• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

Tubëz poetike nga poezia e hershme e Arshi Pipës 1941

August 19, 2019 by dgreca

Përzgjedhur nga Anton Çefa/

            “ . . .Poezia asht krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore,  errësina qi bahet dritë”-Arshi Pipa/

AGIM/

Andrrat bahen të shkurta,/

Flurojnë të shpejta\n’ajrin e rralluem,/

U ndihet murmurimi./

Te hyjzit vezullimi/

Asht i shqetë,/

E fryjnë era të imta./

Fergullon tash e cikun/

Gjethnaja./

Agim te maja./

Medije 1).

Nji plasë e t’kthielltit

Zanafilla ime.

Çka kerkoj asht te retë,

Ndër zanet qi dalin

Nga shtëllungat e çame.

1). Ndergjegje (sqarim i imi).

Mëshirë

Kam pa nji lot qi u var

Mollzash e piku,

Nji dorë qi e mblodhi

Margaritar.

Kanga e fatit

Kè kambët mbi dhe

E krahët rrokin ernat,

Me gishta qiejve

Cipat gërvishtë,

Don me prekë

Çka nuk ka emën.

E verteta qi ti lakmon asht femen!

Nji rrëfe ndër sy

Qi shigjeton terrin

Mandej nji lot qi ngelë

Pikëpyetje n’ajr.

Teh shpate mes ujit e zjarrit

Për zemren akrobate,

Vorrin ke prak !

Dhae çka pate.

Priresh prore

Kah nji vorrezë ujnore.

Lavirë

Çka jam? M’shikoni mirë!

Dij me tallë dashninë,

Nji mijë mënyrë,

Dij mjeshtërinë e vështirë

Me puthë me buzë të ftohta.

Mkati asht i bukur

Te shtati im pasqyrë,

Afroditë Pandemija,

Hyjneshë e lavirë.

Dëshirë

E falisun me u ba

Tërthuer provash i dlirë

E si nuk ke mëshirë

Për veten tande ashtu nuk ke për tjerë.

Luen me zemrat e hueja me pa

Mos dalë andej jehona

Për kangën e vështirë.

Shet trupin tand per me plle shpirtin,

Mandej shet shpirtin n’panair.

Merr për me dhanë ma tepër,

Lavirë e epër.

Natë e mbrame

Natë e mbrame. I kam thanë

Lamtumirë çdo lteri

Ku ende ka mbetë ikonë

Nji puthje zamaku,

Ende flija e qetë

E nji cirke gjaku

Qi rrodhi i dlirë dikur ndër dejt e mi.

Kam vojtë ndër tbanat

Ku fjalët nuk kanë za,

fëtyrat janë lutje.

Ktu pashë nji herë

Nji vashë me duert

Plot hyj.

Nji tjetër herë kur kisha sytë

T’irun prej gjumit

Erdha te  nji kopësht

Tue ndjekë nji vazhdë.

E si po biresha pashë

Andërr thue se isha

Lule ndër gishta

T’hajthët kuq si gjaku

Qi më grisshin ngadalë.

Natë e mbrame, bremje

Ma e gjallë, e vonueme.

San Minato al Monte

Diçka lëviz me gjeth, nji za

I trishtë.

Del nji fytyrë e brishtë,

dridhet thue se mërdhet.

Ah, lamtumirë e gjatë,

shtegu, qiparisat,

vorret ndërmjet.

Fiesole

Diktohet rruga

E bardhë,

Te nji dritore nalt

Feksi nji llampë.

Era

Qi lkundë çerdhet e heshtuna

Kalon me tinguj 

Kumbonësh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arshi Pipa- Tubez- Anton Çefa

TEORI MBI KRIJIMIN

August 19, 2019 by dgreca

…teori mbi krijimin/
Nga Astrit Lulushi/

Kohë të çuditshme janë këto në të cilat jetojmë, ku njeriu mësohet në shkollën e gënjeshtrës. Dhe ai që guxon të thotë të vërtetën quhet njëherësh i çmendur dhe i marrë. Këtë e ka shkruar Platoni rreth 2500 vite të shkuara, por është e vërtetë edhe sot. Njeriu, psikologjikisht edhe fizikisht, shumë pak ka ndryshuar nga njeriu i kohës së lashtë, dmth, shumë pak ka evoluar, ose, të paktën, mendërisht nuk ka ndryshuar (në mos ka mbetur prapa).
Kjo tregon se fillimisht njeriu ka ardhur në jetë me të njëjtat karakteristila e tipare siç është sot, por nëse është kështu, ai duhet të jetë lindur edhe me kujtime a lidhje gjenetike. Por çfarë kujtimesh ka patur njeriu i pare kur para tij jeta nuk ka ekzistuar? Me kë lidhej ai gjenetikisht?
Në përpjekje për gjetjen e një përgjigje, njeriu krijoi teori të shumta, që nga prejardhja nga majmuni e deri tek dalja e menjëherëshme në dritë. Dhe këto ide kanë qenë gjithmonë në përplasje.
Darwini në fund të jetës së tij pati thënë se seleksionimi natyror ka qenë mënyra kryesore por jo mënyra e vetme e modifikimit, duke u tërhequr paksa nga teza e tij më e herëshme.
Rreth fillimit të shekullit të 20-të, periudhë që është quajtur “eklipsi i darvinizmit”, kur popullariteti i teorisë së tij pësoi rënie, shkencëtarët propozuan mekanizma të ndryshëm alternativë, duke bashkuar gjenetikën mendeliane me seleksionimin natyror të Darvinit.
Sipas konceptit mendelian, trashëgimia e një tipari varet nga kalimi i tij, ku për çdo tipar të caktuar, një individ trashëgon një gjen nga secili prind, në mënyrë që individi të ketë një çift të dy gjeneve.
Sipas konceptit darvinian, organizmat që përshtaten më mirë me mjedisin e tyre kanë tendencë të mbijetojnë dhe të prodhojnë më shumë pasardhës. Kjo u quajt “teoria e veprimit” dhe tani besohet se është procesi kryesor që sjell evoluimin. Shkencëtarët i dhanë teorisë një bazë matematikore dhe arritën në përfundimin se përzgjedhja natyrore ishte mekanizmi bazë i evolucionit.
Në SHBA, të gjitha grupet kryesore fetare janë kundër teorisë së Darvinit, duke thëne se njerëzit dhe gjallesat e tjera kanë ekzistuar gjithmonë në formën e tyre të tanishme. Përkundër përpjekjeve në shumë shtete për të ndaluar mësimin e evolucionit në shkollat ​​publike ose për të mësuar alternativa për evolucionin, gjykatat në dekadat e fundit vazhdimisht kanë refuzuar kurrikulat e shkollave publike që largohen nga teoria e evolucionit. Për shembull, më 1987, në çështjen Edwads vs. Aguillard, Gjykata e lartë vendosi që një ligj i Luizianës që u kërkonte studentëve të shkollave publike të mësonin si evolucionin ashtu edhe shkencën e krijimit ishte anti-kushtetues. Dhe debatet mes njerëzve vazhdojnë, por pa ndërhyrjen a diktatin nga qeveria apo shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-teori mai krijimin

DINJITETI PËRBALLË TOTALITARIZMIT

August 19, 2019 by dgreca

ISH TË PËRNDJEKURIT NË LUSHNJE: KUJTESË, LULE, FOTOGRAFI NGA JETA NË KAMPET E INTERNIMIT DHE PROTESTË /

Nga Dalip Greca/

-Kryetari i të Përndjekurëve Nebil Çika: Është hipokrizi të vish dhe të vendosësh lule tek Memoriali dhe të mos kërkosh falje për krimet e komunizmit, është hipokrizi të vish këtu mes atyre që vuajtën dhe të qëndrosh në Parlament me ata që kanë kryer krime ndaj shtresës së të përndjekurëve apo kanë bërë vrasje në kufi…

-Uran Kostreci: Ne, serës sonë, nuk na takon që të mos sillemi me fisnikëri dhe të mos respektojmë kodin e mortit…






-Sofokli Kuqeshi: Ju vazhdoni të na shihni ne si “delja e zezë”, përse ne duhet të vazhdojmë të vuajmë edhe sot…As një emër rruge në Savër nuk keni miratuar në kujtesë të vuajtjeve tona…Së paku ruani një barakë si dëshmi të jetës tonë të mundimshme….

— FAIK MATJANI: KISHA SHUME PER TE THENE PER PORTO PALERMON, TEPELENEN, PER GJAZEN, PER…POR NUK ME PYETI NJERI….

    ****

Të Djelën, 18 Gusht 2019, në Orën 10 të mëngjesit, në qytetin e Lushnjës, pranë Monumentit Kombëtar të Internim-Dëbimeve për vitet 1954-1990 nisën takimet e Kujtesës. Veprimtaria u organizua në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Organizatorë të veprimtarisë ishin Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të Përndjekurve Politikë etj. Nën moton: “Dinjiteti përballë totalitarizmit”, organizatorët synonin të risillnin në kujtesë jetën në kampet e internimit në të gjithë komponentët e saj nga vuajtjet, përndjekjet, apelet, privimet, deri tek martesat. 

Takimet pranë Memorialit Kombëtar tashmë janë të përvitshme. Ish të përndjekurit politikë, familjet e internuara, të mbijetuar nga kampet e vuajtjes, vijnë edhe nga emigracioni për të ruajtë dhe përcjellë kujtesën e vuajtjeve të kohës së diktaturës. Kësaj veprimtarie i ishte bashkuar edhe ambasadori Zviceran në Shqipëri z. Adrian Maître, Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve të Ish Sigurimit zonja Gentiana Sula me bashkëpunëtorët e saj,Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurëve Politikë Nebil Çika, kryetari i bashkisë Fatos Tushe, deputeti socialist Bashkim Fino, Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Shpëtim Axhami e të tjerë.

Pasi janë vendosur kurora me lule pranë monumentit, z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit, i ka përshëndetur bashkëvuajtësit dhe organizatorët dhe ka bërë thirrje për Kujtesë.

Më pas pjesmarrësit kanë shkuar në mjediset e Qendrës Kulturore’Vaçe Zela” për të ndjekur ekspozitën fotografike nga jeta në kampet e internimit si dhe për të parë dokumente nga Dosjet e e përndjekjet e sigurimit famkeq të diktaturës, që ekspozoheshin për herë të parë. Kryetarja e Autoritetit ka përgëzuar grupin e punës që e ralizuan ekspozitën si:Ardita Repishti, Anton Dukagjini, Bianka Hada, Ardiana Topi, Eda Isaku , Simon e Pal Mirakaj, Altin Hoxha e të tjerë.

Në sallën e Kinoteatrit me ish-të internuarit dhe trashëgimtarët e tyre, qytetarë e të ftuar të tjerë, ka nisë prezantimi i projektit të Autoritetit në bashkëpunim me IPP e SHAPP, për kthimin në vendkujtese të qendrave të internimit, bashkëbisedim i hapur ku pritej të shkëmbeheshin ide e sugjerime me të pranishmit. Ndoshta këtu e pati zanafillën edhe revoltimi i disa prej ish të internuarave, që ndërprenë aktivitetin. Ato nuk e panë veten objekt të aktivitetit dhe protestuan për mospërmendjen e emrave e disa familjeve që vuajtën në këto kampe deri më 1991, e cilësuan hipokrizi pjesmarrjen e deputetit socialist, dhe njëra prej tyre i kërkoi sallës që të ngrihej në këmbë dhe të mbante 1 minut heshtje për të ndjerin Sherif Kaloshi, që sapo ndërroi jetë në Kanada.

Në shenjë proteste për pjesmarrjen e deputetit socialist Fino, Vera Iliazi, Rudina Dema dhe Bedrie Kaba, braktisën sallën duke u pasuar edhe nga të revoltuar të tjerë.

KRONIKA:Takimin e bashkëbisedimit e ka hapë Ardita Repishte, që ka përshëndet të pranishmit dhe ka ftuar kryetarin e Bashkisë z. Fatos Tushe për të përshëndetur. Z. Tushe ka përgëzuar bashkorganizatorët, pjesmarrsit, dhe ka vlerësuar pjesmarrjen e ambasadorit zviceran. Më pas ai ka vlerësuar….(Të plotë do ta lexoni në Gazetën Dielli në Print)

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Kujtesa- Lule e Protesta

“SKANDAL”!!!

August 17, 2019 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Tashmë,prej shumë vitesh nëpërmjet mjeteve të informimit, dita hapet me  “skandale” dhe mbyllet me të tillë… Skandal në një studio televizive…skandal në një gazetë…skandal në një institucion, në gjykatë, në prokuri, zyrë shërbimesh …etj…etj… Por  vallë, çfarë kuptojmë me një “Skandal”? 

Pa pretenduar të bëj një përkufizim shkencor apo filozofik të fenomenit, mendoj se skandali është një ngjarje e rrallë, e pazakontë, që shkakton tronditje të thellë në rrjedhën normale të jetës së secilit prej nesh. Një ngjarje e tillë pason me trauma të karakterit psiko-social, politik, ekonomik, etj…me rezultate të tmerrshme për të sotmen dhe të nesërmen e pjesës më të madhe e të pambrojtur të popullsisë. Si e tillë, ajo duhet të vijojë gjithashtu me një reagim të fuqishëm  qytetar opozitar për të kundërshtuar e minimizuar pasojat e saj.

Nëse në Shqipërinë tonë të vogël, tashmë ngjarje të tilla janë kthyer në bashkëudhëtare të përditshmërisë sonë , a mund të quhen më “Skandale”??? 

Vallë si duhet  t’i emërtojmë fenomenet që shoqërojnë dhunshëm dhe me arrogancë drejtimin banditesk, që na poshtëron çdo ditë, duke na grabitur, poshtëruar,  e duke na e bërë jetën të pamundur? 

-Po të drejtohem ty,  Kryeministër i 20% me TVSH!!!

Përpiqesh të legjitimosh vjedhjet galopante të pronave të qytetarëve shqiptarë, të fondeve publike që arrijnë në shifra astronomike për xhepin e varfër të shqiptarëve. Dhe këtë e bën pa skrupuj, pasi  së bashku me banditët trafikantë që ke grumbulluar  rreth vetes,  ja ke dalë të përqëndrosh të gjitha pushtetet në duart e tua prej diktatori mizor.

Përpiqesh të legjitimosh votimet pa zgjedhje të 30 Qershorit, duke na imponuar pa konkurim një pushtet vendor të pa votuar, të mbushur me trafikantë e kriminelë.

Përpiqesh të justifikosh krimet e dokumentuara e të dënuara nga një gjykatë e huaj, për përfaqësuesin tënd vendor në qytetin me antikomunist të Shqipërisë, atë të Shkodrës. Me arrogancën kriminale  që të karakterizon, kërkon t’i  imponosh atij qyteti një trafikant të votuar nga vetëm 6%  e qytetarëve të tij.  Ishte shumë i ri -sipas teje,- kur i kreu ato krime, vetëm 20 vjeç. Ti i plotpushtetshmi  “human”,  i  jep të drejtën vetes të amnistosh këtë të ri, ndërkohë që  legjislacioni  penal  i Shqipërisë dhe jo vetëm,  e konsideron  atë në moshë të rritur dhe me përgjegjësi të plotë penale!! 

Vërtet, kaq shumë të dhimbsen ata që ti i konsideron të parritur? Nëse vërtet do kishe minimumin e kësaj ndjeshmërie, do ndjeje keqardhje për ata të mitur të mbetur jetimë, të pangrohur e të uritur, që në pamundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike, ati i tyre vrau veten apo përfundoi në burg! 

Në vitet e gjata të sundimit tënd, do përpiqeshe të reflektoje e të kërkoje falje për krimet e regjimit të babait e gjyshit tënd, që dënuan mizorisht qindra mijëra të mitur që në bark të nënës. Foshnja të pafajshme që u lindën e u rritën internimeve, si të dënuar të përjetshëm. Qindra vogëlushë që humbën jetën në kampet e çfarosjes, dhe që ende nuk kanë asnjë varr.

Nëse vërtet do të ishe kaq i ndjeshëm e i përgjegjshëm, do të kërkoje falje për atin tënd gjakatar që firmosi pa asnjë mëshirë varjen e një poeti, për “për krimin” e vetëm se vargjet e tij nuk i thurnin lavde mrekullisë së sistemit çnjerëzor që ata kishin ngritur!! Por jo, ti nuk mund të jesh i tillë. Ti je bir e pasardhës i denjë i atyre diktatorëve që terrorizuan një popull të tërë për afro 50 vite.  

Për të përjetësuar pushtetin tënd të pakontrolluar, dhe herë pas here  në pamundësi për të mbrojtur kriminelët që të rrethojnë,  detyrohesh të lëshosh ndonjërin prej tyre.  Sigurisht,  kjo ndodh nëse ata kthehen në pengesë për vazhdimësinë e rregjimit që ke ngritur dhe rrugëtimin e pandalshëm të abuzimit e të krimit. 

Përpiqesh më kot Kryeministër i 20% me TVSH.  Ti nuk i përfaqëson më shqiptarët. As me numrin tejet të ulët  të votave  të vjedhura e grabitura që u shndërruan në  grushte kuptimplote ndaj pushtetit tënd. Tashmë koha jote ka skaduar. Orteku që po rrokulliset me shpejtësi do të të zerë poshtë, për të të degdisur më pas në një nga faqet më të errëta e të turpshme të historisë së tranzicionit të tejzgjatur e të lodhshëm të postkomunizmit shqiptar. 

Shqipëria, ky vend i mrekullueshëm dhe qytetaret e saj të shumëvuajtur, meritojnë të gëzojnë lirinë dhe të drejtat njerëzore, të njohura e respektuara në mbarë vendet demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma Liço- Skandal

SHUHET FATOS BAXHAKU

August 17, 2019 by dgreca

Shuhet mjeshtri i gazetarise shqiptare.Lajmi për ndarjen nga jeta të Fatos Baxhakut ne moshen 55 vjeçare, u publikua nga miqtë në rrjetet sociale. 

Zemra e tij pushoi së rrahuri pasditen e të premtes duke e humbur betejën me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa kohësh.Një penë brilante në reportazh bërjen e më pas në realizimin e shumë dokumentarëve Fatos Baxhaku la gjumë si një kritik i fortë i tranzicionit shqiptar.Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe ” 20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”.

Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.

Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”.

Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb).si edhe i shumë dokumentareve televizive.

Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës.

Ka qene anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE..

Botime

  1. Die Stammmesgesellschaften Nordalbaniens – Wien 1996. (Bashkëautor Karl Kaser).
  2. Gur – 2008 
  3. Në Mirditë & rreth e rrotull – 2009
  4. -Roje – 2010

5-Çadra e kuqe : histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX -XXI – 2013 

6-Gra të përgjithshme – 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo)

Filed Under: Opinion Tagged With: SHUHET- FATOS BAXHAKU-Mjeshtri I gazetarise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT