Ti çele herët, moj Bajame /
Nga Flamur SHABANI/
Një koincidencëe beftë më solli ndër mend këtë varg të poetit gjigant Dritëro Agolli. Po ndryshe nga poezia romantike e Agollit, emri që më ngacmoi e më zgjoi romantizmin dhe dashurinë e një të riu, që i këndon poshtë dritares së dashurës së vet në një fillim pranvere, kur pemët kishin çelur lule e petalet binin mbi supet e të rinjve, fati i Bajames sonë është shumë më ndryshe, aspak romantik, madje i zymtë e i dhimbshëm. Është fati i njërës prej atyre që lindën në sistemin e diktaturës, pësuan dhunën e saj, privimet nga një jetë normale, të cilën ka të drejtë ta gëzojë çdokush. Është fati i një vajze të re, që jetoi në getot e kampeve të përqëndrimit të komunizmit, siç ishte dhe kampi famëkeq i Savrës në Lushnjë, ku Bajame Çeliku hodhi hapat e para mes pluhurit e baltës, në barrakat e rrënuara, të ndërtuara posaçërisht për armiqtë e regjimit, të cilët u përkisnin shtresave shoqërore e kulturore, që dikur ishin elita e shoqërisë, por tashmë të rënë nga vakti. Bajame Çeliku lindi pas Çlirimit në një familje tregtare me banim prej tre-katër brezash në qytetin e gjirokastrës.
Ajo u internua në moshën njëmbëdhjetë vjeçare në Savrër të Lushnjës, bashkë me nënën motrat dhe vëllain e vetëm, ku u mungoi buka e gojës edhe pika e ujit.Gjithsesi, ajo rritet. Në shtatin e Bajames derdhet një trup i bukur, një mendje e zgjuar dhe një talent i lindur si krijuese letrare.Ndërkohë ra në kontakt me letërsinë “e verdhë”, siç cilësoheshin atëherë disa nga krijimet më të mira të letërsisë botërore, si rezultat i mungesës së vëmendjes nga regjimi, çka solli një lloj liberalizimi në përkthime, por edhe i përkthyesve të zellshëm e nuhatës të prirjeve që do të merrte letërsia e kohës, e lodhur nga letërsia skematike e realsocializmit shqiptar e atij lindor, nga personazhet e ngrirë të dalë prej shablloneve të ideologjisë komuniste dhe të mesazheve propagandistike të tyre. Kjo letërsi qarkullonte dorë më dorë e lexohej me një frymë nga të rinjtë, të cilët e përpinin brenda disa orëve. Përballë kësaj letërsie të zhdërvjellët e gjithë dritë, letërsia e socrealizmit dukej si një qerre, qetë gërdallë të së cilës çapiteshin rëndë baltrave të Myzeqesë. Kjo letërsi i jepte krahë vajzës sonë të re, e cila ëndërronte të ishte një nga personazhet e librave që lexonte. Diskutonte me pasion me moshataret në shkollë e në punë, të cilat shikonin te Bajamja shoqen e ngushtë, të mençur e të ditur, besnike e të respektueshme, së cilës mund t’i besohej gjithçka, deri në intimitete nga jeta vetjake,pa pasur frikë se do t’u dilte një fjalë e vetme përtej bisedës midis tyre si shoqe të besueshme. Simpatia që gëzonte në shoqëri, nuk mbeti pa rënë në sy të atyre që vigjiloninpër ndikime të huaja në përdishmërinë e jetës së shqiptarëve. Kjo vigjilencë ishte edhe më e mprehtë për njerëzit e deklasuar, si Bajamja.
Ndër vite jeta e saj ka pasur luhatje, që pasqyronin edhe intensitetin e luftës së Partisë. Kështu, kur mbushi moshën, u pranua në organizatën e rinisë ku më vonë, do përjashtohej në një mbledhje rinie për pikëpamjet e saj. Së bashku me bashkëmoshataret e saj të lirë, dhe banorët e Savrës, u aktivizua gjerësisht në veprimtaritë kulturore dhe artistike të sektorit. Në konkurset e grupeve amatore, që zhvilloheshin midis sektorëve të NB-ve, në krye të grupit të Savrës do të qëndronte Bajamja, qoftë në organizim apo dhe me krijime letrare, siç ishin skeçet e estradës amatore, të cilat ajo i përgatiste, duke marrë shkas nga problematikat e përditshme që e rrethonin dhe që jo rrallë shërbente edhe si motiv për humor, hartonte tekstet e konferencierëve etj.
Punonte me grupet amatore në skenën e vatrës së kulturës, por punonte edhe në arat me misër, pambuk e luledielli, në zheg e pa pikën e ujit, sepse fusha e Myzeqesë nuk ka burime ujore dhe uji u shkonte në krye të arës me bidona të ngarkuara në qerre, ku më vonë, nuk u shkonte fare, e të internuarit duhej të merrnin një litër ujë për gjithë ditën dhe buza u thahej një lloj si toka që çahej nga thatësira. Për cilësinë as që bëhej fjalë.
Ishin vitet kur lufta e klasave u intensifikua, pas daljes së grupeve armiqësore në ushtri e disa sektorë të tjerë, që përfshinin edhe nomenklaturën e lartë, deri te Ministra e Anëtarë të Byrosë e të Komitetit Qendror të Partisë. Poshtë në bazë, organizatat e parties, me orientim nga lart, piketonin hera-herës ndonjë element të rrezikshëm, i cili duhej goditur e diskretituar në të ashtuquajturat demaskim publik. Duke demaskuar në kolektiv një person me kritika të drejtpërdrejta, me sajesa monstruoze e kërcënime me burg, synohej që të tulateshin gjithë të tjerët, që do të guxonin të çonin nëpër mend veprime të ngjashme si ato të demaskuarit, të cilit i bëhej ky gjyq shoqëror-politik në brigadë.
Disa demaskime i tilla publike, para kolektivit, i janë bërë edhe Bajame Çelikut. Ishte vetëm 16-vjeçare, kur për herë të parë diskriminohet rëndë përpara popullit, kur sekretari i Partisë, duke parë tek ajo pikëpamjet, dhe kokëfortësinë e saj që s’pranonte asgjë nga akuzat që i thuheshin, bën kërcënimin ekstrem, pasi e lëshuan nervat, duke i thënë:”Ja, kështu do ta shtypim kokën me këmbë” dhe shtypi duke turfulluar një plis, duke nënkuptuar kokën e vajzës së re, pa asnjë faj, vetëm pse ajo dallohej për pjesëmarrje në aktivitete, lexonte libra të huaj dhe ua tregonte po aq bukur shoqeve të brigadës, sajonte modele fustanesh me duart e saja, duke u bërë kështu një stiliste e mirë, për femra e meshkuj, për aftësitë e saja të jashtëzakonshme e adhuronin shoqet dhe të gjithë banorët.
Ky demaskim si dhe të tjerët e kanë tronditur thellë gjendjen shpirtërore të Bajames dhe kanë lënë gjurmë deri në ditët e sotme, çka reflektohet edhe në krijimet letrare të saj.
Bajame Hoxha-Çeliku është një krijuese që i ka trajtuar të gjitha gjinitë e llojet letrare. Në moshën 19-vjeçare, ajo përgatiti romanin e parë, të cilin e daktilografoi në makinë shkrimi, por ia sekuestruan gjatë një kontrolli që i bëri në shtëpipolicia. Është rast i rrallë që një vajzë në moshën e saj të bëjë gati për botim një vepër voluminoze si romani me mbi treqind faqe. Sekuestrimi dhe humbja e romanit të parë, nuk e dekurajoi Bajamen, (sepse edhe pas frymës së demokracisë i janë sakatuar libra në prozë, dhe i kanë humbur tre libra me poezi nëpër shtëpitë botuese e deri te instituti i të përndjekurëve politikë ku ajo i kishte çuar për botim.) Ajo e pa mposhtur, e guximshme vijoi me krijime të reja, në vargje e prozë, për të rritur e fëmijë, me fabula e tekste këngësh, të cilat i prezantoi edhe në festivalet kombëtare të këngëve për fëmijë, ku u vlerësuan me çmime, pas kompozimeve dinjitoze nga kompozitorët më të mirë. Në librat me ese trajtohen problemet e kohës, të cilave eseistja përpiqet t’u japë përgjigje të argumentuara. Rrethi i librave të botuara vërtitet në mbi 20 vëllime poetike, eseistike, tregime e romane. Një vend të veçantë në krijimtarinë e poetes zënë kujtimet e saj, të cilat gjer tani kanë arritur mbi 1000 faqe, dhe janë ende në përpunim libra të tjerë dokumentarë. Ajo s’harron kurrë edhe lirikat e mrekullueshme ku shpesh quhet: poetja e dashurisë. Ose: poetja që i këndon më bukur dashurisë.
Krijimet poetike kanë zënë vend edhe në portale të ndryshme dhe janë pëlqyer nga lexuesit, të cilët kanë bërë vlerësime pozitive në komentet e tyre.
Këto ditë pata fatin të bie në kontakt me tri krijime poetike të Bajame Hoxha-Çelikut, tri krijime me tematikë të ndryshme, por me burim frymëzimi të njëjtë: ndikimi i së shkuarës në gjithë jetën krijuese, familjare e shoqërore të saj. E shkuara i shfaqet në çdo hap që hedh.Tronditja traumatike e shkaktuar në fëmijëri e rini, është si ai tërmeti i fuqishëm, gjurmët e të cilit mbeten të dukshme, me gjithë ndërhyrjet restauruese që mund të jenë bërë.
Në poezinë e parë “Mjerimi” kalon si në një skaner gjithë e shkuara e dhimbshme e poetes dhe shoqeve të saja, vuajtjet që kanë hequr në kampet e përqëndrimit, si në Tepelenë, ku foshnjet vdisnin nga mungesa e gjirit të nënave të paushqyera, dhe eshtrat e tyre i rrëmbente lumi i Vjosës që kalonte pranë, duke zhdukur çdo gjurmë. Përplasjet me sekretarin e Partisë në vitet e internimit në Savër të Lushnjës, puna e rëndë në fushat e pamata të Myzeqesë dhe ruajtja e dinjitetit të tyre në punë e çdo mjedis tjetër. Poezia ka ndikime ekzistencialiste, sepse me gjithë luftën që u bëhej, ato mbijetuan dhe u afirmuan si trashëgimtare të një gjeni inteligjent e këmbëngulës në arritjen e qëllimeve. Forma që ka zgjedhur për pohimin e asaj çka dashur të thotë, është disi e veçantë. E shkuara është si një makth që e përndjek në çdo hap që hedh, e mbërthen fort prej fyti dhe nuk e lëshon, duke i kujtuar se ajo mbetet e njëjta: e internuara e kazmës dhe lopatës, pa të drejtë argëtimi e shkollimi dhe as krijimesh letrare. Ky makth i shfaqet pa lëndë e formë, veçse si një zë i frikshëm, që i tingëllon kërcënueshëm edhe në ditët e saj më të bukura, të cilat ajo nuk ka të drejtë t’i gëzojë. Edhe pse ndodhen në një kohë tjetër, ai zëri i skëterrës, të shkuarën e zymtë e quan me cinizëm :”Ah, kohë e paharruar, e ëmbla kohë!”E zgjon poeten nga ëndrrat e bukura që po jeton, duke i kujtuar të shkuarën:”Të kujtohet, o Bajame, kazma, lopata?…Mos shiko nga Perëndimi, o Bajame,/këtu do të kalbesh, këtu, në baltën e internimeve”. Mos ëndërro për çmime, i thotë zëri që personifikon të privilegjuarit e sistemit të kaluar, ato çmime kemi të drejtë t’i gëzojmë vetëm ne. Në vargun më poshtë ato vetëdemaskohen, kur deklarojnë:”Që të marrësh çmime si ne, duhen para…” Kështu i kanë marrë dhe vazhdojnë t’i marrin çmimet letrare krijuesit e sotëm. Pra, i blejnë çmimet, gjë që nuk është në karakterin e Bajames.
Poezia është ndërtuar me varg të thyer, pa ngarkesa të një figuracioni të tepruar, i cili është kthyer në një mani për poetët e rinj ku hera-herës u mungon edhe respektimi korrekt. Por te Bajamja, kuptimi i vargut dhe mesazhi nuk e humbasin vlerën e tyre. Ndikimi i poezisë moderne botërore, me të cilën poetja është në kontakt të përditshëm, mbasi që nga viti dymijë e një, jeton me familjen në Belgjikë, është i dukshëm.
Poezia përshkohet nga tone të qeta, jo hakmarrëse, paqtuese, më tepër përbuzëse për ato që shikon e dëgjon, të cilat i duken të njëjta me qëndrimet e dikurshme, prej të cilave ishte ndarë përfundimisht. Poetja shpreh thjesht neverinë e saj për ato që ka përballë dhe përfaqësojnë anën e errët të shoqërisë, me të cilat nuk e lidh asgjë.
Në poezinë tjetër “Mbaje mend, moj poeteshë””menjëherë bie në sy këcënimi klasik që përdoret te ne:”Mbaje mend ç’kam për të bërë ose ç’ke për të hequr”! Mesazhi lidhet me çmimet që jepen e fitohen nga të njëjtët krijues, pa u
lënë shteg krijuesve të tjerë, pavarësisht nivelit artistik të krijimit.”Jemi ne dhe vetëm ne/Ne të të gjitha regjimeve”. Qartësisht servilët dhe dallaverexhinjtë janë përfituesit e kësaj kohe. Ryshfeti është ai që zgjidh gjithçka.”Mblidhe mendjen, jemi ajka,/se tek ne nuk shteret banka!/Jemi ne, s’do ketë të tjerë,/A s’e sheh,ah, moj e mjerë?!
Kështu mbyllet kjo poezi me varg të rregullt 8-rrokësh, me theksin ritmik në rrokjen e tretë dhe të shtatë të çdo vargu. Poezia dërgon mesazhin, se gjersa çmimet nuk stimulojnë krijuesit më të mirë, letërsia do të mbetet në nivele mediokre. Është një tërheqje vëmendjeje ndaj Ministrisë së Kulturës e kujtdo tjetër që organizon veprimtari me karakter konkurues në letërsi e në çdo lëmi të veprimtarisë kulturire – artistike.
Ndryshe është poezia “Shqipëri, moj hallemadhe”Në të derdhet dhimbja e poetes për rininë që endet udhëve të Evropës pa perspektivë, me vuajtje e sakrifica, duke fjetur edhe pa ngrënë e pa strehim në ura, ndërsa atdheu i tyre lëshon ajkën e shoqërisë në shërbim të të huajve, pa bërë përpjekje për t’u siguruar një shkollim dinjitoz e një vend pune, që t’u garantohet një jetesë normale pranë familjes.”Shqipëri, moj hallemadhe!/Pse po vuan, përse qan?/Nga kush vuan, o zemërmadhe?/Lotët shpirtin,oh, më vranë!”Edhe pse ka hequr të zitë e ullirit, poetja ndien dhimbje deri në palcë, kur shikon që populli po vuan e nuk shikon perspektivë për të adhmen. Edhe në këtë poezi, që ka shumë dhimbje e plagë që kullojnë gjak, për situatën e mjerë, është përdorur vargu i matur 8-rrokësh, me një kumbim të këndshëm harmonik, pa ngarkesa figurash.
Rreth një javë më parë takova poeten Bajame Hoxha-Çeliku, e cila kishte ardhur në Tiranë me një grup intelektualësh nga diaspora, të cilët do të organizonin një tubim për të diskutuar rreth gjetjes së rrugëve për të dalë nga situata problematike e krijuar në vendin tonë. Kjo më bëri të shikoj një Bajame më të plotësuar, jo vetëm krijuese letrare, por edhe veprimtare, që shqetësohet për problemet e shoqërisë dhe bashkë me të tjerë, punon për zgjidhjen e tyre. Për 11 vjet me radhë Bajamja kishte dhënë gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe ata të huaj në Bruksel. Gjithashtu, ajo takohet shpesh me shqiptarët e Belgjikës, me të cilët rrahin mendime për mbështetjen e shqiptarëve, që ende nuk janë stabilizuar me strehim, punë e dokumente të domosdoshme për të jetuar jashtë getove, ku jetojnë emigrantët nga vendet e tjera. Mënyra e diskutimeve të Bajames, të impononte respekt, si për një njeri të kulturuar, me dinjitet e oratore në të shprehur. Pamja e saj e jashtme të jepte përshtypjen e një zonje të vërtetë, që e kishte në gjen fisnikërinë. Me çfarë prezanonte në paraqitjen e jashtme, në botën e brendshme shpirtërore, në shumëllojshmërinë e krijimtarisë, në aktivitetet në diasporë dhe dashurinë për
familjen, ajo të krijonte idenë e një madame, nga ato madamat e huaja, me të cilat jemi njohur nëpërmjet letërsisë klasike.Për nga ngjashmëritë krijuese letrare dhe veprimtaritë shoqërore, përpos trashëgimisë familjare, babai i saj zotëronte 7 gjuhë të huaja, zonja që më erdhi ndër mend, është Madamë de Staël. Po cila është Madame dë Staël?
Për ata që nuk e njohin, Madame de Stael është një zonjë franceze, që ka jetuar në fundin e shek.XVII dhe fillimin e shek.XVIII. Ishte shkrimtare, eseiste, filozofe, veprimtare shoqërore e politikane. I ati i saj ka qenë drejtor i financave në Mbretërinë e Luigjit të 16-të. Hyri në kontradiktë me mbretin, sepse donte të bënte publik buxhetin e Qeverisë, çka nuk kishte ndodhur më parë dhe mbahej sekret shtetëror, larg syve të opinionit publik. Nëna e saj kishte hapur një sallon në Paris, ku mblidheshin njerëz të shquar e diskutonin për probleme të ndryshme. Në këtë sallon merrte pjesë edhe vajza e vogël, e cila që nga mosha 10 vjeçare u bë pjesë e pandarë e këtij salloni. Jetoi kohën e Revolucionit Francez të Jakobinëve e Zhirondinëve. Ndërsa rritej dhe ra në kontakt me njerëzit më të shquar të shoqërisë franceze, hodhi idenë e një mbretërie me kushtetutë republikane, duke marrë si shembull mbretërinë angleze, ku mungonte fryma absolute e mbretërisë franceze. Sundimi i Perandorit Napoleon Bonaparti, mosmarrëveshjet me të, pas largimit si ministër të babait, internimi larg Parisit, e strehuan familjen e saj në Zvicër. Shtëpia e tyre u bë strehë për gjithë të pakënaqurit nga Bonaparti. Më vonë lëvizjet e saj nëpër Evropë kanë qenë të shumta e të shpeshta sa në Gjermani, Suedi, Angli e përsëri në Francë , ku edhe mbylli sytë në një moshë të re, 51 vjeçe, duke lënë pas një emër të madh e krijimtari të pasur letrare me ese, në filozofi e politikë, gjithmonë kundër rrymave të kohës. Për herë të parë ajo përdori më së shumti termin romantizëm në letërsi.
Sigurisht që steka për një krahasim të tillë është ngritur shumë lart, por një lexues i vëmendshëm dhe dashamirës mund të gjejë pika të përbashkëta përkatësie midis Bajame Hoxha-Çeliku dhe Madame dë Staël.