• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

Kosova përkujton viktimat e Holokaustit

January 28, 2020 by dgreca

Kosova përkujton viktimat e Holokaustit/

-Presidenti i Kosovës, Thaçi, në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit në Kompleksin Europa në Prizren. Kryeministri në detyrë Haradinaj bën homazhe te Pllaka Përkujtimore për Hebrenjtë në oborrin e Qeverisë. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti: Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit…/

-Për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit filmi dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar, shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, manifestim edhe në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”/

PRISHTINË, 27 Janar 2020-Gazeta DIELLI/

Në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit në DokuKino – Kompleksi Europa në Prizren, sot pas mesdite.

Paradite Presidenti Thaçi  deklaroi se, Kosova sot i bashkohet kujtimit për viktimat e Holokaustit, një krim gjenocidal dhe monstruoz që tmerroi gjithë botën. 

“Pas Luftës së Dytë Botërore u mendua se vuajtjet e miliona njerëzve të vrarë mizorisht do ta shndërronin Holokaustin në një krim të papërsëritshëm për njerëzimin. Por, ideja dhe përpjekjet për shfarosjen e njerëzve dhe etnive u vazhduan edhe nga regjimi i Serbisë në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Masakrat dhe spastrimi etnik u ngjanin atyre të Luftës së Dytë Botërore. Dhe, fatkeqësisht, Serbia edhe sot vazhdon t’i mohojë krimet që shkaktuan holokaustin ballkanik në këtë pjesë të Evropës”, u shpreh Presidenti i Kosovës, Thaçi.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, bashkë me kabinetin qeveritar, kanë bërë sot homazhe te Pllaka Përkujtimore për Hebrenjtë në Oborrin e Qeverisë së Kosovës, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.


“Në nderim të njerëzve që kanë humbur jetë, të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, në përkujtim të tragjedisë më të madhe të njerëzimit, në emër të Qeverisë, të popullit të Kosovës, vendosa lule dhe bëmë nderim te memoriali kushtuar Sinagogës së fundit që ka ekzistuar këtu në Kosovë”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se kjo po bëhet në respekt edhe të trashëgimisë e kulturës, por edhe tragjedisë njerëzore që ka ndodhur.


Kryeministri në detyrë, Haradinaj, theksoi se duke i nderuar gjithë ata njerëz të pafajshëm, duke përkujtuar gjithë atë tragjedi, ne sigurohemi që tragjeditë e tilla të mos përsëriten.


“Për fat të keq edhe populli i Kosovës e ka përjetuar një tragjedi të madhe, të përmasave të jashtëzakonshme dhe ne bashkëndjejmë me të gjithë ata që tragjeditë kanë kaluar nëpër jetërat e tyre”, përfundoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, i dekretuar për kryeministër të Qeverisë së re të Kosovës të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, Albin Kurti, ka shkruar:

“Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit, me dëshirën që kurrë të mos përjetohen ngjarje të tilla tragjike, as nga hebrenjtë e as nga ndonjë popull tjetër.

Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli.

Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë…

Holokausti, kjo ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, ky kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën. Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros.”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe AS Film, për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, do të organizojnë shfaqjen e filmit dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar. Premiera do të shfaqet mbrëmjen e sotme në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

 Në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” manifestimi  kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit mbahet në mesditën e sotme në hapësirat e Fakultetit të Edukimit-Filologjisë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Holokausti-Perkujtohet-Prishtine

Historia e djaloshit të dhënë pas çokollatave

January 28, 2020 by dgreca

Nga Bujar Meholli – /

(tregim për gazetën “Dielli”)/

Për një çast ciflat e xhamit të thyer ranë përtokë duke nxjerrë ca tinguj të çjerrë, dhe më pas ra qetësia. Ishte pikërisht koha kur njerëzve gati sa s’u mbylleshin sytë, binin në shtrat dhe kridheshin në gjumë. Por nuk ndodhte kështu për një djalosh të fshehur poshtë shkallëve të ndërtesës, ku binte erë myk. Heshtje e plotë! Nuk pipëtinte asgjë përveç zemrës së tij që rrihte herë më ngadalë e herë më shpejt. Ai vështronte përreth si me sy prej maçoku se mos e kishte parë ndokush. “Nuk është ndonjë punë kushedi se çfarë të thyesh xhamin dhe të futesh brenda”, po thoshte me vete. Për disa çaste ekzistonte rreziku se mos ndokush mund të përgjonte dhe t’ia kapte veshi rrapëllimën, por zakonisht nuk dëgjonte gjë askush, dhe djaloshi futej në atë dyqan të vogël, që ishte plot me lloj-lloj sheqerkash e çokollatash. Ah, këto çokollatat! Sa qejf që i kishte! Kur qe çilimi dhe pranë të atit, ky i blinte shpesh  ëmbëlsira. Nuk i harronte kurrë ato çokollata aq të ëmbla. Le pastaj ato zbukurime të hatashme që u bënte fabrika dhe që e linin pa mend. Ah, sikur të kishte mundësi e t’i kapërcente ata kufij dhe të shkonte atje ku bëheshin ato ëmbëlsira dhe ku pati shkuar i ati.  

Sa mirë do të ishte sikur të punonte në një fabrikë të tillë! Le pastaj sikur t’i dërgonte me postë nënës ndonjë pako plot me çokollata. Të ëmën e përfytyronte shpesh si atë gruan në një tablo të Etien Liotarit, të cilën e pati  parë në galeri kur kishte vajtur me klasën. Sa e bukur dukej ajo me atë  fustan të gjerë, ashtu ulur në ndenjëse, duke hedhur tërë hijeshi kakaon në filxhan! Sigurisht që e ëma s’do t’i thoshte gjë po ta dinte se punonte në fabrikë çokollatash, as do ta qortonte e as do ta rrihte. I ati kishte shkuar në një vend të largët, ku mbase nuk pushonte së ngrëni ëmbëlsira e së shijuari pije të këndshme. Nuk i shqiteshin nga mendja disa sherre ndërmjet prindërve, por pse vallë duhej të ikte i ati?  Kaq të zotët qenkan të rriturit, saqë t’i ndërrojnë jetët e tyre përgjithmonë? Jetonte me mendimin se një ditë prej ditësh do ta shihte të atin të kthehej në shtëpi dhe do të jetonte gjithmonë me ta. 

Kur një ditë u kthye në mbrëmje vonë në shtëpi, e ëma, shumë e merakosur, e qortoi rëndë sapo e pa me tri a katër çokollata në dorë. 

– Ku i ke gjetur këto? – i ulëriu ajo. – S’ke për dalë më kurrë nga shtëpia. Edhe kur të kthehesh nga shkolla, do të vish drejt e  në shtëpi, more vesh? 

Djaloshi s’kishte nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Vetëm kishte dëgjuar fjalët e ashpra të së ëmës dhe kishte ndenjur me sy përdhe. Do të kishte pasur dëshirë t’i thoshte: “Mama, provoje një çikë këtë çokollatë! Është aq e ëmbël, të shkrin në gojë”, dhe pastaj ta përqafonte e ta puthte fort. Kështu po mendonte rrugës, mirëpo, sapo kapërceu pragun, dëgjoi zërin e së ëmës dhe qortimet që vërshuan si ndonjë ortek tatëpjetë shpateve. 

Në mëngjesin e asaj dite me qiell të përhirtë, dyqanxhiu i lagjes u lemeris kur pa se ç’kishte ndodhur. Prapë e kishin vjedhur! Prapë ia kishin thyer xhamin e dyqanit të tij të vogël dhe i kishin marrë çokollata, sheqerka e gjëra të tjera, le pastaj ajo rrëmujë e madhe që kishin bërë!      – Ç’është kjo dreq pune? – nisi të shfrynte ai burrë babaxhan me flokë e me mustaqe të zeza, që e kishte lajmëruar policinë edhe më përpara, dhe i patën thënë se do të bënin çmos për ta gjetur  keqbërësin. 

– Ah, po e zura! Maskarai! Betohem që s’ka për të bërë dot më! 

Kështu qe zotuar ai burrë duke kërcëllitë dhëmbët nga inati. Ai bënte jetë modeste, ato që kishte ishin gjithçka për të dhe i shiste pak nga pak, nxirrte ca para sa për të mbajtur gjallë familjen. Lagjja e respektonte dyqanxhiun; edhe vocërrakët tregonin respekt ndaj tij, ashtu si edhe djaloshi ynë, i cili, sa po e shihte në rrugë duke ecur me biçikletë, e përshëndeste përzemërsisht. Por, ja si të katandis jeta! E ëma dhe djali si saj i vetëm jetonin si të mundeshin ose me ç’t’u sillte rasti. Nganjëherë, ajo gjente ndonjë punë të përkohshme, merrte ca para dhe me to arrinin të nxirrnin bukën e gojës.  

Ç’fat  i keq për djaloshin që detyrohej të jetonte në një mjedis të tillë ku paraja ishte gjithçka, përballë së cilës njeriu ngjante si diçka krejt e pavlerë, ashtu si ajo kanoçja e zbrazur që hidhet në rrugë dhe askush nuk kthen kokën ta shohë!    

Djaloshi u rrit dhe u shkollua disi e me shumë mund. Shkonte  mirë me mësime, edhe pse mendjen s’e mbante në një vend. Kur profesori shpjegonte mësimin, ai përhumbej nganjëherë në mendime duke thënë me vete: “Po sikur të më ketë parë ndokush kur theva xhamin e dyqanit e u futa brenda dhe vodha? Po sikur te mamaja të ketë shkuar policia ose xhaxhi i dyqanit?” 

Këto mendime po e torturonin, dhe profesori, që e vinte re shqetësimin e tij, ia thërriste emrin me zë të lartë, duke ia ndërprerë këto mendime. Nga dita në ditë çdo gjë bëhej përherë e më e vështirë. Jeta ishte një kalvar i pafund. Veç ëmbëlsirave, duheshin buka dhe gjërat e tjera më të nevojshme për familjen; për këto vriste mendjen edhe e ëma, që gjente punë ndonjëherë më të rrallë. Kishte edhe raste që i ofroheshin punë që nuk i pranonte, mbase ngaqë ishin të rënda për një grua të lodhur nga jeta, për një grua që ishte ndarë prej kohësh nga i shoqi dhe përpiqej e vetme për të mbajtur të birin. 

Nganjëherë njeriu zhgënjehet aq shumë nga jeta, saqë thellë në psikikën e tij grumbullohet një mllef që e detyron të shpërthejë, që e shtyn drejt një fundi tragjik, drejt shkëputjes nga çdo problem e nga çdo vështirësi të kësaj bote, pra, drejt vetëvrasjes! Dhe jo se nuk i kishte bluar në kokën e saj këto gjëra kjo grua e pashpresë. Megjithatë, kuptohet se kjo nënë, sado që me shpatullat të rënduara nga pesha e jetës, nuk dorëzohej lehtë dhe se nuk do t’i jepte fund kaq kollaj gjithçkaje, sepse  e dinte që krijesa e saj do të mbetej fillikat po të mos i gjendej pranë e ëma.  

Të gjitha këto i silleshin në kokë dhe, kur shihte të birin, mblidhte forcat e fundit për të vazhduar si puna e Sizifit. Dashuria për jetën nuk i qe venitur aspak ndër vite. Ajo dhe ish-bashkëshorti i saj qenë ndër njerëzit e rrallë të qytetit që shkonin në operë e në teatër, që blinin disqe, libra e gjëra të vjetra interesante nëpër tregjet e mbushura me rrangulla. U vinte për të qeshur kur shihnin sa para harxhonin që të blinin gjëra të tilla. Raftet e nënës së djalit vazhdonin të ishin plot me libra që ajo i shfletonte shpesh e me pasion të madh, mirëpo jeta e vështirë po i shndërrohej në një makth të vërtetë. S’kishte mundësi të ulej e të kënaqej ashtu e kredhur e tëra në lexim, duke e larguar mendjen nga e ardhmja që e priste atë dhe djalin e saj. Megjithatë, fytyra e saj gruaje, që dikur ngjante me Lana Tërnerin e ruante ende disi freskinë e dikurshme. Ndër librat e saj binin në sy kopertinat e vjetra dhe emrat e autorëve, të shkruar me germa të mëdha, si ABATI PREVO, ALFRED TENSION, OSKAR UAJLD, ALFONS DODE, ROBERT BËRNS, HAJNRIH HAJNE, HËLDERLIN, BALZAK, DIKENS, BODLER, PRUST, VERLEN, REMBO, XHOJS, STENDAL, e plot të tjerë, radhitur bukur, ngjitur me njëri-tjetrin. Ajo ruante edhe disqet e ish-bashkëshortit, që nga muzika klasike me titanët Vivaldi, Bah, Betoven, Moxart, Albinoni, Shopen, e deri te “zezakët me trumbeta”, siç i quante ai muzikantët e xhazit dhe të bluzit. 

Në një qoshe të dhomës rrinin hijshëm, radhitur njëri pas tjetrit, disqet e Tampa Redit, Lid Bellit, Tino Rosit, Sharl Trenetit, Xho Dasënit, Luis Xhordanit dhe Eta Xhejmsit. Ç’mrekulli! Tingujt magjepsës ishin të pranishëm në veshët e kësaj gruaje, megjithatë ata nuk shijoheshin si në atë që ajo e quante Epokë e Artë dhe për të cilën ngulmonte thellë me vete se s’do të kthehej më kurrë!  

– Si e kalove sot në shkollë, sheqerka ime? – i tha të birit sapo ai hyri në dhomë. Dukej i shpenguar, thua se i kishin hequr një barrë të rëndë nga supet. Oh, gjithçka qe në rregull! Pra, askush s’pati ardhur në shtëpi, as policët dhe as xhaxhai i dyqanit. Kjo po, ishte fantastike! E megjithatë, thellë-thellë djaloshi, që sa vinte e po behej më shtatlartë, mendonte se budallallëqe si ato që kishte bërë, s’duhej t’i përsëriste më. Do të gjente një punë sapo të mbaronte shkollën dhe më pas do të ishte i lirë që, pasi të shkonte për të blerë ushqimet, të shkonte bashkë me nënën për të vizituar qytete të ndryshme të botës.  

– Mirë në përgjithësi, – ia ktheu pas pak. – Më ka dhembur koka sot, dua të ha ndonjë gjë, – dhe shkoi te frigoriferi. Kur pa gjendjen aty brenda, e kuptoi menjëherë si ishte puna në shtëpi. Ato ëndrrat plotë ngjyra të bukura që kishte parë po i pluskonin tani si puna e atyre tullumbaceve që shfryhen sakaq me t’i prekur maja e gjilpërës. – Po këtu, moj mami, s’paska gjë prej gjëje. – Ajo shtrëngoi dhëmbët dhe iu mbushën sytë me lot. 

E ç’t’i thoshte e ëma? U krodh në mendime për ca çaste dhe pastaj u përpoq të gjente ca fjalë sa për t’i dhënë një përgjigje, por nuk ia doli dot, vetëm se para syve iu shfaq shëmbëlltyra e ish-burrit të saj. 

Eh, ç’ditë të bukura që kishin qenë ato për atë grua. Asokohe s’kishte njohur ç’ishte brenga, kur  për gjithçka kujdesej ai, dhe djali, atëherë bebe e vogël, ishte krejt i sigurt, por që fati i keq ua kishte prishur lumturinë. Po pse vallë nuk vinte ndonjëherë tek ata? 

Pasditeve qyteti gëlonte nga pëllumbat, që përziheshin me njerëzit dhe ia shtonin hijeshinë. Kjo ishte një panoramë e këndshme qytetase dhe ngjante me ato pikturat e impresionistëve francezë. Herë pas here vinte re aty-këtu ca pëllumba që fluturonin ashtu shkujdesur mu përballë dritares së tyre, dhe ndonjëri syresh vinte e ndalej mu te pezuli i dritares, thua se e  ndiente vështrimin e saj. Dhe fantazia e begatë e asaj gruaje krijoi aty për aty disa vargje tërë njomështi femërore, ndërsa, më anë tjetër, shqetësohej për të birin, që po i dhimbte koka. Dhe ja vargjet që ajo thuri në një çast të tillë: 

Pëllumb a pëllumbeshë, ç’të jesh,

sikur të na merrje me vete edhe ne 

nëse rrugën për në ato vise do kesh,

bashkë me ty do të shkonim atje… 

– Mama, ç’ke kështu që po rri e përhumbur? – i tha ai ndërsa po shkonte tek e ëma, që po rrinte pranë dritares. Ndërkaq, pëllumbi u largua vetëtimthi. 

– Jo, bir, nuk kam asgjë. U hutova pas asaj krijese të bukur që erdhi dhe u ul te pezuli i dritares sonë. Në mbarë qytetin, nuk të zë syri asgjë tjetër përveç pëllumbave. Çfarë mrekullie! – Ndërkaq djaloshi bëri me kokë një shenjë miratimi dhe i hodhi duart në qafë së ëmës. 

– A të pushoi dhimbja e kokës? – e pyeti pas pak e ëma.

– Jo, akoma s’më ka pushuar.

– Do të bëje mirë, sikur të flije pakëz?

– Jo, nuk dua të fle.

– E po, atëherë le të shkojmë te mjeku, si thua?

– Jo, nuk dua!

Por gjithsesi, djaloshi u shtri dhe e zuri gjumi menjëherë.

As gjërat e mira dhe as gjërat e këqija nuk vazhdojnë përjetësisht. Një këngë e Xhim Morrisonit titullohet “Ky është fundi”. Dhe ky fund vjen patjetër! Ajo ditë e atij qyteti ishte monotone, as pëllumbat s’po pipëtinin. Qielli nderej aq i zymtë sipër rrugëve, saqë njerëzit përvidheshin të frikësuar dhe strukeshin nëpër kafene ose në shtëpitë e tyre. Nga nevoja e madhe, nënë e bir patën shitur në treg gjithçka që u kishte mbetur, vetëm sa për bukën e gojës. Ah,  kjo goja! Këto dy krijesa kishin shitur pothuajse gjithçka që kishin: libra, disqe, gjëra të vjetra interesante, madje tek-tuk edhe ndonjë orendi. Para se t’i nxirrnin për t’i shitur, e ëma i kishte larë me lot. Ah, Oskar Uajld, shkrimtar i dashur për çiftin e dikurshëm. Ah, Balzak, Stendal, Hajne, Tenison, ku po ju çojnë kështu?   

E ç’të thuash pastaj për Luis Xhordanin dhe për Eta Xhejmsin, si po i nxirrnin ashtu nga shtëpia për një dorë para, dhe mbase tjetërkund do t’i mbulonte pluhuri? Ndërsa dikur meloditë e tyre buçisnin mbrëmje e mëngjes! Bobo, ç’po bëhet kështu? Ja ku e shitën edhe gramafonin anglez, me të cilin qenë krenuar në lagjen ku banonin. 

Shumë artistë nuk e kanë vazhduar shkollën, por kanë arritur të shkëlqejnë në fusha të ndryshme të artit. Por pse nuk e patën vazhduar shkollën? Për këtë ka pasur shumë arsye. Më kryesorja ndër to ka qenë vështirësia financiare, siç ka ndodhur edhe me djaloshin tonë. Vetëm fati e kishte paracaktuar që ai të sorollatej lart e poshtë dhe të lexonte herë pas here, por me më shumë pasion sesa ata shkollarët e rregullt, që lexojnë me dhjetëra libra dhe që nuk arrijnë dot të tregojnë përmbajtjen qoftë edhe për një libër të vetëm. 

Djaloshi kishte pasur pasion të madh për muzikën, gati sa s’i ra pika kur u detyrua të hiqte dorë  nga gramafoni i të atit dhe e pati puthur para se t’ia jepte në dorë një koleksionisti.  

U bë një kohë e gjatë që nuk kishte ngrënë qoftë edhe një çokollatë. Dhe sa shumë çokollata duhej të ishin prodhuar gjatë kësaj kohe! Shiti edhe kitarën e kuqe, që i binte me aq kënaqësi nëpër lagje mes një grupi bashkëmoshatarësh, që ëndërronin, ashtu si ai, për një album me këngët e tyre, që mbeti vetëm një ëndërr e madhe. 

Qe rrënuar thuajse gjithçka. Po të kishte kohë dhe mundësi, e ëma, do të ulej para makinës së shkrimit, do të shkruante për vuajtjet e tyre dhe do t’i përmblidhte këto më pas në një libër. Ata më besimtarët që duhet zakonisht të pajtohen me gjendjen e vet, kanë kurajë dhe as që e shkojnë nëpër mend t’i kundërvihen Perëndisë. “E çfarë jete është kjo?”, nis e thotë me vete nganjëherë njeriu, “tekefundit, për çfarë jemi këtu dhe çfarë duhet të bëjmë? Pse nuk bëjnë edhe të tjerët të njëjtën gjë ndaj nesh? Pse vallë të gjithë s’lënë rast t’u kalojë pa na lënduar kur shohin se jemi të ndjeshëm?” Përgjigjja është në erë, siç thotë Bob Dilani.   

Xhaxhit me mjekër dhe me mustaqe si të Ismail Qemalit nuk i pati ardhur krejtësisht zemra në vend. Kishte kohë që në dyqanin e tij nuk kishte ndodhur ndonjë vjedhje, madje qetësia mbretëronte në mbarë lagjen, si edhe kudo në qytet. Por kjo qetësi dhe kjo jetë monotone  po e mundonin djaloshin tonë, që ishte mësuar të shkonte nëpër kafenera qysh kur pati braktisur shkollën. Madje pati provuar edhe glikanxon, duke dëgjuar muzikë e duke ngrënë. Kishte blerë një duzinë çokollatash. Kur e ëma festoi ditëlindjen, i solli një pako me çokollata Patchi dhe vuri në gramafon pllakën me këngën e Edit Pjafit “La vie en rose”,  që pati fituar çmimin Grammy. Që të dy e adhuronin këtë këngë. Por tashmë s’u  kishte mbetur më asgjë për ta shitur. Të vidhte ndonjë gjë? Ishin të qetë për aq kohë sa kishin ca para në dorë, që janë melhem për çdo gjë, janë feja e kujtdo! 

Sa shpejt që ikin ditët e lumtura, për t’ua lënë vendin ditëve të  vështira, ditëve të zymta. Kuletat  boshatisen shumë shpejt. Ishte një nga ato ditë që dukej sheshit se qielli do të derdhte shi me rrëshekë. Ajri ishte i ftohët, frynte një erë e fortë dhe pas pak shiu shpërtheu rrëmbyeshëm. Po errej. Me qindarkat e fundit qe futur shpejtazi në kafene, ku edhe aty brenda dëgjonte rrapëllimën e shiut dhe po shijonte tingujt e ëmbël të një kënge. Ishte Xhosefinë Bejkëri. Ai zë përkëdhelës femëror vinte nga gramafoni dhe shkonte drejt në veshët e tij. Po mendohej të bënte diçka, sidomos ngaqë e ëma ndihej e lodhur. Kishte frikë se mos i sëmurej. Ndërkaq shiu kishte pushuar, dhe një aromë e këndshme qe përhapur gjithandej. Ishte një mbrëmja e freskët. Kjo qe koha kur kafenetë mbusheshin me njerëz, kurse nëpër kabare këndohej e kërcehej gjer në agim. 

Por të gjithë ata që shkonin në këto lokale e kishin kuletën plotë e për plotë dhe jo bosh si djaloshi ynë. Nga inati e hodhi në lumë kur po kthehej në shtëpi. 

Ishte mu para dyqanit të vogël të xhaxhit të lagjes. Dhe, oh çfarë pamje! Me sa dukej, ai xhaxhi qe furnizuar sërish. Në shtëpinë e djalit tonë çokollatat ishin mbaruar prej kohësh. Përmes xhamave vuri re si vetëtinin ca çokollata që s’i kishte parë kurrë. “Të jenë nga Amerika?”, tha me vete. “Apo mos vallë nga Belgjika?”.   

Djali erdhi e u shndërrua në vogëlushin e dikurshëm dhe prapë nisi të vështronte përreth me sy prej maçoku. S’kishte gjë prej gjëje. Një krrokamë u dëgjua si për ta bërë më dramatik atë peizazh të errët. Theu xhamin shpejt e shpejt dhe u përkul e nisi të rrëmonte nëpër raftet e vjetra. Aroma e këtij dyqani po e magjepste. Ka çaste kur truri i njeriut bllokohet i tëri. Kështu i ndodhi edhe djalit ndërsa po zgurdullonte sytë duke hapur aty për aty ca sheqerka e çokollata dhe  po i shijonte duke gulçuar e psherëtirë. 

– Ku po shkon tani, në këtë orë? –  i tha e shoqja ndërsa ai po krihte mjekrën në pasqyrë.

– Nuk besoj se vonohem. Do të takohem me një mikun tim që ka ardhur sonte nga një udhëtim i largët. Më njoftoi se sapo ka mbërritur. E puthi në buzë gruan dhe i tha duke dalë: – Janë çështje pune, grua e dashur. Në lidhje me dyqanin.  

Po ecte me hap të shpejtë. Shiheshin vetëm dritat e zbehta që vinin nga dritaret e shtëpive dhe ndriçonin rrugën. Ai po ecte me ngut drejt qendrës së qytetit, drejt kafenesë ku do të takohej me mikun e vet. I hodhi një vështrim kalimthi dyqanit të vet dhe vuri re se xhami i dritares ishte thyer. Qe hera e parë që po shihte diçka të tillë në atë orë mbrëmjesore dhe mendoi se kishte të ngjarë që hajduti i mallkuar duhej të ishte akoma aty. Zemra po i rrihte fort dhe trupi po i dridhej i tëri. E humbi fare toruan dhe e harroi takimin me mikun. Duhej të shkonte patjetër për të parë se ç’kishte ndodhur në dyqan. Ngjante sikur Zoti e kishte dërguar me qëllim atë mik, se përndryshe nuk do të kishte dalë nga shtëpia. Duhej të shkonte patjetër dhe ta kapte hajdutin me pelë për dore. Futi dorën në xhep dhe nxori thikën e vogël, që vezulloi mes dritës së paktë. E shtrëngoi fort. I ngadalësoi hapat ndërsa po i afrohej dritares. Vuri re një gjë të zezë aty brenda, por nuk e shihte dot qartë. “Pra, ky na qenka ai që më ka torturuar prej kohësh! Por tani i erdhi fundi!”, tha me vete.      

Djaloshi fshiu shpejt e shpejt buzët e zhgërryera me çokollatë. Duhej t’ia mbathte me të katra së andejmi, sepse nuk i dihej. Mund të kalonte atypari ndokush dhe ta shihte në atë gjendje. Pse ndenji më gjatë se zakonisht atë mbrëmje? Më përpara merrte shpejt e shpejt ëmbëlsirat dhe ikte me vrap. Dhe nuk rrinte t’i hante aty, por shkonte drejt e në shtëpi. E hodhi krahëve çantën e mbushur plot e përplot dhe doli ngadalë duke ecur me hap të lehtë.  

“Shiko, shiko, i mallkuari! Ka mbushur çantën dhe shtiret sikur s’ka bërë asgjë të keqe. O Zot, s’po duroj dot më! Do t’i jap fund kësaj pune”, tha me vete, u nis drejt djalit duke ecur me hap të shpejtë dhe iu vërsul si rrufe, me thikën që po e mbante shtrënguar fort.

“Pritmë, mama! Me këto çokollata dhe me një gotë çaj do ta kalosh mirë sonte. Nuk do të të lë të më sëmuresh, mama e dashur!”, po thoshte me vete djaloshi, duke ecur fytyrëngrysur mes asaj errësire që kishte mbuluar gjithçka. S’po i pëlqente fare ajo punë që sapo kishte bërë. Ashtu befas dëgjoi një zhurmë që sa vinte e po bëhej me e qartë. Trupin ia përshkuan ca dridhërima të forta. Ktheu kokën, por në atë çast nuk vuri re asgjë. Më pas ndjeu një frymë të ngrohtë njeriu te qafa e vet, dhe një britmë që i kalli datën. Ishte një zë i ashpër burri.     

– O i mallkuari i Zotit! Ç’paske bërë kështu?

Djaloshi u hutua fare dhe s’po dinte nga t’ia  mbante. Pas disa sekondash, reagimi i tij qe shumë i shpejtë: ia dha vrapit. Burri e ndoqi pas duke ulëritur.   

– Kush je ti, ore? Pa ndalu pak në je burrë! Tani do t’i qërojmë hesapet. Ah! Në të zënça dot!… 

Dhe po vraponin që të dy sa u hanin këmbët… Pas pak djaloshi e ndjeu se çantën nuk e kishte më në krah. Oh! Paniku që e kishte kapur e pati bërë të vetën. Futi dorën në xhep, nxori revolen dhe shtiu dy-tri herë…

Kur agoi, filloi dita e zakonshme në qytet. Ëmbëltoret u hapën, po ashtu edhe kafenetë e dyqanet. Rrugët nisën të gëlonin nga njerëzit, nga biçikletat e nga makinat. Te një trotuar po kalonte një zotëri trupmadh me syze rrumbullake. Nga pamja dukej si njeri i biznesit, që e njihte mirë qytetin, por që ngjante sikur s’kishte qenë aty qysh prej kohësh. Dukej sheshit që diçka po kërkonte, meqë po vështronte ndërtesat rreth e qark. Ndërkohë po kërkonte ndonjë restorant për të ngrënë mëngjesin. U frikësua tek pa pranë këmbëve diçka të zezë, mu aty në mes të rrugës. Pas pak e kuptoi që ishte çantë…  Po miku i vet ku mbeti vallë? A s’e kishin lënë një takim? Gjersa po ecte ngadalë u ndodh para një restoranti të ngjashëm me “Tari-Barin” dhe kur bëri të futej hodhi sytë tutje-tëhu duke e parë një djalosh që po sorollatej aty pari. Porsa e pa ngultas të birin e tij, ai e njohu menjëherë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bujar Meholli-tregim-Dielli

MBRONI LIRINË E MEDIAS, TË NDERUAR AMBASADORË!

January 27, 2020 by dgreca

“Liria e shtypit është një prej mbrojtjeve më të mëdha të lirisë dhe nuk mund të kufizohet kurrë veç se nga qeveritë despotike” (Xhorxh Mejson)/
 
Nga Frank Shkreli/
 
Si një shqiptaro-amerikan dhe besoj se edhe komuniteti shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi, jemi të kënaqur që ambasada e jonë në Tiranë ka tashti një ambasadore fuqi-plote, pas një mungese të gjatë.  Sipas një njoftimi në faqen elektronike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ambasadorja e re, Yuri Kim dje në mëngjes paraqiti letrat kredenciale Presidentit Ilir Meta, si Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.  Ambasadorja Kim u shpreh se, “Patëm një bisedë të mirë me Presidentin lidhur me miqësinë e gjatë midis dy vendeve tona dhe ritheksuam përkushtimin që bashkëndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.
 
Ambasadores së re i urojmë sukesese dhe këmbë të mbarë në detyrën e re në Atdheun e të parëve tonë.  (Më poshtë po sjell fjalimin e parë dhe të plotë të përfaqsueses së re të Shteteve të Bashkuara në Tiranë), por, fillimisht deshta që përveç urimit më të sinqert për sukses, për ambasadoren personalisht, por mbi të gjitha, nepërmjet punës së saj, për të mirën e Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kombit Shqiptar dhe Kombit Amerikan.
Nuk dëshiroj të jap ndonjë këshillë sepse kjo nuk është detyra ime as nuk jam në gjëndje të jap këshilla, por dua që me këtë rast të përcjell një porosi për Ambasadoren e re amerikane, por edhe për përfaqsuesin e Bashkimit Evropian dhe për të gjithë ambasadorët e vendeve demokratike perëndimore në kryeqytetin shqiptar.  Jam i sigurt, Zonja Ambasadore se deri tani keni marrë informacione të hollësishme mbi gjëndjen e përgjithëshme në Shqipërinë tonë, me shumë probleme e halle.  Nuk dua të futem në diskutimin e shumë problemeve me të cilat përballet sot Shqipëria, pasi gjatë viteve jamë munduar, në atë mundësinë teme dhe në mënyrën më modeste t’i vejë në dukje telashet e mëdha të shoqërisë shqiptare, të pakën nga një përspektivë e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Shqipërinë dhe shqiptarët me gjithë zemër, por që adhuron njëkohësisht edhe vendin ku kemi gjetur strehimin tonë – në ditët tona më të vështira – Shtetet e Bashkuara të Amerikës– dhe ku gëzojmë të gjitha të drejtat bazë të njeriut, pa përjashtim, përfshir lirinë e plotë të fjalës.
 
E nderuara ambasadorja jonë, unë kam pas fatin që gjatë viteve të kem qenë here pjesëmarrës e herë vërejtës i zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej vitit 1991 e këtej, por edhe më përpara.  Kam pasur privilegjin e veçantë të një shqiptaro-amerikani që në vitin 1991 të isha pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri mars/prill të atij viti.  Delegacionit, i cili nënë rrethana shumë të vështira të asaj kohe – pas pothuaj 50-vjetësh — hodhi themelet e marrëdhënieve të reja midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan –kur siç u shprehet edhe ju dje në fjalimin e parë në detyrën e re, atëherë kur, “Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjët e komunizmit dhe të diktaturës.  Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenarë dhe me të drejtë.”
 
E vërteta është se shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri, ç’prej diktaturës dhe komunizmit.  Pa dashur të flas për sukseset por sidomos për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët, dua që të theksoj një subjekt, për të cilin jam munduar shpesh, gjatë viteve, ta sjell në vëmëndjen e atyre që mund të bëjnë diçka për ta përmirësuar, në përputhje me ligjet dhe konventat ndërkombëtare, përfshir Konventën e të drejtave universale të Kombeve të Bashkuara.  Kauza ime është liria e shtypit dhe fjala e lirë, në përgjithësi e në Shqpëri dhe në Kosovë, në veçanti.  Shpresoj që të jetë një ndër çështjet më me rëndësi në listën e problemeve me të cilat do merresh në muajt dhe vitet e ardhëshme në punën tuaj fisnike në Shqipëri.  Si rrjedhim, uroj që lirinë e medies dhe të fjalës së lirë në Shqipëri, ta merrni si një prej çështjeve më kryesore që do të promovoni në atë vend, jo vetëm prapa dyzerve të mbyllura, por edhe publikisht dhe pa hesitim.
 
Jam i sigurt se jeni në dijeni se liria e shtypit në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në nivelin që do e dëshironim ne shqiptaro-amerikanët dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë këtyre 30-viteve post komunizëm. Por viti i kaluar kishte shënuar, veçanërisht, një pikë të zezë për lirinë e medias dhe të shprehurit në Shqipëri.  Më 18 Dhjetor, 2019, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë miratoi me 82 vota pro, “paketën antishpifje”, por që do të ishte më korrekt të quhej paketa anti-shprehje, pasi e tillë është.  Kjo paketë kundër lirisë së fjalës në Shqipëri, e propozuar nga Kryeministri Rama dhe e miratuar nga shumica e tij socialiste në Kuvend, me të drejtë, është kundërshtuar dhe po kundërshtohet nga një mori organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare, si një ligj që nëqoftse vërtetë hyn në fuqi, është në kundërshtim të plotë me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, si dhe në mos përputhje absolute edhe me konventat dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.
E nderuara Zonja ambasadore. 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, liria e vërtetë e fjalës në Shqipëri është, fatkeqsisht, e mbërthyer në një luftë të ashpër për mbijetesë me disa përfaqsues të kastës së vjetër komuniste, të cilët fatkeqsisht, ende edhe sot 30-vjet gjoja post-komunizëm, ushtrojnë influencë të dukshme në politikën shqiptare dhe në zhvillimin e punëve në Shqipëri, në përgjithësi. Kërcënimet nga kjo klasë politike ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, gjatë tre dekadave të fundit, kanë hasur kryesisht, në heshtje nga ambasadat e vendeve demokratike dhe nga përfaqsuesit e tyre përendimorë.  Liria e shtypit dhe e fjalës së lirë në Shqipëri — një vend që aktualisht kryeson Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë — ka nevojë për ndihmën tuaj dhe të kolegëve tuaj ambasadorë të Evropës Përëndimore në Tiranë.  Në takimet e para në Tiranë, Ambasadorja Yuri Kim është takuar është takuar edhe me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në kryeqytetin shqiptar, Luigi Soreca, i cili i urojë diplomates amerikane mirëseardhjen dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkpunim, “Për të vazhduar partneritetin themelor BE-Sh.B.A në Shqipëri, në veçanti në kontekstin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. 2020 është një vit vendimtar për perspektivën evropiane të Shqipërisë”.
                    

Të gjithë e dimë se përspektiva e Shqipërisë për integrimet evropiane është një mundësi shumë e zbehtë, me ligje si ai “anti-shpifje” kundër lirisë së vërtetë të medies, ligj ky i propozuar nga qeveria e Kryeminsitrit Rama dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.  Të na kishte thënë dikush në mars/prill të vitit 1991 – 30-vjetë pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore — se në vitin 2020 Shqipëria do i shpallte luftë, me ligj, lirisë së medias dhe se do të detyroheshim të mbronim lirinë e fjalës në atë vend, nuk do e kishim besuar kurrë, kur merr parasysh të kaluarën e egër komuniste në Shqipëri.
 
Liria e fjalës, të nderuar ambasadorë, nuk është një çështje që duhet të bisedohet vetëm prapa skenave me pushtetarët shqiptarë, por u duhet thënë troç dhe pa dorëza, se “paketa anti-shpifje” e qeverisë shqiptare është në kundërshtim të plot me të gjitha konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.  Si e tillë ajo është e papranueshme për një vend demokratik dhe duhet të anullohet menjëherë!  Të nderuar ambasadorë, duhet të bindni Kryeministrin Rama të tërheq “paketën anti-shpifje”, nëqoftse dëshironi të bindni shqiptarët – të cilët të zhgënjyer me këtë klasë politike po largohen masivisht nga vendi — se ju me të vërtetë qëndroni me ta, “Jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë”, siç u shpreh ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.   Kjo është thirrja dhe porosia e këtij shqiptaro-amerikani, duke i uruar asaj punë të mbarë dhe gjithë të mirat në detyrën e saj të re në Tiranë.


Filed Under: Analiza Tagged With: ambasadore, Frank shkreli, Mbroni lirinë

XHAFERR DEVA, POLITIKANI QE NJIHTE 10 GJUHE TE HUAJA

January 27, 2020 by dgreca

Dosja e CIA për Xhafer Devën,1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja/

Xhafer Deva lindi në vitin 1906 në një familje të pasur shqiptare në Mitrovicë. Shkollën e mesme e krey në shkollën franceze në Selanik, pastaj vazhdoi studimet në Stamboll në kolegjin amerikan “Robert College” i cili gradua më tiutllin shkencor. Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll, Xhaferr Deva vazhdoi studimet në Graz të Austrisë ku kreu edhe studimet për inxhinieri. Pastaj shkoi në Egjip ku punoi në Ottman Bank. Më vonë punësoht në një firmë të madhe britanike në Turqi….

Xhafer Deva fliste 10 gjuhë: angleze, gjermane, frënge, turqisht, serbo-kroate, arabe, greke, çeke, bullgre duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Ai kishte aftesi të jashtëzakonshme sidomos në aftësitë inxhinerike të minerave dhe aftesitë bankare.

Në vitin 1931, kthehet në Mitrovicë ku e riorganizon fabrikën për përpunimin e drurit, dhe brenda disa vitëve behët sipërmarrësi më i sukseshëm në Mbreterinë Jugosllave.

Aktivitetin politik e fillon në vitin 1941, menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë nga Gjermania. Ai u përpoq të shpëtonte shqiptarët e Kosovës, të cilët ishin nën dominimin e Ushtrisë Gjermane, dhe shqiptarët  nuk merrnin pjesë në administratë civile. Gjermanët pranuan që administrata në Kosovë të udhëhiqet nga shqiptarët, dhe Xhafer Deva ishte zgjedhur për ta formuar administratën shqiptare. Serbët kundërshtuan ashpër por Deva, ishte zotuar për të mbrojtur interesat shqiptare. Për arsye politike dhe taktike gjermanët nuk donin të “cedonin” bashkonin Mitrovicën, më Shqipërinë.

Kulmin e karrierës e arriti në vitin 1943, u emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme. Në muajt e pranverës ngarkohet një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS “Skanderbeg“. Xhafer Deva ishte betuar për të mbrojtur interesat shqiptare dhe luftimin e komunizmit. Ai ishte i i pamëshirshëm në luftimin e komunizmit. Deva ishte ai i pari i cili kishte zbuluar që Këshilli Nacional Clirimtar, kontrollohet komplet nga Moska.

Xhafer Deva ishte i pasukseshem në luftimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Ai ishte pro përendimor dhe luftoi që forcat demokratike të fitonin në Shqipëri.

Xhafer Deva ishte lideri më karizmatik i shqiptarëve në Kosovë, duke marrë parasyshe edukimin dhe aftesitë e tij, ai është një faktor shumë i rëndësishem për CIA-në, për ta përmbysur regjimin komunist në Shqipëri./fmimages.net

WASHINGTON, 4 prill, 1947

Shtabi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës – CIA

(Kortezi: Idriz Lamaj)

Filed Under: Histori Tagged With: CIA-Xhafer Deva- 10 gjuhe te huaja

MEMISHA GJONZENELI TREGON…

January 27, 2020 by dgreca

Shkruan: HARALLAMB  FANDI/

          Dikur, një i ri i rikthyer në jetën që po e quajmë të zakonshme, ndonëse për  të   nuk ishte e tillë, se vinte nga burgu ku ishte futur në moshë fare të re, u  ul përsëri në bangat e shkollës. Mundësia e vetme për të mësuar  ishte “shkolla e natës” meqë gjatë ditës i duhej të punonte si ish “i burgosur politik” në punët më të rënda  dhe më të vështira. Por ai ishte kalitur tashmë dhe i bënte shkëlqyeshem si punën edhe shkollën. Dhe nuk vonoi shumë për t’u shquar ndër të tjerët, sidomos në letërsi:  në një prej mbrëmjeve, kur mësuesi i letërsisë nisi të lexonte hartimet më të mira, i  riu priste gjithë ankth rezultatin. U lexuan njëri pas tjetrit 3-4 hartime të shokëve dhe ai e mblodhi mendjen që nuk kishte për t’i dalë emri midis më të mirëve. Mësuesi e përmendi të fundit, vërtet, po tërë kënaqësi, për hartimin më të bukur ndër të gjithë. Ndonëse e kishte të qartë se ajo që ndodhi në atë çast ishte “përjashtim nga rregulli”, sepse edhe shkollën ”e kishte tepër”, palè lavdërimin ai, ish i burgosuri politik, mezi gjeti forca ta fshihte gëzimin. Por prirjen e tij i riu nuk nguroi ta zhvillonte  dhe, pasi lexoi dhe studioi pa rreshtur, shkruajti shumë për gjithçka përjetoi në rrugëtimet e tij  të jashtëzakonshme gjatë jetës.

       Përpara se të më binte në dorë libri i tij “Pendimi”, qëlloi që t’i  lexoja tregimin “Oxhaku”, të publikuar nga ai në facebook. E vërteta është se për ta lexuar me ëndje më shtynte edhe dëshira  për të gjetur diçka të bukur te një njeri që, si bashkëqytetar me emër të mirënjohur për aftësitë, guximin dhe thjeshtesinë e tij, po i shtohej me dinjitet edhe komunitetit tonë letrar, ne Vlorë, në Shqiperi e deri ne Amerikë, ku jeton me familjen e vet. Kur pak më sipër shkruajta që ai mundohej ta fshihte gëzimin për sukseset e arritura, mendova se  sot, atyre që nuk e kanë përjetuar atë kohë, kjo do t’u dukej disi e çuditshme. E lashë sqarimin për të mos u zgjatur apo si diçka që mund të merrej me mend, sidomos nga ata që kishin lexuar “Oxhaku”-n,  ku çdo njeri merr nje goditje te fortë emocionale nga ajo çka lexon. E ç’ishte fshehja e një gëzimi përpara poshtërimit të një njeriu që, po të ishte komunist, do ta kishin bërë 10 herë hero për rreziqet,  teksa mori përsipër dhe bëri një punë që askush nuk guxonte  ta bënte? Dhe jo vetëm poshtërim, por edhe kërcënim, të pasuar  me masa të rrepta edhe për drejtuesit që ia besuan “armikut të klasës”punën më të rëndësishme.  Ajo punë delikate dhe njëkohësisht e rrezikshme kërkonte edhe nerva të qeta dhe drejtuesit “miopë” u qortuan se e kishin dërguar “për qetësi” atë që duhej të vuante pasburgimin dhe ku ?…  Në Kampin e Punëtorëve !!! 

       “ Në një prej darkave, – shkruan heroi- kur u ula për të ngrënë, shikoj pak më tej  edhe komisarin që kisha patur dikur në burg. E quanin Qemal Nallbani. Bashkë  me disa kampistë ai, gjithashtu, po hante . Kur më pa mua shqeu sytë i çuditur, u drodh dhe u ngrit në këmbë. U mat  një herë të vinte te unë, po u pendua dhe u ul sërish në vend, ndërsa  bukë nuk vuri më në gojë. Menjëherë pas kësaj,  të nesërmen në mëngjes, përpara derës më priste një pastruese. Sa dola,  ajo  më tha si me frikë, po dhe me keqardhje: Të lutem, mos u largo, se në orën  8 do të vijë këtu të të kërkojë shoqja  Jorgjije Peçini. Mendova  njëherë të mos paraqitesha, po m’u duk paburrëri dhe thashë me vete “S’kam bërë asgjë. E  ç’do  më thotë?..” Unë nuk e dija që një grua e veshur me pushtet do të sillej kaq brutale. Kur në oren 8 erdhi gazi i Komitetit të Partisë, një burrë i veshur me të zeza dhe serioz, që doli i pari, i hapi  derën dhe Jorgjies. Sapo e drejtuan te unë ajo m’u turr me gjithë trupin e saj kabà:

     – Ç’ kërkon ti këtu, nuk e njeh veten kush  je?- më ulëriu. Nuk u ndjeva dhe ruajta qetësinë, se isha mësuar me këto gjëra, ndërsa ajo vazhdoi me të bërtiturat: “Zhduku që këtu!” Gjithë kampistët dolën jashtë, ndërsa unë vazhdoja të mos lëvizja. Siç duket, kjo e nervozoi atë më  tepër: – Armik populli! –shfryu. Unë hiç. E shihja në sy dhe nuk flisja. Më së fundi,  nuk durova më dhe i thashë: “ Ky është kampi i punëtorëve! Unë jam punëtor dhe me takon të pushoj këtu. Të gjitha detyrat që më janë ngarkuar i kam realizuar dhe tejkaluar!” Ajo ndofta do të vazhdonte të më shante e bërtiste, po burri me rroba të zeza se çfarë i tha në vesh dhe e largoi. Duke ikur, s’pushoi së  ulërituri si bishë dhe, para se të hynte në makinë, tha gjithë egërsi: “Ik, mos të të shoh më këtu!  Shporru! “

      Pak më tej , lexova që heroi ynë, për të mos u rënë në qafë të tjereve dhe për të ruajtur qetësinë e nevojshme për  punën, e cila për këdo ishte “si hedhja e zareve”për jetë a vdekje, fjeti katër netë rresht në një mullar, buzë detit. Parafytyrimi i këtij episodi, kurrësesi episodik, më la një buzëqeshje të hidhur, që heraherës vijoi si lajtmotiv në mjaft tregime që lexova. I hidhur, ka qënë vërtet fati i autorit, po ai nuk ia helmoi gjakun deri në masën e kalimit nga urrejtja në hakmarrje dhe as në kthimin e shikimit të gjërave vetëm bardhë e zi. Libri i tij “Pendimi” vlerën më të madhe e ka pikërisht te gjerësia e këtij këndvështrimi, përmes të cilit ngjyrat dhe nuancat e shumta sjellin ndjenja pasuruese humanizmi të rrallë te lexuesi. Komisari katil i tregimit të mësipërm dhe të tjerë si ai s’ka se si të mos jenë të shumtë në tregime të njerëzve që janë goditur barbarisht prej tyre, por autori nuk harron  të përshkruajë edhe nga ata që, ndonëse në po ato role, janë sjellë ndryshe, madje, pavarësiaht se  rrallë, kanë shprehur edhe pendesë të sinqertë. Ndërsa te tregimi “Armiku”psh. na vizatohet me pak penelata, po saktë, një punonjës sigurimi si mosmirënjohës i pandryshueshëm, për të cilin shpëtimtari i jetës së të birit mbetet  “armik i popullit”, diku tjetër shohim  një djalë të ri që, ndryshe nga i ati, sheh te shpëtimtari jo armikun, po njeriun që meriton gjithe dashurinë e botës. I tillë paraqitet edhe oficeri i lartë Reshati, që e sheh dhe e mbron si vëllanë e vet arixhiun shpëtimtar te jetë së tij.

     Autori i “Pendimi”-t nuk e mban në kufij të ngushtë  tematikën e tij. Kujtimet dhe mbresat e kohës së burgut  si dhe të asaj pas tij, ku internimi kishte pjesën e vet të torturës ndaj  njerëzve, mbeten parësore në përcjelljen e emocioneve. Por  në tregimet e librit shohim edhe plot motive e ndjenja ku, si bir Vlore, ai bën që deti të shpaloset me kaltersinë, gjerësine dhe dritën e vet. Pavarësisht nga varfëria dhe nga kufizimet e kohes së diktaturës, të rinjtë i shohim të mësojnë, të punojnë e ëndërrojnë,  duke pritur me padurim ditët e mira të lirisë , nga të cilat edhe më të vjetrit u gjallëruan. Mërgimi, si shpëtim, po dhe si plagë, trajtohet me realizëm nga autori që, ndryshe nga shumë të tjerë, nxjerr në plan të parë cilësitë më të mira që i kanë bërë bashkëatdhetarët e tij të shquhen e të vlerësohen për merita që të tjerët nuk i kanë. Për t’i zbuluar këto dhe për të sjellë larmi  tematike, detaje të freskëta e mirësi njerëzore, duhen sy të mprehtë e këndvështrim i veçantë. Memisha Gjonzeneli  me ato që shkruan  tregon se e ka dhe e shpërndan me kënaqësi një pasuri të tillë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha Gjonzeneli-tregon-Harallamb Fani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT