• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2019

Mbi lirinë

June 3, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Vdekja është si një tunel, pa dalje, megjithatë, çuditërisht, njeriu vrapon i lumtur sikur të mos e dijë se kalon nëpër rrugë të verbër. Është e qartë se vdekja do të vijë, prej saj nuk ka ikje; është një e vërtetë për të cilën njerëzit përgjigjen me frikë dhe shpesh krijojnë mbrojtje që dukshëm ndikojnë karakterin e tyre.
Liria nuk është diçka që mund të konsiderohet burim shqetësimi. Është krejt e kundërta. Liria në përgjithësi shihet si një koncept pozitiv, por në kontekstin e mbijetesës, koncepti i lirisë i frikëson njerëzit. Liria i referohet faktit se një njeri është përgjegjës vetëm për jetën dhe veprimet e tij. Nëse është i vërtetë fakti që njeriu vetë e krijon botën vet, kjo do të thotë që ai nuk qëndron në tokë të fortë dhe se poshtë tij ekziston humnera. Ndryshe nga përvoja e përditshme, njeriu jeton vetëm përkohësisht, vjen dhe shkon nga një botë që nuk është as koherente, as e strukturuar mirë. Ushtrimi i lirisë hap rrugën e përgjegjësisë, e cila është burim i rëndësishëm ankthi për njerëzit. Njerëzit ndryshojnë shumë, varet nga shkalla e përgjegjësisë që ata mund të marrin. Disa fajësojnë të tjerët për atë që u ndodh, ose kushtet e jetës, apo bosët e tyre. Të tjerët mohojnë plotësisht ekzistencën e përgjegjësisë duke e konsideruar veten “viktima të pafajshme” që vuajnë nga ngjarje të jashtme, ndoshta duke shpërfillur nëse vetë ata i kanë vënë në lëvizje këto ngjarje.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Mbi lirinë

DITËT SHQIPTARE NË BAVARI

June 3, 2019 by dgreca

–
Prezenca e jashtzakonshme e sopranos me famë botërore Ermonela Jaho , interpretimet e artistëve te rinj: Flaka Goranci , mezo soprano, Ausilijo Mehmeti, pianist, formati mjaft i bukur me të cilin ishte konceptuar kjo veprimtari çelëse …/

NGA MARJANA BULKU/

Identifikimi i shqiptarëve nëpër botë në ditët e sotme perbën një nga sfidat akute të shekullit aktual në kushtet kur bota shqiptare e ka më shumë sesa jetike bashkimin e vlerave, individëve, historive të tyre të punës, progresit dhe suksesit.”Ditët shqiptare ne Bavari” nisën me një veprimtari të veçantë ideuar dhe organizuar nga Konsullata Shqiptare në Mynih ,konsulli i përgjithshëm zoti Arten Hanku dhe një grup pune që mbështetën,sponsorizuan dhe  organizuan një veprimtari të veçantë jo vetëm në axhendën e Konsullatës por edhe për komunitetin e shqiptarëve të cilët jetojnë aty.

Prezenca e jashtzakonshme e sopranos me famë botërore Ermonela Jaho , interpretimet e artistëve te rinj: Flaka Goranci , mezo soprano, Ausilijo Mehmeti, pianist, formati mjaft i bukur me të cilin ishte konceptuar kjo veprimtari çelëse krijuan një impakt mjaft pozitiv edhe për miqtë gjermanë të ftuar të shumtë të cilët e ndoqën këtë event  mbresëlënës.

Veprimtari të tilla duket se janë intesifikuar vitet e fundit në Mynih, shprehen disa prej pjesmarrësve ndërsa për Konsullin Arten Hanku ky është vetëm fillimi pasi sipas tij kapacitetet akademike , kulturore e intelektuale nuk mungojnë dhe duhen ca energji të përbashkëta dhe vullnete pozitive për ti vene ne pah në mjedise si këto .

Paneli i mbrëmjes i thjeshtë në dukje por jo aspak në përmbajtje i vendosur në një sallë prestigjioze në zemër të Mynihut kishte ,  në qendër ekranin gjigand me disa spote interpretimesh madhështore të Ermonela Jahos në Madrit, Londër , Washington, Nju Jork, Australi, Gjermani dhe dy karrike ku   Ermonela Jaho (soprano) dhe Shpresa Gazheli ) permes një  komunikimi të veçantë, dialogues, transmetuan mesazhe  të cilat i dhanë mbrëmjes elemente të shumfishta emocionesh por edhe informacionesh me vlerë.Madhështia e artistes u shkri me rrëfimet e udhëtimit të saj artistik plot me sfida e vështirësi, plot me shkëlqime dhe vlerësime nga kritikët mē të mëdhenj të cilët e ndjekin artisten në axhendën e saj të pandalshme. Rolet tragjike të Jahos, plastika interpretative, duartrokitjet e pandalshme, vlerësimet e kritikëve dhe shtypit prestigjioz ndërkombëtar duket se nuk do ta zëvëndësonin dot këtë ditë shqiptare në Bavari që nis dhe kulmon me një prej ikonave shqiptare e cila është kaq e thjeshtë dhe e brishtë në komunikimin e saj po aq sa madhështore dhe magjike në interpretimet dhe rolet operistike skenave botërore. 

Ditët shqiptare në Bavari , një traditë pothuaj tre vjeçare bashkojnë qindra shqiptarë të cilët jetojnë , sfidojnë dhe arrijnë suksese nē Gjermani duke mos harruar vendin nga vijnë. Profesorë, mjekë e specialistë i japin duart njëri tjetrit duke dëshmuar se nuk ka qenë e lehtë t’ ja nisësh nga e para në vend të huaj , por është bukur kur së bashku dëshmojnë arritje e vështirësi duke dëgjuar dhe ndihmuar njëri -tjetrin. Ndërsa për brezin që rritet këtu , ditë si këto janë më shumë se historike, janë pesha e kohës që ata nuk e njohin por që është prezente nëpër rrënjët e tyre prindërore.

Ditët shqiptare në Bavari  do vazhdojnë për një javë me evente të tjera të cilat do identifikohen mes produkteve më tē mira të botës shqiptare këtu, – shprehet Konsulli shqiptar Arten Hanku i cili është nxitësi , iniçuesi dhe organizatori i këtyre ditēve që lënë pas jehonë të gjatë sa vërtet bëhen të domosdoshme në rutinën e pêrditëshme të jetës së shqiptarëve të Gjermanisë

31 maj 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Marjana Bulku-Ditet Shqiptare-Bavari

SHKOLLA E VATRES NE CLEWATER FESTOI 1 QERSHORIN

June 3, 2019 by dgreca

NE SHKOLLEN SHQIPE NE CLEARWATER FLORIDA,FESTOHET 1 QERSHORI DITA NDERKOMBETARE E FEMIJEVE/

SHKRUAN: NDUE GJEKAJ /Clewater-Florida/

Festa e 1 Qershorit, dita ndërkombëtare e femijeve,tani është kthyer në traditë të zakonshme edhe ne shkollen shqipe ne Clearwater Florida. Nen kujdesin e Deges se Federates Pan Shqiptare te Amerikes”VATRA”  te Tampa bay dhe te mesueseve te kesaj shkolle Mimoza Tragaj e Ana Kullaj ne mjediset e kesaj shkolle u mblodhen te festonin se bashku prinder dhe femije. Ceremonia ishte emocionuese. Ne fjalen e hapjes mesuesja Mimoza Tragaj pershendeti femijet, mesueset dhe prinderit. nder te tjera ajo nenvizoi arritjet e shkolles: “kete vit shkollor pati arritje te shkelqyera si te nje pjesmarrjen me te gjere te femijeve ne mesim, ashtu dhe ne nivelin e perversimit te programit mesimor”. Ajo falenderoj degen e Vatres dhe kryetarin e saj z.Tasim Ruko per interesimin mbeshtetjen dhe kontributin e tyre, c’ka ka bere te mundur funksionimin normal te kesaj shkolle. Nje falenderim special ajo percolli per  prinderit e e mrekullueshem,qe gjate te gjithe vitit shkollor jane perkujdesur per marvajtjen ne mesime te femijeve te tyre, ku vecoje prinderit Ardina Naqo, Ante & Genta Zizolli, Blendi Priftin, te cilet kane dhene kontribute et vecanta per shkollen.

Pas fjales se mesueses Mimoza Tragaj,do ta merrnin fjalen femijet, te cilet i dhane nje gjalleri te vecante festes se tyre. Moderatorja e veprimtarise festive kushtuar 1 Qershorit,  nxenesja e kesaj shkolle Sara Bako,hapi programin e pregatitur posacerisht me kenge,valle dhe recitime ne gjuhen e embel shqipe, ku ishin aktivizuar pothuajse te gjithe nxenesit. Interpretimet e bukura si ne te folurit shqip,ashtu dhe lojen aktoreske,bene qe salla te shperthente me duartrokitje te panderprera. Nga emocionet prinderit nuk i mbajten lotet e gezimit tek degjonin femijet e tyre qe flisnin e interpretonin aq bukur ne gjuhen e nenes, ne nje shqipe te paster. Jo vetem Alisa e vogel,Kostina,Andrea dhe Izabela, por te gjith pa perjashtim;,Katja, Sierra,Kostina,Kledi,Migeli,Diari,Joeli,Saranda,Nadja, Mariza,ishin te mrekullueshem.

 Pas programit artistik,mesuese Mimoza,nderoj me certefikata nxenesit per rezulttet e shkelqyera ne mesime per vitin shkollor 2018-2019.

Nxenesit, mesuesit dhe prinderit, i ka pershendetur dhe kryetari i deges se Vatres Z.Tasim Ruko i cili falenderoi te pranishmit,e ne vecanti vlersoi kontributin dhe punen e pa lodhur te mesueseve dhe prinderve ne funkesion te mbarvajtjes se shkolles shqipe. Ai duke cituar vargjet e Fishtes: “Pra mallkue njaj bir shqiptari/ Qe kete quhe te perendise/ Trashigim qe ja la i pari/ Trashigim s’ja len ai f’mise”….

Z. Ruko u beri thirrje te gjithe komunitetit shqiptar,qe te punojne per trashegimin e kesaj gjuhe tek brezat, duke ju bashkengjitur shkolles shqipe. Ne fund, per nxenesit dhe gjithe te pranishmit me mbeshtetjen e Vatres dhe te prinderve,u shtrua nje koktej me pije freskuese,embelsira etj , me sponsor New York pizza Tampa,dhe kaluam shume momente te bukura gezimi e lumturie,qe prania e femijeve sjell ne shpirtin e cdo prindi….

Clearwater me 1 Qershor2019.

Filed Under: Featured Tagged With: Shkolla Shqipe Cleawater-Tasim Ruko

Hans Joachim Lanksch dhe poeti ynë Zef Zorba

June 2, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Në gzetën Illyria #2558, May 24 – May 30, të këtij viti, lexova shkrimin e idhtë e të dhimbshëm të  largimit fizik nga kjo botë të përkthyesit të letërsisë shqipe në gjermanisht Hans Joachim Lanksch. Si mirëdashës dhe përkthyes i pasionuem i letërsisë shqipe në gjermanisht, ai do të jetojë gjithmonë në zemrat dhe në mendjet e shqiptarëve që merren me letra.

 Kur punoja si editor në gazetën “Dielli”,në vitin 1994 dhe më vonë, pata ra në kontakt me Lanksch-in dhe u bëmë miq; natyrisht: me korrespondencë. Ajo që dua të vë në dukje është fakti që Lanksch nuk u muar vetëm me përkthimet e poetëve tonë në gjermanisht, por ushtroi një veprimtari të gjërë kulture. Kur Lanksch ra në kontakt me poezinë e poetit tonë Zef Zorba, në vitin 1996, e vlerësoi atë dhe organizoi një komision të përbërë  prej atij vetë, prej prof. dr.alter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut) dhe prof. dr. Ilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut) që i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj. Argumenti: “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkruar në Shqipni”.1).

 1). Hans-Joachim Lanksch: “Arti autonom i fjalës”,  revista“Phoenix”, 1997 / 1, f. 49-52).

*   *   *

Kush është Zef Zorba

 (1920-1993)–

Zefi pati ndërprerë studimet e larta në Itali, në kohën e luftës, dhe qe kthyer në atdhe. Duke punuar si regjizor në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, në vitet 1945-46, vuri në skenë pjesën dramatike “Juda Makabe” të Fishtës, e cila trajtonte luftën për çlirim dhe tradhtinë kombëtare, problemet më të mprehta kombëtare, në atë periudhe kur në fshatrat per rreth Shkodrës, në Postribë, në Malësi të Madhe dhe në Mirditë vlonte lufta për të mos rënë nën thundrën komuniste ose për ta përmbysur atë. (Zef Zorba, “Disidenca e parë e organizuar e intelektualëve të Shkodrës”, “Hylli i Dritës”, numër i posaçëm, Tiranë, 1996). Kështu, Zorba e shpalli vetën haptas si disident i regjimit, që porsa kishte filluar të lëshonte rrënjë. Për këtë ai vuajti burgun e rëndë të viteve 1946-1951. Mbasi doli nga burgu, punoi si llogaritar në ndërmarrjet e qytetit. 

Pas vdekjes, nën kujdesin e Stefan Çapalikut, iu botua vëllimi poetik “Buzë të ngrira në gaz”, një përmbledhje poezish lirike të shkruara brenda skajeve të një jete të tërë, prej rreth 40-50 viteve. “Buzë të ngrira në gaz” është shqiptimi i një poetike të lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, pse jo edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend dhe të shkëputur nga bota.

“Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e një intelektuali të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë moderne, duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Hungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T. S. Eliot, dramaturg si Shou. Pirandelo, Uelld, Uajllder, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer, etj., etj.” (Stefan Çapaliku, në shënimin në kopërtinën e fundit të librit “Buzë të ngrira në gaz”).

Në vitin 1989, mbasi shkroi edhe një pasthënie, e cila hedh dritë mbi lëndën poetike të përmbledhjes, natyrën sintetizuese rigoroze të poezisë së tij, që “në realitet ka qenë gjithmonë tipar i poezisë” në përgjithësi. ( Zef Zorba, “Pasthënie” e librit “Buzë të ngrira në gaz”, f. 98-101).

Me punën e lodhshme e të stërmundimshme të mjeshtrit, Zorba kërkon një komunikim të plotë me lexuesin “komunikim që s’i drejtohet një leçitësi të plogtë, pasiv e indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje. Jo. Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër.” (Z. Zorba, po aty).

Menjëherë mbas përmbysjes së diktaturës, Zorba filloi bashkëpunimin me revistën “Hylli i Dritës”, organ i françeskanëve. Në fushë të krijimtarisë origjinale, ai përveçse autor i përmbledhjes poetike, që përmendëm, është edhe autor i disa pjesëve dramatike e librete operash. Pjesë e rëndësishme e prodhimit të tij letrar është edhe një fond i rëndësishëm publicistik e studimor. (Stefan Çapaliku, refrenca e cituar më lart).

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Lanksch-Zef Zorba

JAVA SHQIPTARE 2019: DITA E PARE

June 2, 2019 by dgreca

Dizenjatorja dhe kostumografja e talentuar Edlira Sula ka sjell njё numёr kostumesh kombёtare/

Nga Rafaela Prifti/ Java Shqiptare 2019 ёshtё njё maratonё shtatёditore nё hapёsirёn tri-shtetёrore me aktivitete si: prezantime interdisiplinore tё nxёnёsve tё shkollave shqipe, vizita tek drejtues e grupe tё shoqatave tё bashkёsisё shqiptare amerikane, pjesёmarrje nё shёrbesa fetare, panele, programe artistike, qё kurorёzohet nё fund me daljen nё paradё nё 8 qershor nё Manhattan. Duke vlerёsuar se viti 2019 shёnon 75-vjetorin e gjenocidit grek tё popullsisё çame, tema e veprimtarisё ёshtё Çamёria.

I ftuar nderi nga Shqipёria dhe Grand Marshall i Paradёs ёshtё Marin Mema, reporter i Top Channel dhe autor i disa cikleve dokumentare prestigjioze. Disa nga veprimtaritё e javёs shqiptare nё Nju Jork do gjejnё vend nё xhirimet e tij nё Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu nga Tirana ka udhёtuar dizenjatorja dhe kostumografja e talentuar Edlira Sula, e cila ka sjell njё numёr kostumesh kombёtare, qё do paraqiten edhe nё paradё. Organizatorёt e veprimtarisё janё drejtuesit nga Rrёnjёt Shqiptare kryesuar nga Marko Kepi, me pёrkrahjen dhe mbёshtetjen e njё numri tё madh tё shoqatave dhe aktivistёve tё komunitetit, si Ana Malit, Plavё Gucia, Federata Pan-Shqiptare Vatra, Kraja, Albanian Excellence, Albanian Youth Center, Shkolla Alba Life etj. Programi i ditёs sё parё tё javёs shqiptare filloi me gjimnazistёt e Klubit Shqiptar nё Shkollёn e Mesme New Dorp nё Staten Island. Grupi i madh i nxёnёsve me origjinё mbarёshqiptare nёn drejtimin e mёsueses Almira Duka janё përgatitur prej disa muajsh pёr programin artistik. Presidenti i Klubit Shqiptar, maturanti Jesin Gjokaj i tha Diellit se pjesёtarёt e klubit praktikohen çdo javё pёr vallet me motive nga tё gjitha trevat shqiptare. Kostumografja Edlira Sula i ndihmoi djemtё dhe vajzat tё vishnin kostumet tё stilit dardhar, fustanellat suliote etj. Tё lidhur nё valle rrethore, grupi i tё rinjve tё Klubit Shqiptar shpalosi ngjyrat kombёtare dhe pёrtёrinё me elegancё njё nga trashёgimitё mё tё vjetra tё kulturёs shqiptare.

   Pas gjimnazit New Dorp, vizitorёt shkuan te nxёnёsit e shkollёs Alba Life nё Staten Island.

Nё hyrje tё ndёrtesёs njёkatёshe tё PS 9, grupi u mirёprit nga drejtuesit Qemal e Kozeta Zylo, mёsuesit, prindёrit dhe nxёnёsit qё mbanin projektet e pёrgatitura pёr Çamёrinё. Nё klasёn e ciklit tё ulёt, tё tёrhiqte vёmendjen prezantimi estetik i tё dhёnave historike kombiunuar me fotografi dhe harta tek punimet e secilit prej nxёnёsve. Unё iu afrova pankartёs sё pёrgatitur nga Onida Grainca ku paraqitej kronologjia e ngjarjeve qysh nga “Konferenca e Londrёs mё 1912 qё ia shkёputi kёtё trevё shqiptare trungut mёmё dhe ia aneksoi atё Greqisё,’ dhe mё tej “masakrimi i udhёheqjes sё Çamёrisё nё mars 1913, Konferenca e Paqes mё 1919, shkёmbimi i çamёve me turq nё mars 1923, Fan Noli pёr Çamёrinё gusht 1924, internimi i burrave çam gusht 1940, qershor 1944 masakrat e Napoleon Zervёs, gusht 1949 incidenti i Leskovikut.” Me tё tillё pёrkushtim dhe disiplinё kishte punuar çdo nxёnёs i shkollёs shqipe Alba Life. Disa prej tyre si Enri Kume, Lorian Kasmi, Natalia Sinani, tё inkurajuar nga mёsueset, flisnin me radhё pёr vend-ndodhjen e Çamёrisё apo udhёtimet me familjet e tyre nё qytete çame si Filati, Gumenica, si edhe pёr origjinёn e emrit Çamёria dhe traditat. Nё klasёn e ciklit tё lartё mё tёrhoqi punimi i nxёnёsit Arelt Xhaferri, i cili kishte paraqitur nё qendёr tё pankartёs Hymnin Kombёtar tё Republikёs sё Çamёrisё. Blenda Shehu, prindёrit e sё cilёs janё nga Kosova e Maqedonia dhe nxёnёsja Erla Lamce, familja e sё cilёs vjen nga Shqipёria kishin punuar sё bashku pёr projektin pёr Çamёrinё. Nxёnёsi Orest Salillari, i lindur dhe rritur nё Amerikё, tё bёnte ta admiroje tek fliste aq rrjedhshёm pёr vizitat e tij nё vendlindjen e babait tё tij nё Devoll. Nё mjediset e shkollёs Alba Life nxёnёsit me origjinё nga çdo trevё shqiptare, teksa paraqitnin punimet e tyre pёr Çamёrinё, tё ulur pranё njёri-tjetrit ishin shprehja mё e afёrt e vizionit tё njё Shqipёrie pa kufi.

Pika tjetёr e programit ishte vajtja nё piknikun familjar tё organizuar nga Albanian Youth Center (AYC) nё Greenwich, Connecticut. Ekipi i vizitorёve arriti me vonesё nё kampin Simmons kur pjesёmarrёsit ishin larguar. Themeluesi i Qendrёs Richard Lukaj, disa organizatore si Angjelina Nika dhe amvisa tё Qendrёs u pёrshёndetёn me mysafirёt. Aktivistja pёr Marrёdhёnie Publike e Qendrёs, Arbana Grembi i tha Diellit se nё piknik u mblodhёn fёmijёt e qendrёs (Albanian Youth Center) nga moshat 4-18 vjeç dhe familjet nga zonat e Fairfield dhe Westchester. “Pёrveç muzikёs shqiptare dhe ushqimeve tradicionale tё gatuara nga familjet e nxёnёsve,” pikniku kishte edhe “shёtitje me kuaj nё park, lojra sportive e kreative, çmime pёr Wine Toss, Raffles, konkurs pёr kapelen mё tё bukur.” Por rёndёsia e organizimit tё piknikut pёr Arbanёn lidhet me pёrcjelljen e kulturёs dhe vlerave tё trashёgimisё shqiptare tek brezi i ri shqiptaro-amerikan. “Aktvitetet e Albanian Youth Center afrojnё familjet e nxёnёsve dhe pёrforcoinё mё tej ndjenjёn e komunitetit shqiptar nё kёtё zonё duke shpresuar se nё kёtё mёnyrё ruhet e trashёgohet identiteti etnik shqiptar,” thotё ajo. Themeluesi i qendrёs, aktivisti dhe bamirёsi, z. Richard Lukaj i ftoi vizitorёt nё shtёpi e tij, disa minuta larg nga vendi i piknikut. Aty nikoqirёt dhe mysafirёt biseduan lirshёm dhe haptaz pёr temat shqiptare me interes historik e kombёtar pёr tё tashmen dhe pёr tё ardhmen.

Fundi i ditёs sё parё u mbyll me shfaqjen nga grupi Rozafati, Hartsdale, nёn drejtimin artistik tё koreografes Angjelina Nika. Ansambli i valleve dallohet pёr kultivimin e vlerave kombёtare pёrmes trashёgimisё sonё kulturore.

Nga vallja e Klubit Shqiptar tё gjimnazit New Dorp tek prezantimet e nxёnёsve tё shkollёs Alba Life nё Staten Island, tek pikniku familjar i Qendrёs – Albanian Youth Center nё Greenwich deri tek shfaqja nga grupi Rozafati, Hartsdale, hapja e javёs shqiptare ishte manifestim mbresёlёnёs i ngjyrave kombёtare tek brezat e rinj tё bashkёsisё shqiptare nё Amerikё.   

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti-Java Shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT