Nga Astrit Lulushi/Të gjithë jemi të rrethuar nga një mur kallamishtesh me rrënjë në moçal. Në sipërfaqe, kallami ngrihet i hollë, i gjatë, poshtë zhytet në baltë me rrënjët që zgjaten. Kushdo që ka provuar ndonjëherë të pastrojë një tokë kallamishte për t’a bërë pjellore, e di mirë se ç’ngjet; prerja është e kotë, kallami bëhet më i përhapur, më i ngjeshur; edhe për ta djegur shkëndija nuk mjafton, jo rrallë zjarri fillon me flakë.
Toka dikur mbulohej nga uji, pastaj u bë kënetë. Kur moçalet u thanë – me eshtra kundërshtarësh të burgosur – toka bujqësore filloi të zgjerohej. Kjo bëri të mundur jetesën. Por një gjë e çuditshme ndodhi; për më shumë se 70 vjet pasuria dhe mirëqenia gëzohen nga të njëjtët njerëz të tërhequr pas fitimit mashtrues që i bën të vetëkënaqur, ndërsa për pasojat e pangopësisë së tyre, askush nuk merr më përgjegjësi.
Këneta sot ndoshta nuk mund të shihet, por nuk do të thotë që nuk ekziston. Është ende atje, pak më thellë dhe më poshtë – si njeriu i vdekur në kohë virusi që varroset me nxitim – plot me ngjala e kallama, që kanë mbushur qeverinë e të angazhuar në përqafime po aq të rreme sa buzëqeshjet e tyre. Shkrimtarë, gazetarë, pronarë mediash, narcisistë, promovues të kulturës – të gjithë aty si ngjala të neveritshme që ngjasojnë me gjarpërinj dhe peshq dhe jetojnë në baltën e ushqimit të tyre – së bashku me pronarët e vërtetë të kënetës, kallamët, të vetmet lloje që nuk kanë nevojë për pleh, tokë të pasur ose ujitje për t’u rritur. Kallamët e gjatë dhe bosh brenda, janë mbretërit e vërtetë të kënetës….dhe të shtetit, duke përfshirë politikën, biznesin, sindikatat, arsimin, sportin ….gjithçka të rrethuar.