• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

..në gjunjë

August 17, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Nëse do të kishte drejtësi, për një njeri do të mjaftonte të ndërtonte ose blente nje shtëpi dhe të paraqiste dokumentin e pronësisë për çdo rast. Por përderisa padrejtësia ekziston, kushdo që ndërton gjithashtu duhet të jetë në gjendje ta mbrojë atë, përndryshe e drejta është de fakto gabim; pretenduesi ka forcën në anën e tij; ai nuk njeh të drejtë tjetër veç asaj në bazë të fuqisë së tij. Ky lloj sistem drejtësie ka kohë që në jetën shoqërore nuk ekziston as në praktikë e as në teori; por në jetën shqiptare vetëm teorikisht është hequr; në praktikë vazhdon të sundojë.
Prona në Shqipëri kurrë nuk ka qenë e sigurt. Kjo është një arsye që shqiptari në vendin e tij bëhet i egër, ndërsa jashtë në shoqëri tjetër, sillet ndryshe e respekton çdo rregull.
600 vjet më parë, Sulltani u hakmorr; banorët e Arbërisë kishin përmbysur planet e tij për të pushtuar gjithë Evropë. Pas vdekjes së prijësit të tyre, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, arbnorët u shpërndanë; migrime të mëdha ndodhën, disa u vranë e të tjerë u detyruan të shpërnguleshin nga vendbanimet e tyre; sulltani shkëmbeu popullsinë, duke sjellë banorë argatë nga Azia; në krye të zonave vuri pashallarë e oficerë të lartë për të shtruar në punë të ardhurit e rinj që mbushën vendin dhe ndryshuan emrin…e vendit, duke prerë lidhjen e fundit me traditën para osmane.
Ky vend është Shqipëria sot, pjesë besnike e politikës së Turqisë neo-osmane në Evropë. Prandaj mos u çudisni kur lapidare si të dëshmorëve turq të 15 korrikut të mbijnë si këpurdha, toka shqiptare është pjellore për ‘to; dhe ka plot të tilla të mbetura bosh, thotë një  kryetar bashkie; sot me para e nesër me tabore, Turqia ruan traditën, mbron kolonët osmanë që rriten si bari, ashtu si besimtarët mbushin bulevardin, shtrojnë qylymin e bien në gjunjë, ndërsa përpara qëndron hipur mbi kalë ai, i cili luftoi derisa vdiq kundër pushtuesve dhe këtij zakoni, dhe, të cilin vetëm gjoja e kanë shpallur hero kombëtar.
Dhe sot, përsëri, si dikur nëndiktaturë, askush nuk flet, të gjithë bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë. Fundja është vendi i tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit LUlushi-..në gjunjë

Përse i bini Aldrinit dhe jo shtetarit

August 16, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sa herë që ndodh një skandal publik, në përgjithësi shqiptarët i mëshojnë personit. Përdorin një gjuhë të ashpër duke ia faturuar të gjitha atij, deri me prag shtëpie. Në të njëjtën kohë harrojnë kryesoren, ca me qëllim ca nga horia e gjindjes se thelbi i çështjes nuk është personi në fjalë, por ai që e pranon apo e promovon atë. Por edhe hallkat bajate shtetërore të verifikimit të figurave. Rasti konkret është edhe ky kandidati i dalë nga votimet e 30 qershorit 2019, në Shkodër, ky Pjetri. Kemi tre ditë që po e bombardojmë me delikatesën e virgjëreshave fanatike. Si është e mundur etj., që të kandidoj iks apo ypsilon person?! Ja që është e mundur madje edhe të mirëpritur. Dhe Edi Rama ua ka lënë të kuptohet këtë me kohë, sidomos pas këtyre zgjedhjeve të dyta parlamentare të 2017-ës. Ua ka lënë të kuptohet me pretekstin se ndryshe nuk fitohet karshi Berishës dhe ju e keni pranuar. Dridhni vithet, rrudhni buzët, por e keni pranuar. Ndaj skandalet publike aty janë kthyer në një normalitet social. Sa më shumë të tillë, aq më i fortë dhe më i ”pastër” del Edi Rama. Mirë që ekziston Departamenti i Shtetit Amerikan i cili herë më herë shpall non grata figurat shqiptare, se ndryshe askush nuk e besonte telenovelën e Shijakut dhe Durrësit. Madje as RAI, radio televizioni italian nuk ka më vlerë për ne, dikur ishte Amerika jonë. Me ndihmën e tij, programeve si Domenica in etj., përmbysëm diktaturën, sot është krejt i pabesueshëm për ne. Skandalet janë sillë e ditës kësisoj zor se do e kapim normalitetin e perëndimit. Ne jemi dëshmitarë okular se si të fortët kërcënojnë publikisht, se si të rrahin publikisht, nuk e di përse habitemi dhe i biem më qafë këtij djali. Ai është pjesë e kulturës integrale të Edi Ramës, handikapit më të madh social dhe politik shqiptar. Solli atë të Kavajës, ju ia falët. Solli ata të Shijakut dhe Durrësit, ju ia falët. Solli të fortët e Krujës, ju ia falët. Solli e i vrau ata të Lezhës ju ia falët. Solli ata të Pukës ju ia falët. Të Elbasanit, ju ia falët. Pa përmendur Vlorën sot në një agoni të qytetarëve të zhdukur. Pa përmendur policët e 21 janarit që i bëri shefa e kryetarë dhe ju ia falët.

Një shtet që nuk ka një komision verifikimi figurash brenda një afati dy javor, çfarë prisni prej tij. Apo një shtet që ka një kryeministër që thotë personi që gënjen në mirëbesim e ka fajin vet, ne nuk e mblështesim prandaj prokuroria le të veprojë etj., mjerë ai shtet kë ka në krye. E para se punët e shtetit nuk bëhen me mirëbesim, por me ligje dhe dokumenta. E dyta nëse vërtetë një kryeministër nuk ka aftësinë dhe organikat e duhura deri për të verifikuar një figurë personi, ç’prisni më prej tij për sigurinë kombëtare. Por gjasat janë ajo edukata e fitoreve me mashtrim dhe me ndihmën e bosëve të drogës, që ka domethënien që Edi Rama vetëm të jesh naiv e të besosh se nuk ka pasur dijeni për figurën e personit në fjalë. Dhe kjo e bën dyfish përgjegjës. Nga ana tjetër mënyra se si kërkon të uzurpojë një qytet kultura dhe tradita e të cilit ka rrënjë shekullore perëndimore. Një qytet që është kthyer në inat elektoral dhe që Edi Rama kërkon të marri me metodat e bazhdarit (kandarxhiut) personazhit real të At Zef Pllumit. Kjo ishte metoda më dalëboje për t’iu afruar një qyteti i cili pa përjashtim i ka zbythur si të djathtët dhe të majtët kur ka ardhur puna tek fytyra e tij. Kjo ka domethënien se liria dhe të drejtat sociale nuk peshojnë kund tjetër në Shqipëri si në Shkodër. Pastaj ne shqiptarët harrojmë lehtë, se nëpër studio është deklaruar publikisht nga plot figura të rilindjes që ne po kemi vjedhur dhe bashkëpunuar me krimin pasi kështu ka vepruar edhe PD-ja me Berishën në vitin kaq e aq. Shkurt dhe pa u zgjatur nuk ua ka fajin ky Pjetri, por shefi i madh. Modelisti i potureve jo i shtetit. Dhe dhëntë Zoti e ardhtë sa më shpejtë ajo dita kur Departamenti i Shtetit ta deklaroj edhe këtë non grata, se me sa duket, vet ju a ne shqiptarët në përgjithësi nuk qënkemi të zotët ta heqim nga froni.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja- Përse i bini Aldrinit- jo shtetarit

7 VITE PA ARBËN XHAFERIN

August 16, 2019 by dgreca


Nga Frank Shkreli/
7 vite më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi.   Në jetën e përditshme, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë,personalitete të njohura dhe jo aq të njohura.   Pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja dhe mbresat e paharrueshme që mbeten nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit, se çfarë e dallon atë nga të tjerët.   Për disa falënderojmë Zotin që na jepet mundësia t’i takojmë.   
Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja, ka qenë dhe mbetet Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve shqiptare.
Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon për raportuar mbi gjëndjen në trojet shqiptare — me të këthyer në Washington – organizatës që përfaqësoja, KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, që merreshin me interesuar me çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Tetovë ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon.
Pjesë e këtij turneu ishin takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në detyrë, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.   Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam me një takim në Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e tyre politik për gjëndjen në rajon.    Pastaj takimin e parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi, të cilin nuk e kisha takuaar më parë.   Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret e që zgjati gati një orë — në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë – ndonëse ishte e qartë se sëmundja kishte filluar t’a rëndonte.   Megjithse dukej i lodhur fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, Xhaferi ishte i këthjelltë dhe i thellë.   Pas përshëndetjeve fillestare të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.
Pyetjes time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase në vend.   Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit e tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës — të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq kundër partive të tjera ose liderëve të tyre — gjatë këtij takimi, Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare, jo vetm të shqiptarëve në Maqedoni, por asnjërit prej tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të tjerë politikë shqiptarë, sidmos në Tiranë dhe në Prishtinë.
                                  

                            Autori me Arbën Xhaferin, Tetovë, 2005
Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, e që është aq e nevojshme, sidomos sot, për një dialog të qytetëruar politik në radhët e udhëheqësve partiakë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare.   Ndonëse nuk u shpreh, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë.   Ai në të vërtetë, i dalluar nga të tjerët, shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe në diskursin politik, ndër-shqiptar.
Respekti për të dhe reputacioni për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyes dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt ndër-shqiptarë.   Si i tillë, ai ka lënë përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër të huaj, me të cilët është takuar gjatë karierës së tij, si udhëheqës politik dhe si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën Xhaferi dallohej për diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në fushën e politikës ndërkombëtare. Njëri prej këtyre ludhëheqësve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota – atëherë dhe sot — se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.”   Një atribut ky shumë me vend — për të gjithë ata që e kanë njohur atë, prej një udhëheqësi të huaj   ndaj reputacionit dhe kujtesës së Arbën Xhaferit, edhe në këtë 7-vjetor të vdekjes.
Në vazhdim e sipër të bisedës me të në Tetovë në vitin 2005, Z. Xhaferi qe ankuar se kontrata midis dy popujve, e ashtuquajtura “Marrëveshja e Ohrit”, midis shqiptarëve dhe maqedonasve në atë vend, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila siç dukej, shtoi ai, nuk i kishte marrë seriozisht punët dhe as nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra me nenshkrimin e asaj marrveshjeje.   Si përfundim, tha ai, ajo marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej sipas planit nga autoritetet maqedonase – marrveshje të cilën ata e kishin nënshkruar duke marrë përsipër zbatimin e saj, në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare.   Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë në lidhje me procesin.   Xhaferi shpjegoi se si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.
E mbyllëm bisedën me Arbën Xhaferin duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi.   E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan — Shtetet e Bashkuara, në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por ndërkohë, vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë të Amerikës, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit në favor të pavarësisë së Kosovës.   Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë — e priti me një buzqeshje të sinqert — duke thënë se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor — asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto trojet tona, u shpreh ai.
U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin që u njoha dhe dhe që mu dha rasti ta takoja dhe të bisedoja me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit Shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave tëardhëshëm të shqiptarëve.
Në këtë 7-vjetor të kalimit të tij në amshim, kujtojmë njërin prej burrave më të shquar të Kombit Shqiptar, me qëllim që ashtu si shumë të tjerë para tij – emri i tij të mos bjerë në harresë!


Filed Under: Histori Tagged With: Frank Shkreli-7 jet-Pa Arben Xhaferrin

Aristidh Ruci-“Aisbergu” i Patriotizmit Shqiptar.

August 16, 2019 by dgreca

  • ARISTIDH RUCI-firmatari i Pavarsise, qe nuk i dihet varri. Jeta dhe aktiviteti i tij ne sherbim te Kombit-/

Nga  Ylli M. Dilo/Aristidh Rruci, u lind  me 11/3/1875 ne Sheper te Zagorie’s. Prinderit e tij quheshin Nikolla dhe Evanthia.Kishte vlla Kolon dhe motra Aspasine, Elisaveten(Saven),Athinane dhe Sorken. Mesimet e para i mori ne fshatin e lindjes dhe me von ne Manastirin e Nivanit. Bashkelagjes me A.Z.Cajupin dhe bashkekohes me I.D.Sheperin.Pas mbarimit te studimeve te mesme ne gjimnazin “Zosimea” te Janines , punoi ne Stamboll ne nje magazine qe tregetonte lende ndertimi(1896-1898) dhe ne tregun e drithit ne JANINE (1899-1904).Ne keto qytete u njoh me atdhetaret Naim Frasheri,Shahin Kolonja,Kadri Gjata,Osman Haxhi,etj. Ne vitin 1906 u vendos ne Vlore ku qendroi deri ne fund te jetes se tij. U be nje nga tregetaret me te njohur te qytetit. A.Rruci bashkepunoi me I.D.Sheperin,burrin e motres se tij Elisaveta(Sava) Rruci dhe zhvilloi nje veprimtari te gjere kombetare. Dy intelektualet patriote sheperjote ne bashkepunim dhe me Jani Mingen,Ibrahim Shytin,Kristo Karbunaren,etj dhane nje kontribut te cmuar ne perhapjen e gjuhes shqipe,shperndarjen e librave dhe gazetave ne gjuhen shqipe ne fshatrat dhe qytetin e Vlores.     

 Ne Lubonje hapen nje kurs te fshehte per mesimin e gjuhes shqipe.

Ne Shtator te vitit 1908 takohet ne VLORE me Ismail Qemalin.Nje muaj me von ne bashkepunim me Bektash Cakranin,Faslli Patozin,Mustafa Gorishoven,etj.krijuan klubin “Laberia”; inisiator dhe financues i klubit ishte vete Aristidhi. Ishte nje nga organizatoret e “Kuvendit te Drashovices” (31/7/1911)dhe mori pjese ne “Kuvendin e Sinjes”(Gusht 1911). Ne fillim te Gushtit 1912 kreret e VLORES,MALLAKASTRES,BERATIT,Skraparit dhe KORCES thirren ne FIER nje kuvend ku moren pjese dhe Ismail Qemali ,Luigj Gurakuqi,Aristidh Rruci.  Kuvendi i FIERIT zgjodhi Hasan Prishtinen perfaqesues te kryengritesve te Jugut. Gjithe shpenzimet per armatimin,veshjen dhe ushqimin e kryengritesve u perballuan nga A.Rruci. Mbante korespondence te rregullt me A.Z.Cajupin,I.D.Sheperin,Jani Vruhon,Sotir Kolene.Ne Nendor 1912 ishte delegat i TEPELENES ne Kuvendin e VLORES per shpalljen e Pavaresise Kombetare dhe firmosi Aktin e Pavaresise me siglen “A.Ruci”. Per ate kohe, Lef Nosi , nje personalitet i madh, ne kujtimet e tij shkruan: :”…. Me nje here mbas shpalljes se pamvaresise, Ismail Qemali me shoke dhe me popullin mbrapa, shkuan ne Xhami dhe Kishen kryesore te qytetit te degjonin lutjet Fetare te rastit , udhehequr nga Kleriket Shqipetare. Edhe ne Xhami e Kishe u duken te ngrihen dhe te valojne dy Flamure te Shqiperise. 

Keta dy flamure u gjenden ne shtepit e ZZ. Aristidh Ruci dhe Eqerem Vlora. Zonjat e ketyre te dyve shkonin te Marigoja per te qepur e qindisur rroba. –Ne shembell te Flamurit te Marigose, edhe Ato kishin qindisur nga nje Flamur”.                              (L. NOSI,DOKUMENTA  HISTORIKE).                 Aristidh Rruci mbrojti punimet e Kuvendit te VLORES me ushtrine qe vete e financoi.Ne qeverri nuk mori vota te mjaftueshme(vetem 14) se bashku me Jani Mingen(20).                                       Nga zyrat e A.Rrucit , me alfabetin “Mors” u be e njojtur ne qeverrite e asaj kohe shpallja e Pavaresise se Shqiperise. Megjithese nuk u zgjodh ne Qeverrine e VLORES,ai zhvilloi nje veprimtari te gjere per zgjidhjen e problemeve ekonomike e financiare te Qeverrise duke shpenzuar nga pasuria e tij.Ndihmoi per ngritjen e administrates se saj ne VLORE,FIER,TEPELENE,GJIROKASTER,DELVINE SARANDE.Gjate viteve1918-1920,ne bashkepunim me atdhetaret vlonjate u perfshi ne nje veprimtari te dendur anti italiane;ishte nje nga organizatoret e demostrates se 28/11/1919.U dallua ne krijimin e “Komitetit te Mbrojtjes Kombetare” per organizimin e luftes se VLORES.Se bashku me Jani Mingen,Shezair dhe Vesel Comon mori pjese ne hartimin e statusit te shoqerise”Perlindja Kombetare” 1920.

 Ne vitet 1920-1924 u perfshi ne levizjen “Atdheu” dhe shoqerine “Bashkimi”.Bashkepunoi me Avni Rustemin,Fan S. Nolin, Halim Xhelon,Jani Mingen per rimekembjen e VLORES; ndihmoi shkolla te fshatrave dhe te qytetit me baze materjale,libra ,fletore dhe orendi.Mbajti korespondence te rregullt me Justin Godardin,qe u njoh pas ardhjes se tij ne SHQIPERI,dhe Shtjefen Gjecovin.

 Aristidh Rruci kishte autoritet,vleresohej,nderohej dhe respektohej.  Ka qene anetar i Keshillit Administrativ te Bashkise se VLORES,sipermarres ne fabriken e duhanit ne DURRES,posedues i 40% te aksioneve te shoqerise(…………..…) me aktivitet ne ITALI.

 Ne vitin 1937 ka qene antar i kryesise se Bankes Kombetare Shqiptare dhe nismetar per krijimin e deges se Kryqit te Kuq Shqiptar per VLOREN. Dha nje kontribut financiar me rendesi per arsimimin ne Universitete te femijve te motres se tij Elisaveta(Sava) Rruci Dilo. Gjate viteve te luftes A.N.C u arrestua nga pushtuesit italiane dhe u interrnua ne ITALI.Ndihmoi ekonomikisht pa rezerva luften A.N.C.,por nuk u pajtua me rregjimin gjakatar qe u vendos pas lufte.Per kete aresye u arrestua si kundreshtar politik i rregjimit diktatorial dhe hoqi kavalarin e tmerrshem ne burgjet shqiptare.Pas daljes nga burgu ne vitin 1950 shpalli greve urie dhe vdiq. U percoll ne banesen e fundit nga familjaret e tij.Trupi i tij u vendos prane varrit te birit te tij Nikollaq, student universitar vdekur ne moshen 25 vjecare. Nje perle e krijimtarise letrare shqiptare, jane vargjet qe Aristidhi shkroi mbi varrin e te birit:Nikollaq, Shpresat  dhe endrrat mi more me vete….Ne varrin e ftohte ku shkon djalerine….Si lulet e veres u vyshke,u trete….

Dhe le pas   neve mjerimin e zine.          

Sebashku  me neve ju lut Perendise

Atje ku je Ti dhe neve te vime

I thuaj s’rrohet me ne strehen e zise

As mundim me teper farmakun ta pijme .      

A ka varr Aristidh Rruci ku te prehen eshtrat e tij? Jo! 

Aresyeja qe nuk ka varr eshte kjo: ne vitin 1962 , me rastin e festimeve te 50- vjetorit te Pavaresise,qeverria shqiptare dha urdher qe te c’ vendoseshin varrezat publike te qytetit te VLORES dhe te vendoseshin atje ku ndodhen sot.                 

Ndermarrja komunale e qytetit qe zbatoi kete vendim nuk lajmeroi te afermit e tij qe jetonin ne SHEPER te ZAGORIES , niperit dhe mbesat e tij Dilo. Kjo per aresyen e thjeshte se gjithe VLORA e asaj kohe dinte qe ne varrin e blinduar qe Aristidhi beri per te birin, vendosi pjese te pasurise se tij , brilante dhe ar. Vjedhesit e kesaj pasurie nuk u interesuan per vendosjen e eshtrave te Aristidhit dhe te birit te tij Nikollaq ne vorrezen e re te VLORES.Sa per qeverrine , ajo vazhdonte ta konsideronte akoma armik.                                              

            Ne vitin 1958 me sistemimin e velleheve neper fshatra,nga jeta nomade qe benin deri atehere, shtepia ne SHEPER dhe  pronat e “armikut” A Rruci ju dhane njeres nga keto familje. Ne vitin 1992 ” me triumfin e demokracise” shtepia e Tij ne VLORE kaloi ne pronesi te familjeve qe rrinin me qira aty,shtepia  dhe pronat ne fshat  ju dhurua familjes qe banonte ne ‘te. Ato pak relike personale te Aristidhit qe ruheshin tek niperit e tij humben pa nam e nishan nga sekuestrimet qe u bene ne vitet e diktatures dhe bastisjeve ne vitet e tranzicjonit.                                            

Shiritat e transmetimit ne alfabetin ” Mors”  te shpalljes se Pavaresise si dhe korespondenca me patriotet qe permendem me lart, ruheshin ne arkiven e nipit te tij  Margarit Dilo ne SHEPER . U sekuestruan nga zyra e permbarimit te GJIROKASTRES ne Gusht te vitit 1970 pas dhenies se vendimit me burgim dhe sekuestrim te pasurise te nipit te tij Koco Dilo. Per kete krim kombetar Margarit dhe Qirjako Dilo vune ne dijeni me shkrim E.Hoxhen dhe Kom.Qendror.Por nuk moren asnje pergjigje.   Qirjako Dilo zhvilloi dhe nje gjyq ne GJIROKASTER ku akuzoi zyren e permbarimit per marrjen e pasurise dhe te arkivit familjar,por nuk e fitoi.Ne qoftese shteti ka ruajtur librat dhe korespondencen familjare te Dilo-ve te SHEPERIT , brenda ne ‘to gjenden dhe shiritat dhe korespondenca e Aristidhit.Per thesaret e tjera kombetare qe ndodheshin ne kete arshive ,do te flasim here  tjeter. Me rastin e festimit te 100-vjetorit te Pavaresise , Presidenti i Republikes se Shqiperise dekuroi me titullin “Nderi i Kombit” Aristidh Rrucin .

Shkrimtari dhe studjuesi i cquar Piro Loli ne vepren dedikuar ketij kollosi “Aristidh Rruci dhe koha e burrave” ,hedh drite mbi kete “aisberg” te patriotizmit shqiptar. 

BIBLIOGRAFI

– A.Q.SH  F.B.D.48dhe F.58 dok. 8.9.1920

– Gace Bardhosh ” Ata qe shpallen Pavaresine Kombetare” 1977  F.135-137 dhe nga epistolari i Ibrahim Shytit 1994 F. 170-173.                                                         V- Dokumenta Historike,1924 F.170-173.

– Qeverria e Perkoheshme e Vlores 1962 F.58-59.

-Pango Apostol ” Enciklopedia e Zagories” 2004 F.243-245.I 

Filed Under: Histori Tagged With: Ylli Dilo-Aristidh Rumi-Aisbergu i Patriotizmit

Qeveria Shqiptare është si një dhemballë e prishur

August 16, 2019 by dgreca

Nga Agustin M. Mirakaj/ Dielli

Protesta është shpresë dhe qëndresa e vetme për të denoncuar çdo dite, çdo javë, çdo muaj fytyrën e krimit dhe sistemin e kalbur nga bandat e veshura me petkun e politikanit.

Sistemi ka krijuar disa qenie të çuditshme, ku këto të fundit mburren e thonë bravo ai që vodhi, bravo ai që mbolli e shiti drogë, bravo se ai beri lek dhe iku….

   Skandalet nuk kanë fund ; jemi të rrethuar nga një sistem totalitar i mirfillt me strategji shkaterruese për vendin.

Tashmë Shqipëria ngjason me një semafor të vërtetë, që përdoret nga çdo i huaj apo politikan keqbërës. Si puna e kurvës te drita e kuqe që pret çdo makinë që kalon, frenon dhe shkon. 

Ndërgjegjie nuk ka më! 

Të gjithë arratisen. Demokracia e brishtë në Shqipëri nuk eci në rrugën e duhur. 

Ne qeverisemi nga disa rryma të errëta, nga politikanë mediokër, të korruptuar, që kanë drejtuar për dekada dhe dënuar shqiptarët që në kohën e të pafeut, dhe vazhdojnë përsëri të  jenë akoma në krye.

I pafeu është ulur kembëkryq dhe fërkon duart.

Të gjithë qahen, të gjithë ankohen, por zgjidhje nuk ka….

Për 7 dekada e gjysëm sistemi vepron në mënyrë kriminale duke shtypur, vjedhur, shfrytesuar njerëzit. Për të mos i dhënë atë që i takon…. “PRONËN, LIRINË dhe SHPRESËN”.

Social-Rilindasit janë fytyra e vertetë e rilindjes komuniste, fatkeqesisht apo dhe qellimisht mendojnë se karrikja është e përhershme, duke e shfrytëzuar vendin në mënyë barbare me metoda mafjoze.   

Pse vallë të jet kaq veshtirë të rregullohet ky vend ?? Të lartëhermendurit krietarë e kthyen shtetin ne pazarhane droge, drog dhe vetem drog.

Këto politikanë keqbërës janë kthyer në vampirë, si qenër të tërbuar me dhëmbë të mprehtë, me jargë në gojë, të gjakosur per të coptuar frymën e ndryshimit. 

Dhëmballa është e prishur dhe duhet patjeter një dentist i specializuar, për te shkul rrënjet e sistemit të kalbezuar që është kthyer në gangrenë për Shqiptarët.

Sistemi  është kthyer në moçal, i cili duhet tharë dhe kthyer në nje kantier shprese për një Shqipëri moderne Europine Perendimore. 

Shqiptaret jane në kohë të veprojnë me dorë të fortë, duke dënuar sistemin e eger të instaluar prej një periudhe të gjatë.

#duhet ndryshim për shpëtim.

* Autori është i Vatrës


Filed Under: Politike Tagged With: Agustin M. mirakaj- Qeveria shqiptare-Dhemballe e prishur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJOFTIM NGA VATRA: HAPET GARA PËR KANDIDATËT PËR KRYETAR TË FEDERATËS VATRA
  • Kthesë historike për Kosovën: 19 Qershori 1998 – Legjitimimi politik i UÇK-së nga SHBA-ja
  • Join the Albanian Roots Parade & Festival
  • Kontributi shkencor i Ukshin Hotit në interpretimin e Lidhjes së Prizrenit
  • Francesco Chetta – Schirò “Kastriotët, princa të Shqipërisë në Urdhrin Sovran dhe Ushtarak të Maltës – Zanafilla e derës së Kastriotëve” – Francesco Chetta – Schirò
  • Rruga Lissus–Naissus: Arteria strategjike e Ballkanit Romak dhe roli i Mirditës në lidhjen Adriatik–Danub
  • Revolucioni i Flamingove dhe frika nga perëndimi
  • BABALLARËT E KOMBIT DHE LINDJA E AMERIKËS
  • KOSOVA NË PERSPEKTIVËN EVROPIANE: DOMOSDOSHËMËRIA JURIDIKE DHE LEGJITIMITETI SIPAS SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË DREJTËS EVROPIANE
  • Nga Judge John Ingram Monitor i Zgjedhjeve : Lidhur me Konventën dhe zgjedhjet e VATRËS
  • Kujtojmë Karlo Taljavinin, albanologun italian që studioi rrënjët indoeuropiane dhe pasurinë e dialekteve të shqipes
  • BREZI QË SFIDOI STATUS-QUO-në, TRIUMFI STUDENTOR PËR GJUHËN NË STRAZBURG
  • KUR NDËRGJEGJA VLEN MË SHUMË SE DISIPLINA PARTIAKE
  • GEORGE W. BUSH, PRESIDENTI QË E ÇOI AMERIKËN NËPËR STUHINË E 11 SHTATORIT DHE MBËSHTETI SHQIPTARËT NË MOMENTET VENDIMTARE
  • Mësimi hungarez për Shqipërinë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT