• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

Unifikimi diplomatik Tiranë – Prishtinë po shqetëson edhe Rusinë

July 9, 2019 by dgreca

Ne Foto: Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Foto nga arkivi./

Nga Arton Konushevci-RFL/

Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapat fillestarë drejt unifikimit të misioneve diplomatike e konsullore. Të dy qeveritë kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët e cila përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik”.

Me këtë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare. Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo marrëveshje ka për qëllim shfrytëzimin e plotë të mundësive të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme.

“Synimi është ngritja dhe zhvillimi i mekanizmave të përbashkët të veprimit politik, diplomatik dhe konsullor për t’i dhënë një shtytje angazhimit të ndërsjellë në politikën e jashtme dhe për të fuqizuar rolin e diplomacive tona në arenën ndërkombëtare”, tha Zyberaj.

Ai tha se me marrëveshjen e nënshkruar përfitimet do të jenë të dyanshme.

“Marrë para sysh faktin se Kosova në vazhdim ka një oponencë të fuqishme në Republikën e Serbisë, e mbështetur nga Rusia dhe vendet tjera mosnjohëse të Kosovës, me anë të kësaj marrëveshjeje kemi bërë hapa konkret që të ndihmojmë njëra-tjetrën në avancimin e pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare”, tha Zyberaj.

Sipas zotimit të shprehur nga të dy qeveritë, asaj në Prishtinë dhe asaj në Tiranë, nga pikëpamja diplomatike marrëveshja inicion fillimin e punës teknike për ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim të krijimit të hapësirave për përdorim të përbashkët nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

Po ashtu marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e personelit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës, anekënd globit. Me marrëveshje parashihet që në Akademitë Diplomatike përkatëse të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët, si dhe pikëpamja e diplomacisë kulturore.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës të mbajtur më 2 korrik, tha se kjo marrëveshje hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

“Ky zhvillim shënon rritje të pranisë tonë diplomacisë, avancim të kapaciteteve tona të përbashkëta dhe gjithsesi një përafrim më të madh midis Kosovës e Shqipërisë”, ka deklaruar Cakaj.

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe në Australi, Sabri Kiçmari, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshjet e tilla janë normale dhe u shërbejnë shteteve përkatëse. Ai tha se ky veprim është normal dhe një nisme e tillë ndihmon në zhvillimin e mëtejme të politikës së jashtme.

“Natyrisht, që diplomacia ndërkombëtare e ka të qartë se fjala është për një bashkëpunim ndërshtetëror midis dy vendeve, sigurisht duke ruajtur premisat e qarta dhe prerogativat e qarta shtetërore të të dy vendeve. Nuk është fjala për ‘Shqipëri të Madhe’ e as ‘të vogël’, por është fjala për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme në mes të dy vendeve që janë vende vëllazërore mes tyre dhe është praktikë normale ndërkombëtare dhe e quaj një gjë të përparuar”, tha Kiçmari.

Por, ndaj nismës për unifikimin diplomatik e konsullor të Kosovës e Shqipërisë kanë reaguar Serbia dhe Rusia. Të dy këto vende që njihen edhe si kundërshtare të fuqishme të pavarësisë së Kosovës, marrëveshjen e kanë cilësuar si hap drejt realizimit të synimeve për, siç thuhet, “Shqipërinë e Madhe”.

Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, thuhet se hapa të tillë në Prishtinë dhe Tiranë shkaktojnë shqetësim serioz.

“Hapat provokues të Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë në harmoni me zbatimin e konceptit të ‘Shqipërisë së Madhe’, paraqesin shqetësim serioz. Ne konsiderojmë se marrëveshje Kosovë – Shqipëri për unifikimin e misioneve diplomatike në vende të treta, e nënshkruar më 2 korrik të këtij viti, është në këtë kontekst”, theksohet në reagimin e Moskës.

“Ne tërheqim vërejtjen se veprimet provokuese të Prishtinës dhe Tiranës nuk janë të rastësishme. Për disa vjet rresht, prej atje janë dëgjuar deklarata rreth integrimit ‘de facto’. Kjo linjë e udhëheqjes në Shqipëri dhe në Kosovë bie ndesh me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, minon dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së dhe kërcënon stabilitetin në Ballkan”, theksohet në reagimin rus.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë mendimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ që është e dëmshme për rajonin”, thuhet në deklaratën e Moskës zyrtare.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka cilësuar marrëveshjen për bashkëpunim në politikën e jashtme të Prishtinës dhe Tiranës si përpjekje për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”. Kryediplomati serb ka pyetur se çka do të ndodhte nëse Serbia do të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme me Republikën Serbe. Sipas tij, edhe Serbia dhe Republika Serbe mund të veprojnë njësoj sikurse Prishtina dhe Tirana, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

Nisur nga këto reagime, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behxhet Pacolli ka thënë se “Serbia apo dikush tjetër nuk duhet të shqetësohet kur dy vende fqinje kanë bashkëpunim të fortë dhe të ngushtë, por kur një fqinj tjetër e bashkon politikën e tij të jashtme me akterë tjerë të palëve të treta, të cilët nuk kanë vend në rajonin tonë. Atëherë ky është shqetësim për stabilitetin tonë rajonal, jo për bashkëpunimin”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Ndryshe, nisma për unifikimin e misioneve, apo disa misioneve diplomatike e konsullore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë daton që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.(Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Konushevci-Unifikimi-Sherbimit Diplomatik-Tirane-Prishtine

Haradinaj kërkon vendosjen e drejtësisë për rastin e vëllezërve Bytyqi

July 9, 2019 by dgreca

Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit. Duke u përkulur para veprës kulmore të tre Heronjve të Kosovës, Qeveria e vendit zotohet se nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë.- RH

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria që drejton, nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë, për rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, 20 vjet më parë.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

“Në 20-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Agronit, Yllit dhe Mehmetit, kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare. Ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Çështja e vëllezërve Bytyqi, ka dominuar gjithmonë bisedimet ndërmjet zyrtarëve serbë dhe atyre nga Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti dhe dënimin e vrasësve. Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Kongresisti amerikan Eliot Engel, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, gjatë vizitës në Beograd, javën e kaluar, tha se “rasti Bytyçi është dashur të zgjidhet kohë më parë”.

“Është një tragjedi e tmerrshme, të gjithë janë vrarë. Ka qenë vrasje e paramenduar dhe mendoj se autoritetet serbe duhet ta zgjidhin sa më parë. Zoti Vuçiq e di shqetësimin tim në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi. Kemi folur detajisht për këtë në Uashington dhe tani në Beograd”, tha Engel.

Filed Under: Kronike Tagged With: Haradinaj-Velelzrit Bytyqi- Drejtesi

NJË MBRËMJE ME FAMILJEN MICOTAQIS

July 9, 2019 by dgreca

Marrë nga libri “Rrëfimet e komshiut”…/

Nga  Abdurrahim Ashiku-Athine/

Kisha ditë që nuk e kisha takuar. Më mungonte humori dhe e qeshura e tij, një e qeshur sikur rrjedh nga kroje të thella ujëkristal.

Kishte arsye. Kësaj radhe ishte lidhur pas të vëllait që nuk bënte hap pa të, pa iu ngjit përdore si ngjitet fëmija pas prindit. Athina e kishte befasuar me rrugët, lëvizjet, trafikun, zhurmën. I mësuar në ngushtësinë e shtëpisë së vogël private diku andej nga kodrat e Rrashbullit, me klasën ku jepte mësim dhe grupin muzikor që i jepte gjellë bukës së mësuesit dhe ndonjë tra shtëpisë ende në ndërtim, Athina i dukej e pakapshme, madje e frikshme.

U përqafuam me të dhe me vëllanë, mbasi me të isha njohur në Golem të Kavajës verën e kaluar. Pritëm dritën jeshile të semaforit për të kaluar Patisionin e për tu shtruar në atë mjedis të vjetër lokalesh që mban në vetvete Fokion Negri.

U ulëm dhe porositëm kafenë e zakonshme.

Tek gjerbnim amalgamën e kafenjtë në një cep buzësh kapa fijen e njohur të buzëqeshjes, fije që i shfaqej sa herë kishte ndonjë të re nga “Fronti i kamerierit”, siç thoshim me shaka.

– Mbrëmë kisha mysafir në tavolinë Micotaqin…

– Kë? Micotaqin? Atë të madhin?

– Jo vetëm atë, por edhe me të shoqen, Marikën edhe të bijën, Dorën, edhe djalin, Qirjakon…

– Dhe…?

– Edhe duzinën e rojeve që rrethoi lokalin.

– Kaq?

– Ishim lajmëruar, sigurisht se do të vinte dikush i madh por se kush, pronari nuk ma tha. Ai, për çdo gjë ka besim të plotë tek unë dhe shërbimet e veçanta mi jep vetëm mua. Bëra gati si zakonisht tavolinën duke  u kujdesur deri në hollësi. Kur behu në hyrje të lokalit ndjeva njerëzit të luanin vendit, madje të ngrihen në këmbë. Nuk munguan edhe disa përplasje duarsh në shenjë respekti apo tifozëri partiake. Ju e dini se në lokalin tonë vijnë nga të gjitha partitë dh nga të gjitha shkallët e pasurisë.

Në krahun e djathtë, sapo kaloi portën mori Dorën, kurse në të majtën Qirjakon.

Pasi u rehatuan u urova mirëseardhjen dhe i ftova për porosinë.

Më dëgjoi, më mati nga koka tek këmbët, më pa në sy dhe me atë zërin e tij bubullues më pyeti:

– Kritikos ise?

– Ohi!- i përgjigjem prerë duke ngritur kokën lart. – Ime Alvanos!

Priste, ndaj edhe pyeti, ti them se jam Kritikos, Kretas sepse nga Kreta i ka rrënjët megjithëse kretasit asnjëherë nuk ia kanë dhënë votën, as atij kur bëhej e ribëhej kryeministër, dhe as sot partisë së tij “Demokracia e Re”. Përgjigja ime, e prerë, e befasoi.

Të them të drejtën, asnjëherë, në asnjë rast, edhe atëherë kur isha ilegal, nuk e kam mohuar  se jam shqiptar. Pse ta mohoj?

Pashë në ato të dhjeta të sekondave se si kërciti kolltuku, si notoi shikimi sa tek e bija tek i biri. Pashë se si buzët ia përshkoi një fill i hollë qeshje. Nuk e mora vesh natyrën e atij filli derisa nga goja e hapur nuk do të dilte një zë i fortë, bubullues…

– Ho, ho, ho! – qeshi ai sa u drodh lokali

– Ha, ha, ha! – qeshi e shoqja

– Ha, ha, ha! – qeshi e bija.

– Ha, ha, ha! – qeshi i biri

Ishte një shpërthim gazi që nuk e kisha dëgjuar e ndjerë ndonjëherë, një bubullimë si pas flakës së rrufesë në qiell me shi, një gaz që vazhdoi për minuta e i dha lokalit tjetër ngjyrë.

Porositën, dhe ndërsa drejtohesha tek kuzhina për të lënë porosinë, ndjeva mbi sup një dorë të rëndë. Kthehem dhe përpara më del fytyra dyngjyrëshe e shoqëruesit.

– Pse qeshi kryeministri? – Më pyeti paksa me arrogancë.

– Më pyeti në se jam nga Kreta, Kritikos.

– Dhe ti si iu përgjigje?

– I thashë se jam nga Shqipëria, Alvanos.

E pashë si ia përshkoi fytyrën një qeshje që nuk mungoi të bëhej e zëshme.

E pashë se si bisedën ua tregoi rojeve të tjera të cilët u shkrinë në gaz.

Kur qesh shefi, qeshin të gjithë.

– Kaq? – i them

– Kaq. Çfarë do tjetër?

– Lanë ndonjë bakshish kur ikën?

– Hëëë!- mërmëriti dhe vazhdoi:

– Të pasurit i mbajnë xhepat qepur me pe dore…

Kohë të reja…

Athinë, 22 mars 2011

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku-Micotaqis- Athine

BUKURI…

July 9, 2019 by dgreca

…bukuri/
Wilfred Owen/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

E bukur, e ndershme, elegante,/
Është ajo që na pëlqen, thotë Kant,/
Pa menduar për interes ose avantazh./
Përdorur për të parë/
Kur flasim për bukurinë/
Dhe masim entuziazmin e tyre./
Njoh një njeri që kurrë nuk thotë Bukuri/
Veç për një kalë;/
Njerëzit rrallë flasin për bukurinë/
As të dashuruarit nuk mendojnë shumë për ‘të/
Femrat natyrisht e konsiderojnë për orë të tëra/
Në pasqyra;/
Një shrapnel -/
Ku lëkura e lagësht shndriste kur ai notoi/
Si një qenie detare plotësisht e lirë
Ne të dy thamë: ‘Çfarë bukurie!’
E njihja atë lule të pa shpresë
Sikur të jetosh e të shohësh sërish
Trëndafilat e shtëpisë tënde.
Bukuria është ajo që kënaq dhe kënaqet,
Nuk sjell përparësi personale – Kant.
Por më vonë kam dëgjuar
Një sëmundje ra në një lulekuqe
Dhe ajo u mbyt me të.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Wilfred Owen- Bukuri-Astrit Lulushi

PRESIDENTËT E SHQIPËRISË NËN HIJEN E FRIKËN E GREQISË

July 9, 2019 by dgreca

Kolec Traboini me Aristidh Kolen ne Athine/
– Pse nuk i dhanë e nuk i japin Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”? /-
 
Nga KOLEC P. TRABOINI/
 
Që nuk gjen një grek në botë që të bëjë lojën e Shqipërisë e të shqiptareve kjo po dihet. Dhe është e natyrshme. Çdo kush punon e sakrifikon për kombin e atdheun e vet. Grekët bëjnë aq shumë për Greqinë madje duke i tejkaluar edhe të drejtat që kanë e duke spekuluar e imponuar siç është rasti me minoritetin grek në Shqipëri. E veçanta është se grekët minoritarë që kanë jetuar e jetojnë në Shqipëri, pavarësisht regjimeve që ka pasur ata kurrë nuk e kanë ndjerë veten inferiorë. Populli shqiptar është shumë dashamirës dhe nuk kemi pasur në histori ndjesi apo shfaqje racizmi. Përkundrazi mirësi dhe respekt për të huajt kjo edhe për shkak të traditave që shqiptari ka pasur në shekuj “Shtëpia e Zotit dhe e miqve!”. Këta kanë qenë shqiptarët në histori. Por le të shohim e analizojmë veten në një kënd tjetër vështrimi, pra anën tjetër të medaljes. Si sillemi ne si shtet dhe institucione në lidhje me interesat e shqiptarëve në Ballkan e më gjerë. Sa i mbrojmë interesat e bashkëkombësve tanë jashtë Shqipërisë ? Sa e si punojmë ne, si sillemi, si shfaqemi përpara atyre që kanë gjak e gjuhë shqiptare e jetojnë anë e mbanë Ballkanit apo dhe në hapësira e shtete të tjera? Në këtë vështrim mund të them se ne jemi mjerimi i mjerimeve. Jemi shteti më i papërgjegjshëm në Europë. Ne mburremi e rrahim gjoksin “O sa mirë me qenë shqiptar!” nëpër koncerte folk a mitingje politike populiste dhe me këtë sikur e kemi kryer detyrën tonë ndaj kombit. E them këtë sepse e kam konstatuar në Atdhe, por edhe gjatë disa dekadave në mërgim. Mjerisht ne kemi shtetarë që shohin vetëm interesat e ngushta të klaneve, grupimeve, tarafeve dhe fare pak ose aspak përkujdesje për atë që na mban në këmbë si komb e si shtet. Dua të vë në dukje e të sjell në vëmendje një shëmbëllesë mjerane për të kuptuar çfarë ndodh në Shqipëri dhe sa të papërgjegjshëm janë shtetarët e këtij vendi ani pse formalisht kanë krijuar një ministri e kanë shpallur një ministër të Diasporës që nuk bëjnë asgjë. Dhe rasti më tipik është qëndrimi ndaj një figure madhore, arvanitasit më të madh të shekullit të 20-të, veprimtaria e vepra e të cilit bën krenar çdo shqiptar kudo që ndodhet në botë. Ai është Aristidh Kola. Nuk themi se ishte, edhe pse ka vdekur i helmuar nga qarqet ultra nacionaliste të vendit fqinj, nuk themi ishte se për ne mbetet gjallë e kështu do ta konsiderojmë gjithmonë. Kam shkruar vite më parë, madje botuar edhe një libër me titullin “Vrasja e dytë e Aristidh Kolës”, i kemi rënë kambanave, por pushtetarët shqiptarë kanë bërë kinse janë shurdhë e nuk dëgjojnë se për të folur nuk bëhet fjalë, se Aristidh Kolën fizikisht e kanë hequr mizorisht nga jeta, por ai ka lënë veprën e tij të cilën edhe atë duan ta vrasin. Plot përpjekje kanë bërë. Për të vrarë historinë nuk bën punë as plumbi e as helmi. Mjafton të shuhet kujtesa. Dhe për këtë punojnë me mënyrën më të sofistikuar falangat e shovinizmit. Ne shqiptarët nuk jemi aq të pamend të mos kuptojmë se pse grekët e mbajnë marrëzishëm Ligjin e Luftës me Shqipërinë, por ndërkohë nuk e kanë ligjin e luftës me Italinë ushtria e të cilës e sulmoi Greqinë. Mirë ata, po ne vetë çfarë bëjmë? Si e trajtojmë ne problemin e ekzistencës së shqiptarëve të Greqisë të cilët janë jo thjesht komunitet, por shtet formues. Çdo veprimtari për arvanitët dhe Aristidh Kolën është bërë me iniciativa private të atyre që e kanë njohur apo kanë bashkëpunuar me arvanitasin e madh. Vetëm një rast, edhe ky i inicuar nga grupimi “Miqtë e Aristidh Kolës” u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar një përkujtimore. Asnjë veprimtari nga Akademia e Shkencave ku gëlojnë eunukë të mendjes, njerëz me nivel kulturor të dyshimtë. Pse ky indiferentizëm? Mos vallë një harresë sklerotike pleqërishte? Është e thjeshtë për t’u kuptuar se nuk ka të bëjë me harrimin e rastësishëm. Megaloidheja skutave të Athinës i ka tentakulat e gjata. Arrin deri në zyrat e institucioneve të shtetit shqiptar duke përhapur idenë kinse do t’u prishet oreksi fqinjëve nëse bëjmë veprimtari për arvanitët, apo nëse e përkujtojmë apo botojmë veprat e Aristidh Kolës. Ndaj nuk duhet as ta përmendim e jo më ta dekorojmë. Kjo tregon se kemi pasur e kemi qeveritarët më të papërgjegjshëm në planet. Ministria e Kulturës së këtij vendi kur i paraqitëm projektin për të mbështetur botimin e një libri për Aristidh Kolën e refuzoi ndërsa financonte filma për djathin kaçkavall, apo për historinë pa histori të muzikës rok në Shqipëri!!! Çmenduria institucionale nuk mund të ketë trajtë tjetër më diskredituese. Ky mjerim është i përshkallëzuar. Le të ngjitemi më lart në kupolën e shtetit. Në Presidencë. Nëpërmjet këshilltarit të presidentit Bamir Topi kemi sugjeruar shpalljen e Aristidh Kolës “Nderi Kombit”. Afrim Krasniqi u përpoq të na bindë se nuk ishte e mundur të bëhej kjo për disa arsye që kurrë nuk i mora vesh. Kam bërë debat të gjatë me këtë këshilltar të presidentit Topi, i cili më kërkoi që këtë debat të mos e bëja objekt të medias publike. Deri më sot nuk e kam publikuar, por këtë edhe mund ta bëj sepse papërgjegjësia e presidencës së Republikës ka arritur deri në nivel katastrofal. Kështu presidenti Bamir Topi me ekipin e tij që dekoroi e daroviti të gjithë ata më të cilët hante pilaf e karavidhe pa harruar fërgesën tiranase, i refuzoi Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”. Bashkë me një grup miqsh nuk hoqëm dorë nga kjo dëshirë që në të vërtetë është dëshirë e qindra mijëra shqiptarëve që kanë njohur dhe lexuar veprat e arvanitasit të madh. Iniciativën e institucionalizuam nëpërmjet një fushate e veprimtarie në linjën Tiranë-Prishtinë. Arritëm të marrim firmat e 1800 intelektualeve ndër të cilët mbi 40 me titull Profesor, pedagogë universiteti, artistë, gazetarë, kineastë, studiues. Bashkuam edhe peticionin e bërë në internet ku kishin firmosur me qindra shqiptarë në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, Kanada dhe Amerikë. I përgatitëm dhe siç na rekomanduan në presidencë i dërguam me postë në adresë të Presidentit Bujar Nishani. Por as gjegje nuk na dhanë dhe asgjë nuk u bë. Biseduam me këshilltarin e tij Ndriçim Kulla, i cili ishte pesimist dhe na dha të kuptojmë se presidenti Nishani nuk do të ndërmerrte një hap të tillë. Por ne ndërkohë vumë re se ky president dekoroi plot njerëz mediokër duke i shpallur “Nderi i kombit” apo dhe mjeshtra të mëdhenj tallavaxhijtë që këndojnë këngë të frymës anadollake osmane. Po pse këto dy presidentë erdhën e ikën dhe e refuzuan nderimin e Aristidh Kolës? Nga biseda që kemi zhvilluar me ata që u rrinin afër këtyre presidentëve kemi kuptuar se ka një konspiracion të madh kundër arvanitasit të madh, se ka grupe të interesuara që shqiptarët jashtë Shqipërisë të mos nxiten në linjën e gjakut të tyre shqiptar kinse për të mos hapur plagë historike. Në të vërtetë i gjithë ky konspiracion ka të bëjë me agjenturat e Greqisë në Shqipëri. Që Greqia shpenzon miliona euro për agjenturat e veta në Shqipëri kjo nuk është gjë e fshehtë, por e paditura është si kanë arritur të ndikojnë deri tek kokat e shtetit shqiptar të cilët duhet të ishin në mbrojtje të identitetit shqiptar e jo si faktor për fashitjen e shqiptarizmës në Ballkan. Gjithsesi nga refuzimi që i është bërë Aristidh Kolës një tregues është i qartë, edhe presidentët shqiptarë bëjnë lojën e Greqisë. Nuk ka asnjë shkak tjetër. Greqia nuk do që Aristidh Kola të lartësohet në atë piedestal që të fashiten përgjithmonë ndjenjat e shqiptarëve të Greqisë, të cilëve u mohohen të gjitha të drejtat kombëtare. U mohon kësisoj shqiptarëve shtetformues të Greqisë që janë me miliona, atë çfarë e kërkon për minoritarët grekë që nuk shkojnë më shumë se 200 mijë banorë. Ne e kuptojmë Greqinë, por nuk e kuptojmë Shqipërinë. Pse presidentët tanë nga frika apo nga interesa të caktuara personale bëjnë lojën e Greqisë?! Pse tradhtojnë interesat kombëtare? Interesi ynë kombëtar është që të gjithë ata që kanë gjak shqiptar, kudo ku ndodhen, t’u krijojmë kushte e mundësi të ndjehen mirë për gjakun e prejardhjen e tyre. E dimë se peshku qelbet nga koka, por ka një ndryshim në rastin e shqiptarëve- vërtet kanë kokat e shtetit të qelbura, por trupi i shqiptarisë është i shëndoshë. Mendoj se turpi duhet t’i mbulojë këta dy ish presidentë të papërgjegjshëm që kanë vënë axhendën e Greqisë mbi ndjesinë e shqiptarisë. Tani ne kemi në institucionin më të lartë të shtetit presidentin Meta. Duke ditur prejardhjen dhe karakterin e tij mbetemi me shpresë se ai do ta bëjë sfidën e madhe duke i dhënë Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”, çfarë është dëshirë jo vetëm e ne miqve të tij, jo vetëm e miliona shqiptarëve në Greqi, por edhe gjithë shqiptarëve në botë. Presidenti i sotëm ka rastin që më shumë se Aristidh Kolën me dhënien e këtij titulli, të nderojë veten e ne të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhemi dhe e kemi shqiptarinë një gjë të shenjtë e të patjetërsueshme. E mbyllim këtë shkrimi në përvjetorin e lindjes së arvanitasit të madh duke ritheksuar se ai qëndron madhërishëm në panteonin e kombit shqiptar, anipse i mohuar nga shtetarucët dhe palikarët e politikës. 1860 firma intelektualësh e njerëzish të shquar në të gjitha fushat e dijes, Profesorë e Doktorë shkencash, artistë por edhe njerëz të thjeshtë, katër shoqata në Shqipëri e Kosovë nuk mjaftuan për të akorduar një titull të propozuar në fillim të vitit 2016. Gjithsesi, duan apo nuk duan mizat e vogla në kalin e pushtetit e politikës, Aristidh Kola, është e do të mbetet Nderi i Kombit Shqiptar në jetë të jetëve.
 
8 korrik 2019

Filed Under: Opinion Tagged With: Kolec Traboini- Aristidh Kola-Presidentet-Nderi i kombit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT