• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Jargë e pështymë lakejsh mbi teatrin kombëtar

July 31, 2019 by dgreca

Drejt qiellit mund të pështyjë çdo idiot i trallisur a malukat i tjetërsuar në lake, por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e vetë faqezinjve do të bjerë. /

Nga K. P. TRABOINI/

Një mik në Facebook, nuk po e rëndoj ti përmend emrin se më duket një mjerim i madh, më shkroi plot pezëm e mllef kundër Teatrit Kombëtar. Biseda u zhvillua kësisoj. Pasi që shkroi sfidues të shembet teatri kombëtar, i shkrova: “po për ato 6200 metra tokë publike që vidhet për 6 kulla, o njeri, si nuk ta dha shpirti të flasësh një fjalë, apo bëji nënën pasurisë së popullit. Si para 90-tës dhe tani… Një avaz”.  Pas kësaj mora këtë mesazh publik: “Fola për teatrin e jo për Ramën e Bashën … se ajo kufomë, që quhet teatër, nuk e mban dot luftën që bëhet midis të djathtës dhe të majtës”. Duke qenë se unë personalisht nuk bëj luftë as për të djathtën e as për të majtën (nuk kam qenë as anëtar i PPSH për dijeni të folësit ish komunist), por për vlerat, traditat e historinë kombëtare, i ktheva këtë gjegje sharësit të atij Teatri që unë e konsideroj një altar të fjalës së bukur shqipe: – Vërtetë ti fole për Qengjin, të mora vesh, dhe jo për Ujkun. Fajin e paska qengji (Teatri) se po ja turbullon ujin Ujkut të Zi të Tiranës. Me sa po shoh po ta turbullon edhe ty. Çudi… Alegori sfilitëse kjo për mafiozët e pushtetit dhe ata që u shkojnë pas si hije. Bishtukaxhijtë e shallvarexhiut, që mjerueshëm më kujton Haxhi Qamil Xhametën e Sharrës, që i ngeci qafa në litar. Atë fund paçin të gjithë zullumqarët që e tundojnë dhe e keqtrajtojnë popullin e vet. Nëse kalon nga Teatri Kombëtar kur të vish me pushime nga New Yorku, aty tek sheshi më ke. E di që të marrët mund ta prishin me një ngazëllim neronësh , por qëndresa e kundërshtimi ndaj të keqes që ka pllakosur Shqipërinë nuk duhet të na stepë, ndryshe kemi humbur më të çmuarën në jetë, lirinë. Teatri si ngrehinë është preteksti i sinjor shallvares, këtij Arturo Ui i kohës sonë postkomuniste, që na ka pllakosur e nuk dimë si do shpëtojmë prej tij. Agjenda e tij është më e gjerë sigurisht. E të mos harrojmë se kështu kanë nisur të gjitha tiranitë dhe rreziku i diktaturës nuk është vetëm një ëndërr e keqe. Nuk kemi përtuar të jemi në ballë të situatave në janar- shkurt 1991, e si mund të topitemi tani përballë vemjeve moniste të diktaturës e të mafies që kërkon të gllabërojnë pasuritë kombëtare me dëshirën e çmendur për pushtet absolut. Nuk ka artistë të vërtetë që ti lëpihen qeverive, përkundrazi artistët e vërtetë  janë opozitarë me çdo qeverisje të keqe. Koha ka treguar dhe po e tregon përditë se, lëpirësit janë e mbetën vetëm lëpirës, ndyrësisht, jargë e pështymë sundimtarësh. Drejt qiellit mund të pështyjë çdo idiot i trallisur a malukat i tjetërsuar në lake, por gjithsesi pështyma mbi fytyrën e vetë faqezinjve do të bjerë. 30 korrik 2019 

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Traboini-Teatri-idiot i trallisur

REFLEKSI I QELLIMIT

July 31, 2019 by dgreca

Refleks i qëllimit/
Nga Astrit Lulushi/

Shumë e njohin Ivan Pavlovin përmes eksperimentit të tij me qentë të cilët mësohem të hanë me orar të përcaktuar nga rënia e ziles.
Por ekziston edhe një zbulim më pak i njohur, por po aq i rëndësishëm e me ndikim në psikoterapinë e sotme. Studimi “Refleksi i Qëllimit” zë fill në vitin 1924. Shkrirja e akullit në Shën Petersburg gjatë pranverës së atij viti bëri që Lumi Neva të përmbyste bodrumin, ku Pavlovi kishte vendosur laboratorin e tij. Uji vërshoi në kafazet e qenve që ai i mbante për eksperimente. Qentë mbijetuan përmbytjen, por pasi uji u tërhoqur ata mbetën të shokuar; një pjesë u çrregulluan në sjellje, të tjerë qëndronin shtrirë pa asnjë interes për çfarëdo që mund të ndodhte rreth tyre.
Pavlovi e interpretoi këtë gjendje si shenja të frikës që qentë kishin provuar gjatë përmbytjes. Tani dihet se palëvizshmëria fizike dhe humbja e kuriozitetit janë gjithashtu tipike për njerëzit e traumatizuar.
Disa prej qenve rrinin duke u dridhur në cep të kafazeve të tyre, ndërsa të tjerë përuleshin e bindeshin kur dikush i godiste – përsëri, sjellje të njohura sot tek njerëzit e traumatizuar.
Pavlov tregoi se pas ekspozimit ndaj stresit ekstrem, kafshët gjejnë një ekuilibër të ri të brendshëm. Qentë e traumatizuar vazhduan të veprojnë sikur të ishin në rrezik të madh, shumë kohë pasi ujërat e Nevës ishin qetësuar. Kur Pavlovi mori matjet për kontrollin e shëndetit të tyre, ai gjeti se zemra ishte bërë më e ndjeshme ndaj streseve të vogla dhe ia atribuoi këto ndryshime ekzistencës së dy impulseve të kundërta të qenieve në konflikt: gjatë përmbytjes qentë ishin imobilizuar fizikisht – të bllokuar në kafazet e tyre – ndërsa trupat e tyre ishin programuar të iknin me vrap kur ndodheshin përballë kërcënimit. Kjo rezultoi në përplasje midis dy proceseve të kundërta; ngacmimit dhe frenimit, vështirë për t’u akomoduar njëkohësisht…që shkakton prishje të ekuilibrit, kur organizmi nuk mund të bëjë asgjë për të ndikuar në të pashmangshmen….
Në Shqipëri, të gjithë ata që janë përballur me realitetin e errët të “diktaturës së proletariatit” mbetën të pafuqishëm, të ngrirë përballë pashmangshmërisë, fenomen që mjekët sot e quajnë kritik për të kuptuar dhe trajtuar qeniet njerëzore të traumatizuara e poshtëruara.
Në fund të fundit, agonia e qenëve në kafazet e tyre përgjatë lumit Neva mund të mos kenë qenë shumë ndryshe edhe nga ajo e fëmijëve, të cilët pengohen nga prindërit ose mësuesit e tyre dhe pastaj nga që nuk kanë ku të shkojnë, luftojnë brenda vetes me dy impulse të kundërta, për t’u nënshtruar ose për të ikur për t’i shpëtuar dhimbjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-Refleksi i Qellimit

GRADOHEN DY POLICË SHQIPTARË NË NEW YORK

July 30, 2019 by dgreca

New York, 30 Korrik 2019- Sot në Police Plaza në Manhattan, Neë York, dy Policë shqiptare u promovuan ne graden e detectivitit. Dy detectivat e rinj shqiptarë janë: Krasniqi dhe Cevi.

          Diellit ia konfirmoi lajmin z. Elton Shametaj, oficer i policisё sё Nju Jork-ut,dhe aktivist i njohur pёr komunitetin shqiptar. Ai tha pёr Gazetёn “DIELLI” se ndjehet i gёzuar qё po shtohen radhёt e policёvё shqiptarё me djem të shkolluar dhe të aftë proefsionalisht, që nderojnë veten, Kombin nga vijnë, familjen dhe natyrisht edhe komunitetin shqiptar në SHBA,i cili mburret me ta.  

Oficeri Shametaj, përmes gazetës Dielli uron djemtë për suksesin, por edhe komunitetin. Ai kërkoi që lajmin e gëzuar ta përcjellë përmes gazetës më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës, e cila ka hyrë në vitin 111 të egzistencës së vet në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Faleminderit Elton!  

Oficeri Elton Shametaj i shkroi Diellit: Uroj nga zemra, që gjithmonë shqiptarët të arrijn të ngjiten në lartësitë që dëshirojnë, pasi ky shtete, djep i demokracisë na i jep të gjitha mundësitë…

Një urim të vecantë përcjellin Belis Kasafi dhe Agron Kaci,të cilët nё emёr tё organizatёs sё Policёve Amerikano-shqiptarё i urojnë sukses Kevin dhe shpresojnë se ai do ta cojё mё tej traditёn familjare.
Federata Vatra dhe Gazeta Dielli i urojnё detekivët e rinj shqiptaro-amerikanë dhe përcjellin urime tё gjithё policёve shqiptaro-amerikanё, duke u uruar atyre suksese nё detyrё dhe të ndjehen krenarë për detyrën që kryejnë. Komuniteti shqiptar ndjehet i sigurt se në radhet e rujatësve te rendit janë edhe ata, bijtë e Shqipes, oficerët me origjinë shqiptare, që për të ruajtur rendin janë përherë në krye të detyrës.

Eshtë kënaqësi dhe cdo kush provon krenari që të shohë dy shqiptarë të marrin vlerën e vërtetë të punës së tyre dhe dijeve të fituara në këtë vend model të demokracisë. 

Përmes Gazetës Dielli, edhe organizata studentore”John Jay College” i uron detektivat e rinj për gradimin dhe shpreson që ata të arrijnë suksese të mëtutjeshme në radhёt e policisё.        Tash numri i policëve shqiptare ne Amerikë  është i ndjeshëm. Kombi ynë  ndjehet krenarë me ata, dhe ata vetë ndjehen përfaqësues krenarë të Kombit të vet!

Filed Under: Featured Tagged With: Gradohen-dy police shqiptar NY-Elton Shametaj

Mërgimi – plagë që nuk e shëroi as liria

July 30, 2019 by dgreca

Shkruan: Prend Ndoja, Long Island, SHBA /

Boshti që i jep kuptim jetës sonë, është atdheu, është toka jonë. Atdheu është fati ynë, është toka e ujitur me gjakun e të parëve, të cilët vuajtën, por kurrë nuk u gjunjëzuan, duke ruajtur të paprekur dinjitetin dhe identitetin. Kjo tokë u bë pjesë e jona që para lindjes sonë; u zhvillua e u mishërua me ne gjatë rritës sonë, për të qëndruar me besnikëri dhe dashuri, deri sa të bashkohemi përsëri në brendësinë e saj.

Nga toka kemi trashëguar një fushë magnetike, që është pjesë e jona. Sado të largohesh nga vendlindja, kjo forcë të tërheq drejt tokës mëmë. Atdheu është etnia jonë, është testament i çmuar i të parëve – që ta ruajmë e ta vlerësojmë më shumë se jetën tonë. Ky testament, nuk është pronë e askuj, që të keqpërdoret, apo të shfytëzohet sipas dëshirave të tyre. Është zhvlerësim dhe veprim antikombëtar, nëse gjatë sfidave në shtigjet e jetës t’ia kthejmë shpinën atdheut, të ndikuar nga valët e disponimit, apo mendimeve të papeshuara mirë. 

E kaluara e popullit tonë, në të shumtën e kohës ishte rrëqethëse. Ecnim këmbëzbathur në motet e vështira, buzë humnerës. Vetëm pafajësia e popullit tonë dhe trimëria e mendjebardhëve na shpëtuan nga fundosja definitive.

Furia barbare mbi tokën tonë ishte shkrepëtimë dhe bubullimë e së keqes; duke vrarë, përçarë e sunduar; duke e dëbuar popullin tonë nga vatrat e tij; duke ia mohuar edhe të drejtat elementare, si gjuhën dhe shkrimin shqip. Udha e të parëve tanë ishte e rëndë, shumëfish më e rëndë sesa e sotmja, sepse ishte tutela e të huajve sllavë, helenë e aziatikë që frenonte rrugën e mbarë e të përparimit.

Popullit më fisnik të botës, pushtuesit, padrejtësisht ia vunë kufijt mes tokave të tij, duke synuar ta asimilonin në tokën e tij, ndërsa, një pjesë tjetër, e detyruan të merrte udhët e hidhura të mërgimit, të rënda e të lara me lot e gjak. Kjo plagë e vjetër vazhdoi në të gjitha kohërat, duke mos iu shkëputur varganit të së keqes as sot. Tretja e popullit tonë drejt rrugëve të globit, fatkeqësisht është plagë edhe sot, që në heshtje po e përpin kombit tonë, duke larguar nga këtu pjesën më vitale.

Në mungesë të korrektësisë, së pari me veten e me vendlindjen dhe në mungesë të politikave largpamëse zhvillimore, në hapësirën tonë kombëtare po zbehen rrezet e shpresës. Po kufizohet kështu fushëveprimi për ndërtuar një jetë me standarde të kohës. Vendi që shqiptarët e duan më shumë se jetën e tyre, nuk ofron mundësi të mjaftueshme të zhvillimit e integrimit në botën e përparuar.

Populli ynë është atdhedashës i flaktë dhe kjo është dëshmuar çdoherë gjatë historisë, ashtu si dhe gjatë luftës së fundit, duke dëshmuar para botës atdhedashurinë për vendlindjen, edhe atëherë kur ishte bërë shkrumb e hi nga makineria vrastare serbe. Menjëherë pas çlirimit, shqiptarët  refuzuan lejet e qëndrimit në shtetet më të zhvilluara të botës, siç ishin Amerika dhe vende tjera të Evropës dhe u kthyen në vendlindjen e tyre. Mbi gërmadhat e luftës, mbi tokën e minuar rifilloi edhe njëherë jeta, por, fatkeqësisht, mërgimi-lëngata e shekujve, që buron nga vetja e jonë, nuk u shërua.

Gjatë këtyre viteve të pasluftës, u dëshmm se, ngaqë investimi në arsim nuk i mbushë xhepat e rrjeteve mafioze, pikërisht arsimin e kanë lënë pasdore. Pa arsimim cilësor, nuk ka ardhmëri të ndritshme dhe po të investohej në arsim (e jo në hotele me shumë yje) do të krijohej mundësia e krijimit të vetëdijes së shëndoshë për veten dhe vendin tonë. Nga aty do të zhvillohej edhe ekonomia e mirëfilltë, që do të nxiste zhvillimin edhe në fushat tjera të jetës, si shëndetësia dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike. Në këtë mënyrë, do të ndalej njëherë e përgjithmonë rrjedha e gjakut të arbrit drejt rrugëve të botës, të këtij fenomeni që ka shkretëruar tokat tona. Shumë qendra të njohura shqiptare, sot janë dealbanizuar, si Manastiri e Janina, p.sh., dikur qendra të njohura të qenësisë e identitetit shqiptar, ndërsa sot janë lënë në mëshirën e kohës dhe dorës së qarqeve antishqiptare greke e sllavo-maqedonase.

Kuadrot me përgatitje të larta profesionale duhet të mbështeten nga institucionet shtetërore, që njohuritë dhe ëndrrat t’i bëjnë realitet në vendin e tyre. Me një ngritje të tillë, edhe ne mund t‘i prezantojmë arritjet tona para botës, e, jo si endacakë azilkërkues, të presim para portave për mëshirë nga  të tjerët. Nëse jetën tonë ia falim verbalizmit, përgjumjes, atëherë elementet negative do t‘i paralizojnë veprimet dobiprurëse në fusha të ndryshme. Nga dobësitë që manifestrohen sot, pasardhësit tanë do të vuajnë nesër. Nga kjo atmosferë e krijuar sot, lind kotësia dhe elementet negative, që i transferon njerëzit nga jeta normale, në atë abstrakte, duke i nxitur të rinjtë që ta zhvillojnë jetën e tyre jashtë bazës së shëndoshë njerëzore. Në krejt këtë situatë, është edhe aparati shtetëror, i cili duke shtypur inteligjencën dhe masat e gjera të popullit, krijon një hapësirë të lirë veprimi, për të notuar më lehtë në ujrat e korrupsionit, duke ruajtur rrjetin e garniturave të dëmshme që ata kanë ndërtuar.

Sot jemi të lirë dhe fatin tonë mund ta marrim në duart tona. Ne jemi ata që i japim jetë dhe që e vrasim fatin tonë. Njerëzit e pasuksesshëm e dështakët, gjithmonë ankohen duke akuzuar të tjerët, pa ndërmarrë asnjë veprim. Kthesa në të mirë fillon atëherë kur çdonjëri, ankesat i adresojmë së pari te vetja e jonë. Askush nuk mund ta mohojë të drejtën tonë, nëse ne dimë ta mbrojmë atë. Aq sa kanë mundësi armiqtë tanë që ta mbulojnë diellin mbi tokën tonë, po aq kanë mundësi t’i mbulojnë mendjet apo parimet tona, nëse ato janë të zgjuara. Mjerisht, nga mosdija, disa nga vëllezërit dhe motrat tona të profesioneve të ndryshme, sot përpiqen të notojnë në ujra të turbullta, edhe pse ndoshta këtë e bëjnë pa dëshirën e tyre, si të vetmen mënyrë mbijetese, për t’i shpëtuar mërgimit  (Fjala popullore “Atë që e ha ariu, i ka shpëtuar rrezikut që të mos e hajë ujku). Disa të tjerë, pasi përpiqen ta ndërtojnë jetën pranë familjes dhe të afërmve në vendin e tyre, hasin në pengesa; luftojnë për të arritur suksese, por në të shumtën e rasteve rezultojnë si të kota, sepse perspektiva e tyre është e pamundur nga pengesat e keqbërësve në postet shtetërore. Pastaj, me një dëshpërim të madh, marrin udhën e mërgimit, ashtu si shumë të tjerë para tyre. Këto janë shkaqet e braktisjes së atdheut, që sipas raportimeve të medieve të ndryshme, me përmasa alarmante po vazhdon edhe sot, por tani më me një formë tjetër, duke siguruar viza pune. Nga kjo, kemi një situatë kur numri i njerëzve në atdhe, është më i vogël se i atyre që tani më kanë braktisuar vatrat e tyre. Trendi i zhvillimeve të tilla është dramatik dhe nuk ka asnjë shenjë se do të ngadalësohet, e lëre më të ndalet krejtësisht.

Në rrethana të tilla, s’ka se si të mos ndalesh e të mendosh ç’po ndodh me ne? Duke parë zvogëlimin e tokave tona, mund të pyesim: sa rëndë na kushtoi liria… Duke parë numrin e të mbeturve, del se largimi edhe i një personi është humbje e madhe për vendin. Largimi i një të riu sot, është humbja e një familjeje të madhe nesër; është humbje e një doktori, artisti, shkencëtari, luftëtari… Ndonëse për mërgimin, që po dëmton substancën tonë kombëtare, është shkruar dhe janë dhënë mendime të shumta, akoma nuk është gjetur një fije shprese- një dorë shërimi. 

Sot, demagogët sharlatanë, për fitime dhe qëllimet e tyre antikombëtare, mërgimin duan ta paraqesin si rrugë shpëtimi, duke e stolisur me ngjyra të rrejshme dhe me një shije artificiale. Ata duan që të rinjtë tanë t’i ikin shijes natyrale të vendit, të cilit drita nuk i shuhet kurrë. Për ta shpëtuar veten nga rreziqet që i kanosen, nga dukuritë e brendshme negative dhe vërshimi i popujve afrikano-aziatik, një pjesë e Europës sot luan një lojë dinake me  popullin tonë, duke tërhequr nga atdheu racën më të bukur, që në një të ardhme të afërt ta asimilojë e ta bëjë pasardhëse të  trungut dhe vendit të tyre. Përmes veprimeve të ndryshme, gjithashtu bëhen përpjekje të destabilizohet rendi dhe zhvillimi normal në Kosovë. Në shenjë “paqeje”, hedhin ide të papranueshme, duke e anashkaluar realitetin e kufijtë e tokave tona, ndonëse e dinë mirë se ku shtrihen kufijtë e tokave e të popullit tonë. Duke parë historinë e hidhur, kjo të trishton. Pra, një pjesë e Europës nuk angazhohet qartë për ndërtimin e një jete normale në vendin tonë. Ndonjëherë, për këtë jemi fajtorë edhe vet, duke mohuar vlerat europiane dhe orientimin në kahje të gabuar, që mund të jetë me pasoja të pariparueshme.  

Fatkeqësisht, sot, në mënyrë indirekte, populli ynë ka drejtuar sytë drejt mërgimit, që i servohet me ngjyra joshëse. Evropa, sot, në mënyrë dinake i ndalon rrugët që të shpien drejt mërgimit ilegal, ndërsa në anën tjetër, ato hapen nga të gjitha anët. Jashtë etikës njerëzore qëndrojnë si superiorë, duke e mohuar trajtimi e barabartë të mërgimtarëve tanë dhe ushtrojnë presion për të na gjunjëzuar e përulur pamjen dhe krenarinë tonë si popull. Ndërkaq, në anën tjetër, tërthorazi, nga lakmia e interesat për racën tonë të bukur, dëshirojnë që përmes asimilimit të shkrihemi në identitetin e tyre, ashtu siç ka bërë Turqia ndër shekuj, duke evoluar nga një racë mongole, në një racë të bardhë. Ky rrugëtim për të rinjtë tanë, nuk është thjesht, siç e mendojnë në fillim, si një rrugë shpëtimi për një jetë më të mirë, por është një sferë tundimim, që të nënshtron e të godet në palcë, duke humbur mëvetësinë, për t’u bërë i huaj, në shtëpinë që ka një pronar tjetër, ku ti mund të bëhesh vetëm shërbëtor i tij. Kjo udhë, gradualisht të shkëputë nga rrënjët; duke vrarë identitetin kombëtar, deri në dorëzimin e plotë, që quhet asimilim.

Të ngarkuar me punë e detyra që jeta i kërkon, për ta zhvilluar jetën në vendet ku jetojnë, ata gjejnë kohë edhe për organizime dhe takime mes vete. Mëgimtarët, vendlindjen nuk e shijojnë në jetën aktuale, ata e shijojnë dhe e mbajnë në mendje dhe zemër. Atdheu duhet të jetë shumë krenar me mërgimtarët e tij, sepse ata e dëshmuan veten në të gjitha kohërat, duke lënë emër të mirë në fusha të ndryshme kudo në botë, për t’u bërë burim e krenarie kombëtare.        

Asimilimi dhe vdekja i takojnë të njëjtës familje. Asimilimi ka peshë të rëndë, sepse të zhdukë rrënjët dhe emrin, anipse ndikimit të kulturave vendase, aty ku kanë emigruar, shqiptarët kanë bërë përpjekje t’i rezistojnë. Shqiptarët, kudo që gjenden, mbajnë lidhje të forta me njëri- tjetrin, me vendlindjen, me të afërmit e farefisin, duke ruajtur me shumë fanatizëm gjuhën e traditat kombëtare, si vlerat më të shtrenjta, që i kanë marrë me vete në tokën e huaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prend Ndoj-Emigracioni

KUSH IA DHA EMRIN DARSISË

July 30, 2019 by dgreca

– SHFLETIME 3 TË LIBRIT “DARSIA” TË STUDIUESIT HARUN GRECA-*/

– PERSE PERJASHTOHET ORIGJINA SLLAVE DHE TURKE E EMRIT DARSI?/

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes:Kush ia dha emrinë Darsisë- autori i librit, studiuesi Harun Greca u drejtohet argumenteve dhe fakteve nga historia, arkeologjia, dhe gjuhësia. Të tria së bashku zbulojnë enigmën e prejardhjes, ftillojnë ose përjashtojnë tezat e debatueshme, nga ana tjetër zbulojnë përgjigjen, e cila ende s’konsiderohet e vërtetuar plotësisht e shkencërisht, por gjithësesi nuk është e hamendësuar, por e argumentuar.  Autori shkruan: Në shekujt para Krishtit, por sidomos pas rënies së rendit skllavopronar, në mesjetën e hershme e të vonë, në Shqipëri erdhën e u larguan pushtues të ndryshëm, të ëvnë e mbivënë njeri mbi tjetrin.Prej kësaj shumatoreje”vizitorësh të paftuar”, autori veçon sllavët, me gjuhën e të cilëve ngjason në formë emri i Darsisë…

           Në serbisht fjala “dar”(Jo darsi), ka kuptimin leksikor “dhuratë”, i dhuroj, ia fal pa shpërblim dikujt një send që ka vlerë. Fjala edhe në bullgarisht(një tjetër pushtues) kuptimi është i njëjtë: dar- dhuratë, peshqesh …

Por asnjëra nga këto dy emërtesa me preardhje nga këto dy gjuhë pushtuesisht nuk ka lidhje emri i DARSISË. Në kundërshtimin e kësaj teze autori ëshët i sigurtë dhe i prerë:Jo nuk vjen nga gjuhët sllave emërtesa e krahinës DARSIA!

Le t’i referohemi Historisë për të parë nëse fshihet apo jo nën mburojën e saj Enigma e mistershme e prejardhjes së emrit-DARSIA: Barbarët sllavë e mësynë disa herë Ilirinë. Në vitet 610-641, kur Perandor në Bizant ishte Herakli, sllavët u ridyndën përsëri. Perandori Herakli, perandoria e të cilit arrinte deri në Shkumbin,(shpesh edhe pat kapërcyer Shkumbinin),- ndërkohë i zënë në luftime edhe me persët, u detyrua t’i pranojë sllavët të banonin në tokat e peradorisë së tij, kryesisht në zonat e varfëra e të shkreta, por asnjëherë në luginat e lumenjëve. Arkeologu dhe studiuesi N.Ceka shkruan: Lugina e Shkumbinit përbënte zonën e kontrollit të rreptë të autoriteteve bizantine, ku nuk u lejua vendosja e sllavëve.Kjo dëshmohet edhe nga mungesa pothuajse e plotë e Toponimisë sllave në këtë zonë-DARSI.

   Tributë sllave u vendosën në zona të thella të territoreve bizantine, kryesisht në ato të shpopulluara , apo në Malësitë e thepisura e të pabanuara. Këtë tezë e mbështet edhe studiuesi P. Thëngjilli i cili shkruan: Sllavët shkelën territore të ndryshme të Perandorisë Bizantine, pork jo nuk duhet kuptuar si një sllavizim i atyre krahinave ku ata shkelën-

(P.Thëngjilli & S.Daci”Historia e Perandorisë Bizantine 395-1453, f 79).

Dhe një argument tjetër i kuptimisisë logjike për autorin e librit”DARSIA” për kundërshtimin e tezës së prejardhjes sllave: Darsia, e përmendur si vend me pasuri të mëdha dhe me kontribute në arkën e Perandorisë Bizantine, nuk mund t’i bëhej dhuratë një popullsie barbare siç ishin sllavët. Pra kuprimi i fjalës ’dar’ nuk ka bazë historike dhe si i tillë përjashtohet.

I njëjti konkluzion arrihet edhe me origjinën e fjalës”dar” në bullgarisht, mbetet e vetëpërjashtur sepse dhe këtu na vjen në ndihmë argumenti historik, që e nxjerr të pabazë, pasi ata sunduan gjatë shekujve IX-XI, afro 160 vjet.

Fjala “dar” gjendet e përdorur edhe në turqisht me kuptimin leksikor:I ngushtë, e kufizuar, i(e) vështirë. Por me gjithë sundimin pesë shekullor në Shqipëri, emërtimi nga turqishtja përjashtohet si argument gjuhësore sepse; Fjala”dar” në turqisht nuk emërton, ajo përdoret si përcaktor, është mbiemër, dhe jo emër si në rastin konkrt të emërtesës së krahinës-DARSIA.

 Autori i librit “Darsia” pasi i përjashton emërtimin e krahinës nga gjuhët sllave dhe turke, kthehet pas në lashtësi, për të kërkuar rrënjën e fjalës emërtuse. Në bregdetin Dalmat fiset ilire ishin të shumta. Ndër ta shquheshin edhe Daorsët në Bosnjë, të vendosur në luginën e lumit Neretva me Kryeqendër Naronin.Veç ilirëve në bregdetin Dalmat, banonin edhe Keltët(fise Gjermane) e Thrakët. Mes Iliro-Keltëve e Iliro-Thrakëve  zhvilloheshin shpesh luftime të ashpra.Më i përgjakshmi është ai vitit 310 para Krishtit. Keltët sulmuan Ardinantët dhe Autoriatët, dy fiset ilire që banonin rreth lumit Sava. Të dy këto fise, prej luftimeve me Keltët, shpërngulen dhe zbresin më në Jugë, vendosen aty ku ishin Dorsët, bashkohen me ta. Luftimet e Keltëve kundër fiseve Ilire nuk rreshtën, u bënë më të rrepta. Në këto rrethana “fiset Ilire” në Bosnjë mbetën pa vendbanime, -shkruante Taloczi, studiues e arkelolog austriak në studimin e tij”Historia e Motshme e Ilirëve ndër vende të Bosnjës”- Botoi Revista”Agimi” nr. 1-12, Shkodër 1919.

                Luftimet i shtynë fiset Ilire të largohen nga vendbanimet e para; Ardinanët u vendosën pranë Shkodrës, të tjerët u shpërndanë nëpër Shqipëri, ku gjetën hapsira.Përjashtim nuk mund të bënte fisi i “Daorsëve”, një pjesë e të cilëve u detyruan të shpërngulen nga trojet e tyre në Bosnjë dhe të vendosen aty ku sot thirret DARSI, të mirëpritur prej fqinjëve të fisit të Parthinëve. Arkeologu dhe studiuesi Hasan Ceka në artikullin”Gjurmë të trashëgimisë Ilire në toponiminë e sotme të vendit tonë” arrinte në përfundimin se:” Dy Krahina, Darsia ndërmjet Lushnjës dhe Peqinit dhe “Labëria” në lindje të Vlorës, na kujtojnë dy nga fiset më në shenjë të ILIRISË s ë Jugut, Daorsët dhe Labeatët, të cilët nga mesi i Shekullit të II para Krishtit kanë prerë edhe moneta të shënuara me emrat e tyre. Të dy fiset e përmendura banonin në territorin e tyre  të sotëm”.(H.Ceka, revista”Monumentet”nr 5-6/1973.

 Stdiuesi Harun Greca në librin e tij “DARSIA” arsyeton: Si rregull krahina ose kryeqendra mbanë emrin e fisit, të banorëve të saj në shumicë. Kështu fisi i Bylinëve quajti me emrin e tij kryeqendrën ”Bylis”(Ballshi i sotshëm), parthinët i dhanë emër qendrës së tyre-Partha-kurse Daorsët e thirrën krahinën e tyre-DARSI.

             Në luftën e tretë iliro-romake, e zhvilluar në gjirin e Apolonisë, sipas Tit Livit, në vitin 18 para Krishtit, Daorsët u bënë aleat të romakëve. Për kontributin e dhënë ata fituan Pavarësinë dhe të drejtën e prerjes së monedhës me emrin e tyre(Daorson), i cili s’është gjë tjetër veçse emri i fisit të Daorsëve.(Rreth kësaj ka shkruar B.Jubani revista studime historike” nr 1-2/1974.

Në arkeologji identifikimi i monedhës me emrin e Daorsëve ishte një arritje e shkencës së numizmatikës shqiptare, përmes së cilës arrihet në përfundimin se: Daorsët e Darsisë, në shekullin e II para Krishtit, kishin arritur tregues të lartë në zhvillimin e konomik, politik, tregtar e kulturor. Do të ishin luftrat e mëvonshme ato që do t’i zhduknin gjurmët e këtij qytetërimi. Straboni ka shkruar:”Iliria ka qenë shumë e populluar, por sot në pjesën më të madhe ka mbetur shkret”.

Duke iu drejtuar Gjuhësisë, autori i librit Harun Greca, që u vu në gjallje të tij në kërkim të gjurmëve të historisë së fjetur të DARSISË, i referohet edhe profesorit të shquar Eqrem Çabej, i cili e përjashton ndikimin e huaj në toponiminë e DARSISË. Çabej shkruan:”..Po ka edhe emra, sidomos toponime, me kuptim të paditur si Lura, Dajti, Erzeni,Darsia, Vjosa, Labëria e plot të tjera, që nuk janë me origjinë të huaj.(Eqerem Çabej”Studime Gjuhsore”Vëllimi I IV, fq 166, Prishtinë 1977.

   Autori H. Greca ndjek edhe evolimin gjuhësor të fjalës” në shqipen e sotme emri”daors” u kthye në dars-i, me theks në rrokjen fundore. Është rregull në shqipe që grupi zanor –ao-i ka rënë pjesa e dytë dhe mbeti”dars”.

Këto diftongje argumentonte Eqrem Çabej-nuk ruhen më në shqipe, si të tilla janë reduktuar në vokal, monoftonguar, prandaj diftongjet e sotme janë sekondare.(Eqrem Çabej ”Studime gjuhësore”  Vëllimi i III, fq 121, Prishtinë 1976.

 Duke i gjetur fundin argumentimit dhe vërtetimit se DARSI buron nga “DAORSËT” autori i librit arrinë në përfundimin logjik se toponimi “DARSI-a” është thjeshtë fjalë shqipe me burim nga ilirishtja, emri i fisit Ilir të daorsëve. Me emërtesë të njëjtë, por me shqiptim e tingëllimë dialektore, gjendet sot në fshatrat: darsëtë-fis i zhdukur në Lumë; Darsi-fshat në Lumë si dhe emri i përroit- po atje; Darzët-lagje në Dajç, Sapë(Revista “Hylli i Dritës” nr 10-11 , faqe 518, viti 1940.

Po ashtu, në rrethin e Matit, në jugë dhe fare pranë qytetit të Klosit, ndodhet fshati Dars, i cili ngrihet në këmbët e malit me të njëtin emër”Mali i Darsit”. Mbi lartësinë e tij dikur ngrihej një kala e kohrave të vjetra me emrin e fshatit, që banorët e thërrasin edhe sot”Kalaja e Darsit”. Fshati përshkohet prej përroit që zbret prej malit. Edhe ky përrua mban emrin “Sheu i darsit”(Fletorja zyrtare” nr 46/1938.(Vijon)

* Per ata qe nuk e kane ndjekur Historine e Darsise duhet ta nisin leximin nga Darsia 1, me pas 2 e tash 3. Faleminderit.

Filed Under: Histori Tagged With: Harun Greca-Kush ia dha emrin Darsise

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT