• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2019

Palmer: SHBA-ja sërish e përqendruar në Ballkanin Perëndimor

September 10, 2019 by dgreca

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer (djathtas) dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq./

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviqit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.Duke e uruar për këtë post, Markoviq tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit.Markoviq e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.Duke folur për Malin e Zi, Markoviq theksoi “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.Palmer bisedoi edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

***

Lexo edhe: Palmer ka synim kthimin e Kosovës dhe Serbisë në negociata

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se synim i tij është që t’i kthejë Prishtinën dhe Beogradin sa më shpejt në tryezën e bisedimeve dhe të sigurojë një marrëveshje midis tyre.

Në një intervistë për mediat serbe, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Palmer tha se mendon se mund të arrihet marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila, sipas tij, do ta transformonte gjithë Ballkanin, do t’i hapte rrugën evropiane Serbisë dhe Kosovës dhe do të ishte “një gjë pozitive për rajonin, Evropën dhe SHHBA-në”.

Kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve, tha Palmer, është një qëllim afatshkurtër për Shtetet e Bashkuara.

Dy palët i kanë pezulluar bisedimet prejse Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, nëntorin e kaluar.

Përkundër kërkesave të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Kosova nuk ka vepruar.

Autoritetet serbe këmbëngulin se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën pa heqjen e taksës.(Kortezi-Evropa e lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Palmer-SHBA-Ballkani Perendimor

IMIGRANTËT SHQIPËTARË NË AMERIKË

September 10, 2019 by dgreca

NGA REFAT GURAZEZI/*

         Shqipëtarët filluan të vinë n’Amerikë kur po afrohej mbarimi i Shekullit të shkuar, besohet që në vitin 1890 e tëhu. Thuhet se i pari shqipëtar që dolli n’Ellis Island të New York-ut dhe hyri n’Amerikë, quhej Nikollë S. Kristofor nga  Katundi, një fshat i qarkut të Korçës. Njëzet e ca vjet më vonë, pioneri ynë Kristofori u-dorëzua prift dhe shërbeu tërë jetën e tij si famulltar kombëtar i kishës Shën – Trinia në South Boston, Mass.

         Kurse nga ana tjatër, janë ca njerës të tjerë që thonë për një Shqipëtar tjatër nga rrethet e Përmetit që hyri n’Amerikë i pari, po s’janë të sigurtë për emërin dhe fshatin e tij. Cilido prej tyre që në qoftë, kjo s’ka rëndësi sot se nukë munt të quhet dot si “Zbulonjës i Botë së Re,” këtë gjë e bëri Christopher Columbus-i më 1492 dhe nuk ja mer dot atij tjatër njeri këtë nder!

         Shqipëtarët erdhë me shumicë n’Amerikë si refugjatë pas luftës ballkanike më 1912, passi vendi i tyre u-prish dhe u-doq prej Grekëve dhe Serbëve. Thonë se në mbarim të Luftës së Parë të Perbotëshme ishin “nj’a 60,000 Shqipëtare n’Amerikë”, po mjerisht s’kemi një statistikë zyrtare që te na tregojë numërin e vërtetë. Fakti është se kur ish Fedërate Vatra në kulmin e saj më 1916-1919, s’kish më shumë se 5,000 anëtarë dhe pajtimtarë të gazetës. Me këtë numër te vogël anëtarësh Vatra bëri çudira për Shqipërinë! Dhe kur mori funt lufta, shumë Shqipëtarë u-kthyenë prapë në Shqipëri. 

         Kur erdhë Shqipëtarët n’Amerikë në fillim të Shekullit sotmë, punët në fabrikat ishin miaft të rënda, orët e punës të gjata, dhe rogët të vogëla: 5 gjer 7 dollarë në javë, dhe fare të pakë ishin ata që munt të merjin më tepër. Përvec të tjerave, punëtorët shqipëtarë i pengonte dhe mosditja e gjuhës së vëndit. Per t’i bërë ballë këtij problemi, imigrantët shqipëtarë vanë me shumicë në shkollat e natës që të mësojin gjuhën inglisht me qëllim për të përmirësuar veten e tyre q’ashtu munt të gjejin punëra më të mira dhe me rogë më shumë. 

         Për arësye ekonomike edhe shoqërore, në fillim punëtorët shqipëtarë t’Amerikës rojin më tepër tok nëpër shtëpira të ndryshme, 5 gjer 10 shokë në një shtëpi, sipas dhomave që të kish shtëpia. Këta “shokë” të panjohur më parë munt t’ishin nga 10 fshatra të ndryshme dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë, po bukuria është se rojin tok si vëllezër: sikur kishin lindur dhe ishin ritur në një fshat! Dhe ay që ish me i shkuar nga mosha, ish plaku i shtëpisë dhe fjala e tij dëgjohej nga të tjerët. 

         Dhe po t’ish e mundur, shtëpitë me qira i zijin në një mëhalle të qytetit q’ashtu t’ishin afër njëri me tjatërin. Mbrëmanet mblidheshin në një nga shtëpitë që kish vënt më tepër dhe bisedojin tok për çdo çështje, familjare dhe kombëtare. Kur nonjeri prej tyre mirte një gazetë shqip t’ardhur nga lark, për shëmbëll “Drita” e Shahin Teki Ypit (Kolonjes) që dilte në Sofie, thërriste gjithë shokët e mëhalles në shtëpi të tij që e këndojin së bashku. 

         Një nga karakteristikat e “imigrantëve” shqipëtarë që vazhduan udhën në gjurmat e Kristoforit, ish dhe kjo: Kur vinte n’Amerikë nonjë imigrant i ri nga Shqipëria, shokët që gjente këtu i zijin vënt për të rojtur, e bëjin të njohur me shokët e tjerë, e lijin pakë ditë në shtëpi që të clodhej nga udhetimi i gjatë, dhe pastaj i gjejin punë. Më në funt, që të lante borxhin dhe të shpëtonte nga fajdeja e rëndë, shokët e “konakut” i mbithjin imigrantit të ri një sumë të hollash hua në mes të tyre për të paguar navllon e vaporit, dhe të dërgonte të paktën 50 dollarë në shtëpi nga ajo sumë. 

         Me ato punë të rënda dhe rogë të vogela, punëtoret shqipëtare t’Amerikës ndihmuan familjet e tyre në Shqipëri, përmirësuan tepër ndodhjen ekonomike të vendit te lindjes së tyre, dhe bënë çudira duke ndihmuar me duar hapur për levizjen kombëtare. Shenuam me sipër se n’Amerike ka patur shume mijera Shqipetare, po fakti eshte se çudirat i bene vetëm Vatranet: ata 5,000 Shqipëtarë që ishin anëtarë të Federates Vatra, ndoshta dhe më pakë se aqë. Ndihmat e tyre e bënë të mundur që Vatra mbajti përfaqesonjës diplomatikë nëpër kryeqytetet e botës dhe dërgoj delegatë në Konferencën e Paqes në Paris me 1919 për të kërkuar të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. 

         Passi suallnë grat’e tyre n’Amerikë nga Shqipëria dhe u-bënë njerës me familje, “imigrantët analfabetë” (sikundër janë sharë nga ca njerës “intelektualë”!) e dijin vleftën e mesimit shkollar dhe i dërguan fëmijen e tyre në shkollë. Kështu, pra, bijat dhe bijt’ e tyre mbaruan mësimet e larta nëpër universitetet e vendit, të këtij Vëndi të lirë dhe demokratik, dhe shumë prej tyre u-graduan me nderime si doktorë, avukatë, inxhinerë, mesonjës, profesorë, etj.

Filed Under: Histori Tagged With: Refat Gurrazezi-IMIGRANTËT SHQIPËTARË- NË AMERIKË

KLASA POLITIKE E SHQIPËRISË DJE, SOT DHE NESËR

September 10, 2019 by dgreca


Shkruan: Thanas L. Gjika/Në fakt klasë politike në Shqipëri pas L2B, kur sundoi diktatura komuniste, nuk ka pasur realisht. Gjithëçka vendosej prej drejtuesit të PKSH/PPSH-së. Trimëria e partizanëve që kishin dalë malit për të dhënë jetën për liri e demokraci, u fashit shejt. Ish-partizanët që u emëruan nëpër poste zyrtare u transformuan shumë shpejt në shërbëtorë besnikë të diktaturës e diktatorit. Askush nuk reagonte ndaj vendimeve të udhëheqësit edhe kur e shihte se ato ishin të padrejta, edhe kur arrestoheshin njerëz të pafajshëm, madje dhe shokë të tyre ish-partizanë. Mendimi politik u bë monopol i udhëheqësit të partisë. Ky rizgjidhej gjithnjë me 100% të votave. Plenumet e partisë dhe diskutimet e anëtarëve të Byrosë Politike ishin një farsë, dëshmi e servilizmit të skajshëm.
         Në vitet 1990-1992 u zhvillua një luftë paqësore për krijimin e pluralizmit dhe për ndërrimin e regjimit. Ish-të dënuarit e ndërgjegjes të dalë nga burgjet dhe kampet e internimit u entusiazmuan. Bashkë me ta edhe shumë njerëz të thjeshtë i pranuan si liderë udhëheqësit e Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Partisë Balli Kombëtar, Partisë së Legalitetit, etj. Fjalimet e këtyre politikanëve të rinj pëlqeheshin sepse shanin e kritikonin diktaturën komuniste që e kishte varfëruar, terorrizuar e manipuluar popullin. Pëlqeheshin sepse në shumë fjalime e artikuj shpaloseshin dënimet e padrejta të shumë shqiptarëve që ishin burgosur, internuar ose pushkatuar. Të përndjekur të talentuar si Lazër Radi, Eugjen Melika, Atë Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, Uran Butka, Pjetër Pepa e shumë të tjerë filluan të shkruanin dhe botonin kujtime nga jeta e tyre plot tortura e vuajtje duke treguar me vërtetësi dhe pa kërkuar revansh. Po delnin në dritë shumë fakte të panjohur mbi vrasje të padrejta pa gjyqe ose me gjyqe falco, mbi luftën që u ishin bërë intelektualëve, klerikëve e pasanikëve prej shërbëtorëve të droguar të diktaturës komuniste. Leximi i këtyre veprave e nxiti lindjen e urrejtjes te njerëzit e ndershëm, të cilët kaluan nga gjendja e njeriut të heshtur e të nënshtruar në simpatizantë të të përndjekurve.
         Mirëpo kjo lloj lufte mbeti vetëm me vënie në dukje të krimeve. Krimet dhe kriminelët nuk i dënoi, pronën nuk ua ktheu pronarëve të shpronësuar. Shumë ish-shërbëtorë të regjimit që kapitulloi me turp morën përsëri poste në pushtet, kurse të përndjekurit, sipas planit Katovica u lanë mënjanë, madje as shpërblimet e ditëve të burgut nuk iu dhanë sa e si duhej. Pas riardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013 e sidomos pas vitit 2018 Edi Rama, Kryeminstri i vendit, është kthyer në një prepotent që vetë firmos e vetë vulos, si një neokomunist. Shumë ish-komunistë, e tashmë neokomunistë, si deputeti Spartak Braho, janë hedhur në sulm kundër punës së ndershme të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, e sidomos kundër intelektualit të shquar Agron Tufa, drejtor i këtij instituti. Po ashtu dhe ish-drejtori i burgut të Spacit, zoti Edmond Caja iu sul me shpifje poetit e shkrimtrit të talentuar Visar Zhiti.
         Në të njëjtën kohë respekti për Sali Berishën me shokë ka pësuar rënie, por ende shumë njerëz kanë mbetur simpatizanë të tij e të Partisë Demokratike. Simpatiantët e liderëve politikë të shqiptarëve ndahen kryesisht në dy, njëra palë simpatizon Edi Ramën, kurse tjetra Sali Berishën. Kjo dëshmon se për nga formimi politik, ne jemi ende një popull i paformuar si duhet. Faik Konica ka thënë shumë herët: “Shqiptarët shkojnë pas individëve dhe jo pas ideve”.
         Për fatin tonë të mirë, këto vitet e fundit, kanë dalë disa intelektualë që po i nxjerrin në dukje gabimet e rënda të klasës së sotme politike. Midis tyre shkëlqejnë Profesor Sami Repishti, avokati Spartak Ngjela, gazetari Frank Shkreli, etj.
         Te gazeta Dielli e 28 gushtit 2019 në artikullin e Profesor Sami Repishtit “Kur të prishim Shqiperinë ku do të vemi?” dhe në artikullin e Spartak Ngjelës “Kur një vend ka sjellë në pushtet injorantë, populli është i detyruar të dëgjojë sharje individësh dhe jo qeverisje të përgjegjshme” botuar te gazeta Tema e 8 shtatorit 2019, ngrihet problemi shqetësues i gjendjes së klasës politike të Shqipërisë të këtyre 28 vjetëve të fundit. Të dy autorët japin karakterizime të goditura për klasën politike që po sundon Shqipërinë me mungesë përgjegjësie. Të dy autorët e venë theksin te fakti se politikanët e pas vitit 1991 merren me sharje individësh, por nuk hapin debat për zhvillimin kombëtar, për ndërtimin e një strategjisë për mirëqeverisjen e Shqipërisë.
         “Loja me sharje dhe fyerje e me denoncime të kota, ka vetëm një qëllim: pushtet dhe para.” – thekson avokat Ngjela dhe vijon: “Por paraja tani do të hyjë nën hetim nga reforma antikorrupsion.”  Këtë hetim ai e quan “shpëtim i shqiptarëve”, sepse qeverisja e këtyre viteve sipas tij ka qenë “një pushtim sui generis i shoqërisë shqiptare nga një bandë kriminelësh.” Dhe, si shpesh herë, ai shprehet me optimizëm se “reforma antikorrupsion”, që ndërmorrën aleatët tanë perëndimore pasi panë se vetë shqiptarët nuk e kryenin dot, do të përfundojë me sukses.
         Profesor Repishti nga ana e tij i mëshon edhe nevojës për krijimin e një partie të vërtetë opozitare, e cila të largohet nga rruga e derisotme e politikës shqiptare dhe të merret me krijimin e strategjisë për mirëqeverisjen e vendit.
         Gazetari Frank Shkreli, i shqetësuar për acarimin e grindjeve dhe mosmarrëveshjeve partiake, u përpoq të nxitë mirëkuptim midis forcave politike duke komentuar në disa gazeta vargjet e poetit Martin Camaj, poetit të lartësive, i cili para vdekjes, më 1992 hodhi kushtrimin:
“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
Si bima prej fare në pranverë”.
         Kjo thirrje e formuluar në vitet e para të pluralizmit, ka qenë, është e do të mbetet imperative për shqiptarët e përçarë, të cilët për 50 vjet u ushqyen me ideologjinë komuniste të luftës së klasave, kurse sot vijojnë të ushqehen me grindje e sharje prej liderëve të partive të sotme. Politika e atëhershme e luftës së klasave dhe politika e sotme e grindjeve dhe sharjeve individuale midis liderëve partiakë, ka ngulitur te shqiptarët urrejtjen për njerëzit që mendojnë ndryshe, pra për bashkëqytetarët e tyre. Kjo situatë krijon një ngërç për të nesërmen e klasës sonë politike.
         Dua të theksoj se dhe unë besoj selufta kundër korrupsionit do të kryehet me sukses dhe populli do të shpëtojë nga banda kriminaleqë e ka sunduar këto 30 vjet. Por, si më shkruajnë në e-mail Profesor Repishti dhe gazetari Shkreli, ka rrezik që pas kësaj fitoreje ekziston mundësia e një dështimi të ri, sepse ne shqiptarët dhe aleatët tanë jemi të papërgatirur dhe nuk kemi kuadro, të cilët të kenë një formim të lartë qytetar e politik për të mos rënë viktima të korrupsionit. Mos ndodhë si me ish-partizanët që ranë vitktima të politikës diktatoriale të Enver Hoxhës dhe si me ish-demokratët e ish-socialistët e ish-republikanët, etj, të cilët pasi erdhën në pushtet u dhanë pas fitimit korruptiv duke harruar detyrën ndaj popullit që i pati zgjedhur. Ata, ashtu si ish-partizanët u kthyen në besnikë të udhëheqësve të partive të tyre, të ciat nuk ishin aspak parti të vërteta demokratike, eurosocialiste, republikane, etj.
         Për të arritur që të kemi një klasë të re politike nesër, e cila t’i qëndron larg korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit, duhet punuar seriozisht dhe sa më shpejt në bashkëpunim dhe me aleatët tanë perëndimorë për të kualifikuar kuadro me formim solid juridik, politik dhe shoqëror. Gjithashtu duhet krijuar e votuar një ligj, sipas të cilit të ndalohet vënia në lista për t’u zgjedhur deputetë e njerëzve që kanë marrë pjesë në qevritë e viteve 1944-2019. Sepse, si ka thënë Faik Konca në qershor 1924 “Nuk mund të krijohet një godinë e re me qereste të vjetër”.
         Krahas këtyre dukurive mendoj që të gjithë intelektualët: artistë, shkrimtarë, studiues, gazetarë, analistë, etj të punojnë për krijimin e mirëkuptimit midis shqiptarëve. Na duhet të hedhim tutje urrejtjen për njeriun që mendon ndryshe. Na duhet që secili të bëjë katarsën e vet për gabimet dhe krimet që ka bërë gjatë viteve të diktaturës dhe viteve të tranzicionit.
         Pa dënuar krimet dhe gabimet, pa ia kthyer pronën të zotit dhe pa kryer shpëlarjen midis nesh, pa kërkuar të falur për krimet e gabimet që kryen prej nesh ose prej prindërve tanë dhe pa ua falur këto gabime e krime atyre që kërkojnë falje, nuk mund të vijë pajtimi dhe uniteti kombëtar. E kemi thënë dhe po e rithemi se pa realizuar pajtimin dhe unitetin komëtar nuk ka si vjen përparimi shoqëror, politik dhe ekonomik, sepse pa këto vleranuk ka si të krijojmë nesër një klasë politike që të respektojë me rigorozitet ligjin dhe t’i rrijë larg korrupsionit…
 

Filed Under: Politike Tagged With: Thanas Gjika-Klasa politike e Shqiperise

NE…

September 10, 2019 by dgreca

…ne/
Nga Astrit Lulushi/

Sikur fuqia e popullit/
Të përmblidhej në një fshesë/
Ose të shndërrohej/
Si shkopi i Mosiut/
Me fuqinë e Zotit/
Politikanë që kemi sot/
Me një goditje, baltë e pluhur/
Do të bëheshin, ose gjarpërinj/
Kokën do të nxirrnin dhe populli/
Me hapjen e detit do të mbyste/
Çdonjerin prej tyre/
Ose fshesa do t’i përfshinte;/
Të paktën kështu, vendi/
Rishtaz do të ngrihej
Me njerëz të cilë mendojnë
Që nuk presin derisa
Mendimi t’u mohohet;
Sepse Moisiun, bija e Faraonit
E bëri djalin i saj,
Dhe e quajti “e Mora nga Uji”
Për t’a rritur më shumë
Se sa një Hero Eksodi.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi-Ne-Fuqia e popullit

KUJTESA- 11 SHTATOR 1981: TEK KAMPI I BALLSHIT…

September 10, 2019 by dgreca

NGA FRITZ RADOVANI/1947 Don MARK HASI (1920 – 1981) 27 Vjeç, i merthyem me thikë në gjuhë per tavolinë nga hetuesi barbar komunist Nesti Kopali, në hetuesinë e vitit 1947…

7 PRILL 1967 Don Marku asht i pari Klerik Katolik Shqiptar, që arrestohet mbas një mbledhjes në Institutin Pedagogjik Shkoder, në frymen e “Revolucionit Kultural” dhe, fillon hetimet me terroristët Dhimiter Shkodrani, Elham Gjika dhe Ali Xhunga… 

PRILL 1968 Mbas një viti tortura dhe masakra dënohet me pushkatim, po i kthehet vendimi me dënim 25 vjet, pa u dijtë as sot pse u quejt “për tradhti ndaj Atdheut”…

Fillon Kalvarin e kampeve të punës, ndonse ishte me zemer të shkatrrueme në tortura. 

Nga arrestimi në 1946, u lirue në 1954 mbas 7 vjetësh. Ndersa mbas arrestimit 1967, me 11 SHTATOR 1981,Vdes në Kampin e Ballshit, tue u mbyllë jeten në Rrëfim të Fundit me Don Mikel Koliqin, ku edhe varroset deri në 1992, që u Rivarros në Rrëmaji.   

21 VJET i burgosun vetem pse ishte Klerik Katolik, vinte nga një Familje Burrash dhe si Burrat dha Shpirt pa njollosë as veten as shokët me të cilët u arrestue dhe vuejti. 

E njoha në vitin 1954, kur doli nga burgosja e parë. Ishte Klerik autoritar, predikues i persosun, njohës i At Fishtës, aktor i “Judës Makabe” kur ishte student në Seminarin e Jezuitve Shkoder dhe, kangtar i rradhë që si Ai pak kush i këndonte kangët e bukra të kompozitorit Gac Çuni, i cili edhe Ai vdiq në burg pak para se me plotsue dënimin. 

Pak ditë para arrestimit dytë i ka thanë Nanës sime: “Kur erdhen me na kontrollue dhomat e Argjipeshkvisë, ate që na ka ba Angjelin Kumrija, nuk na e ka ba as sigurimi!”

Këta pak rreshta janë vetem një Kujtesë e qendrimit Burrnor ndaj miqsisë sonë! 

            Melbouerne 10 Shtator 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani-Don Mark Hasi-Hetuesi Nesti Kopali

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT