
-Deklaratë për Gazetën DIELLI: Komisionit Qendror i Zgjedhjeve për 41 ditë ka kryer të gjitha përgatitjet sa i përket organizimit të këtij procesi zgjedhor, ka arritur t’i kryejë detyrat e veta kushtetuese e ligjore dhe ky fillimi i mbarë pa ndonjë problematikë tregon për punën që është bërë, dhe po shpresojmë e besojmë që edhe e gjithë dita të jetë kështu/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Tetor 2019/Në Kosovë sot po votohet, është një ditë e demokracisë – e zgjedhjeve për Kuvendin 120 anëtarësh nga 1.067 kandidatët garues të 25 subjekteve politike.

Cilat janë pritjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë ditë, ka pyetur në konferencën për shtyp të mëngjesit korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, i akredituar edhe vëzhgues, duke cituar fillimisht fjalën e urtë shqiptare se “Dita e mirë shihet në mëngjes”.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, është përgjigjur:
“Komisionit Qendror i Zgjedhjeve për 41 ditë ka kryer të gjitha përgatitjet sa i përket organizimit të këtij procesi zgjedhor, ka arritur t’i kryejë detyrat e veta kushtetuese e ligjore dhe ky fillimi i mbarë pa ndonjë problematikë tregon për punën që është bërë, dhe po shpresojmë e besojmë që edhe e gjithë dita të jetë kështu”, deklaroi zëdhënësi Elezi për Gazetën DIELLI.
Ai bëri të ditur se, “në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali zgjedhor dhe të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, me përjashtim të disa qendrave të vogla që janë hapur me vonesë prej pak minutash”.
Në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, në mëngjesin e sotëm u hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime për 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në votimet e sotme ka numër më të madh pjesëmarrësish se në zgjedhjet parlamentare të para dy vitesh – 11 Qershorit 2017.
“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 174 mijë e 669 votues apo 9.64%. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës në vitin 2017 kishin votuar 150 mijë e 244 votues, apo 8.45%”, deklaroi në mesditë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila ishte ndër votueset e para që herët në mëngjes, si edhe shumë qytetarë.Nga mëngjesi, ora 7, kanë votuar gjatë paraditës edhe drejtues të institucionave më të larta shtetërore e liderë të partive politike, kandidtët për deputetë dhe kandidatët për kryeministër të Kosovës.Vendvotimet mbyllen në mbrëmjen e sotme, në orën 19, e pastaj do nisë numërimi i votave dhe bëhen të ditura rezultatet e para preliminare.Gazeta DIELLI nga korrespondenti i saj i akredituar edhe vëzhgues i zgjedheve në Kosovë do vijojë të jetë në vendngjarje dhe të raportojë për zhvillimet e rezultatet e votimit.