dhe Kongresi Amerikan.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar zëvendëspresidentin Wilson për kontributin e vazhdueshëm të Atlantic Council në Kosovë për forcimin e strukturave të sigurisë.“Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës përjetësisht për rolin përcaktues të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.Kreu i shtetit dhe delegacioni amerikan kanë biseduar edhe për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, më pas edhe në NATO.Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentumit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.

“Mungesa e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe i hapë rrugë elementeve antievropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti Damon Wilson ka rikonfirmuar angazhimin e Atlantic Council për Kosovën.

Presidenti Thaçi ka thënë se bashkë me SHBA-në do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të ruajtur dhe zhvilluar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon./b.j/

                            ***

MIRËNJOHJE E THELLË E KOSOVËS PËR MBËSHTETJEN  E SHTETIT AMERIKAN

-Kryeparlamentari Veseli takoi nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës/

PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim nënkryetarin e Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeparlamentari Veseli dhe nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Wilson, diskutuan për bashkëpunimin midis Kosovës dhe SHBA-ve dhe për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Kryetari Veseli rikonfirmoi mirënjohjen e thellë të Kosovës e të popullit të saj për gjithë mbështetjen që shteti amerikan ka dhënë dhe po jep për vendin tonë në të gjitha fushat.

 Veseli e konsideroi të domosdoshëm vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën edhe në sfidat e tjera që ajo ka para vetes, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë në rrafshin ndërkombëtar.“Me përfaqësuesit e Këshillit Atlantik dhe të administratës së Kongresit Amerikan pata një diskutim përmbajtjesor për Kosovën dhe zhvillimet rajonale. U fokusuam tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ku theksova vendosmërinë tonë për t’u përpjekur në arritjen e një marrëveshje ligjore gjithëpërfshirëse që siguron njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe NATO. Për ta bërë këtë gjë, presim që SHBA-të të luajnë një rol më aktiv për të mbështetur këtë proces. Miqtë nga Këshilli i Atlantikut i falënderova për kontributin e tyre të deritanishëm dhe i kërkova mbështetje në fushën e informimit të publikut dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu, i informova për nismën time në kuadër të drejtësisë tranzicionale duke shpjeguar se zbardhja e së kaluarës dhe vënia në vend e drejtësisë për krimet e kryera nga shteti serb i shërben përfundimit të konfliktit dhe pajtimit ndër-etnik”, ka thënë ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.Nënkryetari i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, tha se Këshilli i Atlantikut do të angazhohet edhe më shumë brenda SHBA-së për të shtuar vëmendjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës.Po ashtu, ai tha se do ta ndihmojnë Kosovën në ofrimin e ekspertizës më të mirë për të asistuar në procesin e dialogut.

***

AMERIKA, MARRËDHËNIA MË E RËNDËSISHME E KOSOVËS

-Kryeministri Haradinaj: Kosova ndan botëkuptimin e Amerikës në të gjitha çështjet kryesore. Takim me delegacionin nga North Atlantic, të prirë nga zëvendës presidenti ekzekutiv Damon Wilson/

PRISHTINË, 27 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim delegacionin nga North Atlantic, të prirë nga zëvendës presidenti ekzekutiv Damon Wilson.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj duke kujtuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se Amerika është marrëdhënia më e rëndësishme e Kosovës.

“Jam i nderuar që sot ju kemi për vizitë në Kosovë. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës dhe në linjë me Amerikën dhe shërbejmë si aleati dhe miku më i madh i Amerikës në Ballkan”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova ndan botëkuptimin e Amerikës në të gjitha çështjet kryesore.Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova po ashtu ka bashkëpunim me ShBA-në në të gjitha fushat e sigurisë,  e po ashtu edhe marrëdhënie ekonomike.Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova e do paqen por edhe një marrëveshje përfundimtare, në mënyrë të drejtë, ligjore dhe se nuk ka shkëmbime të territoreve të cilat çojnë në luftëra të reja dhe zgjojnë tensione në të gjithë rajonin.“Ne jemi të gatshëm të bëjmë një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe të mos kemi parakushte”, theksoi kryeministri Haradinaj.Kryeministri Haradinaj i njoftoi delegacionin me të arriturat e vendit në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, reformave të përgjithshme dhe progresin në fuqizimin e ekonomisë së vendit.Nga ana e tij, zv.presidenti ekzekutiv Damon Wilson e falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme duke shprehur gatishmërinë se ShBA-ja do të jetë gjithmonë partnere e fuqishme e Kosovën në procese jetike të vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: Thaci, Veseli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT