Nga Astrit Lulushi/
Nëse do të kishte drejtësi, për një njeri do të mjaftonte të ndërtonte ose blente nje shtëpi dhe të paraqiste dokumentin e pronësisë për çdo rast. Por përderisa padrejtësia ekziston, kushdo që ndërton gjithashtu duhet të jetë në gjendje ta mbrojë atë, përndryshe e drejta është de fakto gabim; pretenduesi ka forcën në anën e tij; ai nuk njeh të drejtë tjetër veç asaj në bazë të fuqisë së tij. Ky lloj sistem drejtësie ka kohë që në jetën shoqërore nuk ekziston as në praktikë e as në teori; por në jetën shqiptare vetëm teorikisht është hequr; në praktikë vazhdon të sundojë.
Prona në Shqipëri kurrë nuk ka qenë e sigurt. Kjo është një arsye që shqiptari në vendin e tij bëhet i egër, ndërsa jashtë në shoqëri tjetër, sillet ndryshe e respekton çdo rregull.
600 vjet më parë, Sulltani u hakmorr; banorët e Arbërisë kishin përmbysur planet e tij për të pushtuar gjithë Evropë. Pas vdekjes së prijësit të tyre, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, arbnorët u shpërndanë; migrime të mëdha ndodhën, disa u vranë e të tjerë u detyruan të shpërnguleshin nga vendbanimet e tyre; sulltani shkëmbeu popullsinë, duke sjellë banorë argatë nga Azia; në krye të zonave vuri pashallarë e oficerë të lartë për të shtruar në punë të ardhurit e rinj që mbushën vendin dhe ndryshuan emrin…e vendit, duke prerë lidhjen e fundit me traditën para osmane.
Ky vend është Shqipëria sot, pjesë besnike e politikës së Turqisë neo-osmane në Evropë. Prandaj mos u çudisni kur lapidare si të dëshmorëve turq të 15 korrikut të mbijnë si këpurdha, toka shqiptare është pjellore për ‘to; dhe ka plot të tilla të mbetura bosh, thotë një kryetar bashkie; sot me para e nesër me tabore, Turqia ruan traditën, mbron kolonët osmanë që rriten si bari, ashtu si besimtarët mbushin bulevardin, shtrojnë qylymin e bien në gjunjë, ndërsa përpara qëndron hipur mbi kalë ai, i cili luftoi derisa vdiq kundër pushtuesve dhe këtij zakoni, dhe, të cilin vetëm gjoja e kanë shpallur hero kombëtar.
Dhe sot, përsëri, si dikur nëndiktaturë, askush nuk flet, të gjithë bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë. Fundja është vendi i tyre.