• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

DEPUTETI I BAVARISË SË EPËRME, DELI BALIDEMAJ, LIGJËROI NË FORUMIN RINOR SHQIPTAR NE BAJERN

March 11, 2020 by dgreca

Nga Fisnik Zeqiraj/

“Forumi Rinor Shqiptar” në Bajern, Gjermani, i kryesuar nga Dr. Asllan Tahiraj, organizoi një Simpozium me karakter kombëtar, në kuadrin e përvjetorit të 12-të të Pavarësisë të Kosovës. I ftuar për referim ishte deputeti i Bavarisë së Epërme Ing.Dipl. Deli Balidemaj, i cili ligjeroi mbi temat:

– Hedhja e themeleve të Pavarësisë së Kosovës, hapat e parë shtetformues të Kosovës pas çlirimit, deri te shpallja e Pavarësisë;

– Roli i Mërgatës Shqiptare në këtë proces;
-Roli i Faktorit Ndërrkombëtar dhe sfidat në themelimin e Institucioneve.

Fillimisht, kryetari Tahiraj prezantoi deputetin e vetëm shqiptar në Bavarinë gjermane. Ndër të tjera, ai foli për personalitetin dhe veprimtarinë shumëdimensionale të deputetit Balidemaj, angazhimin e tij, në vijimësi, për problemet dhe kërkesat e Mërgatës shqiptare, në Republikën e Bavarisë dhe më gjerë. Mësimi plotësues, shkolla shqipe ka qenë dhe mbetet preokupimi i deputetit bavarez. Ai është i pranishëm, gjithëherë dhe i kudondodhur, në mesin e mërgimtarëve tanë. Intelektual i kompletuar, komunikues i shkëlqyer, i dashur dhe me edukatë supreme, i gatshëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Në mes të duartrokitje të anëtarëve të Forumit Rinor dhe të tjerëve, që kishin ardhur për ta dëgjuar ligjëratën dhe bashkëbisedimin, mori fjalën deputeti Ing. Dipl. Deli Balidemaj:

Hedhja e themeleve të Pavarësisë të Kosovës dhe hapat e parë 

shteformues të Kosovës pas çlirimit, deri në shpalljen e Pavarësisë

Suprimimi, marrja e dhunshme e Autonomisë të Kosovës, nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, shënon pikën kulmore që nxiti intelektualët e Kosovës, për t`i dhënë fund bashkëjetës me Jugosllavinë, përkatësisht, me Serbinë.

Zhvillimet rapide, të shpejta politike në Evropën Lindore Komuniste, për rrjedhojë, edhe në Ballkanin tonë, favorizojnë dhe trimërojnë edhe popullin e Kosovës, për radikalizimin e rezistencës, fillimisht, paqësore, për të ardhur deri tek veprimet guerile e luftë të armatosur.

Pluralizmi politik, largimi grupor i shqiptarëve nga Partia Komuniste Jugosllave dhe krijimi, fillimisht, i LDK-së, për t`u pasuar me partitë tjera, më vonë, sjellin bashkimin e popullit të Kosovës, në pikën më të lartë të ndërgjegjësimit kombëtar, se kundërshtia kolektive është domosdo e kohës.

Shpallja e Dreklaratës së Pavarësisë të Kosovës, më 2 korrik 1990, nga deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, ishte akt i mençurisë dhe i guximit qytetar, duke shpërfillur dhunën, bunkerizimin e Kosovës dhe tanket serbo-jugosllave, anekënd Kosovës. Deklaratën e Pavarësisë, të shpallur në Bulevardin Qendror të Prishtinës, e pason Kushtetuta e 7 shtatorit 1990, e aprovuar në Kaçanik, nga po ata deputet të Kosovës. Tashmë, Pavarësia e Kosovës konfirmohej edhe juridikisht, pavarësisht shpalljes së njëanshme dhe të mos njohjes nga Jugosllavia dhe bota.

Krijimi i Institucioneve Paralele të Kosovës: Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, Ministria e Brendshme dhe Sherbimi Informativ i Kosovës, deri tek zgjedhjet Presidenciale më 1992, ishin hapat e parë të shtetndërtimit të Kosovës, madje 10 vjet para çlirimit të Kosovës, më 12 qershor 1999.

Me gjithë përpjekjet për shkëputjen në rrugë paqësore nga Serbia, madje as me luftën e armatosur, Kosova, për shkak të raporit të pabarabartë të forcave ushtarake me Serbinë, nuk arriti të çlirohet me forcat vetanake. Ndërhyrja e forcave të organizuara të NATO-s, me bombardimet në caqet vitale ushtarake në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, detyroi, forcërisht, dorëzimin dhe largimin e ushtrisë dhe të pushtetit të dhunës të Serbisë.

Topat dhe krismat e armëve pushuan. Pushteti mikst, vendor dhe ndërkombëtar, po i hidhte hapat e parë, për themelimin e shtetit më të ri në hapësirat ballkanike. Ishte një lindje e vështirë, një lindje e përgjakshme, me krime, masakra dhe rrënim e shkatërrim të pasurive të brezave shqiptarë.

Një Qeveri e Përkohëshme filloi qeverisjen në qershor 1999. Por, ajo nuk u njohë nga ndërkombëtarët, sepse ishte formuar pa zgjedhje normale.

Edhe angazhimi i UNMIK-ut, me multietnicitetin e proklamuar fort, nuk tregoi forcën, që ligji ia garantonte. Në këtë amulli filloi dominimi i Rezolutzës 1244, i kushtëtuar me Dialogun me Serbinë, duke prolonguar, stërzgjatur Pavarësinë e Kosovës. Rol negativ po loznin edhe kontradiktat, etjet dhe ethet për pushtet të forcave politike vendore. Ndërkohë, Serbia e mundur në luftë, mbështetej nga Rusia. Gjeopolitika po kushtëzonte themelimin e një shteti të mirëfilltë, me moton: “Plotësimi i standardeve para statusit!” Serbia aktivizoi agjentët e vetë shqipfolës. Vrasjet e numerike politike, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, ishin projekt i Serbisë, për ta bindur botën, Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, se “shqiptarët nuk janë të aftë për të bërë shtet dhe aq më pak për ta mbajtur atë, pa ndihmën e Serbisë!”

Në favor të kësaj teze, Serbia organizoi protestat e dhunshme dhe të përgjakshme të shqiptarëve në Kosovë, në mars-prill 2004, duke sulmuar e kallur shtëpitë dhe kishat serbe. Këto dhe veprimet tjera, të projektuara në Serbi dhe të lëndëzuara, të zbatuara në Kosovë, i larguan pritjet e afërta, për shpalljen e Pavarësisë të Kosovës. Megjithatë, SHBA-ja me aleatë, përcillnin vëmendshëm zhvillimet në Kosovë dhe nuk lejuan përdhosjen, dështimin e investimeve të mëdha politike e financiare të tyre, për ta finalizuar suksesshëm formimin e shtetit të Kosovës.

Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe deri më tani e kanë njohur mbi 100 vende në mbarë botën. Republika e Kosovës u bë shteti më i ri në botë dhe synon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si: NATO, OKB, BE dhe tjera. Por realiteti i ri vazhdon edhe me tej të kundërshtohet nga Serbia, e cila pretendon sovranitet mbi atë.

Megjithatë, politikat antishqiptare, lufta për pushtet, statusi politik, keqadministrimi ndërkombëtar dhe ai i politikës vendase, në vitet e fundit, kanë bërë që Kosova të radhitet si vendi më i varfër, jo vetëm në Evropë, por edhe ndër vendet më të varfëra në botë. Të vetmet të ardhura janë nga diaspora, ndihmat ekonomike e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, si shtyllat e vetme të ekonomisë së Kosovës.

Roli i Diasporës në procesin e Pavarësisë

Në Mërgatë jeton tej gjysma e popullsisë të Kosovës, po ashtu edhe e Shqipërisë. Mërgimtarët e hershëm të Kosovës, si emigracion i pakët politik, por i shumtë ekonomik, me kontributet e tyre materiale – financiare, dogjën etapat breshkore zhvillimore në Kosovë dhe ngritën standartin e jetesës.

Në aspektin politik, Shoqatat, klubet, partitë politike, pavarësisht nga përkatësia e tyre ideologjike, u angazhuan skajshëm në informimin e popujve dhe të qeverive të tyre, në shtetet ku punonin dhe jetonin ata. Protestat, demonstratat në kryeqytetet e shteteve të Evropës dhe të botës, të cilat, her-herë, arrinin shifrën deri në 100 mijë pjesëmarrës, trokitën në ndërgjegjën e botës demokratike, se mbi popullin shqiptar të Kosovës po ushtrohet dhunë, terror, genocid.

Drejtuesit e subjekteve politike në Diasporë, bënin një informim profesional, shkrimorë dhe gojorë, me personalitetet e vendeve të fuqishme botërore. Lobi Shqiptaro-Amerikan, garda e vjetër e ikanakëve politikë shqiptarëe e kosovarë dhe garda e të sakatosurëve politikë, të diktaturës komuniste, bënin një punë të shkëlqyer informative. Arbreshi Jozef DioGardi me bashkëshortën dhe miqtë e tij amerikanë, kongresmenë e senatorë, agjitonin, fuqishëm, në kancelaritë vendimmarrëse, për ta shpëtuar nga shfarosja popullin e Kososvës. Lobi Shqiptar – Amerikan, qoftë i hershëm apo i vonshëm, arritën të kontaktonin edhe hierarkinë më të lartë drejtuese të SHBA.

Roli i Diasporës, në procesin e luftës për çlirim dhe të Pavarësisë së Kosovës, ka qenë i madh, në mos, vendimtar. Përgjatë bllokadës 10-vjeçare serbo- sllave, 1990-1999, largimit të shqiptarëve nga puna dhe shkolla, Diaspora, mërgimtarët kosovarë dhe të trevave tjera jashtë kufijëve të Kosovës, me kontributet financiare të tyre, mundësuan mbijetesën e popullit të Kosovës. Me Fondet e tyre të liçensuara në Mergatë, sidomos me Fondin e Republikës të Kosovës, të shprehur në 3 %-in obligativ, nga të ardhurat mujore, përballoi emergjencën për ushtrinë e Kosovës, ushqimin, veshmbathjen, mjekësinë dhe një pjesë të armatimit.

Rrjedhimisht, Diaspora shqiptare ishte investitorja potenciale e luftës për çlirim dhe deri ke Pavarësia e Kosovës. Por, me keqardhje duhet pranuar se për të gjithë këtë bagazh shërbimi e ndihme të dhënë, ka munguar mirënjohja, shpërblimi, qoftë ai edhe moral. Përkundrazi, përçmimi ka qenë sa i dukshëm, aq edhe i turpshshëm. Korrupsioni pushtetar ka penguar investimet e Diasporës shqiptare në Atdhe. Urojmë që kjo praktikë të ndryshojë, me qeverisjen aktuale të koalicionit qeverisës aktual.

Roli i Faktorit Ndërkombëtar dhe 

sfidat në themelimin e Institucioneve

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte hap politik, i koordinuar me faktorët e rëndësishëm të diplomacisë ndërkombëtare, të SHBA dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Pas 17 shkurtit të vitit 2008, sfidë kryesore mbeti njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Sfidë në vete përbën mosnjohja nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ky fakt ndikon direkt në stabilitetin e vendit dhe në perspektiven e qytetarëve të Kosovës.

Kosova duhet të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me SHBA-në, Gjermaninë, BE-në dhe faktorë të tjerë relevant, në interes të rritjes së efikasitetit dhe shtimin e numrit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.

Në fokus të këtij ligjerimi është trajtimi i karakterit demokratik të shtetit të Kosovës dhe sfidat e tij, për realizimin e standardeve moderne të qeverisjes, për t’iu bashkuar familjes politike evropiane. Gjithashtu, merret në analizë progresi i padiskutueshëm në zhvillimin dhe promovimin e demokracisë si dhe në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Nuk mund të mos evidentohen përpjekjet serioze të klasës politike të Kosovës për stabilitet politik, qeverisje të qёndrueshme dhe konsolidim institucional. Megjithatë, dekadën e parë të shtetit të tyre të pavarur, kosovarët e festuan në një mjedis politiko-social të karakterizuar edhe nga disa shfaqje të mungesës së hapësirave të lirisë së dëshiruar. Politikberja konsiderohet si një proces evolutiv organizimi dhe administrimi, që zhvillohet dhe përparon, duke mbledhur përvojat e veta. Si e tillë shndërrohet në një organizëm vital, ku shtetasit me aftësinë e tyre kritike, korrektojnë çdo shfaqje spontane privuese, kundrejt progresit të pandalshëm, kah standardeve moderne të lirisë e demokracisë autentike.

Ky jubile i pavarësisë ka si moto, për të gjithë shoqërinë politike të Kosovës, se liria duhet të rritet e të forcohet dhe se qytetarët e vendit nuk janë spektatorë, por aktorë aktivë në formësimin e një shoqërie të mirëorganizuar, në themel të së cilës qëndron koncepti universal i lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.

Me shpresë që Qeveria e re do t`i përmbushë pritjet e qytetarëve të Kosovës, ju falenderoj për durimin dhe shpresoj që unë kam mundur t`i përmbushi, deri diku, pritjet e juaja”, – përmbylli ligjëratën e tij, deputeti i Bavarisë gjermane, Ing.Dipl. Deli Balidemaj.

Në fund, kryetari i Forumit Rinor Shqiptar, Dr. Asllan Tahiraj, falenderoi z.Balidemaj dhe u bëri thirrje të gjithë Shqiptarëve në Mynih, më të drejtë vote, më 15 mars 2020, të dalin, masivisht, në zgjedhjet për Keëshillin Bashkiak të Mynihut dhe ta përkrahin zërin e shqiptarëve, Deputetin Balidemaj, i Partisë të Gjelbëve gjermanë.

Filed Under: Politike Tagged With: Fisnik Zeqiraj, Forumi Rinor Bajern

FONDI KOSOVAR-AMERIKAN, 106 TË ARSIMUAR

March 11, 2020 by dgreca

-Ministri Blerim Reka pret themeluesin e Fondit Arsimor Kosovar-Amerikan Dale Pfeiffer. Nga ky fond deri tani janë arsimuar 106 kosovarë/

PRISHTINË, 11 Mars 2020-Gazeta DIELLI/ Ministri i Integrimit Evropian, z. Blerim Reka priti në takim themeluesin e Fondit Arsimor Kosovar – Amerikan (KAEF), z. Dale Pfeiffer, me të cilin biseduan për kontributin e këtij fondi në krijimin e kuadrove të reja të Kosovës duke i’u mundësuar studime të avancuara universitare nëpër universitetet prestigjioze amerikane.

Nga ky fond deri tani janë arsimuar 106 kosovarë, të cilët kontribuojnë sot në nivel politik,  administratë publike, si dhe në sektorin privat të vendit.

Në takim u diskutua mbi modalitetet për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Fondit KAEF dhe kontributit të Qeverisë së Kosovës.Në vijim, palët u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve me të gjithë akterët që janë pjesë e arsimit dhe përkrahjes në këtë proces, bën të ditur njoftimi i dërguar….

Filed Under: Kronike Tagged With: Fondi Kosove-Amerikan

Shtëpia nuk është burg

March 11, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ajo që po e kapërdijnë me vështirësi në Shqipëri, është vetizolimi. Megjithëse është një nga masat më të domosdoshme për faktin se mund të reduktojë ndjeshëm përhapjen e virusit, prapë hezitohet. Duhet të kishte filluar që në momentin kur u njollos me të kuqe Italia, sepse jemi të lidhur gjymtyrësh, jemi gati siamezë. Dhe mos eksperienca në të tilla epidemi që janë mes shekujsh dhe brezat nuk e kanë idenë, gjithçka kthehet në një gjendje sportive dhe shteti flet dokrra për të ruajtur karriken, pasi magazinat a shtretërit e karantinave janë shitur batjava. Por ka një nismë spektakolare të personave publik sidomos e atyre që jetojnë e kontribuojnë në Itali dhe kjo është për tu admiruar. Sado larg që ikim prapë koka na dhëmb aty dhe koha po e vërteton, mjafton të përmendim edhe fondacionin e marinsit shqiptaro amerikan9Presidentit te Rrenjeve Shqiptare ne SHBA) Marko Kepi në tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër disa mediume shtrojnë ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet i izoluar në shtëpi? Shqiptarët nuk rrinë dot pa kafenet’. Duke qënë se jetoj prej vitesh në një vend tropikal ku stuhitë janë të përvitshme, izolimin e kemi gjymtyrë të jetës. Por në raport me izolimin e coronavirusit, stuhia të lë pa drita, pa ujë etj. Dhe mund të të humbësh gjithçka, mund të mbetesh në qiell të hapur sikur të mos kesh ekzistuar asnjëherë. Në rastin konkret nuk ju mungojnë aspak as dritat e as uji dhe për më tepër komunikimi virtual. Disa ditë a disa javë nuk janë asgjë, mjafton të mendosh se sa jetë mund t’i kursesh të së përditshmes. Mund të jetë një i njohur për ju, a një i largët.., por është prindi, babai a nëna, motra, vëllai i dikujt tjetër. Dhe ky dikushi që fati ua mbajti larg nesër mund të jeni edhe ju, ksisoj thuaje plot, Zot mbaje dorën. Në kuptimin e drejtë të fjalës kjo është luftë me natyrën, me fatin…, pavarësisht minuseve se, nuk ka asnjë diskutim që ne jemi nga vendet më të papërgatitura pasi kurrë nuk ndërtuam një shtet të vërtetë.

Nëse në studiot shqiptare do flitej ndonjëherë për emeregjencat, se si veprohet, se si një shtet mban në gatishmëri hallkat e tilla, pra nëse do flitej ndonjëherë, me pa diskutim do kishim filluar themelet e shtetit. Por shqyhemi me ligjëratat boshe të Ngjelës a ca kapterëve si Peza, me llogje duke mbetur gjithmonë vend i botës së tretë, jo new Hollandë apo Zvicër, asesi që jo. Ndaj sot shtrohen ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet në shtëpi për 1 apo 2 javë. Kot që paskemi shtëpi, kot që shtrydhemi për familjen, gjithçka e jona qenka llogjet e kafeneve dhe ajo kureshtia prej provinciali se kush e hëngri sot? Përpara se të dali presidenti apo kryeministri, bëhuni vet të tillë, pasi ne kurrë nuk na ka munguar vitaliteti, pavarësisht se e kemi shtyrë tutje për hatër të politikës. Eshtë luftë për faktin e thjeshtë se është një epidemi globale, me një armik të padukshëm…, jo rastësisht janë vatrat të shpërndara si Iran, Itali, Seul. Eshtë vrasës sa i pa parashikueshëm, aq edhe i lexueshëm, vatrat e trafikut ajror, lidhjet e afërta si rasti ynë me Italinë etj. Por është edhe një situatë e tillë ku kupton se sa luftë bën qenia njerëzore për të mos u fikur jashtë radhe dhe sikur kurrë të mos kishim ekzistuar. Shkurt në shtëpi do shkoni, jo në burg, ndaj mblidhuni e lërjani vendin zbrazëtisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: jo burg, Shtepia

KOSOVA, JO NË NJË “ZJARR TË KRYQËZUAR” HIPOTETIK

March 11, 2020 by dgreca

Reagim i Akademisë lidhur me situatën politike në Kosovë-

Prishtinë, 11 mars 2020- Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si shumica e qytetarëve të vendit, është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, të nxitura nga një betejë e ashpër dhe e paparimtë midis subjekteve politike dhe institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Duke qenë një demokraci e re, me institucione të brishta dhe me një pozitë të luhatshme ndërkombëtare, ka qenë e ditur se Kosova nuk do ta kalojë aq lehtë këtë fazë të vështirë të transicionit. Mirëpo, pakkush ka besuar se klasa jonë politike me një lehtësi kaq të madhe do të shkel të gjitha parimet, do të kthejë përmbys çdo ideal dhe, për interesa meskine, do të jetë në gjendje që, herë pas here dhe gjithnjë e më shpesh, të vërë në dyshim të gjitha arritjet e Kosovës, duke e çuar atë në zgrip të ekzistencës, krejt afër zhbërjes.  Askush nuk ka besuar dhe nuk beson se kauza populiste e një qeverie, mbijetesa politike e një presidenti, kërcënimi i Gjykatës Speciale, ose konflikti ndërmjet proveniencave të ndryshme politike dhe ideologjike mund të ketë më shumë rëndësi se vetë Kosova, sikundër që askush nuk beson se konfliktet dhe betejat tona politike kanë në prapavijë synime të larta dhe ideale të mëdha.

Opinioni i Kosovës, veçmas që nga zgjedhjet e fundit e këndej, që disa muaj, jeton një torturë të paparë të retorikave nxitëse dhe lënduese, një herë duke përçarë, herën tjetër duke krijuar perspektiva të zymta për Kosovën; herë duke përdorur Serbinë si “Hannibal ante portas” për të shkatërruar çdo iluzion dhe perspektivë; herën tjetër për ta vënë në dyshim të nesërmen dhe për t’ua bërë të pamundur jetën në Kosovë atyre që nuk mund ta përballojnë korrupsionin dhe sundimin e mendjeve të cekëta, duke bërë një jetë pa vlerë dhe pa dinjitet.

Me të gjitha makiavelizmat politike Kosova tashmë ka një përvojë dhe opinioni i gjerë mund ta pranojë të mirëqenë një betejë politike si garë opsionesh dhe idesh, por nuk mund të pranojë që në betejën politike të përfshihet vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës. Ne nuk mund ta pranojmë që Kosova të humbë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një klase politike të korruptuar, sikundër që nuk mund ta pranojmë që në betejën e brendshme politike ndërmjet presidentit dhe qeverisë të përdorën miqtë tanë tradicionalë dhe të pazëvendësueshëm. Ne nuk mund të pranojmë që për interesa të Serbisë, të mbijetesës së një klase politike nacionaliste në zgjedhjet që do të mbahen atje, Kosova të përfshihet në krizë dhe të bëjë koncesione deri në humbje të subjektivitetit shtetëror, të rregullimit të brendshëm kushtetues, apo të tërësisë territoriale dhe integritetit; sikundër që nuk mund të pranojmë që një klasë politike, e përfshirë në betejë të paparimtë për pushtet, ta vendos Kosovën në një “zjarr të kryqëzuar” hipotetik ndërmjet miqve tradicionalë dhe njësoj të rëndësishëm, SHBA-së dhe BE-së, duke shpallur së fundi Brukselin “armik të Kosovës”, po atë Bruksel ku kemi ngarendur deri së fundi për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për të bërë marrëveshje poshtëruese për Kosovën dhe ku synojmë një ditë të përfshihemi në integrimet euro-atlantike. Por ne njëkohësisht nuk mund të pranojmë që paqëndrueshmëria e koalicionit qeverisës të përdoret për t’i dhënë edhe më shumë dilemë qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës, duke e bërë atë të luhatshëm dhe me një perspektivë të zymtë. Po kaq e papranueshme për qytetarët e vendit është kthimi i qeverisjes në kauzë populiste, duke vendosur kredot personale dhe partiake mbi interesat shtetërore të Kosovës dhe duke e mbajtur tendosjen politike si agjendë të përhershme institucionale.

Duke parë këtë rrethanë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ngre zërin fuqishëm për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së tanishme të mosmarrëveshjeve të brendshme politike, ndërmjet institucioneve dhe subjekteve politike, duke ua sjellë në vëmendje se nuk kanë asnjë të drejtë, as mandat të nëpërkëmbin shtetin e Kosovës, as të cenojnë interesat e tij, por të ndjekin agjendën shtetërore, në përputhje me përgjegjësitë për të cilat vetë janë zotuar. Njëkohësisht ftojmë bashkësinë ndërkombëtare, veçmas përkrahësit e fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, që të kenë mirëkuptim për mangësitë, mungesat dhe dështimet e klasës sonë politike dhe ta vazhdojnë mbështetjen për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, si vullnet dhe ideal politik i popullit të saj.

Për Kryesinë e ASHAK
Akademik Mehmet Kraja

Filed Under: Politike Tagged With: reagim

Corona Virusi, Shqiperia shenon vdekjen e pare, Kosova, merr masa parandaluese

March 11, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës në mbrëmjen e sotme në Mbledhjen e 7-të: Aprovohen masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19/

-Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /

PRISHTINË, 11 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur sot në mbrëmje mbledhjen e shtatë, të jashtëzakonshme, në të cilën është marrë vendimi për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19.

Këto janë masat parandaluese të miratuara nga Qeveria e Kosovës:

1.      Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2.      Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).

3.      Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

4.      Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5.      Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.

6.      Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

7.      Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

8.      Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9.      Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10.  Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.11.  Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /

Në Shqipëri u rregjistrua me 11 Mars rasti i parë i një personi që humbet jetën pas infektimit nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se zonja 73 vjeçare, që vuante nga disa patologji kronike, ishte kthyer para disa ditësh në Durrës, pas një udhëtimi në Itali në zonën e Bolonjës….

ministria konfirmoi zbulimin edhe të tre rasteve të reja, që i bashkohen dy të tjerave të konfirmuara po sot. Prej tyre 4 janë kontakte të rastit të parë të zbuluar mesnatën e së dielës, ndërsa një tjetër është një i moshuar në Lushnje (78 vjeçar) me histori udhëtimi me Italinë. Deri tani nga të 15 rastet, 4 janë persona që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, dhe të gjithë me histori udhëtimi në Itali, ndërsa 11 të tjerët rezultojnë të gjithë të jenë persona me lidhje të ngushta me 28 vjeçarin që u zbulua i pari.

Në total deri në mbrëmjen e së mërkurës, sipas njoftimit zyrtar “janë estuar 241 të dyshuar për COVID-19. Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim”.
Në dy ditët e fundit, Shqipëria ndërmori masa të forta shtrënguese, menjëherë pas zbulimit të rasteve të para. Autoritetet urdhëruan mbylljen për dy javë gjithë sistemin arsimor, stadiumet sportive dhe qendrat kulturore, ku mblidhen një numër i madh qytetarësh. Po ashtu në të gjithë vendin janë mbyllur dhe pub-et, klubet e natës, diskotekat, pishinat dhe palestrat.

Ditën e sotme autoritetet njoftuan për masa të reja shtrënguese. Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se ka propozuar “mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht; caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës; caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij; vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik si dhe reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës”.

Në mbrëmje, siç kishte njoftuar dhe kryeministri Edi Rama, kanë nisur të paktën në Tiranë, kontrolle me postoblloqe në rrugët kryesore të kryeqytetit nga policia dhe njësitë e ushtrisë, për verifikimin e personave që mund të kenë shmangur vetkarantinimin.

Filed Under: Sociale Tagged With: Corono virusi, kosova, qeveria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT