• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2019

DY SHPÊLLA T’THÊLLA…

October 12, 2019 by dgreca

AT SHTJEFEN GJEÇOVI (1874 – 1929)/

NGA FRITZ RADOVANI/

Ndër dy shpella të thella, nën dy harqe të daltuem në shkambijtë e ashpër të maleve tona, të naltuem e të zhytun deri në vrantësinën e pafund të qiellit, të ndamë nga një stom i drejtë që bie pingul mbi një kreshtë burrnore e ku nën té buroi si prroni i pastër e i freskët hymni i një Flamuri të dhunuem për shekuj me rradhë, pikërisht aty, në ato dy vatra shkëndijash me të cilat nuk mujtën me u hangër as sytë e Shqipës, nën cohën e ashpër e të murrme të zhgunit të Shën Françeskut, pushoi së rrahuni Zemra e Madhe e Fratit të Kosovës, mu në Zym të Hasit të Thatë, me 13 Tetor 1929.., kur serbët menduen me e lanë të përjetshëm Emnin e fratit tue pagëzue me gjakun e Tij të Shenjtë brigjet, cungat e stomijet e njomuna për sa shekuj nga vllaznit e Tij, dhe tue i diftue botës mbarë se këtu njenit prej bijëve të Ilirëve sot hasmi tradhëtisht i ngriti një monument ma të fortë se bronxit, Monumentin e At Shtjefën Gjeçovit OFM, i cili ndër shekuj nuk do të kenë kurrma mort! 

E ç’prej asaj dite të zezë duert e Shugurueme të Tij nuk do të daltojnë kurrma ndër zemrat e njoma shkrojlat e At Gjergjit!…E, nuk do të shkojnë gjatë kur camerdhokëve të vegjël nuk do t’u mësojë ma kush me shkrue emnin “Gjergj Kastrioti”…!

Qysh se fillova me marrë mend e kuptova fjalën “vrasë” tue pa me sy gjakun e derdhun lamë në 13 Tetorin e vitit 1943 në Tiranë, kjo datë më kujtonte shprazje armësh e bombësh mbi njerzit e pambrojtun e të pafajshëm…por kjo nuk ishte data e parë e atij tmeri që përjetova si fëmijë kur ishe vetëm 3 vjeç, mbasi për të gjithë Shqiptarët një 13 Tetor tjetër të përgjakun kishin përjetue 14 vjetë para meje nxanësit e Zymit të Hasit në Kosovë, kur dora e pabesë e shovenistëve serb në vitin 1929, plandosi përdhé Mesuesin e tyne të Gjuhës Shqipe, fratin e përvujtë, At Shtjefën Gjeçovi, pra plot 90 vjet ma parë. 

Ishte pikërisht ajo vjeshtë e zymtë kur flladi i freskët frynte mbi gjethet e zverdhuna të lisit, me të cilët Përenditë Pellazge thurën kunorën e martirizimit por edhe të lavdisë së përjetëshme që me duert e Tyne Ata, i vunë mbi ballin e Heroit të Popullit Shqiptar! 

Ishte ai dru i gdhenun që i kishte lëshue ata gjeth për shtroje për daltuesin e vet, kur në dorën e Tij iu gjet si shkop për mburojë bash atëherë kur zagart e mbarë Ballkanit lehnin për “barbarët e egjër”, mbasardhësit e Lekës dhe të Gjergjit të Madh. 

Ai nuk eci kurr mbi shilte e cerga…Ai eci i zbathun me sandalet e Tija mbi gur e shkrepa, mbi ferra e zallishta, ndër fusha, shpella e male, vetëm mbas Kryqit, me Ungjill në dorë. Ungjill e Kanu ishin mburoja e Tij; Paqë e Drejtësi ishin parzmorja e Meshtarit tonë…

Ai ishte djalë i Janjevës së Kosovës, i lemë me 12 Korrik 1874, nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kryeziu i Pukës, me tradita të theksueme Shqiptare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku famullitari i atij vendi, tue vrejtë cilësi të një squtësie të rrallë e mbi të gjitha një natyrë të prirun për kah Feja e ditunia, me leje të prindëve të Tij dhe të Argjipeshkvit të Shkupit, e merr Hilën e vogël (emni i parë i Pagëzimit ishte Mëhill ose Hilë), dhe e sjell në Kolegjin e Françeskanëve të Troshanit. Aty vazhdoi mësimet e mesme dhe u pergatitë që në moshen 10 vjeçare shpirtnisht për udhën e vështirë në të cilën mendonte me vazhdue, tue ju kushtue Urdhnit të Fretenëve të Vogjel (OFM) të Shën Françeskut të Asizit, që kanë zanë vend në Shqipni që në Shek. XIII mbas Krishtit. Zakonisht aso kohe studentët Shqiptarë mbas këtyne viteve shkollore  dergoheshin në Bosnje, ku banin një plotësim mësimesh liceale me profesorë të njohun dhe njëkohësisht edhe parapergatiteshin për studimet e nalta teologjike, të cilat pjesa ma e madhe i kanë krye në Austri dhe Itali. Gjeçovi studimet e nalta të filozofisë i bani në Banjaluke, ndërsa ata të teologjisë i ka përfundue në Kreshevë, ku u njoht me letrarin e madh epik Gegë Martiq. Si duket edhe Gjeçovi, ashtu si At Gjergj Fishta, nga ajo shkollë e Bosnjes marrin edhe nektarin e njohun të asaj letersie e cila ma vonë ndikoi direkt në krijimtarinë e tyne letrare, por duhet theksue të një niveli artistik shumë të naltë e që mbetë edhe i papërsëritshëm mbas këtyne kolosëve, që kanë lanë vepra me vlerë të madhe në fondin e kulturës sonë Atdhetare Shqiptare.

Në vitin 1896, porsa kishte krye studimet, vjen në Shqipni dhe fillon veprimin fetar e atdhetar në Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, pikërisht ndër ato zona shumë të vorfna, por që la mbresa të përjetëshme me mësimet e Tija të Atdhedashunisë, një vepër e vazhdueshme e Urdhnit Françeskan në të gjitha Trojet Shqiptare ku kanë shkelë ata. Folklori, doket e zakonet dhe “ligjët e pashkrueme” të atyne viseve bahën shujta shpirtnore e Tij, me të cilat menjëherë filloi me mbrujtë landën edukuese të “Kanunit të Maleve” të Kombit Shqiptar. Reformat e Xhonturqëve e zanë në Gomsiqe dhe asht ndër të parët që i zbulon pa pikë frike karakterin shtypës të tyne ndaj vendit tonë. Në Durrës ka një korespondencë të dendun me shumë Shqiptarë të Shqipnisë së Mesme që punojnë për të njajtin qellim si Ky. 

Ndër të gjitha vendet ku shkon ishte lashtësia e tyne ajo që shumë ma shpejtë se mund të mendohej e ban me vue gurt e thëmelit të shkencës së arkeologjisë Shqiptare, Baba i së cilës asht i madhi At Shtjefën Gjeçovi. 

Kur At Gjeçovi arriti me pa frutin e përpjekjeve të veta për Liri dhe Pavarësi me ngritjen e Flamurit në Deçiq në 1911, dhe me 28 Nandor 1912 në Vlonë, Ai nuk u pajtue si të gjithë shokët me okupacionet e hueja, kjofshin ata edhe të pjesëshme ose edhe të përkohëshme, kështu pra, as italianët, austriakët apo serbët nuk e donin praninë e Tij. Madje në vitin 1920 kur asht në Vlonë bashkë me priftin Atdhetar Don Mark Vasa, janë në krahun e vendosun të luftarëve Atdhetarë të Lirisë, kundër zaptuesëve italianë. Mospajtimi i Tyne me të tilla vepra të fqinjëve ka ba atë Histori të Lavdishme të Tyne që përjetësisht ka mbetë Heroike. 

Në fushën e letërsisë krijimtaria e Tij asht mjaft e gjanë por e panjohun pothuej fare nga Shqiptarët mbas vitit 1944 për ato arësye që dihën kryesisht të përfshimë në Gjenocidin sllavokomunist kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe veprimtarisë Atdhetare të Veriut. 

Asht logjike që veprimtaria e Tij e shkrueme në Gegënisht nuk mund të zente vend në letërsinë antiatdhetare të  realizmit socialist. 

Mjaft dorëshkrime të Tij u plaçkitën nga komunistët kur ata bastisën Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder në vitin 1946 dhe shumë nga këto vepra të ruejtuna si dorëshkrime me vlerë, përfunduene pjesërisht në Jugosllavi, ndersa një pjesë tjetër janë endè sot jashta “perdorimi per disa”…, në podrumet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. 

At Gjeçovi në fushen letrare asht vlersue edhe nga dijetarët e mëdhaj të kësaj fushe si Prof. Karl Gurakuqi, i cili shkruen: “Gjeçovi botoi në Shkoder në vjetin 1910 vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtue A. Fishtës, ndër fletët e të cilit frynë gjithkund nji erë e pastër ndiesishë të flakta atdhetare. Asht për tu shenuem në këte vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folun pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.” 

Ja, dhe një fragment i poezisë “E DREJTA !”:

“M’ kam, se Atdheu don që t’ vllaznohi
E njihni n’ t’ bame t’ keni e n’ fjal
M’ kam, se Atdheu don që t’ bashkohi
Hovin hujliut, vllaznisht me j’ a ndal
…M’ kam, shqyptart, m’ kam, e n’ zemrat trimnohi!


M’ kam, flamurin e Shqypnis qit – e ndrit
Emnin tand, pa frig e marre rrfeje
Gjuh’ n tande, n’ t’ cilën Mama t’ ka rrit
N’ drit me qitun, prej Zotit ke leje
…Ngrehu prej gjumit, se mjeft t’ ka topit!”

Si thëmelues i arkeologjisë sonë kombëtare asht vlerësue dhe njohë edhe nga dijetarë të huej të kësaj fushe si: Dr. Ugolini, drejtor i misionit arkeologjik italian që erdhi edhe në Shqipni, nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, nga Prof. Nopçe etj. Ai ishte me të vertetë një shkencëtar i mirfilltë në këte fushë ku la thesare me vlera të mëdha kombëtare të zbulueme prej Tij, të cilat ruheshin deri në 1946 në Muzeun e Kuvendit të Gjuhadolit në Shkoder, si Unaza e njohtun e Gjeçovit, armët Ilire, Zoja e Zezë e daltueme në dru, enë të vjetra prej balte etj. 

Ka botue mjaft artikuj në shumë revista e fletore të kohës mbrenda e jashta vendit me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Shkopi i Tij i daltuem në dru asht një vepër arti në vete. Ai asht ruejtë deri vonë në Muzeun e qytetit të Shkodres. 

Madhështia e At Gjeçovit ka mbetë në fletët e prarueme të vepres së çmueshme dhe të pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me të cilën Autori arrijti me gjujzue shpifsit dhe mashtruesit e vazhdueshëm armiqë të Popullit Shqiptar, tue i tregue me fakte se, kush jemi dhe nga erdhëm për qellimin e madh të ruejtjes së identitetit tonë kombëtar. 

Të gjitha mendimet dhe vlerësimet e At Fishtës, Don Lazër Shantojës, Prof. Karl Gurakuqit, Prof Ndoc Kamsit…, etj. për këte Kanu do të përmblidhën mbrenda parathanjes së kësaj vepre prej të Madhit Faik Konica,  i cili ka arrijtë me penden e Tij të artë me daltue në shkambijtë Shqiptar këto fjalë: “At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla.

Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. 

Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’ Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti njëherë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej. Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobëksí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’ a kushtonte studimit. 

Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme. Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin. 

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí. Po, At Gjeçovi, është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe njëditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e Shënjtëruar të Shqipëtarësisë.” 

       ***

Aty rreth vitit 1954, 55…

I pari njeri që më foli për At Shtjefën Gjeçovin asht kenë piktori Prof. Simon Rrota, mësuesi i em i vizatimit…, kishim përpara një portret të Tij…Aq më bani përshtypje fjala e Mësuesit tem që po më shpjegonte vrasjen mizore të Tij, sa gati pavetëdije i thashë: 

“Profesor, po edhe këta dy sy Shqiponjet, armët serbe i këthyen në dy shpella..?!”

Melbourne, 12 Tetor 2019 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani-Shtjefen Gjecovi

VËSHTRIM ANALITIK RRETH ROMANEVE TË MAKENSEN BUNGOS

October 12, 2019 by dgreca

Shkruan: Sadri Fetiu/

Makensen Bungo. shkrimtar, lindi më 14 prill të vitit 1926, ne Elbasan. Kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe me pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhe-Letërsi, me korrespondencë(pas burgut).Ishte i burgosur politik dhe i përndjekur në Shqipërinë komuniste. Gjatë viteve të fundit ka jetuar në SHBA, ku edhe ka vdekur më 15 shtator 2018. Ai ka qene deri tash vonë autor pothuaj se i panjohur, sidomos për lexuesit e Kosovës, deri në rastin kur në Prizren më 20 shtator, post mortum, u përuruan veprat e tij. Makensen Bungo ka botuar këto vepra: “Monografia për Abaz Kupin”(2001), “Këneta e vdekjes”(u botua më 1996 dhe u ribotua edhe pesë herë-më 2009 edhe në gjuhën angleze), “Gruaja me të zeza”(vëllim me tregime,2008), “Rrugëtim me psherëtima” (roman,2009″Nna Kosovare” (poemë,2003), “Varret”(poemë)etj.

Për shkak të titullit interesant romani “Këneta e vdekjes”, qe në fillim zgjon asociacionin për “Kënetën ” e  Fatmir Gjatës dhe duhet të thuhet që në fillim se krahas temës së njëjtë dhe trajtimit te ngjarjeve të njëjta nga realiteti i kohës, i ka pothuajse identike edhe skenat masive te punëve “vullnetare” për tharjen e Kënetës së Maliqit. Vepra është tërheqëse, prandaj shihet që nga në faqet e para se kemi te bëjmë me një vepër të arrirë artistike. Mu për këtë ajo lexohet me vëmendje te veçante pa shkëputje, pothuajse me një fryme, sepse kureshtjen tonë e mban të përqendruar mënyra se si janë shpalosur ndodhitë e shumta nga realiteti i vrazhde i periudhës fill pas përfundimit të Luftës se Dyte Botërore.

Siç mund te shihet nga përkushtimi në fillim të romanit, sipas te gjitha gjasave, autori ka përfshirë në të edhe përbërësit e vet autobiografike, sepse edhe ai ishte i burgosur politik, që bashkë me shume te tjerë nga Burgu i Elbasanit ishte dërguar në punë të detyrueshme në Kampin e Vllocishtit për tharjen e kënetës.

Vepra fillon me paraqitjen e një grupi prej pese te rinjve idealiste nga Elbasani që për shkak të bindjeve dhe ideve te tyre atdhedashëse, burgosën, torturohen gjatë hetimeve, dënohen me afate të caktuara me burg dhe pastaj dërgohen për te punuar në tharjen e kënetës së Vlloçishtit. Ajo zgjerohet pastaj me një prezantim të gjerë ngjarjesh tronditëse të dhunës që ushtrohej në këtë kamp me një numër relativisht të madh të personazheve si nga radhët e të burgosurve, ashtu edhe nga personeli dhunues i kampit.

Duke lexuar romanin lexuesi i vëmendshëm nuk has në asnjë rast në subjektivizmin e rëndomtë, as mllefin e urrejtjes me plot retorikë të thatë propagandistike, që i karakterizon veprat memoriale, qe janë shkruar, sidomos në Shqipëri, pas përmbysjes së diktaturës komuniste.

Romani i Makensen Bungos është një rrëfim i natyrshëm krejt realist, në të cilin ecuria e ngjarjeve shkon duke u përplotësuar thuajse vetvetiu dhe personazhet i shpalosin vetë bëmat e përjetimet e tyre, qofte nëpërmjet rrëfimit te autorit, gjatë veprimeve apo mosveprimeve te tyre konkrete, qoftë edhe me anë të dialogëve dhe monologëve shumë funksionalë brenda tërësisë së romanit. Personazhet e romanit brenda veçorive individuale që manifestohen në gjatë situatave vepruese janë tipizuar në mënyrë të plote, prandaj mund të themi lirisht se këtu, brenda kësaj morie të persekutuarish, nuk mund të gjenden situata e as personazhe që si të tilla përfaqësojnë përsëritje dhe ngarkesë te panevojshme për rrëfimin e tërësishëm të ngjarjeve. Me gjithë kursimet e përshkrimeve të natyrës, vepra e paraqet në mënyrë te plotë mjedisin real dhe atmosferën e tërësishme të kampit me plot ajër të rendë nga lagështia e ndotja, më baltë ,me llucë, me mushkonja, ushujëza e gjarpërinj, si edhe pamjet e barakave të ndotura nga pisllëku.

Këtu janë paraqitur edhe metodat e shumta të dhunës që ushtrohet haptas në mjedise punuese brenda kënetës, por edhe në te ashtuquajturën Biblioteke, që ishte një qendër e vërtetë ku torturoheshin fizikisht dhe shpirtërisht të burgosurit. Me karakteristika të plota personale dhe me tipare të veçanta brenda karaktereve tipike te keqpërdoruesve shpirtzinj janë paraqitur figurat e dhunuesve: komandanti i Kampit, togeri, policet e shumtë, midis të cilëve shquhet për dhunë sistematike kapter Zeneli e ndonjë tjetër si ai, që gjejnë kënaqësi shtazarake në ushtrimin e torturave të shumëllojshme ndaj të burgosurve.

Po këtu me interes të veçantë janë portretizuar disa personazhe që manifestojnë ndjeshmëri humane, midis te cilëve shquhet gjeometri, i cili duke e parë atë që po ndodhte brenda kampit zë fill të vetëdijesohet dhe të bie në kundërshtim, jo me të vëllanë e tij komunist fanatik, por edhe me te tjerët, që në fund e dënojnë dhe e përjashtojnë nga puna. Po këtu edhe nga radhët e policëve e rojeve të kampit ka edhe individë që nuk janë të gatshëm të bëjnë krime ndaj të burgosurve.

Në radhët e të burgosurve ka edhe njerëz të moshuar, si profesor Lashi, pastaj prifti, Qamil Xhaja, e ndonjë tjetër, që me dinjitet të plotë e me qëndresë stoike e përballojnë dhunën torturuese, urinë, kushtet e rënda të punës me mjete primitive në një mjedis te mbytur nga lluca, balta, ushujëzat, mushkonjat ndotja etj., me plot shkaktarë të sëmundjeve dhe të vdekjes së të burgosurve. Në portretizimin ne suksesshëm të personazheve autori e ka paraqitur me shumë kujdes shpirtin e pathyeshëm, vullnetin për jetë te shumë të rinjve, ëndrrat e dashurisë së tyre për vazhdimësinë dhe lumturinë e jetës, si edhe solidaritetin njerëzor ndërmjet të burgosurve, që e ndajnë edhe kafshatën e gojës për njëri-tjetrin. Romanin e karakterizon edhe prezantimi i matur i durimit dinjitoz të burgosurve në kampin e vdekjes, dhe shpresa se një ditë do te marrë fund e keqja që i ka kapluar ata dhe përgjithësisht atdheun e tyre për të cilin ëndërrojnë edhe ditë më të mira. Në kushtet e dhunës së vazhdueshme torturuese midis tyre ka të rinj që edhe thyhen shpirtërisht, që në kulmet e dëshpërimit shkojnë vullnetarisht drejt vdekjes si vetëvrasës. I këtillë është Vullneti, njeri nga më të torturuarit me metoda te ndryshme jonjerëzore. Midis të rinjve të kampit ka edhe të atillë qe ne rrethana te padurueshme pranojnë edhe bashkëpunimin me udhëheqësit dhe policët e kampit. Krahas Vullnetit vëmendje e lexuesit e tërheq si personazh tipik me dinjitet të plote, Sela, i cili e ka pranuar bashkëpunimin me togerin, i ka gëzuar disa privilegje te vogla, por në asnjë rast nuk i ka tradhtuar shokët. Përkundrazi, ai edhe i ka ndihmuar sa herë që ka pasur mundësi e megjithatë e ka ndjerë rëndë peshën e fajit dhe, kur nuk ka mundur ta përballojë atë barrë të rëndë shpirtërore, e ka përfunduar jetën si vetëflijues i vetëdijshëm. Brenda monotonisë së jetës së dhunshme në ndonjë rast autori ka paraqitur me mjeshtri imagjinatën e të burgosurve për ardhmërinë e madje edhe ndonjë ngjarje politike te kohës, siç është shkëputja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavisë, që manifestohet si një lehtësim i përkohshëm i vuajtjeve të persekutuarve në Kampin e Vllocishtit, për shkak të pasigurisë dhe frikës së udhëheqësve dhe torturuesve të rangut me te ulët nga ndryshimet e mundshme që do të sillnin këto ngjarje.

Është interesant se brenda episodeve realiste të veprës është paraqitur në nivel të lart artistik gëzimi që ndjejnë te dërguarit në punë të detyrueshme në baltat e kënetës, kur marrin vesh se do të kthehen në burg, të cilin e konsiderojnë si kthim në shtëpi në krahasim me jetën në kampin famkeq në Vllocisht.

Në grupin e personazheve që janë paraqitur mjaft të individualizuara, jashtë çdo skeme karakteristike për prozën shqiptare te fundit të shekullit XX, në romanin e Makensen Bungos “Këneta e vdekjes” janë portretizuar me mjeshtri të rrallë edhe figurat e grave: te nenave, te motrave, të nuseve etj., që vuajtën bashkë me të dashurit e tyre dhe bëjnë sakrifica të panumërta për t’i mbajtur ata me dërgesa ushqimore e me veshmbathje në burgjet e diktaturës dhe ne kampe, siç ishte ku i kënetës Vllocishtit.

Një situatë të thellë dramatike, të realizuar artistikisht me një intensitet të theksuar emocional, e gjejmë në përfundim të romanit, kur nëna e Vullnetit në një situatë rrëqethëse kur mëson se ai nuk ishte kthyer në burg nga kampi i Vllocishtit, por është vetëflijuar, proteston ne mënyre e vet para dyervet të hekurta të burgut të Elbasanit dhe e mallkon komandantin dhe pushtetin dhunues te diktaturës komuniste që e ka lënë pa djalë…

Për romanin “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos mund të thuhen edhe shumë fjalë, jo vetëm si përmbajtje realiste e strukturuar me sukses në trajtat e veçanta të rrëfimit pa retorikën monotone subjektiviste me plot ankesa e sharje bajate të sistemit të diktaturës komuniste, por me një gjuhë të pasur plot nuanca stilistike dhe me një stil lapidar karakteristik për prozen moderne.

Vepra mund të trajtohet edhe me përqasje krahasimtare me romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës, me te cilën ka edhe skena masive të ngjashme në punët “vullnetare” për tharje të kënetës, por, ndonëse mbetet antipode e vepra në fjalë, në të cilën glorifikohen figurat e heronjve pozitivë dhe anatemohen kundërshtarët sabotatorë të ndërtimit të socializmit në Shqipëri, nuk qëndron aspak më poshtë as përkah karakteristikat e strukturës së romanit e as si vlerë e mirëfilltë artistike.

***

Vepra e dytë e Makensen Bungos “Rugetim me psherëtima” i përket një tipi tjetër të romanit, ngjarjet e te cilit janë paraqitur me mjeshtri të veçante intriguese në dy periudha të ndryshme historike-në Elbasanin e periudhës pas Luftës së Parë Botërore dhe në periudhën e Shqipërisë Socialiste, që kishte marrëdhënie ekonomike dhe shkëmbime kulturore e shoqërore me vendet socialiste të Evropës Lindore.

Në bazë të përkushtimit ,që është moto e romanit, në te cilin thuhet se babai i autorit, Ali Bungo,”qe me sjelljen e tij njerëzore dhe me miqësinë e tij të pastër me mikun e vet Nojman, me frymëzoi për hartimin e këtij romani”, mund të thuhet me plot të drejtë se edhe këtu kemi përbërës autobiografike, që qëndrojnë në themelet e strukturës së romanit.

Vepra ka protagonistët, bashkëshortët Nojman nga Cekia dhe Ali Bundon nga Elbasani, me të cilët lidhen drejtpërdrejt ngjarjet e te dy periudhave historike që përfaqësohen në roman.

C’eshtë e vërteta, personazhi ndërlidhës i këtyre ngjarjeve është e moshuara, Bozhena Nojmanova, e cila ka ardhur për vizitë si mysafire e shtetit në Shqipërinë e kohës së Enver Hoxhës, me qëllim që ta përmbushë amanetin e burrit te saj të ndjerë që ta vizitojë mikun e tij, Ali Bundon, i cili ia kishte shpëtuar jetën në periudhën e Luftë së Parë Botërore, kur ai kishte shërbyer në ushtrinë austro-hungareze në Shqipëri dhe që nga ajo kohë midis tyre ishte krijuar një miqësi e fuqishme…

Ne planin e parë të rrëfimit brenda veprës del përshkrimi i hollësishëm i qytetit të Elbasanit në periudhën ndërmjet dy luftërave me krejt bukuritë natyrore dhe me veprat e trashëgimisë materiale e shpirtërore, me traditat e zakonet e mikpritjes e të besës, të burrërisë, me vallet e dasmave, me veshjet tradicionale, me traditën e festave popullore e fetare, me këngët e më bukura elbasanase që këndoheshin në këto festa shoqërore dhe familjare.

Romani sjell përshkrime te bukura të krejt atmosferës së jetës qytetare, të harmonisë e tolerancës ndërnjerëzore e ndërfetare, që mbretëronte në ketë qytet na ato vite kur këtu vepronin edhe qarqet e caktuara kulturore e arsimore me shkollën e njohur – Normalen e Elbasanit.

Në anën tjeter, gjatë përjetimeve dhe përshtypjeve që zonja Bozhena përjeton nga vizitat e shumta në institucione shtetërore në objekte kulturo-historike etj., si mysafire e respektuar e shtetit shqiptar, paraqitet hipokrizia e pushtetit, i cili lufton me çdo kusht për ta maskuar ose fshehur realitetin e varfërisë, të pakënaqësisë se popullit dhe te diktaturës së pushtetit, sidomos para të huajve.Ketu është paraqitur me ngjyra realiste edhe fati i familjes së Ali Bundos, që është deklasuar si pasanik, tregtar i para-Luftes, qe i është marrë pasuria e që detyrohet të jetojë në skamje e në mjerim në një lloj kasolle në lagjen e varfanjakëve, duke punuar si punëtor krahu në ndërtimin e rrugëve dhe te kanalizimeve.

Me gjithë insistimin këmbëngulës të zonjës Bozhena për t’u takuar me Ali Bundon, pushtetarët e nomenklaturës komuniste te me hipokrizinë e tyre tashmë tradicionale të premtimeve të rreme, duke gjetur pretekste të ndryshme, madje edhe arsyetime qesharake tragji-komike nuk ia mundësojnë zbatimin e amanetit të burrit të saj.

Në romanin e Makensen Bungos, pushtetarët komunistë bien në hall për ta realizuar dëshirën e mysafires së shtetit, prandaj hulumtojnë rrugë dhe mundësi të ndryshme, shumë nga ato qesharake e groteske,derisa e gjejnë një zgjidhje tragji-komike dhe e burgosin pa asnjë faj Ali Bundo, reaksionar, e shpallin të vdekur dhe madje,duke trilluar një vdekje tragjike e heroike, në të cilën ai bashkë me gjithë çka ka, me shtëpi e katandi, me grua e më femijë, është zhdukur në një aksion të tmerrshëm të armikut gjatë Luftës Nacional-Clirimtare, sa që nuk ka mbetur më asnjë gjurmë të ekzistencës së tij në qytetin e Elbasanit.

Në këto rrethana të një trillimi të këtillë monstruoz zonja Bozhena, në një gjendje të rendë pikëlluese ndez qirinj pranë një pallati, ku thuhej nga pushtetarët se ka qenë shtëpia e Ali Bundos. ndersa në orën përkujtimore kushtuar këtij “martiri’ ajo e heton se një numër qytetarësh të pranishëm në këtë komemoracion nuk mbajnë disiplinë, qeshin zëshëm, sepse ata e dinë se krejt kjo ishte një hipokrizi e trilluar nga shteti dhe Ali Bundoja ishte burgosur, qoftë edhe përkohësisht, derisa të shkojë mysafirja e nderuar e shtetit shqiptar. Situatat e këtilla e shkaktojnë dyshime të natyrshme tek protagonistja e romanit, prandaj ajo kthehet e dëshpëruar në Ceki dhe ia shpreh dyshimin e arsyeshëm të bijës së saj, Sonjës, se krejt puna me Ali Bundon ishte: “Ose një masakër e tmerrshme ose një gënjeshtër e ndyrë”.

Duhet të thuhet se edhe ku roman është shkruar me një stil lapidar me plot skena qesharake në të cilat portretizohen disa nga figurat e manipuluara nga pushteti që duhej të sillen si mashtrues ndaj të huajve, ose detyrohen të largohen se nuk “kanë fytyre” të takohen me mysafirët që “i shoqërojnë” dhe sillen me dyfytyrësi e me gënjeshtra…

Në fund, do të themi se romani në disa aspekte ka përbërës të ngjashëm me veprën humoristiko-satirike” Shkelqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit dhe për shkak të vlerave te përgjithshme humoristike, satirike, groteske, por edhe tragjike, lexohet me kënaqësi jo vetëm nga lexuesi i sotëm, por do të lexohet edhe në të ardhmen dhe do të shërbejë edhe si dëshmi e bindshme për veprimet e një sistemi të rrejshëm, që luftonte te vërteten dhe i fshihte me marifetllëqe të ndryshme: dobësitë, gabimet, fajet, fatkeqësitë dhe madje edhe krimet e veta.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Sadri Fetiu-Romanet -Makensen Bungo

PAK FJALË NË PËRCJELLJEN E FUNDIT NJË MIKEJE-HYRIJE KUPI DOSTI

October 12, 2019 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

            Të dashur familiarë, miq e pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore, qofshi të nderuar!

            Sot, me dhimbje të thellë në shpirt, po i japim lamtumirën e fundit të jetës tokësore një nëne, një bije fisnike të Krujës, një gruaje shqiptare që I ra “pash më pash” ferrit të historisë sonë kombëtare, zonjës së nderuar Hyrije Kupi Dosti.

            Bijë e nuse familjesh atdhetare të Shqipërisë, kjo zonjë që tashmë e mbylli  rrethin e saj  të jetës tokësore, duke I paguar atdhetarizmit të të parëve të saj një tribut të lartë me çmimin e flijimeve të panumurta vetiake e familjare, tani prehet e qetë në gjyqin e amshimit mbasi e ka plotësuar më së miri detyrën e saj në botën tonë.

            Mjaft prej nesh e lidhin me të ndjerën, veç dashurisë njerëzore dhe respektit të ndërsjelltë, një kalvar i gjatë mundimesh fizike e cfilitjesh shpirtërore, dukuri që, për vite të gjata karakterizuan rrjedhën e jetëve tona në këtë Atdhe, të cilit të parët tanë i kishin blatuar pasurinë e tyre më të madhe lëndore, intelektuale e shpirtërore.

            Të nënëshkruarit kujtimet e kësaj zonje fisnike i fillojnë që në agun e jetës, në moshën pesëvjeçare, në birucat e degës së brëndëshme të qytetit të Krujës, kur Hyrija dhe Dudija atëherë në moshë fare të re, së bashku me nënën e tyre të urtë, Vajen, dhe motrën më të madhe, Bukurijen, së bashku me gjyshen time, Cajen dhe nënën time, Elenën, filluam rrugën e gjatë të privimit të lirisë, që do të përshkonte kampin e çfarosjes së Tepelenës, punët e detyruara në veprat e t’ashtuquajturit “socializëm” si burgu i Vlorës apo fabrika e tullave të Tiranës, për të përfunduar në ngritjen e sektorëve të fermës së Lushnjës, në tokat e liruara nga ujrat e kënetës së Tërbufit.

            Në këtë rrugë të gjatë Hyrija u tregua sokoleshë, bijë e denjë e prindërve të saj, duke përballuar çdo vështirësi, që nga barrët e druve mbi shpinë çdo ditë për orë të tëra në malet e Tepelenës deri tek punët më të lodhëshme e më të vështira në fushat e pafund të qëndrave të interrnimit të Myzeqesë, gjithmonë me ballin lart e buzëqeshjen në fytyrën e saj të hijshme.

            E vendosur të mos bënte kompromis me diktaturën, vuri në jetë detyrën e saj hyjnore e njerëzore, të krijonte një familje e të lindëte fëmijë, që do të ishin ngushullimi i vetëm në kalvarin e pafund të jetës. U bashkua me Viktor Dostin, një djalë bashkëvuajtës, birin e një personaliteti të njohur të historisë së Vëndit të saj. Nëpërmjet punës së tyre të ndershme sollën në jetë e rritën Kutbiun, Valjetën dhe Artën, që e kaluan fëmijërinë e tyre në kampin e interrnimit të Gradishtit të Lushnjes.

            Sot ata të tre, qytetarë të botës së lirë, me dhimbje birësore në shpirt e dashuri e respekt të pafund në zemër, i japin nënës së tyre të dhëmshur lamtumirën e fundit. Ata të tre, ashtu sikurse qindra e mijra të rinj të familjeve tona, të lindur në vitet e vështira të “luftës së klasave”në Shqipërinë komuniste, janë prova më e gjallë e forcës, gjallërisë e qëndresës së kësaj shtrese shoqërore që, në kundërshtim me logjikën më parake, sfiduan sistemin çnjerëzor duke sjellë në jetë krijesa, të cilave Zoti i madh, fatmirësisht, do t’u jepte mundësinë të bëheshin qytetarë të lirë të Vendit të tyre, por edhe të botës së madhe.

            Ky qe misioni i sendërtuar i Hyrijes sonë të dashur që, me tjetërsimin e sistemit, i vuri vehtes një tjetër detyrë, jo vetëm atë të dëshmisë së kalvarit të saj e të bashkëvuajtësve të saj, por edhe të ndriçimit të jetës e verës së babait të saj të nderuar, Abaz Kupit.

            Qe një barrë jo e lehtë edhe kjo, e dashur Hyrije, të cilën u munduam t’a mbajmë, jo në kushtet e terrorit policor, por të indiferentizmit të përgjithshëm të një sistemi, fatkeqësisht refraktar e mospërfillës ndaj së vërtetës historike. Ti e kryeve dhe atë detyrë që i vure vehtes nëpërmjet intervistave të tua në shtyp apo në televizion. Të lumtë!

            Tani fli e qetë pranë njerëzve të tu të dashur, në atë botën tjetër ku ka veç dritë e mirësi të përjetëshme. Për të dashurit e tu në jetë, për ne të gjithë do të mbetesh gjithmonë e gjallë në kujtesat tona.

            U prehtë në paqen e Zotit shpirti yt i bardhë, të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë, qoftë i përjetshëm kujtimi yt.

            *Kjo është fjala e mbajtur nga Eugjen Merlika në varrimin e zonjës së nderuar Hyrije Kupi Dosti, të zhvilluar në ceremoninë mortore tek varrezat e Sharrës më 5 tetor 2019.    

Filed Under: Politike Tagged With: Hyrije Kupi Dosti-Eugjen Merlika

GODITJA KALIMTARE E TRURIT-(TIA,-Transient Ischaemic Attack)

October 11, 2019 by dgreca

Shkruan: DR. ZEKRI PALUSHI/ GAZETA”DIELLI”/

Mund të thuhet se është një strokë fatlume që brenda një ore kalon pa lënë pasoja të gjata, të përhershme.Pra, asht një defiçit i përkohshëm neurologjik që vjen si pasoj e ishemisë vaskulare të trurit, por s’asht infarct/ kalbje e një pjese të trurit.

              Nga vjen?

        Truni furrnizohet me gjak prej dy arterieve KAROTIDE,- që kemi n’dy anët e qafës, -degët e vogla të k’tyne arterieve transportojnë gjakun në tru. Në qoftë se, një prej këtyre degëve bllokohet përkohësisht prej një blood clot apo thërmijë dhjami, -atëherë shenjat e TIAs mund të ndodhin. Në qoftë se bllokimi mbetet për një kohë të gjatë, atëherë ndodh STROKA.

      Nganjëherë, shkak për TIA mund të bahet një hemoragji që vjen si pasoje e e plasjes (shpërthimit) të një arterje t’vogël brenda trunit.

     Para se të flasim në përgjithësi për TIA-n, po tregoj një rast konkret:

Pacientin MK, 73 vjeç,-diabetik, me Hypertension arterial, dhe Atrial Fibrilation,-e pruni për konsultë, vajza e tij që më tregoi se një ditë më parë, pacienti kishte pas një periudhë që s’kishte pasë mundësi me folë, e as me kuptue fjalët, dhe se afërsisht katër javë para këtij episodi, ai nuk ishte ndjerë mirë dhe ishte mbështet pas një muri sepse s’kishte qenë në gjendje me qëndrue n’kambë pasi ndjente se ato i kishte shumë të dobta. E bija më tregoi se që të dy rastet kishin zgjat afërisht 30 minuta.

Pacienti merrte mjekim të përdishëm për diabetin,- që e kishte mirë në kontroll, po kështu, për çrregullimet e ritmit të zemrës dhe Hypertensionin,- merrte Diltiazem CD 300mg/dite, Lisinopril 40 mg/ditë dhe Aspirinë 81mg/ditë

Kishte pas pi dy paketa duhan në ditë, deri kur ishte diagnostikue me Hypertension.

Pinte një birrë në ditë…

       Në historin familjare, gjejmë se nana i kishte vdekë prej Stroke në moshën 79vjeçare, ndërsa baba i kishte vdek 64 vjeç nga kanceri i zorrës trashë (colon cancer).

Investigimet urgjente, si MRI pa contrast e trunit, MRA or CTA, për enët e gjakut të qafës, nuk tregun se i sëmuri kishte pas hemoragji në tru, apo bllokim të karotideve. Siç shifet, pacjenti  u diagnostikue me TIAs, dhe duke pas parasysh Fibrilacionin Atrial që kishte, – mjekimin që merrte nuk ishte sipas GUIDELINES, sepse në këto raste Aspirina s’asht e mjaftushme. Ky duhej që të merrte WARFARIN ose DABIGATRAN.

 Ne preferum WARFARIN-nën për arsye se është shumë e lirë dhe po kështu kontrollohet ma kollaj niveli i hollimit të gjakut nëpërmjet INR…..(target 2.5), në bazë të së cilës manipulojmë dozën.

 Po kështu asht e randësishme kontrollimi i shpejtësisë së rrahjeve t’zemrës, 60-80 rrahje/minut

Shenjat e TIAs mund të jenë:

-Dhimbje e fortë dhe e papritur koke.

-Humbje e përkohëshme e shikimit, apo shikim i trubullt.

-Ç’rregullim shikimi (shikim i dyfishtë (double vision), ose pamundësia për të pa nga e Majta apo e Djathta).

-Ç’rregullim në t’folun, mos-shqiptim i mirë i fjalëve, dhe pa-aftësia për të shprehë me fjalë ato çfarë mendon;

-Mpirje, dhe dobësim të faqes

-Vështërësi në gëlltitje (përdimje)

-Dobësim ose paralizë e faqes, krahëve ose kambëve

-Marrje mendësh (spinning sensation)

-Humbje t’ballancës

-Ndjenjë për t’vjellur ose t’vjella

F.A.S.T test

Shenjat kryesore të një aksidenti cerebral mund të mbahen ma mirë mend me memorizimin dhe përdorjen e fjalës FAST:

*Face (faqe/Ftyra)- mouth dropped..

*Arms (krahët/ektremitetet e sipërme)- a mund të ngrihen (çohen) nalt

*Speech (e folmja)- a asht e slurred? A kuptohet ç’farë thotë

*Time (koha)- ashtë tepër e randësishme,-nqs keni ndonjë nga këto shenja, ose I shifni ndonji nga kto shenja tek të tjerët, -THIRRNI URGJENT AMBULANCËN  

TIA asht një paralajmërim që ju mund të jeni duke pas një goditje të trunit (Insult Cerebral/STROKE). Pra,  asht shumë e randësishme që,- nëse mendoni se keni TIA, mundohuni që me ç’do kusht të parandaloni një stroke,- duke marrë menjëherë ASPIRIN 325 mg, dhe thirr urgjent AMBULANCËN.

Në pacjentët me TIA, antikoagulantet jepen vetëm atëherë kur MRI apo CT e trunit kanë përjashtue një hemoragji të brendshme të trunit (Intracranial haemorrhage)

Anti-Platelets (Aspirin 81mg + DIPIRAMIDOLE) ose vetëm Clopidogrel duhet t’jepen për një kohë t’gjatë, tek të gjithë pacjentet me TIA

MJEKIMI I TIAs ka si qëllim PREVENIMIN e TIA-ve pasuese që mund të përfundojnë në Ischaemic STROKE.

Filed Under: Sociale Tagged With: Dr. Zekri Palushaj-Goditja Kalimtare e Trurit

Qeveria “Edi-ste” dhe Neo-Jugosllavia!

October 11, 2019 by dgreca

Shkruan: Dritan Demiraj, Ph. D. /

Shqipëria po bëhet subjekt i një eksperimenti politik të udhëhequr nga politikanë “Esadistë” e cila në fund do të ketë rezultate trishtuese. Një kryeministër, karakteri i të cilit është i dyzuar dhe me nuanca tirani e narçisti, nuk mund të jetë më Kryeministri i një populli të lirë.

Shqipëria është në shumë aspekte një vend “pa shtet”. Zotërimi i fuqisë absolute të pushtetit, përdorimi i simpatizantëve partiak si kavie eksperimentale pushteti, orekset e njeriut narçist e diktatorial rriten në mënyrë eksponenciale!
Shqipëria ende nuk ka një strategji sigurie e partneritet strategjik, vizion kombëtar se ku do të jetë pozita e saj pas disa dekadash. Siç dihet taktikat pa strategji janë zhurma para mposhtjes.

Serbia ecën me parimin “Mos e ndërpre kurrë armikun tënd kur është duke bërë një gabim”, prandaj vazhdon joshjen e saj ndaj politikanëve “Esadistë”! Aleksandër Vuçiç, aktron mjaft bukur rolin e “dhelprës” dhe nganjëherë “luanin”, duke u instruktuar mjaft bukur nga “ariu polar” se kur duhet luajtur roli i dhelprës dhe ai i luanit dhe fitorja e takon atij që këmbëngul më shumë dhe më bukur.

“We are not problematic guys. Edi is the guy”, tha Aleksandër Vuçiç dhe u kënaq duke qeshur me batutat e “artistit klloun” shtatlartë rrugëve të qytetit Novi Sad të qetë e të pafajshëm!

Aleksandër Vuçiç, në deklarimin e parë si president i Serbisë, shpalli se rikrijimi i Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë “është një ide politike”. Qeveria shqiptare “Edi-ste” duke u këshilluar nga emisarët dhe disa shoqata joqeveritare fitimprurëse që financohen nga Beogradi, ashtu si dhe “gjyshi i tij Enver” këshillohej nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, analizuan këtë projekt të Vuçiçit.

Fuqizimi i politikës Ruse për shtrirjen e influencës së saj në Ballkan, realizohet nëpërmjet Serbisë duke sugjeruar plane për hegjemoni Serbe ne Ballkan, duke krijuar Federatë të re Jugosllave, tashmë jo me 7 republika por me 6 republika të quajtura “Ballkani Perendimor” në emër të “idealeve europiane”.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë hyrë në një fazë dobësie dhe disfunksionaliteti, e cila e shtyn Serbinë të mendojë se është një fazë ku mund të imponohet si shteti më i fuqishëm dhe t’i grumbullojë ato shtete rreth vetes.

Aleksandër Vuçiçi ka arritur të sigurojë një mbështetje personale të gjerë në disa kancelari europiane dhe nga diplomacia e disa shteteve anëtare të BE . Ai dhe Edi Rama kanë artikuluar disa herë se nëse Europa nuk na pranon në alencën e saj, ne do të shikojnë bashkëpunime të tjera rajonale dhe deklarata e këtij takimi nga Rama ishte se: “…ne nuk do të presim që BE-ja të na përqafojë dhe të na ulë në një tryezë”; “Serbia nuk ka vënë asnjë veto për Kosovën, përndryshe unë nuk do të isha këtu duke shtrënguar duart”, padyshim karagjosllëk, antishqiptarizëm, naivitet apo akrobaci politike?!.

Edi Rama, për këtë gjë ka qenë i këshilluar dhe nga miku i tij neosmani i Bosforit, i cili ka kërcënuar disa herë vendet e BE-së, se mund ti bashkangjitet aleancës me Rusinë (në takimin e Shën Petersburgut, gusht 2016). Interesant është fakti se Presidenti i Serbisë nuk e parashtron si ofertë diplomatike të tij drejtuar Shqipërisë, por e paraqet si një fakt të kryer, që do të jetë një Jugosllavi e vjetër bashkë me Shqipërinë pa Slloveninë dhe Kroacinë të cilat u antarësuan në BE. Në këtë Jugosllavi të re, presidenti i ri serb nuk përfshin dot tani as Kroacinë dhe as Slloveninë, dy shtete që u shkëputën të parat nga ish-Jugosllavia dhe të cilat nuk kanë dashur asnjëherë të quhen as jugosllavë dhe as ballkanikë.

Shqipëria, populli shqiptar, opozita e bashkuar duhet të shprehin fuqishëm kundërshtimin e tyre, sepse duhet ta bëjnë këtë me forcë që ta dëgjojë edhe BE, se çdo plan i rikrijimit të Jugosllavisë është antihistorik, padyshim antishqiptar dhe i dëmshëm për integrimin europian dhe për paqen e stabilitetin rajonal.

Edi Rama nuk duhet që në emër të shtetit shqiptar të marr bonuse tek burokratët evropian e ndërkombëtar si bashkëpunues dhe paqedashës në rajon me mikun e tij të ngushtë Aleksandër Vuçiç dhe Serbinë. Anëtarësimi i Serbisë në BE do të jetë eleminimi përfundimtar i ëndrrës evropiane të shqiptarëve! Iniciativa të tilla janë vërtet shqetësuese, të paqarta, jo-transparente për gjithë shqiptarët në trojet e tyre shqipëfolës.

Të nderuar bashkëkombas zgjohuni!

A është konsultuar Qeveria Shqiptare me Qeverinë e Kosovës dhe me faktorin politik në Maqedonin e Veriut dhe Malin e Zi? Sovraniteti ekonomik kombëtar i Shqiptarëve, është humbësi më i madh në këtë rajon pasi qendra e gravitetit ekonomik dhe politik është Serbia dhe e kundërta nuk do të ndodh!.

Shikoni investimet strategjike të kohëve të fundit që bën Kina, Turqia dhe Rusia në Serbi! Ndiqni me kujdes dhe analizoni fuqizimin ushtarak të Serbisë në të gjitha forcat dhe komandat? Asnjë nuk flet për sigurinë, asnjë financim për rritjen e kapaciteteve strategjike ushtarake as në Shqipëri as në Kosovë!

Shqipëria nuk ka asnjë shanc të përfitoj ekonomikisht dhe aq më keq politikisht, pasi siç edhe dihet varësia ekonomike të bën vasal politik! Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap para për zbatimin e marrëveshjeve ekonomike me Kosovën, por për çudi me Serbinë është mjaft e hapur dhe bashkëpunuese!!!

Kjo padyshim vjen si pasojë e çrregullimit narçistik të personalitetit të Kryeministrit “one man show” dhe qeverisjes së tij karagjoze dhe krejtësisht të paaftë!!!

Dritan Demiraj, Ph. D.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritan Demiraj-Qeveria Edis-te

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT