• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

Ne nuk kemi frikë!

March 16, 2020 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

 Sa shumë kupton mbi nivelin, natyrën dhe karakterin e njerëzve edhe nga pyetje apo biseda fare të thjeshta e të shkurtra që mund të bësh me ta!

Si gjithnjë, por më shumë sot, pyetja për frikën që ka shkaktuar koronavirusi, mbetet një nga ato më të dashurat si për gazetarët, ashtu edhe për të pyeturit, të cilët, ashtu si i gjithë populli ynë, mezi presin të tregojnë se nuk e njohin frikën. Në vend që gazetarët të pyesin për respektimin e masave të diktuara nga shteti, pyesin njerëzit nëse kanë apo jo frikë, pyesin për gjënë më të parëndësishme e për atë gjë që do të marrin si përgjigje një gënjeshtër! 

Në një stacion autobusi në Tiranë, gazetarja u bën të njëjtën pyetje disa udhëtarëve: 

“Janë konfirmuar disa raste me koronavirus, keni frikë të udhëtoni me autobus?” 

Një grua nga Kukësi përgjigjet:

“Jo s’kena frikë hiç, jemi malsor na nuk frikna, na jemi rrit me ushqime bio dhe na nuk frikna hiç”

Një burrë nga Skrapari: 

“Absolutisht jo, po mbaroi tërë Tirana, atëherë do ta marrim ne atje” dhe qesh.

Një grua që flet me dialekt verior: 

“Jo nuk kena frikë…jena shqiptarë na, nuk na gjen gja hiç, ata që janë sëmur ka për t’i shpëtu Zoti.”

Një tjetër grua me dialekt nga jugu:

“Nuk kam frikë fare për në autobus,….kushtet në autobuse si në kohën e ku thërret qametit, hajdutët të fusin duart në xhep, i rrjepin njerëzit.”

Dhe një tjetër:

“Nuk kam frikë që të udhëtoj në autobus, se koronavirusi është vetë kryeministri, kaq di me thënë, kaq them”.

Po në këtë mënyrë u pyetën dhe po në këtë mënyrë u përgjigjen dhe një numër personash të tjerë që kishin mbushur kodrat e liqenit artificial në Tiranë disa ditë më pas, kur sëmundja kishte përparuar e qe bërë më serioze dhe pasi ishin dhënë udhëzime që njerëzit të vetëmbylleshin dhe nga shtëpitë të dilnin vetëm për gjëra tepër të nevojshme.

Të gjithë thanë me mburrje se nuk kishin frikë, se ishin trima dhe, duke qenë se ishin trima, nuk kishin arsye të ishin të disiplinuar e të zbatonin masat që u diktoheshin në këto raste. Mentalitet tejet primitiv! Ata nuk kuptojnë se çështje, si pandemia e koronavirusit, nuk kanë lidhje vetëm me ato që do të bëjnë ata për të mbrojtur veten dhe nëse kanë frikë apo jo, por, sidomos, me ato që do të bëjnë ata për të mos rrezikuar edhe  të tjerët e, pra, për vetëdisiplinim. 

Në nja dy-tre raste dëgjova në televizion intervista me shqiptarë që banojnë dhe punojnë prej kohësh në Itali, të cilët pyeteshin nga gazetarët në Shqipëri se si ishte e mundur që njerëzit aty të zbatonin rregullat e, sidomos, të vetëizoloheshin nëpër shtëpi, kur ne këtu e kemi të vështirë dhe nxjerrim lloj-lloje shkaqesh të mos rrimë në shtëpi. Të gjithë ata, pa përmendur as trimëri e as zotësi, u përgjigjën se masat që u ishin imponuar nga shteti, duheshin zbatuar. Një ndryshim i plotë mentaliteti midis nesh këtu dhe atyre që kanë vite në një vend të qytetëruar të huaj!  Mentaliteti nuk është gjë e lindur si, për shembull, instinkti, ai mësohet dhe kështu mësohet dhe vetëdisiplinimi, që është kusht që shoqëria të ecë përpara. Gandi thoshte se qytetërim nuk ka të bëjë me lirinë e pakufizuar, por me kufizimin vullnetar të lirisë. Por, mjerisht, për ne këtu, ende disiplinë do të thotë kufizim i lirisë dhe shqiptari nuk mund të pranojë kufizim të lirisë! 

            Shtysa për t’u dukur hero, trim, edhe kur nuk është nevoja, për ne është gjithçka. Një njeri i qetë, i disiplinuar, i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm, që tregohet trim kur trimëria lypet, që i nënshtrohet ligjit, kur ai ligj është i drejtë, për ne nuk vlen. 

Bernar Kushner (Bernard Kouchner), Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së në Kosovë në vitet 1999-2001 e, më pas, Ministër i Jashtëm i Francës, e ka përshkruar kështu trimërinë dhe guximin e ballkanasve, pjesë e të cilëve jemi edhe ne:

“Në Ballkan, trimëria në formën e saj arkaike, guximi heroik e i çartur, të shprehurit i pa latuar e fizik i pjesëmarrjes, gjen vend në të gjitha gjestet e njerëzve. Ballkanasit lëvizin, ecin mbi tokë, shkojnë të parkojnë makinën apo të bëjnë pazarin dhe duken sikur po i drejtohen vetësakrifikimit. Në Kosovë, thuhet se fëmijët mësohen t’i druhen vetëm një gjëje: frikës për të shfaqur frikë. Njerëzit e Ballkanit, me një psikikë të modeluar prej shekujsh të tërë luftërash, gjithmonë mundohen të tregojnë guxim, një guxim gati të sëmurë, i cili i shtyn që të jenë gjithmonë në kërkim të rrezikut, madje edhe ta krijojnë atë rrezik me anë të sfidave të pakuptimta.”                                                                   

Adhurimi i forcës, dhe vetëm asaj, vihet re kudo në Shqipëri. Në disa zona të Shqipërisë, kur lind një djalë, duhet që shpejt dikush të kapë një send prej hekuri, qoftë edhe një pirun, në mënyrë që djali të mund të bëhet i fortë si hekuri. Pak urojnë që fëmija të bëhet i drejtë, i dashur, i zgjuar, i butë, i dhembshur, bamirës e me karakter. 

Po në ato zona të Shqipërisë, kur dikush është pranë vdekjes, pavarësisht se gjithë jetën mund të jetë tërhequr zvarrë ndaj më të fortit, përpiqet të mos vdesë shtrirë. Ai duhet të bëjë çmos që, të paktën, të vdesë ndenjur, ose, siç thuhet, “të vdesë në bythë.” 

 Faik Konica, po ashtu, për të vënë në dukje llojin e padobishëm të trimërisë sonë, thotë: “Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër e shumë herë as pa ditur se përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla, ftohen dhe frikësohen po të jetë nevojë trimëria për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë të përgjithshme… Pali e Pjetri, Lami e Hasani nuk kanë frikë nga plumbi, por dridhen nga Valiu. Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës së atdheut, domethënë në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë, janë punë egërsie e kafshësie, jo trimërie.” Dhe, një herë tjetër ai shkruan se tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar heroizmin e bashkuar, heroizmin e popullit.

Franc Nopça, në librin e tij “Udhëtime nëpër Ballkan”, kur flet për trimërinë e shqiptarëve, thotë se trimëria e tyre e kishte bazën te sedra dhe, me zhdukjen e sedrës që po ndodhte, po zhdukej edhe vetë trimëria.

Hermann Neubacher-it, i dërguari i Gjermanisë naziste në Beograd, thotë për pjesëmarrësit kosovarë të Divizionit Nazist “Skanderbeg”: “Këta nuk njohin kurrfarë disipline, janë regjistruar sa për të marrë armën, për të cilën kanë një adhurim të veçantë… Qitja në shenjë për shqiptarin është vetëm një dëfrim.” Shqiptarët adhurojnë armën, sepse me të mburren dhe dëfrejnë, se me atë demonstrojnë trimërinë. 

Thuhet se, kur në vitin 1913 Shqipëria dërgoi një delegacion të nivelit të lartë në Londër, për të protestuar ndaj copëtimit të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve, në përbërje të delegacionit shqiptar ishte edhe Isa Boletini. Para se të futeshin për t’u takuar me ministrin e Jashtëm Britanik, Eduard Grej, rojet britanike i kontrolluan pjesëtarët e delegacionit dhe Isa Boletinit i gjetën një pisqollë të cilën ia morën, për t’ia dhënë më pas. Mbasi mbaruan bisedimet, kur ministri britanik po i shoqëronte shqiptarët në dalje, i tha Isa Boletinit me shaka se atë që nuk ia kishte bërë dot Perandoria Osmane, pra çarmatosjen, ia kishte bërë roja britanike. Isa, për të treguar burrërinë dhe zgjuarsinë e tij, zbuloi një pjesë të trupit dhe i tregoi ministrit britanik një pisqollë të dytë të fshehur. Rojet britanike kishin kujtuar se e kishin çarmatosur, por shqiptari nuk çarmatosej! 

Kjo ngjarje, që nuk dihet nëse është histori apo mit, tregohet me mburrje nga ne për të vënë në dukje njëkohësisht zgjuarsinë dhe trimërinë tonë. Nuk themi asgjë për zhvillimin e bisedimeve, që ishte detyra kryesore e atyre që shkuan në Londër, apo çfarë force intelektuale a politike demonstruam ata në ato bisedime. Jo, këto nuk kanë kurrfarë rëndësie për ne, mjafton që Isa të paraqitet trim e i zgjuar, si përfaqësuesi shqiptar i trimërisë, si shqiptari që ia hodhi “inglizit.”

Robert Papa, një kandidat për deputet nga Partia Konservatore Shqiptare për zgjedhjet e vitit 2009, shkruante në gazetën “Sot,” më 26 maj të vitit 2009: “Por ta pranojmë të gjithë, në fushatë Berisha është i tmerrshëm, i egër dhe i pa mëshirë. Fakti është fakt, e duam apo jo, ai mbeti lojtari më i fortë. Unë vij nga shkolla amerikane, ku, mbi të gjitha, i forti duhet respektuar. Robert Papa thotë se vjen nga shkolla amerikane dhe Amerika, të cilat jepen si dëshmi e pagabueshmërisë së tij. Por, ai nuk vjen nga ajo shkollë, Amerika nuk respekton të fortin, po të drejtën, ligjin, Roberti vjen nga shkolla jonë primitive e adhurimit të forcës, nga shkolla jonë e adhurimit të idhullit. Ai adhuronte Berishën, po aq saç mund të ketë adhuruar më parë Enver Hoxhën, sepse edhe Enver Hoxha i kishte ato cilësi tmerri e egërsie që kishte Sali Berisha, madje i kishte edhe më të dukshme. Për Robertin dhe për ne nuk kanë rëndësi as idetë e as morali; as e vërteta e as humanizmi; as drejtësia dhe as shërbimi për kombin e për popullin; për ne ka rëndësi forca e tjetrit, tmerri që të fut, egërsia që tregon, mungesa e mëshirës, të gjitha elemente që kanë lidhje me dhunën! 

Sipas Mustafa Nanos, në një debat në parlament, Sali Berisha iu drejtua afërsisht kështu Skënder Gjinushit: “Ti Gjinush e di mirë, se kush je! Të kujtohet kur ishe në Tropojë para ca muajsh? Të kujtohet me siguri. Ishe ulur në një lokal dhe aty erdhën ca djem të armatosur dhe të dhanë urdhër të dalësh nga lokali. Dhe ti dole. Dole pa thënë asnjë fjalë. Dole me bisht ndër shalë. Dole, e nuk të erdhi turp që dole. Ja, ky je ti Gjinush. Prandaj qepe dhe mos e hap më gojën.” A mund të flasë një drejtues i urtë i kombit në këtë mënyrë?! Çfarë mësimi u jep ky shtetasve të tij?

Trimëria jonë edhe kur shfaqet, shfaqet si trimëri primitive, si trimëri impulsive, si trimëri e çastit, si trimëri e pa kultivuar, si trimëri e terroristit, si trimëri e cubit, si trimëri e atij që të kall tmerrin sepse ka forcën, si trimëri e më të fortit ndaj më të dobëtit. A nuk është ngujimi nga gjakmarrja shfaqje e kësaj lloj trimërie, që “trimi” pasi vret, ngujohet? Trimëria jonë nuk është trimëri e shpirtit, trimëri e karakterit, trimëri e brendshme, trimëri e qëndrueshme. Ajo është trimëri e frikës, është më shumë një përpjekje e mjerë e frikës dhe e dhunës për t’u paraqitur si trimëri dhe forcë, sesa manifestim i trimërisë së vërtetë. Ajo nuk është trimëri me të cilën mund të besh punë të mëdha e të kryesh detyra të larta për vete dhe për shoqërinë. Me atë trimëri, e shumta, mund të vrasësh një njeri “pas ferrës,” apo mund të fitosh një betejë, por nuk mund të luftosh e as të fitosh në mënyrë përfundimtare e të qëndrueshme për një çështje të dobisë së përgjithshme. 

Jam i sigurt se, po t’i kërkoje ndonjërit prej të pyeturve që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, që u tregua trim, nëse do të ishte i gatshëm të shkonte në ndonjë prej spitaleve ku ishin shtruar apo do të shtroheshin të sëmurët me koronavirus dhe të jepte aty ndihmesën e tij, ai nuk do të shkonte dhe nuk do të shkonte, përveç të tjerave, edhe pse nuk ishte trim.

Karakteristikat e trimit, ashtu siç pranohen në botën e qytetëruar, nuk lidhen me mburrjet për trimëri. Ato lidhen me bërjen e asaj që duhet bërë pavarësisht nga pasojat;  me mos epjen, përderisa të arrihet qëllimi; me qëndrimin e qetë në situata krize; me rrezikimin e vetes për të ndihmuar të tjerët; me përpjekjet për të përmirësuar shoqërinë; me të qenit i përulur dhe jo mburravec; me mospërdorimin e autolëvdatave e me mos pretendime për  lëvdata nga të tjerët. Këto veti ne nuk para i kemi parasysh e, kështu, trimëria jonë edhe pse mund të konsiderohet si trimëri prej nesh, nuk konsiderohet trimëri   nga bota tjetër.                 Nju Jork, 13 shkurt 2020     

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Hashorva, Nuk kemi frike

PUSHO NË PAQE TONY NDOJ PRENDUSHI,“AMBASADOR I PAQES DHE DASHNISË”!

March 16, 2020 by dgreca

-Tony (Ndoj) Prendushi, aktivist politik dhe humanist i dalluem vdiq me 6 mars 2020 ne qytetin Santa Rosa, California. I ndjeri len mbas vetes bashkeshorten tij Angjelina , djalin dhe vajzen me familjet e tyne. Pushofte ne paqe!

NGA DALIP GRECA/

Ditën e Djelë, 15 Mars 2020, mora një Email nga Profesor Sami Repishti për kalimin në amshim të Tony Ndoj Prendushi. U trishtova. Tony qenka ndarë nga jeta me 6 mars 2020 në Santa Rosa, California.

Tony (Ndoj) Prendushi, aktivist politik dhe humanist i dalluem vdiq me 6 mars 2020 ne qytetin Santa Rosa, California. I ndjeri len mbas vetes bashkeshorten tij Angjelina , djalin dhe vajzen me familjet e tyne. Pushofte ne paqe!

E kisha njohur fillimisht përmes një telefonate që kur punoja në redaksinë e gazetë s Illyria në  New  York, gazetë  në  të  cilën Tony ishte i abonuar. Ishte janari i vitit 2007. Arsyeja e telefonatës që mora prej Tony-t ishte vdekja e ish ambasadorit amerikan që kishte shërbyer në Tiranë Robert H.Frowik (ai ndërroi jetë me 17 Janar 2007). Pasi ma spjegoi miqësinë me ambasadorin njeriu i mirë Tony, më  tha: ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës ambasadorit Frowik sepse bëri shumë për Shqipërinë. Së paku t’i shkruajmë pak rreshta në gazetën tonë. Me ndihmën e tij e përcollëm ambasadorin me një artikull modest në gazetë, dhe më pas gazeta shkoi në dorë të familjarëve të ambasadorit.

Çasti për ta takuar Tony Ndoj Prendushin i takon100 vjetorit të  Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, 28-29 prill 2012. U takuam sikur të njiheshim prej kohësh. Ishte fisnik në sjellje. Më pas jemi takuar më shpesh.Tony ishte një  ambasador i përkushtuar i paqes dhe dashnisë. E kishte në shpirt Nënë Terezën dhe përpiqej të ecte në gjurmët e saj duke përcjellë mesazhe paqeje.E pat takuar shpesh herë në të gjallë Nënë  Terezën, por derisa mbylli sytë  ai eci në jetë  sipas parimeve të  Shënjtëreshës shqiptare. Ditën e Lumturimit(19 tetor 2003) shkoi në  Romë, ditë n e shenjtërimit , 5 Shtator 2016, edhe pse në moshë të thyer udhëtoi sërish drejt Romës dhe e përjetoi emocionalisht këtë  ngjarje të madhe.

     ….Tony Ndoj Prendushi nuk është i panjohur as për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, as për  shqiptarët e Amerikës dhe të Italisë. Ai është një Misionar Paqeje, jo me fjalë. Veprat i ka të mëdha. Ishte ndër të parët që shkoi në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. Krijoi një grup miqësh amerikanë me influencë dhe u kërkoi që të kontribuonin për rimëkëmbjen e Shqipërisë dhe kalimin në demokarci të saj. Ia arriti që me Kongresmenin Don Klausen, Imzot Mark Hurley, Dr. Bill Sulivan, dhe ai,Tony Ndoj Prendushi me familjen e vet, të udhëtonin drejt Shqipërisë dhe prekën realitetin mjeran qe kishte lene pas diktatura komuniste. Kjo ishte vizita e parë e Toni Ndoj Prendushit me bashkëshorten Angjelinë, që prej vitit 1950 kur e patën lënë Shqipërinë. Vizituan spitale, azile pleqësh,shtëpinë e Misionares Nënë Tereza, dhe morën takime me qytetarët në Tiranë, Durrës, Shkodër, veçanërisht me ish të përndjekurit politik, por dhe shtresat e tjera të qytetarëve.

Tony e ka ndihmuar Shqipërinë me të gjitha mundësitë, ka dërgua ndihma mjeksore dhe ushqimore, ka ndihmuar për specializimin e mjekëve shqiptarë në Santa Rosa, duke i ushqyer ata në restorantin e tij, ka ndihmuar në kurimin e të sëmurëve etj.

Tony Ndoj Prendushi e pat njohur nga afër Nënë Terezën, e kishte takuar, kishte pasur letërkëmbim të rregullt me të, dhe e kishte suportuar Misionin e saj.Kështu që ai shkon me një barrë kujtimesh në ditën e shenjtë të shqiptarëve në Vatikan.

   Tony udhëtoi shpesh mes Santa Rosa, Californi dhe New  York-ut. Ishte këtu edhe me 13 Korrik 2014, me rastin e promovimit të librit të  tij ” Paqe dhe dashuni” në Qendrën  “Nënë  Tereza”, ku e nderuan me pjesmarrjen e tyre aktive famullitari Dom Pjetër Popaj,i cili hapi veprimtarinë promovuese, Prof. Sami Repishti,që  mbajti fjalën kryesore, shkrimtari Mhill Velaj, që moderoi takimin dhe vlerësoi librin.Promovimit i parapriu një  ekspozitë me fotografi dhe dokumente.

    Me 28 Gusht 2016 Tony Ndoj Prendushi vizitoi selinë e Vatrës, ku u prit nga dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens-anëtar i Kryesisë së Vatrës, dhe prej meje. U emocionua, tha se ndjehej i gëzuar që vizitonte selinë e Vatrës, federatës famëmadhe të Shqiptarëve të Amerikës,themeluar nga korifejtë Fan S. Noli e Faik Konica me bashkëpunëtorë, Vatrës që ka bërë aq shumë për kombin.

  Në bindje politike Tony Ndoj Prendushi i takonte Ballit Kombëtar.E adhuronte Mit’hat Frashërin, Zef Palin dhe të  tjerë nacionalistë. Erdhi më  2016 në  New  York enkas për të  vendosur lule tek varret e Mit’hat Frashërit dhe Zef Palit.E shoqëruam së bashku me dr. Skënder Murtezani. Duke vënë lulet mbi pllakën e mermertë, ai u përlot…Tony Ndoj Prendushi, ka qenë kryetar  I Ballit Kombetar për  shtetin ku jetonte, por në vitin ’90, ai njoftoi Partinë se që nga ai moment do t’i përkushtohej bamirësisë dhe nuk kishte kohë të merrej me veprimtari politike.

Tony Ndoj Prendushi u kujdes që  gjurmë t e jetë s së  tij t’i dokumentoj në  librin dy gjuhësh të shkrur prejj tij me titull” Paqe dhe dashuni”.

Kur u publikua libri pata shkruar: “Nuk është vetëm titulli, as vetëm ballina e librit dhe ai pëllumbi i bardhe, që ka hapur krahët paqsorë në krye të ballinës, që përcjellin mesazhe paqeje, dashurie e shpresë, por në tërësinë e vet, i gjithë libri “Paqe dhe dashuni” i bashkatdhetarit tonë me banim në Santa Rosa, California, Tony Ndoj Prendushi, mbizoterohet nga këto mesazhe.

     Tony, edhe kur përshkruan rrugën e ferrit, siç ishte ajo e diktaturës komuniste, ku edhe ai vetë u vu në shënjestër, autori nuk shpërthen në urrejtje, ai vetëm informon, duke ruajtur masën e modestisë  së  rrëfimit. Libri i tij është edhe një dëshmi për kohën absurde të instalimit të diktaturës komuniste. “Paqe dhe dashuni” i përkushtohet “Te lumnuemes Nanë Tereza të  Kalkutës dhe Robert H. Frowick, ambasador i paqes”. Autori i librit ka arritur që rrëfimin ta fus ne rezonancë me lexuesin. Duke shfletuar faqet e librit, nga faqja e pare deri tek e fundit, e 200-ta, përfshi dhe korrespodencën dhe fotografitë qe i bëjnë me te prekshme kujtimet e jetës se tij, të imponon natyrshëm emocione te fuqishme. Lexuesi kalon nga një gjendje emocionale në tjetrën. Fillimisht Tony na merr për dore dhe na çon në Shkodrën Loce, ku njihemi me familjen e tij, jo e pasun, por punëtore, ishin katër vëllezër dhe një motër: Pali, Marku, Ndoj, Pjetri dhe Marija ma e vogla.”…

Shpirti i mërguar i intelektualit Tony Ndoj Prendushi, për dekada të tëra rënkoi nga malli dhe dashuri për qytetin, ku lindi, por kthimi i ishte ndaluar. Pas rrëzimit të diktaturës komuniste ai shkoi dhe u çmall. Jo vetëm kaq, por edhe ndihmoi me të gjitha mundësitë e tij, dërgoi ndihma, veshje dhe pajisje për spitalet. Dikur çoi dhe një simbol, që e ruante për më shumë se një gjysëm shekulli, Flamurin kuq e zi që kishte udhëhequr rininë nacionaliste shkodrane në demonstratën e 27 korrikut 1943, në Shkodër. Flamurin ia dhuroi Muzeut historik të Shkodrës. Drejtori, Fatmir Juka, e falenderoi publikisht, duke ia dhënë mirënjohjen me një dëshmi zyrtare.

Ishte pikërisht Shkodra loce ajo që e ftoi sërish atë që të ishte mysafir në shtëpinë e vet, në qytetin e  lindjes, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë për të promovuar librin “Paqe dhe dashuni”.

Sapo mbërriti në qytetin e tij të dashur, z. Prendushi ishte mysafir në disa nga qendrat kryesore të qytetit, përfshirë ato fetare dhe shtetërore. Një takim plot mbresa ishte ai që u zhvillua në zyrën e klerit Muhamedan, ku u takua me Imam Muhamet Sytari. Biseda përcolli mesazhe paqeje dhe dashurie. Më pas shkoi për vizita kortezie dhe biseda me përfaqësues të Arqipeshkëvisë katolike, me Fretnit Fraceskanë, me murgeshat e Misionit të Nënë Terezës etj. Ende i ka të forta emocionet dhe vlerësimet maksimale për punën dhe shërbimin e jashtzakonshëm humanitarë të Murgeshave, të cilat përkujdesen aq shumë për të sëmurët, të pamundërit fizkisht apo mendërisht.

Një takim mes miqësh ishte edhe ai që u zhvillua në zyrat e Këshillit të Qarkut Shkodër, ku z. Prendushi u prit nga Kryetari Maxhit Cungu. Biseda u zhvillua rreth Shkodrës, zhvillimeve të saj, problemeve dhe më pas u kalua tek vizita e autorit dhe promovimit të librit”Paqë dhe Dashuni”. Z. Cungu sugjeroi që promovimi të bëhej në një qendër të njohur të kulturës së qytetit, siç ishte biblioteka.

Takimi me drejtorin e bibliotekës së qytetit, z. Gjovalin Çuni, i ka lënë mbresa z. Prendushi. Ai u tregua i gatshëm që në mjediset e bibliotekës, të organizohej promovimi i librit dhe një ekspozitë me fotografi nga aktiviteti i z. Prendushi, pasqyruar edhe në libër, si dhe një sallë për organizimin e një koktejli për pjesmarrësit në promovim.

Një grup intelektualësh të qytetit, u treguan të gatshëm për të kontribuar në këtë veprimtari. Ndër ta përmendim Prof. Hasan Leka, Prof. dr. Ahmet Osja, Luk Shestani, si dhe Armando, djali i Marjanës, mbesës të Ndojit. U përgatit programi, u dërguan ftesat, ndihmuan Televizionet dhe Radio “Marija”.

Ndërkohë që Tony Ndoj Prendushi kreu edhe vizita në Tiranë, takoi e falenderoi miq që po ndihmonin në ekspozimin dhe përhapjen e librit. Miku i tij, Ridvan Bushati, nipi i Mustafa Bushatit, e shoqëroi me makinën e tij kudo që shkoi. Në Tiranë u takua me Arqipeshkvin e Dioqezit  Durrës-Tiranë dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, me të cilin ka njohje të hershme, që në rini.

Një grup mjekësh, që Tony i pat ftuar për specializim në Santa Rosa, në shenjë falenderimi, shtruan një drekë. Një pjesë e tyre në ditën e promovimit të librit në Shkodër ishin të pranishëm.

Shkodra ishte zbukuruar hijshëm për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, për festën e madhe të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Tony u çmall me të, edhe pse malli mbetet i përhershëm. Mbresa të jashtzakonshme i la atij edhe Festa e Zojës së Shkodrës, që shkodranët katolikë e festojnë për çdo vit. Pikërisht në atë atmosferë festive u bë edhe promovimi i librit “Paqe dhe dashuni”.

Promovimi u organizua me 13 tetor 2012 në Bibliotekën e qytetit”Marin Barleti”. Pjesmarrësit u pritën nga autori i librit, Tony Ndoj Prendushi. Takimin promovues e hapi Prof. Hasan Leka dhe më pas folën disa nga pjesmarërsit, si: Kryetari i Këshillit të Qarkut, Maxhid Cungu, Prof. Dr. Ahmet Osja, Përfaqësuesi i Argjipeshkëvisë të Shkodrës, Gjovalin Suka, Tanush Mulleti, ardhur nga Tirana, si dhe meshtari i persekutuar në burgjet komuniste, Dom Gjergj Simoni.

Të gjithë thanë fjalë shumë të mira për librin dhe autorin Tony Ndoj Prendushi. Prof. Dr. Ahmet Osja, ndër të tjera tha” Cildo që gjendet para librit”Paqë dhe Dashuni”, me autor Tony Ndoj Prendushi, do të ketë privilegjin të informohet në nivel të lartë për më shumë çfar ka ndodhë për 70 vjet në vendin tonë.Autori me vullnet , kopetencë e vërtetësi të lartë, ofron sot para lexuesit këtë vepër si thirrje për t’u informuar për shumë çfar ka rënduar në ndërgjegjen e shumkujt.Autori i përkushtuar me dhimbje për të gjitha ato që jetoi në moshën e re në vendin e tij, ofron një material të rëndësishëm në veprimtarinë e tij për atdheun, në Europë dhe në Amerikë.Shkruan për shumë miq dhe shokë, gjatë kohës punoi me ta, u ndihmua nga ata për të bërë prezent gjithëçfarë iu bënë padrejtësisht bashkëvëllezërve shqiptarë në 100 vjetorin e pavarësisë, autori i afron lexuesit këtë libër të shkruar me kujdes, vërtetësi dhe dashuri, për vendin dhe njerëzit e mirë, që e duan dhe puNdojnë për vendin e tyre…”.

Gjatë promovimit pjesmarrësit patën mundësi që të ndiqnin pamje të filmuara , ku delegacioni amerikan me Tony Ndoj Prendushin , që për tre vite sollën ndihma të ndryshme, pajisje mjeksore për spitale, farna të ndryshme për bujqësinë, ushqime, ndihma për qendrat konviktore etj.

Autori i librit, në fjalën e tij falenderoi pjesmarrësit, folësit dhe organizatorët e këtij promovimi.

Pjesmarrësit në promovim ishin të shumtë. Autori ndjehet ngushtë se nuk mund t’i përmend të gjithë, por i falenderon të gjithë dhe veçon edhe pjesmarrjen e dy murgeshave nga Kuvendi Nana Terezë, po ashtu veçon ardhjen e Filip Guraziut, i cili në vitet 1991-92, ishte kryetar i Bashkisë së Shkodrës dhe i dha një ndihmë të jashtzakonshme Tony Ndoj Prendushit për shpërndarjen e ndihmave që i kishte sjellë nga larg; kishte aty në promovim shumë prej ish të përndjekurëve politik dhe familjet e tyre, Televizionet e Shkodrës që për dy ditë e trasmetuan ngjarjen për publikun.

Falenderim i veçantë shkon për ata që e ndihmuan pa u kursyer dhe e mirpritën; Imzot Rrok Mirdita, Hasan Leka, Ahmet Osja, Luk Shestani, Maxhid Cungu, Gjovalin Çuni, Rdvan Bushati, Filip Gurazezi dhe shumë të tjerë.

Në libër përcillen ngjarje interesante, Tony rrëfen aventurën e tij me këtë rast se si shkoi deri tek kazermat e batalionit “Skanderbeg” në  Kosovë , por qe pa fat, batalioni ishte larguar para se ai të  mbë rrinte. Me pas vijnë ngjarjet e fundit te luftës; dorëzimi i nacionalisteve me ligjet e rrejshme te komunisteve dhe burgosja apo pushkatimi i tyre. Po si rrjedh me tej jeta e Tony Prendushit, qe kaloi nga shkolla e fshatit ku jepte mësim, ne Normalen e Elbasanit, fyerjet e te rinjve komuniste: “Ju te veriut jeni reaksionar”, ikja nga shkolla, kalvari i gjate, dashuria me vajzën e zemrës, arratisja bashkë me të, liria ne Perëndim, aktiviteti humanitar ne ndihme te popullit shqiptar, miqësia me ambasadorin amerikan Robert H.Frowik, etj.

Së fundi po sjell vlerësimin e gazetarit Astrit Lulushit për librin e Tony Ndoj Prendushi:” Me librin “Paqe dhe dashuni”, Tony Ndoj Prendushi ka krijuar manualin shqip të humanizmit dhe bamirësisë. Për këto dy fusha të gjera ndjenjash njerëzore, sado të punohet, kurrë nuk mund të thuhet se është bërë mjaft.Këtë e vërteton empirikisht Prendushi në librin e tij.“Paqe dhe dashuni” ( botimet Camaj – Pipa, Shkodër 2010) është ndoshta libri i tij i vetëm, por ato 200 faqe sjellin historinë e komplikuar të viteve të para pas-diktaturës, mes ndjenjave dhe kënd-vështrimit të një shqiptaro amerikani, “i djegur për vendlindje”….

….Përmes kë tyre radhëve desha të  sjell në kujtesë  njeriun e mirë  Tony Ndoj Prendushi, këtë ambasador të  Paqes dhe Dashurisë, dhe të ngushëlloj familjen dhe të  gjithë të afërmit dhe miqtë: U prehtë në Paqe shpirti i Tony Ndoj Prenushit!

Filed Under: Featured Tagged With: shkoi, Tny Ndoj Prendushi

RRËFIM NË DITËN E LINDJES

March 16, 2020 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Zakonisht në përvjetorët e ditlindjes time kam bërë shaka me rrotullimet e tokës rreth diellit ; duke e parë veten si një  pasagjer dëshmitar në rrethrrotullimin orbital njëvjeçar të tokës. 

Por këtë vit, kam vendosur të tregoj një rrëfenjë. Do të sjell në kujtesën e familjarëve, të afërmve, të lagjes, të fshatit, të krahinës time, madje edhe të disa usharakve, copëza jete të moshatarin tim të paharruar Nazmi Sula.

Vite më parë në Mat (nuk e di sot), në vazhdën e një trashgimnie shumë shekullore, nata e Verës fillonte në muzgun e 13 marsit me ndezjen e zjarreve në majat e kodrave. Kjo do të thoshte se pranvera kishte ardhë. Pas zjarreve  festa vazhdonte me ndezjen  e daulinave (tufa shkurresh, barë i thatë, kashtë gruri e thekre që rrutulloheshin të ndezura). Ky rit, bëhej edhe më 14 e 15 mars, madje nata e fundit ishte më e “zjarrta” me idenë e konkurencës  se kush fshat (lagje)  ua kalonte të tjerve,kush e kishte bërë më mire organizimin.

Nga kodra e Bushatve, zjarret shiheshin qartë deri  në Macukull, Burgajet, Kurdari, Klos, Guri i Bardh, Gurrat, Frankth, Bazi, e deri në Perlat të Mirditës. Për tri net Mati vishej me magjinë e zjarreve të pranverës dhe të  daulinave .

Po ashtu ishte bërë zakon që edhe  krisma  e një pushke lajmëronte lindjen e një djali  në lagje ose në fshat. Kështu  në mëngjezin e datës 16 mars 1949, midis orës 5-5:30, në fshatin Midhë, u dëgjuan dy të shtëna pushke. Pra në një diferencë prej 10-15 minutash erdhën në jetë dy djem nga i njejti fshat e në një distacë rreth 300- 400 metra në vijë ajrore. Ata ishin Nazmi Sula dhe Asllan Bushati të cilëve fshati u kishte vënë me shaka nofkat :”djemt e daulinave”, “djemt e pranverës”, “penda e qeve të mëngjezit”etj.

Duke lindur në të njejtën datë, ditë e vit  me Nazmi Sulën, u ndodhëm edhe  në të njejtën klasë e të njejtën shkollë për shtatë vite. Klasa e tetë na ndau se unë studiova në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, kurse Nazmiu në Gjimnazin e Burrelit. Më pas jeta e solli që të takoheshin edhe në kolegjin ushtarak të kohes, ai për gjitharmësh, kurse unë për  kimist.

Pas diplomimit oficer, ai filloi punë në Burrel , kurse unë në Berat. I dërgonim letra njeri tjetrit (atëherë nuk kishte celular si sot), por për  arsye të punës dhe distancës takoheshim më  rrallë. Në verën e vitit 1974 (verë e vështirë për ushtrinë), unë isha në stërvitjet me përdorim të  lëndëve helmuese luftarake (një nga stërvitjet më të vështira dhe të rrezikshme), në një vend që quhet Cerosten. Atje më erdhi një telegram befasues nga vllai im i ndierë Xhaferr, ku thuhej: ”Ra gjama. Vdiq Nazmi Sula bashkë me dy ushtarë në tunelin e Qafdëllenjës nga gazi”.

U shokova. Nuk mbaja dot lotët. Nga fushimi stërvitor nuk mund të largohesha. Vetëm pas dy javëve u ktheva në fshat dhe shkova për ngushëllim tek familjarët  e shokut tim të ngushtë. Tronditja nuk mu fashit por u ndez më shumë. Takova kolegë miq e shokë dhe eprorë të Korpusit të Burrelit, me synim që ky rast të vlerësohej si heroik se Nazmiu dha jetën e tij për të nxjerrë nga tuneli dy ushtarët . Qe e pamundur  të bashkoheshin me mendimin tim, se të gjithë thonin (për të larguar çdo gjë nga vetja), se ka thyer rregullat. Ka përdorur amonit malor (i ndaluar për hapje tuneli), koha e ajrimit pas plasjeve duhet të ishte më e madhe, kur nuk u kthye ushtari i parë duhet të njoftonte komandën urgjent e të tjera sofizma, vetëm që fajin ta merrte me vete ai që u largu nga kjo jetë. 

Shumë i dëshpëruar, nga sa më sipër, shkrova një artikull të gjatë për gazetën “Luftëtari” (gazeta e ushtrisë së asaj kohe), ku në esencë vija në dukje se akti i Nazmi Sulës  ishte e duhet të vlerësohej edhe nga ushtria si akt heroik. Artikulli (më tha gazetari  Ibrahim Gani) nuk mund të publikohet se i kalon kompetencat e redaksisë së gazetës. Më pas bisedova me ish ushtarakun e lartë Sul Domi i cili ishte edhe deputet. Edhe ai ishte i shqetësuar, por i pafuqishëm ta conte më tutje këtë problem. Nëpërmjet eprorit tim (i ndieri Veli Blaceri) kontaktova me Zotin Tahir Minxhozi i cili ishte drejtuesi i Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më priti mirë, më tha se edhe ai ishte i piklluar dhe se ishte marrë gjatë me rastin e Nazmi Sulës. Por më tha se synimi juaj për ta iniciuar si akt heroik, është një lodhje e kotë. Ai sipas dokumentave, ka thyer rregullat në punimet operative, madje po të ishte gjallë, ndoshta do të ishte dënuar. Shumë i dëshpëruar i thashë po eprorët e tij a kanë përgjegjesi për këtë tragjedi apo fajtori i vetëm është ai që iku nga kjo jetë?

Më kanë thënë, (por unë vetë nuk e kam parë) se Mehmet Shehu (në atë kohë ish edhe Ministër Mbrojtje), në faqen e komunikatës operative të asaj dite, kishte shkruar diçka që e pengonte çdo diskutim në sensin pozitiv për Nazmiun. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja dhe burimi i “gjuhës së drunjtë” që u përdor.

Arma e fundit që më mbeti, ishte një kartolinë për atë  vit të ri të cilën ua dërgova mësuesëve dhe nxënësve të Shkollës “Ali Metra” Komsi, Burrel. Në kartolinë u uroja virtualish atyre vitin e ri në emër të Nazmi Sulës,  po ashtu (vetkuptohet) edhe në emrin tim, me qëllim që nga atje të mund të  lindëte ndonjë inisitivë që emri i Nazmi Sulës të mos harrohej, por t’i vihej ndonjë rruge ose objekti në Burrel.

E pranoj se unë dështova në nismën time për të përjetësuar emrin e vërsnikut tim, shokut të shkollës e të  profesionit, bashkfshatarit dhe shokut më të ngushtë të fëminisë. Por dështimi nuk ishte vetëm i imi. Mbi të gjitha dështimi ishte i atij sistemi vrasës që disave u mori jetën (si Nazmi Sulës), disa i gjymtoi, e disave na mori rininë nëpër tunelet e qendrat e zjarrit, transhetë e hendeklidhjet, me një shfrytëzim deri në rraskapitje për disa ide idiote (mbrojtëse) komuniste.

Unë sot dëshiroj që mendimi politik i së djathtës dhe i së majtës në Shqipëri, të zhillohen me kohën, në konkurencë me njeri tjetrin dhe të gjenerojnë energji kombëtare si në botën e civilizuar. Një e djathtë ekstreme do të ishte e papranueshme dhe burimi i një ekstremizmi djathtist (ndoshta lufte). Një e majtë ekstreme e tipit enverist do të ishte fatalitet i ri, të cilën e provuam për pesëdhjetë vite. Madje me keqardhje shoh se edhe sot shumë nga bashkmoshatarët e mi, nuk kanë dalë akoma nga istikamet e murtajës enveriste.

E solla në vemendje Nazmi Sulën, jo vetëm se ai sot së bashku me mu ka ditëlindjen, por se si historia e tij ka shumë e shumë (Nazmi) të tjerë, të cilët  në moshë të re u larguan nga kjo jetë  vetëm për faj të regjimit.Nazmiu u prehtë në paqe e përjetësi.Ti rrojnë familjarët e tij. Ai e meritonte këtë dedikim në ditën e tij të lindjes prej shokut të fëminisë. Por këtë e meritojnë edhe të gjithë ushtarakët e tjerë që fatkeqsisht (jo për faj të tyre), shkuan parakohe në jetën e amshueme. Ndoshta koha për ta ekspozuar një temë të tillë sot,  është e papërshtatëshme , për këtë kërkoj ndiesë. E them këtë se duket si “dashuri në kohë të kolerës” se  koronaviruesi është nëpër këmbë në Shqipëri  e në botë, por edhe ditlindja e Nazmiut është vetëm më 16 mars.Respekte miq, shokë, kolegë, vatranë  e dashamirë.  

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati

Kosova shpallë Emergjencë për Shëndetin Publik

March 15, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës miraton vendimin për shpalljen e Emergjencës për Shëndetin Publik/

PRISHTINË, 15 Mars 2020-Gazeta DIELLI/

 Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 11-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, ka marrë vendim që të shpallë emergjencë për shëndetin publik.Sipas vendimit, obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të funksionit mbështetës emergjentë 8 (FME8 shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore).
Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin public, bën të ditur njoftimi dërguar mbrëmjen e sotme nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.Më herët, sot, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi edhe për konfirmimin e katër rasteve të reja me koronavirus në Kosovë. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, deri tani në Kosovë janë të konfirmuara 9 raste pozitive me koronavirus.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, koronovirusi

KUVENDI I KOSOVËS MIRATOI BUXHETIN E SHTETIT

March 15, 2020 by dgreca

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme sot pas mesnate miratoi Buxhetin e Shtetit. Më parë, në 10 Mars, Qeveria Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020, i cili parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionë euro, që shënon një rritje prej rreth 7 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove. Parashikimet për rritjen ekonomike janë në 4.2 për qind/ -Në seancën e jashtëzakonshme, Kuvendi miratoi edhe Rezolutën lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

PRISHTINË, 15 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ 

Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të ftuar për sot në orën 1:30 pas mesnate,  me 63 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, me amendamentet e komisionit funksional.

 Raportin me amendamente të komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, për miratimin e këtij projektligji, e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.

 Paraprakisht, Kuvendi me 57 vota për dhe 5 abstenime miratoi edhe rezolutën lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e futur me mocion si pikë e parë e rendit të ditës e kësaj seance, sipas propozimit të kryetarit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Kuvendi me Rezolutë autorizon Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr bisedimet me Serbinë për njohjen reciproke e garantimin e tërësisë territoriale të Kosovës.

Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetë të grupeve parlamentare në opozitë.

 Më parë, gjatë ditës së djeshme, Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh, i mbledhur me kërkesë të kryeministrit  Albin Kurti, në një seancë të jashtëzakonshme, miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila drejtoi seancën, bëri të ditur që në fillim se ekziston një mocion procedural që shqyrtimi i Projektligjit për buxhetin të bëhet me procedurë të përshpejtuar – shmangie nga afatet procedurale, të parapara me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.

Duke e arsyetuar këtë mocion, kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se kjo seancë e jashtëzakonshme dhe procedura e përshpejtuar për Buxhetin e Shtetit vjen si pasojë e një situate të jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Kosova, ku janë shfaqur rastet e para të pandemisë së Coronavirusit.

Pas diskutimeve të deputetëve dhe sqarimeve të nevojshme nga ana e anëtarëve të kabinetit qeveritar, me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektbuxhetin për këtë vit, duke iu hapur rrugë katër komisioneve kryesore për shqyrtimin e tij midis dy leximeve.

Në 10 Mars 2020, Qeveria e Kosovës drejtuar nga kryeministri Albin Kurti,  në mbledhjen e gjashtë. ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020. Projektligji parasheh një total të të hyrave në shumën prej 2 miliardë e 20 milionë, që shënon një rritje prej rreth 7 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe një total të shpenzimeve prej 2 miliardë e 357 milionë eurove. Parashikimet për rritjen ekonomike janë në 4.2 për qind, ndërsa inflacioni prej 1.3 për qind, kurse deficiti buxhetor paraqet 2.0 për qind të bruto produktit nacional.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bell Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT