• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

Kosova përkrah Amerikës kundër terrorizmit

January 10, 2020 by dgreca

–Qeveria ndau mjete për përkrahjen e koalicionit global për luftë kundër terrorizmit,kryeministri në detyrë Haradinaj: Kosova radhitet përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit dhe në arritjen e objektivave të koalicionit global për luftimin e terrorizmit kudo në botë/

PRISHTINË, 10 Janar 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për të mbështetur koalicionin global në luftë kundër ISIS/DAESH.

Njoftimi i dërguar nga Qeveria e Kosovës thekson se, me vendimin e miratuar janë ndarë mjete në vlerë prej 250 mijë eurosh dhe këto mjete janë ndarë nga shpenzimet e paparashikuara. Vendimi obligon Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe institucionet tjera kompetente për zbatim të vendimit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova si anëtare e koalicionit global për luftimin e terrorizmit është e përkushtuar ta mbështesë në të gjitha format luftën për demokraci dhe liri. “Kosova radhitet përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit dhe në arritjen e objektivave të koalicionit global për luftimin e terrorizmit kudo në botë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul jashari- Kosova perkrah SHBA

Kush është Zenel Kurveleshi dhe piskama e tij për gjuhën shqipe në vitin 1909 ?

January 10, 2020 by dgreca

Shkruan: GEZIM LLOJDIA/

1. Zenel Kurveleshi  nënshkrimi në gazetë:((Zejnel Kurveleshi) një emër i panjohur ose ndoshta,  një pseudonim i patriotëve shqiptarë  kurveleshas jashtë mureve të perandorisë ,brenda saj e kushedi nga ku , kur mëmëdheu ynë po kalonte shekullin e 5 –të, që sundohej nga otomanët dhe si nëpër një ëndërr , viset që dikur kishin pritur Shën Palin ngase, trualli që nxirrte shenjtorë , pra aty ku  buron energjia më e madhe  e tokës që marrin jetë shenjtorët diku  afër Mesdheut  në një gadishull , prej nga ku i nxirrte udha më afër në viset arbërore për të shtegtuar më tej , ishte otomanizuar.Pra ky Zenel Kurveleshi ,  që e gjejmë si autori i poezisë të botuar  në vitin 1909, “Kalendari kombiar”,  diku nga aty nga viti 1909 nëpërmjet një poezie( dihen vlerat që mbartnin poezitë e rilindësve tanë dhe ndikimi, që ato patën në popull) për bashkëfshatarët e vet kurveleshas, lëshoi një thirrje ose një piskamë të fuqishme shpirtërore, për zgjimin shpirtëror .Ky burrë trim si gjithë kurveleshasit trimëror, shkruan :”Kurvelesh kaza e vyer/sot që na zbriti lirija/pa mendohu gjatë e gjerë)/se na ndihu Perëndija…Është viti 1909 dhe tre vite më tej pritej liria,por ndërgjegjja dhe optimizmi nga luftërat dhe përpjekjet shqiptare, ishte shtuar.Ky poet  burrë kurveleshasi prek një problem të madh për shqiptarët,sikurse rilindësit,  ai thotë,që duke mbetur të paditur mbem për lumë, thotë autori një shprehje, që përdoret sot në gjithë krahinën .

…Mbemë për lumë pra mbemë keq e më keq,pra dhe shton sa vjen e varfërohet jeta…Zenel Kurveleshi shprehet se:”Fuqin s’ua kemi,pra s’kemi kondita, që të mësojmë gjuhë të huaja,pra gjuhën e pushtuesve e cila na ka folur edhe në  ritualet fetare…Ai thotë, nuk është dëm sa më shpejt gjuhën tonë të mërijmë atje ku na ka ngjizur Zoti.E thotë, shkoqur ai shenjtori më duket nga vendi i  burrave dhe i  besës :”Neve s’na sosë Perëndia se na ka ngjizur vete……por kemi harruar se shumë kombe janë ngjizur në këtë dhe porse dhe shumë prej tyre u rrokanisën nden dhe.

Poezia botuar te:”Kalendari kombiar” sikurse edhe në numrat e tjerë  në këtë gazetë botoheshin herë pas here krijime poetike patriotike, ku bëhej thirrej për liriën ,gjuhën kombin etj.Në një strofë të vjershërimit të këtij autori  thuhet se:” A e dini o vëllezër/nga na vjen varfëria / padija na ka mbuluar / soje del armiqësia…Do të dukej i tepërt komenti i  këtij vargu. Ja këshilla e Zenel Kurveleshit për mëmëdhetarët e tij të lënë në varfëri dhe padituri.”Mësonemi në mituri/si nuk e do vetëdija / pa s’vete mbarë ajo shtëpi / heq e vuan prindërija…

2.

Një thirrje në fakt është një piskamë e Z.Kurveleshit: ”Zotërinj pleq të katundit/sot kini punë në dorë/ jepni mësime popullit / të mos mbetemi të gjorë…..

Si shqyrtuam në fillesë, dhe duke ecur radhë e radhë në sira,:ky Zenel Kurveleshi u drejtohet pleqve të katundeve të Kurveleshit, ti japi mësime popullit të katundeve të tyre, përndryshe shqyrton poeti, do mbeten të gjorë. Autori i poezisë vijon më tej duke thënë se për një pagesë të pak të vogël ,pra ka ngel keq njerëzia, dhe u thotë:” Pa doni shoqi shoqin të ndriçohet vetëdija….

Më tej autori porosit:”Në çdo katund një mësonjës / Bëtë mirë që të vëmë/në dac dëmet e botës/ Më një anë duhet ti lëmë..

Dhe në fund poeti patriot kurveleshas thotë: Më çdo cep të Shqipërisë/shkolla shqipe janë çelur / Veç fshatrat e Labërisë /enden dhe sot në gjumë…..

Nuk besoj se komenti i  tepërt, do të sqaronte ,çfarë ka shkruar e zeza mbi të bardhë autori, që është një poeti i panjohur, por gjithsesi  një  patriot kurveleshas ,që do të mirën e mëmëdheut,të mësojnë gjuhën shqipe, ngase kohët kanë ardhur me kohë dhe ne jemi ende të vonuar në rrjedhat ballkanike.

3.

Le të hedhim ca fjalë për historinë e një kuvendi historik mbledhur 4 shekuj më parë në Kurveleshin  e poshtëm. që Dihet që Kurveleshi përbëhej nga Kurveleshi i sipërm dhe ai i poshtëm. Ka shumë ngjarje historike për këtë krahinë, por po përmendin Kuvendin e  Kuçit-1614 marrë nga faqja sociale Buronjat e Kuçit të Labërisë. Ja çfarë thotë autori:Ne vitin 1614 ne gjirin e Maleve Shqiptare ne Kuç u mbajt Kuvendi Ballkanik i Kuçit ne dy seanca,ne korrik dhe ne shtator. Ne këtë kuvend gjashte ishin krerët kryesore e mes tyre dhe dy shqiptare:Lala Drekali dhe Gjin Gjergj Dukagjini,cfare tregon peshën qe kishin shqiptaret,a me mire arbrit ne këtë  kuvend. Ne Kuvendin e Kuçit u përpunua projekti i hollësishëm se si duhej zhvilluar lufta për dëbimin e pushtuesit osman nga Ballkani.Ja,se si shtrohet ne projektin e këtij kuvendi. strategjia e luftës:Kërkohen nga Evropa arme për Himarë,Dukagjinin,Malet e Veriut dhe për Malin e Zi. Nga këto katër zona do te bëheshin sulmet kryesore qe do ti paraprinin ekspeditës nga jashtë:himarjotet mbi Vlorën,dukagjinasit mbi Krujën,malësoret e Veriut,pra Malësia e Madhe dhe Pulti mbi Shkodran dhe malazezet mbi Kastelnovon.Pastaj projekti kalon e shikon ne një vizion te gjere çlirimin e mundshëm te te gjithë Ballkanit.Kete projekt Kuvendi ia besoi kapedanit shqiptar Gjon Renesit,qe t’ia paraqiste dukës se Neversit i cili kishte dhënë shenja se donte te ndërmerrte me te vërtetë një aksion ne Ballkan. Duke vazhduar rrugën e mbajtur prej kuvendeve shqiptare d.m.th. rrugën e marrëdhënieve me Perëndimin ne kushte barazie,edhe ne Kuvendin e Kuçit doli i shprehur qëndrimi për tu mbështetur ne fuqitë evropiane perëndimore. Madje ky kuvend duke pare hezitimin e fuqive tradicionale katolike i jep porosi Gjon Renesit tu deklaroje atyre:”Meqë nuk kemi me shprese ne ndihmën e princërve katolike,sepse e zgjasin punën,kemi pleqëruar se ne qofte se nuk do te ketë ndonjë rezultat konkret pre jush,ti kërkojmë ndihma princërve protestante te Evropës”.
Me pas ne vazhdën e këtij Kuvendi u mbajtën dhe kuvende te tjerë si:Kuvendi i Prokupit me 1616,ku mes arbërve te tjerë mes pjese dhe Pjeter Budi,dhe ai i Beogradit me 1620 ku kryengritësit arbër zinin vend nderi mes te pranishmeve.

LISTA E 44 KRENVE QE MOREN PJESE NE KUVENDIN E KUÇIT ME 16 KORRIK,1614.

1.Gradam-vojvoda i Novogostes
2.Konti Lala Drekali-Kuç
3.Konti Vojo-Rizan
4.Gjeç Bardhi-Mirdite
5.Prototopi Ivanoviq
6.Konti Nikolla-Piper
7.Konti Selak-Shllak
8.Vojvoda Raiç Palabardhi (Bjelopavlić)
9.Rade Vojvoda-Plan
10.Konti Petar-Plushive
11.Konti Stepan Raceći
12-Konti Drahigo Geleci
13.Konti Menzita Serciza
14. Konti Nikolla Negushi
15.Gjin Gjergj Dukagjini
16.Konti Vule Dubigini
17.Konti Radosava Bronci
18.Konti Mark ….
19.Konti Gjon-Zupa e Eper
20.Vojvoda Vuka(Vukakeqi)
21.Konti thoma-Vershevo
22.Konti Parvo
23.Vjovoda Sekuli(Gjek Culi)-Boge
24.Konti Milia-Bjela
25.Konti Gjon Plesisi
26.Konti Dragoi-Rudine
27.Konti Mileta Rigano
28.Konti Gjon Mustaki
29.Konti Millosh Çekani(Çekaj)
30.Konti Mihal-Prejs
31.Konti Thoma Kostas
32.Konti Vuisko-Bilosh
33.Konti Vigio Ravan-Griniqi(Grigjianiku)
34.Konti Vukigi(Vuk Keqi)
35.Konti Voin Balea(Baleza)
36.Konti Andria-Zupa e Poshtme
37.Konti Mile-Kupe
38.Konti Thoma-Podgorica
39.Konti Cepivo-Ljeshko Polje
40.Konti Vule-Zeta
41.Vukosha
42.Konti Andria-Plesikvci
43.Popo Voin-Zaravina
44.Konti Vojo

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia-Kush eshte-Zenel Kurveleshi-Gjuha shqipe

Fotografi që flet sa një mijë fjalë…

January 10, 2020 by dgreca

-një bisedë imagjinare në atmosferën e Mini Shengenit Ballkanik/

Bisedë imagjinare në atmosferën e Mini Shengenit Ballkanik. Influenca Ruso-Turko-Serbe, tubacioni Moskë-Ankara për zhvlersimin e “TAP” , shitja e Kosovës, përccarja nga Tirana zyrtare, “vëllai i shqiptarëve” dhe armiqt historik të Kombit/

Nga Frank Shkreli*/

\“Vëllai i shqiptarëve” në takim me “miqtë” historikë të Kombit shqiptar/

Vuçiç, Erdogan, Putin në një takim në Turqi, ditët e fundit, për të inauguruar tubacionin e ri të gazit midis Rusisë dhe Turqisë – një shenjë tjetër kjo e një afrimi gjithnjë e më të madh midis Moskës dhe Ankarasë, jo vetëm në fushën energjetike, por edhe në fusha të tjera, përfshirë edhe bashkërendimin midis tyre, të politikave të përbashkëta për shtrirjen e influencës së tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor – përballë projektit për krijimin e një Mini Shengeni Ballkanik, propozuar nga Beogradi, i mbështetur nga Shqipëria, por jo nga Republika e Kosovës.

Në një bisedë imagjinare midis tyre, për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjatë atij takimi në Turqi, Erdogani i siguron miqtë e tij Vuçiç dhe Putin se shqiptarët, jo vetëm që nuk do të jenë pengesë për krijimin e të ashtuquajturit Shengen Ballkanik, madje Tirana zyrtare dhe kryeministri i atij vendi do të jenë mbështetësit më të zellshëm të kësaj nisme aq me rëndësi për interesat strategjike të gjithë nesh rreth kësaj tryeze, u ka thënë mysafirëve udhëheqsh turk, megjithëse Kosova nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij projekti.

Erdogani: “Kosova është Turqi. Ndërsa Shqipëria e konsideron Turqinë si vend strategjik të saj, pasi shqiptarët janë deklaruar si vëllezërit tanë, por edhe ne i konsiderojmë ata si vëllezër. Miku im i ngushtë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama më ka siguruar se Shqiptarët, jo vetëm që nuk do të kundërshtojnë, por do të mbështesin Mini Shengenin Ballkanik, siç u pa edhe në takimin e fundit në Durrës. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk ka nismë më të mirë se ky projekt, që të shtojmë influencën tonë të përbashkët në trojet shqiptare dhe t’i largojmë shqiptarët sa më shumë nga influencat perëndimore, duke marrë parasysh, natyrisht edhe interesat tona ekonomike dhe politiko-ushtarake që sjell Mini Shengeni Ballkanik për të gjithë ne rreth kësaj tryeze, në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, Erdogani falënderoi Vuçiçin për nismën dhe për miqësinë e tij me Kryeministrin shqiptar për ta bindur atë që jo vetëm të bëhet pjesë e këtij projekti por edhe për mbështetjen e tij të fortë që ai i ka dhënë kësaj nisme — sepse, sipas Erdoganit, pa pjesëmarrjen e Shqipërisë Mini Shengeni Ballkanik nuk do të ishte i plotë dhe, madje mund të dështonte krejtësisht.

Vuçiç: “Pikësëpari, të falënderoj nga zemra miku im Erdogan për mbështetjen e vendit tim gjatë viteve, sidomos për investimet e mëdha dhe strategjike që vendi yt ka derdhur në Serbi vitet e fundit si dhe për miqësinë tuaj me mua personalisht. Por, sidomos, të jam mirënjohës për përkrahjen që i kini dhënë këtij projekti, për të cilin unë kam punuar në heshtje dhe pa bujë, për aq shumë vjet, si një objektiv strategjiko-historik për rivendosjen e influencës, jo vetëm ekonomike serbe në Ballkan – që disa e cilësojnë si rithemelimi i ish-Jugosllavisë – por nga i cili do të përfitojmë të gjithë ne, pasi me këtë projekt, ne shërbejmë si derë e hapur edhe për ju të shtrini influencën tuaj në rajon. Por, më vjen keq të them se me gjithë sigurimet e Kryeministrit Rama që Kosova do të bëhej pjesë e kësaj nisme, fatkeqësisht, udhëheqësit e Kosovës kanë vendosur të pozicionohen kundër këtij projekti, tani për tani, që t’i bashkohen pra këtij projekti, por kam besim se miku ynë i përbashkët, Erdogan, si të qetësohet diçka atmosfera politike në Prishtinë, do të luajë kartat e nevojshme në Kosovë, ku siç e dimë të gjithë, ai gëzon edhe përkrahje të konsiderueshme atje.”

Ndërkaq, Putini, si një dhelpër e vjetër e dëgjon me vëmendje bisedën dhe bën sikur nuk është aq i interesuar – megjithëse i pëlqejnë shumë ato që thanë Vuçiçi e Erdogani, dhe brenda vetes kënaqet, kur të tjerët bëjnë punën e tij dhe të ish-KGB-së, anëtar i të cilës ishte dikur, si mjeshtër për të përfituar nga ujërat e turbullta politike kudo e, sidomos, në Ballkan, kur punën e bëjnë të tjerët në dobi të Rusisë. Në sipërfaqe, Moskovi, ashtu me durim e gjakftohtësi nuk tregon ndonjë shqetësim alarmues për përçarjet, për të cilat folën më përpara Erdogani e Vuçiçi, midis shqiptarëve në Tiranë dhe në Prishtinë. Përkundrazi, brenda vetes ndihet i kënaqur për mosmarrëveshjet midis shqiptarëve, jo vetëm për sa i përket projektit të Shengenit Ballkanik, por edhe për një mori çështjesh të tjera ndër shqiptare që duket se po keqësohen dita ditës. Për të cilat, fatkeqësisht, përfaqësuesit politikë shqiptarë –në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar–duket se nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për të vepruar në interesin madhor të Shqipërisë e të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.

Më në fund ndërhyri edhe Putini: Mos u shqetësoni për mosmarrëveshjet dhe grindjet midis shqiptarëve, miqtë e mi! Në qoftë se shikoni historinë e tyre, kështu kanë qenë këta gjithmonë. Ju e dini edhe historinë tonë me ta. Madje edhe Stalini, para se të bëhej mik idhull i Enver Hoxhës, i kishte thënë jugosllavëve se për sa i përket atij, Shqipërinë ju mund ta hidhni në det. Kështu që, ne as sot as kurrë gjatë historisë nuk kemi pasur ndonjë interesim për shqiptarët, me përjashtim kur kemi mbrojtur interesat e vëllezërve tonë ortodoksë serbë. Kështu që edhe sot, politika e Rusisë ndaj shqiptarëve është si politika serbe ndaj shqiptarëve! Kur flas për historinë, miku im Erdogan e di këtë më së miri duke marrë parasysh periudhën 500-e ca vjeçare të okupimit otoman të trojeve shqiptare. Është kjo një traditë nga e cila shqiptarët ende as sot nuk janë shkundur. Ju duhet ta dini se, në qoftë se Shqiptarët, do të ishin vërtetë të bashkuar rreth interesave të tyre kombëtare, ata do të ishin pengesa më e madhe për realizimin e qëllimeve tona të përhapjes dhe të forcimit të influencës tonë në atë pjesë të Evropës. Prandaj, miqtë e mi, Erdogan e Vuçiç,mos derdhni lot për përçarjet midis shqiptarëve, duke pretenduar se gjoja doni edhe Kosovën të bëhet pjesë e Shengenit Ballkanik. Në të vërtetë, për realizimin e objektivave tona të vjetra në Ballkan, ne kështu na duhen shqiptarët: të ndarë e të përçarë. Prandaj mos u shqetësoni miqtë e mi! Ne i kemi sot shqiptarët, ekzatësisht, aty ku na duhen dhe si na duhen të jenë,për realizimin e interesave tona në Ballkanin Perëndimor, që një ndër to është ëndrra e Serbisë për të dalë në det.. Ju ndoshta nuk mund ta merrni me mend këtë, por Shqiptarët, ashtu siç janë sot të përçarë, madje edhe kur kemi të bëjmë me interesat më jetike kombëtare të tyre, të mirë e të këqij, shqiptarët janë tanët. Si të tillë, ne i shesim dhe i blejmë shqiptarët si të na teket dhe kur të na teket”, ka përfunduar Putini bisedën imagjinare midis tre udhëheqësve “miq”të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndërsa presidenti bullgar si pjesëmarrës në atë takim, i habitur për ato që dëgjoi në kurriz të interesave shqiptare në rajon, nga goja e gjoja miqve të shqiptarëve strategjikë, nuk tregoi ndonjë interesim që të merrte pjesë në këtë bisedë (imagjinare), pasi vendi i tij është tanimë anëtar i Bashkimit Evropian dhe plotësisht i integruar në organizmat euro-atlantike. Për më tepër, Bullgaria, ndryshe nga vendet e përfaqësuara nga udhëheqësit në takimin e mësipërm që u mbajt në Turqi ditët e fundit, ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë dhe Kosovën, në funksion të zhvillimit dhe orientimit të tyre euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Pasi dëgjoi këtë “bisedë”imagjinare midis trojkës së lartë përmendur, udhëheqësi bullgar falënderoi Zotin që vendi i tij është pjesë e një enti tjetër ekonomiko-ushtarak euro-atlantik, ku vendi i tij ka të drejta dhe përgjegjësi të barabarta me të gjitha vendet e tjera anëtare. Por, duke i thënë vetes se me “miq të tillë strategjikë”, shqiptarët nuk paskan nevojë për armiq, u largua nga ajo bisedë (imagjinare) shumë i shqetësuar për shqiptarët, duke menduar se sa keq na qenkan punët e shqiptarëve.

Është ky një shënim imagjinar për një bisedë imagjinare që mund të ketë ndodhur ose jo. Por, në të vërtetë, përshkruan një situatë mjaft reale, në marrëdhëniet aktuale midis udhëheqësve të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës – ndërsa, njëkohësisht, pasqyron debatin e ditëve dhe javëve të fundit në lidhje me projektin e ashtuquajtur Mini Shengenit Ballkanik të mbështetur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një debat ky që siç duket ka ndarë e përçarë shqiptarët si rrallë herë në historinë e tyre.

Na ka mbetur të shpresojmë se fatin e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë, ta ketë Zoti në dorë, për inat të armiqve që shtihen si miq të shqiptarëve, por edhe për “Inat të Djallit dhe të vet Shqiptarëve”, siç është shprehur dikur At Gjergj Fishta.

  • Ish Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Fotografi qe flet-Nje mije fjale

NË VEND TË URIMIT PËR 80 VJETORIN E SHKRIMTARIT PËLLUMB KULLA

January 10, 2020 by dgreca

– NË VEND TË URIMIT PËR 80 VJETORIN E LINDJES TË”KULLËS” SË HUMORIT, LETËRSISË DHE PUBLICISTIKËS SHQIPTARE-

Sot është Dita e Lindjes e Pëllumb Kullës. Sido që ta formuloj urimin nuk mund ta gjej të plotë formulën që të përcaktojë staturën e Mjeshtrit të Madh. Thjesht po i uroj: Jetofsh gjatë; për vete, për Familjen, por edhe për ne! Në vend të”dhuratës” zgjodha të ripublikoj një kritikë letrare të hershme timen të shkruar 12 vite më parë për romanin e tij”Vdekja e Enver Hoxhës”, publikuar në Gazetën ILLYRIA në New York, por edhe në gazetat e Tiranës.

E gëzofsh Ditëlindjen MJESHTËR!

                      ****

Kulla, Vdekja e Enver Hoxhës dhe Realitet butaforik i shoqërisë shqiptare

*Romani i Kullës “Vdekja e Enver Hoxhës”, -një shëmbull i bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare

*Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë…

Nga Dalip Greca*

Një dhuratë të hidhët i ka rezervuar shkrimtari Pëllumb Kulla diktatorit Enver Hoxha, në përvjetorin e 100 të lindjes, tetor 2008. Ndërkohë që e veja e Hoxhës rreket që të arrijë qëllimin e një rehabilitimi vlerësues historik, sic e proklamoi në intervistën e shumëpërfolur me Rudina Xhungën, Kulla sjell një realitet butaforik, ku parakalon shoqëria shqiptare, e shformuar, militante, e shtirur, dyfytyrëshe, që duket e shushatur nga vdekja e diktatorit dhe ku secili vrapon që të përlotet e të duket i pikëlluar. Kulla nën titullin “Vdekja e Enver Hoxhës – shumë romane në një”, na çon 23 vite të shkuara, kur diktatori sapo ka vdekur, por Shqipëria nuk është gati që ta gëlltisë lajmmortin dhe partia ende nuk e ka përgatitur opinion që ta përcjell me ligjërime vaji, ku tekstet i përgatit ajo vetë me militantët. Kulla nuk shan në roman, nuk mallkon, nuk përqesh, por ka arritur, që edhe pa këto, t’na japë një shoqëri kufomë, ku frika e mban në këmbë ngrehinën që ka ngritur partia-shtet dhe i pari i saj, që vajtohet. Pasi e lexon romanin krijon përshtypjen se shkrimtari Kulla nuk merret me karikaturizimin as të diktatorit as të ngrehinës së frikshme që ngriti ai brenda telave me gjemba të 28 mijë kilometrave katrore, ku e ndërtoi Mbretërinë e tij gjysëm shekullore. Natyrisht Kulla nuk zë në gojë as mbret as mbretëri, as diktaturë as diktator. Nuk është e nevojshme: diktatura jo vetëm nënkuptohet, por ajo është e pranishme kudo. Autori nuk shpenzon asnjë fjalë për analizën e mbretërimit enverist. Rrëfimi i tij nis në kufirin historik, kur mbreti sapo ka mbyllur sytë. Natyrshëm derdhet në roman imponimi i një pikëllimi të përgjithshëm, gati ushtarak në qendër dhe në provincë. Ashtu sic ndodhte me cdo direktivë të Partisë, ku nga qendra-kryeqyteti, vraponin kasnecët në provincë, po ashtu zbret dhe direktiva e shfaqjes së pikëllimit për udhëheqësin. Në roman tekstet e vajtimit dhe të dhimbjes zbresin nga Tirana nëpër rrethe ose e kundërta nga rrethet në qendër, ku bashkë me ata që do të vajtojnë kanë ardhë edhe ata që thurin vargjet e vajit. Për këtë qëllim mobilizohen poetët e Realizmit Socialist, të cilët prodhojnë vargje, fraza të ngarkuar me dhimbje, që ua vënë në gojë të përzgjedhurve, që natyrisht janë edhe ata me biografi të skanuar mirë e mirë. Për të shmangur keqkuptimet, autori na ndihmon me nje shënim të shkurtër, që në hyrje të librit: “Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale. Kam përdorur vetëm dy emra të vërtetë: atë të sovranit dhe të gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke se si t’u shmangesh. Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur rrinë aq gjatë në krye të vendit. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur! Vetëm titulli i librit mund të shkaktojë diskutime. Sepse ka gjithnjë e më shumë zëra, që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende”. Megjithatë Kulla na e sqaron njëherë e mirë se Enveri vdiq, por udhëheqja e lartë ka vendosur që ta mbajë sekret derisa të rivendosë sigurinë e plotë të vazhdimësisë dhe deri sa Shqipëria të bëhet gati që ta përcjellë atë me madhështi e pikellim. Romani nis me përgatitjet që bëhen në shtëpinë e grimjerit, që pret të shoqen, që të festojnë së bashku me djalin, përvjetorin e martesës. Grimjeri krejt papritur, e le festën në familjen e tij dhe rrëmbehet për një shërbim të pazakontë: zbukurimin për publik të fytyrës së udhëheqësit të vdekur. Mjeshtrin e makiazhit vijnë dhe e marrin njerëz të panjohur, që u heq udhën drejtori i Kinostudios, ku ai punon. Askush nuk di gjë për vdekjen e madhe deri në atë çast. Madje në sheshin e Universitetit vazhdojnë të bëhen prova për koncertin me këngë e valle, ku flitet që do të marrë pjesë edhe vetë …Enver Hoxha! Valltarë e këngëtarë janë në errësirë të plotë për gjëmën. Makina me xhama të zinj që sjell grimierin te shtrati i të vdekurit të madh, kalon mes sheshit, teksa nga jashtë hyn zëri i këngëtares: “Kush më merr mua/Merr yll, jo grua…” Duket se asgjë nuk ka ndodhur, jeta vazhdon, por sapo grimjeri ka hyrë aty ku mbahet kufoma, njeriu të cilit i është besuar sekreti, jep njoftimin e mortit: “Duhet të ta themi dhe ty një lajm të hidhur, që pak e dinë: Enver Hoxha nuk është më! U nda nga ne! Komandanti na la! Mua m’u mor fryma. Sikur m’u shemb tavani përsipër. – Komand… Koman… – përsërisja unë i mekur. – Po, po – tha Teloja. – Gjëmë e madhe u gremis mbi atdhe. U nda nga gjiri ynë. Ja, siç e pe, atje, nën çarçaf! Unë kisha ngrirë i tëri. – Këtë gjë e di vetëm familja. E dinë anëtarët e Byrosë Politike. Dhe ata, jo të gjithë. Vetëm Sekretariati. E kupton? Askush tjetër. – Mjekët! – më shpëtoi mua. – Më të besuarit – plotësoi ai. – Kirurgu që bëri zbrazjen e trupit nuk e di se cili është i vdekuri. Ai nuk e di se kujt ia hoqi të brendshmet. Ne i hapëm dhe i shfaqëm atij vetëm pjesën që i duhej për punë. Ty po ta themi të fshehtën, se na duhesh. Atdheu përgatitet. Lajmi nuk është i lehtë. Armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtmit duhet ta marrin këtë lajm atëherë, kur gjithçka të jetë bërë gati, që jeta e vëndit dhe fatet e popullit të mos kenë asnjë rrezik edhe pa shokun Enver. E kupton tani, se çfarë lloj të fshehte të kemi besuar ty?”… Romani rrjedh lirshëm, rrëfimi është i natyrshëm, dramatik, dialogu dinamik dhe ngjarjet rrokullisen marramendshëm. Gjithandej bëhen përgatitje, tamam si në një shfaqje për të cilën punojnë skenaristë, regjisorë. Partia në provincë, ashtu si edhe në qendër, teston se si do ta presin vdekjen e të madhit. Secili nga ata që pyeten e quan provokim testimin dhe betohet se për të Madhin nuk ka vdekje kurrë. Madje të gjithë ata që dalin nga takimi me sekretarin e parë të Partisë shkojnë dhe e denoncojnë atë në Degën e Punëve të Brendshme. Skenat e krijuara janë thurur mjeshtrisht në funksion të idesë të zbërthimit të butaforisë kolektive të udhëhequr nga partia, asaj të paradës së pikëlluar, që i parapriu dhe e shoqëroi vdekjen e liderit komunist. Kulla operon bukur me detajin: Në provat gjenerale për vdekjen e mundshme të udhëheqësit, Komiteti i Partisë ka dërguar në Shtëpinë e Pushimit mjetin që të marrë poetin, që do të krijojë vargjet elegjiake që populli ia thur udhëheqësit të madh. Poeti ndodhet me pushime së bashku me të shoqen. Autori i elegjisë është figurë e realizuar artistikisht.Atë e ndeshim edhe në kapitujt më pas, ku poetët e rretheve janë thirrur që të furnizojnë me fraza pikëllimi e qëndrese bashkëkrahinarët e tyre. Vargjet e gatshme, që thurin muzat e vjershëtorëve, plotësojnë dekorin e vdekjes dhe ushqejnë turmën me pikëllimimin e nevojshem. *** Direktiva për thirrjen e grumbullimin poetëve lokalë ka ardhur nga Komiteti Qendror. Komitetet e Partisë në rrethe shpallin mobilizimin e tyre të përgjithshëm. Grimjeri bëhet dëshmitar i ngjarjeve që zhvillohen lart, tek shtëpia e zotave, nga dalin edhe udhëzimet se sa pikëllim do të shfaqin fytyrat e anëtarërve të Byrosë Politike. Grimjeri do të vizatojë e pikturojë faqet e tyre, aq sa pikëllimi të duket i besueshëm sipas shkallëve dhe posteve që mbajnë. Nga ana tjetër, udhëzimet përmbajnë edhe detaje të tilla, si kush do të qajë i pari, kujt do t’i bjerë të fikët, kush do të qëndrojë më gjatë para arkivolit. Vdekja që përgatitet të shpallet është në dorën e një super-regjisori, që natyrisht, publiku mund ta ndjejë, por nuk do ta shohë. Të tërë ata që e dinë të vërtetën u duhet ta mbajnë sekret. Edhe grimeri nuk duhet t’ia tregojë as të shoqes kur kthehet në shtëpi, por e ka të vështirë ta ruajë të fshehtën. Ndërkohë, në ndihmë të fshehtësisë, televizori përcjell kronikën e po asaj mbrëmje, në të cilën Enver Hoxha sapo ka pritur një delegacion nga Brazili. Edhe vetë grimjeri habitet: ”Nuk po e kuptoja isha në ëndërr tani, apo kisha qenë në ëndërr tërë ato orë që kalova pranë të vdekurit. Enver Hoxha dukej i hequr, fytyra e tij shfaqej mjaft e tretur, megjithëse jo aq sa ishte para një ore, kur unë e prekja me gishta duke bërë plane të merresha me të. Ishte një efekt i çuditshëm, si një shaka e egër. Dukej sikur ai pat pritur sa të zhdukesha unë nga porta e sallës së nëndheshme, pat palosur çarçafin e në majë të gishtave kish nxituar të përgatiste pritjen e brazilianit. Një ndjenjë e çuditshme, kjo. Isha si i çakërdisur nga ajo që po shihja”… Situata të tilla e bëjnë tërheqës romanin. Më pas mësojmë se ata që po organizojnë skenën e madhe të homazheve, shohin në video ceremoninë e varrimit të Josif Stalinit, dhe e marrin andej përvojën për përcjelljen e nxënsit të tij besnik. Skenari tirret me vizitën në ekspozitë, ku i pari i partisë zëvendësohet nga sozia, dublanti, i tij. Sozia do të asistojë dhe në koncertin e të rinjve, ku do të duket pak si i sëmurë. Plani është që të ikë para se të mbarojë shfaqja, dhe të nesërmen të jepet lajmi zyrtar se ndërroi jetë. Grimjeri merret gjatë edhe me fytyrën e atij që po zëvendëson në detyrat e mbrame liderin e vdekur. “Në mes të programit, shoqja Nexhmije e thirri edhe një herë Telon. Këtë radhë dukej se ishte diçka serioze, që nuk kish të bënte … Ajo i shprehu njeriut me mustaqe të hijshme një shqetësim. Ne e pamë se si, ai, i alarmuar, foli me dikë në radio. Disa trupruajtës erdhën me një frymë, e rrethuan udhëheqësin (lexo: dublantin) dhe e morën atë për krahësh, duke i bërë me shënjë veturës kryesore të afrohej deri afër tribunës. Gruaja u ngjit me të shoqin në veturë, ndërsa kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i u drejtua zyrtarëve të lartë, që qenë ngritur në këmbë të shqetësuar. Ai i bëri ata me dije, se nuk ish gjë për t’u alarmuar dhe i siguroi se shoku Enver do ta merrte veten menjëherë. Ata nuk kishin shkak të krijonin panik të panevojshëm e të turbullonin me rrjedha të pakëndëshme atë koncert të bukur rinor. Bile ata duhet të vazhdonin të vallëzonin tok me artistët. Këtë porosi pat lënë dhe shoku Enver, ndërsa ish duke hipur në veturën e tij….” Në kapitullin e dytë me titull “Vargje për gra që dinë të vajtojnë”, përcillet për lexuesit atmosferën se si u punua në rrethe për të përgatitur masën që të vajtonte udhëheqësin. Përgatitja, që u bën Sekretari i parë i rrethit atyre që do të mbajnë peshën e inskenimit dhe zbatimit të pikëllimit të turmës, ku është thirrur edhe poeti, është nga pjesët më të bukura të librit. Përmes dialogut, ai përcjell thelbin e militantizmit. Kur sekretari pyet se si do të pritej vdekja e udhëheqësit, ata reagojnë: – Vetëm ai nuk vdes! – ia ktheu Namiku me zë shpelle. – Nuk ka vdekje për Enver Hoxhën, shoku Aziz! – kish menduar një përgjigje edhe poeti, Moisi Dhëmblani. – Për ne, po. Për të, jo! Sekretari i Parë pa të dytin. I dyti qeshi dhe ia mori fjalën. – Hë, mo, lerini folklorizmat, tani! – Ligoraqi i ftoi të qetësoheshin. – Le që ju të tërë të zanatit të folklorit jeni. Mirë e ka pyetjen shoku Aziz. Ja, i mbylli sytë! Me folklore do të mburremi?! Të papërgatitur do të na zerë gjëma?! Kurrë mos vdektë, me ju jam dhe unë! Po ja, ta zemë, vdiq?! Poeti, rebelohet, dhe betohet: “E thyej penën dhe nuk shkruaj për vdekjen e Udhëheqësit!” – thotë. Është po ai, që më pas do të krijojë elegjinë: Si t’i ngrë ligjet e tua,/nga t’i nisim ligjërimet?!/ “’të janë hapur kështu duart/sa s’t’i mbajnë më dot gjëmimet/o baba e o biro! Oi, oi! Ai që si unë, merr përsipër të rrëfejë tërë shtjellën e ngjarjeve në libër, do të riskojë të zbulojë të papriturat e shumta që janë përgatitur për lexuesin dhe kurrsesi, nuk do të arrijë, në dy faqe, atë, që një autor i njohur për rrëfimin mjeshtëror, për pikturimin e karaktereve tërheqës dhe për stilin e tij të veçantë ka bërë përgjatë romanit të tij. Vdekjen e Enver Hoxhës ai nuk e ka keqpërdorur dhe nuk ka abuzuar me të, siç mund të mendojë çdokush sapo sheh mbi ballinën e librit emrin e një profesionisti të satirës dhe humorit. Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë, të deklasuar dhe martirë të ndryrë burgjeve. Kolonat e gjata të vajtonjsve të ndërtuara nga organizatat e masave gjarpërojnë nga viset më të largëta drejt kryeqytetit për t’i lënë lamtumirën udhëheqësit. Përcjellja për varreza është dhënë në libër si një rit religjoz: “Atë ditë në orën njëmbëdhjetë, ranë për pesë minuta në gjunjë dhe në heshtje gjithë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e jo vetëm në sheshin Skëndërbej, por kudo ku i zuri ajo orë: në fabrika, në rrugë, në ara, në klasa shkollash, në vagonët e trenave, në stallat e bagëtive, në radhët ushqimore, në qelitë e burgjeve. Lajmet televizive i treguan gjerësisht këto pamje në orët e mbrëmjes”. Me këtë vepër Pëllumb Kulla shënon një rritje të mëtejshme në krijimtarinë e tij dhe jep një shëmbull të bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare. Libri është realizuar nga Shtëpia Botuese Arbëria. Redaktor është Roland Gjoza ndërsa ballina mban emrin e piktorit të njohur Maks Velo. …
*E risjellim me rastin e ditëlindjes të autorit si dhe  Dielli për shkak të aktualitetit, folklorizmit dhe butaforizmit të shoqërisë shqiptare e cila luftën kundër komunizmit, diktatorit e bën me fushata, sa herë i duhet politikës aktuale për të larguar vëmendjen nga  realiteti i sotëm….(Marre prej Gazeta 55 Online-11-10-2008)

***

DISA NGA BOTIMET E SHKRIMTARIT PELLUMB KULLA

– “Ëndrra ime Rina”/Duart dhe Thikat

– Lejlekët nuk vijnë më

– Skënder Sallaku, ose, Si qeshnim nën diktaturë

– Rrëfenja nga Amerika : përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim

–Vdekja e Enver Hoxhés : (shumë romane në një)

– Teatri, kjo lojë magjepsëse : përzgjedhje nga mielli për magjen e skenës : drama, komedi, skeçe, dialogë, monologë, skica, intervista dhe shënime

– Luftë pa fund : shtegtime nëpër qiellin politik

–Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe : (Jetëshkrim i një familje nga Zëmblaku i Korçës)

–Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe : (Jetëshkrim i një familje nga Zëmblaku i Korçës)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dalip Greca-80 Vjetori i lindjes-Pellumb KULLA

ATDHEU…

January 9, 2020 by dgreca

Ese koniciane nga Namik Selmani/

Në atë hambar fjalësh për atdheun që ka gjuha ime apo dhe gjuhët e botës, me rrëfimet me urtësinë me poezinë, me prozat poetike, u gjenda mjaft i përkëdhelur se gjeta shumë për ta bërë një gjë të tillë

Ballë kësaj pasurie shpirtërore do të gjeja sot dhe një fjalë të re si FJALNAJA, Është një meditim i përbotshëm për përkufizimin e atdheut,. Kur ia vura vetes këtë mision, një çast mbeta i memecëruar. për të thënë atë që ndieja dhe që doja të thoja.
Shkova te një fabula e bukur mitike në kufinjtë e një legjende që tregon origjinën e vendbanimit të Ulqinit. Kohë të largëta, atëherë kur mbase nuk kishin lindur as kalendarët hënorë dhe diellorë, diku në Bjeshkën e Rumisë pranë tij njerëzit shkonin në një ditë të caktuar të vitit.
Me supet e tyre jo sizifianë dërgonin në majë gurë që të afroheshin sa më pranë qiellit. Oh, uroj që fjalnaja ime të shte një gur qoftë dhe i vogël për këtë mision kaq të vështirë dhe kaq fisnik për ATDHEUN.
.Është ajo copë e bukës, mes të cilës vihet një kokërr vezë me ullinj, djathë, qepë, disa kokrra ullinj.
Ai është tupanxhiu, lodërtari ta themi, daullexhiu që vrapon të therë kecin më të mirë të tufës ose ta porosisë atje ku lëkura e kecave është më e mirë më e fortë , më e pastër.
Se duam të përcjellim dhëndurrët. Se duam që të gëzojmë në festën e të mbjellave, në festat e të korrave..
Atdheu është Ajkuna moderne që nuk qan më aq sa dridhen gjethet e lisave, të aheve. Një Ajkunë moderne që ka nisur të qajë më shumë se Vajza e Valëve. Për një djalë-Omer që vritet diku në një portë apo vjen në një arkivol përtej deteve.
Është mani i fëmijërisë që na mbulon me mjaltë në buzët e vogla e të njoma.. Apo dhe prehëri i nënave dhe i gjysheve që si në përrallë të vërtetë kishin përherë mollë arra, bajame, fiq të thatë për fëmijët, për nipërit por edhe për fëmijët e lagjeve. Në valixhet bashkë me disa kostume popullore për vajzat e tyre, shpesh vinin ftonjtë dhe shegët që haheshin deri vonë në prag të pranverës.
Atdheu është gjaku i mësuesve, i poetëve që kanë dashur ta dërgojnë fjalën shqipe në breza të ardhshëm. Është gjaku i Petro Nini Luarasit, i Ndrecë Ndue Gjokës, i Pjetër Budit, 
që ende sikur kolovitet i mbytur në ujërat e Drinit, i Papa Kristo Negovanit, i Naimit kollëgjakosur. i Migjenit poet..

Atdheu është alfabeti i lisave i pishave, i drurëve të shelgjeve ku kemi shënuar emrat e të dashurve tanë, emrat e prindërve, të vajzave që mbase ende nuk ia kishim thënë fjalën magjike apo edhe o atij alfabeti rrugësh kur kemi vënë emrat e atyre që janë aksidentuar
Është dora e nënës e ngritur te pragu i shtëpisë apo në një shesh aeroporti atje ku edhe fytyra nuk duket më nga ata që nisen dhe nga ata që mbeten në tokë.

Kujtojmë Valbonën që na merr sytë dhe mjaft herë ua vëmë emrat edhe vajzave të lindura qoftë edhe pranë qyteteve dhe fshatrave të Jonit. Kujtojmë Drinin që duket si fjongo Shqipërie.
Është kutia e duhanit që vihet diku në një bar livadhi nënë hijen e një peme të një fiku, të një plepi, të një tavoline në një klub që kërkon të gjithë ata që janë në të të zgjasin duart për të dredhur cigare apo dhe të mbushin çibukët e tyre me duhanin e grirë si i thonë fjalës për qejf.
Dhe kjo bëhet edhe në mortet edhe në dasmën e djemve edhe në pajtimet e forta të fiseve.

Atdheu është kokrra e orizit që bie në supet e çiftit, të krushqve, të dasmorëve sidmos të vajzave që presin një ditë edhe ato të vënë vellon e bardhë të nusërimit.
Është gjuha që na e sollën me dashuri me sakfrificë të parët tanë, por që shumë herë na e kanë vrarë barbarët e kohëve moderne që kanë krijuar edhe analfabetët modernë.

Është kazani i rakisë së rrushit që në vjeshtë vihet në radhë për të gjithë lagjen fshatin, pse jo edhe për qytetin. Një raki pikëlore që më tej mbush shishet që nga ballëkazani e deri te ajo tjetra e pranueshme. E për të, të ziejë kënga e tavolinave dhe sazet të këndojnë tërë natën me gotën në dorë.
Është pëllumbi i bardhë që vihet te oxhaku i odës së vjetër, vihet te djepi i foshnjës, te shamia e vajzave, te qëndismat të burimet ku rrjedhin sylynjarët.
Është ajo tufë me kallinj gruri dhe misri apo disa kokrra ftonjsh që kanë aromë dhe ngjyrë që i bëjnë sytë ziliqarë dashamirësisht për mbarësinë që ishte dhe do te vijë sërish.
Është mushti i trëndafilëve dhe petullat e mbushura me mjaltë. Është flija e Kosvës dhe ballakumet e ëmbla të Elbasanit që nuk i gjen aq të mira në të gjithë botën. Ëshë likoja e ëmbël e qershisë e fikut të egër, të kumbulllës. së Përmetit e të Beratit.
Është dora nazike e një vajze-nuse që pasi mjaltos pragun e shtëposë së re nën jehonën e këngëve të shumta me lule, me krahasime nga më të rrallat e botës, asi derdh ngadalë me këmbë një shtëmbë një enë uji pjesë e traditës, nxiton që të përqafojë me ngrohësi edhe vjehrrën ose më saktë nënën e burrit.
Është dallandyshja e Shirokës, gulshi i Naimit për t’u bërë pjesa e krahëve të një zogu për të shkuar në Atdhe, urtësia e Konicës, është sokëllima e Pashko Vasës për bashkim, është kreshniku i poezisë Gjergj Fishta, është Noli dhe noliada që na solli si frymë.
Është guri çajupian, është lodhja e këmbëve të De Radës për të shkuar në shkollën shqipe.
Është grushti i Migjenit.

Është dhimbja e arave të pambjella, është e lehura e qenve të shtëpisë apo dhe të staneve që nuk zëvendësohet aspak nga sinjalet moderne të zileve elektrike të alarmit të vëna në stallat gjigande ku shpesh ke dëshirë që të marrësh aromën e luleve të livadheve.
Është ai plis i bardhë i Dukagjinit, Gjakovës Kosovës, takije myzeqari, feste çami, kapelja me strehë e Matit, që është relikja më e vyer e një familjeje në kujtim të gjyshit e të babait. 
Është ai tingull lahute që duket se ka nisur të gëlojë në këta brigje që kur ka dalë njeriu i parë. Është kënga me iso që sikur zgjon male dhe një botë të tërë me sokëllimën e saj.
Janë kostumet popullore që dikur do të mahnisnin dhe vetë Lordin Bajron të ardhur nga luksi më i madh i Evropës.
Është buka e ëmbël që shtrohej e ngrohtë në sofrën e mikut dhe që sfidonte gjithë hotelet më në zë të botës me ngrohtësinë njerëzore bujare të gjyshërve tanë qoftë edhe kur në shtëpi kishte vetëm një dorë miell.

Është vallja e Osman Takës dhe vallja e Shpatave, vallet kolonjare dhe vallet e Myzeqesë..

Është samari i një kali të bardhë, si kali i fortë (jo si i Kostandinit të baladës) që mban në kurriz kosha të thurur me kujdes . E mbi to kemi vënë grurin e porsakorrur për bukën e vatrave tona. Kemi vënë drutë që do të mbysin sadopak dimrin me dhëmbë të maleve tona. Kemi vënë kecat e qengjat që do i dërgojmë në pazarin më të afërt. Po nganjëherë kemi vënë dhe fëmijët e vegjël që të mos i lodhim në rrugë të largëta e të thikta shkëmbinjsh. Dikush do të më kujtojë se me to kemi bërë edhe karvanin e një dasme. Kemi vënë nusen e bukur që e kemi shoqëruar me fjalët më të ëmbla që ka shqipja jonë e bekuar
Në ato stallat mungojnë zilet e deshëve, mungojnë përkëdheljet e duarve për të mjelë lopët, sepse janë të zëvëndësuara nga makinat e ardhura nga doganat e boës.
Është krisma e pushkës që sjell gëzimin e lindjes së fëmijës që është kaq e ëndërruar. Krisëm që bekon martesën nën jehonë e një tupani të një fyelli. Krisëm që bekon lindjen, që përcjell në varr luftëtarin e rënë për liri

Është krisma për pajtimin e dy familjeve të dy fiseve me atë ceremoni të dëshiruar që jo pak ditë kanë kaluar mes dhimbjes, pagjumësisë.
Është kafeja e ëmbël apo me pak sheqer e pirë në klubin e lagjes a në mortin e largët.
E pirë kur hapet porta e gëzimit të fëmijës të një krushqie, të një shtëpie të re. Atje ku shpesh ti llomotit për hallet e lagjes, të fshatit, të qytetit apo dhe të politikës
E pak, fare pak, flet për hallet e tua që shpesh a bëhen si kulari i qeve apo i kularëve që mbajnë pas vetes karrocën me fruta për t’i dërguar te tregu. E këto halle nuk janë të pakta para atyre që ka bota dhe lagjja.
Është leshi i trikove, të çorapeve për këmbët e fëmjëve të burrave . apo dhe për dhurata për miqtë e afërt e të largët. Është furka e vjetër drulëmuar e gjyshes që ia ka përcjellë edhe mbesës. Është goditja e fortë e dorës së Kovaçit që bën kazma, sëpata, lopata, kosa të mira të mprehta për barin e livadheve, për drurët e pyllit.
Është djepi që kohë më parë e ëndërruam edhe me një shtrat të vogël, po nuk e hodhëm te plehrat. E vumë diku në një muzeum lokal apo kombëtar.
Është festa e bukur e Abetares që të vë në duar lule të bukura me aromë
Është Festa e Luleve në një ditë të bukur të marsit bleror. Është ai kosh i mbushur me ullinj, me fiq, me kecat gati për t’i shitur në treg, i fëmijëve që i vëmë në samarët e kalit për të mos i lodhur këmbët e tyre të vogla.
Është tingulli i këmbanës dhe zëri i ezanit që janë aq pranë njëri-tjetrit.
Është puthja e parë e bërë pas një banke shkollore, pas një trungu lisi, në një livadh me luleshqerra, nën strehë që goditen nga ujëvara e mallit, pas një mulliri dyerhapur për miellin e bluar. 

Është macja që mjaullin tek vjen miqësisht dhe të ulet në prehër teksa ndjen përkëdheljen e dorës tënde të ngrohtë.
Të zgjat sytë lutshëm për pak qumësht, për një copë mish nga tryeza jote.
Apo edhe për të shprehur gëzimin për ty që ke ardhur nga një rrugë e largët.
Është lehja e një qeni që atje në shtëpinë e tij të vockël prej dërrase, ia kalon të gjithë sinjaleve elektronike të kohërve moderne për sinjalin që jep me lehjen e tij.
Pse jo, ai është edhe sfida njerëzore e mirësisë dhe e besës përballë Pabesisë ë kërkon të marrë Pasaportën e kohës.
Është furra e mbushur me prush ku gratë vënë byrekët e shijshëm, vënë bakllavatë, kuleçët e dasmave.
Është fëshfëritja e pemës në vjeshtë ku nis loja e rënies së tyre dhe e ngjyrimit të verdhëllimit. Është pikëlimi i një strehe shtëpie ku këndojnë zogjtë, po shumë herë ai ritëm i ëmbël të bën një lloj Njytoni modern në vendlindje 
Është balta e udhëve që ta bën jo rrallë pis këpucën, pantallonat apo dhe kostumin me të cilin je nisur diku në një ceremoni.
Është guri i një mali, me të cilin bashkë me miqtë ke nisur garën për të qëlluar sa më larg në sipërfaqen e një lunit apo për të goditur saktësisht një degë peme. Është lulja që mbjell gjyshja e nëna, pasi e ka ruajtur me merak farën që pranverën e kaluar dhe pastaj me këtë pamje petalesh 
Është amaneti i pavyshkur i gjyshërve tanë flokëthinjur që kanë ardhur në kohën e ndërrimit të jetës. Një amanet për djemtë e nipërit që të bëhen më të mirë se ata vetë. Të keni zili për mirësinë e jo të vrasin në mes të ditës dhe të natës.
Është sheshi i lojës fëmijërore ku deri vonë ti ke harruar se si kanë lëvizur pa lejen tënde akrepat e orës. Vetëm thirrja e nënës, e babait bën që ti të lësh sheshin e ashtu, fytyrëskuqr me gjunjë të vrara e pak të lodhura jeton me mëkatin e vonesës.
Është maja e Tomorit që të bën të hysh në karvanin e pelegrinëve që janë gjysëm milioni në vit. Atje ku si thotë Naimi, është froni i perëndive.
Te maja e Korabit me ylbere ku këngëtari garon me dritën e me aromën e livadheve të tij dhe ti mërmërin një varg kënge “Moj Fushë e Korabit’ si të ishtë krenaria e operave botërore.
Është mjaltimi që buron nga lulet e Shkëlzenit.ës, 

Dikur poeti dissident Bilal Xhaferri do të shkruante “Koha na ka vënë në provën e qëndrestarëve të luftës punës të shkronjës.”
Dikur poeti disident Bilal Xhaferri do të shkruante për të se “ edhe brinjët e gjoksit do bëjmë shpata” Sot ende na kanë lakuar jetën udhëkryqet. Janë ato të politikës dhe krimit. Na kanë vënë në provë mallin e largët dhe sërish në buzë në zemër na vjen ajo përkundja emocionesh të shprehura thjeshtë te dy fjalë “Atdheu është atdheu…”
Boston

Filed Under: ESSE Tagged With: Namik Selmani-Esse Koniciane-Atdheu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT