
O pakt kombëtar paqe, o drejtësi sublime /
Nga Alfons Grishaj/
Kautilya, do të shkruante një qote të mprehtë arabe:“Armiku i armikut tim është miku im!” Kjo shprehje mori dhenë duke u përdorur nga mbretër,perandorë,politikanë deri në ditët e sotme. Amerikanët e përdorin aq shpesh sa duket si citat i tyre. Kautilya nuk e dinte atëherë se kjo thënie filozofike e popujve arabë, e skalitur në letër nga ai, do ta bënte atë më të famshëm se vepra e tij Arthashastra.
Në politikën e mëse dy shekujve, kur ulen dy kundërshtarë së bashku (armiq), dhe bëjnë aleancë kundër një kundërshtari më të rrezikshëm destruktiv, përdorin shprehjen e filozofit Indian, Kautilya: “armiku i armikut tim është miku im”. Sot mëtepër se kurrë, ky citim është jetik në krizat që kalojnë kombet, por tek ne po forcohet përditë në tranzicionin e gjatë Shqiptar…
Në Shqipëri, nga përplasja e ideve, interesave, xhelozive dhe bajraktarizmit, u shkërmoqën partitë kryesore, duke lindur ca parti të vogla, të cilat nga filozofia politike dhe zhvillimi social nuk kishin apo kanë ndonjë ndryshim thelbësor. Nga këta konjuktura lindi dhe Partia LSI, një parti që degët i kishte nga PS , por gjethet i mori nga të zhgënjyerit e të djathtës dhe qendrës shqiptare, nga që rezulton se përqindja e elektoratit socialist nuk ka ndryshuar. LSI manovroi në mënyrë perfekte ndaj tëzhgënjyerve, duke u shfaqur si parti e qendrës. Gjatë këtyre viteve, kjo forcë përshkoi disa etapa, herë djathtas e herë majtas, sipas interesave jetike dhe strategjisë së saj, por që nuk u nda përfundimisht nga historia e qendrës majtë. Pas ardhjes së Monika Kryemadhit në krye të partisë, duket se raportet kanë ndryshuar seriozisht, çfarë tregon se aleanca me të djathtën shqiptare të kryesuar nga PD dhe Lulëzim Basha është e konsoliduar si kurrë më parë. Në politikë, gratë janë më besnike se burrat, sepse burrat lurtojnë superioritetin egoist kalorsiak, kurse gratë janë brumë i përdheshëm, rregullator dhe zemrek i familjes dhe shtetit.
Në pakte afatmesme dhe afatgjatë, diferencat programore kalohen pa u vënë re, sepse çështja kardinale e atdheut i vë në gjumë interesat personale dhe partiake. Nëse flasim më dorë në zemër dhe jemi të sinqertë me njeri-tjetrin, Shqipërisë i duhet njëpakt i tillë mbase dhe 25 vjeçar. për të dalë nga impakti i empirizmit dhe injorancës politike .
Dikush mund të thotë me të drejtë, po dhe këto janë përgjegjës për dekadencën e sotme politike. Unë u përgjigjem, po! Por ka një ndryshim thelbësor, midis LSI, PD, PR etj…, dhe, “Rilindjes”, ku eufemiza nuk ia fsheh dot emrin real: “PP”, trashigim i komunizmit çnjerëzor. Kjo ishte dhe arsyeja që disa demokratë të djathtë të diasporës së Michiganit dhe përfaqësues të Vatrës… pritën Kryetaren e LSI dhe shoqërueset e saj, Kejdi Mehmetaj, Elona Guri etj. Zonja të çiltra pakomplekse dhe me një vizion të çliruar nga rëndesa e politikës amorfe.
Vatra ka pritur dhe më parë Kryeministrin Rama, Presidentin Meta, Presidentin Nishani e të tjerë Presidentë të tokës arbnore. Eshtë në strategjinë e Vatrës të mos bëjë dallime, sepse ajo vë interesat kombëtare mbi ato partiake! Porse në momente të caktuara, ajo godet gabimet e çdo politike dritëshkurtë dhe militanteske që anashkalon interesat e përgjthshme ,duke vënë interesat e verbta partiake mbi ato të Shqipërisë etnike. Vatra nuk takon partiakë “strategë” me pushtet apo papushtet që vijnë për të krijuar seksionet e partive për të përçarë Diasporën, si në rastin Majko.
Zonja Kryemadhi, nuk erdhi për një gjë të tillë. Ajo erdhi për të rrahur dhe vjelur mendime nga pjesa e mohuar e politikës qorre, pra duke respektuar diasporën si një pasuri kombëtare që mund të japë frytet e veta në momente deçizive. Në fjalën që ajo mbajti (në darkën me Vatranë, përfaqësues të Shoqatës “Malësia e Madhe” dhe disa përfaqësuesve me integritet, siç ishin Dom Ndue Gjergji, Dom Fred Kalaj, Kol. Dritan Demiraj, etj…), foli me sinqeritetin e nje nëne, e një gruaje shqiptare, e një politikaneje që ka gabuar, dhe që jep shpresë për ndreqjen e gabimeve në të ardhmen. Mbi të gjitha, ajo vuri theksin se, gjetja e rrugës tek besimi në Zotin, ishte shtylla kryesore e ndryshimit shpirtëror e psikologjik të saj që e ndriçon në rrugën për t’i shërbyer të ardhmes së atdheut.
Personalisht nuk e kam njohur kurrë frikën, por ndjej trishtim kur bisedoj me karaktere që nuk besojnë në Zot, se ata kulmojnë në më të keqen njerëzore! Kritika e zonjës Kryemadhi, për Edi Ramën, ishte therëse, por e goditur: “Që në kohën e Enver Hoxhës, Shqipëria nuk ka pasur mbi krye njeri më negativ dhe anti-kombëtar se Edi Rama”!
Siç u pa në fjalën e saj, pakti i të Djathtës me LSI ishte një pakt vital për Shqipërinë. Unë besova (dhe 98% e të ftuarve ) se ishin fjalët e shpirtit të një shqiptareje që është lodhur me arrogancën e politikave të verbëta partiake.
Në fakt, filozofia ime është e ndryshme me pasqyrën e politikës sotme, por kam dëshirë që për hir të Shqipërisë të bekohet një pakt i tillë! Dhe për hir të Shqipërisë, guxoj të shkoj dhe më larg: le të bëhet një pakt i gjithë politikës shqiptare për një çerek shekulli (për të pastruar dhe shëndoshur e ngritur në nivelin europian, përfshi dhe Partinë Socialiste), por këta të fundit, duhet të ndahen njëherë e mirë nga e kaluara komuniste, duke dënuar komunizmin me vepra dhe jo me fjalë, ku të ndërtojëdhe një program dinjitoz në shërimin e plagëve të klasës persekutuar.
Kristian-demokrati De Gaspri, një nga etërit e Europës së Bashkuar do ta pranonte si zëvendësin e tij, komunistin idealist Palmiro Toliati, ku ai do shprehej për të: “Ai është shumë i zoti sa ta ndajë vendin në dysh, por përsëri meriton respekt!”. Pra, interesat e shenjta të kombit bëjnë që gjatë dimrit të egër të flejë bashkë macja me miun.
Për të kaluar krizat duhet bashkëpunim i sinqertë i të gjithëve. Sikur ta shohim nga ana filozofike , duhet ta marrim dhe më lehtë, se asnjeri nuk lindi demokrat apo komunist, po bëhen gjatë rrugës.
Jam i sigurtë se disa miq dhe të persekutuar nuk mund të jenë të një mendimi me mua, por shoqëria shqiptare nuk ka asnjë rrugë tjetër paqësore, sepse 65% e bijve të së djathtës reale shqiptare kanë braktisur vendin dhe 35% të mbetur në atdhe nuk do ta kenë të mundur që pa alenca të rrëzojë qeverinë e krimit, e cila ka penalizuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe paralizuar zhvillimin e vendit. Mjafton të shohësh vetëm një përgatitje të thjeshtë, siç ishte inaugurimi i stadiumit të Tiranës në ndeshjen Francë-Shqipëri dhe do shikosh defiçencën e shumëanëshme. Koerografia dhe fillimi i muzikës ishin vjellur nga filmi indian “Taal”, që pasonte rreshtat e shformuar të valltarëve… pasqyrë e rutinës dhe amatorizmit të një qeverie injorante , dhe kulmimi i ushtimës : “Rama Ik!”. Dhe kalbësimi qeverisjes tij pasyrohet në fatkeqësinë natyrore që goditi Shqipërinë, i cili deri më sot nuk shpalli gjendjen emergjente të shtetit …, kur në Amerikë pas çdo fatkeqësie natyrore , qoftë dhe për një borë të rëndë shpallet State Emergency .
Tani, unë shoh dhe disa fjalë kritike super-antikomuniste, të cilat (sipas mendimit tim) janë irealizëm dhe anakronizëm, duke theksuar se dërdëllisja është shprehje e të dobëtit. Produktivitet real kombëtar nacional e anti-komunist është Dielli me kryeredaktor Dalip Greca, Gazeta RD, Gazeta 55 etj . Janë veprat e Uran Butkës, At Zef Pëllumbit, Pjetër Pepës, Sami Rrepishtit, Elez Biberaj, Romeo Gurakuqi…, denoncimet e Nebil Çikës, Agostin Mirakës, Çezar Ndreut, Pëllumb Lamaj, Mërgim Korça, Uran Kostreci, etj… Sot është koha e veprave!
Nëse nuk bëhet një pakt kombëtar, ku të dënohet komunizmi dhe të mbretërojë paqa, tallja dhe dhuna e neokomunistëve duhet ndalur me çdo çmim !!! Koha po troket në të gjitha familjet e persekutuara shqiptare për të nxjerrë Antonio Pallante! Sepse dhuna sistematike e krimit neokomunist nuk mposhtet me fjalë, por me drejtësi sublime.