NGA EUGJEN MERLIKA/
Të dashur familiarë, miq e pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore, qofshi të nderuar!
Sot, me dhimbje të thellë në shpirt, po i japim lamtumirën e fundit të jetës tokësore një nëne, një bije fisnike të Krujës, një gruaje shqiptare që I ra “pash më pash” ferrit të historisë sonë kombëtare, zonjës së nderuar Hyrije Kupi Dosti.
Bijë e nuse familjesh atdhetare të Shqipërisë, kjo zonjë që tashmë e mbylli rrethin e saj të jetës tokësore, duke I paguar atdhetarizmit të të parëve të saj një tribut të lartë me çmimin e flijimeve të panumurta vetiake e familjare, tani prehet e qetë në gjyqin e amshimit mbasi e ka plotësuar më së miri detyrën e saj në botën tonë.
Mjaft prej nesh e lidhin me të ndjerën, veç dashurisë njerëzore dhe respektit të ndërsjelltë, një kalvar i gjatë mundimesh fizike e cfilitjesh shpirtërore, dukuri që, për vite të gjata karakterizuan rrjedhën e jetëve tona në këtë Atdhe, të cilit të parët tanë i kishin blatuar pasurinë e tyre më të madhe lëndore, intelektuale e shpirtërore.
Të nënëshkruarit kujtimet e kësaj zonje fisnike i fillojnë që në agun e jetës, në moshën pesëvjeçare, në birucat e degës së brëndëshme të qytetit të Krujës, kur Hyrija dhe Dudija atëherë në moshë fare të re, së bashku me nënën e tyre të urtë, Vajen, dhe motrën më të madhe, Bukurijen, së bashku me gjyshen time, Cajen dhe nënën time, Elenën, filluam rrugën e gjatë të privimit të lirisë, që do të përshkonte kampin e çfarosjes së Tepelenës, punët e detyruara në veprat e t’ashtuquajturit “socializëm” si burgu i Vlorës apo fabrika e tullave të Tiranës, për të përfunduar në ngritjen e sektorëve të fermës së Lushnjës, në tokat e liruara nga ujrat e kënetës së Tërbufit.
Në këtë rrugë të gjatë Hyrija u tregua sokoleshë, bijë e denjë e prindërve të saj, duke përballuar çdo vështirësi, që nga barrët e druve mbi shpinë çdo ditë për orë të tëra në malet e Tepelenës deri tek punët më të lodhëshme e më të vështira në fushat e pafund të qëndrave të interrnimit të Myzeqesë, gjithmonë me ballin lart e buzëqeshjen në fytyrën e saj të hijshme.
E vendosur të mos bënte kompromis me diktaturën, vuri në jetë detyrën e saj hyjnore e njerëzore, të krijonte një familje e të lindëte fëmijë, që do të ishin ngushullimi i vetëm në kalvarin e pafund të jetës. U bashkua me Viktor Dostin, një djalë bashkëvuajtës, birin e një personaliteti të njohur të historisë së Vëndit të saj. Nëpërmjet punës së tyre të ndershme sollën në jetë e rritën Kutbiun, Valjetën dhe Artën, që e kaluan fëmijërinë e tyre në kampin e interrnimit të Gradishtit të Lushnjes.
Sot ata të tre, qytetarë të botës së lirë, me dhimbje birësore në shpirt e dashuri e respekt të pafund në zemër, i japin nënës së tyre të dhëmshur lamtumirën e fundit. Ata të tre, ashtu sikurse qindra e mijra të rinj të familjeve tona, të lindur në vitet e vështira të “luftës së klasave”në Shqipërinë komuniste, janë prova më e gjallë e forcës, gjallërisë e qëndresës së kësaj shtrese shoqërore që, në kundërshtim me logjikën më parake, sfiduan sistemin çnjerëzor duke sjellë në jetë krijesa, të cilave Zoti i madh, fatmirësisht, do t’u jepte mundësinë të bëheshin qytetarë të lirë të Vendit të tyre, por edhe të botës së madhe.
Ky qe misioni i sendërtuar i Hyrijes sonë të dashur që, me tjetërsimin e sistemit, i vuri vehtes një tjetër detyrë, jo vetëm atë të dëshmisë së kalvarit të saj e të bashkëvuajtësve të saj, por edhe të ndriçimit të jetës e verës së babait të saj të nderuar, Abaz Kupit.
Qe një barrë jo e lehtë edhe kjo, e dashur Hyrije, të cilën u munduam t’a mbajmë, jo në kushtet e terrorit policor, por të indiferentizmit të përgjithshëm të një sistemi, fatkeqësisht refraktar e mospërfillës ndaj së vërtetës historike. Ti e kryeve dhe atë detyrë që i vure vehtes nëpërmjet intervistave të tua në shtyp apo në televizion. Të lumtë!
Tani fli e qetë pranë njerëzve të tu të dashur, në atë botën tjetër ku ka veç dritë e mirësi të përjetëshme. Për të dashurit e tu në jetë, për ne të gjithë do të mbetesh gjithmonë e gjallë në kujtesat tona.
U prehtë në paqen e Zotit shpirti yt i bardhë, të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë, qoftë i përjetshëm kujtimi yt.
*Kjo është fjala e mbajtur nga Eugjen Merlika në varrimin e zonjës së nderuar Hyrije Kupi Dosti, të zhvilluar në ceremoninë mortore tek varrezat e Sharrës më 5 tetor 2019.