
Kosova përkujton viktimat e Holokaustit/


-Presidenti i Kosovës, Thaçi, në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit në Kompleksin Europa në Prizren. Kryeministri në detyrë Haradinaj bën homazhe te Pllaka Përkujtimore për Hebrenjtë në oborrin e Qeverisë. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti: Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit…/

-Për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit filmi dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar, shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, manifestim edhe në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”/
PRISHTINË, 27 Janar 2020-Gazeta DIELLI/
Në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit në DokuKino – Kompleksi Europa në Prizren, sot pas mesdite.
Paradite Presidenti Thaçi deklaroi se, Kosova sot i bashkohet kujtimit për viktimat e Holokaustit, një krim gjenocidal dhe monstruoz që tmerroi gjithë botën.
“Pas Luftës së Dytë Botërore u mendua se vuajtjet e miliona njerëzve të vrarë mizorisht do ta shndërronin Holokaustin në një krim të papërsëritshëm për njerëzimin. Por, ideja dhe përpjekjet për shfarosjen e njerëzve dhe etnive u vazhduan edhe nga regjimi i Serbisë në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Masakrat dhe spastrimi etnik u ngjanin atyre të Luftës së Dytë Botërore. Dhe, fatkeqësisht, Serbia edhe sot vazhdon t’i mohojë krimet që shkaktuan holokaustin ballkanik në këtë pjesë të Evropës”, u shpreh Presidenti i Kosovës, Thaçi.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, bashkë me kabinetin qeveritar, kanë bërë sot homazhe te Pllaka Përkujtimore për Hebrenjtë në Oborrin e Qeverisë së Kosovës, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
“Në nderim të njerëzve që kanë humbur jetë, të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, në përkujtim të tragjedisë më të madhe të njerëzimit, në emër të Qeverisë, të popullit të Kosovës, vendosa lule dhe bëmë nderim te memoriali kushtuar Sinagogës së fundit që ka ekzistuar këtu në Kosovë”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se kjo po bëhet në respekt edhe të trashëgimisë e kulturës, por edhe tragjedisë njerëzore që ka ndodhur.
Kryeministri në detyrë, Haradinaj, theksoi se duke i nderuar gjithë ata njerëz të pafajshëm, duke përkujtuar gjithë atë tragjedi, ne sigurohemi që tragjeditë e tilla të mos përsëriten.
“Për fat të keq edhe populli i Kosovës e ka përjetuar një tragjedi të madhe, të përmasave të jashtëzakonshme dhe ne bashkëndjejmë me të gjithë ata që tragjeditë kanë kaluar nëpër jetërat e tyre”, përfundoi kryeministri në detyrë Haradinaj.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, i dekretuar për kryeministër të Qeverisë së re të Kosovës të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, Albin Kurti, ka shkruar:
“Sot përkujtojmë me dhimbje tmerrin e hebrenjve gjatë holokaustit, me dëshirën që kurrë të mos përjetohen ngjarje të tilla tragjike, as nga hebrenjtë e as nga ndonjë popull tjetër.
Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli.
Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë…
Holokausti, kjo ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja, ky kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën. Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros.”
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe AS Film, për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, do të organizojnë shfaqjen e filmit dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar. Premiera do të shfaqet mbrëmjen e sotme në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.
Në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” manifestimi kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit mbahet në mesditën e sotme në hapësirat e Fakultetit të Edukimit-Filologjisë./b.j/