NGA ASLLAN BUSHATI/
Shteti totalitar i E.Hoxhës e çoi luftën e klasave në Shqipëri, më në ekstrem se çdo vend tjetër komunist në botë. Çdokush kishe frikë ti shkonte dikujt nga e ashtuquajtura ” klasa e përmbysur” (sikur të mos ishin shqiptar) edhe për ngushullim, në rast fatkeqësie në familje edhe kur e kishe të afërt (gjak e gjini). Madje shpesh për këtë duhet të merrje leje tek “nëna “ parti. Kjo dukshëm erdhi si një ndarje e re në popull tonë multifetar, gjë që nuk kishte ndodhur më parë në historinë tonë mijra vjeçare. Edhe pushtuesit tentuan ndarjen me idetë e tyre fetare, por nuk ia arritën qëllimit. Kurse komunizmi e arriti ndarjen e thellë nëpërmjet luftës klasave, kësaj “mortaje” vrasëse kombëtare.
Me këtë rast do të cek shkarazi dy ngjarje nga jeta ime në dy periudha kohore të ndryshme për të arritur në një përfundim. Sëpari: në dimrin e vitit 1989 shkova në fshatin tim Midhë –Burrel për të takuar familjarët e mi. Kishte qenë furtunë dhe ishin rrëzuar disa shtylla të rrjetit elektrik. Për të ringritur linjë po punonin rreth njëzet burra, ndër të cilët ishte edhe Abas Sula, një i burgosur politik për 25 vite (por edhe kushëriri im nga Nana). I takova të gjithë përfshi edhe Abazin. Pas dy ditësh më thirrën në Ministrinë e Mbrojtjes për ballafaqim me një letër anonime (sipas autoriteteve) por që në fakt ishte shkruajtur nga dy bashkfshatarë të mi, duke më qortuar fort se kisha shpërfillur “luftën e klasave” duke i dhënë dorën “armikut të klasës” dhe kushëririt tim Abas Sula.
Së dyti: Në kohën kur Fatos Nano vuante dënimin në burgun e Bënçës në Tepelenë, ndërroi jetë nëna e tij Marie Nano, (por edhe pedagogia ime e Shkollës Ushtarake Skënderbej). Në këtë kohë shteti totalitar ishte përmbysur e një frymë më pajtuese kombëtare dukej në horizont, në radhë të parë për meritë të përndjekurve politik të sistemit komunist. Unë mbaja postin e Drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i veshur civil, mora pjesë në ceremoninë e varrimit të pedagoges time Marie Nano. Pas dy ditësh më thirri në zyrë ish Ministri (i ndieri Safet Zhulali) duke kërkuar shpiegime për këtë ndodhi. Unë i thashë se kam qenë në ceremoninë mortore të pedagoges time Marie Nano e cila më ka dashur shumë si ish skënderbegas, por që edhe unë e kam dashur shumë ish pedagogen time. Më lejoni tju bëj me dije se në qoftë se Violeta Bylyku- Mejdani (motra e Rexhep Mejdanit), qoftë larg ndërron jetë, unë do të shkoj në ceremoninë e saj se e kam patur pedagoge dhe e kam dashur shumë ashtu siç edhe ajo më ka dashur e respektuar. Nese gjykoni se kam vepruar gabim, pres i qetë çdo ndëshkim.
Ish Ministri u mendu pak dhe më tha: nuk ke bërë asgjë gabim, jemi shqiptar, njerëz të një gjaku, madje të kërkoj të falur që ta përmenda. Disa ditë më vonë në mbledhjen me drejtuesit e Ministrisë më kërkoi përsëri të falur publikisht. Unë edhe sot pas gati çerek shekulli e kujtoj me respekt këtë qëndrim të të ndierit Safet Zhulalit.
Tani le të këthehemi në ditët e sotme dhe të bëjmë krahasim me të shkuarën për të parë se ku jemi e ku po shkojmë?. Me këtë rast nuk kam ndërmend të marr në mbrojtje asnjë politikan, për asnjë arsye dhe nuk pajtohem me askënd, nëse me dije ose pa dije i ka fryrë frymës së një ndarje të re kombëtare postkomuniste.
E them këtë sepse sot në masmedia, çdo ditë e në përmasa vetëm në ngjitje, ka një sulm të paparë gjithformësh të Kryeministrit Edi Rama kundër opozitës. Ai kudo e me plot gojën e konsideron atë tradhëtare të vendit (siç bënte Enveri në kohën e tij me klasën e përmbysur). E konsideron përgjegjese për mos ecjen e vendit përpara, pengesa kryesore për mos integrim në BE, pengesa kryesore për mosrealizimin e reformave të planifikuara, pengesë për gjithçka. Insistimi i tij mediatik është ngulitja në mendjen e simpatizantëve të tij se e djathta shqiptare ka qenë është e do të jëtë tradhëtare e interesave madhore të Shqipërisë. Sipas tij vetëm të majtët janë mençuria e kombit, vetëm ata janë gjeneruesit e bartësit e ideve madhore , vetëm ata dhe askush tjetër mund të bëjnë shtet dhe se vetëm ata mund ta çojnë Shqipërinë përpara. Pra të majtët (sipas llogjikës ediramase) janë atdhetarët, kurse krahu tjetër pra të djathtët janë tradhëtarët.
Për një periudhë të gjatë, është thënë se fajin e ka Saliu, më pas qeveria e më parëshme, kurse tani opozita e rrugëve , qaramane, përtace, gjumashe e paaftë etj etj. Pra ky është këndshikimi i Kryeministri tonë të zgjedhur për të drejtuar Shqipërinë dhe jo vetëm të majtën. Por fatkeqsisht ai po tregon se është mbjellësi e gjeneruesi më i madh i një lufte të pafund ndarëse në një vend të vogël e në një mikro shteti siç është Shqipëria.
Kujt i shërben kjo ndarje kaq e fortë dhe e vrazhdët në dy kampe gati armiqësore në Shqipëri, sikur të jetë prag lufte civile? Pse zgjedhjet vidhen e vidhen pafund edhe kur janë një partiake (si ato të 30 qershorit 2019) dhe askush nuk ndëshkohet? Pse synohet kapja e sistemit të drejtësisë, e drejtimit dhe menaxhimit të gjithçkaje në shtetin shqiptar? Pse endet pambarimisht pas PPP-ve (partneriteti publik privat) i cili ka krijuar një hendek financiar rreth tre miliardë euro , një gurë i rëndë ky në qafën e çdo shqiptari për tridhjetë vitet e ardhëshme? A mos vallë disa kanë vjedhur aq shumë saqë pasuria e tyre (përfshi edhe ata vetë ) rrezikohet të ekspozohet? A mos vallë qaravitjet tek ndërkombëtarët dhe lyerja e rrotës disa prej tyre , shërben si bunker mburojë për fshehjen e pasurisë së krimit të shtetarëve të lartë? A mos bëhet gjithë kjo përplasje shoqërore për karreigen e një personi të vetëm (qoftë ky kryeministër) apo edhe të një grupi të vogël rreth tij)?
Mendoj se po. Madje dua të shtoj se edhe disa ndërkombëtar në Tiranë kanë jo pak përgjegjesi për heshtjen para këtyre fakteve të hidhura ose edhe të të qënit bashkfajtor me Edi Ramën. Kur vjen puna për të mbrojtur Edi Ramën ata kanë në majë të gjuhës gjithato lloje rrumbullakosjesh diplomatike e frazash pakuptim vetëm që ti shërbejnë atij. Por kur është fjala për tu shprehur për qëndrimet dhe veprimet e opozitës , nuk ka më diplomaci por shprehje të hapura dashakeqsie e mospranimi. Kjo e ka emrin njëanëshmëri.
Opozitës , intelektuakëve,studentëve, shoqërisë civile dhe çdo shqiptari të ndershëm, i del për detyrë të mbrojë unitetin kombëtar nga kjo qasje që shkon kah përplasja e dhunëshme civile.Të ruaj vendin nga një llojë lufte e re klasash për karriget dhe pasurinë e një grushti shtetarësh të korruptuar e të inkriminuar. Kjo masë e madhe njerzish lypset ti bashkangjitet opozitës dhe në mënyrë demokratike duke aplikuar hap pas hapi të 52 elementët e mosbindjes civile të eci përpara për një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira, të nderëshme e të drejta.