…“Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”/
Në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë dhe Kujto.al, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, kthejnë vëmendjen në ish-kampet dhe vendet e internimit në Lushnjë, me aktivitetet “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”.
Në orën 10.00 bëhet takimi mes ish-të internuarve dhe pasardhësve të tyre pranë Memorialit kombëtar të internim-dëbimeve.
Në orën 11.00, në Pallatin e Kulturës “Vaçe Zela”, Lushnjë organizohet ekspozita fotografike e profileve të të internuarve në fshatrat e Lushnjës dhe ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH mbi ta.
Në vijim, në sallën e teatrit, ish-të internuarit dhe trashëgimtarët e tyre, qytetarë e të ftuar të tjerë, marrin pjesë në prezantimin e projektit të Autoritetit në bashkëpunim me IPP e SHAPP, për kthimin në vendkujtese të qendrave të internimit, bashkëbisedim i hapur ku pritet të shkëmbehen ide e sugjerime me të pranishmit.
(Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit,)