–Qeveria ndau mjete për përkrahjen e koalicionit global për luftë kundër terrorizmit,kryeministri në detyrë Haradinaj: Kosova radhitet përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit dhe në arritjen e objektivave të koalicionit global për luftimin e terrorizmit kudo në botë/
PRISHTINË, 10 Janar 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për të mbështetur koalicionin global në luftë kundër ISIS/DAESH.
Njoftimi i dërguar nga Qeveria e Kosovës thekson se, me vendimin e miratuar janë ndarë mjete në vlerë prej 250 mijë eurosh dhe këto mjete janë ndarë nga shpenzimet e paparashikuara. Vendimi obligon Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe institucionet tjera kompetente për zbatim të vendimit.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova si anëtare e koalicionit global për luftimin e terrorizmit është e përkushtuar ta mbështesë në të gjitha format luftën për demokraci dhe liri. “Kosova radhitet përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit dhe në arritjen e objektivave të koalicionit global për luftimin e terrorizmit kudo në botë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.