• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2019

LETRA E BABAIT

June 17, 2019 by dgreca

NGA NAUM R PRIFTI/

Pas mbarimit të shkollës unike në Ersekë, unë kisha vendosur të shkoja në shkollë profesionale në Tiranë sepse më pëlqente ideja për të pasur një diplomë edhe një profesion, ndërsa shumë nga shokët e klasës sime shkuan në Shkodër për të kryer një kurs tremujor për arsimtarë. Lutjen e kisha dorëzuar në seksionin e arsimit sapo kisha marr dëftesën e lirimit. Javën e parë të gushtit më thërriti në zyrë inspektori i Seksionit të Arsimit dhe me ton miqësor më pyeti nëse prisja ndonjë lajm të mirë.

-Bursa? – e pyeta.

-Po, ke fituar bursë për në Politeknikumin Mjekësor, atje ku kishe kërkuar. Shkresa erdhi dje.Ma tregoi edhe shkresën, që ishte një letër me format të vogël dhe ngjyrë qumështore me tre rreshta të daktilografuara, ku dallohej emri im dhe i Yllit. Përfund njoftohej se konvikti i shkollës i hapte dyert me 25 gusht dhe se viti shkollor fillonte më 1 shtator.

Ëndrra më e madhe e jetës sime adoleshente ishte përmbushur. Do të studioja në Tiranë me bursë shteti, do të bashkohesha me grupin e shokëve të mi që kishin shkuar një vit më parë në Politeknikumin “8 Nëndori’ dhe që rrëfenin histori të mahnitshme nga jeta në kryeqytet. Për një djalë fshati, nga një krahinë e largët malore, vajtja me studime në Tiranë e kapërcente botën reale.

Sa u ktheva në shtëpi atë pasdite i shkrojta një letër babait, i cili kishte shkuar si emigrant në Amerikë qysh para lufte. Babai kishte bërë katër klasë fillore, por e çmonte arsimin aq sa djalin e dyte Pandon nuk e mbajti pas vetes në restorant, si vepronin shumë shqiptarë të tjerë, por e dërgoi në shkollë me paratë e veta. Financimi i jetës studentore dhe shkollimit në Universitet amerikan kërkonte shpenzime të mëdha por babai mendonte se ishte investim që do t’ia lehtësonte jetën djalit dhe do t’i siguronte më shumë të ardhura nga një punë e mirë. Me siguri babai do të gëzohej edhe më shumë për mua sepse unë po shkoja të studioja me bursë shteti dhe të merrje shkollën e mesme falas dhe një profesion për së mbari ishte sukses i madh. Tek shkruaja mendoja sesi do të më uronte babai kur të kthente përgjigje. Ai mbase do thoshte urimet tradicionale si Dalç faqebardhë, Pres të nderosh emrin e familjes apo do më shkruante ndonjë thënie të re që thuhej në Amerikë kur babai i uron djalin sukses.  

Babai dërgonte letra çdo muaj, kurse të holla më rrallë. Por ne nuk kishin shpenzime të mëdha. Nevojat vjetore të familjes arrinim t’i mbulonim nga prodhimet tona blegtorale e bujqësore, por për të shitur nuk na tepronte asgjë. Sheqerin, vajgurin, sapunin, kafenë si dhe rrobat e këpucët i blinim me të hollat që dërgonte babai. Sa herë postjeri a ndonjë i afërm sillte letër nga babai, gjyshja e merrte zarfin e para, puthte pullat dhe shkronjat nga dora e djalit të saj, pastaj e fuste në gji, pranë zemrës. Ajo nuk i hapte kurrë letrat se nuk dinte as të shkruante, as të lexonte, prandaj duhet të priste sa të kthehesha unë.  Qëkur mbarova klasën e katërt, fillova ta ndihmoja gjyshen për t’i shkruar letra djalit. Ndërsa ajo diktonte, unë shkruaja dhe në fund kërkonte t’ia lexoja nga fillimi.

Gjyshja m’i dorëzonte letrat e tim eti në mënyrë ceremoniale. Pasi më kumtonte lajmin e mirë. “Ka ardhur një letër nga yt atë,” fuste dorën në gji, nxirrte letrën, puthte dy a tri herë pullat me ngjyra dhe më afrohej ngadalë, sikur donte ta zgjaste sa më shume çastin e dorëzimit. Pas leximit e merrte sërish për ta futur në gji. Për të, ato nuk ishin thjesht letra, por kumte të çmuara, që kalonin prej duarve të djalit në atë vend të largët te duart e saj.

Nëse rruga do ishte e hapur, edhe unë do të kisha shkuar pas babait në mërgim, ashtu si dy vëllezërit e mi të mëdhenj sepse kjo qe tradita e meshkujve në fshatin tonë. Sapo arrinin moshën 14 -15 vjeçare merrnin rrugët e kurbetit. Mirëpo pas luftës kufiri u mbyll dhe emigrimi u pre. 

Edhe pse larg babai do të lumtërohej që djali i tretë do të kryente shkollën e mesme çka ishte e padëgjuar për një familje muratorësh.Ndërkohë nga bisedat me shokët e mi të kthyer nga Tirana për pushimet verore kisha mësuar për jetën në kryeqytet, kinematë, shëtitjet në bulevard, liridaljet nga konvikti dhe plot kuriozitete të tjera. Për të qenë i përgatitur vajta e porosita te Simo Leksi një valixhe të re prej druri dhe e luta t’i vinte edhe një kyç.

Letra nga babai erdhi në shtëpi në mes të gushtit, vetëm dhjetë ditë para nisjes sime për Tiranë. I lexova rreshtat e para me një frymë. Shprehjet hyrëse stereotipe. ‘E mora letrën dhe u gëzova që mësova mirëgjendjen tuaj, si dhe unë deri sot që po u shkruaj këtë letër, lavdi Zotit gëzoj shëndet të plotë.” Në paragrafin tjetër, ai shkruante se në letër thuhej se djali do të shkojë të studiojë në një shkollë më të lartë në Tiranë. “Shkolla i hap sytë njeriut. Në moshën e tij prindërit tanë na jepnin çekanin dhe na nisnin për në kurbet. Vetëm ai që e ka provuar mërgimin e di sa e dhimbshme është kjo rrugë. Sa për djalin, mendoj se do të jetë më  mirë të mos largohet nga shtëpia. I vogël a i madh, ai është mashkulli i vetëm i familjes sonë aty dhe ne shyqyr nuk jemi keq për bukën e gojës…”

Ndjeva se zemra m’u tkurr nga dhimbja e sytë m’u rrëmbushën. Përmes mjegullës së lotëve lexoja arsyetimet e babait, për tre hektarë e ca tokë, për livadhet, për pjesën e mullirit dhe për bagëtitë tona. Nuk di nëse arrita ta mbaroj leximin e letrës. Gjyshja e vuri re pezmatimin tim, mirëpo meqë i perkiste asaj kategorie që çmonte vetëm punët fizike, ishte në një mendje me babain.

-Mire e ka yt atë. Po të ikësh edhe ti, ne gratë mbetemi mos më keq. Kush do t’i sjellë drutë nga pylli, kush do të shijë vrahun, kush do ta bëjë pazarin?

Sigurisht arsyetimi i saj qe i drejtë, sepse prej katër vitesh unë po i kryeja gjithë ato punë dhe me largimin im barra do t’i binte dikujt tjetër por unë nuk doja të mendoja për atë.

-Mjaft e ke atë shkollë që nxurre…- tha gjyshja.

Ra heshtje dhe Nena ime shtroi darkën. Unë rrija në minder duke përtypur hidhërimin tim së bashku me të edhe ëndrrën që u shua pa nisur ende. Të gjitha mendimet e mia për klasën me shokë të rinj e të panjohur, për daljet xhiro kur të kishim liri-dalje, për vajtjet në stadium, në kinema, u tretën aty për aty. Nga lajmërimet në gazetë e dija se Tirana kishte katër kinema dhe në secilën prej tyre mund të shihje nje film të ri. Dija kushedi sa tituj filmash madje edhe përmbajtjen e tyre, sikurse m’i kishte rrëfyer kushëriri im Xhoxhi. Ai m’i tregonte me hollësi, ashtu siç mund të rrëfehet një roman. Historia e shkollimit tim në kryeqytetit kishte përfunduar si një film me mbyllje të padëshiruar. Kisha qenë aq pranë ëndrrës sa mund ta prekja me dorë, kurse papritur u largua, davarit, u shpërbë. Letra e babait kërkonte që unë të mbetesha në fshat duke korrur, duke prashitur, duke shkuar për dru, duke mbajtur bar, kashtë, plehë.Nuk i mbaja sytë askund por i ndieja vështrimet e motrës së vogël mbushur me dashuri e keqardhje. Dëgjova të më ftonin të haja bukë dhe provova dy kafshata. Përtypesha me pahir dhe në gojë më dukej sikur kisha gjëlleshtër. Qe e kotë të rrija në tavolinën e bukës. U ngrita dhe ngjita shkallët me vrap, u futa në dhomë, rashë përmbys në krevat dhe fillova të qaj me fytyrën mbi pëllëmbët e duarve.

Pas pak ndjeva se dera u hap. E mora me mend se Nëna donte të më ngushëllonte, dhe të më merrte me të mirë, po për mua nuk vlenin as fjalët e mira, as keqardhja e saj.

-Mos qaj kështu, – më urdhëroi por vura re se zëri i dridhej dhe e dija sa shpejt mallëngjehej.

Nuk mund të nxirrja asnjë fjalë por edhe nuk kisha cfarë t’i thosha sepse ajo e dinte shkakun. Më vuri dorën mbi kokë, po unë e largova. Nuk pranoja ledhatime se nuk e quaja veten më të vogël.

-Nuk bën të sillesh si fëmijë… ti tani je djalë i rritur. Të qash me ngashërime, sikur të gjeti e keqe e madhe…

Nuk arrija të kuptoja nëse Nëna nuk po gjente fjalët e duhura për të ngacmuar sedrën time apo mendonte se mund të më ndryshonte mendjen duke më folur ashtu. Më vuri dorën në sup që të më kthente e të më shihte fytyrën.Unë nuk kisha asnjë shpresë se Nëna mund t’i kundërvihej babait per çfarëdolloj teme. E rritur në një mjedis patriarkal ajo e quante bashkëshortin Zot, njëlloj si Zotin e Madh. Kur isha kalama, ngatërrohesha për cilin Zot e kishte fjalën kur e dëgjoja të më këshillonte: “Mos bëj zhurmë se po fle Zoti.” E shikoja i habitur se cilin zot nuk duhej zgjuar, ai i ikonave apo babai tim që flinte në dhomë? Pastaj dëgjoja se edhe hallat e tezet, i drejtoheshin me të njëjtin emërtim bashkëshortëve të tyre. Burri dhe Zoti në një moment bëheshin të barabartë në leksikun dhe vetëdijen e tyre.Unë isha marrë me punë bujqësie sidomos katër vitet e fundit të shkollës: korrje, tëharrje, vjelje, prashitje, vaditje, mbartje kungujsh e misrishtash, po pasioni im ishin librat. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë. Ndërsa sillja gomarin ngarkuar me bar në oborr të shtëpisë ia lija gjyshes ta shkarkonte dhe vetë shkoja me vrap në dhomë për të vazhduar leximin e romanit “Maska e Zezë apo aventura të tjera që më tërhiqnin aq fort. Gjyshja bërtiste ose vinte pas meje në dhomë e më qortonte: “Ngrehu se kartërat nuk të japin bukë!”

-Për shkollën qan ti?  – më pyeste Nëna sikur nuk kishte qenë në dhomë kur u lexua  letra e babait.

-Po përse tjetër? Pse më pyet? – i thashë me inat. – Shokët e mi do të venë në shkollë, kurse unë do të mbetem këtu pas bishtit të gomarit dhe të kaut, – i thashë mes ngashërimeve.

Nëna u ngrit dhe shkoi drejt fundit të dhomës, dhe qëndroi pranë një fotografije ku kishin dalë babai, gjyshi dhe gjyshja dhe një fëmijë të vogël në prehër. E pashë se e vështonte sikur nuk e kishte parë asnjëherë më parë. As jeta e saj nuk kishte qenë e lehtë me burrin gjithmonë larg. U kthye nga unë dhe më tha me butësi:

-Të dërgon Nëna në shkollë, mos u merakos.

Nuk mund t’u besoja veshëve dhe më dukej se fjalia kishte dalë nga dëshira ime dhe jo nga goja e saj. Nuk do ishte e mundur të shpërfillte këshillën e bashkëshortit por unë për siguri, e pyeta, pa marr dot frymë nga frika:

-Po babai? E dëgjove se ç’shkruante në letër?

-Le të thotë babai… se mos e di ai në Amerikë si janë punët këtej,..-Gjykimi i saj ishte i thjeshtë, por si gjithmonë i sinqertë dhe jetësor.

-Eja të shkojmë poshtë të hash darkë.

Fytyra ime u cel dhe e ndoqa pas pa i thënë asnjë fjalë. Dhoma u mbush me dritë ashtu si edhe shpirti im, e ndieja veten aq të lumtur, sa nuk dija si ta shprehja. E pyesja veten nëse Nëna vendosi të shkoja në shkollë nga keqardhja për mua, apo se mendonte se shkollimi kishte më rëndësi për mua se qëndrimi në fshat. Sikur të mos e quaja veten të rritur, do të isha ngritur ta përqafoja. 

Filed Under: Opinion Tagged With: NAUM R Prifti-Letra e Babait-Tregim

Pejë-Shtatore Heroit Shkëlzen Haradinaj dhe Obelisk 183 dëshmorëve

June 16, 2019 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj mori pjesë në përurimin e shtatores së Heroit të Kombit Shkëlzen Haradinaj dhe Obeliskut të 183 dëshmorëve nga Komuna e Pejës/

-Kryeministri Haradinaj falënderoi të gjithë që i kanë shërbyer atdheut, jo vetëm me luftë, por me çdo përpjekje tjetër/

PEJË, 16 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në 20 vjetorin e çlirimit të Komunës së Pejës dhe Deçanit, mori pjesë në përurimin e sheshit “Shkëlzen Haradinaj”, zbulimin e shtatores së Heroit të Kombit, Gjeneral Major Shkëlzen Haradinaj dhe Obeliskut të 183 dëshmorëve nga Komuna e Pejës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, është një ditë e veçantë dhe një bashkim me një porosi të veçantë dhe veçantinë e kësaj dite nuk e bën vetëm Obelisku e shtatorja e heronjve tanë, por e bëjnë edhe të gjallët sot prezent.

Më tutje, kryeministri Haradinaj gjatë fjalës së tij, tha se, fati e deshi që gjatë luftës Shkëlzeni me qenë më afër me luftëtarët e Pejës e Dukagjinit sesa me të dhe Dautin. “Kur flasim për rrugën tonë për liri, nuk harrojmë kontributin e brezave të dijetarëve, luftëtarëve. Jemi në Pejën e Haxhi Zekës, e të gjithë patriotëve që i kanë shërbyer atdheut”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kurrë nuk do të harrohen ata që kanë mbrojtur nderin e atdheut nëpër shekuj, dekada e vite.

Duke kujtuar sakrificën e të gjithë atyre që punuan për të mirën e vendit të vet, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, kryeministri Haradinaj tha se, nuk do të harrohet çdo mund, angazhim dhe pikë gjaku i tyre.

“Nuk dëshirojmë liri, që e izolojmë atë. E kemi kërkuar lirinë që të jemi vetë të lirë, por edhe për t’iu bashkuar të lirëve, popujve të lirë dhe ata janë popujt euroatlantik, është Evropa, që synojmë të anëtarësohemi, të bëhemi anëtarë të BE-së”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, në këtë manifestim tha se, shqiptarët duhet të angazhohen që të kenë bashkëpunim me të gjithë fqinjët, sepse të gjithë janë pjesë e familjes evropiane.

“Ne jemi krenarë që si Dukagjin e kemi dhënë provimin në kohë të vështira të luftërave çdo herë dhe, edhe kësaj here Dukagjini nuk e la vetëm Drenicën, nuk i la vetëm Jasharajt dhe patriotët e të gjithë brezave”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nuk do ta lënë kurrë vetëm popullin e Kosovës dhe as nuk do t’i tradhtoj miqtë e aleatët tanë.

Kryeministri Hardinaj më tutje theksoi se Kosova është e angazhuar për një tregti të lirë dhe se nuk do t’i vendosë asnjëherë tarifa Shqipërisë dhe se vetëm fjalë janë ato që thonë se do të vendosen tarifat për Shqipërinë.

“Kemi pritur gjatë për të shkuar e ardhur, do t’i lehtësojmë barrierat që ekzistojnë sot”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova është e interesuar të jetojë edhe me Serbinë në fqinjësi të mirë, por të mos njohësh ekzistencën e Kosovës dhe t’ia kërkosh tregun, kjo duhet harruar.

Kryeministri tha se është nevoja të ecet përpara, por duhet nënshkruar një marrëveshje kornizë se për çfarë duhet marrë vesh dhe ajo më nuk është statusi i Kosovës, por janë marrëdhëniet bilaterale me respekt të ndërsjellë.

“Kjo është kohë e respektit të ndërsjellë, e njohjes së ndërsjellë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj falënderoi të gjithë që i kanë shërbyer atdheut, jo vetëm me luftë, por me çdo përpjekje tjetër. 

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se përmendorja e Shkëlzenit dhe Obelisku i dëshmorëve të Pejës, janë jo vetëm obligim, por nder për qytetin dhe për gjeneratat që vijnë, janë obligim që të punohet në ndërtimin e shtetit të Kosovës, për një jetë më të mirë.

Nga një fjalë rasti para të pranishmëve në emër të Këshillit organizativ e ka mbajtur Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit, në emër të bashkëluftëtarëve foli Gëzim Ozdreni, ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta, Safete Shala.Një fjalë rasti mbajti edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq. “Rroftë Kosova e lirë, rroftë populli i Kosovës, rroftë gjithë popullata shqiptare”, tha Mesiq./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari- Obelisku ne Peje-183 deshmoret

KONCERT DHE ÇMIME NË FESTËN E FUNDVITIT TË SHKOLLËS ALBA LIFE

June 16, 2019 by dgreca

Koncert artistik për mbylljen e vitit shkollor 2018-të-2019-tënëShkollën Shqipe “Alba Life”, NY, Ambasador i Kombit /

Z.Marko Kepi President i organizatës “Rrënjët Shqiptare” nderohet me çmimin e Mirënjohjes/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Konsulle e Përgjithshme e Kosovës, Ambasadore Teuta Sahatqija, znj.Najada Sojli Konsulle e Shqipërisë në New York, z.Marko Kepi President i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, z.Bashkim Shehu kryetar i shoqatës shqiptaro amerikane “Skënderbej”me kryesinëe tij, z.Odise Salillari kryetari i shoqatës “Devolli” nderuan me pjesëmarrjen e tyre ne këtëfestë madhështore

Eshtuna nëShkollën Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit ishte njëe shtunëplot shkëlqim, e shndritshme si vetëdielli me rrezet e tij të arta qëbinte si pluhur floriri mbi kokat e bukura tënxënësve.

Nxënësit me prindërit dhe me gjyshërit e tyre  mbushnin shkollën plot gazmim, nëmjediset e shkollës publike amerikane Ps: 9 nëStaten Island.

Ata përqafoheshin me njeri tjetrin dhe kush e kush tëvinte me vrap tëdhuronte njëpërqafim, qëte duket gati si përqafim hyjnor.  Ja mëtha Edisa Tahiri njënxënëse e zgjuar dhe plot dashuri për tëmësuar gjuhën shqipe kam ardhur me gjyshen time qëtëshikoj se si ne do tërecitojmëdhe vallëzojmëshqip.  Nësytëe gjyshes pashëgëzim dhe krenari, sepse nipi dhe mbesa e saj kanëkohë qëe vazhdojnëshkollën shqipe nëBrooklyn.  

Por jo vetëm tek kjo gjyshe ndjeva krenarinëe ligjshme, atë e pashëtek tëgjithëbrezat qëu mblodhën për të festuar fundvitin, mbylljen e vitit shkollor akademik 2018-të-2019-të.

Tëgjitha mësueset u përkushtuan me klasat e tyre për ta mbyllur me plot sukses vitin shkollor dhe ja dolën me plot dinjitet dhe profesionalizëm.  Ndonëse nuk ështëe lehtëpër shumëe shumëarsye, pasi dihet qëfëmijët qëlindin dhe rriten jashtëAtdheut gjuhëparësore kanëgjuhën e vendit ku jetojnë, por përsëri me punëdhe vetëm me punëmësueset e arrijnësuksesin.

Gumëzhitja e shkollës nga zërat fëminorëtëkrijonte ndjesinëe njësimfonie shqip nëzemër tëIshullit nëStaten Island, simfoni qëdo tëndihet gjatë…

Salla ku do tëzhvillohej aktiviteti u mbush plot e përplot sa dukej sikur s’kishje ku tëhidhje kokrrën e mollës, ndërsa njëanëe saj ishte mbushur me tavolinat me ushqimet e shijshme tradicionale tëgatuara nga amvisat e mrekullueshme shqiptare nga tëgjitha trevat e Kombit.

Programi i koncertit tëmbylljes sëvitit akademik shkollor 2018-të-2019-të

Programi u drejtua nga Dr.Valbona Zylo Watkins e cila tha se: “Shkolla Shqipe “Alba Life” qëoperon nëdisa lagje tëNju Jorkut ka pasur njëvit tëgjatëtëngjeshur me aktivitete shkollore qëkulmuan me paradën shqiptare nëManhattan.  Programi i shkollës sonëështënjëprogram tejet serioz, ambicioz dhe plot kulturëe patriotizëm.  

Shkolla jonënështator të vitit 2018-të u hap me vizitën e Konsulles sëShqipërisëznj.Najada Sojli, mëvonëme ardhjen e Ministrit tëJashtëm tëShqipërisëDitmir Bushati, me Festën e Flamurit, 7 Marsin dhe festat e fundvitit.  

Tëdashur prindër shkolla jonëkëtëvit nëSamitin e Diasporës u laureua si “Ambasador i Kombit” çka na bën tëndihemi tejet krenar dhe tëvazhojmëpërgjithmonëduke dhënëmësimin shqip.  

Gjithashtu festuam 7-te Marsin si dhe realizuam projektin e madh tëÇamërisë, ku na nderoi me pjesëmarrjen e tij gazetari i shquar Marin Mema nga Top Channel, Tiranë, i shoqëruar nga Presidenti “RrënjëtShqiptare” z.Marko Kepi dhe editorja e gazetës Dielli për gjuhën angleze znj.Rafaela Prifti.

Sot nëkëtëditëdua tëfalënderoj tëgjithëprindërit qëkanësjellëkëto ushqime shumëtëshijshme dhe realisht po bëhet traditëe përvitshme, tëcilat do t’i shijojmëpas aktivitetit kulturor dhe artistik.

Me nxënësit dhe mësueset sëbashku nën drejtimin e udhëheqëses artistike mësuese Adelina Laçaj kemi përgatitur njëprogram për mbylljen e vitit shkollor.  

Nëkëtëditëtëmbylljes plot sukses te vitit shkollor akademik na nderojnëme pjesëmarrjen e tyre Konsullja e përgjithshme e Kosovës nëNew York, ambasadore Teuta Sahaqija, znj.Najada Sojli Konsulle e ShqipërisënëNew York, z.Marko Kepi President i organizatës së mirënjohur “Rrënjët Shqiptare”, z.Bashkim Shehu kryetar i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” që ka ardhur me kryesinëe shoqatës, si Mark Qehaja, Imer Laçaj, Arta Xhaferri, si dhe z.Odise Salillarin kryetar i shoqatës “Devolli””

E hapim programin me Hymnin e Shkollës Shqipe: “Gjuha Shqipe, Gjuha jonë”, këndon kori nën interpretimin e Eneo Rustanit dhe Dea Watkins.

E vazhdojmëprogramin me këngën “Abetare, Abetare”/ Enri Kume do tëinterpretojëpoezinëÇamëria/ Emma Watkins, Gjuha jonë/ Kelvin Rustani këngëpër Çamërinë/Enzo Rustani, Flamuri/ Onida Grainca, Çamëria/ Rilind Shehu, Mësuesja ime/ Jahedin Doci, Unë jam Ismail Qemali/ Erla dhe Jori Lamce do tërecitojnëpoezinë“Vrull” nga autori arbëresh Zef Serembe.

Kënga “Dua mëshumëShqipërinë” Kori i shkollës 

Arelt Xhaferri, “ Kur kërcej unëvallen çame” nga shkrimtarja Kozeta Zylo/ Rei Veizi do recitojëvjershën “O moj Shqipëri”/ Elio Tahiri, “Ti Shqipëri mëep nder” nga Naim Frashëri/ Natalia Sinani, “Gjuha Jonë”/Adisa Tahiri, “ Abetare fort të dua”.

Vallja e Devollit do tëinterpretohet nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” si Oresti Salillari, Daniel Hoxha, Ermal Hoxha, Rafael Gjona, Andri Gjona dhe Arelt Xhaferri përgatitur nën kujdesin e mësusese Adelina Laçaj dhe asistentes Adelina Halimi Shehu.

Gloria Puli  Gjuha Shqipe nga Mitrush Kuteli/ Eduart Maqellara  Gjuha Shqipe nga Ndre Mjeda. 

Dea Watkins . I dashur Atdhe  nga Asdreni/ Nevil Vadahi do të recitojë“Zogu dhe abetarja”, 

Era Vadahi, “Sa tëdua o Shqipëri”/ Alba Vadahi do tëlexojëdisa fjalëtëurta popullore.

Vazhdojmëprogramin me Vallen e Tropojës përgatitur nga Adelina Laçaj, ndihmuuar nga Gela Bulku dhe Adelina Shehu.

E mbyllim programin me këngën “Gjuha Shqipe”

Përshëndetjet

Ambasadorja Teuta Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës nëNew York u mirëprit me duartrokitje nga tëpranishmit dhe veçanërisht nga nxënësit. Ambasadorja Sahatqija nuk e ka për herëtëparëardhjen pranëkësaj shkolle, ajo gjithmonëme plot kulturëdhe mirësi ka inkurajuar dhe mbështetur stafin dhe prgramin e kësaj shkolle.

Une ju falënderoj përzemërsisht tha Ambasadorja Sahatqija nëemër tëqeverisësëKosovës dhe emrin tim personal për punën qëpo bëni dhe mësimin e Gjuhës Shqipe nëDiasporë.  Misioni juaj ështënjëmision fisnik, patriotik dhe për këtëju inkurajoj qëtëmos ndaleni kurrë.  Gjithmonëkur vijëpranëjush marr emocione tëveçanta dhe mëjepni krenari për emrin e bukur shqiptar.  Tëdëgjosh këta fëmijëqëflasin shqip nëzemër tëNju Jorkut medoemos qëndihesh mirëdhe ditën ta bëjnë mëtëbukur.  Falënderoj z.Qemal Zylo dhe tëgjitha mësueset për këtëpunëkolosale qëpo bëni.  Unësolla disa abetare dhe njëëmbësirë, por ëmbëlsirën e shpirtit e gjeta këtu tek nxënësit tuaj.  

Znj.Najada Sojli Konsulle e ShqipërisënëNew York, e cila nderoi vjet me hapjen e vitit shkollor duke sjellëabetare dhe libra shqip erdhi përsëri nëmbylljen e vitit shkollor.  Znj. Sojli tha se ju falënderoj për ftesën tuaj dhe kam kënaqësinëtëmarr pjesënëpërfundimin me sukses tëvitit shkollor akademik 2018-të-2019-tëtëshkollave shqipe “Alba Life” që operon nëdisa lagje tëNju Jorkut.  Njëmirënjohje tëveçantëtëgjithë mësueseve të kësaj shkolle për përkushtimin e tyre.  Njëfalënderim i shkon znj.Kozeta dhe z.Qemal Zylo për mbështetjen qëi jep komunitetit shqiptar nëSHBA, kryesisht tërinjve, për forcimin e identitetit kombëtar me qëllim ruajtjen edhe promovimin e gjuhës shqipe dhe traditave shqiptare.  Nëemër tëambasadores znj.Besiana Kadare ju informoj se tashmëështë  krijuar qendra e botimeve tëDiasporës e cila ështënjësia përgjegjëse e botimit dhe shpërndarjes sëteksteve mësimore tëmiratuara si dhe literatureplotësuese tëciliat do t’i shërbejnëmësimdhënies dhe ruajtjes sëidentitetit tonëkombëtar.  Nëkëtëkuadër ju kërkojmëmbështetjen tuaj nëhartimin e njëliste për tekstet shkollore tëcilat do tëpërdoren për vitin akademik shkollor 2019-të-2020-të.

Edhe njëherëurime për tëgjithe ju!

Z.Marko Kepi president i Rrënjëve Shqiptare vlerësohet me çmimin e lartëtëmirënjohjes

Z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i Shkollës Shqipe “Alba Life” ftoi nëskenëz.Marko Kepi për ta nderuar me çmimin e lartëtëmirënjohjes

Ai tha se padashur tëbie nëpërsëritje, Shkolla Shqipe “Alba Life” qëoperon nëdisa lagje tëNju Jorkut, sot po e mbyll me plot sukses vitin shkollor akademik 2018-të-2019-të.  Unëfalënderoj të gjithëprindërit, mësuesit, nxënësit për bashkëpunimin nëkëtëprogram tejet professional dhe serioz.  Shkolla Shqipe “Alba Life” nëSamitin e Diasporës ështëlaureuar si “Ambasador I Kombit”, çmim qëi përket tëgjitha mësueseve qënga fillimi i hapjes sëshkolles dhe deri tani nëkëtëvit ku mëduhet tëtheksoj se pa kontributin e tyre nuk do te kishim sukses.

Falënderoj nëmënyrëtëveçantëAmbasadoren Tetua Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës nëNew York, Konsullen e ShqipërisënëNew York, znj.Najada Sojli, z.Marko Kepi Presidenti i organizatës sëmirënjohur “Rrënjët Shqiptare” si dhe për z.Bashkim Shehu kryetar i shoqates shqiptaro amerikane “Skenderbej” si dhe per kryesinëe tij dhe z.Odise Salillari kryetari i shoqatës “Devolli” tëcilët na nderojnëme pjesëmarrjen e tyre.

Nëemër tëBordit tëShkollës Shqipe dhe TV “Alba Life” para se tëndaj certifikatat e nxënësve, kam njëvlerësim tëveçantëpër z.Marko Kepi, veprimtar i shquariI komunitetit këtu në NY dhe mbarëDiasporës.  Marko Kepi ështëPresident i Rrënjëve Shqiptare, njëorganizatë e mirënjohur e cila çdo vit organizon paradën mëtëmadhe tëshqiptarëve nëgjithërruzullin.

Paradat gjithmonëi janëkushtuar Çamërisë, Shqiptarëve tëMalit te Zi, ShqiperisëEtnike, Rrënjëve Shqiptare, NënëTerezës, Arbëreshëve, UCK-s dhe sëfundi iu kushtua Çamërisë.  

Marko Kepi ështënëdjalëplot energji, vullnet, patriot fort i nderuar dhe i integruar me plot kulturënëbotën amerikane. 

Marko Kepi gjithmonëe ka mbështetur Shkollën Shqipe “Alba Life”, ka vizituar shkollën tonëdisa herëduke sjellëedhe senatorin si Martin Golden e sëfundi gazetarin e mirënjohur Marin Mema njëkohësisht marshall i Paradës. Ai ka  bashkëpunuar me ne për projekte tëndryshme si dhe ka prezantuar festivalin e tretëtëShkollave Shqipe nëNew York, festival qëu organizua nga Shkolla Shqipe “Alba Life” nëStaten Island.

Marrja e pllakës nga Z.Marko Kepi u mirëprit me duartrokitje tënxehta nga tëgjithëtëpranishmit.  Pllaka kishte këtë motivacion: “Për suportin pa limit tëShkollës Shqipe “Alba Life” qëruan kulturën dhe traditat shqiptare.  Për lidershipin dhe shërbimn e jashtëzakonshëm nëkomunitet nëpërmjet Rrënjëve Shqiptare qëkulmon me Paradën Shqiptare dhe ështënjëfrymëzim për tëgjithëshqiptarët”.

Marko Kepi falënderoi përzemërsisht z.Qemal Zylo si dhe gjithë stafin e shkollës për vlerësimin qëiu bëdhe tha se gjithmonëzemra ime ështëpranënxënësve, pranëtërinjve tëkësaj shkolle.  Une kur kam ardhur nëAmerikëkam qenënëmoshën e këtyre nxënësve.  Kur mësuesja amerikane spjegonte hartën e botës shumëshokëdhe shoqe tëmia nuk e dinin ku binte Shqipëria.  Ndonëse ajo ështëe vogël nëhartë,sepse ështëndarëpadrejtësisht nga fuqitëe atëhershme, unësi fëmijëmërzitesha qëata nuk e dinin, ndërsa kur u thoshja për Italinë, Greqinë, Maqedoninë, etj ata menjëherëe gjenin dhe pse ne jemi ngjitur me ta.   

Marko Kepi foli si njëlider shqiptaro-amerikan plot kulturëdhe dashuri për Kombin. Ai tha se kur unëvizitova shkollën “New Dorp”, njëdjalëngriti dorën dhe tha se unë jam Rafael Gjana dhe jam nxënës i Shkollës Shqipe “Alba Life”, çka tregonte krenarinëe tij për këtë shkollë  Po kështu nënjëtakim tjeter me shqiptarënjëdjalëi vogël Jahedin Doci ngriti dorën dhe tha se unëjam nxënës i Shkollës Shqipe “Alba Life”  dhe syte i ndrinin nga gëzimi.  Po më tha i ati I tij Safeti, ai ndihet shumëkrenar dhe Flamurin shqiptar tërëditën nuk e lëshon nga dora, vetëm e valëvit.

Me këta shembuj qësolla dua tëthem se këta nxënës nuk do t’i harrojnëkurrëmësueset e tyre, Shkollën dhe gjithçka qëata mësuan rreth historisësëKombit.

Ju falënderoj nga zemra për vlerësimin qëmëbëni dhe premtoj se do ju mbështesim vazhdimisht qëShkollat shqipe tëlulëzojnësa mëshumëkëtu nëDiasporën tonë.

Z.Zylo ftoi tëgjitha mësueset Adelina Laçaj, Entela Muda, Vlera Thaqi, Brunilda Puli, Denisa Sinani, Gela Bulku, Ardita Miloti Vadahi, Dr. Valbona Zylo Watkins,  Ambasadoren Sahatqija. Konsullen  Najada Sojli, z.Marko Kepi për tëndarëcertifikatat e nxënësve.  

Z.Zylo shprehu mirënjohjen e tij personale, tëBordit tëshkollës si dhe të gjithëfamiljes së tij për punën e të gjitha mësueseve plot përkushtim, dashamirësi dhe profesionalizëm.

Nxënësit morën certifikatat e tyre plot krenari dhe ngazëllim nëshpirtrat e tyre tëpastër si kristali.

Ai ftoi gjithashtu tëbënte foton tradicionale me tëgjithëpjesëmarrësit nëkëtëaktivitet përmbyllës tëvitit shkollor 2018-të-2019-tëtëshkollës shqipe “Alba life”.

Mësuesja Adelina Laçaj ftoi prindërit, mësuesit dhe nxënësit nësofrën shqiptare të“Alba Life” me ushqime dhe pije freskuese tëgatuara plot shije nga amvisat e mrekullueshme shqiptare.

Gjatëpushimit u festua me plot dashuri ditëlindja e nxënëses brilante Gloria Puli ku mamaja e saj mësueseja Brunilda Puli ndau tortën tëpërgatitur nga duartëe saj.

Tëgjithëpjesëmarrësit u argëtuan nën tingujt e DJ tëdrejtuar mjeshtërisht nga Odise Salillari.

Koncerti u filmua dhe fotografua nga Stafi I TV “Alba Life” si Todd Watkins, Shpëtim Bardhi dhe Elton Xhaferri, ku sëshpejti do tëtransmetohet nëkanalet televizive.

  • Per me shame fotografi Shkolla ne Facebook-Gazeta Dielli…

Qershor, 2019-të

Staten Island, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Kozeta ZYLO-Koncert- Shkolla Shqipe-Alba Life

PËR NJOHJEN E KOSOVËS NGA IZRAELI

June 16, 2019 by dgreca

NGA AKRI ÇIPA /*
Shtatorin e kaluar, deklarata e Hashim Thaçit, Presidentit të Kosovës, se ai do të hapte ambasadën në Jeruzalem nëse Izraeli do e njihte Kosovën si një shtet sovran u shpërnda gjerësisht nga mediat izraelite. Deklarata e Presidentit Thaçi ishte vetëm një nga disa përpjekje të zyrtarëve kosovarë për të bindur Izraelin të tejkalojë hezitimin e deritanishëm dhe të njohë shtetin më të ri në Ballkan. Pavarësisht se ishte një pohim disi populist, sugjerimi themelor se Izraeli do të fitonte një mik duke njohur Kosovën fton për reflektim. 
Këtë vit, Kosova festoi 11 vjetorin e pavarësisë nga Serbia – pas shpalljes së njëanshme të vitit 2008. Kosova – popullsia e së cilës është mbi 90% etnikisht shqiptare, është njohur nga më shumë se 110 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe shumicën e vendeve perëndimore. Megjithatë, Serbia, e mbështetur nga Rusia, refuzon tënjohë Kosovën dhe është përpjekur në mënyrë aktive për ta bllokuar atë nga integrimi nëorganizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara. 
Izraeli është në grupin e vendeve që ende nuk e njohin Kosovën si një vend të pavarur. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare me njëra-tjetrën. Ngurrimi i Izraelit përtënjohur Kosovën është pjesërisht i motivuar nga frika se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës mund të përdoret si precedent në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. Megjithatë, faktet tregojnë që nuk ka bazë për frikëtëtillë. 
Pavarësia e Kosovës është e bazuar në aspiratën për vetëvendosje të popullsisë së saj pas fushatës së spastrimit etnik që Serbia zhvilloi kundër këtij rajoni të mëparshëm autonom dhe që u ndalua nga ndërhyrja ndërkombëtare. Bisedimet e udhëhequra nga OKB midis 1999 dhe 2008 duke nxitur një zgjidhje përfundimtare për konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë dështuan për shkak të refuzimit serb. Nuk mund të ketë krahasim në këtë rast me konfliktin izraelito-palestinez, ku tejzgjatja e konfliktit vjen kryesisht për shkak të refuzimit në shumë raste të udhëheqjes palestineze për kompromis. 
Për më tepër, shpallja e pavarësisë së Kosovës është mbështetur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Në Opinionin e saj Këshillimor në vitin 2010, pas kërkesës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, GJND-ja vuri në dukje se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar. Rasti sui generis i Kosovës është argumentuar herë pas herë. Megjithatë, argumenti më i pakundërshtueshëm ndaj analogjive të mundshme midis kontekstit Kosovë-Serbi dhe konfliktit izraelito-palestinez është refuzimi i Autoritetit Palestinez për pavarësinë e Kosovës dhe mbështetjen e qartë për Serbinë. Ky qëndrim varros në vetvete të gjitha pretendimet e mundshme që Kosova mund të përdoret si precedent për rastin palestinez. 
Faktori tjetër i rëndësishëm që ka ndikuar në qasjen e zyrtarëve izraelitë për Kosovën ka qenë plasaritja hipotetike që kjo njohje do të shkaktonte në marrëdhëniet midis shtetit të Izraelit dhe Serbisë. Por marrëdhëniet serbo-izraelite kanë pasur problemet e tyre. Në shumë raste, Serbia ka mbështetur palestinezët dhe aleatët e tyre në OKB. Vitin e kaluar, Serbia kritikoi ashpër Izraelin për pjesëmarrjen në një ceremoni në Kroaci. Por, marrëdhënia midis dy vendeve ka treguar se është e qëndrueshme dhe i ka kapërcyer këto përplasje. Njohja izraelite e Kosovës, sipas të gjitha gjasave, do jetë po aq e kapërcyeshme për marrëdhëniet izraelito-serbe. Në fund të fundit, shumica e vendeve demokratike perëndimore e njohin dhe mbështesin në mënyrë aktive pavarësinë e Kosovës dhe Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie miqësore me ta. 
Së fundmi, njohja e Kosovës do të përbënte një mik të shtuar për Izraelin. Përveç deklaratave zyrtare, shqiptarët në përgjithësi kanë një simpati të thellë për bashkësinë hebraike dhe shtetin hebre, i cili manifestohet edhe në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe shtetit të Izraelit. Kjo marrëdhënie mes shqiptarëve dhe hebrenjve u forcua në tragjedinë e Holokaustit, kur shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë refuzuan t’i dorëzonin anërarët e komuniteteve lokale hebreje te Italia fashiste dhe Gjermaninënaziste; ndërkohë që ndihmuan shumë refugjatë hebrenj që iknin ngaEvropa Qendrore dhe Jugore duke u ofruar atyre ushqim dhe strehim. Dhe kjo lidhje u përforcua në vitin 1999kur,gjatë spastrimit etnik të kryer në Kosovë nga Serbia, Izraeli mirëpriti refugjatët shqiptarë. 
Këtë javë, më 11 qershor, Kosova festoi kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e saj nga Kosova. Ky kapitullim bëri të mundur që një milion refugjatë që ikën nga Kosova gjatë luftës, duke përfshirë ataqë përkohësisht gjetën strehë në Izrael, të kthehen në shtëpi. Por, në të njëjtën kohë, ishte momenti përcaktues që i vuri në lëvizje rrotat e historisë dhe çoi në realitetin e ri të pavarësisë së pakthyeshme të Kosovës. Nëse ka diçka që edhe kritikët e tij gjithmonë e pranojnë, kryeministri Benjamin Netanjahu e ka udhëhequr Izraelin përmes një qasjeje realiste dhe pragmatike drejt zgjerimit të listës së miqve të Izraelit në arenën botërore. Duke njohur Kosovën tani, Izraeli jo vetëm që do të bënte drejtësi ndaj realitetit, por do të shtonte edhe një emër në atë listë. 
 
Shkrimtari është një ekspert për çështjet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Shkrimi ështëbotuar fillimisht nëanglisht në Jerusalem Post https://www.jpost.com/Opinion/The-case-for-Israels-recognition-of-Kosovo-592627.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Cipa- Kosova- Izraeli- Njohja

Miqësia

June 16, 2019 by dgreca


Shkruan: Astrit Lulushi/Aristoteli ka lënë një analizë për miqësinë. Ai bën dallim midis miqësisë së vërtetë dhe dy formave të tjera, të cilat kanë të bëjnë me dobinë dhe kënaqësinë reciproke. Aristoteli thotë se miqtë janë ata njerëz që duan më të mirën për njëri-tjetrin për hir të miqësisë, kur secili e do tjetrin për atë se kush është. Sipas tij, miqësia e përsosur është e vështirë të zhvillohet dhe prandaj kërkohen kushte të veçanta. Duhet të ketë barazi ose analogji midis miqve, sepse është i vështirë afrimi me njëri-tjetrin në qoftë se je në status të pabarabartë shoqëror me tjetrin. Por edhe midis të barabartëve në status, ka nevojë për disa ngjashmëri në karakter, në prirje dhe ide. Miqësia duhet të bazohet në ndershmëri, altruizëm dhe gatishmëri. Një tjetër formë interesante e klasike e miqësisë është dhënë nga politikani romak dhe oratori Ciceroni, i cili besonte se miqësia bazohet në meritat; ajo nuk ofron përfitime materiale, as nuk kërkon ndonjë.
Por duket se as Aristoteli dhe Ciceroni nuk gjetën një miqësi të tillë; njëri u arratis nga Athina, ndërsa tjetri u vra nga bashkëkombësit e vet. Fjalët e fundit të Ciceronit ishin: “Nuk ka asgjë të saktë për atë që po bëni, por përpiquni të më vrisni siç duhet.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Miqësia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT