• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

DITËT PËRKUJTIMORE, LUSHNJE 18 GUSHT

August 17, 2019 by dgreca

…“Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”/

Në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë dhe Kujto.al, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, kthejnë vëmendjen në ish-kampet dhe vendet e internimit në Lushnjë, me aktivitetet “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”. 

Në orën 10.00 bëhet takimi mes ish-të internuarve dhe pasardhësve të tyre pranë Memorialit kombëtar të internim-dëbimeve.
Në orën 11.00, në Pallatin e Kulturës “Vaçe Zela”, Lushnjë organizohet ekspozita fotografike e profileve të të internuarve në fshatrat e Lushnjës dhe ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH mbi ta. 
Në vijim, në sallën e teatrit, ish-të internuarit dhe trashëgimtarët e tyre, qytetarë e të ftuar të tjerë, marrin pjesë në prezantimin e projektit të Autoritetit në bashkëpunim me IPP e SHAPP, për kthimin në vendkujtese të qendrave të internimit, bashkëbisedim i hapur ku pritet të shkëmbehen ide e sugjerime me të pranishmit.

(Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit,)

Filed Under: Kronike Tagged With: Ditet perkujtinore-Lushnje-Monumenti-Dinjiteti -Totalitarizmi

EDITORI I DIELLIT U TAKUA ME DR. SHPËTIM AXHAMI, KRYETAR I PARTISË LËVIZJA E LEGALITETIT

August 17, 2019 by dgreca

Sot, e Shtunë, 17 Gusht 2019,  editori i Gazetës Dielli u takua me Kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, Dr. Shpëtim Axhami. Biseda u përqëndrua në krizën shqiptare dhe përpjekjet që bën Partia Lëvizja e Legalitetit për një opozicion të fortë dhe konstruktiv.




 Editori i Diellit e informoi Dr. Axhamin për marrëdhëniet e shkëlqyera të Legalistëve të Amerikës me Vatrën, marrëdhënie që nisën me insiativiën e Mbretit Zog 60 vite të shkuara, kur një përfaqësi e Vatrës me Anthony Athanas dhe Kristo Thanas, shkuan në Kanë të Francës në Rezidencën e Mbretit dhe kërkuan anëtarësimin e Legalistëve të Amerikës në Vatër. Një ide që Mbreti e përkrahu dhe urdhëroi Legalistët e Amerikës  t’i bashkoheshin Vatrës. Edhe sot Vatra ka në strukturat e saj Legalistë, që japin kontribut të rëndësishëm në veprimtaritë e Komunitetit.

Biseda ishte miqësore. Dr. Axhami shfaqi interesim për veprimtaritë e Vatrës dhe bashkëpunimin e Legalistëve me Vatrën, si dhe rolin e gazetës DIELLI, gazetë që përjeton Shekullin e dytë të jetës së saj.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Shpetim Axhami-Editori I Dielli-Takim

EVROPA DHE ALEATI I DOMOSDOSHËM

August 17, 2019 by dgreca

ENga ANGELO PANEBIANCO/
Perktheu:EUGJEN MERLIKA/
            Është e paarsyeshme të përcaktohet si absurd mëtimi i “sovranistëve” për të rivendosur një sovranitet të plotë kombëtar duke ngushtuar këndin e hapjes së Vëndit të tyre ndikimeve të jashtëme e, në të njëjtën kohë, të lihen mbas dore pasojat e këtyre ndikimeve të jashtëme, të ndërlidhjeve ndërkombëtare, mbi të tashmen e mbi t’ardhmen e të njëjtit Vënd.I përkthyer dhe i vënë në lidhje me rastin italian, do të thotë se për të bërë çfarëdo hipotezë të mënçur mbi fatin e 5 Yjeve dhe të Legës, por edhe të kundërshtarëve të tyre të mbrendshëm, duhet para së gjithash të vërehet kuadri ndërkombëtar, bota që na rrethon. Mbi të gjitha duhet pyetur mbi t’ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Vlen për hegjemonitë (si ajo amerikane) ajo që vlen për perandoritë. Nuk kuptohet asgjë se çfarë ndodh në rrethinat nëse nuk kuptohet se çfarë po ndodh në “qendër” (perandorake apo hegjemonike). Në 2020 do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale amerikane. I favorizuar edhe nga ecja shumë e mirë e ekonomisë, Donald Trump-i a do të fitojë një mandat të dytë? Apo (por hamendja është më pak e mundëshmja e të gjithave) një kandidat i shprehur nga krahu më radikal i partisë demokratike do të arrijë emërimin e do të mundë Trump-in?
            Apo, së fundi, presidenti aktual mund të thyhet nga një demokrat më qëndrësor (Joseph Biden ose njëri si ai)? Si evropianë e si italianë argumenti na përket. E ardhmja jonë do të varet në shkallë të gjërë nga përfundimet e atyre zgjedhjeve.
            Si rastësia sot e gjykuar si më e mundëshme (rizgjedhja e Trumpit) aq edhe ajo më e pamundëshmja (fitorja e një demokrati radikal) do të ishin për Evropën, lajme shumë të këqia. Trump-i do të plotësonte veprën e tij të tronditjes së institucioneve bija dhe (shtylla) të sistemit të shumanshëm të dëshëruara nga Shtetet e Bashkuara mbas luftës së Dytë botërore. Nato do të dilte me eshtra përfundimisht të thyera. Evropianët, shumë më tepër konsumues se sa prodhues të sigurisë që nga fillimi i mbasluftës, do të gjindeshin të zbuluar, pa mbrojtje. Dhe Bashkimi evropian do të pësonte goditje shumë të forta: për të qëlluar “armikun” (tregtar), Gjermaninë, Administrata amerikane (e mbështetur edhe nga kryeministri i ri britanik, Boris Johnson) do të bënte gjithshka për t’i vënë evropianët njërin kundër tjetrit. Në mbarim të një mandati të dytë të Trump-it, shumë mundësisht shprehja “Perëndim” nuk do të kishte më asnjë kuptim politik.
            Por as edhe fitorja e një kandidati radikal nuk do të ishte një ogur i mirë për evropianët. Sepse e majta amerikane (flas , natyrisht, për radikalët, jo për traditën wilsoniane demokratike) është me prirje izolacioniste dhe po aq armiqësore sa Trump-i kundrejt shumanshmërisë.
            Rizgjedhja e Trump-it ose fitorja e një demokrati të krahut skajor do të ishin lajme shumë të mira për sovranistët evropianë. Sfilitja në rritje e lidhjeve ndëratllantike dhe shtimi i dasive në fushën evropiane janë kushte të rëndësishme për të fuqizuar besueshmërinë dhe peshën zgjedhore të sovranistëve në kontinentin e vjetër.
Një tjetër histori do të ishte si pasojë e fitores së Biden-it ose të një tjetër qëndërsori si ai. Evropa (përfshirë Gjermaninë) do të kthehej përsëri të quhej në ashington aleatja e zgjedhur, partnerja e domosdoshme. Do t’ishte përsëri e lejuar të mendohej se “Perëndimi” nuk është vetëm një vjetërsirë, një kategori politike e së shkuarës.
            Kush ka një koncept përcaktues të proçeseve historike mendon se nuk mund të bëhet asgjë: Amerika është futur pakthyeshmërisht në një fazë rënieje (relative), një fazë në të cilën fuqija e saj e hershme shkon drejt një zvogëlimi energjik. Kur fuqia hegjemone fillon të pakësohet, ajo pushon  së mbështeturi ende “shumanshmërinë”, më konkretisht t’i ofrojë aleatëve të saj “të mira publike” (siguri ushtarake, qëndrueshmëri monetare, liri të shkëmbimeve tregëtare, etj) në shkëmbim të pranimit të udhëheqjes së saj. Kombëtarizmi i Trump-it (“secili për vete”) do t’ishte një shprehje e kësaj prirjeje. Nëse ka arsye kush mbështet këtë tezë, atëherë nuk mbetet veçse të ndërgjegjësohemi se jemi të zhytur në telashe deri në grykë. Për më shumë se një shtatëdhjetëvjeçar  Evropa ka patur paqe, qëndrueshmëri demokratike, zhvillim ekonomik. Nuk qenë dhurata të zbritura nga qielli, qenë (dhe janë ende) pasojat e një tërësie të kushteve ndërkombëtare. Nëse nuk do të jenë më këta kushte çfarë do të ndodhë me paqen, qëndrueshmërinë demokratike, zhvillimin ekonomik?
            Është e drejtë të përfytyrohet që Evropa do të rifillonte të ndahej. Siç ka bërë gjithmonë para mbarimit të luftës së Dytë botërore. Do të rritej në kontinentin e vjetër ndikimi i fuqive autoritare (Rusia, Kina). Në krye të pak dhjetëvjeçarëve, do të mbetej fare pak nga Evropa që njohim.
            Për fat interpretimet përcaktuese të historisë nuk janë domosdoshmërisht më të pranueshmet. Rastësitë, rrethanat, shpejtojnë ose ngadalësojnë (e ndonjëherë madje prapësojnë) prirje të tilla në veprim. Në Washington, qoftë edhe për një frymë, për një grusht votash, mund të riformohet një udhëheqje përsëri në dobi të shumanshmërisë. Në një rast të tillë pasojat mbi Evropën do të ishin të rëndësishme, e ndoshta mjaft të shpejta. 
            Doli e gënjeshtërt teza e mbështetur gjatë në mjediset kundëramerikane evropiane, simbas së cilës pakësimi i “kapjes” së Shteteve të Bashkuara  mbi Evropën do t’i jepte evropianëve lirinë e dëshiruar për të përsosur integrimin e Kontinentit.Ka ndodhur krejt e kundërta: pakësimi i lidhjeve ndëratllantike ka ecur me të njëjtin hap me krizën e Bashkimit. Mund të mendohet se nëse ato lidhje mund të forcohen edhe Bashkimi do të ketë dobi. Salvini, Di Maio, Conte, Zingaretti, Berlusconi, etj.. Për domosdoshmëri profesionale kronistët politikë arsyetojnë “sikur” fati i Vëndit të ishte krejtësisht në duartë e aktorëve politikë lokalë, shumë (a pak) të rëndësishëm për çastin. Dijmë që është kështu vetëm në një pjesë shumë të vogël.
 
            “Corriere della Sera,  gusht 2019       E përktheu Eugjen Merlika

EVROPA DHE ALEATI I DOMOSDOSHËM

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Panebianco-Eugjen Merlika-Evropa-Aleati

BAJAME HOXHA-ÇELIKU, NJË MADAMË DË STAËL SHQIPTARE*

August 17, 2019 by dgreca

                                      Ti çele herët, moj Bajame /    

Nga Flamur SHABANI/

Një koincidencëe beftë më solli ndër mend këtë varg të poetit gjigant Dritëro Agolli. Po ndryshe nga poezia romantike e Agollit, emri që më ngacmoi e më zgjoi romantizmin dhe dashurinë e një të riu, që i këndon poshtë dritares së dashurës së vet në një fillim pranvere, kur pemët kishin çelur lule e petalet binin mbi supet e të rinjve, fati i Bajames sonë është shumë më ndryshe, aspak romantik, madje i zymtë e i dhimbshëm. Është fati i njërës prej atyre që lindën në sistemin e diktaturës, pësuan dhunën e saj, privimet nga një jetë normale, të cilën ka të drejtë ta gëzojë çdokush. Është fati i një vajze të re, që jetoi në getot e kampeve të përqëndrimit të komunizmit, siç ishte dhe kampi famëkeq i Savrës në Lushnjë, ku Bajame Çeliku hodhi hapat e para mes pluhurit e baltës, në barrakat e rrënuara, të ndërtuara posaçërisht për armiqtë e regjimit, të cilët u përkisnin shtresave shoqërore e kulturore, që dikur ishin elita e shoqërisë, por tashmë të rënë nga vakti. Bajame Çeliku lindi pas Çlirimit në një familje tregtare me banim prej tre-katër brezash në qytetin e gjirokastrës. 
Ajo u internua në moshën njëmbëdhjetë vjeçare në Savrër të Lushnjës, bashkë me nënën motrat dhe vëllain e vetëm, ku u mungoi buka e gojës edhe pika e ujit.Gjithsesi, ajo rritet. Në shtatin e Bajames derdhet një trup i bukur, një mendje e zgjuar dhe një talent i lindur si krijuese letrare.Ndërkohë ra në kontakt me letërsinë “e verdhë”, siç cilësoheshin atëherë disa nga krijimet më të mira të letërsisë botërore, si rezultat i mungesës së vëmendjes nga regjimi, çka solli një lloj liberalizimi në përkthime, por edhe i përkthyesve të zellshëm e nuhatës të prirjeve që do të merrte letërsia e kohës, e lodhur nga letërsia skematike e realsocializmit shqiptar e atij lindor, nga personazhet e ngrirë të dalë prej shablloneve të  ideologjisë komuniste dhe të mesazheve propagandistike të tyre. Kjo letërsi qarkullonte dorë më dorë e lexohej me një frymë nga të rinjtë, të cilët e përpinin brenda disa orëve. Përballë kësaj letërsie të zhdërvjellët e gjithë dritë, letërsia e socrealizmit dukej si një qerre, qetë gërdallë të së cilës çapiteshin rëndë baltrave të Myzeqesë. Kjo letërsi i jepte krahë vajzës sonë të re, e cila ëndërronte të ishte një nga personazhet e librave që lexonte. Diskutonte me pasion me moshataret në shkollë e në punë, të cilat shikonin te Bajamja shoqen e ngushtë, të mençur e të ditur, besnike e të respektueshme, së cilës mund t’i besohej gjithçka, deri në intimitete nga jeta vetjake,pa pasur frikë se do t’u dilte një fjalë e vetme përtej bisedës midis tyre si shoqe të besueshme. Simpatia që gëzonte në shoqëri, nuk mbeti pa rënë në sy të atyre që vigjiloninpër ndikime të huaja në përdishmërinë e jetës së shqiptarëve. Kjo vigjilencë ishte edhe më e mprehtë për njerëzit e deklasuar, si Bajamja.

  Ndër vite jeta e saj ka pasur luhatje, që pasqyronin edhe intensitetin e luftës së Partisë. Kështu, kur mbushi moshën, u pranua në organizatën e rinisë ku më vonë, do përjashtohej në një mbledhje rinie për pikëpamjet e saj. Së bashku me bashkëmoshataret e saj të lirë, dhe banorët e Savrës, u aktivizua gjerësisht në veprimtaritë kulturore dhe artistike të sektorit. Në konkurset e grupeve amatore, që zhvilloheshin midis sektorëve të NB-ve, në krye të grupit të Savrës do të qëndronte Bajamja, qoftë në organizim apo dhe me krijime letrare, siç ishin skeçet e estradës amatore, të cilat ajo i përgatiste, duke marrë shkas nga problematikat e përditshme që e rrethonin dhe që jo rrallë shërbente edhe si motiv për humor, hartonte  tekstet e konferencierëve etj.

   Punonte me grupet amatore në skenën e vatrës së kulturës, por punonte edhe në arat me misër, pambuk e luledielli, në zheg e pa pikën e ujit, sepse fusha e Myzeqesë nuk ka burime ujore dhe uji u shkonte në krye të arës me bidona të ngarkuara në qerre, ku më vonë, nuk u shkonte fare, e të internuarit duhej të merrnin një litër ujë për gjithë ditën dhe buza u thahej një lloj si toka që çahej nga thatësira. Për cilësinë as që bëhej fjalë.
   Ishin vitet kur lufta e klasave u intensifikua, pas daljes së grupeve armiqësore në ushtri e disa sektorë të tjerë, që përfshinin edhe nomenklaturën e lartë, deri te Ministra e Anëtarë të Byrosë e të Komitetit Qendror të Partisë. Poshtë në bazë, organizatat e parties, me orientim nga lart, piketonin hera-herës ndonjë element të rrezikshëm, i cili duhej goditur e diskretituar në të ashtuquajturat demaskim publik. Duke demaskuar në kolektiv një person me kritika të drejtpërdrejta, me sajesa monstruoze e kërcënime me burg, synohej që të tulateshin gjithë të tjerët, që do të guxonin të çonin nëpër mend veprime të ngjashme si ato të demaskuarit, të cilit i bëhej ky gjyq shoqëror-politik në brigadë.
   Disa demaskime i tilla publike, para kolektivit, i janë bërë edhe Bajame Çelikut. Ishte vetëm 16-vjeçare, kur për herë të parë diskriminohet rëndë përpara popullit, kur sekretari i Partisë, duke parë tek ajo pikëpamjet, dhe kokëfortësinë e saj që s’pranonte asgjë nga akuzat që i thuheshin, bën kërcënimin ekstrem, pasi e lëshuan nervat, duke i thënë:”Ja, kështu do ta shtypim kokën me këmbë” dhe shtypi duke turfulluar një plis, duke nënkuptuar kokën e vajzës së re, pa asnjë faj, vetëm pse ajo dallohej për pjesëmarrje në aktivitete, lexonte libra të huaj dhe ua tregonte po aq bukur shoqeve të brigadës, sajonte modele fustanesh me duart e saja, duke u bërë kështu një stiliste e mirë, për femra e meshkuj, për aftësitë e saja të jashtëzakonshme e adhuronin shoqet dhe të gjithë banorët.

  Ky demaskim si dhe të tjerët e kanë tronditur thellë gjendjen shpirtërore të Bajames dhe kanë lënë gjurmë deri në ditët e sotme, çka reflektohet edhe në krijimet letrare të saj.
   Bajame Hoxha-Çeliku është një krijuese që i ka trajtuar të gjitha gjinitë e llojet letrare. Në moshën 19-vjeçare, ajo përgatiti romanin e parë, të cilin e daktilografoi në makinë shkrimi, por ia sekuestruan gjatë një kontrolli që i bëri në shtëpipolicia. Është rast i rrallë që një vajzë në moshën e saj të bëjë gati për botim një vepër voluminoze si romani me mbi treqind faqe. Sekuestrimi dhe humbja e romanit të parë, nuk e dekurajoi Bajamen, (sepse edhe pas frymës së demokracisë i janë sakatuar libra në prozë, dhe i kanë humbur tre libra me poezi nëpër shtëpitë botuese e deri te instituti i të përndjekurëve politikë ku ajo i kishte çuar për botim.) Ajo e pa mposhtur, e guximshme vijoi me krijime të reja, në vargje e prozë, për të rritur e fëmijë, me fabula e tekste këngësh, të cilat i prezantoi edhe në festivalet kombëtare të këngëve për fëmijë, ku u vlerësuan me çmime, pas kompozimeve dinjitoze nga kompozitorët më të mirë. Në librat me ese trajtohen problemet e kohës, të cilave eseistja përpiqet t’u japë përgjigje të argumentuara. Rrethi i librave të botuara vërtitet në mbi 20 vëllime poetike, eseistike, tregime e romane. Një vend të veçantë në krijimtarinë e poetes zënë kujtimet e saj, të cilat gjer tani kanë arritur mbi 1000 faqe, dhe janë ende në përpunim libra të tjerë dokumentarë. Ajo s’harron kurrë edhe lirikat e mrekullueshme ku shpesh quhet: poetja e dashurisë. Ose: poetja që i këndon më bukur dashurisë.

 Krijimet poetike kanë zënë vend edhe në portale të ndryshme dhe janë pëlqyer nga lexuesit, të cilët kanë bërë vlerësime pozitive në komentet e tyre.
  Këto ditë pata fatin të bie në kontakt me tri krijime poetike të Bajame Hoxha-Çelikut, tri krijime me tematikë të ndryshme, por me burim frymëzimi të njëjtë: ndikimi i së shkuarës në gjithë jetën krijuese, familjare e shoqërore të saj. E shkuara i shfaqet në çdo hap që hedh.Tronditja traumatike e shkaktuar në fëmijëri e rini, është si ai tërmeti i fuqishëm, gjurmët e të cilit mbeten të dukshme, me gjithë ndërhyrjet restauruese që mund të jenë bërë.                                                        
Në poezinë e parë “Mjerimi” kalon si në një skaner gjithë e shkuara e dhimbshme e poetes dhe shoqeve të saja, vuajtjet që kanë hequr në kampet e përqëndrimit, si në Tepelenë, ku foshnjet vdisnin nga mungesa e gjirit të nënave të paushqyera, dhe eshtrat e tyre i rrëmbente lumi i Vjosës që kalonte pranë, duke zhdukur çdo gjurmë. Përplasjet me sekretarin e Partisë në vitet e internimit në Savër të Lushnjës, puna e rëndë në fushat e pamata të Myzeqesë dhe ruajtja e dinjitetit të tyre në punë e çdo mjedis tjetër. Poezia ka ndikime ekzistencialiste, sepse me gjithë luftën që u bëhej, ato mbijetuan dhe u afirmuan si trashëgimtare të një gjeni inteligjent e këmbëngulës në arritjen e qëllimeve. Forma që ka zgjedhur për pohimin e asaj çka dashur të thotë, është disi e veçantë. E shkuara është si një makth që e përndjek në çdo hap që hedh, e mbërthen fort prej fyti dhe nuk e lëshon, duke i kujtuar se ajo mbetet e njëjta: e internuara e kazmës dhe lopatës, pa të drejtë argëtimi e shkollimi dhe as krijimesh letrare. Ky makth i shfaqet pa lëndë e formë, veçse si një zë i frikshëm, që i tingëllon kërcënueshëm edhe në ditët e saj më të bukura, të cilat ajo nuk ka të drejtë t’i gëzojë. Edhe pse ndodhen në një kohë tjetër, ai zëri i skëterrës, të shkuarën e zymtë e quan me cinizëm :”Ah, kohë e paharruar, e ëmbla kohë!”E zgjon poeten nga ëndrrat e bukura që po jeton, duke i kujtuar të shkuarën:”Të kujtohet, o Bajame, kazma, lopata?…Mos shiko nga Perëndimi, o Bajame,/këtu do të kalbesh, këtu, në baltën e internimeve”. Mos ëndërro për çmime, i thotë zëri që personifikon të privilegjuarit e sistemit të kaluar, ato çmime kemi të drejtë t’i gëzojmë vetëm ne. Në vargun më poshtë ato vetëdemaskohen, kur deklarojnë:”Që të marrësh çmime si ne, duhen para…” Kështu i kanë marrë dhe vazhdojnë t’i marrin çmimet letrare krijuesit e sotëm. Pra, i blejnë çmimet, gjë që nuk është në karakterin e Bajames.

Poezia është ndërtuar me varg të thyer, pa ngarkesa të një figuracioni të tepruar, i cili është kthyer në një mani për poetët e rinj ku hera-herës u mungon edhe respektimi korrekt. Por te Bajamja, kuptimi i vargut dhe mesazhi nuk e humbasin vlerën e tyre. Ndikimi i poezisë moderne botërore, me të cilën poetja është në kontakt të përditshëm, mbasi që nga viti dymijë e një, jeton me familjen në Belgjikë, është i dukshëm.

Poezia përshkohet nga tone të qeta, jo hakmarrëse, paqtuese, më tepër përbuzëse për ato që shikon e dëgjon, të cilat i duken të njëjta me qëndrimet e dikurshme, prej të cilave ishte ndarë përfundimisht. Poetja shpreh thjesht neverinë e saj për ato që ka përballë dhe përfaqësojnë anën e errët të shoqërisë, me të cilat nuk e lidh asgjë.

Në poezinë tjetër “Mbaje mend, moj poeteshë””menjëherë bie në sy këcënimi klasik që përdoret te ne:”Mbaje mend ç’kam për të bërë ose ç’ke për të hequr”! Mesazhi lidhet me çmimet që jepen e fitohen nga të njëjtët krijues, pa u
lënë shteg krijuesve të tjerë, pavarësisht nivelit artistik të krijimit.”Jemi ne dhe vetëm ne/Ne të të gjitha regjimeve”. Qartësisht servilët dhe dallaverexhinjtë janë përfituesit e kësaj kohe. Ryshfeti është ai që zgjidh gjithçka.”Mblidhe mendjen, jemi ajka,/se tek ne nuk shteret banka!/Jemi ne, s’do ketë të tjerë,/A s’e sheh,ah, moj e mjerë?!

Kështu mbyllet kjo poezi me varg të rregullt 8-rrokësh, me theksin ritmik në rrokjen e tretë dhe të shtatë të çdo vargu. Poezia dërgon mesazhin, se gjersa çmimet nuk stimulojnë krijuesit më të mirë, letërsia do të mbetet në nivele mediokre. Është një tërheqje vëmendjeje ndaj Ministrisë së Kulturës e kujtdo tjetër që organizon veprimtari me karakter konkurues në letërsi e në çdo lëmi të veprimtarisë kulturire – artistike.

Ndryshe është poezia “Shqipëri, moj hallemadhe”Në të derdhet dhimbja e poetes për rininë që endet udhëve të Evropës pa perspektivë, me vuajtje e sakrifica, duke fjetur edhe pa ngrënë e pa strehim në ura, ndërsa atdheu i tyre lëshon ajkën e shoqërisë në shërbim të të huajve, pa bërë përpjekje për t’u siguruar një shkollim dinjitoz e një vend pune, që t’u garantohet një jetesë normale pranë familjes.”Shqipëri, moj hallemadhe!/Pse po vuan, përse qan?/Nga kush vuan, o zemërmadhe?/Lotët shpirtin,oh, më vranë!”Edhe pse ka hequr të zitë e ullirit, poetja ndien dhimbje deri në palcë, kur shikon që populli po vuan e nuk shikon perspektivë për të adhmen. Edhe në këtë poezi, që ka shumë dhimbje e plagë që kullojnë gjak, për situatën e mjerë, është përdorur vargu i matur 8-rrokësh, me një kumbim të këndshëm harmonik, pa ngarkesa figurash.
Rreth një javë më parë takova poeten Bajame Hoxha-Çeliku, e cila kishte ardhur në Tiranë me një grup intelektualësh nga diaspora, të cilët do të organizonin një tubim për të diskutuar rreth gjetjes së rrugëve për të dalë nga situata problematike e krijuar në vendin tonë. Kjo më bëri të shikoj një Bajame më të plotësuar, jo vetëm krijuese letrare, por edhe veprimtare, që shqetësohet për problemet e shoqërisë dhe bashkë me të tjerë, punon për zgjidhjen e tyre. Për 11 vjet me radhë Bajamja kishte dhënë gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe ata të huaj në Bruksel. Gjithashtu, ajo takohet shpesh me shqiptarët e Belgjikës, me të cilët rrahin mendime për mbështetjen e shqiptarëve, që ende nuk janë stabilizuar me strehim, punë e dokumente të domosdoshme për të jetuar jashtë getove, ku jetojnë emigrantët nga vendet e tjera. Mënyra e diskutimeve të Bajames, të impononte respekt, si për një njeri të kulturuar, me dinjitet e oratore në të shprehur. Pamja e saj e jashtme të jepte përshtypjen e një zonje të vërtetë, që e kishte në gjen fisnikërinë. Me çfarë prezanonte në paraqitjen e jashtme, në botën e brendshme shpirtërore, në shumëllojshmërinë e krijimtarisë, në aktivitetet në diasporë dhe dashurinë për 

familjen, ajo të krijonte idenë e një madame, nga ato madamat e huaja, me të cilat jemi njohur nëpërmjet letërsisë klasike.Për nga ngjashmëritë krijuese letrare dhe veprimtaritë shoqërore, përpos trashëgimisë familjare, babai i saj zotëronte 7 gjuhë të huaja, zonja që më erdhi ndër mend, është Madamë de Staël. Po cila është Madame dë Staël?

Për ata që nuk e njohin, Madame de Stael është një zonjë franceze, që ka jetuar në fundin e shek.XVII dhe fillimin e shek.XVIII. Ishte shkrimtare, eseiste, filozofe, veprimtare shoqërore e politikane. I ati i saj ka qenë drejtor i financave në Mbretërinë e Luigjit të 16-të. Hyri në kontradiktë me mbretin, sepse donte të bënte publik buxhetin e Qeverisë, çka nuk kishte ndodhur më parë dhe mbahej sekret shtetëror, larg syve të opinionit publik. Nëna e saj kishte hapur një sallon në Paris, ku mblidheshin njerëz të shquar e diskutonin për probleme të ndryshme. Në këtë sallon merrte pjesë edhe vajza e vogël, e cila që nga mosha 10 vjeçare u bë pjesë e pandarë e këtij salloni. Jetoi kohën e Revolucionit Francez të Jakobinëve e Zhirondinëve. Ndërsa rritej dhe ra në kontakt me njerëzit më të shquar të shoqërisë franceze, hodhi idenë e një mbretërie me kushtetutë republikane, duke marrë si shembull mbretërinë angleze, ku mungonte fryma absolute e mbretërisë franceze. Sundimi i Perandorit Napoleon Bonaparti, mosmarrëveshjet me të, pas largimit si ministër të babait, internimi larg Parisit, e strehuan familjen e saj në Zvicër. Shtëpia e tyre u bë strehë për gjithë të pakënaqurit nga Bonaparti. Më vonë lëvizjet e saj nëpër Evropë kanë qenë të shumta e të shpeshta sa në Gjermani, Suedi, Angli e përsëri në Francë , ku edhe mbylli sytë në një moshë të re, 51 vjeçe, duke lënë pas një emër të madh e krijimtari të pasur letrare me ese, në filozofi e politikë, gjithmonë kundër rrymave të kohës. Për herë të parë ajo përdori më së shumti termin romantizëm në letërsi.

Sigurisht që steka për një krahasim të tillë është ngritur shumë lart, por një lexues i vëmendshëm dhe dashamirës mund të gjejë pika të përbashkëta përkatësie midis Bajame Hoxha-Çeliku  dhe  Madame dë Staël.

                                                   

Filed Under: ESSE Tagged With: Flamur Shabani- Ti hele håret-Bajame Hoxha

FESTA E VJELJES SË RRUSHIT NË RAHOVEC -KOSOVË

August 17, 2019 by dgreca

-Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta përshëndet Festën e Vjeljes së Rrushit në Rahovec, ku ishin edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj: Shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Kosovës të rriten edhe më tej!- Kultivimi i hardhisë në këtë pjesë të Kosovës, dëshmi e orientimit tonë evropian. -Rahoveci, model i njerëzve që punojnë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

RAHOVEC, 16 Gusht 2019/  Në qytetin e Rahovecit në Kosovë ka nisur sot Festa e Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest 2019” me moton “Një got’ për mot!”, ku ka marrë pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Në festën ku ishin edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, deputetë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Presidenti Meta në fjalën e Tij të rastit tha:

“Nuk mund të mos isha sot këtu në këtë festë për tri arsye: E para sepse kur kam ardhur me Ambasadorin Minxhozi dhe kemi vizituar fabrikën ‘Stone Castle’ kam ngelur vërtet me shumë përshtypje nga ky potencial i jashtëzakonshëm që ka Kosova, por jo vetëm ajo, por i gjithë rajoni ynë.Së dyti, sepse unë jam nga krahina e Skraparit, që nuk shquhet për verë si Rahoveci, por që mban vendin e parë për raki të fortë në Shqipëri.Kjo festë nuk është vetëm gëzim, por mbi të gjitha është begati, pasi vreshtaria është një nga burimet kryesore të jetesës, së punës e të begatisë për të gjithë bashkësinë tuaj.Së treti, sepse ne të gjithë duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje mbështetjes së prodhimit vendas dhe në mënyrë të veçantë prodhuesve të verës, të cilët meritojnë një mirënjohje të jashtëzakonshme sepse me shumë profesionalizëm kanë arritur të hyjnë në tregun ndërkombëtar të verës, ku konkurrenca është shumë e fortë.Populli i Rahovecit meriton një mirënjohje tepër të veçantë për shkak se vera e Rahovecit është bërë mjaft e famshme në tregjet ndërkombëtare.Ne duhet të mësojmë shumë nga njëri-tjetri! Sidomos Shqipëria shumë më tepër nga Kosova dhe anasjelltas, sepse na takon të vëmë në lëvizje të gjitha ato potenciale që kanë vendet tona, e sidomos ato që ka Shqipëria në fushën e bujqësisë, por edhe në atë të turizmit.

Edhe njëherë suksese! Prodhime të mbara! Mbarësi dhe begati për të gjithë bashkësinë tuaj!”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shkruar: “Duke promovuar kulturën e punës dhe historikun e festës së vjeljes së rrushit, sot kam marrë pjesë në hapjen e Festivalit “Hardh Fest” në Rahovec. Kultivimi i hardhisë në këtë pjesë të Kosovës është edhe dëshmi e orientimit tonë evropian, i cili është i rrënjosur thellë në vlerat e lashta perëndimore. “Hardh Fest” ka arritur të ndërkombëtarizohet, të sjellë emra të njohur të artit ndërkombëtar në Rahovec, të organizojë aktivitete shumë atraktive, që kanë tërhequr vëmendje edhe botërore. Urime të gjithë vreshtarëve festa e vjeljes së rrushit!”

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në hapjen zyrtare të festës së rrushit “Hardh Fest” u shpreh:

“Jam i bindur se në Rahovec e gjejmë një model të njerëzve që punojnë dhe me punën e tyre kanë krijuar këto vlera dhe institucionet e Kosovës  edhe në të ardhmen duhet t’i përkrahin njerëzit e suksesshëm të Rahovecit”.

Para të pranishmëve të shumtë,  Kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se është mirë që fokusimi të mbetet te politikat fiskale, lirimet tatimore, përkrahja e fermerëve, vreshtarëve, pemëtarëve, për arsye se vetvetiu do të ketë më shumë rezultate.”E vërteta është se deri tani ka rezultate dhe këto na inkurajojnë që të vazhdojmë me këto politika fiskale, me lehtësimet tatimore, në përkrahje të prodhuesve dhe të prodhimit vendor”, tha Haradinaj, duke shtuar se nevojitet të ecet para edhe me gjyqësor kredibil, për arsye se duhet të fitojë oferta dhe kualiteti më i mirë dhe jo të dominojnë instrumentet e tjerë.Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha gjithashtu se duhet eliminuar mangësitë që ekzistojnë në shoqëri, korrupsionin dhe të jenë të sinqertë dhe real në përballje me të.Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se, kjo festë ofron për fermerët, vreshtarët, artistët, rininë, njerëzit e këtyre zonave dhe të gjitha palët e interesit, që të bëhen më aktivë në jetën shoqërore dhe kulturore.

“Gjatë këtyre ditëve, Rahoveci dhe njerëzit e tij hapin dyert dhe zemrat , duke shfaqur bujarinë, krenarinë dhe përkushtimin e tyre për festën”, tha kryetari Latifi.Në nisjen e festës treditore të rrushit në Rahovec është bërë shpallja e vreshtarëve dhe verëtarëve më të mirë, si dhe u bë hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë.Festa e vjeljes së rrushit organizohet që nga viti 2001 dhe tani është shndërruar në festë nacionale të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook (Gazeta Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Festa e Rrushit-Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJOFTIM NGA VATRA: HAPET GARA PËR KANDIDATËT PËR KRYETAR TË FEDERATËS VATRA
  • Kthesë historike për Kosovën: 19 Qershori 1998 – Legjitimimi politik i UÇK-së nga SHBA-ja
  • Join the Albanian Roots Parade & Festival
  • Kontributi shkencor i Ukshin Hotit në interpretimin e Lidhjes së Prizrenit
  • Francesco Chetta – Schirò “Kastriotët, princa të Shqipërisë në Urdhrin Sovran dhe Ushtarak të Maltës – Zanafilla e derës së Kastriotëve” – Francesco Chetta – Schirò
  • Rruga Lissus–Naissus: Arteria strategjike e Ballkanit Romak dhe roli i Mirditës në lidhjen Adriatik–Danub
  • Revolucioni i Flamingove dhe frika nga perëndimi
  • BABALLARËT E KOMBIT DHE LINDJA E AMERIKËS
  • KOSOVA NË PERSPEKTIVËN EVROPIANE: DOMOSDOSHËMËRIA JURIDIKE DHE LEGJITIMITETI SIPAS SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË DREJTËS EVROPIANE
  • Nga Judge John Ingram Monitor i Zgjedhjeve : Lidhur me Konventën dhe zgjedhjet e VATRËS
  • Kujtojmë Karlo Taljavinin, albanologun italian që studioi rrënjët indoeuropiane dhe pasurinë e dialekteve të shqipes
  • BREZI QË SFIDOI STATUS-QUO-në, TRIUMFI STUDENTOR PËR GJUHËN NË STRAZBURG
  • KUR NDËRGJEGJA VLEN MË SHUMË SE DISIPLINA PARTIAKE
  • GEORGE W. BUSH, PRESIDENTI QË E ÇOI AMERIKËN NËPËR STUHINË E 11 SHTATORIT DHE MBËSHTETI SHQIPTARËT NË MOMENTET VENDIMTARE
  • Mësimi hungarez për Shqipërinë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT