• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

QËNDRO, SHQIPËRI!

April 25, 2020 by dgreca

    Nga Frank Shkreli/

25 Prilli, 2020 shënon 27-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Palit II në Shqipëri.  Vizita e Papës në Shqipëri, 27-vjet më parë, ishte një datë historike — dhe për brezin që ishte dëshmitar i asaj vizite do të mbetet përgjithmonë e paharrueshme, për një kohë të gjatë, për ta dhe për Kombin shqiptar.  Papa Gjon Pali i II, me atë rast, “shkeli në tokën shqiptare, duke e puthur e bekuar truallin e nepërkëmbur të shqipeve”, komenton radio Vatikani, duke shënuar këtë ditë historike në historinë e Kombit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij shekullore me Vatikanin. 

Ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit.   I vetdijshëm dhe i mirë informuar për gjëndjen e shqiptarëve, nën pothuaj gjysëm shekull komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 Prill, 1993, Papa Gjon Pali i dytë, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e shqipeve, si “Një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë, që sadopak mundi të bindëte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar ata, me gjithë vet-izolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, e sidomos izolimit nga Perëndimi, për pothuaj gjysëm shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua, gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II vetëm shprehi dashurinë, mirëkuptimin dhëmbjet e tij për vuajtjet dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb.  27-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tija dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur!  Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhëshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.  

Me të drejtë, Radio Vatikani e ka cilësuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, jo vetëm si historike dhe të paharrueshme, por edhe si fillimi i një shprese, që nuk zhgënjen.  Vizita e Papës Gjon Palit më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se gjithçka ngjallet e përtërihet.

Duke dëshmuar entuziazmin e shqiptarëve për demokraci në fillim të 1990-ave, ai u tha shqiptarëve se, “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.  Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet që është aq aktual edhe sot, ndërkohë që për arsye dhe rrethana krejt të tjera, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi dhe bota mbarë, po kalojnë nepër një periudhë tepër vështirë e dramtaike, si përfundim i përhapjes së koronavirusit, në mbarë planetin:“Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, e thirrja për kujtesën e përhershme: “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, ”kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipër me 25 prill, 19, dhe ka theksuar se, sado të vështirat qofshin sfidat ato janë më të lehta për tu përballur me, kur sipas tij,”Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.  

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II, të dates 25 prill, 1993 le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përball realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror.  Ç’rregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore — përfshir edhe epideminë e koronavirusit, gjithëçka është më e lehtë për tu përballur me to, nëqoftse përballë këtyre sfidave sillemi si vëllezër dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 27 vjetë më parë në Shqipëri.   Kjo është e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja drejtë një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Ashtu që, shqiptarët, “të fluturojnë sa më lartë si shqiponjat, që nuk e lenë kurrë folenë e tyre”, — sipas fjalëve që Papa aktual – Papa Françeskut – deklaroi gjatë vizitës së tij në Shqipëri vite më vonë.  “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, qëndro!, shqiperi

Artikulli i J. Micheal Walker kundër popullit tim Dardan në “Washington Times” është anti-shqiptar dhe anti-shkencor

April 25, 2020 by dgreca

Përgjigje ndaj J. Micheal Waller/

NGA ALFONS GRISHAJ/

Për ne shqiptarët, gazetarët amerikanë dhe perëndimorë janë admiruar der në nivelin e adhurimit, sepse kemi menduar se shkruajnë gjithnjë të vërtetën. Por  pas njohjes dhe studimit të rasteve të shumta të deformimeve dhe fake news-ve,  adhurimi ndaj disa prej tyre është grisur keq. 

Duke lexuar artikullin anti-shqiptar dhe anti-shkencor të J. Micheal Walker ndaj popullit tim Dardan (që është i vjetër sa vetë njerëzimi), ndjeva një keqardhje që u shndërrua pastaj nëneveri. Si ka mundësi që një analist i tillë  të bjerë në batakun e një diletanti e të flasë për historinë e një populli pa e njohur atë?  Akuzat ndaj popullit tim shqiptar të Dardanisë, për xhihadizëm e përralla të tjera…  janë ushqyer nga tezat e gatuara në kuzhinën e propagandës antishqiptare të Serbo-Rusisë dhe jo në frymën e analizës politikës perëndimore. 

Sa për kujtesë  të Waller, xhihadistë janë rekrutuar më tepër nga perëndimi  (biles dhe nëSHBA ka pasur raste)  se sa nga  Dardania, ku është e vërtetë, se për arsye historike, shumica e popullsisë i përket besimit islam. Por për të gjithë ata që kanë nohuri në islamin shqiptar,  akuza që bën Waller është qesharake .

Nëse ai ka ndonjë gjë me bustin e Bill Klinton apo personalisht me të,  është puna e tij, por tënjollosë një popull të tërë me gënjeshtra të tilla, është e turpshme. Faktet qëndrojnë krejt ndryshe nga sa i paraqet ai. Nuk është vetëm kongresmeni Eliot Engel që e ka përkrahur Dardaninë, por dhe Sen. Bob Dole, Sen. MitchConell, Kongresmeni Gilman, Kongresistja Sue Kelly , Sekretari i Shtetit  James Baker, Senatori Domato, Presidenti Bush , i cili e paralajmëroi prerë Sllobodan Milosheviçin, “Larg duart nga Kosova!”, Xhorxh Bush Junior , Senatori Peters etj.

Lëvizja për dizintegrimin e ish Jugosllavisë filloi kohë më parë, pikërisht prej shkeljes së tëdrejtave të njeriut ndaj popujve të Federatës  Jugosllave, veçanërisht ndaj shqitarëve që banonin në trojet e tyre etnike. Serbia ishte promotorja e të gjithë urrejtjes etnike dhe lufta që u zhvillua ndaj republikave dhe popujve që donin të jetonin të pavarur, nuk ishte e paparajmëruar. Josip Broz Tito, në një nga Kongreset e Partisë Komuniste Jugosllave, duke parë ekstremizmin Serb, paralajmëronte: “Nëse doni një Jugosllavi të madhe, duhet një Serbi e vogël. Nëse doni një Serbi të madhe, do të keni një Jugosllavi të vogël”, çfarë nënkuptonte se Jugosllavia do shkatërrohej dhe do mbetej vetëm Serbia. 

Mendoj se analisti Waller e di paralajmërimin e Titos, se është analist politik. 

Lëvizja për dizintegrimin e Jugosllavisë e ka zanafillën para se  Engel e Klinton të përfshiheshin energjikisht për një proces që do të  vendoste paqen përfundimtare në rajon. Nisma kundër Serbisë nisi nga    kongresmeni William Broomfield (dhe jo nga Klinton)  i frymëzuar nga Ekrem Bardha (pas arrestimit të Pjeter Ivezaj) që bëri të mundur goditjen e parë për shkatërrimin e makinës antinjerëzore  Jugosllave. 

Në këtë kontekst, Klintonit i mbeti vetëm të firmoste ndëshkimin ndaj një krimi nëvazhdimësi që kishte thyer çdo ligj ndërkombëtar human, ndaj një çmendurie kolektive tëudhëhequr nga një  kriminel si  Sllobodan Milosheviç. 

I gjithë populli shqiptar, pavarësisht përkatësisë individiuale fetare,  i ruan dhe i kultivon parimet dhe vlerat e qytetërimit të krishterë. Tek shqiptarët janë të shenjta mikpritja, besa, burrëria, ndjenja e mëshirës, ndershmëria  etj. 

Përsëri sa për kujtesë të analistit Waller:

Populli shqiptar ka nxjerrë figura të rralla botërore që i shërbyen në kohë të ndryshme njerëzimit. Po i përmend z.Waller, vetëm dy figura: Atletin e Krishtit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbrojtësi i Perëndimit, dhe St. Nënë Tereza, nëna e botës  moderne.

Dardaninë nuk e ndihmuan vetëm Amerika, por pothuajse të gjitha shtetet e perëndimit: Anglia, Gjermania, Franca (aleatje shekullore e Serbisë), Italia etj, me udhëheqës të asaj kohe, Blair, Schroeder, Zhak Shirak, Dalema  etj, pa të cilët, ndërhyrja në Kosovë do të ishte e pamundur..

E vërtetë si drita e diellit është se, populli Shqiptar është populli më proamerikan në botë… dhe Waller  e përmend këtë në mënyrë ironike, pa u thelluar në thelbin e dashurisë ndaj Amerikës. Ai harron se para Klintonit  qe Presidenti Willson i cili ndaloi shpërbërjen e mëtejshme të Shqipërisë, pikërisht, prej Turkoshakëve dhe “Kristianëve” të tipit Milosheviç. Dhe një ndër karakteristikat fisnike dalluese të popullit shqiptar është mirënjohja.

I them J. Micheal Waller:Lufta për çlirimin e Dardanisë (Kosovës) nuk ishte luftë kundër kristianizmit, sepse ata që e çliruan qenë kristianë, duke luftuar kundër anti-Krishtit, që synonte realizimin e një plani historik djallëzor: spastrimin etnik të krahinës me anë të një genocidi masiv. Krishti ka predikuar paqen dhe jo genocid! 

Në mendimin nacional shqiptar por edhe në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve, parimi dhe ndjenja e nacionalitetit qendrojnë mbi sentimentet fetare. Shqiptarët e kanë kuptuar më herët se shumë kush tjetër se qarqet e huaja antishqiptare janë përpjekur dhe do të përpiqen edhe në të ardhmen ta paraqesin përbërjen fetare të tyre, si pengesë për unitet nacional, dhe orientimin e tyre euroatlantik si jo të natyrshëm dhe madje edhe të pasens.  Shqiptarët e dinë vetë rrugën e tyre e s’kanë nevojë t’ua mësojë kush. Ua kanë mësuar rilindasit këtu e njëqind e pesëdhjet vjet më parë. Ndërsa ata që duan të shkruajnë kundër shqiptarëve duhet ta njohin më parë kulturën e tyre. Duhet të dinë ç’ kanë menduar e ç’ mendojnë shqiptarët për veten dhe historinë e tyre. Sot po u themi vetëm dy vargje që Poeti rilindas Vaso Pashë Shkodrani, shkruante në vjershën e tij programatike “O moj Shqypni”, që i di çdo shqiptar “E mos shikoni Kisha e Xhamia, se feja Shqiptarit asht Shqiptaria!”

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Pergjigje J. Michael Waller

KUJTESA- RILINDJA PARA 15 VITEVE: KOSOVA E PAVARUR, VENDIM NDËRKOMBËTAR

April 25, 2020 by dgreca

KUJTESA- RILINDJA PARA 15 VITEVE: KOSOVA E PAVARUR, VENDIM NDËRKOMBËTAR/

-ARKIV/ Gazeta tradicionale e historike RILINDJA para 15 viteve – 25 PRILL 2005: BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE KA MARRË VENDIM QË KOSOVA TË JETË E PAVARUR/

-Në ballinë Rilindja bënte edhe ftesë publike: NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT  MË 3 MAJ 2005  NË ORËN 12 RILINDJA FTON NË VIZITË VENDIT TË SHKELJES MË TË RËNDË, BUNKERIT TË ERRËT E ME LAGËSHTI, KU ËSHTË MBYLLUR, NGUJUAR E SHKATËRRUAR GAZETA E PARË E KOSOVËS…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*/

 PRISHTINË, 25 Prill 2020/  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dale në Prizren para 75 viteve – 12 Shkurt 1945,  pikërisht para 15 viteve – në ditën e 25 Prill 2005 në kryeartikullin që paralajmërohej në kryetitull në ballinë shkruante:

Deklarata, komente dhe qëndrime për Kosovën, të gjithë flasin për pavarësinë:

BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE KA MARRË VENDIM QË KOSOVA TË JETË E PAVARUR.

E kryelajmi në këndin lart te logoja ishte: PRESIDENTI RUGOVA NË BRUKSEL.

Rilindja në faqet e brendshme, mes tjerash, botonte: Një këndvështrim i ri për Kosovën – shkrim nga Riçard Holbruk në The Washington Post;

 Një Kosovë pezull është fitore për Milosheviçin – shkrim nga  Jonathan Steele në The Guardian.

Ndërsa tituj të disa shkrimeve tjera ishin:

GNK: Pavarësia e Kosovës është vetëm çështje kohe (Grupi Ndërkombëtar i Krizave);

Ekspertët serbë thonë se Kosova po shkon drejt pavarësisë;

Kryekuvendari i Shqipërisë angazhohet për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas vullnetit të popullit;

Rupel është i mendimit se duhet të shpejtohet procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës;

Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u diskutua për Kosovën;

Presidenti Rugova hedh poshtë mundësinë e bisedimeve me presidentin serb;

Komisioni Evropian: Një e ardhme evropiane për Kosovën;

Statusi i Kosovës në epiqendër të bisedimeve.

NË VIJIM DY NGA SHKRIMET E GAZETËS RILINDJA TË 25 PRILLIT 2005:

Drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon 


“PERËNDIMI E KA VENDOSUR PAVARËSINË E KOSOVËS” 

-Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur – Kosova do të jetë e pavarur! Pret vetëm që kjo të shpallet publikisht/

Kosova do të jetë e pavarur për më pak se pesë vjet, vetëm se është duke u diskutuar se nën cilat kushte do të ndodhë kjo, kur dhe në çfarë mënyre, tha në një intervistë për të përditshmen sebe “Veçernje Novosti”, drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon. 


Kush ju ka thënë dhe pse keni vendosur që pikërisht në këtë moment ta bëni publike. Mos ndoshta ndërkohë janë dakorduar qëndrimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës? 


Asgjë e re nuk ka ndodhur. Por, para disa ditësh më pyetën për këtë gjë dhe unë u përgjigja. Të gjithë e kanë të qartë se Kosova ‘de fakto’ është e pavarur dhe kurrë më nuk do të kthehet nën administrimin e Beogradit. Sinjale të tilla, Perëndimi disa herë i ka dërguar në drejtim të Beogradit. Por, disa në Serbi vazhdojnë të flasin se Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur. Siç duket, vetëm Serbia nuk e ka të qartë, por gjithë të tjerët e dinë. 

A është ky vendim i nivelit të lartë apo spekulim i kulisave? 


Vendimi është marrë. Çështja nuk është më se a do të ndodhë kjo apo jo, por në çfarë kushtesh dhe kur. 

Kush konkretisht e ka marrë këtë vendim? A është shkruar e zeza mbi të bardhë? 


Nuk ka: e zeza mbi të bardhë. Nuk kishte mbledhje ku kjo është shpallur. Por ka kaluar një kohë e gjatë e dakordimit të ideve dhe ky vendim është pjekur tek të gjithë faktorët relevantë. 

Njëqind për qind? Pa asnjë votë që e kundërshton? 


100 për qind është qëndrimi pro pavarësisë së Kosovës. 

Kush jua tha juve këtë gjë? Dikush nga Shtëpia e Bardhë? 


Nuk e kam thënë këtë gjë. Nuk dua ta zbuloj burimin. Në fakt janë shumë burime nga BE-ja dhe SHBA-ja. 


Si t’ju besojmë se e gjitha ka marrë fund? 


Nuk ka nevojë të më besoni. Më 20 prill, Komisioni Evropian ka dërguar një raport për Kosovën, në të cilin thuhet se “Kosova duhet t’i bashkohet BE-së në kuadër të programit të Stabilizim- Asociimit. Kjo është shumë interesante dhe indikative, sepse BE-ja këtë procedurë e përdor vetëm për shtetet sovrane. Secili që është pak i mençur, mund ta kuptojë se çfarë do të thotë kjo. Pra kjo do të thotë se BE-ja, edhe pse nuk dëshiron të flasë publikisht për këtë çështje, tregon se çfarë ka vendosur Brukseli për Kosovën. 

Domethënë, kështu i bie që nuk ka nevojë të vendoset dialogu për standardet dhe statusin, nëse e gjitha ka marrë fund… 


Beogradi duhet të përcaktojë interesat e tij dhe të gjejë se çfarë është për të më e përshtatshme, me rastin e realizimit të kësaj pavarësie… 

Çfarë mund të jetë këtu e përshtatshme? Të lusin shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, që të mos i dëbojnë edhe ata pak serbë që kanë ngelur atje? 


Që të luftojnë për kushtet sa më të mira të jetesës së atyre serbëve që kanë ngelur dhe të atyre që eventualisht kthehen. 

Nëse Beogradi paraqitet me një strategji, që të fitojë të paktën një pjesë të Kosovës, a mund të ndryshojë kjo diçka? 


Jo. Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që Kosova të jetë e pavarur në kuadër të kufijve ekzistues. Ndarja do të ishte e mundshme vetëm nëse serbët dhe shqiptarët bien dakord që kjo të bëhet në mënyrë paqësore, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që kjo të ndodhë në mënyrë të dhunshme. Nëse nuk bien dakord, Kosova do të jetë e pavarur në kufijtë ekzistues. Kjo është shumë më e mundshme, sesa varianti ku shqiptarët do të pajtohen që ta japin një pjesë të Kosovës. 

Jeni shprehur se pavarësia do të ndodhë për pesë vjet. Pse pikërisht brenda kësaj periudhe? Dhe çfarë deri atëherë? Pavarësia e kushtëzuar nën ombrellën e protektoratit? 


Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Ende nuk dihet natyra e vërtetë e pavarësisë. Për këtë arsye politikanët serbë kanë mundësi të kenë rol në përcaktimin e saj. 

Çfarë mund të përfitojnë më së shumti në këtë përcaktim? Që Kosova të jetë Republika e tretë në kuadër të Serbisë dhe Malit të Zi? 


Kjo ende nuk është vendosur. Nuk dihet se çfarë mund të përfitojnë serbët nga kjo. Asgjë nuk është vendosur, kur është fjala tek procedura. Por, pavarësia e Kosovës në princip nuk do të vihet më kurrë në pikëpyetje. 

Pra, rrëfimi mbi standardet nuk ka më kuptim. Domethënë nuk ka më kurrfarë kuptimi… 


Me sa di unë, bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që parullën “standardet para statusit” ta zëvendësojë me formulimin “statusi me standardet”. Standardet para statusit është një rrëfim joreal, është një parullë dhe jo politikë. Sado që tingëllon shumë keq, bashkësia ndërkombëtare do të insistojë në standarde, por statusin nuk do ta presë për këtë gjë. 

Ndërsa para Beogradit do të lindë dilema e pranimit sa më të shpejtë në BE apo mbijetimit të Kosovës? 


Jo. Nuk është më çështja shpejt ose më ngadalë, por Serbia nuk do të futet në BE, nëse nuk heq dorë nga Kosova. Dhe pikë. 

EKSPERTËT SERBË THONË SE KOSOVA PO SHKON DREJT PAVARËSISË

Në shkollën e gazetarisë në Novi Sad është mbajtur një takim me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të strukturave qeveritare dhe organizatave joqeveritare nga Beogradi. 
“Te bashkësia ndërkombëtare, pak a shumë tashmë është marrë vendimi që statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë pavarësia”, ka vlerësuar James Lion, drejtor i zyrës së Beogradit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. 
“Tani nuk ka dilema nëse Kosova do të bëhet e pavarur apo jo, por çështja është se nën çfarë kushtesh, brenda cilit afat kohor dhe çfarë do të fitonin të dyja palët nga ajo pavarësi. Gjykuar sipas të gjitha gjasave, me siguri që ora do të fillojë të numërojë aty nga fillimi i vitit 2006 dhe kjo mund të zgjatë deri 3 vjet. Afatet kohore ende nuk janë përcaktuar”, ka thënë Lion. 
Beogradi një kohë të gjatë ka luajtur në letrën e ndarjes së Kosovës, dhe për këtë, partnerin e ka kërkuar në Tiranë, por në këtë fatmirësisht nuk ka patur sukses, ka deklaruar Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. 
“Tashmë ekziston një atmosferë në rajon, e cila shkon në favor të pavarësimit të Kosovës , dhe mendoj se është shumë me rëndësi që Beogradi në këtë moment të përcaktojë një politikë konstruktive,” tha Biserko. 
Kemi elitë të papërgjegjshme të njerëzve, të cilët nuk e bëjnë publike të vërtetën e plotë për Kosovën, konsideron Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizimin. 
“Na gënjejnë për diçka, e cila kurrdo që të jetë, një ditë do të na kthehet mbi kokë. Këtu nuk është fjala vetëm për pushtetin, por edhe për opozitën,” tha Popov. 
Ndërkaq kryetarja e komisionit të Kuvendit të Serbisë për Integrime Evropiane Gordana Çomiq, konsideron se është e domosdoshme të jepen përgjigje në këto pyetje. 
“Kush e ka përgjegjësinë për dështimin evident të projektit, i cili nuk solli përmirësime as në Bosnjë 10 vjet pas Dejtonit, e as në Kosovë 6 vjet pas bombardimeve? Partitë politike në Serbi do të duhet të jenë partner i mirë në ato bisedime, madje edhe në bisedimet për të cilat askush nga ne nuk dëshiron të mendojë,” ka thënë Çomiq, në takimin në Novi Sad me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”. 

 ***

Gazeta Rilindja Para 15 viteve, në 26 Prill 2005, kishte edhe shumë shkrime të tjera e në ballinë  bënte këtë ftesë:

FTESË PUBLIKE

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT  RILINDJA FTON NË VIZITË VENDIT TË SHKELJES MË TË RËNDË

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIRISË SË SHTYPIT, MË 3 MAJ 2005 

NË ORËN 12

FTOJMË PËR VIZITË:                                                                               

GAZETËS RILINDJA NË BUNKERIN E PALLATIT TË RILINDJES,  ATJE KU ËSHTË SHKELJA MË E RËNDË NË KOSOVË, MBASE EDHE NË BOTË,  E TË DREJTËS DHE LIRISË SË SHTYPIT.

BUNKERIT TË ERRËT E ME LAGËSHTI, KU ËSHTË MBYLLUR, NGUJUAR E SHKATËRRUAR GAZETA E PARË E KOSOVËS, ME TRADITË 60-VJEÇARE – RILINDJA, E DËBUAR NGA SHTËPA E SAJ.

TË FTUARIT: MEDIAT E ORGANIZATAT GAZETARE, PËRFAQËSUESIT E INSTITUCIONEVE, TË ORGANIZATAVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, KOMISIONERI I MEDIAVE, OMBUDSPERSONI, KMDLNJ, ETJ.

NË VEÇANTI FTOJMË ATA QË E DËBUAN, NGUJUAN DHE E SHKATËRRUAN RILINDJEN, QË TË SHOHIN ÇKA KANË BËRË. QË JO VETËM TË BINDEN SE KANË BËRË KEQ E TË PENDOHEN, POR EDHE T’IA RIKTHEJNË RILINDJES TË DREJTËN LEGJITIME.

NUMRI I ARDHSHËM I RILINDJES I JASHTËZAKONSHËM DHE PROTESTUES

***

RILINDJA

GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS

To:  Mr. Robert Gillette

Temporary Commissioner of the Media

Very honorable Mr. Robert Gillette,

On the International Day of Freedom of Press –   

3 May 2005

at 12:00

 You are unvited for a visit to: 

Newspaper Rilindja – Press House, in which the worst kind of violation of freedom of press in Kosova, unprecedented in the free and democratic world occurred; 

The dark bunker of dampness and water leaks, there where the first newspaper in Kosova with a 60-year old tradition – Rilindja has been expelled from its own home as of 21 February 2002.

On this International Day of Freedom of Press, Rilindja has the following message:                                                                                                         There is no freedom of the press in Kosova while there is a newspaper that has been injustly shot down and evicted by authorities. 

Your visit would also mean support for the legitimate right of Rilindja as a traditional newspaper of Kosova.

With great regards and sincerely,                                                                                   President of the Managing Council and Editor in Chief of Rilindja  Behlul Jashari

Prishtina, 27 april 2005

*Me shume fotografi I gjeni ne fb dielli vatra  si dhe fb Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Rlindja e Kosoves

Kënetë

April 25, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Të gjithë jemi të rrethuar nga një mur kallamishtesh me rrënjë në moçal. Në sipërfaqe, kallami ngrihet i hollë, i gjatë, poshtë zhytet në baltë me rrënjët që zgjaten. Kushdo që ka provuar ndonjëherë të pastrojë një tokë kallamishte për t’a bërë pjellore, e di mirë se ç’ngjet; prerja është e kotë, kallami bëhet më i përhapur, më i ngjeshur; edhe për ta djegur shkëndija nuk mjafton, jo rrallë zjarri fillon me flakë.
Toka dikur mbulohej nga uji, pastaj u bë kënetë. Kur moçalet u thanë – me eshtra kundërshtarësh të burgosur – toka bujqësore filloi të zgjerohej. Kjo bëri të mundur jetesën. Por një gjë e çuditshme ndodhi; për më shumë se 70 vjet pasuria dhe mirëqenia gëzohen nga të njëjtët njerëz të tërhequr pas fitimit mashtrues që i bën të vetëkënaqur, ndërsa për pasojat e pangopësisë së tyre, askush nuk merr më përgjegjësi.
Këneta sot ndoshta nuk mund të shihet, por nuk do të thotë që nuk ekziston. Është ende atje, pak më thellë dhe më poshtë – si njeriu i vdekur në kohë virusi që varroset me nxitim – plot me ngjala e kallama, që kanë mbushur qeverinë e të angazhuar në përqafime po aq të rreme sa buzëqeshjet e tyre. Shkrimtarë, gazetarë, pronarë mediash, narcisistë, promovues të kulturës – të gjithë aty si ngjala të neveritshme që ngjasojnë me gjarpërinj dhe peshq dhe jetojnë në baltën e ushqimit të tyre – së bashku me pronarët e vërtetë të kënetës, kallamët, të vetmet lloje që nuk kanë nevojë për pleh, tokë të pasur ose ujitje për t’u rritur. Kallamët e gjatë dhe bosh brenda, janë mbretërit e vërtetë të kënetës….dhe të shtetit, duke përfshirë politikën, biznesin, sindikatat, arsimin, sportin ….gjithçka të rrethuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Kënetë

ANGJELINA ARIANITI-E VETMJA SHËNJTORE SHQIPTARE MES 40 SHËNJTORËVE MESHKUJ NË KISHËN E FAN NOLIT NË BOSTON

April 25, 2020 by dgreca

Raimonda MOISIU/

Fuat MEMELLI/

Shqiptarët e Amerikës kanë për më shumë se një shekull që valëvitin flamurin kuq e zi shqiptar në tokën amerikane. Ndërsa kthejmë kokën përgjatë viteve dallojmë gjurmët e arta dhe kockën e fortë intelektuale të mëncurisë dhe të kujtesës së një kombi, ringritjen dhe trashëgiminë ndër breza të vlerave kombëtare, shpirtërore e atdhetare, të shndërruara në vlera të arta qytetarie e shenjtërie. Janë gjurmë që kujtojnë dhe eksplorojnë shprehitë e vetëdijes kombëtare, domosdoshmëri që vlen edhe në ditët e sotme dhe ka aftësi universale për të evokuar të kaluarën e kombit mes botës njerëzore dhe hyjnore. Një obligim sa shpirtëror e qytetar, sa intelektual e atdhetar ne brezi i tashëm në Amerikë, i deyrohemi figurës së Shën Angjelinës Shqiptare, e vetmja femër e shenjtëruar mes 40 shënjtorëve meshkuj, afresku i së cilës gjendet në Kishën e Shën Gjergjit, e njohur edhe si Kisha e Fan Nolit, Boston, Massachusetts. Një kërkesë nga kolegja jonë e hershme, Presidentja e Fondacionit “Nermin Vlora-Falaski”, shkrimtarja dhe publicistja e njohur Zenepe Luka, na vuri në lëvizje edhe ne këtu në Amerikën e largët. Ajo na vinte në dijeni se po përgatiste për botim, librin rreth jetës së Shën Angjelinës, e cila njihet si motra e vogël e Dukeshës Andronika (Donika) Kastrioti, gruaja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. 

Kolegja jonë e nderuar, Zenepe Luka, e cila është gjithmonë në kërkim të vlerave dhe nuk lodhet për t’i promovuar ato, kishte dëgjuar se afresku i Shën Angjelinës Shqiptare gjendet në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, ose Kisha e Nolit, siç quhet ndryshe. Dhe, nuk ka gabuar!

Kisha e Fan Nolit-Boston! – Simboli i Rilindjes Kombëtare, krenarisë, respektimit, trashëgimisë, atdhetarizmit, patriotizmit, Simboli i Mbretërisë së Tolerancës Fetare, pjesë integrale aq e dashur patriotike e atdhetare e komunitetit shqiptaro-amerikan. Simboli i ruajtjes të traditës, kulturës e gjuhës shqipe mes botës hyjnore e njerëzore në Amerikën e largët. Mbase do e kemi të vështirë që në pak rreshta të përshkruajmë këtë “arkivë” të historisë së kombit dhe kontributin e shquar të Fan Nolit e bashkëkohasve të tij, që na kanë falur kohë nga koha e tyre, duke i bashkërenduar ngjarjet dhe vitet, dhe kanë nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet e Kishës së Nolit, e cila bashkoi shqiptarët e Amerikës pa dallim feje e ideje. Karizma, aureola dhe trashëgimia e Kishës Noliane ndjehen ende sot në mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan, kombin e trojet shqiptare. Ne kemi qënë shpesh te Kisha e Shën Gjergjit, emërtuar kështu nga Imzot Noli në nderim të figurës së Gjergj Kastriot-Skënderbeut.

Kisha e Nolit mban derën hapur për shqiptarët e më gjerë, dhe ne kemi marrë pjesë shpesh jo vetëm në meshat e saj, por edhe në veprimtaritë përkujtimore me taban historik e kombëtar që kjo kishë mbart në misionin e saj. Madje pjesëmarrja jonë në aktivitetin e Kishës Orthodokse shqiptare në nderim të figurës së Prijësit dhe Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ku u përkujtua edhe 110 vjetori i krijimit të Kishës Autoqefale Shqiptare nga Fan Noli, nga ku ne kemi mësuar edhe për afreskun e bukur të Shën Angjelinës, të cilin për hir të së vërtetës mbase nuk e kishim vënë re më herët ndër vizitat tona aty. Mëgjithëse jemi në situatë karantimi nga koronovirusi ne gjithsesi u munduam të mësojmë më tepër rreth afreskut dhe jetës të Shën Angjelinës Shqiptare dhe se si u gjend afresku i saj në Kishën Autoqefale të Shën Gjergjit alias Kisha e Nolit në Boston. Nisur nga këto të dhëna ne kontaktuam fillimisht në telefon me studiuesen dhe kërkuesen shkencore në fushën e ndërdisiplinave,komunikimit ndërkulturor dhe edukimit ekologjik, Znj.Neka Doko, e cila për gati 17-ë vjet kujdeset për Bibliotekën e Kishës dhe ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të madhe dinjitoze në ruajtjen dhe katalogimin dixhital të Arkivës Noliane, besuar dhe vlerësuar nga Kancelari i Kishës, At’Arthur Liolini. 

Znj. Neka Doko duke bërë një retrospektivë të kishës na rrëfeu se:

 “Katedralja e Kishës së Shën Gjergjit Boston është blerë në vitin 1949-ë, dhe më herët ka qenë kishë katolike unitare. Në vitin 1950-ë filluan rinovimet brenda saj dhe u bënë ndryshime në afresket e mëparshme, por u ruajt krejtësisht fryma e kristianizmit. Altari ndryshoi komplet dhe u bë në modelin bizantin, ndërsa ikonat në pjesën ballore, si në asnjë kishë tjetër orthodokse janë të përkthyera në gjuhën shqipe, dhe dekoracionet me vlerë janë punuar nga mjeshtër Dhimitri, një nga shqiptarët e parë të mërguar në Boston. 

Kishëza thënë ndryshe “Dhoma e faljeve” (Chapel), u konceptua dhe u ndërtua për qëllime pagëzimi dhe memorial kujtese e të Shtunës së Shpirtrave. Në raport me këtë u rimodelua afresku komplet i ri, dhe u vendosën të gjitha afresket e 40 shënjtorëve të hirerakisë  orthodokse të miratuara nga Patriarkana Orthodokse e Konstandinopojës-e cilat sot njihet si Patriarkana Orthodokse e Stambollit, midis tyre edhe një grua shënjtore e quajtur Angjelina e Arbërisë. Sa herë vijnë vizitorë në Kishën e Nolit, i Përndershmi At’Arthur Liolini ndalet dhe i kushton vëmendje afreskut të Shën Angjelinës, më tepër se tek afresket e shënjtorëve të tjerë, dhe e komenton në mënyrë të vecantë personalitetin dhe figurën e kësaj Shënjtore dhe atë se cfarë thuhet e shkruhet nga historia e shenjtërisë shqiptare – përfundon bisedën studiuesja shqiptare, Znj. Neka Doko mjaft e njohur për artikujt e saj studimore e shkencore në frëngjisht, shqip e anglisht botuar në shtypin shqiptaro-amerikan e më gjerë. Gjatë këtyre dhjetra viteve në Amerikë, ne jemi takuar shpesh, kemi ndarë gëzime dhe hidhërime familjare, por edhe aktivitete të ndryshme me të Përndershmin At’Arthur Liolinin, origjina e të cilit është shqiptar, por i lindur dhe i rritur në Amerikë. Të parët e tij janë me origjinë nga Boboshtica e Korcës. Ai është një burrë i gjatë, i pashëm dhe fisnik, vecmas gjatë shërbesave kishtare i Përndershmi At’Arthur Liolin, me atë veshjen karakteristike të kishës, mbështjellë nga një mantel i verdhë rrezëllues, me zërin e butë, të ngrohtë e të përzëmërt që të mrekullon me shqipen e kulluar dhe me kulturë që flet, megjithëse është brezi i tretë i lindur në Amerikë. Ndër materialet studimore, shkencore, historike dhe të shenjtërisë rreth jetës së kësaj shënjtore me origjinë shqiptare, At’Arthur Liolini si gjithmonë i papërtuar për të na rrëfyer. 

“Po, është mëse e vërtetë,- e nis rrëfimin e tij,  At’Arthuri, -se te kisha jonë gjendet afresku kushtuar Shën Angjelinës. Afresku gjendet në kishëzën e vogël, sapo hyn në kishë, në krahun e djathtë. Me kërkesën e kishës, afresku është realizuar në vitin 1980-ë, nga një ikonograf me origjinë rumune që jetonte në Boston. Lartësia e afreskut 2.68m (10 feet), ndërsa gjerësia e tij është 1.26m (4 feet), dhe rrethohet nga një kornizë druri e punuar. Në të është shkruar diçitura në gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe; Saint Angelina Albania –Shën Angjelina shqiptare. Para figurës së saj, ne bëjmë pagëzimet në kishën tonë. Gjithashtu në atë mjedis, bëjmë edhe ditën e ikonës së saj”.

Më tej At’Arthur Liolini, kleriku dhe kancelari i shquar që vazhdon të mbajë ende gjallë traditën mikpritëse noliane na tregon edhe rreth jetës së Angjelinës së Arbërisë.  

“Shën Angjelina është bija e gjashtë e Prijësit Shqiptar Gjergj Arianit Komneni, motra më e vogël e Dukeshës Andronika (Donika) Kastrioti, bashkëshortes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ishte Skënderbeu ai që propozoi martesën e kunatës së tij, Angjelinës me një nga Prijësit orthodoksë

dhe strategjik të Serbisë, -Stefan Brancovich. Lidhje martesore që u mendua edhe për vetë gjenealogjinë princërore e të dyja principatave në Ballkan. 

Angjelina dhe Stefan treguan interes për njëri tjetrin dhe me bekimin e Skënderbeut dhe prindërve të Angjelinës ata u martuan. 

Sipas disa të dhënave më vonë Angjelina u mbyll në manastirin e Krushedol-it në Frushka Gora, Serbi, dhe ajo i qëndroi besnike dhe i lutej Zotit cdo ditë 

për paqe e dashuri mes njerëzve. Angjelina e Arbërisë ia arriti misionit të saj dhe u shenjtërua nga Kisha Orthodokse Serbe, madje edhe me miratimin e Hierarkisë më të lartë e Patriarkanës Orthodokse të Konstandinopojës, e njohur në ditët e sotme si Patriarkana Orthodokse e Stambollit me seli po në Stamboll, -theksoi At’Arthur Liolini. 

Ne kontaktuam edhe me Hirësinë e tij, Mitropolitin Ilia Ketrin, i lindur dhe i rritur në Amerikë, por që dy prindërit e tij janë me origjinë nga Sinica e Devollit. Duke iu referuar sa më sipër rrëfyen parafolësit, Metropiliti Ilia Ketri mes të tjerave  na rrëfeu se e përkujtojnë dy herë në vit te Kisha Orthodokse Shqiptare e Trinisë; në ditën e lindjes dhe në ditën e vdekjes së saj. Biles ai disponon edhe foto të Shën Angjelinës së Shqipërisë, sikundër e vlerësonte ai, dhe i ruan ende ato në librat e tij fetarë. Gjithashtu Ilia Ketri na sugjeroi të kontaktonim edhe me besimtarin veteran shqiptaro-amerikan, Aleko Dhimën, i cili psall te Kisha Orthodokse e Shën Trinisë dhe ka informacion të bollshëm për figurat e besimit orthodoks. Aleko na rrëfeu gjithashtu për figurën e Shën Angjelinës dhe ndër të tjera Aleko na tregoi se kur kishte qenë në Beograd disa vite më parë, ndjente keqardhje që nuk kishte mundur të vizitonte kishën orthodokse serbe, që mban ende emrin e shënjtores shqiptare. Disa besimtarë serbë i patën treguar Alekos për figurën e saj. Midis të tjerave ata i kishin thënë se: “Ajo ka ndihmuar së tepërmi njerzit e varfër, vecmas të moshuarit, etj. Varri i saj ndodhet te kisha që mban emrin e saj, sepse Shënjtorja Angjelinë ishte dhe është një urë miqësie midis serbëve dhe shqiptarëve. Janë popujt, kultura dhe besimi i tyre në Zot, që në  kundërshtim me politikën, ngrejnë urat e komunikimit dhe miqësisë mes tyre”. 

Ndërsa Konstandin Mosko, besimtar i devotshëm dhe 

lexues i historisë  së kishave na mundësoi fotot origjinale dhe aktuale të afreskut së Shën Angjelinës dhe të Kishës së Nolit, Boston, në  këtë situatë karantimi pandemie. 

Një urë e tillë miqësie, është edhe ky botim i pergatitur nga Znj. Zenepe Luka, Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora-Falaski”, për Shën Angjelinën, këtë figurë të shquar, e lindur në Shqipëri, por që eshtrat e saj prehen në Serbi. Me botimin e këtij libri studimor dhe historik, lexuesit dhe populli shqiptar do të njohin nga afër dhe larg bijën, shënjtoren e tyre, e cila për fat të keq nuk është e njohur në Shqipëri, për të mos thënë e njohur fare pak, ndërkohë ajo njihet nga Shqiptarët e Amerikës, jo vetëm nga besimtarët shqiptarë orthodoksë të Bostonit, por edhe më gjerë, nga besimtarë të fesë katolike, muslimane e bektashinj. Le të zerë vend midis shënjtorëve të tjerë në kishat dhe botimet tona, edhe Shënjtorja e Parë Shqiptare, Shën Angjelina e Arbërisë, – pas së cilës vjen edhe Shënjtorja e Madhe Shqiptare; NËNË TEREZA!

Raimonda MOISIU

Author Freelancer/Florida

Fuat MEMELLI

Kineast Gazetar/Boston 

SHBA

Filed Under: Featured Tagged With: Angjelina Araniti, Arthur Liolin, Fuat Memelli, Kisha e shen Gjergjit, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT