Shkruan: HARALLAMB FANDI/
Dikur, një i ri i rikthyer në jetën që po e quajmë të zakonshme, ndonëse për të nuk ishte e tillë, se vinte nga burgu ku ishte futur në moshë fare të re, u ul përsëri në bangat e shkollës. Mundësia e vetme për të mësuar ishte “shkolla e natës” meqë gjatë ditës i duhej të punonte si ish “i burgosur politik” në punët më të rënda dhe më të vështira. Por ai ishte kalitur tashmë dhe i bënte shkëlqyeshem si punën edhe shkollën. Dhe nuk vonoi shumë për t’u shquar ndër të tjerët, sidomos në letërsi: në një prej mbrëmjeve, kur mësuesi i letërsisë nisi të lexonte hartimet më të mira, i riu priste gjithë ankth rezultatin. U lexuan njëri pas tjetrit 3-4 hartime të shokëve dhe ai e mblodhi mendjen që nuk kishte për t’i dalë emri midis më të mirëve. Mësuesi e përmendi të fundit, vërtet, po tërë kënaqësi, për hartimin më të bukur ndër të gjithë. Ndonëse e kishte të qartë se ajo që ndodhi në atë çast ishte “përjashtim nga rregulli”, sepse edhe shkollën ”e kishte tepër”, palè lavdërimin ai, ish i burgosuri politik, mezi gjeti forca ta fshihte gëzimin. Por prirjen e tij i riu nuk nguroi ta zhvillonte dhe, pasi lexoi dhe studioi pa rreshtur, shkruajti shumë për gjithçka përjetoi në rrugëtimet e tij të jashtëzakonshme gjatë jetës.
Përpara se të më binte në dorë libri i tij “Pendimi”, qëlloi që t’i lexoja tregimin “Oxhaku”, të publikuar nga ai në facebook. E vërteta është se për ta lexuar me ëndje më shtynte edhe dëshira për të gjetur diçka të bukur te një njeri që, si bashkëqytetar me emër të mirënjohur për aftësitë, guximin dhe thjeshtesinë e tij, po i shtohej me dinjitet edhe komunitetit tonë letrar, ne Vlorë, në Shqiperi e deri ne Amerikë, ku jeton me familjen e vet. Kur pak më sipër shkruajta që ai mundohej ta fshihte gëzimin për sukseset e arritura, mendova se sot, atyre që nuk e kanë përjetuar atë kohë, kjo do t’u dukej disi e çuditshme. E lashë sqarimin për të mos u zgjatur apo si diçka që mund të merrej me mend, sidomos nga ata që kishin lexuar “Oxhaku”-n, ku çdo njeri merr nje goditje te fortë emocionale nga ajo çka lexon. E ç’ishte fshehja e një gëzimi përpara poshtërimit të një njeriu që, po të ishte komunist, do ta kishin bërë 10 herë hero për rreziqet, teksa mori përsipër dhe bëri një punë që askush nuk guxonte ta bënte? Dhe jo vetëm poshtërim, por edhe kërcënim, të pasuar me masa të rrepta edhe për drejtuesit që ia besuan “armikut të klasës”punën më të rëndësishme. Ajo punë delikate dhe njëkohësisht e rrezikshme kërkonte edhe nerva të qeta dhe drejtuesit “miopë” u qortuan se e kishin dërguar “për qetësi” atë që duhej të vuante pasburgimin dhe ku ?… Në Kampin e Punëtorëve !!!
“ Në një prej darkave, – shkruan heroi- kur u ula për të ngrënë, shikoj pak më tej edhe komisarin që kisha patur dikur në burg. E quanin Qemal Nallbani. Bashkë me disa kampistë ai, gjithashtu, po hante . Kur më pa mua shqeu sytë i çuditur, u drodh dhe u ngrit në këmbë. U mat një herë të vinte te unë, po u pendua dhe u ul sërish në vend, ndërsa bukë nuk vuri më në gojë. Menjëherë pas kësaj, të nesërmen në mëngjes, përpara derës më priste një pastruese. Sa dola, ajo më tha si me frikë, po dhe me keqardhje: Të lutem, mos u largo, se në orën 8 do të vijë këtu të të kërkojë shoqja Jorgjije Peçini. Mendova njëherë të mos paraqitesha, po m’u duk paburrëri dhe thashë me vete “S’kam bërë asgjë. E ç’do më thotë?..” Unë nuk e dija që një grua e veshur me pushtet do të sillej kaq brutale. Kur në oren 8 erdhi gazi i Komitetit të Partisë, një burrë i veshur me të zeza dhe serioz, që doli i pari, i hapi derën dhe Jorgjies. Sapo e drejtuan te unë ajo m’u turr me gjithë trupin e saj kabà:
– Ç’ kërkon ti këtu, nuk e njeh veten kush je?- më ulëriu. Nuk u ndjeva dhe ruajta qetësinë, se isha mësuar me këto gjëra, ndërsa ajo vazhdoi me të bërtiturat: “Zhduku që këtu!” Gjithë kampistët dolën jashtë, ndërsa unë vazhdoja të mos lëvizja. Siç duket, kjo e nervozoi atë më tepër: – Armik populli! –shfryu. Unë hiç. E shihja në sy dhe nuk flisja. Më së fundi, nuk durova më dhe i thashë: “ Ky është kampi i punëtorëve! Unë jam punëtor dhe me takon të pushoj këtu. Të gjitha detyrat që më janë ngarkuar i kam realizuar dhe tejkaluar!” Ajo ndofta do të vazhdonte të më shante e bërtiste, po burri me rroba të zeza se çfarë i tha në vesh dhe e largoi. Duke ikur, s’pushoi së ulërituri si bishë dhe, para se të hynte në makinë, tha gjithë egërsi: “Ik, mos të të shoh më këtu! Shporru! “
Pak më tej , lexova që heroi ynë, për të mos u rënë në qafë të tjereve dhe për të ruajtur qetësinë e nevojshme për punën, e cila për këdo ishte “si hedhja e zareve”për jetë a vdekje, fjeti katër netë rresht në një mullar, buzë detit. Parafytyrimi i këtij episodi, kurrësesi episodik, më la një buzëqeshje të hidhur, që heraherës vijoi si lajtmotiv në mjaft tregime që lexova. I hidhur, ka qënë vërtet fati i autorit, po ai nuk ia helmoi gjakun deri në masën e kalimit nga urrejtja në hakmarrje dhe as në kthimin e shikimit të gjërave vetëm bardhë e zi. Libri i tij “Pendimi” vlerën më të madhe e ka pikërisht te gjerësia e këtij këndvështrimi, përmes të cilit ngjyrat dhe nuancat e shumta sjellin ndjenja pasuruese humanizmi të rrallë te lexuesi. Komisari katil i tregimit të mësipërm dhe të tjerë si ai s’ka se si të mos jenë të shumtë në tregime të njerëzve që janë goditur barbarisht prej tyre, por autori nuk harron të përshkruajë edhe nga ata që, ndonëse në po ato role, janë sjellë ndryshe, madje, pavarësiaht se rrallë, kanë shprehur edhe pendesë të sinqertë. Ndërsa te tregimi “Armiku”psh. na vizatohet me pak penelata, po saktë, një punonjës sigurimi si mosmirënjohës i pandryshueshëm, për të cilin shpëtimtari i jetës së të birit mbetet “armik i popullit”, diku tjetër shohim një djalë të ri që, ndryshe nga i ati, sheh te shpëtimtari jo armikun, po njeriun që meriton gjithe dashurinë e botës. I tillë paraqitet edhe oficeri i lartë Reshati, që e sheh dhe e mbron si vëllanë e vet arixhiun shpëtimtar te jetë së tij.
Autori i “Pendimi”-t nuk e mban në kufij të ngushtë tematikën e tij. Kujtimet dhe mbresat e kohës së burgut si dhe të asaj pas tij, ku internimi kishte pjesën e vet të torturës ndaj njerëzve, mbeten parësore në përcjelljen e emocioneve. Por në tregimet e librit shohim edhe plot motive e ndjenja ku, si bir Vlore, ai bën që deti të shpaloset me kaltersinë, gjerësine dhe dritën e vet. Pavarësisht nga varfëria dhe nga kufizimet e kohes së diktaturës, të rinjtë i shohim të mësojnë, të punojnë e ëndërrojnë, duke pritur me padurim ditët e mira të lirisë , nga të cilat edhe më të vjetrit u gjallëruan. Mërgimi, si shpëtim, po dhe si plagë, trajtohet me realizëm nga autori që, ndryshe nga shumë të tjerë, nxjerr në plan të parë cilësitë më të mira që i kanë bërë bashkëatdhetarët e tij të shquhen e të vlerësohen për merita që të tjerët nuk i kanë. Për t’i zbuluar këto dhe për të sjellë larmi tematike, detaje të freskëta e mirësi njerëzore, duhen sy të mprehtë e këndvështrim i veçantë. Memisha Gjonzeneli me ato që shkruan tregon se e ka dhe e shpërndan me kënaqësi një pasuri të tillë.