• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2019

Schengeni apo Shëngjini? – Rama dhe Rilindja e Eurosllavias

October 6, 2019 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Tani që ideja e shkëmbimit te kufijve Kosove –Serbi u hodh poshtë nga Gjermania, edhe Rama del e thotë se nuk e mbështet këtë ide. Nga ana tjetër  në lidhje me mini Schengenin Rama- Vuçiç- Zaev nëse do te jetë patriot, nuk mund dhe as duhet ta marrë këtë vendim pa marrë parasysh interesat dhe mbështetjen e Kosovës dhe qeverisë së saj. Apo tani nga dëshira për  lavdi tani që duket pas qëndrimit te qartë holandez kundër hyrjes se Shqipërisë ne BE kërkon “Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja”. Cila e keqe?

Kryeministri Edi Rama në studion e emisionit “Real Story” në “News 24” pohoi se është dakord për një Schengen Ballkanik. Madje ai deklaroi se “kjo nuk ka të bëjë fare me Jugosllavinë, por me zhdukjen e kufijve mentalë të ballkanasve”. -Vërtet?

“Ka folur Fatos Nano dhe disa janë tallur. Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja. S’kemi pse merremi me këto, jo u hap kufiri e jo nuk u hap. Është plan A dhe jo B. Ne paralelisht me integrimin tonë si shtet, nuk ka lidhje me Jugosllavinë kjo. Do të bëjmë një treg të madh në Ballkan. Duhet që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të heqin kufijtë. Do hiqet kufiri i Shqipërisë me Kosovën dhe do bëhet si të shkosh nga Shkodra në Vlorë”, tha Rama. Vërtet?!. Por sa fisible është kjo politikisht dhe ekonomikisht?

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç pas vizitës në New York, duke folur për nismën e “Schengenit të vogël” dhe bashkëpunim më të ngushtë ekonomik në Ballkanin Perëndimor përmes heqjes së pengesave, tha se nuk ishte çështje unifikimi, sepse sa herë përmendet bashkimi, disa filluan të flasin për hegjemoninë serbe.  Edhe këtu edhe Vuçiçi po si Rama, por Vuçiçi të paktën është i sinqertë” : Në këtë drejtim, ai tha , siç shkroi agjencia malazeze Mina, se Serbia së shpejti do të jetë motori i drejtimit ekonomik të të gjithë rajonit, për këtë arsye prodhon një reagim të tillë.”-Ahaa.

Më tej ai theksoi se është e rëndësishme që vendet e rajonit të kuptojnë se ata do të përfitojnë prej tij, për njerëzit tanë të kuptojnë se ne po veprojmë në një front të bashkuar, sepse do të jemi shumë më të respektuar në Evropë nëse kemi qasje të përbashkëta. Kjo duket si qëndrim me bon sens. Por nëse qenka i pranueshëm kjo hapje kufijsh , pse nuk qenka i pranueshëm për Vuçiçin një ‘mini Schengen Shqipëri-Kosovë? .

Kur më 19 maj të këtij vit ai reagoi ashpër dhe u shpreh se shqiptarët janë bashkuar dhe do të përpiqen të bindin të gjithë ndërkombëtarët që t’i mbështesin. “Është e qartë për mua se ata do të ndërtojnë planin e tyre dhe kur edhe do të fshijnë kufijtë në fund të marsit. Shqiptarët janë bashkuar dhe do të përpiqen të bindin të gjithë ndërkombëtarët që t’i mbështesin. Kjo aso kohe u mbështet edhe nga ministri i Mbrojtjes Aleksandër Vulin: “Heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se vendet që e kanë njohur Kosovën tani mund të heqin dorë nga “frika” se do të krijohet Shqipëri e Madhe. Ata nuk do ta kuptojnë të keqen që po u bëjnë vetes.” –Frika nga fantazma e Shqipërisë së madhe përsëri.  

Interesant, kujt t’i besosh. Ndoshta Rama kujton se mos shqiptarët e kanë memorien e shkurtër. 

Kjo më bëri të rilexoj një shkrim tim te vitit 2003 “Federata Ballkanike, testim apo strategji”. Ka nja njëzet vjet, e ndoshta më shumë, që në Ballkanin Perëndimor e zë një ide, e cila merr emërtime të ndryshme e tash së fundmi mbërrin në media si “mini-Schengeni ballkanik” Dhe kjo ide e liberalizimit tregtar në rajon del sa herë shihet se rajoni po shkon tejet ngadalë drejt integrimeve evropiane. Ajo është përsëritje e tezës ,n ë formë të thjeshtësuar, e Evropës me dy shpejtësi. Prej ku del në pah pyetja, si mund të kërkojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në tregun e përbashkët evropian ndërkohë që nuk kanë krijuar të njëjtat lehtësi qarkullimi të qarkullimit të mallrave, të shërbimeve, kapitalit dhe personave mes tyre? 

Kjo ide e integrimit me dy shpejtësi kishte emrin Eurosllavia, para Luftës dhe pavarësimit të Kosovës, apo të Federatës Ballkanike. Ajo qe botuar si Projekti Euroslavia “Il Progetto Euroslavia”, lançuar dhe botuar në revistën italiane të politikes se Jashtme “Limes” qysh më (n. 4/1995), dhe kishte dalë si ide e politikës së jashtme italiane. Ndërsa pas Clirimit të Kosovës më 2003, ministri i Jashtëm grek, i kohës  Jorgos Papandreu, i tregonte së përditshmes gjermane Sueddeutsche Zeitung në një intervistë, një ide të vjetër për krijimin e një Federate të vendeve ballkanike, që, sipas Greqisë, do të mirëpritej nga Bashkimi Evropian. Por kjo deklaratë e Papandreut, nga njëra anë, dukej shpresëdhënëse për vendet Ballkanit, nga ana tjetër shkaktoi një reaksion deklaratash, kryesisht jugosllave të Gjinxhiçit për rishikimin e Dejtonit, pra, rishikim kufijsh në Ballkan. Në atë moment të skenës politike ballkanike po dukej një kontradiktë, mes tendencave centripete dhe centrifuge të integrimit ballkanik dhe atij evropian. Presidenca greke citonte Papandreun që ka thënë se nuk ka “më vrima të errëta në Ballkan dhe se shumë vende ballkanike po përpiqen të hyjnë në BE, dhe kjo gjë, sipas tij, do të ndodhë shumë shpejt Në fakt, kjo nuk është një ide e re e vetë Papandreut.  Ishte koha kur Greqia nuk kishte kaluar krizën e fundit. Ai, theksonte atëherë se qysh me rënien e regjimit të Milosheviçit në shkurt të vitit 2000, i pat dhënë radios jugosllave B92 një intervistë, në të cilën ai sqaronte se një gjë të tillë ai e kishte pasur diskutuar edhe me Millosheviçin në atë kohë. Porse, qysh atëherë, sqaronte ai, koncepti kishte ndryshuar. Papandreu e përcaktonte kështu konceptin e tij për Federatën si “rrugë për futjen e Ballkanit në institucionet evropiane’.

 “Schengeni Ballkanik” i Rama – Vuçiçit, është ëndrra e “Jugosllavisë së Re”, na largon nga Evropa. Rama – Vuçiç në dakortësi për një “Schengen të Ballkanit”, ringjallin një teori të vjetër e të rrezikshme, veçanërisht për shqiptarët’’ reagoi jo pa fakte, ish-deputeti demokrat Tritan Shehu.

Kjo deklaratë aventureske e Ramës erdhi  mbas goditjes që i dha atij Bundestagu dhe Hollanda edhe për çështjen e kufijve, e kërkon të mashtrojë shqiptarët se ky “Schengen” mund të zëvendësojë BE-në, apo se integrimi do të jetë kolektiv e jo sipas standardeve të çdo vendi.

Kjo duket dhe nga kjo deklarate e Ramës që do meritonte 5 Pinokio nëse do të kishte shtyp të pavarur në Shqipëri. E vetmja e ardhme për ne si shqiptarë dhe ballkanas është të koncentrohemi secili e si rajon në përmbushjen e standarteve evropiane, të cilat në procesin e integrimit do të na bashkojnë me Evropën. Në qoftë se Rama me Vuçiç kërkoj ta kthejë këtë “iniciativë” edhe në një hakmarrje apo kërcënim për Evropën, ashtu siç kishte hedhur më parë idenë e bashkimit me Kosovën, por ndërkaq po dëmton rëndë interesat tona më të mëdha kombëtare. 

Ky skenar Rama – Vuçiç, antishqiptar e antieuropeist, si ai Enver – Tito dikur, apo dhe ideja e Dimitrovit dhe  e Vuktanovic Tempos. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, u përqendrua në bashkëpunimin rajon në Ballkan. duke përdorur strategjinë serbe të ‘paternalizmit në Ballkan’, Vuçiç përmendi në fjalimin e tij investimet në infrastrukturë të cilat tregojnë angazhimin e Serbisë për fqinjësi të mirë me vendet e tjera ballkanike. Por investimet serbe në infrastrukturë synojnë idenë e vjetër serbe të daljes në det. Pra interesin e Serbisë dhe jo të rajonit. Imagjinoni si mund t’i hapë kufijtë Serbia për mallrat shqiptare, ku nuk ka kufij të drejtpërdrejtë, nëse Kosova dhe Mali i zi nuk do te aderojnë në këtë nismë për arsye që dihen. apo t’i bjerë si Magelani: Serbi, Maqedoni Shqipëri? Pavarësisht intencionit ideja në këtë fazë të raporteve ndërballkanike mbetet utopi ekonomike. Apo mos vallë Rama kërkon atë që nuk dha si eskluzivitet si port Shën Gjinin, Kosovës, t’ia lerë tani me PPP, Serbisë?

Ideja për “mini Schengenin Ballkanik” pritet të diskutohet me 9 dhe 10 Tetor në qytetin e Novi Sadit në mes të kryeministrit Rama, kryeministrit maqedonas Zaev dhe presidentit serb Vuçiç. Kjo gjë është pritur me entuziazëm në Serbi.  Në kornizën politike evropiane në qëndrimin ndaj Ballkanit, në ndryshim nga strategjia dhe politika amerikane ishte parashikuar krijimi i një grupimi shtetesh në Ballkan, që duhet të integroheshin së pari mes tyre. Në këtë kuadër, integrimi i ish-Jugosllavisë shihet si primar. Por ky integrim dhe në vetë konceptin evropian të Eurosllavias, kur nuk ishte përcaktuar roli i Kosovës, për shkak të statusit të papërcaktuar të saj në atë kohë dhe kur Sllovenia dhe Kroacia nuk ishin në BE. Madje dhe kryeministrit me demokrat serb i kohës i ndjeri, Zoran Gjingjiçit për javoren gjermane “Shpigel”, asokohe, pohonte se “Beogradi do të kërkojë konferencë të re të Dejtonit për caktimin e kufijve të rinj në Ballkan, nëse shqiptarët e Kosovës do të insistojnë në pavarësinë e krahinës” Duke e pare ne dritën e këtij citimi te 15 vjetëve me pare kuptohet se ideja e “Schengenit ballkanik” synon të justifikojë dhe Vuçiçin para serbëve nacionaliste për humbjen definitive te Kosovës. Por kjo do te ishte dhe thike pas shpine Kosovës për taksen e saj te 100 %. Ore kam një pyetje? A ta ketë cekur këtë çështje me Ministrin Caka, Rama? 

Javën e ardhshme, në Novi-Sad të Serbisë do të fillojë përpjekja e radhës për të shtyrë përpara bashkëpunimin regjional. Presidenti i Serbisë, Vuçiç, do të jetë nikoqir i kryeministrave të Shqipërisë, Rama, dhe të Maqedonisë Veriore, Zaev, për të filluar projektin e tregut të përbashkët fillimisht mes këtyre vendeve që pastaj pritet t’i përfshijë edhe të tria vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Malin e Zi, BeH dhe Kosovën.   Por sa fisible është kjo ide politikisht dhe ekonomikisht, pasi dihet për arsye të ndryshme si Mali i zi ashtu edhe Kosova nuk pranojnë të jenë në çfarëdo juridikisoni kufijhapur me Serbinë?

Ideja është po ashtu që, në formë të butë, të kuptohet se ky do të jetë projekti i ri politik pas mossuksesit të projektit të kaluar që e shihte Serbinë në anëtarësim të shpejtuar më 2025, me të cilin, si me shkop magjik do të zgjidheshin të gjitha problemet regjionale: në BE do të ishte edhe Mali i Zi, Shqipëria do të zgjohej nga zhytja në baltën e vet politike dhe do të reformohej shpejt, BeH do të dilte nga jofunksionaliteti dhe Kosova nuk do të ishte më shtet i kontestuar nga jashtë dhe i kapur nga brenda, pohonte së fundi analisti kosovar Veton Surroi”.

 Emërtimi “mini-Schengen ballkanik” është krejtësisht i pavend, sepse Marrëveshja e Schengenit ka të bëjë me krijimin e një zone të qarkullimit të lirë me unifikim të procedurave hyrëse në BE. Dhe kjo Marrëveshje u bë shumë vjet pasi që ishte krijuar bashkimi ekonomik i shteteve të BE-së. Të tria vendet do të diskutojnë, në fakt, se si t’i liberalizojnë tregjet e tyre ashtu siç bënë shtetet e Vishegradit. Por këtu analogjia çalon, sepse shtetet e Vishegradit nuk kishin çështje të pazgjidhura politike mes vete. “Nëse nuk është as “Schengen” e as “Vishegrad”, çka është ajo që pretendon të jetë “Novi-Sad”?

Presidentit Vuçiç mund t’i thuhet se Marrëveshje të tregtisë së lirë ka tashmë (në formën e CEFTA-s), por kjo nuk zgjidhi problemin mes Serbisë dhe Kosovës. Për më tepër, Serbia që gëzoi treg të papenguar në Kosovë nuk shkoi duke zgjidhur problemin me Kosovën, por duke e ndërlikuar atë.  Linja e Interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë e bllokuar pa afat nga Beogradi  Afati i përcaktuar për Serbinë, 31 dhjetori 2016, u shkel qysh 3 vjet dhe Serbia nuk pritet të ketë pasoja nga kjo shkelje, ndërsa Shqipëria dhe Kosova po paguajnë rreth 70 milionë euro kredi për një linjë interkonjeksioni që nuk ka funksionuar asnjë ditë. 

Tani që ideja e shkëmbimit të kufijve Kosovë –Serbi u hodh poshtë nga Gjermania, edhe Rama del e thotë se nuk e mbështet këtë ide. Nga ana tjetër  në lidhje me mini Shengenin ,Rama, Vuçiç, Zaev nëse do te jetë patriot nuk mund dhe as duhet ta marrë këtë vendim, pa marrë parasysh interesat dhe mbështetjen e Kosovës dhe qeverisë së saj. Apo tani nga dëshira për  lavdi tani që duket pas qëndrimit te qartë holandez kundër hyrjes se Shqipërisë ne BE kërkon “Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja”. Kjo tingëllon si Delire du grandeur.

Kryeministrit Rama mund t’i thuhet se ka pasur hapësirë të papengueshme për të liberalizuar komunikimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk e ka ndërmarrë këtë mision mes Shqipërisë e Kosovës edhe pse mes dy vendeve ka hapësirë lirie ekonomike. Kur shitja e patateve të Shishtavecit, penguakan tregtinë mes Shqipërisë e Kosovës, si e bëka Rama heqjen e kufijve mes Shqipërisë e Serbisë?  

Siç duket Ramës dhe Vuçiçit i ka ngelur në dorë një patatja e nxehtë “Merkel”  dhe s’dinë si të veprojnë dhe gjetën këtë, modus operandi.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi- Rama- Schengeni-Shengjini

SOT-Zgjedhjet, 6 Tetor 2019: DITË E MIRË E DEMOKRACISË NË KOSOVË

October 6, 2019 by dgreca

-Deklaratë për Gazetën DIELLI: Komisionit Qendror i Zgjedhjeve për 41 ditë ka kryer të gjitha përgatitjet sa i përket organizimit të këtij procesi zgjedhor, ka arritur t’i kryejë detyrat e veta kushtetuese e ligjore dhe ky fillimi i mbarë pa ndonjë problematikë tregon për punën që është bërë, dhe po shpresojmë e besojmë që edhe e gjithë dita të jetë kështu/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Tetor 2019/Në Kosovë sot po votohet, është një ditë e demokracisë – e zgjedhjeve për Kuvendin 120 anëtarësh nga 1.067 kandidatët garues të 25 subjekteve politike.

Cilat janë pritjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë ditë, ka pyetur në konferencën për shtyp të mëngjesit korrespondenti në Kosovë  i Gazetës DIELLI, i akredituar edhe vëzhgues, duke cituar fillimisht fjalën e urtë shqiptare se “Dita e mirë shihet në mëngjes”.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, është përgjigjur:

“Komisionit Qendror i Zgjedhjeve për 41 ditë ka kryer të gjitha përgatitjet sa i përket organizimit të këtij procesi zgjedhor, ka arritur t’i kryejë detyrat e veta kushtetuese e ligjore dhe ky fillimi i mbarë pa ndonjë problematikë tregon për punën që është bërë, dhe po shpresojmë e besojmë që edhe e gjithë dita të jetë kështu”, deklaroi zëdhënësi Elezi për Gazetën DIELLI.

Ai bëri të ditur se,  “në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali zgjedhor dhe të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, me përjashtim të disa qendrave të vogla që janë hapur me vonesë prej pak minutash”.

Në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, në mëngjesin e sotëm u hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime për 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në votimet e sotme ka numër më të madh pjesëmarrësish se në zgjedhjet parlamentare të para dy vitesh – 11 Qershorit 2017.

“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00  është 174 mijë e 669 votues apo 9.64%. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës në vitin 2017 kishin votuar 150 mijë e 244 votues, apo 8.45%”, deklaroi në mesditë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila ishte ndër votueset e para që herët në mëngjes, si edhe shumë qytetarë.Nga mëngjesi, ora 7, kanë votuar gjatë paraditës edhe drejtues të institucionave më të larta shtetërore e liderë të partive politike, kandidtët për deputetë dhe kandidatët për kryeministër të Kosovës.Vendvotimet mbyllen në mbrëmjen e sotme, në orën 19, e pastaj do nisë numërimi i votave dhe bëhen të ditura rezultatet e para preliminare.Gazeta DIELLI nga korrespondenti i saj i akredituar edhe vëzhgues i zgjedheve në Kosovë do vijojë të jetë në vendngjarje dhe të raportojë për zhvillimet e rezultatet e votimit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashar-6 Tetor-zgjedhjet sot

SFIDA PER JETEN

October 5, 2019 by dgreca

Mjekja e Gjilanit Burbuqe Mustafa arriti t`i sfidojë rregullat shkencore për të shpëtuar beben dhe ringjallur nënën e saj/ 

Doktoresha e Spitalit të Gjilanit, gjinekologia Burbuqe Mustafa ka bërë një hap jashtëzakonisht të guximshëm në një rast tepër të komplikuar dhe jo vetëm që e ka shpëtuar beben, por ka arritur ta rikthejë në jetë edhe nënën e “vdekur”, duke i sfiduar kështu rregullat shkencore. Pakkush prej mjekëve i hyn një rreziku të tillë, ku gjasat për të dalë me sukses janë minimale.  

Shkruan: ILMI MUSLIU/

Ky ka qenë njëri prej rasteve më të rënda që mjekja Mustafa, me një përvojë 19-vjeçare, ka përjetuar në karrierën e saj si gjinekologe. Për nga diagnoza, rasti është i njëjtë me atë të gazetares kosovare, e cila vdiq në Hungari, gjatë lindjes së tretë. Rastet e tilla të komplikuara, që mjekësia i njeh si “placenta previa percreta” janë të rralla dhe për fat të keq, kryesisht përfundojnë me vdekje.

Te rastet e tilla si ky i 31-vjeçares Ajtene Haliti, e cila dy lindjet e para i kishte kryer me operacion cezarian, nuk preferohet assesi një shtatzëni e tretë, për shkak të rrezikut të madh që ekziston për të mos mbijetuar as nëna dhe as foshnja. Te këto raste, në momentin e ndërhyrjes për të nxjerrë frytin nga placenta, përnjëherë shpërthen gjakderdhja masive dhe lehona vdes. Edhe pacientja Ajetene Haliti përjeton arrest kardiak, që nënkupton “vdekje”.            

“Te rasti konkret, placenta ishte e inceruar në vendin e plagës së mëparshme dhe në momentin e prerjes për të nxjerrë frytin e gjinisë mashkullore, lëshohet një gjakderdhje profuze dhe pacientja bie në arrest kardiak”, tregon mjekja Burbuqe Mustafa, që njëherësh është edhe shefe e Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Me ndihmën e ekipit operativ dhe anesteziologut arrihet që pacientes t`i kthehen parametrat vitalë, përkatësisht rikthimi i saj nga vdekja në jetë.  

“Ishte një moment i rëndë kur anesteziologu më bëri me dije se nëna nuk po jepte shenja jete, derisa ne po përpiqeshim ta shpëtonin atë. I ndërmorëm të gjitha veprimet për ta rikthyer në jetë nënën dhe pastaj në kohën më të shkurtër të mundshme bëmë largimin e mitrës dhe e ndalëm gjakderdhjen”, thotë mjekja Mustafa, e cila nuk kishte hasur në raste të tilla deri më tani, meqë janë të rralla dhe zakonisht përfundojnë me fatalitet.

Shtatzëna A.H. nga Gjilani ishte sjellë në spitalin e këtushëm për të kryer lindjen e tretë. Dy lindjet e para i kishte kryer me operacion – prerje cezariane. Te rastet e tilla, shtatzënia e tretë nuk rekomandohet assesi. 

Pasi pacientja përgatitet për lindje, futet në sallë dhe fillon hapja e abdomenit, mjekët hasin në një “placentë previa percreta”, e cila ishte e inceruar në vendin e prerjeve të mëhershme gjatë dy lindjeve të para, që janë raste shumë të rralla dhe përfundojnë me fatalitet.

Fati deshi që kjo nënë e re të bjerë në duart e një mjeke të shkathtë e të guximshme, siç është Burbuqe Mustafa, e cila bashkë me ekipin e saj e arriti të fitojë një betejë gati të pamundur, duke shpëtuar dy jetë njerëzore. Pas pesë ditësh, nëna Ajetne Haliti kthehet në shtëpi, pranë dy fëmijëve tjerë, në gjendje të mirë shëndetësore. Fatmirësisht, familja Haliti tani ka tre fëmijë. 

Raste të tilla ku duhet reaguar me urgjencë për të largohet mitrën, në mënyrë që të shpëtohet jeta e nënës, hasen rrallë në praktikën mjekësore. Janë raste ku bëhet fjalë për jetë apo vdekje të pacientes.

Komplikime të tilla ndodhin kryesisht te gratë që kanë kryer lindje me operacion. 

…………………

Foto: Dr Burbuqe Mustafa me ekipin e saj 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilmi Musliu- Burbuqe Mustafa-Mjekja sfidon

SHKODRA, MALËSIA E MADHE DHE MIRDITA

October 5, 2019 by dgreca

Trinia e shenjtë e trevave veriore /

Nga KOLEC P. TRABOINI/ Kur je mirditor je ndopak shkodran, por kur je malsor nuk mundesh mos me kenë –  e nisa kësisoj, me një lloj aforizme që më lindi në krye të këtij shkrimi, sepse ka njerëz në këtë botë shqiptare, që si dje, sot e pse jo edhe nesër, flasin e do të flasin si t’u vijë mideja, stomaku apo oreksi, shpreheni si të doni këtë fenomen degradues. Duke qenë lokalistë të sëmure, disa nxjerrin në sipërfaqe të llomotitjeve moçalore virtuale veç eksese në marrëdhëniet ndërkrahinore. Merren me ngjarje të vogla, sipërfaqore,  pa asnjë peshë në jetën e një kombi  dhe u japin konotacione negative historike. Ka plot të tillë dhe janë shtuar në mënyre të mnershme. Duket që dikush, nga jashtë në këto treva ilirike, derdh miliona euro-dollarë në xhepat e plëngprishësve për ti parë shqiptarët si një popull nomad, një popull i armiqësuar mes vedit, që për këtë shkak nuk dinë as të vetëqeverisen. E ka thënë dikur Kol Jakova, shkrimtari shkodran që me keqardhje them se sot nuk e kujton askush,  “Parja e huaj e shkreta”. Mirëpo dikujt, në aleancën e shtriganëve antishqiptarë,  e vërteta e mirëkuptimit mes shqiptareve u prish punë, sepse ajo është si një kandil drite në terrinën ku ndodhemi, jo nga dëshira por nga prapambetja. Se në të vërtetë ende jemi në errësirë, kryekreje në errësirën e mendjes mbetur peng i haraçeve të së kaluarës. Kur të nisësh të presësh dru në pyll, sopatën kape mirë nga bishti, e jo, siç ndokush mbrapsht na mëson. Kësisoj di të them se eksese ka në çdo bashkësi në botë, por kurrkush nuk e tipizon një popull a një komb me këto. Nuk ka stive pa një dru të shtrembër, natyrisht. Nuk ka pyll pa derra thotë populli. Dhe kot nuk e thotë. Edhe brenda një familje, e jo ma në mes të dy krahinave, të mos ketë ndodhi të papëlqyeshme. Por me çfarë di e me çfarë kam pa e ndigju, ma shumë ngatërresa ka pas mes vetë shkodranëve të qytetit, vendalive pra, se sa shkodranëve e mirditorëve, që përkundrazi, Shkodrën e kanë pas si qytetin e vet shpirtëror, krenaria e mbarë veriut e me gjërë. Edhe legjenda e zezë e ngritur për tradhti të Markagjonëve ndaj Dedë Gjon Lulit, që dikush e pompon zhurmshëm edhe sot e kësaj dite,  është diç më shumë se një mentalitet krahinor, është një manipulim historik. Nuk dua ti hyj hollësive, por të them ma të qenësishmen. Dihet në interes të kujt krijoheshin këto stigmatizime historike; që krahinat e Veriut të ishin të përçara dhe të mos kishin qëndresë përballë  murtajës së zezë a të murtajës së kuqe. Pastaj, kryekreje tradhtinë ma të madhe dhe vrasjen e Dede Gjon Lulit e bëri Europa, ajo kurvë plakë, historiko-histerike (nuk dua ta aktualizoj të kaluarën, por ndërgjegjja duhet të vazhdojë ta vrasë), që pa asnjë motiv e pa asnjë arsye historike e ndau Hotin përgjysmë. Vrau krahinën që për trimëri e urti ishte në ballë të kuvendeve shqiptare të Malësisë së Madhe. E preu në mes Malësinë për të mekun qëndresën e shqiptarëve.  Sot kalamenden shumë për Francen, kinse të na mbushin mendjen se jemi popull frankofon e jo viktimë e pamëshirës së saj,  por historia që na djeg nën lëkurë na tregon se ajo ishte kryekurva. Me misionin e perversitetit politik, Franca ishte mentoria e serbëve, vrasësve të popullit shqiptar. Prandaj të mos ngulmojmë të kërkojmë armiq mes vetes vend e pa vend, por të gjejmë motive në histori që na njëjtësojnë si popull e si komb. Të mos e ndajmë nga mendja mendimin se, Bashkimi Shqiptar mund të jetë sot një ide e cila duke u ushqyer me atdhedashuri në mënyrë të përditshme, bëhet dëshirë përvëluese e duhet ta mbajmë në gjoks siç mbahej dikur prushi në hi për të bërë zjarr të nesërmen. Në këto troje kështu kemi bërë që në kohët e lashta pellazgjike e të vazhdojmë ta mbajmë vatrën bashkimit kombetar ndezur. Dikush do të thotë nuk duam zjarr e prush po duam me pa botë me sy se po lëbyremi nga shkëlqimi i huaj. Le ti mbajmë e harmonizojmë të dyja këto dëshira. Hebrenjtë e ndërtuan shtetin e Izraelit së pari në mendjet e zëmrat e veta për 2500 vjet, hapërda nëpër tërë skajet e botës, nëpër ëndërrime brezash,  nëpër travaja e lotë gjaku, deri sa erdh çasti fatlum, i cili të shfaqet nëse këmbëngul në kërkim e përkushtim të pa trandur.   Mendjet e kthjellëta, me zemër kombëtare e dashuri për vendlindjen, duhet të dinë të ndajnë të mirën nga e keqja historike, të dobishmen nga e dëmshmja. Se që ta kthjellojmë mendimin, brenda krahinës së të parëve të mi, Hot, edhe për këtë bash të trimërisë e të besës malësore, dalin shpifës të përjargur që thonë se kinse Gjergjin, djalin e vogël të Dedë Gjon Lulit, nuk e kanë vra turqit në luftën e Tuzit, por e kanë qëlluar të vetët prapa krahëve. E dihet mirë se ku po u rreh çekani këtyre sajuesve të historisë sipas stilit komunist hoxhist në Shqipëri apo shovenist titist në ish Jugosllavi. Ka plot sajesa të tilla, ka plot njerëz që, për paret e huaja të shkreta apo nga terrina e mendjes, përhapin në popull histori që na ndajnë e na përçajnë sa me ju dhimbtë gurit e drunit. “Kjoft mallkue kush qet ngatërrime/ ndër kta vllazen shoq me shoq, /kush e ndan me fjal e shkrime,/ çka natyra vetë përpoq”- shkruante i madhi Ndre Mjeda. Nuk mbetet veç të them, Amen! Si konkluzion i natyrshëm mund të them se ka qenë fat i madh për Shkodrën si qytet, që ka pas shpatulla të mbrojtura nga Malësia e Madhe e deri në Dukagjin e Nikaj Mërtur dhe krejt afër nga Mirdita. Fat historik jetik e shpëtimtar, për të cilin fjalët e mirënjohjes duhej të shkruheshin në një monument me gërma të arta. Ka 2500 vjet që Shkodra mbijeton si mbretëreshë, falë maleve që i rrinë si një aureolë lavdie e përjetshme. Tetor 2019

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Histori Tagged With: Kolec Traboini, Kolec Traboini-Shkodra-Mirdita-Malesia e Madhe-Trinia

DARKA E PAHARRUAR…

October 5, 2019 by dgreca



Nga Memisha Gjonzeneli/*

 Kisha dhjetë ditë që isha kthyer në Çikago, pasi ndenja plot 45 ditë në Vlorën time të dashur. Tani po rri shtrirë në kolltuk, për të ndjekur ndeshjen e futbollit  Barcelona-Real. Kjo ndeshje është bërë në kohën e kaluar, po unë e ndjek herë pas here, se e kam për zëmër. Ndërkohë u ndez drita te porta dhe u dha një sinjal: kishte ardhur posta. U ngrita, fika sinjalin dhe zbrita poshtë. Hapa kutin, mora disa zarfe dhe po ngjitesha lart. Shikoj i gëzuar: një zarf me pulla shqiptare. I  hodha mbi tavolinë të tjerat dhe mbajta vetëm zarfin që kishte ardhur nga Shqipëria. E hapa. Brenda ishte një letër. E shpalosa letrën me kuriozitet dhe  ja çfarë shkruhej në të:

“ I dashuri  dhe i pa harruari kushëriri  im  Memisha! Të lutem shumë të më falësh për sa më poshtë: Para m shumë se 25 vitesh, ti kishe ardhur në Vlorë. Atje, ti  bëre  diçka që nuk e ka bërë  njeri deri më sot. Një raste i rrallë ky e që patjetër duhet përmendur e trumbetuar. Ti organizove një darkë të madhe për të gjithë kushërinjtë e parë dhe miqtë e t’u më të afërt. Në ftesë shkruaje se jeni të mirëpritur si çift, në ndonjë rast të veçantë, mund  të vijë  dhe një  i tretë, po jo më shumë. Darkën e bëre në Jonufër, te lokali i Fatmir Çeloaliaj, nipit tënd. Na ftoje të kalonim një darkë të këndshme përkujtimore me njeri tjetrin, për të shua mallin dhe për të shtuar dashurinë. Një tjetër kusht ishte se nuk pranohen  dhurata dhe të gjitha  shpenzimet  i mbuloja ti, me burimet personale”.

E mbylla letrën për një çast dhe u futa në kujtime… Ishte hera e dytë që veja për pushime verore në Shqipëri. Njerëzit ende nuk ishin çliruar nga mentalitetet  e kaluara dhe shiheshin si kundërshtarë të përjetshëm. Kur kaloja rrugës shumë nga kushërinjtë kthenin kokën anash dhe bënin sikur nuk më shikonin. Kjo më vriste e më dëshpëronte shumë. Nuk kishim pasur kurrë ndonjë konflikt serioz. Mandej edhe komshinjtë ishin shumë mirënjohës e dashamirës. “Skelarët” nuk hoqën kurrë dorë nga ne. U faleminderit!  Ne, nga babai, ishim fis i madh, gjithashtu edhe nga nëna po, si i gjithë populli shqiptar, të vendosur në kahe të ndryshme politike, shumë pak na flisnin, se ndruheshin nga presionet e diktatet komuniste, “mos ndoteshin prej armiqve” 

Kur u nisa nga Çikagua, me vete kisha marrë 2000 dollarë. Edhe këto i pata mbledhur me sakrifica të mëdha. Kur emigrova isha më shumë se 50 vjeç, çka ishte vështirë për të kursyer dhe këto para i ruaja si ujët e paktë. Po më duket se ndodhi një mrekulli, se vet Zoti ma pruri në mendje që të organizoja ketë darkë. Një javë mu desh të beja ftesa dhe t’i shpërndaja dorazi, me postë, por edhe me gojë.  I porositja për kushtet, zgjodha lokalin, që për fat, e kishte nipi im Fatmiri, e rregulluam edhe çmimin, pra  gjithçka ishte gati. Caktova një ditë të shtune, në orën 7 të darkës. Më kishin pushtuar shumë emocione. Lloj, lloj mendime, më shkonin në mendje. Më dukej se çdo gjë do më vente dëm e kot, me mendimin se nuk do ma kenë ngenë mua dhe se mund te jenë në punët e preokupimet e tyre. Po një zë më thoshte se do vijnë, nuk do mungojnë, se jemi gjak e soj me tradita fisnikërie të hershme, jemi të gjithë si motra dhe vëllezër. Të marrim erën e njeri tjetrit, se s’kemi folur nga afër prej shumë kohësh dhe nuk jemi parë sy më sy, e nuk jemi qafuar prej vitesh.  Patjetër do të vijnë!  

Ora, 7 fillonte hyrja. Unë, për seriozitetin e rastit, i veshur me kostum të zi, me këmishë të bardhë  dhe kollare, dola para, që t’i prisja. Nuk do ta harroj  kurrë ato çaste, kur njerëzit filluan të vinin të gjithë, të veshur bukur si për një festë të  madhe. Unë i qafoja të gjithë përzemërsisht, shumë i emocionuar. Gjithë jetës kam vuajtur, po asnjëherë nuk kam lotuar. Ky ishte rasti më oportun për të qarë, po nga gëzimi. Të gjithë pjesëmarrësit më uronin  dhe më përqafonin. Ajo ka qenë dita e jetës time, që unë kam marrë më shumë puthje dhe qafime. Të gjithëve u thosha me bindje e ëmbëlsi: zini vende, ku të doni, sonte jemi njësoj të gjithë. Aty kishte larmi personalitetesh: thjesht bujq e punëtorë, po dhe profesorë, ushtarakë, inxhinier, etj. Të gjithë atë nate ishim njësoj. U bëmë afro 100 vetë.  Derën  e lash të hapur, që cilido të futej lirshëm dhe vet shkova brenda. Në qendër, kishim vendosur një tavolinë me katër karrige dhe mbi të, një vazo të madhe, me lule të freskëta.  Disa nga gratë kishin prurë tava me ëmbëlsirë, torta, apo bakllava. Unë i kaloja dhuratat modeste dorë përdorë, që ti shikonin të gjithë, të relaksoheshin dhe të bindeshin se sonte, patjetër  duhet të jetë ditë gëzimi e hareje për këdo dhe që duhet t’i linim prapa krahëve qefmbetjet dhe mërite e vjetra.. 

Kur hyra brenda, për çudi, u ngritën të gjithë në këmbë. Unë u hutova paksa,  po në çast e mora veten dhe nisa të shkoja e ti takoja te tavolinat e secilit, duke buzëqeshur, përqafuar e falënderuar. Isha i lumtur edhe pse jo, i emocionuar tej mase. I urova mirëseardhjen dhe i falënderova me gjithë zemër, që u bënë pjesë e kësaj  darke solidariteti e dashurie.  

Në një çast  më lindi një ide kujtimi e malli për shumë farefisni që mungonin, ndaj me zë të dridhur u thash pjesëmarrësve: “Dhe tani,  do ju lutem  të gjithëve  të mbajmë një minutë zi, për të gjithë të dashurit tanë që kemi humbur para kohe dhe që  janë gjithashtu shkak, pse jemi mbledhur sonte këtu”. 

Mbasi mbaroj ky çast emocioni, mora gotën e rakisë në dorë dhe urova shëndet  dhe gëzime në çdo familje për vëllezërit, motrat dhe kushërinjtë për të cilët e organizova ketë  darkë të bukur, me qëllim që ta njohim më mirë njeri tjetrin dhe ta duam më shumë njeri tjetrin aq sa jemi në këtë jetë, duke u lutur dhe njëherë me shpirt, që t’i lemë mënjanë qefmbetjet dhe mëritë, për një trashëgimi të denjë  e të merituar.

 Pastaj, ju drejtova me respekt dhe ju luta më të vjetërit, të na gëzonte e të hapte ceremoninë e darkës.  Ai e quajti veten të nderuar dhe me gotën e rakisë në dorë, na uroj: “te kalojmë një darkë të gëzuar dhe të na bëhet mirë, shëndet e bereqet, pastaj tha edhe njëherë, gëzuar të gjithëve tej e tej  dhe e ktheu gotën me fund.  

Nja 10 minuta më pas u bë qetësi e madhe, pastaj  dikush u ngrit dhe me gotën e rakisë në dorë përshëndeti me mirësi e shëndete të gjithë pjesëmarrësit dhe në veçanti organizatorin. Mbas pak filloj kënga labe.  Kaq u desh dhe kumboi gjallërisht zhurma dhe lëvizja. Unë, që po e ndiqja  me merak situatën, pas kësaj,  u qetësova plotësisht dhe falënderova Zotin. Plot njerëz vinin te unë, toknin gotën e rakisë, më falënderonin dhe me pyesni: sa fëmije kisha, si ishin dhe kështu me radhë, për njohje më të afërt.

Darka vazhdoi deri në ora 11 të natës. Gjithçka kaloi shkëlqyer me rregull e harmoni, pa teprime. Së fundi dola te dera për të takuar secilin, t’u uroja, t’i falënderoja dhe t’u shprehja mbarësi në familje dhe kudo në punë e në jetë. Ndjeva  dhe vet një kënaqësi të veçantë dhe përqafimet dhe falënderimet nuk kishin mbarim. Mu bë zemra mal kur iknin  të gjithë të gëzuar dhe unë ndihesha i kënaqur dhe entuziast më shumë se ata, sepse çdo gjë që bëra, ja kisha arritur më së miri qëllimit të paramenduar. 

Kaluan vite. Pas kësaj pritje të gjerë miqsh, sa herë që shkoja në Vlorë dhe takohesha me kushërinj, ata tashmë afroheshin, qëndronin, qafoheshim dhe ndaheshim të gëzuar, duke kujtuar këtë darkë të paharruar, që la gjurma pozitive të pashlyera. 

Dhe ja sot kur kanë kaluar më shumë se 25 vite dhe unë ndodhem para një letre interesante e gjurmëlënëse, që ka lidhje me dobinë e kësaj darke, letër që, si pjesë e këtij tregimi për darkën e hershëme, ja vlen të citohet, pa e ndryshuar:

 “Unë, që po të shkruaj këtë letër, jam Hëna, çupa e Beqirit, që, nëse të kujtohet, sapo mora vesh për darkën, erdha pa ftesë. Erdha së bashku me djalin tim 5vjeçar. Hyra brenda në sallën e madhe dhe u ula në një tavolinë. Në tavolinë ishte dhe një kushërira ime, që kishim vite pa u parë. U ulëm të gëzuara. Erdhi dhe ushqimi, që ishte i shkëlqyer. Unë po kënaqesha. Kishte vite, që nuk më begeniste njeri. Aty nga mezi i darkës, më ikën djali nga krahu dhe vjen te tavolina qendrore, ku rrije ti. Ndërkohë dikush afër teje ktheu krahët dhe gati e injoroi tim bir. Ti, sa e pe, e more në duar vogëlushin, e përqafove dhe e pyete si e kishte  emrin. ai të tha Viktor. Po sa emër i bukur, i the ti. Ma ka vënë mami, të tha djali me mburrje. Po, vazhdoi ai, unë kam edhe një daje, që mami atë e mban gjithnjë në gojë dhe më thotë të bëhesh i mirë, si daja. Po unë atë as që e njoh, se ai nuk vjen në shtëpinë tonë. 

Në tavolinë, me ty, ishte dhe vëllai im, Etemi. (pikërisht ai ishte daja i tim biri). Ti kishe shumë afërsi me të, se e kishe ngjitur, flisnit dhe qeshnit, po kur more djalin tim në krah, ai, i ktheu kurrizin dhe nuk po fliste më. Unë, kur vura re edhe shqetësimin e tij, u ngrita  dhe erdha shpejt te ju dhe ta mora djalin nga krahu. Ti, fute dorën ne xhep ti jepje diçka. Unë nuk të lash, po veç mora djalin dhe ika. Ti i mërzitur, i the Etemit: 

-Ç’pate që u shtëmënge dhe e mbylle gojën? Ai t’u përgjigj: 

-Po pse, nuk e njohe atë gruan që të rrëmbeu djalin? 

-Jo, i the ti.  

-Po ajo është Hëna, ime motër, si nuk e mban mend? 

-Më fal, i the, nuk me kujtohet. Po pse nuk i fole e nuk e përshëndete motrën tënde, more Etem?

-Ajo ka ikur nga shtëpia, se donte një djalë. Ne i thamë mos e merr, po ajo nuk na dëgjoi dhe iku me të. Mbas tri vitesh, ai e la. Ne na ka ndaluar babai të flasim me të, tha Etemi. 

-Ç’far flet, more, i the ti. Si mund ta lesh motrën vetëm tani që ajo ka më shumë nevojë  për ju dhe sidomos për ty? 

Ai nuk u ndie më, po u ngrit të ikte. Ti i e kape për dore dhe i the: 

-Etem rregulloje sa më shpejtë këtë punë se është turp i botës!

Mbas tre ditëve ai erdhi te unë. Gëzimi im ishte i pakufishëm. Mbas dy ditëve erdhi dhe nëna me motrën. Atëherë e ndjeva ç’ishte lumturia. Unë fluturoja nga gëzimi për ditë me radhë, duke kompensuar edhe faktin që babai, deri sa vdiq, nuk më fali. 

Tani unë jam e lumtur. Djali mbaroj shkollën për arkitekt këtu në Angli. Unë punoj infermiere, po këtu, në profesionin ku kam mbaruar shkollën. Kështu bashkë me djalin jetojmë në Angli. Nëna vjen shpesh nga Shqipëria, ku duhet të kujdeset edhe për nipa e mbesa. Po për Viktorin ajo nuk duron dot, sado që ai  është bërë burrë, se  ajo e quan ende të vogël. Po dhe ai lë kokën për të. Ai i blen  gjithnjë  dhurata asaj. 

Kështu, kushëriri im i shtrenjtë, je ti që më dhurove gjithë këtë lumturi. Është merita jote, që më ribashkove me familjen. Kjo mund të ndodhte edhe ndryshe, po ja që tani ka një emër dhe ai është emri yt, sa i nderuar po dhe aq i dashur. 

Memo! I lexoj me mall të gjitha tregimet e tua të mrekullueshme edhe komentet, që janë njeri më i mirë se tjetri. Shoqëria dhe farefisnia do kenë gjithnjë nevojë për ty. Ne, të përqafojmë me mall dhe po deshe ose, po pate rrugën, ktheu kur të mundesh edhe nga ne. Ne gjithmonë do të të duam shumë, si shpëtimtarin tonë! HENA…”

Çikago,  5 Tetor 2019

*AUTORI është ish i burgosur politik, i dekoruar me medaljen “Naim Frashëri i Artë”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Elisha Gjonzeneli-Darka e paharruar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT