• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

Tërmeti- Thumanë: Tmerr, frikë dhe shpresë

November 27, 2019 by dgreca

Fshati Thumanë është më i prekuri nga tërmeti i fuqishëm. Atje mbretërojnë dhimbja, frika dhe shpresa për të shpëtuar të mbeturit nën gërmadha, njofton Ani Ruci, e cila ka vizituar këtë fshat.

Nga Ani Ruci/ DW

Duartrokitje në turmat e banorëve të Thumanës, kur nga rrënojat  ekipet e emergjencës shpëtojnë një jetë, lot kur publikohet lajmi se një jetë tjetër është marrë nga tërmeti.  Që të afrohesh tek rrënojat duhet të kalosh disa kordonë policie, që ruajnë banorët e Thumanës, gazetarët dhe vullneratët e Kryqit të Kuq nga rreziku i aksidenteve prej rrëzimit të plotë të banesave të dëmtuara. Punohet me eskavatorë për të hequr blloqe betoni. Pastaj gërmohet me kujdes me dorë, që mos dëmtohen të mbeturit në rrënoja. Një burrë me lot në sy dhe zëdridhur ka shpresë të rishohë gruan dhe djalin e tij të vetëm. Ai tregon se dolën të tre nga hyrja e tyre në katin e tretë, por papritmas djali dhe gruaja u zhdukën kur nën këmbët e tyre gjithshka e përpiu tërmeti.

Albanien nach Erdbeben (DW/Ani Ruci)

Në pasditën e vonë të ditës së tërmetit, (26.11) Artur Bushi, kryetar i Bashkisë së Krujës, ku bën pjesë edhe fshati Thumanë, nxiton për të organizuar strehimin e përkohshëm të banorëve në fushën e sportit dhe furnizimin e tyre me ushqime.

“Jemi përqendruar të shpëtojmë jetën e atyre që janë ende gjallë nën rrënoja.  Kemi filluar punën që në momentin e parë kur ra tëmeti me të gjitha mundsitë, me angazhimin e gjithë instancave të shtetit, në nivel qëndror dhe lokal. Ndihmat vijnë nga Kosova dhe vendet fqinjë. Banorët, bizneset lokale, po na japin një ndihmë të madhe, me mjete, me njerëz. Do vendosim tenda në fushën e sportit për familjet që tërmeti u ka shembur ose dëmtuar banesat, do furnizojmë me shtretër, mbulesa, me ushqime dhe do sigurojmë shërbimin shëndetësor. Do të punojmë tërë kohën për të kërkuar në rrënoja njerëzit që mund të jenë gjallë. Do ndalojmë vetëm kur rrënojat t’i kemi hapur dhe kontrolluar tërësisht. Shpresojmë të gjejmë njerëz që janë ende në jetë”, thotë për DW, Artur Bushi.

Vullnetarët e Kryqit të Kuq nxitojnë të japin ndihmën e tyre kur policia i lejon të kalojnë, sa herë që nga rrënojat nxirret dikush. “Jemi këtu që në mëngjes, kemi ardhur nga Durrësi vullnetarë. Po ndihmojmë të nxjerrim njerëzit nga rrënojat dhe di të qëndrojmë derisa të kontrollohen të gjitha gërmadhat e banesave të rrëzuara”, thotë Ditjon Kurti, vullnetar nga Durrësi.

Tmerr dhe frikë nga vazhdim i tërmeteve

Albanien nach Erdbeben (DW/Ani Ruci)

Kur mbrëmja bie, në fushën e s portit janë ngritur çadrat. Banorët që nuk kanë të afërm në rrënoja po sistemohen. Familja Torocini ka banuar në katin e fundit të  ndërtesës  më të dëmtuar të Thumanës, atje ku punohet pa pushim për të nxjerë të gjallët dhe gjetur ata që nuk i kanë mbijetuar rrëmbimit nga tërmeti.  Për fat gjithë familja ka shpëtuar. Ibije Torocini, nënë e dy fëmijëve të vegjël tregon për DW: “Jemi të tronditur, fëmijët akoma dridhen. Po flinim kur ra tërmeti. Tundej gjithë pallati. Zgjova fëmijët dhe bashkë me bashkëshortin shkuam tek dera e hyrjes tonë. Por atë e kishte bllokuar dollapi i enëve. Kur po përpiqeshim ta hiqnim  dëgjuam një zhurmë të madhe: depozita e ujit kishte çarë betonin e tarracës, çatinë e hyrjes tonë dhe kishte rënë në mes të dhomës. Hapëm derën dhe vrapuam me sa fuqi kishim, dolëm jashtë. Pak minuta pasi kishim dalë – pallati u shemb”, tregon Ibija.

Edhe familja e Klevis Toçit ka qënë me fat. “Kemi kaluar një tmerr, tmerr të paparë, gjithçka tundej. Kam marrë me shpejtësi familjen dhe kam dalë jashtë, kur ende lëkundjet vazhdonin. Arrita të shpëtoj. Shumë fqinjë të mi nuk arritën.. lutem që të jenë gjallë”, thotë ai për DW.

Solidaritet i jashtëzakonshëm me të prekurit nga tërmeti

Albanien nach Erdbeben (DW/Ani Ruci)

Banorët eThumanës janë ende të tmerruar dhe me frikën e tërmeteve të tjera. Kryetari Bashkisë, Artur Bushi, i ka  njoftuar për marrveshjen e qeverisë me hotelet në Durrës dhe Lezhë ku ata do të strehohen së shpejti dhe ku fëmijët do të kenë mundësi të vazhdojnë shkollën. Në fatkeqësinë e tyre duket se i ngroh solidariteti i jashtzakonshëm i  gjithë komunitetit, angazhimi i strukturave qeveritare, ndihma e shpejtë nga Kosova, Mali i Zi, Greqia, Turqia, Gjermania, Franca, SHBA… Në dhimbjen për të dashurit e tyre, që tërmeti u morri jetën, merr pjesë Shqipëria dhe Kosova, që kanë shpallur ditën e sotme, (27 .11) Ditë Zie Kombëtare.

Kryeministri Rama në mbledhjen e qeverisë paraqiti arësyet pse shpalli vetëm ditën e sotme. “”Do të kishim dashur 3 ditë zie kombëtare. Dy ditët më të rëndësishme të kalendarit, 28-29 Nentori nuk mund të jenë ditëfestive. Por nuk mund të imagjinohet flamuri shqiptar në gjysmë shtizë në 28 dhe 29 nëntor,  është një normë e afirmuar, se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve, nuk mund të ketë zi. Sepse janë ditë që kanë brenda një kujtim të jetëve të dhëna për atdheun.”

Albanien nach Erdbeben (DW/Ani Ruci)

Rama tha se  28 dhe 29 nentori  sivjet do shihen si “dy ditë solidariteti kombëtar, ku respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributin e gjithkujt që mund të ndihmojë”.

Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur sot nga qeveria, e kërkuar edhe nga lideri i Parisë Demokratike Basha, është një tregues i vlerësimit për të rikuperuar dëmet sa më parë. Qytetarët nga gjithë Shqipëria po kontribojnë në llogaritë e hapura për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti . Qendrat e koordinimit të ndihmave po mbledhin nga popullsia gjërat e nevojshme për familjeve e dëmtuara.(Kortezi-Dojce Wele)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ani Ruci-Thumane-Tmerr-frike dhe shprese

“BIJTE E SHQIPES” NE FILADELFIA, FLAMURIN NE GJYSEM SHTIZE NE DITEN E PAVARESISE

November 27, 2019 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI/Me 26 nentor, 2019 shqiptaret ne Filadelfia per te teten here e ngriten flamurin Kuq e Zi ne sheshin e bashkise se qytetit – kete radhe ne gjysme shtize. Kjo eshte nje ngjarje shume e rendesishme dhe shume e gezuar per bashkesine shqiptaro – amerikane te Filadelfias. Ne sheshin e bashkise jehon kenga dhe vallja shqiptare, sheh vetem fytyra te qeshura, por sot atmosfera ishte shume hijerande, seriooze, sepse vetem disa ore me pare Shqiperia jone e dashur ishte goditur nga nje termet shume i fuqishem qe shkaktoi edhe vdekjen e 24 bashkekombesve tane. Meqenese ne bashkepunim me institucionet perkatese te qytetit te Filadelfias data e ceremonise se ngritjes se flamurit ishte caktuar nje vit me pare dhe nuk mund ta shtynim per ndonje dite tjeter, atehere vendosem qe ceremonia te vazhdoje, por kete radhe pak me ndryshe se herave te tjera.

Prandaj, ne rrethana te tilla shume serioze per Shqiperine dhe gjithe kombin tone ne nuk mund te festonim, por mund ta ngrenim flamurin tone. Ne raste te gezueshme dhe ne raste te veshtira si sot, shqiptaret mblidhen rreth flamurit te perbashkuar, ashtu siç na therret edhe Himni yne Kombetar. Edhe ketu ne Filadelfia ne kete ceremoni hijerande shqiptaret u mblodhen rreth flamurit te perbashkuar dhe u zotuan se do ta ndihmojne Shqiperine ne keto çaste te veshtira. Qe aty filloi edhe fushata per mbledhjen e fondeve monetare.

Ceremonine e hapi z. Sadik Elshani, anetar i kryesise dhe ish kryetar i shoqates “Bijte e Shqipes”, i cili i pershendeti te pranishmit, duke e shprehur pikellimin per ngjarjen tragjike qe e ka goditur Shqiperine dhe i njoftoi te pranishmit per ndryshimet ne ecurine e ceremonise se ngritjes se flamurit. Pastaj ai i ftoi te gjithe te pranishmit qe te mbanin nje minute heshtje ne nderim te viktimave te termetit te sotem. Per te ngritur flamurin ishte caktuar zoti Banjamin Risilia, veprimtar i vjeter i bashkesise shqiptaro – amerikane ne Filadelfia. Pas kendimit te himneve kombetare te ShBA-ve dhe atij te Shqiperise, fjalen e rastit e mbajti z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqates “Bijte e Shqipes”, i cili qe ne fillim e shprehu dhimbjen per viktimat dhe tragjedine qe e ka goditur Shqiperine. “Sot cerermonine e ngritjes se flamurit nuk do ta bejme si heret tjera, pasi siç jeni njoftuar, ne oret e para te mengjesit atdheu yne u godit nga lekundje te forta termeti e si pasoje deri me tani kemi14 viktima, rreth 300 te plagosur dhe shume deme materiale… Ne kooperim me personelin e bashkise kemi vendosur qe ne nder te viktimave flamuri yne kombetar te ngrihet ne gjysme shtize (half-staff). Qe sot ne do te fillojme fushaten per ngritjen e fondeve financiare dhe materiale per te ndihmuar sado pak familjet e demtuare”, u shperh z. Gjoka. Pastaj ai foli per rendesine e 28 Nentorit, kesaj Dite te Madhe, Dite te Shenjte, dites me te shenuar ne historine e lavdishme shumeshekullore te popullit tone. Ne vazhdim ai foli edhe per miqesine ne mes te ShBA-ve dhe Shqiperis, dashurine e shqiptareve per Ameriken. Gjithashtu ai e theksoi edhe rolin e shqiptareve, te cilet me talentin dhe punen e tyre ne te gjitha fushat e jetes jane duke e dhene ndihmesen e tyre per zhvillimin e Filadelfias dhe gjithe Amerikes.

Ne emer te kryebashkiakut (Mayor) te Filadelfias, Jim Kenney, pershendeti zonja Sheila Hess, Perfaqesuese e Qytetit te Filadelfias. Edhe zonja Hess qe ne fillim te fjales se saj e shprehu pikellimin e saj per tragjedine qe e ka goditur Shqiperine dhe u shprehu ngushellimet e saja gjithe te pranishmeve, Shqiperise dhe gjithe shqiptareve. Pas mbarimit te fjales se saj zonja Hess i dorezoi kryetarit Bujar Gjoka Proklamaten me te cilen kryebashkiaku Kenney e shpallte diten e marte, 26 nentor, 2019 si diten per te respektuar Diten e Pavaresise se Shqiperise. Ne emer te Zyres per Çeshtje te Emigranteve pershendeti drejtoresha e kesaj zyreje, zonjusha Amy Eusebio.

Edhe ne çaste te gezueshme edhe ne dite te veshtira gjithmone do te brohorasim: Rrofte 28 Nentori, Dita e Flamurit, Dita e Shpalljes se Pavaresise se Shqiperise! Rrofte Shqiperia.

Keshtu ndodhi edhe sot ne Filadelfia. Amerikanet per raste te tilla e perdorin fjalen, “bittersweet” (e embla e hidhur), nje ndjenje e perzierjes se gezimit dhe hidherimit.

Filadelfia, 26 nentor, 2019

Sadik eshte anetar i kryesise dhe ish kryetar i shoqates “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sadik Elshani-Flamuri Gjysem Shtize-Bijte e Shqipes

O PAKT KOMBETAR PAQEJE, O DREJTESI SUBLIME

November 27, 2019 by dgreca

O pakt kombëtar paqe, o drejtësi sublime /

Nga Alfons Grishaj/

Kautilya, do të shkruante një qote të mprehtë arabe:“Armiku i armikut tim është miku im!” Kjo shprehje mori dhenë duke u përdorur nga mbretër,perandorë,politikanë deri në ditët e sotme. Amerikanët e përdorin aq shpesh sa duket si citat i tyre. Kautilya nuk e dinte atëherë se kjo thënie  filozofike e popujve arabë, e skalitur  në letër  nga ai, do ta bënte atë më të famshëm  se vepra e tij Arthashastra. 

Në politikën e mëse dy shekujve, kur ulen dy kundërshtarë  së bashku (armiq), dhe bëjnë aleancë kundër një kundërshtari më të rrezikshëm destruktiv, përdorin shprehjen e filozofit Indian, Kautilya: “armiku i armikut tim është miku im”. Sot mëtepër se kurrë, ky citim  është jetik në krizat që kalojnë kombet, por tek ne po forcohet përditë në tranzicionin e gjatë Shqiptar… 

Në Shqipëri, nga përplasja e ideve, interesave, xhelozive dhe bajraktarizmit, u shkërmoqën partitë kryesore, duke lindur ca parti të vogla, të cilat  nga  filozofia politike dhe zhvillimi social nuk kishin apo kanë ndonjë ndryshim thelbësor. Nga këta  konjuktura lindi dhe Partia LSI, një parti që  degët i kishte nga PS , por  gjethet i mori nga të zhgënjyerit e të djathtës dhe qendrës shqiptare, nga që rezulton  se përqindja e elektoratit socialist nuk ka ndryshuar. LSI manovroi në mënyrë perfekte ndaj tëzhgënjyerve, duke u shfaqur si parti e qendrës. Gjatë këtyre viteve, kjo forcë përshkoi disa etapa, herë djathtas e herë majtas, sipas interesave jetike dhe strategjisë së saj, por që nuk u nda përfundimisht nga historia e qendrës majtë. Pas ardhjes së Monika Kryemadhit në krye të partisë, duket se raportet kanë ndryshuar seriozisht, çfarë  tregon se  aleanca me të djathtën shqiptare të kryesuar nga PD dhe Lulëzim Basha është e konsoliduar si kurrë më parë. Në politikë, gratë janë më besnike se burrat, sepse burrat lurtojnë superioritetin egoist kalorsiak, kurse gratë janë brumë i përdheshëm, rregullator dhe zemrek i familjes dhe shtetit.

Në pakte afatmesme dhe afatgjatë, diferencat programore kalohen pa u vënë re, sepse çështja kardinale e atdheut i vë në gjumë interesat personale dhe partiake. Nëse flasim më dorë në zemër dhe jemi të sinqertë  me njeri-tjetrin, Shqipërisë i duhet njëpakt i tillë mbase dhe 25 vjeçar. për të dalë nga impakti i empirizmit dhe injorancës politike .

Dikush mund të thotë me të drejtë, po dhe këto janë përgjegjës për dekadencën e sotme politike. Unë u përgjigjem, po! Por ka një ndryshim thelbësor, midis LSI, PD, PR etj…, dhe,  “Rilindjes”, ku eufemiza nuk ia fsheh dot  emrin real: “PP”, trashigim i komunizmit çnjerëzor. Kjo ishte dhe arsyeja që disa demokratë të djathtë të diasporës së Michiganit dhe përfaqësues të Vatrës… pritën Kryetaren e LSI dhe  shoqërueset  e saj, Kejdi Mehmetaj, Elona Guri etj.  Zonja të çiltra pakomplekse dhe me një vizion të çliruar nga rëndesa e politikës amorfe. 

Vatra ka pritur dhe më parë Kryeministrin Rama, Presidentin Meta, Presidentin Nishani e të tjerë Presidentë të tokës arbnore. Eshtë në strategjinë e  Vatrës të mos bëjë dallime, sepse ajo vë interesat kombëtare  mbi ato partiake! Porse në momente të caktuara, ajo godet gabimet e çdo politike dritëshkurtë dhe militanteske që anashkalon interesat e përgjthshme ,duke vënë interesat e verbta partiake mbi ato të Shqipërisë etnike. Vatra nuk takon partiakë “strategë” me pushtet apo papushtet që vijnë për të krijuar seksionet  e partive për të  përçarë Diasporën, si në rastin  Majko.

Zonja Kryemadhi, nuk erdhi për një gjë të tillë. Ajo erdhi për të rrahur dhe vjelur mendime nga pjesa e mohuar e politikës qorre, pra duke respektuar diasporën si një  pasuri kombëtare që mund të japë frytet e veta në momente deçizive. Në fjalën që ajo mbajti  (në darkën me Vatranë, përfaqësues të Shoqatës “Malësia e Madhe” dhe disa përfaqësuesve me integritet, siç ishin Dom Ndue Gjergji, Dom Fred Kalaj, Kol. Dritan Demiraj,  etj…),  foli me sinqeritetin e nje nëne, e një gruaje shqiptare, e një politikaneje që ka gabuar, dhe që  jep shpresë për ndreqjen e gabimeve në të ardhmen. Mbi të gjitha, ajo vuri theksin se, gjetja e rrugës tek besimi në Zotin, ishte shtylla kryesore e ndryshimit shpirtëror e psikologjik të saj që e ndriçon në  rrugën  për t’i shërbyer të ardhmes së atdheut. 

Personalisht nuk e kam njohur kurrë frikën, por ndjej trishtim kur bisedoj me karaktere që nuk besojnë në Zot, se ata kulmojnë në më të keqen njerëzore! Kritika  e zonjës Kryemadhi, për Edi Ramën, ishte  therëse, por e goditur: “Që në kohën e Enver Hoxhës,  Shqipëria nuk ka pasur mbi krye njeri më negativ dhe anti-kombëtar  se Edi Rama”! 

Siç u pa në fjalën e saj, pakti i të Djathtës me LSI ishte një pakt vital për Shqipërinë. Unë besova (dhe 98% e të ftuarve ) se ishin fjalët e shpirtit të një shqiptareje që është lodhur me arrogancën e politikave të verbëta partiake.

Në fakt, filozofia ime është e ndryshme me pasqyrën e politikës sotme, por kam dëshirë që për hir të Shqipërisë të bekohet një pakt i tillë! Dhe për hir të Shqipërisë, guxoj të shkoj dhe më larg: le të bëhet një pakt i gjithë politikës shqiptare për një çerek shekulli (për të pastruar dhe shëndoshur e ngritur në nivelin europian, përfshi dhe Partinë Socialiste), por këta të fundit, duhet të ndahen njëherë e mirë nga e kaluara komuniste, duke dënuar komunizmin me vepra dhe jo me fjalë, ku të ndërtojëdhe një program dinjitoz në shërimin e plagëve të klasës persekutuar.

Kristian-demokrati De Gaspri, një nga etërit e Europës së Bashkuar do ta pranonte si zëvendësin e tij, komunistin idealist  Palmiro Toliati,  ku ai do shprehej për të: “Ai është shumë i zoti sa ta ndajë vendin në dysh, por përsëri meriton respekt!”. Pra,  interesat e shenjta të kombit bëjnë që gjatë dimrit të egër të  flejë  bashkë macja me miun.   

Për të kaluar krizat duhet bashkëpunim i sinqertë i të gjithëve. Sikur ta shohim nga ana filozofike , duhet ta marrim dhe më lehtë, se asnjeri nuk lindi demokrat apo komunist, po bëhen gjatë rrugës.

Jam i sigurtë se  disa miq dhe të persekutuar  nuk mund të jenë të një mendimi me mua, por shoqëria shqiptare  nuk ka asnjë rrugë tjetër paqësore, sepse  65%  e bijve  të së djathtës reale shqiptare kanë braktisur vendin  dhe  35%  të mbetur në atdhe nuk do ta  kenë të mundur që pa alenca  të rrëzojë qeverinë e krimit, e cila ka penalizuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe  paralizuar zhvillimin e vendit. Mjafton të shohësh vetëm një përgatitje të thjeshtë, siç ishte inaugurimi i stadiumit të Tiranës në ndeshjen Francë-Shqipëri dhe do shikosh defiçencën  e shumëanëshme. Koerografia dhe fillimi i muzikës ishin vjellur nga filmi indian “Taal”, që pasonte rreshtat e shformuar të valltarëve… pasqyrë e rutinës dhe amatorizmit të një qeverie injorante , dhe kulmimi i ushtimës :  “Rama Ik!”. Dhe kalbësimi  qeverisjes tij pasyrohet në fatkeqësinë natyrore që goditi Shqipërinë, i cili deri më sot  nuk shpalli gjendjen emergjente të shtetit …, kur në Amerikë pas çdo fatkeqësie natyrore , qoftë dhe për një borë të rëndë  shpallet State Emergency .

Tani, unë shoh dhe disa fjalë kritike super-antikomuniste, të cilat (sipas mendimit tim) janë irealizëm dhe anakronizëm, duke theksuar se dërdëllisja  është shprehje  e të dobëtit. Produktivitet real kombëtar nacional e anti-komunist është Dielli me kryeredaktor Dalip Greca, Gazeta  RD, Gazeta 55 etj . Janë veprat e Uran Butkës, At Zef Pëllumbit, Pjetër Pepës, Sami Rrepishtit, Elez Biberaj, Romeo Gurakuqi…, denoncimet e Nebil Çikës, Agostin Mirakës, Çezar Ndreut, Pëllumb Lamaj, Mërgim Korça, Uran Kostreci, etj… Sot është koha e veprave! 

Nëse nuk bëhet një pakt kombëtar, ku të dënohet komunizmi dhe të mbretërojë paqa, tallja dhe dhuna e neokomunistëve duhet ndalur me çdo çmim !!! Koha po troket në të gjitha familjet e persekutuara shqiptare për të nxjerrë Antonio Pallante! Sepse dhuna sistematike e krimit neokomunist nuk mposhtet me fjalë, por me drejtësi sublime.

Filed Under: Politike Tagged With: Alfons Grishaj-O Pakt Kombetar Paqeje- O drejtesi Sublime

RRETH FLAMURIT KOMBETAR…

November 26, 2019 by dgreca

Kur jam pranë Flamurit dhe komunitetit tim në Amerikë duket sikur kam gjithë botën me vehte.  M.Gjonaj/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Flamuri Kombëtar është i shenjtë kudo ku frymojnë shqiptarë.  Gjaku i derdhur lumë për ta mbajtur atë Flamur dhe valëvitur krenar në trojet amtare e bën historinë tonë shqiptare legjendare dhe të ndritur në përjetësi.  Para Flamurit përulet gjithë Kombi dhe kështu do të vazhdojë brez pas brezi derisa të ketë shqiptare mbi tokë. 

Në Marina Del Rey restorant në Bronx, z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” dhe këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut së bashku me shoqatat e Diasporës mblodhën shqiptarët për të festuar 107- Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Shqiptarët me flamujt kuq e zi ne duar vinin grupe grupe me fytyrat e qeshura nga gezimi per të festuar këtë ditë të shenjtë të Kombit.  Salla e madhe dekoruar me shije dhe me simbolet kombëtare ndrinte në atë mbremje të bukur dhe natyrisht kjo i përkushtohet znj.Vera Mjeku së bashku me stafin që kishin punuar fort për të pritur sa më ngrohtë dhe me dashuri këtë aktivitet madhështor .  Tavolinat kuq e zi kishin për cdo person nga një plis të bardhë që shpesh më dukej sikur pranë kishim dhe flisnin me ne, të gjithë ata burra të ndritur që luftuan kundër perandorisë osmane dhe gjithë armiqve të Kombit për ta mbajtur lart atë Flamur. I morëm plisat e bardhë dhe i vumë në kokë, ku me këtë lloj veshje të ngjallet një lloj emocioni dhe kënaqësie që ngelet gjatë në kujtesë. 

Programi u prezantua nga vajza bukurane Miss New York USA 2019-të Florinda Kajtazi së bashku me oficerin e policisë amerikane djalin me origjinë shqiptare Valdrin Nikqi.

Të gjithë pjesëmarrësit e shumtë që mbushnin sallën plot e përplot u ngritën në këmbë për të kënduar Hymnet kombëtare shqiptare dhe amerikane, të cilat u interpretuan nga këngëtari legjendë Ilir Shaqir dhe Dea Elezaj.

Një qëndrim solemn dhe shumë prekës ishte kur në sallë hynë me uniformën e policisë, ushtarakët shqiptaro amerikanë të cilët kanë dhe shoqatën e tyre “Illyria”.  Në rreshtin e pare një ushtarak hyri me dy vajzat e tij të veshura me kostumet kombëtare shqiptare çka e bënte dhe më të bukur atmosferën. 

Mbrëmjen e hapi z.Mark Gjonaj këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.  Fjalimi i tij u mirëprit me duartrokitje të fuqishme ku midis të tjerash tha se: “Kur jam pranë Flamurit dhe komunitetit tim në Amerikë duket sikur kam gjithë botën me vehte.  Mark Gjonaj është politikani më popullor dhe më i dashur për Diasporën shqiptare ngase gjithmonë e ka në qendër të vëmendjes komunitetin dhe çështjen kombëtare jo me fjalë, por me vepra konkrete.  Mark Gjonaj është një shembull frymëzimi.

Gjallëri dhe vitalitet i dhanë mbrëmjes grupi i valleve Freskia “Ana e Malit” dhe grupi “Rozafati” i qendës “Nëna Terezë” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”.

Në emër të shtetit shqiptar përshëndeti Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare.

Folësi kryesor ishte shefi i stafit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” Dr.Pashko Camaj i cili përshëndeti në emër të Komisionit organizativ si edhe në emër të kryesisë dhe kryetarit të Federatës Pan-shqiptare “Vatra” z.Dritan Mishto.

Dr.Camaj ndër të tjera tha: “Jemi tubuar sonte për të festuar 107-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar,dhe njëkohësisht të kujtojmë heronjt tanë dhe sakrificat e tyre për këtë ditë të madhe.

Ky tubim sonte, bëhet në frymën e bashkëpunimit ndër shqiptarë, gjë kjo që është dëshmuar si i vetmi çelës për suksesin dhe të mirën tonë të përbashkët. Uniteti dhe fryma e bashkimit, ishin shtytësit kryesorë edhe për formimin e Fedratës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, këtu e 107 vite më parë, kur grupacione të ndryshme, nga anembanë SHBA-të, vendosën të bashkohën dhe si të bashkuara, të japin konributin e vet, fillimisht për krijimin e shtetit shqiptar, por, po me aq rëndësi, edhe për vendosjen e shtetit në binarë, të cilët do ta çonin përpara kombin tonë.

107-Vjetorin e Pavaresise e përshëndetën dhe shumë politikanë të lartë amerikanë si Kongresisti, Adriano Espaillat, Senatorët Jamal Bailey, David Carlucci, Ansambleisti Benedetto and Assembleistja Nathalia Fernandez, Këshilltari Ritchie Torres, Nënkomisioner May Malik nga zyra e Kryetarit te Bashkise së Nju Jorkut, si dhe Emiljana Ulaj nga zyra e Asambleistes Shelley Mayers.

Krenari ishte për të gjithë se në këtë mbrëmje morën pjesë dhe politikanët e rinj të zgjedhur shqiptaro amerkan si Jetlir Kulla, anëtar i Këshillit në Waterbury, Vedat Gashi, në Westchester County ligjvënës. 

Nderoi me pjesëmarrjen dhe përshëndeti Kryetari i Komunës së Tuzit z.Nik Gjeloshaj.

Pjesëmarrësit u argëtuan me këngë e valle nën interpretimin e legjendës së muzikës Ilir Shaqiri, Arben Krasniqi, Mimoza Gjikola dhe Griselda Pepa.

Pas mbrëmjes njerëzit të gëzuar përshëndesnin njeri tjetrin dhe uronin se viti tjetër do t’i gjejë të bashkuar rreth Shqipërisë etnike. 

Së shpejti TV “Alba Life” me kameraman z.Elton Xhaferri do të sjellë kronikën rreth kësaj mbrëmje festive dhe do ta transmetojë në kanalet televizive.

Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit

Marina del Rey, 23 nëntor, 2019

Bronx, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: keze Kozeta Zylo-Mark gjonaj-Rreth Flamurit

EDHE NJI HERË PO E KUJTOJ MARK GJOMARKAJN

November 26, 2019 by dgreca

“Shqipnía dikur, në nji mënyrë ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme”- MARK GJOMARKAJ/

Shkruar nga TAHIR KOLGJINI*/

            Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikur ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë i ndjemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cilsinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë  për tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.

            Të gjithë shqiptarët, qi kanë flîjue jetën e tyne për nji Shqipní të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qëllim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në këtê mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botërore. E kemi për detyrë…..

            Sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej edhe un, tue u mundue me tregue dishka për këtë HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesve të mij të dashtun.

*****

                Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëherë kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeti nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Italí. Rastësisht u përshndeta me tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e përcjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qëllim qi të përbâj nji mendim, fillova me tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tij ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëherë, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për ktê student të ri, si djalosh i nji derës së mirë, do të mbërrîjë në gjêndje me i shërbyem Shqipnís në kohën e ardhëshme.

            Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist. Mâ vonë e shoh si Nënministër i Punëve të Mbrêndshme në Tiranë, kur erdhi në fuq( qeveria e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje. Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për tê, atëherë kur ishte student.

            Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsie, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun  rândësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjêndja delikate e kohës.

            Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipní, atê nuk e lakonte kurrgjâ në ket botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje. Ma vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej , me kapitullimin  e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem, me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí.

            Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msŷmje, ose kërcnim . Në këtë mënyrë ai, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjêndje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.

***** 

            Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depërtue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeverís pat fillue me u tronditun keqas. Un, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapsun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi ende i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakëve anglo – amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm edhe disa të vramë. Ata qi tepruen mbërritën në Shkodër. Un shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku ishte në Shkodër.

            Si dihet, në Shkodër aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylçe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qëllim me ndalue hŷmjen e komunistëve në këtê pllâmbë të fundit të tokës shqiptare, për me mundë me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonji force anglo – amerikane në Shqipní ose në ndonji vênd në zonën e Shkodrës.

            Kapidan Gjoni më njoftoi se mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësíe në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se jam drejtue për në Gjermaní dhe se mbrênda javës, bashkë me dy oficerë gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.

            “Or Tahir,” më thotë Kapidani, “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.” Mbi këtê dhe un e pranova këtê detyrë. Njeriu vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimníe. E si u pashë edhe me Sylçe Beg Bushatin mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.

*****

            Ndërsa lufta vazhdonte me vrull në Mirditë dhe aty këtu derdhas në malsinat e tjera të Shqipnís, Markut i bâj këtê propozim:

            “Thika ka hasun n’asht. Komunizmi nuk mund t’asgjâsohet me masa gjysmake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të rekuizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue i u dhânun nji afat të shkurtën. Kush nuk e jep shumën e kërkueme mbrênda afatit të caktuem….. në litar!….. Armë ka. Me nga njimijë frank në muej të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufînin grek. Me krijimin e nji qeverie kombtare, ka gjasë qi të zbarkojë ndonji njisí anglo – amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjêndja, t’interesuemve i u paguen pasunín e rekuizueme.”

            “Fitimi âsht i yni, mbasi komunizmi jugosllav e grek nuk janë gjêndje  me i u ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këtê, të supozojmë se nuk mundëm me i a mbërrîmë këtij caku, atëherë me të tânë këtê fuqí po e çajmë me pushkë; po hŷjmë në Greqi dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t”.

            I ndjemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. I a hapëm Kapidan Gjonit. Dhe ai e pranoi. Mirëpo kur i a parashtruem Sylçe Begit, ai nuk u tregue d’akord mbasi natyra e tij nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.

            Prandej edhe kjo masë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.

*****

            Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet e ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit.Në kët rasë Marku më drejtohet:

            “Or Tahir, duhet të përgatitesh se Ti do të dalësh nesër bashkë me babën.”

            “Për ku or Mark?”

            “Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”.

            “Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”.

            “Baba âsht i vjetër; prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë, qi un të largohem nga Shqipnía, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”

            Dhe si i mallëngjyem Marku vazhdoi:

            “E dij. Do të jetë e pamundun me qëndrue n’arratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem, por s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnía dikur, në nji mënyrë ose në nji tjëtër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj rrugë të mbarë.”

            Markut, kur shprehte fjalinat e fundit, i u rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Un nuk pata gjâ me shtue, mbasi ai parapëlqeu rrugën e burrnís shqiptare.

            Më 24 nandor 1944, në mëngjes u hallatosëm me tê dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lamë Shkodrën, tue marrun rrugën e arratís. Karakteristika qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve të tjerë, âsht kjo: Ai qëndroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e të tjerët qëndruen për të shpëtue.

*****

            Sigurisht, disa burra nacionalista do të kenë mbajtun shënime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Un këtu, shkurtimisht po shënoj disa pika kryesore për hir të historís kombtare.

            Marku, më 26 Nandor e le Shkodrën, tue pasë me vehte nji fuqí të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qênë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e arratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqíe i dahet. Me fuqín qi i mbetet Ai vazhdon udhën nëpër vênde të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cilat ishin vûmë nga nji pjesë e popullit qi e kishte mashtrue komunizmi.. Lemisht në këto derdhet shumë gjak prej të dy palëve. Për këtë shkak Marku vendos qi forcat, aty për aty, të shpërndahen andej-këtej, ku t’a shikojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet rregullisht medis tyne. Dhe vetë me disa shokë kalon në Merditë.

            Gjatë kohës qi Marku qëndron n’arratí krijon nji organizatë kombtare, e cila shtrihet thuejse në krejt Shqipnín. Mirëpo edhe kjo, mjerisht dështon, për shkak se nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para dtës së caktueme. Kësaj here Tirana vendos me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje qi zhvillohet në vendin e quejtun Prosek të Merditës, më dattën 13-6-1946 plagoset rândë. Dhe më 14-6-1946, n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me i u dorëzue i gjallë komunistëve.

*****

            Mbas vetëvrasjes forcat komuniste trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvarritun e tue e shkelmue.

            Kjo sjellje banale në vetvehte tregon se komunizmi asht nji shfaqje kundërnjerzore.

            Nacionalizmi shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë dëshmorët e vet.

            Hiri i Zotit qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shênjtë.

            Marrë nga “Lajmëtari i të Mërguemit”, nr. 12, viti i 7, korrik 1976, fq. 11 – 15 (E dergoi per Diellin Eugjen Merlika)

Filed Under: Histori Tagged With: Mark Gjomarkaj-Shkrim-Tahir Kolgjini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT