• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Ramush Haradinaj mbrohet në heshtje

July 24, 2019 by dgreca

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfundoi të mërkurën paraqitjen para Prokurorisë së Posaçme në Hagë, që është një nga dy dhomat e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem për çka jam pyetur..”tha ai pasi doli nga prokuroria.

Ai u paraqit në Hagë pak ditë pasi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Kjo është hera e dytë që zoti Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqje nga ky post më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.

Të premten e kaluar ai paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme, meqë, siç tha, nuk dëshironte të çonte në Hagë shefin e qeverisë.

Të martën para se të arrinte në kryeqytetin holandez, ai shkroi në rrjetet sociale se “si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje…”.

Zoti Haradinaj refuzoi thirrjet dhe trysninë edhe të diplomatëve evropian e amerikan për pezullimin e tarifave me të cilat Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Beogradi sërish e ka përsëritur kërkesën për heqjen e tarifave si kusht për fillimin e bisedimeve, ndërsa ka theksuar se dorëheqja e zotit Haradinaj mund të zvarris edhe më tej procesin, meqë mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Vet zoti Haradinja ka bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe ka theksuar se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të jetë pjesë e asnjë ideje tjetër për daljen nga situata aktuale në Kosovë.

Edhe partitë tjera në pushtet, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, pohojnë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të cilët kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, i cilësoi të “pashmangshme”. Opozita pret që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të fillojë këshillimet për të caktuar datën e tyre.

Por, presidenti Thaçi, i cili tha shkurt në një njoftim fundjavën që lamë pas se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë, nuk ka bërë asnjë veprim dhe asnjë koment rreth kësaj çështjeje.

Heshtja ka nxitur spekulime për ndonjë përpjekje tjetër për të tejkaluar situatën, ndonëse duket shumë e vështirë duke pasur parasysh qëndrimet e partive politike.

Thirrja në Hagë e zotit Haradinaj ndodhi në të njëjtën kohë kur thirrje të tilla morën edhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie, Bislim Zyrapi, ish anëtari i këtij shtabi Sokol Bashota, ish shefi i një zonë operative të UÇK-së, Shukri Buja, por edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj ushtrie.(Kortezi: Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Haradinaj Ramush

VLERA E PARIMEVE LIBERALE DHE INTERESAT E QYTETARËVE

July 24, 2019 by dgreca

Nga Alberto Alesina dhe Francesco Giavazzi/

Përktheu për Diellin-Eugjen MERLIKA/

            Institucionet e pavarura janë qenësore sepse detyrat e tyre kërkojnë koncepte që shohin në periudha afatmesme e afatgjata që nuk i përshtaten mirë horizonteve të politikës.

            Vladimir Putini pohon se, parimet liberale që deri tani kanë mbarështuar Perëndimin, sot janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Ndërmjet tyre Putin-i fut demokracinë përfaqësuese dhe liberizmin ekonomik. Lidhja ndërmjet udhëheqësit e popullit, në koceptin “populist” të tij, duhet të jetë i drejtpërdrejtë pa ndërhyrjen e një parlamenti që është themeli i demokracisë përfaqësuese. Kjo në fakt bazohet mbi një sistem të “checks and balances” që përfshijnë , përveç parlamentit, institucione të tjera të pavarura: ndërmjet këtyre drejtësinë e, në fushën ekonomike, bankat qëndrore dhe autoritetet e rregullimit të tregjeve. Peshat e kundërpeshat herë herë ngadalësojnë veprimin e qeverisë, po shmangin që drejtues të panënështruar asnjë kontrolli të bëhen në fakt diktatorë.

            Institucionet e pavarura janë qenësore edhe në një demokraci sepse detyrat e ngarkuara atyre (për shembull qëndrueshmëria e çmimeve dhe e ciklit ekonomik e konkurrencës) kërkojnë koncepte që shohin në periudha të mesme e të largëta që nuk i përshtaten mirë horizonteve të politikës, të ndikuar nga grupe të ndryshme trysnie dhe afatesh kohore zgjedhore të qeverive. Pavarësia duhet të ketë caqe të sakta, të përcaktuara nga ligje e statute e qeveria duhet të ketë pushtetin të emërojë, në ndërhapësirat e rregullta, drejtuesit e këtyre institucioneve me një proçedurë që të shohë bashkëpunimin e institucioneve të tjera, për shembull të vetë parlamentit.

            Një libër i bukur i Paul Tucker, ish zëvendësguvernator i bankës s’Anglisë, shtjellon rolin dhe organizimin më të mirë të institucioneve të pavarura në një sistem demokratik. Ndërsa në Moskë, banka qëndrore merr urdhëra drejtpërsëdrejti nga Putin-i dhe antitrasti rus është thjesht një ministri e qeverisë nën urdhërat e presidentit.

Në Perëndim janë dashur shumë dhjetravjeçarëpër të krijuar institucionet e pavarura dhe disa, populistët të parët, sot pyesin veten nëse pavarësia e tyre duhet ruajtur. Le të marrim në shqyrtim më parë konkurrencën. Disa muaj më parë Komisioni evropian, të cilit traktatet i kanë dhënë fuqi ekzekutive sa i përket konkurrencës, ndaloi shkrirjen e dy ndërmarrjeve të mëdha, njëra franceze e tjetra gjermane, Alstom dhe Siemens, duke gjykuar se do të lindëte një gjigand që do të kishte rrënuar konkurrencën  e çmimeve për konsumatorët. Franca e Gjermania protestuan , por nuk mundën të bënin asgjë sepse Komisioni është i pavarur. E njëjta gjë ndodhi njëzet vite më parë kur antitrasti i Brukselit, atëherë i drejtuar nga Mario Monti, detyroi Gjermaninë të shmangëte sigurinë publike për Arkat e kursimit gjermane, një formë e ndihmës së Shtetit. Edhe atherë qeveria gjermane sokëlliu por nuk mundi të bëjë asgjë.  

Ndërsa për sa i përket bankave qëndrore, pak më shumë se mbas një dhjetëvjeçari nga fillimi i krizës financiare mund të pyetet se si duhet gjykuar qëndrimi i tyre. Bankierët qëndrorë janë paditur me të drejtë se kanë kuptuar me vonesë se çfarë po ndodhte e si po zhvillohej një furtunë e rëndë financiare. Problemet ishin tre. I pari: vepruesit e tregjeve financiare ishin dehur nga ideja se çmimet e aksionevet dhe titujt e tjerë nuk mund veçse të ngriheshin dhe fitimet e tyre të vazhdonin në pafundësi pa rreziqe. Ishin mashtruar se veprime komplekse financiare të cilat kishin si pasojë fshehjen e rrezikut global do të mund t’a shmangnin atë. I dyti: bankat qëndrore nuk kuptuan se tregjet financiare kishin ndërmarrë një dinamikë të pambrojtëshme dhe nuk ndërhynë. I treti: shumë nga ekonomistët që në bankat qëndrore, por edhe në universitetet merreshin me makroekonomi e financë, ishin të verbuar nga ideja se tregjet ishin “të përsosur” e do të ndreqeshin vetë pa dhimbje. Dy ekonomistë, Nicola Gennaioli i Bocconit dhe Andrei Shleifer i Harvardit i përshkruajnë në mënyrë mjeshtërore këta gabime të rënda vlerësimi në një libër të tyre të kohëve të fundit.

Të mbajmë parasysh se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa mund të duken. Të shmangej kriza financiare ishte një lojë fëmijësh: mjaftonte të viheshin kufizime shumë të shtrënguara për marrjen e rrezikut dhe për rezervat e bankave. Por kështu do të shtrëngohej borxhi për familjet e ndërmarrjet, duke penguar rritjen. Është pak a shumë si të thuash se është e lehtë të shmangeshin pothuajse të gjithë aksidentet rrugore duke bërë të detyrueshme  shpejtësinë më të lartë atë 50 km n’orë në autostrada. Ndërsa bashkërisht zgjedhim të pranojmë një numur të lartë aksidentesh vdekësorë për të mundur të ecet më shpejt. Si të mbahet në një drejtpeshim rritja dhe qëndrueshmëria financiare është pra një problem jo i thjeshtë.

Përgjigja e bankierëve qëndrorë mbas shpërthimit të krizës ka qënë veçanërisht e volitëshme. Para së gjithash kanë kuptuar se duhej t’a mbushnin me para sistemin financiar, duke shmangur gabimin e kryer gjatë krizës së vitit 1929. E bëri Ben Bernanke, guvernatori i Federal Reserve, një ekonomist akademik, fama e të cilit i detyrohej pikërisht studimeve të tij për krizën e 29-ës. Të njëjtën bënë edhe bankat qëndrore të Japonisë e të Anglisë dhe Bqe e Mario Draghit, mbasi që parardhësi i tij, Jean – Claude Trichet, më 2011, i kishte ngritur dy herë përqindjet e interesit, duke përsëritur gabimet e vitit 1929.  Veç asaj Fed kuptoi shpejt se duhej ndërhyrë për të mbështetur sistemin bankar e për të shmangur shëmbjen. Banka qëndrore dhe qeveria amerikane vepruan me shpejtësi e me sukses, aq sa depozituesit të mos humbnin as një dollar. Nëse ka qenë një gabim të lihej të falimentonte Lehman Brothers apo mund të bëhej ndryshe nuk është e padiskutueshme.

N’Evropë u desh shumë kohë për të ndërhyrë në stabilizimin e bankave, por për një arsye politike: “kapja” e qeverive nga ana e aksionistëve të bankave që donin të shmangnin pësimin e humbjeve.Ndërmjet të tjerash kjo ngadalësoi ndërtimin e një strukture financiare me kontroll evropian në zonën euro, i ashtuquajturi “bashkim bankar” që vetëm sot, mbas dhjetë vitesh të krizës, Evropa me shumë ngadalësi po mundohet t’a plotësojë.

Arsyeja tjetër për të cilën u shmang katastrofa është se u ndalua shtyrja populiste për mbylljen e tregjeve dhe luftën e tarifave, edhe në sajë të dhjetëvjeçarëve të studimeve ekonomike që kanë treguar se proteksionizmi është rrënues dhe se mbajtja e tregëtisë së lirë ndërkombëtare është jetike, edhe në çaste krizash në të cilat shfaqen kërkesa të fuqishme”Proteksioni”. Mbas krizës së 1929 u bë saktësisht e kundërta me përfundimin që PPB ra me 30% në SHBA e pak më pak n’Evropë. Së fundi qeveritë lejuan që borxhet e brëndëshme të shtoheshin, si për pasojën automatike të rënies ekonomike, si për efektet e politikave të stimujve tatimorë, duke ndjekur porositë e zhvilluara nga kërkimi ekonomik që në vite kishte përpunuar mendimin e Keynes-it. Raporti borxh PPB arriti në 6% në Shtetet e Bashkuara, 3 në Gjermani, 5 në Francë, 6 në Britaninë e Madhe, 2 në Suedi ( nga një tepricë prej 4% para krizës), të gjithë Vënde me bilance të qëndrueshme dhe një nam fiskal të padiskutueshëm, që mbrapa nuk kanë patur nevojë të marrin masa regjimi kursimi.

Ndërsa aty ku regjimi i rreptë i kursimit ka filluar shpejt, ose më parë se të mbaronte rënia ekonomike, qe në ata Vende që për një arsye apo një tjetër kishin një gjëndje tatimore të paqëndrueshme, megjithëse politika monetare e Bqe ishte fuqimisht espansive.Në Irlandë e në Spanjë për shkak të shpërthimit të një flluske spekulative  të ndërtimeve me pasojat e saj mbi bankat dhe defiçitin publik; në Portugali dhe Itali për peshën e borxhit të grumbulluar pa arsye në dhjetëvjeçarët e mëparshëm; në Greqi për shkak të politikave jashtzakonisht të pandërgjegjëshme të dhjetëvjeçarit para krizës. Kur në këta Vënde u bë e nevojshme të zbatohej rreptësia financiare më parë se të mbaronte rënia ekonomike, shumë ekonomistë këshilluan të shkurtohej harxhimi e jo të rriteshin taksat. Këto këshilla u vërtetuan të sakta; Vëndet që vepruan kështu kanë patur rënie ekonomike më të shkurtëra e më pak të thella.

Por Putinit e gjithë kjo i intereson pak. Mbështetja e tij për populizmin, edhe për atë italian, është vetëm një mënyrë për të ligjësuar diktaturën e tij “në fakt” e për të përforcuar partitë që në Be kërkojnë të çmontojnë ndërtesën evropiane. Kështu do të lirohej nga një konkurrent e do të kthehej tek dypolësia ShBA – Rusi me një tjetër më shumë sot, Kinën.

Corriere della Sera, 3 korrik 2019     E përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Alberto Alesina-Francesco Giavazzi-Eugjen Merlika

Alpinistja nga Kosova në 5 maja të botës mbi 8,000m

July 23, 2019 by dgreca

Uta ngjitë edhe Gasheburum 1 (8,058 m), bëhet e para vajzë në Ballkan me 5 maja mbi 8,000m/

Me 12 qershor, rreth orës08:00, alpinistja Uta Ibrahimi ngjiti edhe majen “Gashurburum 1” (8,058 metra lartësi mbidetare), majen e 11-të më të lartë në botë, pjesë e vargmalit Karakorum, në Pakistan.

Rruga deri në maje të tilla asnjëherë nuk është pa të papritura, për shkak të terrenit të egër, motit të paparashikueshëm, akullnajave dhe orteqeve. Për të arritur deri në kampin bazë (5,200m), është dashur të ecë 150-160 km nëpër kampe të ndryshme, një shteg i përzimë me gurë (morane) e akullnaja.

Ngjitja prej Kampit bazë deri në Kampin 2 (6500m) ka qenë ngjitje krejtesisht pa litardhe mjaft e rrezikshme sidomos per faktin e cravasasve – mirëpo ngjitjet janë bërë me litar në mes të ngjitësëve të ndryshëm.

Për në Kampin 3 (7,200m), ngjitja ka qenë kryesisht teknike, me pjerrtësi prej 50-65% dhe gurë e akull.

“Ngjitjet nga kampi në kamp janë përgatitje e rëndë për sulmin drejt majes, por janë edhe mundësi e mirë për të takuar dhe biseduar me alpinistë nga e gjithë bota dhe kuptohet, për të ju treguar për Kosovën tonë, për malet tona. Me shumë prej tyre e vazhdoj bisedimin edhe pas ekspeditës, dhe në raste të njejta, disa edhe e kanë vizituar Kosovën.” – shprehet Uta Ibrahimi.

Nga Kampi 3 fillon edhe sulmi drejt majes (11 qershor, ora 18:30). Pjerrtësia prej 60% dhe mungesa e litarit e ka bërë ngjitjen më të ngadalshme sesa ishte planifikuar. Në 150 metrat e fundit, së bashku me ekipet tjera (10 persona), është fiksuar litari dhe është vazhduar ngadale drejt majes. Gjatë sulmit drejt majes ishte një acar i madh dhe gjatë gjithë natës kishte rreshje të shumta bore, dhe si rezultat, Uta dhe një pjesë e ekipit marrin ftofje të mushkërive. Por, prap se prap, Uta ngjitet në majen Gasheburum 1 (8,058m) në ora 08:00. 

“Kjo është maja e 5-të 8,000 metërshe që e kam ngjitur, çka zyrtarisht më bën alpinisten e vetme në Ballkan që i ka ngjitur 5 maje mbi 8,000 metërshe – duke e kaluar alpinisten nga Sllovenia (e cila i ka 4 maje të ngjitura). Kam ende maje për ti ngjitur (edhe 9 tjera), por nuk do të ndalem. Jam shumë e lumtur që vazhdoj të promovoj Kosovën nëpër ngjitje, të vendosi flamurin tonë kudo që ngjitem, dhe të ju tregoj botës për bukuritë tona natyrore që vlenë të vizitohen” – ka thënë Uta nga Islamabadi, Pakistan.

Maja Gasheburum 1 (8,058 m)është ngjitë për herë të parë prej Amerikanëve në 1958 nga një rrugë tjetër, dhe me pas ne vitin 1980 nga një ekspeditë japoneze, kah faqja veriore, shteg të cilin e ka ndjekë edhe Uta Ibrahimi. 

Kjo ngjitje është pjesë e ekspedites “14 majet e Himalajeve”, e filluar nga Uta Ibrahimi për të ngjitur gjithsejt 14 majet më të larta të botës – një ekspeditë që shumë pak e kanë realizuar në botë (deri mëtani 3 gra te vetme nga e gjithë bota).

Kjo ekspeditë është përkrahur nga: Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit te Kosovës, Red Bull, Park Hote- Shkup, Aeroporti i Prishtines-Limak, Turkish Airlines dhe Familja Begeja.

*Per me shume fotografi shihni ne facebook(Dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Alpinistja UTa-pushton maja

Kuvendi i Kosovës hap dyert për bashkatdhetarët

July 23, 2019 by dgreca

Më 24 dhe 25 korrik, Kuvendi i Republikës së Kosovës hap dyert për bashkatdhetarët/

PRISHTINË, 23 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Të mërkurën dhe të enjten, përkatësisht më 24 dhe 25 korrik 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon aktivitetin tradicional, “Bashkatdhetarët në Kuvend” dhe hap dyert për të gjithë bashkatdhetarët.

Të gjithë bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës dhe të takohen me deputetë, janë të mirëpritur dhe ftohen t’i bashkëngjiten këtij aktiviteti, thekson njoftimi dërguar Gazetës DIELLI.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kuvendi I Kosoves-Diaspore

LUFTA NDARËSE VAZHDON

July 23, 2019 by dgreca

NGA  ASLLAN  BUSHATI/

Shteti totalitar i E.Hoxhës e çoi luftën e klasave në Shqipëri, më në  ekstrem se çdo vend tjetër komunist  në botë. Çdokush kishe frikë ti shkonte dikujt nga e ashtuquajtura ” klasa e përmbysur” (sikur të mos ishin shqiptar)  edhe  për ngushullim, në rast fatkeqësie në familje edhe kur e kishe të afërt (gjak e gjini). Madje shpesh për këtë duhet të merrje leje tek “nëna “ parti. Kjo  dukshëm erdhi si një ndarje e re në popull tonë multifetar, gjë  që nuk kishte  ndodhur më parë  në historinë tonë  mijra vjeçare. Edhe pushtuesit tentuan ndarjen me idetë e tyre fetare, por nuk ia arritën qëllimit. Kurse komunizmi e arriti ndarjen  e thellë nëpërmjet luftës klasave, kësaj “mortaje” vrasëse kombëtare. 

Me këtë rast do të cek shkarazi dy ngjarje nga jeta ime  në dy periudha kohore  të ndryshme për të arritur në një përfundim. Sëpari: në dimrin e vitit 1989 shkova në fshatin tim Midhë –Burrel për të takuar familjarët e mi. Kishte qenë furtunë dhe ishin rrëzuar disa  shtylla të rrjetit elektrik. Për të ringritur linjë po punonin rreth njëzet burra, ndër të cilët  ishte edhe Abas Sula, një i burgosur politik për 25 vite (por edhe kushëriri im nga Nana). I takova të gjithë përfshi edhe Abazin.  Pas dy ditësh më thirrën në Ministrinë e Mbrojtjes për ballafaqim me një letër anonime (sipas autoriteteve) por që në fakt ishte shkruajtur nga dy bashkfshatarë të mi, duke më qortuar fort se kisha shpërfillur “luftën e klasave” duke i dhënë dorën “armikut të klasës” dhe kushëririt tim Abas Sula.

 Së dyti: Në kohën kur Fatos Nano vuante dënimin në burgun e Bënçës në Tepelenë, ndërroi jetë nëna e tij Marie Nano, (por edhe pedagogia ime e Shkollës Ushtarake Skënderbej). Në këtë kohë  shteti totalitar ishte përmbysur e një frymë më pajtuese kombëtare dukej në horizont, në radhë të parë  për meritë të përndjekurve politik  të sistemit komunist. Unë mbaja postin e Drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i veshur civil, mora pjesë në ceremoninë e varrimit të pedagoges time Marie Nano. Pas dy ditësh më thirri në zyrë ish Ministri (i ndieri Safet Zhulali) duke kërkuar shpiegime për këtë ndodhi. Unë i thashë se kam qenë në ceremoninë mortore të pedagoges time Marie Nano e cila më ka dashur shumë si ish skënderbegas, por që edhe unë e kam dashur shumë ish pedagogen time. Më lejoni tju bëj me dije se në qoftë se Violeta Bylyku- Mejdani (motra e Rexhep Mejdanit), qoftë larg ndërron jetë, unë do të shkoj në ceremoninë e saj se e kam patur pedagoge  dhe e kam dashur shumë ashtu siç edhe ajo më ka dashur e respektuar. Nese gjykoni se kam vepruar gabim, pres i qetë çdo ndëshkim.

Ish Ministri u mendu pak dhe më tha: nuk ke bërë asgjë gabim, jemi shqiptar, njerëz të një gjaku, madje të kërkoj të falur që ta përmenda. Disa ditë më vonë në mbledhjen me drejtuesit e Ministrisë më kërkoi përsëri të falur publikisht. Unë edhe sot pas gati çerek shekulli e kujtoj me respekt këtë qëndrim të të ndierit  Safet Zhulalit.

Tani le të këthehemi në ditët e sotme dhe të bëjmë krahasim me të shkuarën për të parë se ku jemi e ku po shkojmë?. Me  këtë rast nuk kam ndërmend  të marr në mbrojtje asnjë politikan,  për asnjë arsye  dhe nuk pajtohem me askënd, nëse me dije ose pa dije i ka fryrë  frymës  së  një ndarje të re kombëtare postkomuniste.

E them këtë sepse sot në masmedia, çdo ditë e në përmasa vetëm në ngjitje, ka një sulm të paparë gjithformësh të Kryeministrit Edi Rama  kundër opozitës. Ai  kudo e me plot gojën e konsideron atë tradhëtare të vendit (siç bënte Enveri në kohën e tij me klasën e përmbysur). E konsideron përgjegjese për mos ecjen e vendit përpara, pengesa kryesore për mos integrim në BE, pengesa kryesore për mosrealizimin e reformave të  planifikuara, pengesë për gjithçka. Insistimi i tij  mediatik është ngulitja në mendjen e simpatizantëve të tij se e djathta shqiptare ka qenë është e do të jëtë tradhëtare e interesave madhore të Shqipërisë. Sipas tij vetëm të majtët janë mençuria e kombit,  vetëm ata janë  gjeneruesit e bartësit e ideve madhore , vetëm ata dhe askush tjetër mund të bëjnë shtet dhe se vetëm ata  mund ta çojnë Shqipërinë përpara. Pra të majtët (sipas llogjikës ediramase) janë atdhetarët, kurse krahu tjetër pra  të djathtët janë tradhëtarët. 

Për një periudhë të gjatë, është thënë se fajin e ka Saliu, më pas  qeveria e më parëshme,  kurse tani opozita e rrugëve , qaramane, përtace, gjumashe  e paaftë etj etj. Pra ky është këndshikimi i Kryeministri tonë të zgjedhur për të drejtuar Shqipërinë dhe jo vetëm të majtën. Por fatkeqsisht ai po tregon se është   mbjellësi e gjeneruesi më i madh i një lufte të  pafund ndarëse në një vend të vogël e në  një mikro shteti siç është Shqipëria.

Kujt i shërben kjo ndarje kaq e fortë dhe e vrazhdët në dy kampe gati armiqësore në Shqipëri, sikur të jetë prag lufte civile? Pse zgjedhjet vidhen e vidhen pafund edhe kur janë një partiake (si ato të 30 qershorit 2019) dhe askush nuk ndëshkohet? Pse synohet kapja e sistemit të drejtësisë, e drejtimit dhe menaxhimit të gjithçkaje në shtetin shqiptar? Pse endet pambarimisht pas PPP-ve (partneriteti publik privat) i cili ka krijuar një hendek financiar rreth tre miliardë euro , një gurë i rëndë  ky në qafën e çdo shqiptari për tridhjetë vitet e ardhëshme? A mos vallë disa kanë vjedhur aq  shumë saqë  pasuria e tyre (përfshi edhe ata vetë  ) rrezikohet të ekspozohet? A mos vallë qaravitjet tek ndërkombëtarët dhe lyerja e rrotës disa prej tyre , shërben si bunker mburojë për fshehjen e pasurisë së krimit të shtetarëve të lartë? A mos bëhet gjithë kjo përplasje shoqërore për karreigen e një personi të vetëm (qoftë ky kryeministër) apo edhe të  një grupi të vogël  rreth tij)?

 Mendoj se po. Madje dua të shtoj se edhe disa ndërkombëtar në Tiranë kanë jo pak përgjegjesi për heshtjen para këtyre fakteve të hidhura  ose edhe të të  qënit bashkfajtor me Edi Ramën. Kur vjen puna për të mbrojtur Edi Ramën  ata kanë në majë të gjuhës  gjithato lloje  rrumbullakosjesh  diplomatike e frazash pakuptim vetëm që ti shërbejnë atij.  Por kur është fjala  për tu shprehur për qëndrimet dhe veprimet e opozitës , nuk ka më  diplomaci por shprehje të hapura dashakeqsie e mospranimi. Kjo e ka emrin njëanëshmëri.

Opozitës , intelektuakëve,studentëve, shoqërisë civile dhe çdo shqiptari të ndershëm, i del për detyrë të mbrojë unitetin kombëtar nga kjo qasje që shkon kah përplasja e dhunëshme  civile.Të ruaj vendin nga një llojë  lufte e re klasash për karriget dhe pasurinë e një grushti shtetarësh të korruptuar e të inkriminuar. Kjo masë e madhe njerzish lypset ti bashkangjitet  opozitës dhe në mënyrë demokratike duke aplikuar hap pas hapi të 52 elementët e mosbindjes civile të eci përpara për një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira, të nderëshme e të drejta.

Filed Under: Histori Tagged With: Asllan Bushati- Ndarja vazhdon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT