• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

PALMER NË KOSOVË: SI MUND TË SHTROHET RRUGA DREJT PAQES

November 1, 2019 by dgreca

“Përfaqësuesi Special Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë”, theksohet njëjtë në të dy komunikatat e dërguara – nga Presidenca e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës/

PRISHTINË, 1 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ 

Mbërriti sot në Kosovë Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, njëherësh Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Ka zhvilluar takime me drejtues institucionalë e politikë, ndërsa ka folur para një publiku të përbërë nga studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë/

“Përfaqësuesi Special Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë”, theksohet njëjtë në të dy komunikatat e dërguara – nga Presidenca e Kosovës dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

KOMUNIKATA NGA PRESIDENCA E KOSOVËS – DEPARTAMENTI I INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT ME PUBLIKUN:

Presidenti Thaçi priti Përfaqësuesin Special të SHBA-së, Matthew Palmer

Prishtinë, 1 nëntor 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot të ngarkuarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Presidenti Thaçi dhe i ngarkuari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor kanë biseduar për zhvillimet e fundit dhe për nevojën e krijimit të shpejt të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e bekuar që ka mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

“Kosova është një demokraci e konsoliduar, e dëshmuar në zgjedhjet e fundit. Ka institucione të pavarura të fuqishme, profesionale, të pavarura dhe liri të shprehjes”, ka thënë presidenti Thaçi.

Përfaqësuesi Special, Matthew Palmer, foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Presidenti Thaçi shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e reformave për rend dhe ligj, për forcimin e të ardhmes euroatlantike, për reformat demokratike dhe do të angazhohet maksimalisht për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila forcon paqen jo vetëm brenda dy vendeve, por në tërë Ballkanin Perëndimor.

KOMUNIKATA NGA LDK – ZYRA PËR INFORMIM:

Kryetari Mustafa dhe nënkryetarja Osmani takojnë zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer

Prishtinë, 11 nëntor 2019

Sot, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa, së bashku me nënkryetaren, Dr. Vjosa Osmani, takuan zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. 

Gjatë këtij takimi shumë produktiv, u diskutua lidhur me çështjet që LDK i sheh si prioritet për institucionet e ardhshme që lidhen me agjendën e brendshme si dhe politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, siç janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu Kosovë-Serbi. 

Kryetari Mustafa e falënderoi Zv. Ndihmës Sekretarin Palmer për angazhimin shumë aktiv dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara si dhe për angazhimin e tij personal për ta përkrahur Kosovën në të gjitha prioritetet dhe sfidat që na presin. 

Përfaqësuesi Special Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Filed Under: Komente Tagged With: Palmer-Presidenti Thaci- kosova-Rruga e Paqes

CITADELA , MUNDËSI E PASHFTRYTËZUAR PËR SKENË VERORE

November 1, 2019 by dgreca

Në sajë të kaluarës së tyre historike qytetët e vjetra janë shpallur monumente të mbrojtura më ligj dhe si të tilla  janë  në favor të avancimit të vlerave të përgjithshme e në veçanti të turizmit  kulturor,  ndërsa  pjesë të tyre janë restauruar dhe përshtatur për veprimtari kulturore, të njohura me emërtimin  skena verore, ku shfaqen programe kulturore, ndërsa në këtë aspekt  përjashtim bën Kalaja e Ulqinit, e cila ndonëse  ofron mundësi optimale deri më tash  pushteti lokal  nuk ka   treguar interesimin e duhur  për investime të tilla, nga del se kultura ka qenë vazhdimisht  në margjina të  interesimit të tyre si në të kaluarën edhe në ditët tona. 

Shkruan: DR.Nail  Draga/

Në kuadër të Kalasë së Ulqinit, përkatësisht të kompleksit muzeal ekziston Citadela, e cila është e njohur në popullatën vendase me emrin Shkalaja. Kemi të bëjmë me pjesën  veri-lindore të Kalasë,  që është pjesa më e lartë e qytetit ku gjurmet e banimit na çojnë deri në parahistori, ku janë të pranishën mbetje të gurëve ciklopikë. Kjo hapësirë deri para pak kohe ka qenë e pa restauruar, përkatësisht e pa konservuar dhe e pa përshtashme për vizitorë. Si e tillë ajo mund të trajtohet në shumë aspekte, ku vendin parësor e zenë ai historik, arkitektonik duke mos anashkaluar ate turistik. Dhe, nuk ka si të jetë ndryshe se kemi të bëjmë me pjesën integrale të këtij qyteti të vjetër me histori dymijë e pesqind vjeçare. Por, në sajë të rrethanave ekzistuese kjo pjesë e Kalasë nuk ka qenë e mundur të vizitohet nga turistët sepse ishte në gjendje të mjerueshme, përkatësisht e pa konservuar.

Por, me angazhimin e Qendrës konservuese e arkeologjike nga Cetina, në sajë të mbeshtetjës së një projekti nga Ministria e Kulturës, përmes Programit të Mbrojtjes dhe Ruajtjes të të Mirave Kulturore për vitin 2019. Skuadra multidisiplinore ishte e formuar nga ekspertët e  konservimit, siç janë  arkitekturët, historianë  të artit dhe arkeolog, ku  punimet  në Shkala  u realizuan gjatë muajve shkurt-mars 2019. Ishte ky angazhimi konkret pas vitit 1983, kur është bërë restaurimi komplet i Kompleksit muzeor të Ulqinit i cili ka qenë i shkatërruar nga termeti i vitit 1979.

Shkalaja hapësirë e pashfrytëzuar?

Në sajë të të dhënave historike, Kalaja e Ulqinit, fizionominë urbane e ka arritur në kohën e sundimit të Venedikut(1421-1571) duke vazhduar më pas nga Perandoria Osmane(1571-1880). Shkalaja i takon periudhës vendedikase, që dëshmohet edhe me mbishkrimin Johani Bolani, në murin që ndanë ate me sheshin e qytetit, i cili ka qenë fisnik venedikas, princ përkatësisht  administrator i qytetit(1452-1456).

Pas, konservimit të saj, duke marrë parasysh sipërfaqën e saj dhe mundësitë teknike, pa dyshim se këtu ka mundësi realizimi i një mjedisi për skenë verore. Duke marrë parasysh mundësitë praktike, skena e tillë do të ishte e tipit të montuar metalik, ku do të kishte 130 vende, duke shtuar binën dhe dy dhoma për aktorët. Në sajë të strukturës ekzistuese, skena ka dy hyrje të veçanta njëra për publikun(lindje) dhe tjetra për aktorët(perëndim), duke krijuar një kompozicion aktraktiv dhe funksional.

Një skenë e tillë do të ishte e përhershme, sikurse e kanë edhe qytete të tjera në bregdet si Budva e Hercegnovi, duke qenë një kontribut veprimtarive kulturore në qytetin e Ulqinit. Kujtojmë me këtë rast se gjatë verës  në hapësirat e kompleksit të Muzeut në Ulqin organizohet festivali tradicional “Skena verore” tash tri dekada, Por, çështje në vete e kësaj veprimtarie vazhdimisht ka paraqitur skena, sepse ajo nuk ishte e përhershme, por improvizohej çdo verë, herë në njerën apo anën tjetër varësisht prej shijes së drejtuesve të këtij festivali.

Duhet punuar projekti ideor

Fillimisht duhet të punohet në projektin ideor që më pas  duhet të mbeshtetet  nga pushteti lokal i Ulqinit, por edhe nga subjekte e donator të ndryshëm. Por, sipas disa të dhënave një projekt i tillë  nuk paraqet ndonjë ngarkesë të madhe financiare, është e logjikshme qe një projekt i tillë duhet të jetë pjesë e investimeve kapitale të komunës së Ulqinit për vitin vijues. Do të ishte ky investimi i parë kapital në kompleksin e Muzeut pas vitit 1983. Pikërisht modelet identike nga qytetet e tjera duhet  të merren në konsiderim dhe përshtatur mjedisit përkatës në citadelën e Ulqinit.

Në Kala si monument kulture i kategorisë së parë përkatësisht në kompleksin e Muzeut, turistët kanë mundësi të vizitojnë muzeun arkeologjik, etnografik, kullen e Balshajve, murin ilir  dhe pjesë të tjera, ku duhet shtuar edhe Shkalanë. Rrallë kund mund të ketë një sipërfaqe kaq të vogël, e të gjinden monumente të tilla, nga koha antike e deri në ditët tona.

Shkalaja do të jetë në shërbim të vizitorëve duke qenë një ofertë plus për turizmin kulturor, sepse  nga bedemat e saj kemi një pamje ekskluzive  në pjesën veri-lindore të qytetit të Ulqinit.

Përfundimisht mungesa e një skene të përhershme dhe funksionale do të zgjidhte shumë probleme të infrastrukturës organizative e cila do të ishte në favor të komunitetit artistik në Ulqin. Mbetet që kjo çështje të mos mbesë vetëm si ide dhe preokupim i rastit, por të avancohet në adresen e duhur, fillimisht në drejtim  të pushtetit lokal e më pas  edhe gjetiu, për të siguruar   mbeshtetje logjistike dhe financiare, për realizimin praktik të një ideje të tillë. Sepse një skenë e tillë nuk ndikon në humbjen e vlerave të këtij monumenti historik, por përkundrazi bëhët valorizimi dhe avancimi i përgjithshëm i tyre, si kudo në botën e qytetëruar.

(Tetor 2019)

Filed Under: Kulture Tagged With: Nail Draga- Citadela-Skena verore

Ka mbërritur koha të servirim Ismail Qemalin si një Putin

November 1, 2019 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/Florida/

Në fakt është një absurd ditor të merresh me ndërhyrjet ruse sidomos tani kur dhe dy ditë kanë mbetur nga mbyllja afateve kohore për aplikimet në lloton amerikane. Vitin e kaluar Shqipëria kapi një numër rekord aplikantësh, gati 350 mijë, një shifër që i bie afro sa gjysma e gjysmës se numrit aktual të popullatës. Ndërkohë që jemi një vend ku 40% e shoqërisë kanë gati 30 vjet që jetojnë në perëndim, si rrjedhoj kanë dalë brezat e para me edukimin perëndimor, me besimin pas vendeve ku jetojnë dhe padyshim kemi gjyshërit  e stërgjyshërit e parë andej si edhe krushqitë e para. Ai motaku që iku me anije në 1990 sot është bërë prind. Ai pesëvjeçari që u fut në ambasadë me familjen sot është kuadër në Suedi.

Ai që iku nga malet në Greqi, sot është qytetar potencial në Athinë. Një shoqëri tashmë e konsoliduar në stadet e jetës sa që kur shikon këto debate televizive vë buzën në gaz më shumë me plasje shpirti duke kujtuar një fakt historik, atë që tjetër ka qënë pririja sociale dhe tjetër ajo shtetërore. Rusia vet ka një popullatë të supervuajtuar, megjithatë administrata shtetërore e ka bërë qytetarin e saj një të tillë sa ta shohin me dyshim kudo. Eshtë një shtet që ia administron naftën Anglia por që i bën karshillëkt perëndimit, megjithëse perëndimi ka kapur elektricitetin. Kurse administratat e tjera, ku bën pjesë edhe Shqipëria, e përdorin si gogolin për të frikësuar popullin kalama. Megjithëse sipas raporteve ekonomike botërore nuk Hollanda sa thoi i gishtit të saj, ka një ekonomi 10 herë më të konsoliduar. E tillë është dhe ndërfutja e fundit e administratës publike e asaj që lëviz makinerinë e propagandës dhe jo atë të ekonomisë, mbi një rrezik rus, mbi një devijim të Shqipërisë drejt stepave. Deri dje na çuan në stepa, na çiftuan, na ndanë, tani vrapojnë të na e sjellin si gogolin, si asimiluesin. Madje shoh se si gazetarë a deputetë janë gati të shqyhen për t’i mbushur mendjen popullit se tani që na refuzoi Franca mund të na gllabëroj Rusia. Janë pikërisht ato strategji që përdornin dikur në lidhje me ndërhyrjet e perëndimit, me bandat e diversantëve apo cënimin e sovranitetit dhe rendit publik shqiptar. Në gjashtë vjet pushtet, u atashuan pas Turqisë dhe Erdoganit duke injoruar totalisht prirjen sociale, pra vendet ku jetojnë pjesa bruto emigrantëve shqiptarë, Greqia dhe Italia.

Në Amerikë u përpoqën të krijojnë një mërgatë te re, madje tentuan t’i përçajnë. Tani që makina e propagandës po na mbyt me rrezikun rus u kujtua të takohet me kryeministrin e Greqisë dhe atë të Italisë. Nga ana tjetër sipas këtij aktorit francez me atdhe të ri Rusinë, Xherarit, demonstron idenë e ballkanit të mbyllur, një lloj ishulli i kohës së bllokadës kur Shqipëria aderonte në vendet e uninonit të lindjes.

Pra ajo që është absurde në raportin e shtetit tonë me qytetarët është fakti i deivijit të madh të këtij të parit karshi prirjes sociale. Me një fjalë kur qytetarët në masë priren kah perëndimi, shtetit i tyre i ka ofruar lindjen, diktatin, kalifatin radikal të Turqisë, Rusisë apo Kinës së largët. Dhe pikërisht pinjollët e tyre sot ulërasin për një rrezik rus deri në sovranitetin e vendit. Megjithëse i kanë penguar shqiptarët të integrohen në perëndim, nuk kanë harruar që fëmijët e tyre, shtetarët por edhe këta pinjollët, t’i çojnë me studime aty. Pra shqiptarët në përgjithësi nuk kanë pasur probleme orientimi, nuk kanë pasur probleme ruse, rrezik rus etj., madje nuk e njihnin fare hapësirën ruse, shteti ia afroi, shteti i bëri të mësonin se çfarë ishte Siberia, çfarë ishte Gulaku, internimi a lufta e klasave etj. Shqiptarët njihnin dhe adhuronin Ana Kareninën apo Haxhi Muratin, Zhivakon, Lermontovin, Pushkinin etj. Por Shteti ua hoqi këto dhunti, u ofroi propagandën, herë për një marshim rus dhe herë për një kërcënim rus. Pra për shqiptarët rreziku nuk ka qënë asnjëherë Rusia, shqiptarët janë në kalata tragetesh, në aeroporte, po gjyshërojnë në perëndim. Këtë e dinë mirë edhe rusët vet. Sa është bajate kur shikon një analist pro qeveritar me gojën hapur për të kapur miza, flet i kërcënuar për financimet ruse tek Pd-ja e Lulzim Bashës. Dhe ka të drejtë, se nuk po del një opozitar e t’i hedhi një kovë me ujë në kokë, jo këtij gagarelit opinionist të rrezikut rus, por Lulzim Bashës. Opozitës që nuk del në rrugë për të përmbysur një herë e mirë këtë vasale administratë propogandë. E cila ka telendisur ekonominë e vendit në dhënien me qera qesharake deri të vendburimeve të lumenjëve si rasti i Bistricës. Kjo është e gjitha…, se në fakt ata që flasin gjithë ditën pro rrezikut rus, i kanë marrë Rusisë veset, modelet, po modelet më të këqija ama, të pushtetosjes pafundësisht. Kësisoj rreziku real për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk është Rusia e Putinit, por modeli Putin që aplikon shefi i rilindjes apo i vetnominuari si Ismail Qemali i ri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Ismail Qemali-Putini

PALMER FLET NGA PRISHTINA EDHE PER SHQIPERINE

November 1, 2019 by dgreca

-Fjala e Përfaqësuesit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer në Prishtinë, 1 nëntor 2019/

Edhe Shqipëria, aleatja jonë në NATO, duhet të qëndrojë në rrugën e duhur. Integrimi i saj në BE është çështje e përqendrimit të pandërprerë dhe vullnetit politik/

Më vjen mirë që jam sërish në Prishtinë. Ky qytet është kaq i gjallë – me të rinj të talentuar që nisin ndërmarrje të reja, që nuk presin, por investojnë në të ardhmen e tyre. Ky është vend i rritjes dhe ndërtimeve të reja, që zhvillohet mbi trashëgiminë e historisë dhe traditës. Si zyrtar… më i ri… i Shërbimit të Punëve të Jashtme, i caktuar në Beograd para gjysmë shekulli, rregullisht vizitoja Prishtinën ku takohesha me Dr. Rugovën dhe me mendimtarët e tjerë kryesorë – njerëz të guximshëm të komunitetit shqiptar të Kosovës që i bënin ballë ndjekjeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke rrezikuar mirëqenien e tyre dhe të familjeve të veta për të siguruar të ardhme më të mirë.

Përmes gjithë atyre sfidave, vështirësive dhe vuajtjeve shihja shpresë dhe mundësi. Sot, është e jashtëzakonshme – gjallëruese – kur e shoh se çka keni arritur, çka është bërë ky vend, kur i shoh rezultatet e përpjekjeve tuaja. Dinamizimi i Kosovës pasqyron një popullatë që ende punon me shumë mund për të ardhmen e vet: për të përmirësuar jetën; për demokraci që njëmend funksionon për qytetarë; për shoqëri që mund të ofrojë mundësi sociale, politike dhe ekonomike, për të cilat janë të etur dhe të cilat qytetarët i kërkojnë me plot të drejtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë qëndruar përkrah popullit këtu, i kanë mbështetur aspiratat e tyre, si mik dhe partner në kërkim të progresit. Themeli i politikës amerikane ndaj këtij rajoni vital për shumë vite ka qenë se zgjidhja për stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor duhet të përfshijë Kosovën dhe qëllimi ynë për këtë rajon ka qenë dhe mbetet integrimi i tij i plotë në Evropë, në tërësi dhe i lirë. Emërimi im si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor dhe emërimi nga ana e presidentit Trump i ambasadorit Grenell si Emisar i posaçëm presidencial për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nënvizon – nëse ka pasur ndonjë dyshim – se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pranishme, të përqendruara dhe të gatshme për të ndihmuar.

Kjo është arsyeja pse jam sërish këtu. Kosova nuk mund të mbetet jashtë ndonjë zgjidhjeje të qëndrueshme për rajonin. Njësoj: Kosova e izoluar nuk mund ta arrijë të ardhmen më të mirë për vete. Kosova duhet ta kuptojë se bashkëpunimi dhe kompromisi mes fqinjëve janë valuta e përparimit në një Ballkan të ndërthurur e të ndërvarur në një botë ku largësia është zvogëluar.

Zgjidhja njëherë e përgjithmonë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i SHBA-së, një zgjidhje që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në popullin dhe më gjerë në rajon. Ajo zgjidhje do ti çlirojë të dyjat, Kosovën dhe Serbinë, nga trashëgimia e armiqësive që shterr fokusin dhe energjinë e tyre dhe do të hapë mundësi ekonomike. Do t’ua mundësojë udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për t’ia kushtuar tërë vëmendjen e tyre çështjes së përmirësimit të jetës së popullit të tyre, duke trasuar rrugën për të ardhme paqësore dhe prosperuese.

Kosova ka demonstruar fuqi të madhe demokratike me zgjedhjet në fillim të tetorit, të cilat vërtetuan rëndësinë e garës zgjedhore dhe të zërit të popullit. Përderisa numërimi i votave po finalizohet, është e qartë se opinioni publik i Kosovës votoi për ndryshim dhe duket se votuesit zgjodhën partitë që shprehin parime të qarta kundër korrupsionit dhe për zhvillim ekonomik më të madh e më të fokusuar. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përqafojnë këto qëllime. E nxisim qeverinë e re për të parë mundësinë e normalizimit si përforcues të kësaj agjende – jo si konkurruese. Sytë e botës do të shikojnë se çka do të bëjë qeveria e re e Kosovës. A mund të merret me prioritetet e brendshme të kërkuara nga populli madje edhe përderisa merret me sfidat ndërkombëtare të cilat Kosova duhet ti zgjidhë për të përparuar. Kosovës i duhet një koalicion qeverisës që përfaqëson popullin njëzëri – një që ka objektiva reale dhe plan si ti arrijë ato.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta: shpresojmë të shohim qeveri të gatshme për të adresuar sfidat e jashtme, si dhe çështjet e brendshme. Në vend se ta shohim dialogun si shpërqendrim nga këto çështje – konsiderojeni normalizimin si trasim të rrugës për prosperitet dhe drejtësi. Çdo hap i kaluar pas normalizimit do të jetë shumë më i lehtë në një rrugë të trasuar me paqe. Marrëdhëniet e përmirësuara dhe përparimi në bisedimet me Serbinë hapin mundësi për investime fitimprurëse që krijojnë vende të reja të punës prej të cilave mund të përfitojë i tërë populli i Kosovës. Të armatosur me mandatin e ri nga votuesit, qeveria – kur të formohet – mundet dhe do të duhej ti rigjallërojë negociatat e dialogut. Shtetet e Bashkuara do ta përkrahin gjithmonë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, por nuk shohim kurrfarë mundësie për integrimin e plotë të vendit tuaj në sistemin ndërkombëtar që nuk përfshin pajtimin me Serbinë.

Jam i pari që do ta pranoja se negociatat me Serbinë kanë qenë të ndërlikuara dhe që vazhdimi i rrugëtimit për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve do të jetë sfidë që kërkon konsensus të gjerë dhe mbështetje të publikut. Por, historia relativisht e shkurtë e Kosovës është histori e përballjes dhe tejkalimit të sfidave të rëndësishme dhe e sakrificave të domosdoshme për të arritur përparim. Gjatë përpjekjeve për çlirim! Në Rambuje! Gjatë bisedimeve Ahtisaari! Me shpalljen e pavarësisë, të cilën e konfirmoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Kosova sërish tregoi vizion të palëkundur se ku dëshiron të arrijë dhe mori qëndrim. Ajo mund ta bëjë këtë sërish. Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani ju duhet normalizimi për të çliruar plotësisht potencialin e madh të këtij vendi.

Mbështetja e SHBA-së për Kosovën sovrane, demokratike dhe të pavarur është më se e fortë. Ky është themeli i marrëdhënies sonë të dyanshme. Por, qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se vetëm partneritet të fortë me SHBA-në. Ju e meritoni botën. E meritoni BE-në e NATO-n e OKB-në. Ju e meritoni integrimin e plotë ndërkombëtar dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ju e meritoni që të mos qëndroni prapa Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por krah për krah me ne si partnerë tanët. Mënyra e vetme për ta siguruar atë të ardhme është përmes dialogut me Serbinë e status quo-ja nuk mjafton.

E di se shumë njerëz këtu janë skeptikë rreth dialogut dhe e shohin atë vetëm si ‘gotë gjysmë e mbushur’. Por, dëshiroj të theksoj çka ka fituar Kosova tashmë përmes tij:

  • Prej fillimit, vetë themelet e dialogut kanë qenë që Kosova ka negociuar si shtet, si ebarabartë përballë palës tjetër, e ka përfaqësuar vetveten dhe interesat e saj më të mirë.
  • Dialogu e ka bërë të mundshme konkretizimin e Deklaratës së Selanikut të BE-së të vitit 2003 me aranzhim real, të strukturuar, kontraktual me BE-në përkundër pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e vendit e që turbullojnë qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës.
  • Dialogu trasoi rrugën që pesë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen Ballkani Perëndimor Gjashtë, me Kosovën si pjesëmarrëse e barabartë, përfshirë edhe në procesin e Berlinit.
  • Me “Marrëveshjen e parë” të 2013-s u arrit shpërbërja e organizatave kryesore paralele në territorin tuaj. Institucionet e Kosovës janë të vetmet të pranuara në territorin tuaj përmes marrëveshjes me Serbinë – nuk ka polici apo gjykata të ndara.
  • Dialogu riafirmoi që ligji i Kosovës paraqet sundimin e ligjit nëpër tërë vendin. Qindra ish-shërbyes publik serbë i premtuan besnikëri institucioneve të Kosovës dhe për çdo ditë e zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në punën e tyre. Gjyqtarët e Kosovës dhe ligjet e Kosovës e thonë fjalën e fundit.
  • Prej vitit 2013, serbët në tërë Kosovën marrin pjesë në zgjedhje sipas ligjeve të Kosovës; Beogradi nuk bën më thirrje për bojkotimin e tyre; dhe vetëm dokumentet e Kosovës dhe ligjet e Kosovës përdoren në zgjedhje.
  • Menaxhimi i integruar i kufirit ka lehtësuar lëvizjen e njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata tash mund ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftim, me pranim të plotë në Evropë të sigurimit të veturave dhe patentë shoferit, duke i dhënë fund regjimit të kushtueshëm të sigurimit kufitar, dhe ka mundësuar përdorimin e dokumenteve të Kosovës për të dalë nga Serbia në shtetet e treta.
  • Kosova ka hapësirën e vet të njohur doganore dhe bën mbledhjen e tarifave doganore në të gjitha vendkalimet për buxhetin e saj.
  • Regjistri civil i Kosovës tashmë është rikrijuar plotësisht.
  • Kosova e ka kodin e vet ndërkombëtar telefonik.
  • Diplomatët nga Ministria juaj e Punëve të Jashtme janë të akredituar në Beograd.
  • Kompromisi për yllin i siguroi Kosovës vend të barabartë në organizata të shumta rajonale. Në fakt, pikërisht tani vendi juaj kryeson procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore.

Ka edhe përfitime të tjera që mund ti përmendi. Por, kryesorja është se Kosova ka negociuar në mënyrë paqësore dhe të suksesshme marrëveshje të vështira, madje edhe përkundër konfliktit shumë të rëndë, tragjedisë njerëzore dhe dallimit të gjithmbarshëm emocional të pikëpamjeve me Beogradin.

Sot e keni rastin për të ndërtuar mbi këto suksese dhe për tu përqendruar në të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj apo ata që do të vijnë. Kosova e ka gjithë këtë energji, ide, frymë ndërmarrësie, popullatë të aftë – të gjithë përbërësit që i duhen. Përbërësi i vetëm që i mungon Kosovës është një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë e bazuar në njohjen e ndërsjellë.

Në botën e sotshme të ndërlidhur, të jesh anëtar i pranuar i institucioneve multilaterale, ndërkombëtare do të thotë institucione më funksionale në vend. P.sh. policia efikase e vendit duhet të jetë edhe anëtare e Interpolit dhe thesaret kulturore të Kosovës duhet të mbrohen si pjesë e sistemit të UNESCO-s. Besoj se Kosova është e gatshme për të kontribuar dhe për ti përmbushur zotimet ndaj këtyre dhe ndërmarrjeve të tjera multilaterale.

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë po ashtu hap më shumë mundësi ekonomike për ndërmarrjet dhe punëtorët kosovarë, ofron mundësi të barabarta për Kosovën për të konkurruar në aspektin komercial, mundëson shkëlqimin e frymës së saj ndërmarrëse. Kjo është esenciale për zhvillimin ekonomik dhe përparimin për qytetarët e Kosovës. Kosova duhet ti bindë bizneset se ky është vendi i duhur për të investuar. Bizneset ngurrojnë të investojnë këtu jo pse mendojnë se mungojnë mundësitë apo punëtorët e talentuar, por sepse ata vazhdojnë me perceptimin se këtu vazhdon të ketë konflikt, se nuk është vend i sigurtë, se rreziku është shumë i madh. Nëse bizneset shohin përparim, shohin mjedis operativ të karakterizuar me sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë – ata do të duan të vijnë këtu sa më herët e sa më parë. Bota është e mbushur me vende që kanë mospajtime politike mes fqinjëve, por kur bizneset mund të angazhohen lirshëm, kur njerëzit dhe mallrat mund të lëvizin pa pengesa, aty ka prosperitet – e prosperiteti ndihmon në sigurimin e paqes.

Bisedimet nganjëherë kanë pasur mungesë transparence dhe njerëzit me të drejtë janë të uritur për ndryshime, me të drejtë janë të shqetësuar me çështjet themelore si korrupsioni dhe vendet e punës. Po ashtu është e vërtetë se negociatorët e çdo ujdie të vështirë, inovative, ndërkombëtare duhet të kenë hapësirë gjatë negociatave për ti eksploruar idetë, kompromiset e mundshme dhe artin e të mundshmes. Duhet të kenë mundësi ta bëjnë këtë pa ndëshkim për ato përpjekje, pa ndëshkim për marrjen e rreziqeve. Shqetësimi i disave – e ndoshta dëshira e disa të tjerëve– ishte që SHBA-ja do të përpiqej për t’ua imponuar zgjidhjen Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund dhe nuk do të bënim diç të tillë. Mbani në mend: nuk ka marrëveshje përfundimtare pa pajtimin e Kosovës dhe të Serbisë dhe pa miratimin e saj nga Kuvendet përkatëse – ashtu siç kërkohet me kushtetutat e dy vendeve.

Sigurimi i kësaj do të duhej të jetë prioritet i të gjithë qytetarëve, partive dhe qeverisë suaj të re. Udhëheqësit e Kosovës duhet të përgatiten për tu riangazhuar në këtë çështje më se të ngutshme ndërkombëtare dhe të organizohen përbrenda për tu riangazhuar me Serbinë në mënyrë efikase. A mund ta paramendoni ditën kur çështjet e papërfunduara të kenë përfunduar dhe Kosova tash është lidhur plotësisht me rrjetin e të gjitha shërbimeve dhe përparësive të Evropës? A mund ta paramendoni – siç mund ta paramendoj unë – përfitimet për ju dhe fëmijët tuaj në një rajon në paqe, të shënuar ndoshta jo me pengesat tregtare hakmarrëse që të bëjnë të ndjehesh mirë, por me lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve?

Në anën tjetër, a mund ta paramendoni përparimin e Kosovës nëse konflikti i ngrirë zvarritet dhe parandalon integrimin e Kosovës me fqinjët dhe në sistemin ndërkombëtar? A mund të pritni mundësi më të mëdha për bizneset e Kosovës nëse kjo situatë vazhdon edhe më tej?

Edhe Serbia duhet të ripërqendrohet në interesat e saj strategjikë të përgjithshëm. Ajo ka qenë agresive në përpjekjet e saj për deligjitimitetin e Kosovës. Serbia duhet ta ndalojë fushatën e saj për nxitjen e vendeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Serbia duhet ta ndalojë ngacmimin e serbëve të Kosovës pjesëtarë të institucioneve të Kosovës. Retorika e pandërprerë e konfrontimit – sinqerisht, nga të dy anët – duhet të ndalet. Këto masa vetëm kanë prishur atmosferën për një marrëveshje kompromisi, e cila i duhet Serbisë për të përmbushur potencialin e saj të plotë. Presidenti Vuçiq dhe pjesa më e madhe e Serbisë e dinë se Serbia kurrë nuk do të hyjë në BE nëse nuk e zgjidh kontestin e kahmotshëm me Kosovën. Përderisa zërat e tjerë prijës në Serbi refuzojnë ta pranojnë Kosovën si fqinje, por e shohin si pronë, atëherë do të ketë ngecje, nga e cila Serbia humbet politikisht edhe ekonomikisht.

Prandaj, le ti dyfishojmë përpjekjet tona së bashku. Jemi të gatshëm për të punuar me udhëheqësit e të dy vendeve për të eksploruar opcione, që do të marrin mbështetjen e opinionit publik të të dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve. Për Kosovën dhe Serbinë kjo është pikë kthese, çast i mundësisë së hatashme, çast vendimi: a vazhdoni përpara në kërkim të një ujdie historike që do të mund të ndryshonte pamjen e këtij rajoni apo do të lejoni që vendet tuaja të shkojnë prapa? Shikoni nivelin e lartë të vëmendjes që SHBA-ja po ua kushton për t’ju ndihmuar që ta tejkaloni këtë pengesë njëherë e përgjithmonë dhe për të ecur përpara në rrugëtimin tuaj përkatës, të çliruar nga prangat historike që po ju tërheqin poshtë. Yjet janë të renditura. Ju nxis ta shfrytëzojeni këtë mundësi.

Kosova nuk është ishull; është pjesë integrale e këtij rajoni. E ardhmja e Kosovës do të formohet gjithashtu edhe nga ngjarjet dhe zhvillimet në fqinjësinë e saj. Do të dëshiroja të flas pak për zhvillimet rajonale.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Perëndim duhet të kompletohet. Për ne, kjo nënkupton anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjithë dhe në NATO për të gjithë ato vende të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë ti bashkohen. Kjo nuk është vetëm “punë e papërfunduar” për SHBA-në. Ky vizion është qendror për interesat strategjikë të SHBA-së – dhe do të pohonim, edhe interes strategjik evropian – sepse do të përforcojë partneritetin transatlantik për të adresuar sfidat në rritje gjeopolitike me të cilat përballemi sot. Pa integrimin e tërë Ballkanit, Evropa, partnerja jonë, është më e dobët. Kjo është politikë e SHBA-së dhe politikë e BE-së. Por, ç’është më e rëndësishme, këto janë vizioni dhe vlerat që vendet e rajonit i kanë shprehur për vete.

Them „ç’është më e rëndësishme” sepse ne nuk mund ta dëshirojmë këtë të ardhme për partnerët tanë më shumë se sa që e duan ata për vete. Zgjidhja e konflikteve të kahmotshme, luftimi i korrupsionit, rritja e transparencës së qeverive, mbrojtja e medieve të pavarura dhe ndërtimi i një qytetarie të angazhuar janë gurë thelbësore në këtë rrugëtim drejt Perëndimit. Për të arritur dhe mbajtur këto kërkon udhëheqje të vërtetë, vendime të guximshme dhe gatishmëri për të ndërmarrë rreziqe politike.

Kjo është arsyeja se pse dështimi i Këshillit Evropian për të arritur koncensus për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me shtetet kandidate Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte aq zhgënjyes. Të dy vendet u kualifikuan pas ndërmarrjes së reformave të jashtëzakonshme. Udhëheqësit e BE-së e pranuan se shtetet aspiruese kishin bërë krejt çka iu ishte kërkuar dhe “pauza” për ti bindur të gjitha shtetet anëtare të BE-së është frustruese. BE-ja duhet ti kryejë detyrat e vet dhe shpresojmë ti kryejë ato shumë shpejt. I nxisim shtetet anëtare të BE-së për të marrë vendim pozitiv për të dy vendet shumë më përpara Samitit të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në maj të vitit të ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, vendet e rajonit duhet ta vazhdojnë transformimin sepse hapja e negociatave për anëtarësim nuk paraqet fundin e reformave shtetërore, por është hapi i parë në një proces të gjatë, të ndërlikuar dhe kërkues. Nuk e mohoj se procesi i anëtarësimit në BE është vështirësuar në krahasim me raundet e mëhershme të zgjerimit. E shohim se kriteret janë vështirësuar. Por, mos e humbisni nga sytë faktin se ky proces, në fund të fundit, nxitet nga qëllime vetiake: puna për kualifikim për anëtarësim në NATO dhe BE ndihmon në udhëheqjen e zhvillimit të forcës, qëllimit dhe integritetit si shtet që është më mirë i pajisur për të siguruar mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve. Prandaj, është në rregull që jeni zhgënjyer, por mos e humbni shpresën. Vazhdoni punën për të ndërtuar një shoqëri transparente, të bazuar në rregull, demokratike përgjegjëse ndaj nevojave të qytetarëve.

Marrëveshja e Prespës është shembull i transformimit për të cilin po flas. Ajo mbetet arritje e jashtëzakonshme diplomatike e mbërritur nga prijës që mendojnë kah e ardhmja, të cilët refuzuan të heqin dorë nga një proces shumë i vështirë sepse e dinin se ishte në interes afatgjatë të popujve dhe vendeve të tyre. Prespa është dëshmi e parimeve perëndimore për të punuar me fqinjët dhe partnerët perëndimorë për të adresuar krah për krah sfidat e përbashkëta transnacionale. Populli i të dy vendeve do të vazhdojë ti vjelë përfitimet e kësaj të arriture. Maqedonia e Veriut dhe Greqia po i zgjerojnë marrëdhëniet bilaterale në një varg fushash, zyrtarisht dhe përmes bizneseve private dhe organizatave. Vazhdimi i zbatimit të kësaj ujdie historike do të avancojë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin përgjatë tërë rajonit. Në mirënjohje të reformave të Maqedonisë së Veriut dhe bindjeve që i udhëhoqën ato reforma, NATO-ja është duke e mirëpritur Maqedoninë e Veriut si aleaten e 30-të të saj.

Në ndërkohë, na vjen mirë që të gjitha partitë e kanë vërtetuar se do ti vazhdojnë synimet për përmbushjen e qëllimit strategjik për anëtarësim të plotë në BE dhe rrugëtimin perëndimor. Duhet të qëndrojnë në këtë kurs.

Edhe Shqipëria, aleatja jonë në NATO, duhet të qëndrojë në rrugën e duhur. Integrimi i saj në BE është çështje e përqendrimit të pandërprerë dhe vullnetit politik. Shikoni çka ka arritur Tirana deri tash:

  • Reforma gjyqësore të padëgjuara më parë për ta çrrënjosur korrupsionin endemik të sistemit të vjetër;
  • Reforma të thella të domosdoshme për vetingun e të gjithë 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për çfarëdo pasurie të pashpjegueshme, lidhjet me krimin e organizuar dhe kompetencën. Fakti se më pak se 50 për qind prej më shumë se 160 juristëve të shoshitur deri tash e kanë kaluar testin tregon për korrupsionin e thellë dhe lidhjet me krimin e organizuar të sistemit të vjetër;
  • Krijimi i dy organeve të reja mbikëqyrëse të gjyqësorit – Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë – për emërimin, qeverisjen dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
  • Puna e mundimshme e ka sjellë Shqipërinë në prag të themelimit të një trupe të re të pavarur: Zyrës së Prokurorit dhe Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit (SPAK), si dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), që do ta ketë për detyrë ti hetojë rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të zyrtarëve të lartë.

Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka ardhur, siç është dëshmuar me fillimin e shkatërrimit mbi bosët famëkeq dikur të paprekshëm të krimit të organizuar si Klement Balili. Vazhdoni më tutje. Kjo do të thotë përparim të vazhdueshëm në reformat në gjyqësor; rivendosjen e kuorumit në gjykatën kushtetuese me gjykatës të shoshitur përmes vetingut, dhe miratimin e reformave zgjedhore tashmë të vonuara. Populli i Shqipërisë kërkon përparim serioz dhe të qëndrueshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe institucione politike e gjyqësore që funksionojnë siç duhet, në mënyrë të drejtë, efikase dhe transparente. Ata kanë të drejtë të kërkojnë këtë.

Kjo është arsyeja pse prijësit politikë dhe partiakë duhet, përmes fuqisë së tyre, ta zgjidhin ngërçin e sajuar politik që kërcënon ta pengojë rrugëtimin e Shqipërisë përpara.

Një fjalë për opozitën e Shqipërisë që është jashtë Kuvendit: ju mund të luani rol. Shfrytëzojeni! Bojkoti nuk ju solli fuqi më të madhe politike. Nuk detyroi dhe nuk mund të detyrojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Prandaj, shfrytëzojeni mundësinë për të avokuar dhe negociuar në mirëbesim reformën zgjedhore që e synoni. Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’ju ndihmojë për këtë ndërmarrje serioze. E pastaj mund t’ia prezantoni popullit këto të arritura të njëmendta që ai të vendosë në mënyrë demokratike, përmes një procesi të drejtë zgjedhor, se në çfarë drejtimi dëshiron të shkojë vendi.

Gjithashtu duam të shohim një Bosnjë dhe Hercegovinë në paqe, stabile dhe përparimtare duke ecur përpara. Pothuajse 24 vjet pas Dejtonit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për ta ndihmuar atë për avancimin e reformave të domosdoshme për të arritur qëllimin e saj evroatlantik, përfshirë edhe përmes ligjeve zgjedhore. Kjo nuk do të thotë braktisje të Marrëveshjes së Dejtonit. Kjo do të thotë reformim të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës ashtu që ato të punojnë për popullin. Do të thotë sigurim të integritetit të sistemit gjyqësor, sundim më të fortë të ligjit, qeverisje transparente.

Në përputhje me këtë evolucion, e nxisim Bosnjën dhe Hercegovinë për ta forcuar bashkëpunimin me NATO-n. Dorëzimi i dokumentit të Programit Reformues në NATO nuk paragjykon vendimin për anëtarësim. Anëtarësimi mund të shqyrtohet – nëse dëshirohet – më vonë dhe pas ftesës nga Aleancapër anëtarësim.

Megjithatë, në një model shumë të njohur në Bosnjë dhe Hercegovinë, luftimet ndërmjet udhëheqësve shpërqendrojnë energjinë nga përparimi i njëmendtë prej të cilit përfiton populli. Bosnja dhe Hercegovina ka nevojë për udhëheqës politik dhe partiakë të gatshëm për zgjidhje të vështira dhe kompromis për çështjet e interesit nacional. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera me prijësit e Bosnjës dhe Hercegovinës, nga të gjitha anët, në nivel shtetëror dhe të entiteteve. Ata janë provincialë, nacionalistë dhe të përqendruar para së gjithash për tu pasuruar për vete.

E megjithatë, unë shpresoj. Është një gjeneratë në rritje e prijësve politikë në nivel komunal dhe kantonal – përfshirë edhe në kantonin e Sarajevës – që duken se janë të gatshëm për bashkëpunim ndërmjet partive dhe për gjetjen e zgjidhjeve kreative për problemet me të cilat përballet populli i zakonshëm. Me qëndrimin e tyre, Bosnja dhe Hercegovina mund të ketë sukses. Jemi të gatshëm për të punuar me ta.

Përderisa rrugëtimi drejt integrimit perëndimor është plot vështirësi dhe sfida, nuk kemi nevojë të shohim më larg se te Mali i Zi për të parë se hapat e mëdhenj të ndërmarrë gjatë 13 viteve të shkuara janë shpaguar. Përkundër ndërhyrjes dashakeqe të Rusisë dhe përpjekjes së dështuar për nxitjen e grushtshtetit në vitin 2016 për përmbytjen e vullnetit të popullit të Malit të Zi, vendi hyri në NATO në qershor të 2017-s dhe vendi është bërë kontribues neto i sigurisë globale. Ushtarët e tij shërbejnë krah për krah me ushtarët tanë në Afganistan, Latvi dhe këtu në Kosovë dhe mirëpresim zotimin e Malit të Zi për të dërguar trupa në Irak deri në fund të këtij viti. Si rezultat i këtij fokusi dhe kësaj pune të mundimshme, Mali i Zi është më i fortë; NATO është më e fortë dhe aleanca translatlantike është më e fortë.

Si paraprijës për anëtarësim në BE, Mali i Zi ka ecur shumë përpara në procesin e anëtarësimit, por nuk mund t’ia lejojë vetes të ngadalësojë hapin. Duhet ti përshpejtojë përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit dhe të lirisë së medieve dhe për tu marrë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në veçanti po ngecin përpjekjet në fushën e lirisë së medieve, sidomos për shkak të mbushjes me partiakë të Bordit të Drejtorëve të medieve shtetërore. Qeveria duhet të bëjë më shumë për të demonstruar se Mali i Zi i vlerëson dhe i mbron gazetarët, përfshirë edhe duke u përmbajtur nga përdorimi i gjuhës nxitëse që inkurajon armiqësi ndaj gazetarëve dhe shqiptimin e dënimeve domethënëse për ata që kryejnë vepra sulmi kundër gazetarëve dhe shtëpive mediale.

Mali i Zi po ashtu shërbën si paralajmërim për sfidat e hatashme që aktorët dashakeqas i vënë në rajon. Në maj, një gjykatë në Mal të Zi shpalli fajtor dy oficerë të shërbimit sekret ushtarak rus (GRU) për vepër terrorizmi në tentativë gjatë përpjekjes për grushtshtet në vitin 2016, duke njoftuar haptazi për përpjekjen e dukshme të Moskës për destabilizimin e një vendi të pavarur evropian. Gjykimi i hapur dhe transparent ishte hap i rëndësishëm përpara për sundimin e ligjit dhe shembull i rezistencës malazeze përballë sulmeve të shkallës së gjerë hibride ruse kundër një vendi, e të cilat vazhdojnë për çdo ditë.

Veprimet e Moskës në Mal të Zi janë emblamatikë të dallimeve të thella që i kemi me Rusinë rreth asaj se si e shohim të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Përderisa Moska në mënyrë aktive kundërshton integrimin perëndimor të rajonit, duke mbjellë trazira, dyshim dhe dezinformata kudo që mundet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndrim të qartë se interesat tonë të përbashkët arrihen më së miri duke forcuar normat demokratike, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin të bazuar në vlerat e përbashkëta.

E kuptojmë se disa vende të rajonit kërkojnë ta balancojnë marrëdhënien e tyre me Perëndimin dhe me Rusinë, e jo vetëm atë, por gjithnjë e më shumë edhe me Kinën. Por, nëse dëshironi të këmbëngulni në qëllimin tuaj të qartë për integrim evropian, edhe politikat tuaja duhet ta pasqyrojnë atë. Përderisa Rusia kërkon të mbjellë kaos politikisht, Kina kërkon ta blejë besnikërinë dhe bindjen tuaj. Përmes huave e investimeve, Kina po punon për tu përvjedhur në pëlhurën e infrastrukturës së rajonit, duke marrë në shënjestër industritë strategjike si telekomunikimin, energjinë, minierat, prodhimin e çelikut dhe prodhimtarinë e rëndë. Udhëheqësit ballkanikë duhet ti peshojnë ofertat kineze me sytë katër. A i forcojnë ofertat kineze rregullat tuaja apo vërtetë iu shërbejnë interesave të Kinës? A mundësojnë marrëdhënie reciproke me Kinën, ku ndërmarrjet dhe prona juaj intelektuale i marrin të njëjtat mundësi dhe mbrojtje në Kinë ashtu siç i duan ndërmarrjet kineze në Ballkanin Perëndimor?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pranishme, të angazhuara, duke konkurruar këtu në Ballkanin Perëndimor sepse Rusia, Kina dhe aktorët e tjerë me dëshirë do të kërcenin për ta mbushur vakuumin e udhëheqësisë, të vizionit, në këtë rajon të rëndësishëm. Partneriteti perëndimor duhet të qëndrojë i guximshëm, vigjilent, inovativ sepse edhe kundërshtarët e tij janë të tillë.

Në përmbyllje, e një mentor imi njëherë më ka thënë se s’ka fjalë më të bukur në gjuhën angleze se sa fjala “në përmbyllje”, më lejoni të ripohoj se vizioni i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor është duke lulëzuar, është i mbarë, i bazuar në sundim të ligjit, me institucione të forta demokratike, që i përgjigjen dhe në përkrahje të nevojave të njëmendta të popullit të tij. Kjo gjithashtu nënkupton integrim të plotë në institucionet perëndimore. Kjo kërkon guxim dhe bindje politike. Në Kosovë, kjo do të thotë vendosje të kushteve të përshtatshme për arritjen e marrëveshjes me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve për të çliruar potencialin e tërë qytetarëve të saj, veçanërisht të të rinjve të talentuar dhe sipërmarrës që duan që Kosova të jetë e ardhmja e tyre. Shpresoj se Kosova është partnere jona e gatshme për ta arritur këtë. Jemi të gatshëm për të ndihmuar sepse këto janë edhe interesat tonë. Një Ballkan Perëndimor më i fuqishëm do të thotë Evropë më e fuqishme dhe partneritet më i fuqishëm transatlantik. Le të punojmë për ta arritur këtë së bashku.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj sot.

Filed Under: Rajon Tagged With: Matthew Palmer-Per Shqiperine-Nga Prishtine

75 vjetori i tërheqjes së forcave naziste nga Shqipëria….

November 1, 2019 by dgreca

Zogistët – promotorë të qëndresës dhe luftës kundër okupatorëve/

NGA EKREM SPAHIU*

Po afron 75-vjetori i tërheqjes së forcave ushtarake gjermane nga Shqipëria, i cili është një përvjetor i rëndësishëm për popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat politike e ushtarake antifashiste shqiptare. Krahu i majtë politik, duke mos e pasur fuqinë për të dalë nga komplekset e historiografisë së politizuar, duket se po vazhdon t’i qëndrojë idesë së përvetësimit të vlerave dhe kontributeve të të tjerëve në ato momente historike për të ardhmen e Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar.

Por e vërteta historike, sado të mjegullohet, është e vështirë të përvetësohet. Po afrojnë rreth 30 vjet nga rënia e diktaturës komuniste dhe kanë dalë në dritë fakte të reja nga arkiva, zyrtarisht të konfirmuara, për qëndrimet politike dhe kontributet reale të zogistëve në qëndresën dhe luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Në këtë kuadër, qëndrimet politike dhe kontributet e mbretërorëve janë reale, të prekshme dhe, me të drejtë legjitime, përfshihen në fondin e artë të historisë së kombit shqiptar.

Është pranuar botërisht se strukturat përkatëse dhe populli shqiptar u organizuan ushtarakisht dhe i rezistuan me luftë pushtimit të Italisë fashiste më 1939. Sigurisht mund të ishte bërë më shumë, por askush nuk mund të mohojë veprimet luftarake të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, të organizuar në mbrojtje kundër pushtimit italian. Kjo qëndresë buroi si nga fryma, ashtu edhe nga organizimi ushtarak i përvijuar nga Mbreti Zog dhe sigurisht që mbretërorët kishin detyrimin dhe përgjegjësinë për ta marrë përsipër këtë rol. Në rezistencën antifashiste të prillit 1939 nuk ka marrë pjesë asnjë forcë politike e organizuar, qoftë edhe për faktin se ato u krijuan dy apo tre vjet më vonë dhe u përfshinë në detyrime e përgjegjësi sipas interesave dhe situatave të reja, që lidheshin me kohën e krijimit të tyre.     

Italia fashiste kishte kohë që përgatitej për pushtimin e Shqipërisë qoftë në mënyrë “paqësore” nëpërmjet presioneve në fushën politike, ekonomike, ushtarake dhe financiare, qoftë edhe me forcën e armëve. Mbasi dështuan përpjekjet e vazhdueshme si dhe ultimatumi i fundit për ta detyruar Mbretin Zog, parlamentin dhe qeverinë shqiptare që të nënshtroheshin, qeveria italiane vendosi të përdorë forcën e armëve për të pushtuar Shqipërinë.

Duke mos pranuar kushtet dhe ultimatumet e Musolinit, edhe pse nuk kishin mbështetje ndërkombëtare dhe as forcën e brendshme për përballimin e agresionit fashist, Parlamenti shqiptar dhe Mbreti Zog vendosën për ta pritur Italinë fashiste me armë në dorë, ndryshe nga Austria që i ishte nënshtruar Gjermanisë në vitin 1933 pa asnjë kundërshtim, apo Çekosllovakia që nuk kishte shkrepur asnjë pushkë më 15 mars 1939 kur u pushtua po nga Gjermania. Për më tepër, duhet theksuar se këto dy shtete ishin shumë më të mëdha se sa vendi ynë dhe të armatosura me armët më moderne të kohës.

Historia flet për një të vërtetë të padiskutueshme: fakti që Italia, planifikoi dhe futi në operacion ushtarak për pushtimin e Shqipërisë forca, mjete, shpenzime, logjistikë dhe kohë, flet se pushtuesi e përllogariti qëndresën shqiptare. Këtë qëndresë, shqiptarët e bënë, pavarësisht se jo në përmasa fitimtare. Qëndresa, sikurse thamë më sipër, kishte frymën, vulën dhe organizimin e ideuar nga Mbreti Zog. Nga çdo anë që t’i analizosh veprimet e ushtrisë së tij, madje edhe lëvizjet e oborrit mbretëror dhe të vetë Mbretit, konfirmohet se ai qëndroi bindshëm në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistë. Te ata u mbështet, atyre u kërkoi ndihmë dhe te ata i mbajti shpresat. 

Agresioni i Italisë fashiste ndaj Shqipërisë është analizuar nga vetë pala italiane nëpërmjet dokumenteve të operacionit “Oltre Mare Tirana-OMT”, siç u quajt në mënyrë të koduar zbarkimi dhe pushtimi i Shqipërisë nga trupat e Musolinit. Në referencë të këtyre dokumenteve, Mbreti i Italisë – Viktor Emanueli III, më 22 maj 1939 ka nxjerrë një dekret për dekorimin e 113 oficerëve dhe ushtarëve italianë, që treguan trimëri në fushën e betejës gjatë “çlirimit” (pushtimit) të Shqipërisë: 12 ushtarakë me medalje ari për trimëri ushtarake (pas vdekjes d.m.th. 12 të vrarë në luftime), 15 me medalje argjendi dhe 27 me medalje bronzi. Po ky dekret u akordoi medaljen e kryqit të luftës edhe 59 ushtarakëve të tjerë italianë. Në arsyetimet për dhënien e dekoratave përkatëse gjen mjaft hollësi se si u zhvilluan realisht luftimet, se si dhe sa e organizuar ishte rezistenca e palës shqiptare ndaj zbarkimit të trupave italiane.

Ndërkohë që Mbreti Viktor Emanueli III dekoron ushtarakë italianë të rënë në fushën e betejës dhe të tjerë për trimëri, historiografia komuniste mohon çdo përpjekjeje për rezistencë të organizuar nga Mbretëria, madje duke akuzuar se Mbreti Zog e shiti Shqipërinë! Por këtë akuzë e hedh poshtë në mënyrë të pakthyeshme Traktati i Paqes me Italinë që u nënshkrua nga qeveritë e SHBA, BRSS dhe Britanisë së Madhe në Paris më 10 shkurt të vitit 1947, ku qeveria komuniste e saj kohe, më 4 shtator të vitit 1945 kërkonte nga qeveritë e mësipërme të drejtat e shtetit shqiptar për të përfituar dëmshpërblime nga Italia si shtet pushtues dhe jo si shtet të cilit “iu shit Shqipëria”.

Shtrohet pyetja, pse kanë heshtur deri tani të ashtuquajturit historianë dhe institucionet zyrtare në Shqipëri për këtë Traktat? Përgjigjja është shumë e thjeshtë. Në pikën e parë të këtij Traktati thuhet: “Duke konsideruar se Italia, nën regjimin fashist, është bërë një nga palët nënshkruese të paktit trepalësh me Gjermaninë dhe Japoninë, ka ndërmarrë një luftë agresioni dhe nga ky fakt ka provokuar një gjendje lufte me të gjitha Fuqitë Aleate dhe të Asociuara si dhe me kombe të tjera dhe mban pjesën e saj të përgjegjësisë në këtë luftë”. Duket qartazi se Italia njeh dhe pranon se ka kryer agresion ndaj Shqipërisë. Ndërkohë, në Nenin 31 të këtij Traktati thuhet: “Italia njeh se të gjitha marrëveshjet dhe rregullimet e bëra ndërmjet Italisë dhe autoriteteve të vendosura në Shqipëri nga Italia ndërmjet 7 prillit 1939 dhe 3 shtatorit 1943, janë nul dhe inekzistente”. Traktati vendosi që Shqipëria të përfitonte 5 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblime nga Italia (e barabartë sot me afërsisht 60 milionë dollarë). Përveç shumës së 5 milionë dollarëve amerikanë, Shqipëria fitonte të drejtën e zotërimit të të gjitha pasurive që i përkisnin shtetit ose shtetasve italianë në Shqipëri. 

Interpretimi juridik i këtij Traktati të kërkuar me ngulm nga vetë Qeveria komuniste na çon automatikisht në konkluzionin se Mbretëria e Zogut, jo vetëm që nuk e shiti Shqipërinë sikurse pretendon historiografia komuniste, por ajo mbetet subjekti juridik i trashëgimisë shtetërore shqiptare edhe pas pushtimit fashist.

Shqipëria u rreshtua që në fillim në krah të koalicionit antifashist dhe mbretërorët u pozicionuan dukshëm e qartë politikisht dhe organizativisht në luftën kundër fashizmit, duke u bërë pjesë e natyrshme e frymës antifashiste të popullit shqiptar. 

Në këtë kontekst, më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, ku morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare, me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit. Pala mbretërore u përfaqësua në nivelet më të larta: Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët kryesorë të Konferencës, ndërsa Ndoc Çoba u zgjodh kryetar i punimeve të konferencës. Sikurse dihet, Konferenca zgjodhi antarët e Këshillit të Përgjithshëm Nacional prej shtatë vetësh, nga të cilët dy ishin zogistë.

Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, Abaz Kupi u bë nismëtar i thirrjes të Konferencës së Mukjes të mbajtur më 1-2 gusht 1943. Dy ditë më pas, më 4-5 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, i dalë nga Konferenca, organizoi në afërsi të Qafë-Shtamës një betejë të përbashkët kundër ushtrisë italiane, që po marshonte për në Mat. Çetat partizane, balliste dhe zogiste nën komandën e major Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë në mes të të cilëve koloneli italian A.P. Skampa, 40 të plagosur dhe 7 robër.

Enver Hoxha, fillimisht e pranoi marrëveshjen, por kjo zemëroi pa masë të deleguarit jugosllavë Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën. Për këtë qëllim, pas një muaj, më 4 shtator 1943, komunistët mblodhën Konferencën e Labinotit, e cila jo vetëm që e prishi zyrtarisht Marrëveshjen e Mukjes, por i shpalli luftë të armatosur Ballit Kombëtar dhe çdo rryme apo tendence tjetër politike. Konferenca e Labinotit shënon, në fakt, përgatitjen e kushteve për një përplasje mes palëve, e cila mund të shkonte deri në luftë civile. Në ç’masë shkoi kjo përplasje dhe ç’pasoja pati, meriton një analizë më vete, por sidoqoftë një gjë është e vërtetë dhe e palëkundur: forcat politiko-ushtarake nacionaliste, me idetë unifikuese kombëtare antifashiste që promovuan, me format e organizimit që propozuan dhe me veprimet luftarake që zhvilluan, u përpoqën që ajo përplasje të mos ndodhte.

Sidoqoftë, pas Konferencës së Labinotit situata konfliktuale ndërmjet forcave të udhëhequra nga komunistët dhe forcave të tjera nacionaliste u acarua së tepërmi, duke filluar nga intrigat, pabesitë dhe deri te përpjekjet e armatosura, të cilat shkaktuan edhe masakra kolektive, ku përgjegjësitë iu mbeten urdhëruesve. Vetëm pak ditë pas Konferencës së Labinotit dhe kapitullimit të Italisë fashiste, ndodhi tragjedia e Gërhotit në Gjirokastër. Më 14 shtator 1943, vranë komandantin e Ballit, Hysni Lepenicen dhe 35 komandantë çetash të Ballit të krahinave në jug të vendit, të cilët kishin superioritet ushtarak në zonat e Vlorës, Gjirokastrës, etj. Kjo tragjedi e shkaktuar si pasojë e intrigës së forcave të udhëhequra nga komunistët, shënon një moment të rrezikshëm ushtarak, që mund të shndërrohej në një përplasje më të gjerë vëllavrasëse midis dy forcave të krahëve të ndryshëm politiko-ushtarak shqiptar. 

Pas një muaji, brigada e parë partizane, që komandohej nga Mehmet Shehu, më 17 tetor 1943 në Matjan të Lushnjës, ekzekutoi 67 fshatarë, të cilët ishin mobilizuar me forcat nacionaliste të Ballit, të komanduara nga Isa Manastirliu. E njëjta udhëheqje politiko-ushtarake është autore e masakrës së Martaneshit më 5 mars 1944 në fshatin Peshk, ku u vranë 22 nacionalistë me në krye kryeplakun e tyre. Po kështu, më 7 mars 1944 u vranë 68 ballistë në Dunicë të Pogradecit, për të vazhduar me 185 ballistë në Shipckë të Korçës, etj..

Më 21 nëntor 1943, zogistët formuan partinë e tyre.

Përballë këtij realiteti të rrezikshëm politiko-ushtarak me pasoja kombëtare, forcat mbretërore, për të konfirmuar legjitimitetin e tyre politik dhe për të penguar Partinë Komuniste në realizimin e qëllimit të saj për eliminimin e nacionalizmit shqiptar, më 21 nëntor 1943 në Zall-Herr të Tiranës, formuan partinë e tyre, Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL). Ndër pikat kryesore të Kongresit themelues ishte dhe kthimi i Mbretit Zog në fuqi, pasi vetëm ai gëzonte të drejtën e pushtetit legjitim në Shqipëri. Sigurisht, pas krijimit të OKLL, organizimi ushtarak ishte edhe më i madh. Pranë forcave të Abaz Kupit – Komandant i forcave të Legalitetit, ishte atashuar Misioni Anglez i udhëhequr nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery. Krijimi i OKLL alarmoi Enver Hoxhën dhe, për këtë qëllim, udhëheqja komuniste thirri Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.

Ndërkohë që forcat naziste e kishin humbur luftën dhe, në tërheqje e sipër po largoheshin nga Shqipëria drejt Gjermanisë, objektivi kryesor i udhëheqjes komuniste u adresua në luftën kundër forcave balliste, zogiste dhe çdo kundërshtari tjetër. Meqenëse në zonat veriore të vendit komunistët nuk kishin përkrahje, angazhuan forcat më të zgjedhura të ushtrisë partizane, me qëllim që të shkonin atje dhe të shkatërronin forcat nacionaliste, që gëzonin shumë mbështetje në këto zona dhe të shtrinin me dhunë e terror influencën e munguar në popullsinë civile, për të krijuar kushtet e plota që pushteti i nesërm të ishte krejtësisht i tyre.

Për të penguar realizimin e këtij objektivi ogurzi të komunistëve, të dyja formacionet nacionaliste Legaliteti dhe Balli menduan të bëjnë edhe një hap të fundit, duke organizuar një mbledhje të përbashkët, ku ftuan dhe disa krerë e bajraktarë të veriut. Kjo mbledhje u bë më 15 shtator 1944 në fshatin Mali i Bardhë – Kurbin dhe pastaj në Bulgër afër Rubikut. Nga pala e Legalitetit morën pjesë Abaz Kupi me disa oficerë shqiptarë të shoqëruar me rreth 300 ushtarë të armatosur. Me Abaz Kupin ishin dhe misionarët anglezë të atashuar pranë tij. Balli Kombëtar u përfaqëua nga Mit’hat Frashëri i shoqëruar nga komandantë çetash, oficerë dhe rreth 60 luftëtarë. Të pranishëm ishin edhe Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni, Preng Previzi, Fiqri Dine, etj.

Në këto mbledhje u diskutua vetëm një çështje: bashkimi i të gjitha forcave nacionaliste për të mos lejuar që Shqipëria të zaptohej nga komunizmi. Fatkeqësisht, ky takim shumë i rëndësishëm në qëllimin e tij nuk konkludoi, sepse, pas shumë debateve, u gjykua se nuk ishte në interesin kombëtar që shqiptarët të vriteshin me njëri-tjetrin për pushtetin e nesërm, pavarsisht se deri diku e dinin çfarë ishin dhe çfarë do sillnin komunistët me ideologjinë e tyre. Mosarritja e përfundimit të dëshiruar nga kjo mbledhje, hapi rrugën që forcat partizane të mbeteshin të vetmet në pretendimet e tyre të nesërme për pushtet në të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Pas këtij dështimi, Mit’hat Frashëri u nis për në Shkodër dhe u largua në Itali, ndërsa misionarët anglezë njoftuan Abaz Kupin se kishin marrë urdhër të largoheshin nga Shqipëria. Komandanti i forcave të Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” Abaz Kupi, para se të largohej për në Itali më 24 tetor 1944 lëshoi një Thirrje, ku ndër të tjera shkruhej: “…ne jemi përpjekur për bashkimin  dhe vëllazërimin e shqiptarëve për të shmangur luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët për të larguar okupatorin prej tokës sonë të shenjtë… Sot në këto rrethana që ndodhemi, detyrohem të largohem për t’iu shmangur gjakderdhjes vëllazërore”. Thirrjen e morën të gjithë drejtuesit e çetave legaliste dhe, në bazë të saj, me dhimbje të madhe, ndërprenë luftën dhe shpërndanë forcat e tyre luftarake.

Me tërheqjen e krerëve të nacionalizmit shqiptar për të mos iu kundërvënë komunistëve, këta të fundit duke vënë në veprim parimin komunist se, pushteti merret me grykën e pushkës, filluan terrorin në popullsinë civile për ta nënshtruar atë. Për ta ilustruar këtë terror të komunistëve, po përmendim vetëm masakrën e tmerrshme të kryer në Lumë, ku më 26 shtator 1944, komandanti i brigadës së pestë partizane, Shefqet Peçi pushkatoi pa gjyq 21 banorë të pafajshëm të Buzëmadhes, nën pretekstin se ata po mbronin Muharrem Bajraktarin.

Me masakra, terror, dhunime dhe djegie e morën pushtetin partizanët komunistë në 1944, dhe nën etiketën false të “çlirimit”, vunë nën thundrën e diktaturës së proletariatit gjithë popullin shqiptar, për 46 vjet me radhë. Shkatërrimi që komunizmi i bëri strukturës shoqërore, ekonomike dhe politike të vendit rezultoi më i rëndë se çdo pushtim që kishte pësuar ky truall në gjithë historinë e tij.

Nisur nga paraqitja e argumenteve të mësipërm dhe shtjellimi kronologjik i fakteve historike të pakundërshtueshme rezulton se zogistët ishin promotorë të luftës kundër okupatorëve nazifashistë.

*ish-deputet & kryetar i PLL

Filed Under: Fejton, Histori Tagged With: Ekrem Spahiu-75 vjetori i terheqja-Forcat naziste-Legalistet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT