• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

Liria vetjake dhe të drejtat e individit-gjurmë e një tradite të lashtë

December 17, 2019 by dgreca

“Liria e secilit ndalet aty ku fillon liria e tjetrit.”- Karta e të Drejtave të Njeriut/

            Nga Anton Çefa/

Liria është atribut i patjetërsueshhëm që lind me njeriun dhe është pajë e qenësishme shpirtërore e tij, i takon atij dhe nuk ka të drejtë kush t’ia mohojë, t’ia grabisë, t’ia dhunojë.

Kuptimësinë e lirisë vetjake, kultura jonë e pati përkufizuar që heret, në kohën e Rilindjes Kombëtare. Konica na e pati sqaruar: “Liria është të mundet njeriu të besojë ç’i do zembëra, të thotë ç’i do zembëra, të shkrojë ç’i do zembëra, të bëjë ç’i do zembëra, veç ato që janë kundra lirisë tjetër njeriu.” Me këtë stil të shkruari kaq të hijshëm, ai ka vënë qartë në dukje lirinë e besimit, të fjalës, të shtypit dhe të veprimit si dhe kahun etik të vënies në jetë të tyre. 

Konceptimi i lirive individuale siç e kuptojmë sot është i kohëve të vona. Vetëm mendimi filozofik i fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, ka dhënë një trajtim të plotë të tijin, duke shpallur individin si realitet primar dhe si vlerë e vërtetë shpirtërore. Në hullinë e realizimit politik, elemente të tij janë ligjësuar dhe kanë filluar të vihen në jetë në SHBA që me Deklaratën e Pavarësisë, në vitin 1776, dhe kanë ardhur duke u plotësuar dhe përsosur me kalimin e kohës. Kështu shumë më vonë janë vënë në jetë të drejtat e zezakëve dhe të grave.

Liria individuale përfshin lirinë e mendimit, të fjalës, të shtypit, të besimit, të mbledhjes, të manifestimit publik. Për t’u realizuar liria në gjithë hapësirën e saj konceptuale duhet pa tjetër të burojë dhe të mbështetet në një bazë të shëndoshë morale, çka nënkupton përgjegjësinë e individit përballë të tjerëve. Vetëm kështu mund të realizohet plotësisht qenësia e njeriut. Në Kartën e të Drejtave të Njeriut thuhet: “Liria e secilit ndalet aty ku fillon liria e tjetrit.”

Termat liritë dhe të drejtat individuale të njeriut, ose thjesht, të drejtat e njeriut, përdoren në rrafsh sinonimik, por duhet bërë dallimi i tyre me të drejtat civile (e drejta e pronës, e votës, etj.), të cilat nuk janë të patjetërsueshme, por sigurohen nga qeveritë. Është fjala këtu për qeveritë që kanë të drejtën morale të qeverisin. 

*   *   *

Ne shqiptarët, si popull i lashtë me një të drejtë zakonore të hershme, trashëgojmë një traditë të vyer në lëmin e lirisë, të barazisë dhe të të drejtave të individit në organizimin shoqëror. Pavarësisht primtivizmit, në të cilin kanë jetuar malësorët tanë të zonave kanunore, ata kanë qenë të lirë dhe të barabartë mes tyre. 1). Të lexojmë çfarë shkruan Koliqi për këtë problem: “E páshprehme e pothue gadi e lânun pá nji emën të vet (si kuptim fare paranik) mbet ndjesija e liris personale në shkallë të ndryshme (grueja, djali, burri i martuem, i zoti i shtëpís) . . . I vorfën o i pasun, sherbtuer, shegert, barí, puntuer, zot shtëpije, çdo shqipëtár âsht pikë mâ së pari nieri i lirshëm si çdo shqiptár tjetër.” 2)  Në ndryshim me shoqërinë fisnore shqiptare në shoqërinë romake ekzistonte skllavëria.

Rrjedhim i kësaj lirie dhe barazie vjen trajtimi i individit, i të drejtave të tij, respektimi i dinjitetit të tij, që kanë qenë atribute të siguruara me një mori ligjesh kanunore. 3). Natyrisht brenda suazës së shoqërisë patriarkale, në të cilën të drejtat individuale i gëzon vetëm burri, nuk mund të ketë një barazi absolute.

Gjithsesi, kjo mungesë barazie absolute nuk pengon a mohon barazinë ndërmjet njëri-tjetrit: “Në Kanun të Lekë Dukagjinit, djali me djalë, burri me burrë, çika me çikë e grueja me grue njihen barabar ndër vedi si të jenë të nji shpije a të nji fisi, si të jenë fisesh të ndryshme.” 4).

Burrat e dheut, siç janë quajtur të zotët e shtëpive që kanë pasur të drejtë dhe detyrë të marrin pjesë në kuvend, kanë gëzuar të drejta të barabarta para ligjit, pa kurrfarë dallimi të shtresës shoqërore, të pronës e të pasurisë, të pozitës shoqërore, të fisnikërisë, të paraqitjes fizike, etj.5).

Fisnikëria shpirtërore e kanunësisë së maleve, në trajtimin e barabartë të individit mashkull dhe lidhur me të drejtat e tij në rrafshin psikologjik, dëshmohet në çështjet më të ndryshme, në shumë raste, në marrëdhëniet mes njërri-tjetrit, në marrëdhëniet e zotërisë me rogtarin, etj.6). Valentini ka shkruar: “edhe sherbëtorët . . . kur janë jashta kohës në të cilën kanë detyrimin e punës, e mbajnë veten të barabartë me zotninë.” 7).

*   *   *

Është shprehur mendimi se shkak i emigrimit të shqiptarëve jashtë trojeve amtare ka qenë natyra e tij individualiste, “koncepti individualist për lirinë”. Me fjalë tjera, shqiptari në emër të lirisë individuale, ka braktisur vendin, d. m. th. lirinë kolektive. Mjerisht duhet thënë se në periudhën e sundimit osman nuk mund të bëhëj fjalë për liri, po kështu, në periudhën e diktaturës kur liria individuale qe mohuar plotësisht dhe liria kolektive qe falso. Këtë gjë e dëshmoi edhe emigrimi në masë i popullit tonë fill mbas përmbysjes së diktaturës.

Përdhunimin e të drejtave të individit, çka është karakteristikë e regjimeve totalitare, diktatura në vendin tonë e çoi deri në skajet më ekstreme. Nuk mund të bëhej fjalë fare as për të drejtën e fjalës së gojës, jo më për të drejtën e fjalës së shtypur, dhe për të drejtat e tjera. Si në çdo shtet totalitar, në vendin tonë u mohua individi si entitet shoqëror dhe u nëpërkëmb dinjiteti i tij, dukuri që e ka shprehur aq mirë sociologu italian Mario Tesini: “Gabimi i fundit që ka sjellur degjenerimin më ekstrem të totalitarizmit ka qenë në analizë të fundit ekzaltimi i entiteteve kolektive të rreme – racës, klasave, kombit, partisë së vetme – në dëm të realitetit të vetëm, që është në të vërtetë depozituesi i çdo vlere dhe i një dinjiteti të pamposhtshëm: individit.”8).

Ndërsa, mendësia popullore e ka vlerësuar në shkallët më të larta njeriun, individin, karakterin e tij të pamposhtshëm, qëndresën me durim dhe gjakftohtësi para fatkeqësivë, sprovave e vështirësive të jetës. Në një varg të gjatë fjalësh të urta është gdhendur kjo psikologji stoike. Ja disa prej tyre: “Ia dha pemës, u tha; ia dha gurit, plasi; ia dha njeriut, duroi” , “I ra gurit e u ça, i ra robit e duroi”, “Burri ma i fortë se guri”,”Pëlset guri, s’pëlset burri”, “Ç’kusur që të ketë njeriu, do ta heqë”.  Të bën përshtypje të veçantë fjala e urtë: “Armikun mos e duaj, por nderin ia ruaj!”, që dëshmon respektin për personalitetin dhe një ndjenjë humane të fisme për njeriun, edhe kur e ke armik e nuk e don.

Në vitet pas rënies së diktaturës, ishin të gjitha kushtet për realizimin e të drejtave të njeriut, por mjerisht për shkak të korupcionit të skajshëm, të ushqyer dhe të praktikuar nga klasa politike dhe nga vetë sistemi i drejtësisë, shoqëria shqiptare është zhytur në një batak të tillë moral, që përbën pengesën kryesore për realizimin e tyre. Ai segment i shoqërisë që vuan më shumë janë gratë. Dhuna në familje dhe diskriminimi janë dukuri të shpeshta shoqërore.

Referenca dhe sqarime

1). Në pjesën e parë të librit të kujtimeve, At Zef Pllumi, në emër të fratit filozof At Gjon Shllaku, ndër të tjera shkruan për banorët e fshatit Lekbibaj, në vitin 1945: “Vetëm këtu asht i saktë koncepti i njeriut të lirë. Kjo asht madhështia e këtyne: që janë të gjithë të barabartë si njerëz të lirë.” (“Rrno vetëm për me tregue” Pjesa e parë 1944-45, botues “Hylli i Dritës”, v. 1995, f. 61).

2). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit tonë dhe e Drejta Romake”, cituar simbas “albanova online.com”.

3). “Kanuni i Maleve të Shqypnis nuk e veçon nierin prej nierit. ‘Shpirt per shpirt, se duken e falë Zoti.” (neni 593, f. 129). “I miri e i keqi kan nji çmim: Kanuni i mban per burra: ‘Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit’. ‘Në kandar të vet sicilli peshon katerqind derhem.” (neni 594, f. 129). “Në kanu të Maleve të Shqypnis gjithsa djelm të lejnë, njehen të mirë e nuk veçohen njani prej tjetrit”, (neni 886, f.169). “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si per të mirin si edhe per të keqin”, (neni 887, f. 169). “Sejcilli mbahet i mirë edhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!’, (neni 888, f. 169). (Referencat janë marrë nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit- The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989.

4). Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Varianti i Pukës, Shtëpia botuese “Çabej MÇM, Tiranë, 1997, f. 72, & 162.

5).Një element i tillë i barazisë, që dëshmon jo vetëm frymën demokratike, por edhe fisnikërinë shpirtërore, mungon në disa kanune të lashta dokësore dhe jodokësore. Në ligjët e Hamurabit, në nenet 196, 197, 198, bëhen dallime në përcaktimin e dënimeve, duke u nisur nga shtresa shoqërore, së cilës i përket fajtori. Kështu, atje thuhet: “Nëse ndonjëri i nxjerr syrin ose i thyen një gjymtyrë një patrici (kështu po emërtojmë pjesëtarin e shtresës më të lartë të shoqërisë babilonase të atëhershme), atij, përkatësisht, do t’i nxiret syri ose do t’i thyhet gjymtyra; por në qoftë se ndonjëri i nxjerr syrin ose i then dorën një plebeu, ai dënohet vetëm me gjobë. (Sipas: “Perry, Peden, Von Laue “Sources of the Western Tradition”, Fourth edition, Copyright, 1999, by Houghton Mmifflin Company, p. 10, (“Burime të traditës perëndimore”. Përkthimi im, A. Ç.).

6). Tek nenet e marrëdhënieve mes zotërisë dhe rrogtarit pasqyrohet qartë barazia humane mes tyre: “Po s’i eci mbas andes së zotnis rrogtari, mund ta dajë, porse me vu gojë keqas mbë te e me vu dorë nuk mundet.” (Kanuni i Lekë Dukagjinit-The Code of Lekë Dukagjini, f. 57, & 128). “Me sha keqas a me rrafë rrogtarin zotnija, e per n’u daftë ky para vadjet, per të rrafme e per të shame do t’i ligjohet.” (I njëjti botim, f. 57, & 129).

7). Cituar sipas, Willy Kamsi-t, “Elementa të traditës në veprën e At Zef Valentinit”, në “Seminnari i Katërt Ndërkombëtar ‘Shkodra në Shekuj”,  Vëllimi I, Shkodër, 2002”, f. 128

8). Mario Tesini, “L’ Albania post-totalitaria e le incertezze della democrazia”, në revistën “Hylli i Dritës”, viti 1993, nr. 4, f. 61. (Përkthimi im).

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa-Liria Vetiake- Te drejtata e individit

DEMOKRACIA E SHTIRUR E DESPOTËVE TË RINJ

December 17, 2019 by dgreca

Nga NADIA URBINATI/

E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika/

            Përqark Romës lëvizin me lehtësi fuqitë kundër-demokratike. Në pak më shumë se tre muaj Italia ka pritur Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Evropa, (dobësia e saj së pari), i intereson të dyve (siç i intereson dhe mik-armikut të tyre Donald Trump); mbi të gjitha Mesdheu, udhëkryqi për Afrikën apo Lindjen e Mesme, të dëshirueshme për të dy fuqitë kontinentale me lakmi perandorake, Kina dhe Rusia. Ato janë, së bashku me Arabinë Saudite, Turqinë, Taxhikistanin, Emiratet Arabe, Vietnamin, Iranin e Singaporin (me një front që shtyhet deri brënda Evropës me Hungarinë e Orbanit) përfaqësuese të një modeli ekonomiko-shoqëror e politik që sfidon madje pa ndrojtje demokracinë. Së fundi Putini ka gjëmuar kundër demokracive kushtetuese, të arritura simbas tij në fund të rrugës; para disa vitesh, duke komentuar një rezolutë të Parlamentit evropian kundër ndërhyrjeve ruse në mediat kishte pohuar: “Të gjithë na bëjnë shkollë për demokracinë, ndërsa shohim poshtërimin në të cilin dergjet vetë ideja e demokracisë”.

            Për të përcaktuar këta sisteme të pushtetit janë shpikur formulat më të çuditëshme, si psh. ajo e “demokracisë iliberale” (e dashur shumë edhe nga Orbani veç Erdoganit), që nuk thotë asgjë sepse një demokraci me të drejta civile nën mbikqyrjen e ekzekutivit dhe pa një konkurrim publik e të lirë politik nuk mund të ekzistojë, edhe kur shfrytëzon zgjedhje dhe një sistem të sofistikuar të mediave. Kohët e fundit John Keane, një studjues i politikës në Universitetin e Sidney-t ka shkruar se këta sisteme shumë të rrënjosura n’Azi mund të futen në kategorinë e “despotizmit të ri”. Është e dukëshme jehona e klasikëve, të Aristotelit e të Montesquieu-ut, që vendosnin në kontinentin aziatik themelet e një sistemi të mohimit të politikës, të cilit i nuhasnin aftësinë tërheqëse dhe depërtuese edhe përtej kufijve të shtëpisë së tyre. Despotizmi i ri, që miqtë e demokracisë do të duhej të përpiqeshin t’a njihnin më mirë, i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për të patur fat edhe brënda demokracive tona, sepse ushqehet me një gjellë që i a njohim mirë përbërësit: ideologjia e popullit, manipulimi i mediave, kapitalizmi dhe oligarkia, korrupsioni dhe klientelizmi.

            Të mbështetura nga një sistem i shumfishtë piramidash të pushtetit, udhëheqësit e despotizmit të ri ushtrojnë mbisundimin e tyre nëpërmjet një sistemi të shtrirë korrupsioni që shtresëzon miq dhe armiq, por edhe përdorimit të votimeve fantazma që duhet të festojnë fitoret në vend që t’i japin zë parapëlqimeve. Frikësojnë votuesit dhe blejnë votat – por duan shfaqjen e zgjedhjeve, sepse duan të paraqiten me hijen e ligjëshmërisë popullore.

            Ky sistem xhelatinoz nuk ushtron me një harxhim trashanik mjetesh shtypjen e dhunëshme (edhe ndrangeta në Varesotto e kupton rolin e reklamës!), as nuk e ushqen në mënyrë të ankthëshme frikën, si despoti i ravijëzuar nga Montesquieu. Është si një organizëm i stërmadh, në të cilin mbahen së bashku pasuria stratosferike e të paktëve, mirëqënia e shtresave të mesme dhe premtimi për arritjen e kësaj të fundit nga klasa puntore. Imtësisht e vëmëndëshme ndaj hollësive, se si populli jeton e çfarë mendon, mbahet  mbi një oligarki të paisur me një pushtet të pakritikueshëm që grumbullon pasuri përrallore, lind dinasti të vërteta, e nuk fshihet në sytë e publikut si despotët e lashtë, por paraqitet si një model për të gjithë. Suksesi është forma më e mirë e kontrollit shoqëror të vetë pjellur.

            As nuk është e vërtetë që despotzmi i ri të jetë shqeto arbitraritet: ndërsa është e vërtetë se ushtron ligjin simbas një rregulle që e njohin mirë edhe populistët: i ëmbël e i njerëzishëm me mbështetës dhe miq, i sertë me kundërshtarët. Mbarështojnë frikën me rregullsi e pa nevojën e shfaqjeve të kota të dhunës. Me një fjalë fashizmat ishin si shkolla fillore për despotizmat e rinj. Por ka një fakt të ri, që as fashizmi historik as sovjetizmi totalitar nuk e njihnin: ideologjia e hedonizmit konsumues. Joshja e publikut në vend të shtypjes është bërë sot e mundur nga sistemi kapitalist që i lejon despotët e rinj të shfrytëzojnë duarplot argumentin e suksesit ekonomik e të mirëqënies. Shoqëritë e reja despotike janë një panair bashkëkohësie arkitektonike, lluksi dhe zhvillimi teknologjik. Dhe është pikërisht mbi këtë argument që bejlegu me demokracitë perëndimore bëhet fatal, mbasi ato janë ringjallur në mbasluftën e dytë me premtimin e një mirëqënieje të përhapur, që nuk duhej t’ishte qëllim në vetvete por kusht për një jetë dinjitoze e të lirë. Despotët e rinj premtojnë (janë bujarë në përkrahjen e instituteve të kërkimeve e të mediave që përhapin të dhënat mbi fitoret e mëdha të popujve të tyre), ato që në shoqëritë tona janë të paktë ata që mund të premtojnë: një t’ardhme në të cilën bijtë do të jetojnë më mirë se sa prindërit.

            Pikërisht këto suksese ekonomike i shtyjnë studjuesit dhe analistët perëndimorë që të lejojnë të thuhet se bëhet fjalë për “demokraci”, makar “deleguese” ose “iliberale” apo “gjysëm demokratike”. Filozofia shoqërore e lumturisë konsumatore vlerësohet me medaljen e “demokracisë”: një zgjedhje pak e urtë po të mbajmë parasysh se, për të vlerësuar despotët e rinj duke i bërë të hyjnë në Panteonin demokratik, përfundohet në ligështimin e demokracisë, duke e kthyer në një fjalë të squllët që humbet kuptimin, pikërisht ashtu sikurse despotët e rinj dëshërojnë që të jetë.

E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Demokracia e Shtirur- Nadia Urbinat

Gjithё shkrimtarёt shqiptarё qё erdhёn pas Konicёs janё nxёnёsit e tij…..

December 16, 2019 by dgreca

Me rastin e 77 vjetorit tё vdekjes sё Faik konicёs- Fan Noli për Faik Konicën në Ditëvdekjen e kryelëronjësit të Gjuhës Shqipe.-/

“Konicёn pёr herё tё parё e kam pjekur mё 1906. Atё ditё s’kam pёr ta harruar kurrё. Mё shkroi nga Londra se do tё mbёrrinte nё Boston i veshur me kostum shqiptar, me qёllim qё fotografia t’i botohej nёpёr gazeta dhe kёshtu tё shfrytёzonte rastin pёr t’i trumbetuar botёs cёshtjen kombёtare shqiptare, qё ishte edhe qёllimi i jetёs sё tij. Shqeva sytё nga habia. Aso kohe, si prift i modёs sё shkuar qё isha, mbaja njё mjekёr tё gjatё e tё zezё, qё, tё them tё drejtёn, fёmijёt e Bostonit ma shihnin me cudi. E merrja me mend sesa do tё habiteshin kur tё mё shihnin krah pёr krah me njё burrё tё veshur me fustanellё shqiptare. Ndonёse der mё atёherё s’kisha parё fustanellё shqiptare, e merrja me mend se duhej tё ngjasonte me fustanellёn greke, qё nuk ndryshon shumё nga njё fustan balerine. Unё vija i shkurtёr dhe i ngjeshur. Konica ish i gjatё e i hollё.
Tё dy bashkё do tё ngjanim si Don Kishoti me Sanco Pancёn qё sapo kishin dalё nga njё cirk. Habia ime ishte vёrtet e madhe kur pashё se fёmijёt e Bostonit e harruan fare mjekrёn time dhe mbetёn tё admiruar pas Konicёs. Atёherё e kuptova se fustanella shqiptare nuk ngjasonte aspak me simotrёn e saj qesharake greke. Ajo i afrohej mё tepёr fundit skocez dhe I shkonte shumё pёr shtat njё burri tё pashёm si Konica. Rasti e sjell qё nё kёtё libёr tё Konicёs kёndonjёsi tё njihet edhe me ndryshimin midis kostumit grek dhe atij shqiptar. Grekёt vёrtet qё e kanё huaj tur nga shqiptarёt, po, duke u rrekur pёr ta stolisur edhe mё, e kanё bёrё si tepёr grarishte.
Por Konica nuk mё habit vetёm me veshjen e tij. S’po u besoja veshёve kur nisi tё mё «ligjeronte» pёr cfarёdo teme qё tё shkon ndёr mend. Ishte njeri me kulturё tё madhe. Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire), njё shkrimtar francez, qё ishte mik i tij e quante «enciklopedia qё ecёn», dhe qё «e fliste frёngjishten si francez i lindur». Njё tjetёr shkrimtar francez, Zhyl le Metre (Jules le Maitre), ka shkruar pёr te: «Cet entranger qui ecrit si bien notre langue» (Ky i huaj ka shkruar kaq bukur gjuhёn tonё). Si studiues i pasionuar pas muzikёs, Konica adhuronte Vagnerin. Vagneri dhe veprat e tij ishin njё nga gjёrat e para pёr tё cilat mё foli. Ai mё kёshilloi tё shihja dhe Parsifalin, kur u dha pёr herё tё parё nё Boston, mё 1910. Tridhjetё vjet mё pas, kur vdiq, duke ditur sesa shumё e donte Vagnerin, iu luta organistit qё, gjatё gjithё ceremonisё sё varrimit, tё luante pjesё tё tij.
Tani tё themi dy fjalё pёr vendin qё zё Konica nё historinё e Shqipёrisё sё sotme. Si mysliman qё ishte dhe si bir i njё familjeje aristokrate nga Shqipёria e Jugut, Konica i kishte tё gjitha mundёsitё tё zinte njё pozitё tё lartё nё Perandorinё Turke, ku bёnte pjesё dhe Shqipёria qё nga vdekja e Skёnderbeut. E vёrteta ёshtё se gjatё shekujve shumё shqiptarё kishin marrё ofiqe tё larta nё Perandorinё Turke. Pёr shembull nё tё ri tё Konicёs, veziri i madh apo kryeministri i Perandorisё Turke, Ferid Pasha, Ishte shqiptar nga Vlora. Por Konicёs nuk i pёlqente kjo karrierё. Misioni qё i caktoi vetes ishte lufta pёr pavarёsinё e Shqipёrisё. Qё nga viti 1897 gjer mё 1912 Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqipe jashtё atdheut, «Albania» dhe «Drita», ishin dy nga pionierёt e luftёs pёr pavarёsinё e Shqipёrisё. Nё sundimin turk shqiptarёt e kishin fshirё nga kujtesa lavdinё e shkuar nёn Skёnderbenё. Konica ishte ai qё rizbuloi dhe trumbetoi Skёnderbenё dhe flamurin e tij, shqiponjёn e zezё me dy krerё mbi fushёn e kuqe. Ky flamur u bё simbol i pavarёsisё kombёtare dhe u ngrit mё 1912 nё Vlorё nga Ismail Qemali, ku Shqipёria u shpall shtet i pavarur.
Konica ёshtё njё nga krijuesit e prozёs shqipe. Kur pata vendosur tё radhi – tesha dhe unё nё kryqёzatёn qё luftonte pёr pavarёsinё e Shqipёrisё, gjёja e parё qё mё ra nё sy, ishte mungesa e plotё e veprave letrare shqipe me ndonjё vlerё artistike. Por kur shkova nё Egjipt mё 1902, Spiro Dine, njё patriot shqiptar, mё dha koleksionin e revistёs «Albania» tё Konicёs prej vitit 1897 deri mё 1903. I lexova faqe mё faqe dhe qё nё atё cast nё shkrimet e Konicёs gjeta atё qё kёrkonim; letёrsi tё mirё shqipe. Konica, gjithashtu, zbuloi dhe popullarizoi njerёz tё tjerё shqiptarё tё letrave, si Kristoforidhin, Mitkon, Fishtёn, dhe Cajupin. Me kёshillёn dhe nёn drejtimin e tij, unё kam pёrkthyer disa vepra tё Shekspirit, Ibsenit, Edgar Allёn Poes dhe «Don Kishotin» e Servantesit. Gjithё shkrimtarёt shqiptarё qё erdhёn pas Konicёs janё nxёnёsit e tij, pёrfshirё kёtu edhe shkruesin e kёtyre radhёve.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: Fan S. Noli-Konica-Me rastin e Ditevdekjes

ATJON ZHITI-ÇMIM POEZIE, SHKON NË JAPONI, PËR POETEN KAE MORII

December 16, 2019 by dgreca

Targa e Çmimit Nderkombetar “Atjon Zhiti/

Çmimi ndërkombëtar në letërsi, “Atjon V. Zhiti”, edhe këtë vit shkoi në një kontenet tjetër, në Azi dhe iu dha poetes japoneze Kae Morii, ndërsa vitin që shkoi kishte shkuar në kontinentin amerikan, ku fituese ishte poetja nga argjentina, me origjine hebreje, Susana Robert. Këtë çmim të ri e jep Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “IWA BOGDANI”, me qendrat në Bruksel/ Belgjikë dhe Prishtinë/ Kosovë. Çdo vit, në fund të nëntorit, merret vendimin, sipas një manexhimi ndërkombëtar për lëndë të ndryshme letrare dhe u jepet autorëve “Për pasionin dhe sinqeritetin në art dhe krijimtari”, prandaj është vendosur që të mbajë dhe këtë emër, Atjon V. Zhiti, studentit që shkëlqeu si meteorit.

VENDIMI 2019                                                                            

Në Vendim e Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve “IWA BOGDANI”, theksohet se është kënaqësi të akordojë çmimin ndërkombëtar. “ATJON V. ZHITI” dhe ka krenarinë që për vitin 2019 ky çmim t’i jepet Zonjës Mae Morii, Japoni, “si autore që ka arritur nivele të larta të të shkruarit. Ky çmim është për autorët që kanë treguar cilësi dhe humanizëm në kategoritë e tyre të të shkruarit, në poezi, romane, ese dhe përkthime. IWA BOGDANI  i dëshiron suksese dhe gjithë të mirat fituesit.                                              Presidenti, Akademik Prof. Dr. Jeton Kelmendi.                                                   27.11.2019, Prishtinë – Bruksel/ Kosovë – Belgjikë

KAE MORII- Fituesja e Çmimit letrar “Atjon V. Zhiti”, poete bashkëkohore, e njohur në Japoni, nga Osaka, e diplomuar në Keio University, pedagoge me profesion.. Është anëtare e Klubit të Poetëve Japonezë, Anëtare jete e Akademisë Botërore të Artit dhe Kulturës

Anëtare jete e IWA

Është e botuar dhe në gjuhët angleze, mongole, rumune, greke, franceze, maqedonase, etj, ka botime të saj dhe në SHBA.

Gjithashtu është fituese dhe e shumë çmimeve të tjera letrare dhe në konkurse të poezisë, ku ka marrë pjesë në festival të ndryshme botëore, deri në Kore, Indi, USA, etj, . Ajo është bërë e njohur në botë edhe si veprimtare e Çështjeve të Gruas, ka dhe titullin Ambasadore e Paqes dhe Harmonisë.

Disa nga botimet e poetes Kae Morii që nga 2007:

‘A red currunt’

‘Homage to the Light’

‘The Light of Lapis’, bashkautore me Kojin Kudo

‘Over the Endless Night’, përmbledhje në anglisht.

‘Cabbage Field & Wind Power Generators’, përmbledhje në anglisht dhe rumanisht, etj..

KREDO DHE POEZI TË KAE MORII

 “Poezi të shkruara në fillim të shekullit XXI, kur unë u pranova anëtare e Shoqatës së Harmonisë Botërore, e bashkuar dhe me shoqatat botërore të Paqes, në 2004.

Për fat të keq ne po jetojmë në një botë në disharmoni edhe pasi mbaroi lufta e ftohtë si dhe gjatë terrorit të tanishëm të luftës. Unë kam shkruar  në një poezi timen – në Raven Basenin at Bronz – që ‘ne ende nuk jemi njerëz të vërtetë’.       Po, njerëzimi madje ka arritur në Hënë, por ne ende nuk kemi arritur në paqen botërore. Harmonia është koncepti kryesor i paqes. Nga shkaku i paqes pa harmoni, është dhe harmonia pa paqe.

Harmonia mund të ndërtohet mbi barazpeshime në ‘Barazi’, “Drejtësi” dhe ‘Respektimi të njëri-tjetrit’. Sigurisht krijuesit e paqes shpalosin Dashurinë për paqen dhe njerëzit kudo në botë.

Sidoqoftë pas disharmonisë së luftës së ftohtë, duke u përballur me disa çështje serioze: terrorin e luftës, krizën financiare, konfliktet, ndarjen, problemet kufitare, varfërinë, papunësinë, etj, duhet të arrijmë te Harmonia.

Përhapja e Internetit ka kontribuar jo vetëm në transmetimin e informacionit, por edhe të shprehë dhe mbledhë dëshirat e njerëzve në botë. Shekulli XXI duhet të jetë epoka e Harmonisë dhe vullneti ynë është Paqja Globale – që të gjithë tani mund të jetojnë pa asnjë luftë dhe në lumturi.

Për të arritur harmoninë, neve na duhet shpirti, mendja dhe metoda të harmonizuara. Pas poezisë “Dielli” do të doja të ofroja dhe poezi të tjera…

– Autorja –

DIELLI

‘Tashmë Epiku Qiellor ka humbur harmoninë

një lloj njeriu është në ankth të madh’

Ç’zë diellor që më mbështjell

teksa Dielli i mesditës më qëndron përsipër

Pikëllimi është në farën e grurit

Dhe ç’ngrohtësi vërshon nga Dielli për grurin

Pëllumba të bardhë enden nëpër qiell

Gjurma drite rreth diellit

Megjithëse kjo është një fantazi imja

Pëllumbat vazhdojnë të fluturojnë

Deri në fund

YLBERI I HARKUAR MBI POEZI

Matematika është aq e bukur-

Unë nuk e kuptoj analizën dhe algjebrën lineare…

Vetëm gjeometria e zanoreve më çon në përjetësi

Është i mirseardhur shiu mbi funeralin e lotëve të lodhur

Lulet e Paulownias janë kaq të ndritura në dritë

Kambanat kumbojnë nga era

Më e bukura figurë në botë

Kur dikush pëshpërit në kodrën e largët –

Është poezia me krahët si era

Zemër në qiell

që aq larg fluturoi

Për të bekuar atë që lindi me fjalët

PUTHJET

Unë puth zogjtë në një skicë

Unë puth konturet e pemëve që t’i kthjelloj

Unë puth një rruazë vesë mbi lulediellin

Unë puth një ballë xhami vullkanik

Unë puth një buzë druri hibiskus

Unë puth një gji madhështie të truallit.

Unë puth arsyen duke u ngritur lart

Unë puth elegjinë e zhytur në zemrën tënde

Thellësia jote

Sekreti i lindjes

Unë të puth ty

SHENJAT E DUARVE

Pas udhëtimve të vështira në dete,

Shenjat e duarve të njerëzve antikë prehen në shpella.

Pigment-

Entuziazmi për jetën.

Lutja Zotit-

Dëshirë për ekzistencë.

Stuhi në pyjet e mallkuara.

Shpërthejnë tamburet, pëllumbat qajnë, kufomat shkelen

Duke u shpallur lufta.

Jo dora krijuese e Zotit,

Vetëm këmbë dhe krahë të kalbur në vetëtimat e çmendura.

Egoizmi për mbijetesë

Maskë kundër Paqes

Shenja e pigmentit të duarve është Dashuri Jete,

që na thotë: “Këtu jetojmë”,

Dëshmi ekzistence në jetën e kufizuar.

Era më pyet:

‘Sa e ndjen lumturinë? ‘

Si era që s’mund të peshohet në peshore,

Lumturia ime gjithashtu nuk peshohet.

Era e natës shkund yje

Ah, nga të gjitha pemët! Përflakje!

Të përndriten çastet të gjitha,

Lërini yjet të rrëzohen,

Atëherë

Kur një pikëz ylli e syve të tu

Fërgëllon tej në horizont,

Të lutem, kujtomë

Me kumbimet e bukura si me harpë ere.

“19 VJEÇARI I PËRHERSHËM”

“PoertetI i Atjon” nga piktori Gjergj Kola/

“19 vjeçari i përhershëm” – siç e quan gjenerata e tij Atjon V. Zhitin, është studenti shqiptar i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano (Itali), që dinte të jepte shumë dashuri e vrull ndër shokët e shoqet e miqtë, që pëlqente artet, filozofinë dhe sportet, gjuhët e huaja dhe shkencat politike dhe “buzëqeshte çiltërsisht”, gjë që ata që e kanë njohur, ia quajnë “vepër”, duke e patur Atjonin kështu dhe idealin shpirtëror të tyre.                                         Atjon V. Zhiti është autor librash dhe albumesh dhe ekspozitash pikture, veprimtar me të rinjtë në Shqipëri, anëtar i Paralmentit Rinor Europian dhe anëtari më i ri i PEN-Clubit Italian.                                                                                      – Lindi në qytetin e Vlorës në 30 gusht 1995 dhe u rrit mes poezisë, ngjyrave dhe muzikës në Romë (Itali), ku prindërit punonin si diplomatë.                                – Kur ishte 3 vjeç e gjysmë një viziatim i tij për “Nënë Teerzen” iu botua në një album me shkrime për Shenjten dhe shkruajtën gazeta në Vatikan dhe në Shqipëri. Hapi një “ekspozitë fëminore” në shtëpi e tij në Romë dhe më pas një tjetër në Vlorë, në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve.                                                                                                                             – Mësimet e pari i nisi në Tiranë, në shkollën katolike “Ylber”.                  – Arsimin 9 vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestren e shkollës deri dhe në Auditoriumin e Romës.                                                                               – Nisi studimet në Liceun e njohur Klasik të Romës “Giulio Cesare”, ku krahas italishtes dhe anglishtes, që i mësoi mjaft mirë, studio dhe greqishten e vjetër dhe latinishten.                                                                                                      – Kishte pasion dhe muzeumet, i vizitoi të gjithë më të rëndësishmit në Romë e Vatikan, por dhe në qytete të tjera, Tiranë e Korçë, Vlorë, Krujë, Shkodër, etj, por dhe në, Firence, Venecia, Paris e deri në Chicago, SHBA.                 

   – Merrej me sporte, me not, kanotazh, tenis dhe shah.                                             – Përfundoi gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe bëri disa kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frengjisht e gjermanisht.                                                                           

 – Fiton një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi në Itali, ndërkohë është dhe anëtar i Parlamentit Europian Rinor duke përfaqësuar Shqipërinë në disa Konferenca si në Spanjë, Letoni, etj. Duke u pranuar si antar i PEN Clubit Italian, krahas shkrimtarëve që kishte njohur në Shqipëri dhe Kosovë, takohet dhe me poetë nga bota, Sebastiano Grasso, Mario Luzi, Adonis, Hermann Nitsch, Jevtushenko, nobelistin Derek Walcott, etj.                                              Përkthen në shqip për antologjinë “Lajmëtarët e Europës” poezi nga Zai Fundo, personalitet i persekutuar politik, që do të botoheshin për herë të parë.                 Ndërkohë bën dhe piktura si një adoleshent, një pjesë e të cilave vendosen dhe në ballina librash të ndryshëm, të botuara në Shqipëri, Koosvë e Itali.                                                                                                                   

  – Në vitin e dytë universitar nis botimet e eseve të para të tij filozofike në Shqipëri dhe Kosovë dhe në median shqiptare në diasporë, Itali, Zvicër, Angli, SHBA.                                  

Është bashkëpërkthyes në librin me poezi të poetit të njohur në botë, Adonis, që botohet për herë të parë në shqip, në 2014.

          *   *   *                                                                                                        

– Në 2015 del libri i parë me ese e shkrime të mbledhura të Aton V. Zhitit, “Për atë që dua(m)”, me jehonë në lexues dhe në media.
          – Hapet ekspozita me piktura të tij “Një kuti me xiëllonja”, në Universitetin “Polis”, Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, Gëzim Qendro.
         – Në 2017 botohet Albumi “Opera Atjon”, në shqip dhe italisht me vizatimet dhe  pikturat e tij, të fëminisë dhe adoleshencës, përgatitur nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa, me pasthënie të tij dhe parathënie nga Gëzim Qendro. Albumi ka patur jehonë brenda dhe jashtë vendit.
          – Koncert për Atjonin në Romë, me violinë dhe pianofort, “Jehonë dhe butësi,, dialog mes tingujve dhe një ëngjëlli”, ku luan violinistja enjohur Anyla Kraja dhe recitohen shkrime të Atjonit.                                                       
         – 2018, pas librit me tregime “Valixhja e shqyer”, dalin dhe dy përmbledhje me poezi, “Dove é la vita” në Itali dhe “Të rritesh nga dashuria”, në Shqipëri, që të tre me ilustrime të Atjonit si bashkautor me Visar Zhitin dhe me parathënie në librin e tretë nga Eda Zhiti.

– Në teksin e letërsisë të shkollave 9-vjeçare ka poezi me një foto të Atjonit.

– Edhe në librarinë “Frend’s Book Houese” në Tiranë, në mur është fotografia e Atjonit mes shkrimtarëve të njohur të vendit. 

– Libra të Atjonit dhe Albumi janë në bibliotekat e shkollave ku ai studio, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në bibliotekën e njohur të Universitetit “Sacro Cuore” në Milano, etj, deri dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në SHBA.                                                                                                                – Festali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit çmimin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku Atjoni bënte pjesë dhe u shqua.
          – “IWA BOGDANI” themelon Çmimin Ndërkombëtar vjetor për poezi “Atjon V. Zhiti”, që ka shkuar në kontinentin amerikan dhe atë aziatik.                             – Një rruge në Tiranë i është vendosur nga Bashkia e Kryeqytetit emri: “RRUGA E ATJONIT”

KANË THËNË PËR ATJONIN:        

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë… Helena dhe Ismail Kadare- shkrimtare-

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…- Robert Elsie, albanalog kanadez/

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…Sebastiano Grassi/ Poet, President i PEN Clubit, Itali/

Kur do ta takoja për herë të parë Atjonin në shtëpinë e mikut Sebastiano Grasso, ai shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.

Adonis poet sirian, Paris, Francë/

       Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij- Eugjen Merlika – studiues, kritik letrar. .

Atjoni jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën… Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.– Akademik, Prof. Dr. Jeton Kelmendi-President i “International Writers Assosaciation ‘Pjetër Bogdani’”

          Bota është më e varfër pa Atjonin, ne jemi më të varfër pa të, është një bosh i madh….një trishtim i madh… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqës… Shikonim shumë prej projekteve tona të parealizuara tek ai…Luan Topçiu- kritik arti, studiues, përkthyes, Bukuresht, Rumani

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra. Gjej vizatime të Atjonit që janë ashtu si në kaligrafinë antike kineze, në atë të parën fare. Një fëmijë që mbledh kështu shpirtin e figuracionit të një civilizimi 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë, e bën njeriun si atëhere, një sensibilitet ky, ku dëgjohet bota. Do t’i jap në kurset e leksioneve në Universitetin Gregoriano në Romë për studentët. Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.  Padre Marko Rupnik-Profesor në Universitetin Gregorian në Romë- Teolog, artist, mozaiçist me vepra të famshme në të gjithë botën.

Atjoni qoftë i bekuar tek Zoti dhe sjelltë bekime pa fund…! Skënder Buçpapaj poet, gazetar, Zvicër.

SI EPILOG POEZIA E POETES NGA ARGJENTINA SUSANA ROBERTS, FITUESE E ÇMIMIT “ATJON ZHITI”,  VITIN E SHKUAR 2018

Poemë kushtuar Atjon Zhitit, (i riu shqiptar, gjeni në letra /

dhe filozofi, që pësoi një tragjedi, teksa emri i tij nderohet

në disa vende dhe mua m’u dha Çmimi i Laureatit),

ndërkaq desha t’i jap jehonë kësaj poeme, se ai më frymëzoi

me vonesë, po kështu dua t’i gjendem pranë familjes së tij

dhe më është bërë me dije se poezi të miat janë botuar

në disa gazeta, në Zvicër, Nju Jork, Belgjikë, Shqipëri…

Mirënjohjen time të plotë në këtë lidhje të shpirtrave pa kufij.

Sot, kur dielli më thoshte mirupafshim

Një zog i vogël u përshfaq nëpër degë

dhe trëndafila të rinj lulëzuan befas

Ngulmuese desha të dëgjoj këngën e zogut,

Ndejti gjatë, një gjysmë ore a më shumë

M’u bë se ti, Atjon, ishte mes petaleve të melodive

Vallëzues me format e natyrës.

Shpirti yt po më thoshte të mbroja rrjetin

Që lidh njerëzit, ku njerëzit flasin për të tjerë njerëz

se njerëzit i dëshpëron fati i tyre,

se njerëzit nuk ushtrojnë bashkimin

Pastaj… ti flatrove me zogun, por para kësaj,

ma qarkove gjithë qenien time

Me mrekullinë e buzëqeshjes tënde

që s’e kisha parë në jetë.

Dhe e kuptova që njerëzit kurrë nuk vdesin,

sot që më vizituat nga një horizont i largët

 e bekova identitetin tënd sublim

me rrezen e mbramë diellore që më ra mbi fytyrë.

________________________________________

Përgatiti dhe përktheu poezitë nga anglishtja

Dardan Shkreli

Filed Under: Featured Tagged With: ATJON ZHITI-ÇMIM POEZIE, PËR POETEN KAE MORII, SHKON NË JAPONI

Artistë shqiptarë dhe artistë arbëreshë me projekte të përbashkëta në Zvicër… 

December 16, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Kur dëgjojmë këngën arbëreshe “Moj e bukura More” emocionohemi. Është një këngë 600 vjeçare që prej mallit i ka mbijetuar shekujve. Këngën e ka sjellë me fjalë të dokumentuar filologu arbëresh Dhimitër Kamarda. Moreja është Poleponezi i sotshëm nga u larguan shqiptarët e atjeshëm dhe u vendosën në Kalabri, Napoli dhe Siqeli.

Kënga këndohet nga arbëreshët, por edhe nga shqiptarët e vendit amë. Kush e këndonte i dridhej zëri, kush e dëgjonte i dridhej zemra. Dhe ashtu ka mbetur, dramatike edhe sot e kësaj dite. Kush e dëgjon i dridhet zemra, kush e këndon, i jep shpirt nga i gjithë atyre që e ëndërruan Morenë por nuk u kthyen dot kurrë.

Pushtimi turk i kishte ndarë vëllezërit e një gjaku. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe Perdja e Hekurt. Dhe malli rritej e rritej si një mal.

Pas rrëzimit të diktaturës u mundësua takimi i shumëpritur, i aq ëndërruar.

Arbëreshët me kujdes dhe dashuri të madhe kishin ruajtur kulturën, veshjet, gjuhën, këngët dhe traditat e 600 viteve më parë, të cilat kalonin nga brezi në brez, sikur kalonte brez pas brezi edhe kënga “Moj e bukura More”. Që ne e dëgjuam të kënduar magjishëm nga sopranoja arbëreshe Maria Cristina Imbrogno. Maria është 20 vjeçare, ajo është shumë e talentuar dhe studion kanto në konservator. Një ditë Maria do të bëhet artiste e madhe dhe nuk do të heqë dorë kurrë së kënduari “Moj e bukura More”, që të mos harrohet kurrë malli i të parëve për tokën ku lindën: Moj e bukura More/si të lash e më ngë të pash/Si të lash, si të lash/siç të gjeta ngë të lash/.

Maria dhe Mimmo Imbrogno, ati dhe bija janë pjestarë të grupit artistik “Vëllezërit Arbëreshë” nga Franscineto e Kalabrisë, ku Mimmo është zvpresident i shoqatës. Ata kanë ardhur disa herë në Zvicër duke bashkëpunuar me artistët shqiptarë në Konfederatën Helvetike, kanë dhënë koncerte në Sirnach, Zvicër, Saint-Julien, Francë, pastaj artistët shqiptarë ua kanë kthyer vizitën dhe bashkë kanë dhënë koncerte në Civita, Kalabri.

Dhe bashkëpunimi nuk është ndalur midis artistëve të një gjaku, artistëve shqiptarë, të emigruar në Zvicër nga shteti amë, Kosova, Maqedonia e Veriut de-tre dekada më parë dhe arbëreshëve që nuk janë asimiluar dhe kanë konservuar gjithçka që e kanë sjellë të parët e tyre gjashtë shekuj më parë. Të dyja palët dëshirojnë të ruajnë kulturën.

Në muajt e fundit artistët shqiptarë dhe arbëreshë kanë realizuar dy projekte të mrekullueshme. Ideatori dhe mbeshtetësi i tyre është Don Pren Kola që drejtoi për shtatë vite Misionin Katolik në Aara si një shembull ku shërbëtori i Zotit është edhe shërbëtori i kulturës të vendit të vet. Don Pren Kola ka kohë që përkthen liturgjinë fetare në shqip. Këngë liturgjike të kompozuara nga Franz Schubert dhe kompozitorë të tjere, Don Pren Kola i përkthen fjalët e poezisë dhe ato këndohen shqip.

Me rastin e e vjetorit të Shenjtërimit të Nënë Terezës, Don Pren Kola organizoi në Misionin katolik në Aarau në bashkëpunim me artistët shqiptarë në Zvicër dhe artistët arbëreshë Festivalin e Këngës Liturgjike shqip. Don Preni kishte punuar gjithë tekstet e këngëve për t’i adaptuar me muzikën. Në festivalin e Liturgjisë i parë i këtij lloji i Komunitetit shqiptar në Zvicër Maria Cristina Imbrogno bëri një prezantim shumë të shkëlqyer bashkë me artistët e suksesshëm Ermira Lefort, Gentjana Tafili, Elona Mathieu, Fiona Gjini, koret nga komuniteti shqiptar nga Berna, po ashtu nga Mali Zi dhe korali i fëmijëve të Aaraut, që emocionuan dhe e ngritën në standing ovation publikun e gjërë me më tepër se 700 spektatorëve të pranishëm.

Liturgjia në gjuhën shqipe është një domosdoshmëri, kur po në Zvicër komuniteti shqiptar shkon deri aty sa nëpër xhamitë e besimit mysliman i dërgon fëmijët shqiptarë të mësojnë arabisht, ndërsa këta fëmkijë nuk dinë gjuhën shqipe!

Projekti i dytë i Don Pren Kolës është regjistrimi i një CD me këngë liturgjike. Kjo ishte edhe arsyeja që Maria dhe i jati i saj Mimmo kishin ardhur në Gjenevë, për të regjistruar në studio këngët nën kujdesin e Ermira Lefort. Me Ermirën unë isha në kontakt atyre ditëve dhe ajo deri vonë me Marian dhe Mimmon regjistronin në studio. Ermira si specialiste është entuzuaste me zërin e Marias. Nuk e kam dëgjuar Moj e bukura More të kënduar aq mrekullisht sikur Maria, më thotë ajo.

Angazhimi i Artistëve shqiptarë në dy projekte që lidhen me Liturgjikinë e kënduar në Shqip përcjell mesazhin e rëndësisë që ka gjuha amëtare, për t’i shpëtuar asimilimit. Është shumë më bukur t’i lutesh Zoti shqip apo t’i këndosh këngët e kulttit në shqip.

Kjo ishte edhe tema e bisedës me Marian dhe Mimmon. Komuniteti arbëresh sjell shembullin unik për të treguar se si ruhet tradita e paprekur sikur e sollën të parët qindra vjet më parë. Kenget arbereshe liturgjike ne CD, mund te jene pjese e repertorit në një projekt të ardhshëm.

At’ e bijë na tregojnë për aktivitetet e komunitetit të tyre me grupin artistik “Vëllezërit Arbëreshë”, se si japin koncerte, vënë në skenë pjesë teatrore, ku iu bashkangjitet edhe mamaja e Marias dhe gruaja e Mimmos Caterina Imbrogno, bëjnë festa ku veshin ato kostume të mahnitëshme ngjyra ngjyra dhe këndojnë këngët e tyre me një timbër zëri që e kanë vetëm ata që nuk e harrojnë kurrë dheun e të parëve.

Maria Cristina Imbrogno ka plot ëndërra. Vajza arbëreshe me një zë të jashtëzakonshëm sopranoje vijon studimet dhe po ashtu kultivon këngën arbëreshe. Do të bëhesh një artiste e madhe padyshim, i them. Maria më qesh. Pastaj bëjmë ca foto, si për ta fiksuar mallin. Ata do të merrnin trenin për në Milano, ne për në Basel. Ermira Lefort më tregonte se sa bukur ishin organizuar pjestarë të komunitetit shqiptar në Gjenevë për t’i mikpritur sa më mirë. Tani që po i përcillnin sytë i kishim të gjithë të mbushur me lotë.

Por tani rruga e bashkëpunimit është hapur midis artistëve shqiptarë të Zvicrës dhe atyre arbëreshë të Kalabrisë. Projekte të tjera i presin, takime të tjera. Dhe sa herë do të takohen, nuk do të harrojnë kurrë pa kënduar “Moj e bukura More”!

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Bucpapaj- artistë arbëreshë me projekte të përbashkëta -në Zvicër

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT