• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

GJENDET PROCES- VERBALI ORIGJINAL I PUSHKATIMIT TË DON SHTJEFËN KURTIT

May 14, 2020 by dgreca

Përmes një mesaszhi dërguar kryeredaktorit të Gazetës Dielli, z. Nikolin Kurti, nipi i martirit të Kishës, i lumi Don Shtjefën Kurti, informon se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva, ka gjetë proces-verbalin origjinal të I Lumi Don Shtjefën Kurti. Ja letra-mesazh:

I dashur miku im, Dalip Greca,

Fillimisht Ju uroj gjithë të mirat dhe shëndet në këto kohë të vështira të COVID-19.

Ju njoftoj se pas shumë kërkimesh nëpër arkiva gjeta proces-verbalin original të pushkatimit të I LUMI DON SHTJEFËN KURTI, që po ua bashkëngjis si foto.

.. Duke kujtuar ato momente të tmerrshme, kur natën, me duar e këmbë lidhur, vritet me plumb pas koke një plak 74 vjecar…Përfytëroj gjendjen e tij mendore dhe shpirtërore para vdekjes, të cilën e pranoi pa kërkuar mëshirë, as falje!

Natyrisht nuk kishte bërë asnjë gabim, asnjë faj, që të kërkonte falje, thjesht kishte pagëzuar një fëmijë, ndërsa besimi në Krisht nuk iu lëkund as para skuadrës së pushkatimit.

Në proces-verbal shkruhen dhe fjalët e fundit të Tij para se t’i merrnin jetën- Tre fjalët e fundit: Rroftë Kisha Katolike!- i japin lavdi të përjetshme atij, dhe na bën të ndjehemi krenarë ne familjarët e Tij ,dhe nderojnë Kishën Katolike Shqiptare.

Procesverbali është hartuar nga hetusi i Ministrisë së Brendshme Vangjel Kote, i cili ka pasë pranë edhe zv/Prokurorin e rrethit të Krujës Piro Suli, zëvendës kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës Ramiz Lalmi si dhe mjekun Asim Ylli.

Hetusi shkruan: në mbështetje të urdhërit të Ministrit të Brendshëm Nr. 3265/1 datë 25/9/1971, tërhoqa nga Reparti nr. 313, të dënuarin me vdekje Shtjefën Jak Kurti dhe e çuam në vendin e caktuar për ekzekutm.

  Atje zv/prokurori i rrethit të Krujës shoku Piro Suli i komunikoi të dënuarit me fjalë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ka refuzuar faljen e jetës dhe se do të ekzekutohet vendimi i Gjyaktës, pra duhej të thoshte fjalën e fundit.

Pas fjalës së fundit u krye ekzekutimi me pushkatim dhe pasi u vërtetua nga mjeku se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës.

Procesverbali u hartua në katër kopje dhe u firmos nga të pranishmit: Hetusi Vangjel Kote, zv/Prokurori Piro Suli,zv/Kryetari i degës së Punëve të Brendshme –Krujë Ramiz Lalmi dhe Dr. Asim Ylli.

Prokurori që ishte ngarkuar me procesin gjyqsor të Don Shtjefën Kurtit, dhe kërkoi dënimin e tij me vdekje, si dhe gjykatësi Jani Vasili që dha dënimin me vdekje, të penduar u kërkuan ndjesë familjarëve të Don Shtjefnit me shkrim, pasi iu këkrua nga nipi Nikolin Kurti.

Me kërkesë e Nikolin Kurtit, nipit të Don Shtjefën Kurtit, ish-prokurori Hajredin Fuga dhe gjykatësi Jani Vasili kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorën e tyre, me kërkesën e vetme që ato të publikoheshin pas vdekjes së tyre. “Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: ‘Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë’. Po ashtu edhe gjyqtari Jani Vasili. Pas vdekjes së tyre, Nikolini i bëri publike letrat e shkruara prej të penduarëve, me shkrim dore. 

***

KUSH ISHTE DON SHTJEFËN KURTI?

Sjellim për lexuesin e Diellit një shkrim të shkruar nga Don Lush Gjergji,publikuar në të përmujshmen fetare, kulturore të Kishës Katolike – ”Drita”.

Don Shtjefën Kurti – dëshmor i fesë dhe lirisë 

Nga Don Lush GJERGJI

Lajmi i pushkatimit të Don Shtjefën Kurtit ishte alarmi i parë në Evropë dhe në botë për gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar, të klerit katolik, të çdo njeriu në Shqipërinë komuniste enveriste. Ja si shkruante Ettore Petta: “Gazeta zyrtare e sundimit komunist shqiptar “Zëri i Popullit” vërtetoi lajmin mbi pushkatimin e priftit katolik Shtjefën Kurti, që qysh më parë e shpalli shtypi ndërkombëtar… Gazeta e Tiranës në një komentim mbi këtë ngjarje tejet të vështirë pohon se ky prift qe dënuar me të drejtë si “spiun, bandit dhe avanturist”. Shtjefën Kurti do të ishte anëtar i “një bande revizioniste” e financuar nga Vatikani, që së bashku me amerikanët dhe anglezët do të kishte projektuar rrënimin e regjimit komunist. Zëri i Popullit ka shtuar lidhur me këtë që “agjentet e Kishës katolike kanë përgatitur në Shqipëri “magazine armësh” dhe kanë organizuar “qendra për spiuniume”. Po ashtu sipas Zërit të Popullit Don Shtjefën Kurti ‘ka merituar këtë denim” (“Corriere della sera”, 6 prill 1973).

Agjencia katolike austriake “Kathpress” shkruan se Don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje sepse e pagëzoi një fëmijë në fushën e përqendrimit në Lushnje. Artikulli përfundon me këtë pohim: “Shqipëria është shpallur qysh në vitin 1967 shteti i parë ateist në botë”.

Kush ishte Don Shtjefën Kurti?

Ishte së pari dëshmor i fesë dhe lirisë, viktimë e ateizmit shtetëror, i cili u mundua ta vriste Zotin, por e vrau vetveten, popullin e pafajshëm, me përndjekje, mundime, gjykime, varfëri, ideologji, që do të mbesin në analet e turpit, padrejtësisë, urrejtjes, egërsisë, verbërimit dhe shkatërrimit, si edhe vetë komunizmi dhe ateizmi.

Don Shtjefën Kurti u lind në Ferizaj më 24 dhjetor 1897, në një familje të mirë dhe të njohur, e cila pati tetë fëmijë, nga prindërit Jak dhe Katarina lind. Tuna – Kurti. Qysh në fëmijëri pati një edukim të shëndoshë njerëzor, kombëtar dhe fetar. Shkollën fillore e kreu në gjuhën shqipe pranë famullisë katolike të “Engjëllit Rojës” në Ferizaj. Gjimnazin klasik në Shkodër, ndërsa studimet filozofiko-teologjike i filloi në Austri, por pas Luftës së Parë  Botërore, i vazhdoi dhe përfundoi në kolegjin dhe universitetin e famshëm “Propaganda Fide” në Romë. U shugurua meshtar në Romë dhe Meshën e Parë e kremtoi më 13 maj 1921. Së shpejti erdhi në vendlindje. Për një kohë punoi në zyre të ipeshkvisë në disa detyra të rëndësishme. Më vonë  vite me radhë ishte famullitar në Novosellë të Gjakovës (vendlindja e nënës së Nënës Tereze, Drane lind. Bernaj-Bojaxhiu). Përpos veprimtarisë së zellshme bariore, meshtarake, edukative, arsimore, ai së bashku me dy vëllezër meshtarë, Don Luigj Gashi (famullitar në Smaq) dhe Don Gjon Bisaku (famullitar në Bec), punoi ditë e natë, trimërisht dhe urtisht për ta mbrojtur popullin  shqiptar nga sulmet e gjithanshme diktatoriale serbe.

Kjo veprimtari iu ra në sy të gjithëve, popullit, por edhe sundimtarit, i cili në çdo mënyrë dhe mundësi ua kufizonte dhe pengonte çdo veprimtari kombëtare dhe fetare. Për ta ndriçuar deri diku kohën dhe rrethanat e veprimtarisë së tyre mjafton të përmendim vrasjen mizore të Atë Luigj Palaj (1913), Atë Shtjefën Gjeçovit (1929) dhe të tjerëve. Edhe këta tre klerikë ishin në shënjestër. Një herë haptazi një xhandar i ka thënë Don Shtjefën Kurtit kështu: edhe Ju do të përfundoni si Frati i Zymit!

 Kjo gjë jo vetëm se nuk i ka frikësuar, por u ka dhënë edhe më tepër vrull, zemër për ta mbrojtur popullin, e jo vetveten, si trima të vërtetë. Vite me radhë ata kanë mbledhur nëpër shumë vise dhe troje shqiptare shënime mbi maltretimet, keqpërdorimet, pësimet, dhuna ndaj popullit shqiptar. Këto materiale i kanë radhitur  në mënyrë sistematike në MEMORANDUM të njohur drejtuar Shoqatës apo Lidhjes së Kombeve, me seli në Gjenevë (1930) mbi këto tema të rëndësishme:mbrojtja e jetës, lirisë, të drejtës në pronë, përdorimit të gjuhës, shkollimit, fesë, kuptohet për të gjithë shqiptarët pa kurrfarë dallimi.

 Ky është dokumenti i parë, për fat të keq gjertani edhe i vetmi, mbi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.  Pas Luftës së Dytë Botërore, fati i Don Shtjefën Kurtit, si dhe i tërë popullit shqiptar, ishte mjaft i mjerë. Së shpejti qe burgosur dhe dënuar. Faji më i madh dhe i vetmi ishte ky: prift katolik shqiptar, atdhetar, dashamir i Zotit dhe i popullit. Mirëpo, si gjithmonë, edhe në këtë rast, Don Shtjefën Kurti nuk lëshoi pe:më mirë vdekja, martirizimi, se tradhtimi! Një herë jam përbetuar dhe gjithmonë jam i gatshëm këtë besë shenjte ta vulosi me gjakun tim! (Lexo: Drita, Ferizaj, nr. 3-4/1983, f. 8-9).

Burrëria, trimëria dhe besnikërisë e tij u pengonte edhe në burg, prandaj përgatiten kurthin: pagëzimin e një foshnje. Për ato  fjalë të shenjta fetare, të lashta dhe të shenjta edhe kulturore dhe kombëtare, si të parat të shkruara në gjuhën shqipe, prapë nga një prift shqiptar, qe dënuar me vdekje.  Populli thotë: trimëria dëshmohet në vështirësi. Don Shtjefën Kurti s’ kërkoi amnisti, falje, por me krenari e pranoi:e kam krye detyrën time meshtarake! Jam krenar dhe fatlum që po vdes martir!

Jeta dhe shërbimi i tij fetare dhe kombëtar u zbatua në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjaku i tij i begatoi analet edhe me një emër të shenjtë dhe martir. Shembulli i tij për shumë njerëz ishte dëshmi e gjallë e dashurisë, besnikërisë dhe pavdekësisë.

Kleri katolik shqiptar në çdo kohë është mishëruar me popull. Këtë më së miri e dëshmon dhe vërteton historia jonë: gjatë sundimit otoman, gjatë diktaturës në Jugosllavinë e vjetër tek ne, si dhe gjatë sundimit komunist dhe ateist, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë.

Në këtë varg historik Don Shtjefën Kurti ishte një dhanti e Zotit për popullin. Jetoi, veproi dhe vdiq për ideale të shenjta, të larta, për të cilat lypset jetuar dhe vepruar edhe ne, të gjithë vëllazërisht, së bashku. Martirët, dëshmorët, trimat lindin rrallë e nuk vdesin kurrë.

Papa Françesku e shpalli të lum në Shkodër, më 5 nëntor 2016, së bashku me Martirët Shqiptarë në krye me Imzot Vinçenc Prenushin

Filed Under: Emigracion Tagged With: Don Shtjefen Kurti, Leter Editorit, Nikolin Kurti

SI U GJUNJËZUA BELGJIKA NGA COVID-19

May 14, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli në New York e doktor Ramadan Jasharit, kardiokirurg në Bruksel, Belgjikë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

Kardiokirurg Ramadan Jashari Drejtor i European Homogeraft Bank (EHB) në Bruksel ka skanuar situatën e pandemisë botërore Covid-19 në shtetin e Belgjikës. Megjithë faktin se Belgjika ka një sistem shëndetsor shumë të sofistikuar sipas doktor Jasharit, si numri i të prekurve, ashtu edhe numri i viktimave, janë shumë të larta. Belgjika radhitet ndër vendet me morbiditet dhe mortalitet më të lartë në Botë. Kategoritë më të ekspozuar ndaj sëmundjes sipas doktor Ramadan Jasharit ishin personat me: sëmundje pulmonare kronike (bronkit kronik, astme bronkiale), sëmundje kardio-vaskulare kronike dhe rastet me dëmtim të zemrës, pacientët me dëmtim të veshkave dhe mëlçisë, ata me diabete të rëndë dhe personat me kancer apo ata me imunitet të suprimuar.

BELGJIKA E PUSHTUAR NGA COVID-19

Pandemia COVID-19 ka prekur shumë rëndë vendin ku unë jetoj dhe punoj. Deri sot janë prekur nga COVID-19 më shumë se 52.011 persona, që është numër i madh për një popullatë prej 11.500.000 banorësh). 8.521 kanë humbuur jetën gjatë kësaj periudhe. Është interesant se mbi 50% e të prekurve si dhe të viktimave nga COVID-19 ishin persona që jetonin në senoiri (qëndra për banim dhe përkujdesje) dhe në moshë të thyer (mbi 70 vjeç). Megjithë faktin se Belgjika ka nje sistem shëndetsor shumë të sofistikuar (qëndra të mjaftueshme hospitalore me reparte intensive moderne dhe me mjaft aparatura dhe personel), si numri i të prekurve, ashtu edhe numri i viktimave, janë shumë të larta. Belgjika radhitet ndër vendet me morbiditet dhe mortalitet më të lartë në Botë (pas Italisë, Spanjës, Britanisë së Madhe, Francës). Të gjitha kategorite moshore ishin të prekura, me një dominim diku 50% të kategorive mbi moshën 70 vjeçare. Pastaj, kategoritë më fragjile ndaj sëmundjes ishin personat me morbiditet të njohur kronik si: sëmundje pulmonare kronike (bronkit kronik, astme bronkiale), sëmundje kardio-vaskulare kronike dhe rastet me dështim të zemrës, pacientët me dështim të veshkeve dhe mëlçisë, ata me diabete të rëndë dhe personat me kancer apo ata me imunitet të suprimuar.

MASAT QË MORI QEVERIA BELGE

Prej fillimit të pandemisë, Belgjika u organizua në atë mënyrë që ndau qarkullimin e pacientëve COVID-19 nga ata me sëmundje tjera. Pra, Klinikat kishin dy shsrbime urgjente dhe dy lloj shërbimesh të pacientëve të hospitalizuar. Numri më i madh i shtretërve u vu në dispozicion të pandemisë. Gjatë tërë periudhës së pandemisë (edhe në këtë moment) vetëm diku rreth 55-60% të kapaciteteve hospitalore u okupuan me pacientë COVID-19. Nuk pati mungesë të respiratoreve e as të stafit medikal. Megjithatë, një numër i madh i personelit medikal dhe paramedikal ishte i prekur nga virusi (gjatë përkujdesjes për pacientet). Në Belgjikë ekziston një numër i madh i seniorive (qëndra për banim dhe përkujdesje për persona të moshuar). Me gjithë faktin se masat restrictive për lëvizje u implementuan shpejt dhe në mënyrë strikte, virusi depërtoi edhe këtu. Me një shpejtësi marremendëse përfshiu një numër të madhe të këtyre personave, që rezultoi me një numër shumë të madh viktimash në këto seniori. Nga numri i përgjithshëm i viktimave në vend (8521), 4041 janë nga këto qëndra, të tjerët kan vdekur në Klinika dhe në shtëpitë e tyre. Mirëpo, nga të gjitha rastet e vdekjeve në senioritë, vetem 20% janë të konfirmuar me teste e 80% janë raste “të mundshme” COVID-19. Pra, shifrat duhen marrë jo si raste absolutisht COVID-19 të konfirmuara. Një ndër shkaqet e munshme për numrat kaq të lartë të prekurve në Belgjike është se numri i personave të testuar ka qenë relativisht i vogël gjatë disa javëve të para, derisa pandemia nuk peëfshiu senioritë. Prej datës 7 prill është krijuar “Platforma Nacionale” COVID-19, kur fillon të rritet numri i testeve (prej diku 5.000 testeve në ditë deri në fund të Marsit kalon 20.000 teste në ditën nga data 7 prill). Mbi dy të tretat e testeve bëhen në seniori, e 1/3 nëpër Klinika. Një numër i madh i pacientëve me siptoma të lehta (pa indikacion për hospitalizim) janë kthyer në shtëpi me kusht që të “vetizolohen” dhe të marrin antiinflamatorë. Shumë prej tyre janë shëruar pa ndonjë konsekuence të rëndë. Disa të tjerë kanë patur evolucion jo të favorshëm dhe janë kthyer në Klinika për hospitalizim.

SHQIPTARËT NË BELGJIKË

Komuniteti shqiptar në Belgjikë numëron diku rreth 85.000-90.000 banorë, të cilët janë të integruar në bashkëjetesën belge. Kjo do të thotë se ata kanë mbulesë për kujdesin shëndetësor, spitalet, trajtimin medikal etj. Në këtë mënyrë është e vështirë të dihet se sa persona nga komuniteti shqiptar kanë qenë të prekur dhe sa kanë qenë viktima  të COVID-19. Nga kontaktet e mia me komunitetin, kam kuptuar për 4 raste, nga të cilët me tragjikja ishte vdekja e një gruaje rreth 60 vjeçare, e cila kishte patur hemoragji cerebrale dhe ishte pranuar në Klinikë në gjendje komatoze. Ky ishte edhe shkaku i vdekjes së saj. Megjithatë, i kishin bërë testin dhe kishte rezultuar pozitiv. Pra, ky rast dëshmon se, po të kishte më shumë teste, ndoshta numrat e të prekurve do ishin më të lartë se sa duken në këtë moment. Duhet theksuar se edhe një numër i madh i personelit mjeksor ka qënë i prekur nga pandemia, që ka patur ndikim në vështirësitë rreth organizimit të punës nëpër repartet COVID-19 dhe ato të tjerat (jo-COVID-19). Në Kliniken tonë rreth 20 mjekë dhe mbi 35 persona të tjerë (infemirë, personel ndihmës) ishin të prekur dhe të detyruar të largohen (përkohesisht) nga detyra, megjithë të gjitha masat mbrojtëse gjatë punës. Në Belgjikë kanë qenë të hospitalizuar nëpër të gjitha Klinikat e vendit 16.061 pacientë me COVID-19 deri më sot. Mirepo, më shumë se 13.201 janë liruar nga Klinikat si të shëruar. Në këtë moment më shumë se 2.555 vende në Klinika janë të okupuara me pacientë COVID-19, nga të cilët më shumë se 508 gjenden në Kujdesin Intensiv.

PERSONAT E RREZIKUAR DHE TRAJTIMI I TYRE

Sa i përket trajtimit, varet nga gjëndja e pacientit, është dashur të adaptohet edhe trajtimi. Pacientët e rëndë me vështirësi serioze respiratore, u trajtuan me ventilim artficiac, që do të thotë se duhen intubuar dhe duhet të mbahen në respirator gjateë disa ditësh deri disa jave. Të tjerët, trajtohen me terapi jo-specifike, si antinflamatore dhe dilataore bronkial. Natyrisht, me suport vitaminiash dhe ushqim kalorik. Ndërsa, sa i përket trajtimit specifik antiviral, deri në këtë moment nuk ka medikament të konfirmluar kundër Coronavirusit. Janë dhënë antimalarikët (Hydroxyxchloroquin, Chloroquin sulphate) si dhe antiviralet, si Remdesivir, i cili është sjellë në treg në kohën e epidemisë së Ebola-s në Kongo në 2018 dhe i cili kishte dhënë rezultate kontradiktore. Megjithatë, në fillim të pandemisë, disa qendra në Vuhan kishin përdorur Remdesivirin. Ekzistojnë disa publikimie me rezultate kontradiktore nga ajo priudhë. Megjithatë, në Belgjike Remdesivir konsiderohet si medikamente më i pranueshem dhe më efikas. Në Belgjikë këto ishin medikamentet principale. Deri në këtë moment nuk ka vaksine të testuar, edhe pse në Univesitetin e Leuven-it thuhet se vaksina është e gatshme. Por, akoma duhet testuar, gjë që do nevojiten edhe disa muaje derisa ajo të jetë e aksesueshme për tërë popullatën belge.

KUSH ËSHTË DOKTOR RAMADAN JASHARI

Kardiokirurg Ramadan Jashari – MD, FETCS, është Drejtor i European Homogeraft Bank (EHB) nga viti 2007 e në vazhdim. Aktiviteti kryesor i kësaj qëndre është evaluimi dhe përgatitja e valvulave kardiale dhe i vazove të gjakut për ti transplantuar nga dhuruesit te pacientët. Në këtë pozicion doktor Jashari punon që prej vitit 1997 dhe prej 2007 e udhëheq këtë Institucion. Aktiviteti bëhet jo vetëm në Belgjikë, por në shumë vende të Europës. Doktor Jashari është anëtar nderi i Asociacionit Europian të Bankave të Indeve dhe qeliva me origjinë nga njeriu (EATCB), ku ka qenë anëtar i Bordit 2007-2012 dhe President nga 2012 deri më 2015. Doktor Jashari është anëtar i këshillit botues si dhe “peer revewer” i revistës ndërkombëtare shkencore «Cell and Tissue Banking». Doktor Ramadan Jashari ka një aktivitet të ngjeshur kerkimor- shkencor, të cilin e ka zhvilluar si kirurg në Belgjikë e pastaj si kërkues shkëncor në Bankën Europiane të Homograftit. Ka prezantuar mbi 120 komunikime shkencore dhe mbi 20 posterë dhe ka botuar 56 artikuj shkencore në revista ndërkombëtare.  

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Vidio Conference në Karantinë me mësuesit dhe stafin e Shkollës Shqipe “Alba Life”, NY

May 13, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Duke biseduar brenda karantinave tona nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut me mësuesit dhe stafin e Shkollës Shqipe “Alba Life”, Ambasador i Kombit padyshim e pakësojmë dhe më shumë stresin në këtë kohë krejtësisht të pazakontë.

Në këtë periudhë pandemike botërore të mbyllur brenda mureve të ngurta medoemos që vëmendja jonë krahas familjes së ngushtë shkon dhe tek familja e madhe “Alba Life”.  

Këto ditë Qemal Zylo themelues dhe Drejtues i Shkollës Shqipe organizoi disa vidio conference me të gjithë mësuesit dhe stafin e shkollës në të gjitha lagjet e Nju Jorkut. 

Urimet e ndërsjellta për Ditën e Nënave vinin natyrshëm dhe çuditshëm se si ne uronim nga ekrani njeri tjetrin, të mbyllur më shumë se 40 ditë.  Pasi u informuam për shëndetin e të gjithëve, të mësuesëve, prindërve, fëmijëve, brenda mundesive ai paraqiti programin e punës që po zhvillon me nxënësit, prindërit dhe mësuesit, ndërkohë i ftoi për një bashkëpunim të ngushtë sipas kohës së tyre.

Shumë prindër kanë sjellë vidio përshëndetjeje për emisionin që është hapur enkas në kohën e izolimit nën titullin: “Përshëndetje Shqip nga karantina.”  Po ashtu dhe në TV “Alba Life” çdo të shtunë transmetohet program i posaçëm shqip për të gjithë nxënësit në Diasporë. 

Telefonatat e shumta falënderuese nga prindër të shumtë ka bërë që t’i pasurojmë dhe më shumë programet tona.  

Mësuesit folën me nostalgji të madhe për Shkollën Shqipe “Alba Life”, dikush dhe me lot ne sy tha se ju mungon shumë mësimi shqip.  Disa prindër na përshëndetën nga ekrani dhe me fëmijët e tyre, përshëndetje që na sillte veç gëzim dhe dashuri. Emocionuese ishte të dëgjoje përshëndetje dhe nga ish nxënës të Shkollës Shqipe si Steven dhe Kevin të cilët se harrojnë kurrë programin shqip.  Të gjithë mësuesit folën me pozitivitet dhe shpresojnë se do të fillojnë normalitetin. 

Lutemi dhe le të shpresojme së shpejti!

(dita e 44-t e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo

ÇFARË RENDI SHOQËROR DO TË KRIJOHET MBAS MBARIMIT TË
 SISTEMIT TË TASHËM QË U FORMUE MBAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
?

May 13, 2020 by dgreca

Nga Jonathan Markus/
Përktheu për Diellin Gjon Kadeli/
Ishte lufta, që ma shumë se çdo gja tjetër, i dha formën sistemit të tashëm.
Fitorja në Europë, ishte e qartë se nuk ishte faza përfundimtare e
luftës, sepse në Japoni nuk kishte përfunduar. Por megjithë këtë, ishte
një hap i madh përpara që krijojë kushtet e domosdoshme dhe përfundoi
në krijimin e një sistemi të ri botnor.
Shtetet e Bashkuame mbas përfundimit të luftës, si fuqija ma e madhe
ushtarake botnore, sepse e fituan garën me Moskën, për zhvillimin e
armëve bërthamore, kështu që u banë një fuqi strategjike botnore.
Megjithë këtë, mbrenda një kohe të shkurtë edhe Rusët i zhvilluan
armët bërthamore. Vendimi i tyne për të mbajtë nën kontroll pjesën ma
të madhe të Europës Lindore, u dha fund disa shpresave ma ambicioze,
për një sistem botnor ma pak ballafaques. Kjo gja shkaktoi krijimin e
Aleancës Ushtarake të Atlantikut Verior (NATOS), dhe siÇ dukej një
lidhje të përhershme ushtarake e diplomatike ndërmjet Shteteve të
Bashkuara dhe Europës Perëndimore. SiÇ e vuni në dukje përpara disa
ditësh gazetarja edhe historiania  Anna Applebaun “Kjo gja krijon iden
në perëndim për krijimin e një sistemi të bazuar në vlera e në ide, e
jo vetëm në çështje kufijsh” Ajo Shtoi se “Shumë pak kishte mbetur nga
struktura ndërkombtare e institucioneve dhe si rrjedhim kuptohet, në
mënyrë të ndërgjegjshme, edhe më tepër se më 1919, se ishte e
nevojshme për të krijue një rend botror nga gërmadhat e luftës.”
Krijimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte suksesi i parë
themelor. Mandej në Bretto Woods, u krijua sistemi ekonomik domethanë
Banka Botrore dhe Fondi Monetar Ndërkombtar.Britania e Madhe pati një
ndikim në shumicën e këtyre veprimeve, por Shtetet e Bashkuara luajtën
rolin vendimtar.
Pothuejse Çdo institucion ndërkombtar varej me interesin e Shteteve
të Bashkuara dhe në përkrahjen për themelimin e tyne. Nga ky sistem që
u dominua nga Perëndimi pati një zhvillim gjatë vjeteve 1950-1960-të.
Ky sistem i bazuar në rregulla, gjendet tashti nën një shtypje të
vërtetë, sepse vlerat e tij themelore janë duke u ndryshuar në mënyrë
shumë të dukshme. Këtë gja e vërteton edhe fakti se kjo gjë është
pjesë e lajmeve të përditshme.
Arsyeja për këtë gja asht fuqizimi Kinës.Zhvendosja e fuqisë ekonomike
në Azi dhe në Lindjen e Largët, asht rritja e tendencës popullore edhe
në shumë vende demokratike perëndimore. Për shembull shif grindjet
(tensionet) e qarta në NATO, të shkaktueme nga Presidenti  Trump që vë
në dyshim vlerën e saj për Uashingtonin dhe rritjen e qeverive
autoritare në vendet antare të Aleancës si Turqia dhe Hungaria.
Anna Applebaum ka vu re se në Shtetet e Bashkueme ka një tendencë
izolimi në politikën e jashtme, e cila po dominon Partinë Republikane.
Ajo shton se ka një dobsim në sistemin e vlerave perëndimore dhe në
brezin e ri të popullsisë, gja që do të thotë se, pak nga politikanët
kanë njohuni rreth fazes fillestare të mbas luftës. Një problem tjetër
asht edhe mungesa e njohjes së historisë së përkohshme.
Kina nuk doli në skenë kohët e fundit. Ajo në të vërtetë ishte një nga
antarët fillestare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve
të Bashkueme. Shtetet e Bashkueme kishin një preokupim për
Kinën, përpara dhe mbas luftës. Tash kjo gja nuk kujtohet shumë, por
megjithë këtë Shtetet e Bashkueme e kanë shikue Kinën parakomuniste si
një fuqi madhore për botën e re, dhe një vend që natyrisht do të
kundërbalancojë perandoritë e vjetra Britaninë e Madhe dhe Frncën. Kjo
ishte arsyeja sepse Shtetet e Bashkueme u shqetësuen aq shumë kur ato e
humbën Kinën të komunistët më 1949. Ky shqetësim vazhdoi deri më 1972,
dhe tash mund të kthehet prap mbrapa tuej krijue njëfarë humbje
iluzioni rreth rrolit të Kinës në botë.
Simbas Michael Clark dobsimi i Uashingtonit asht ma shumë e simtome se
sa një arsye për marrjen fund të sistemit të mbasluftës. Megjithë
këtë, ai beson se Uashingtoni tash asht tuej shpejtue përpjekjet  për
ti dhanë fund këtij rendi. Ai shton “rendi i ri” që po vjen “asht i
bazue në faktin e thjeshtë, se ma shumë se gjysma e pupullsisë botnore
tashti banon në zonën që përfshinë Indinë, Kinën dhe Azinë Juglindore”
Kjo gja përcakton gjeografinë ekonomike të botës, dhe kjo, si
rrjedhim, me kohë, vetëvetiu krijon fuqi politike kombtare, dhe kështu
edhe një strukturë politike ndërkombtarë.
Atëherë, çfarë, nëse ndonjë gja do të ndryshojë si rrjedhim i krizës që
shkaktoi Covid-19? Michael Clark argumenton se bota pas-pandemike do
të quhet “qindvjetshi Aziatik”. Por ndikimet, ka shumë gjasë të
krijojnë disa shregullime të theksueme, për dhjetëvjetshin e
ardhshëm.Në këtë pikpamje “Kina do të pësojë një humbje afatgjatë mnga
kjo krizë, si në reagimet politike, se si e trajtoi problemin, si edhe
për problemet e brendshme si rrjedhim i gjendjes së krijueme.”
Sigurisht asht e parakohshme me ba një vlersim rrajsor, se si do të
duket sistemi ndërkombtar mbas Covid-19Mund të thuhet se dëshira për
shërbim publik dhe solidariteti qe u tregue gjatë Luftës së Dytë
Botnbore, që bani të mundun krijimin  e rendit të ri të mbas luftës,
do të ishte një gja shumë e mirë që të ngjante, por fatkeqsisht, të
gjitha shejet tregojnë, se një gja e tillë nuk do të ngjajë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çfare Sistemi shoqeror, do te kete Bota, Gjon kadeli

Vuajtësi i Drejtë

May 13, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
‘Lart’ e ‘Poshtë’ tregojnë se të ngjitesh është mirë a gëzim; të zbresësh është keq ose vuajtje. Majat e maleve shënojnë kufijtë e tokës me qiellin, dhe ultësirat, kufijtë e tokës me nëntokën. Historia e njerëzimit është rrugë humbjesh e suksesesh, me të qara e të qeshura, që kalon nëpër vargmale. Sa herë që një gjë arrin kulmin, njeriu çlirohet dhe vazhdon udhën, poshtë dhe përsëri ngjitje. Nga një ankth i tillë lindi një ide e re.Njerëzit dolën me një koncept të tmerrshëm: mëkatin – shumë i ndryshëm nga mëkati i sotëm – nuk ishte koncept moral, pasi nuk merrej me sjelljen e një personi, por bëhej fjalë për ndonjë gabim që mund të kishe bërë gjatë një rituali, që e bënte Zotin të ndjehej i çnderuar dhe ky të ndëshkonte përmes forcës të tij – një lloj policie e shtetit. Njeriu as nuk mund t’a kuptonte që kishte gabuar, por ishte frika se mund të kishte gabuar që krijonte ankthin; se nëse goditesh nga fatkeqësia, kjo ndodh sepse kishe kryer shkelje kundër një Perëndie; nëse shtëpia përfshihej nga stuhia a shembej nga tërmeti, ishte faji yt. Dënimi ishte provë e fajit. Nëse dikush goditej nga fati i keq, shpresa e vetme ishte që me nështrim a servilizëm të fitonte mbrojtjen e zyrtarit që ky të ndërhynte pranë Perëndisë a kryetarit. Ishte si të japësh ryshfet për të thirrur policinë të hetojë krimet e tua.Poezia “Vuajtësi i Drejtë”, është shkruar rreth vitit 1500 pes, në Mesopotami nga Shubshi-meshre-Shakkan. Autori vuan, por ai nuk e di pse. Ai ka qenë besnik në të gjitha detyrat e tij ndaj perëndive, dhe spekulon se mbase ajo që është e mirë për njeriun është e keqe për perënditë dhe anasjelltas.Poema është gjetur e shkruar në katër pllaka guri dhe botuar për herë të parë më 1960. Emrat alternative për poezinë përfshijnë: Righteous Sufferer ose the Babylonian Job.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT