• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

JO-NË EMËR TË POPULLIT!

May 10, 2020 by dgreca

Nga Sadik ELSHANI*/ Siç duket për një pjesë të shoqërisë kosovare, dhe asaj shqiptare në  tërësi, përfshirë këtu edhe institucionet shtetërore, ende po është e vështirë që të largohen (distancohen) nga e kaluara komuniste. Kjo po manifestohet me vazhdimsinë  e disa praktikave, disa shprehjeve çoroditëse, demagogjike të asaj periudhe të errët nëpër të cilën kaloi kombi ynë. Është e pakuptimtë që disa shprehje, thirrje absurd të përdoren edhe sot, 30 vite pas shembjes së sistemit komunist. Këto ditë duke lexuar një artikull në gazetën KOHA.net (29 prill, 2020) që bënte fjalë për dënimin me gjyq të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, nga Partia e Ashkalinjve, e pashë të bashkangjitur edhe kopjen e aktgjykimit, vendimit gjyqesor. Ajo që më habiti ishte se në fillim të këtij aktgjykimi qëndronte shprehja e shkruar me shkronja të mëdha: NË EMËR TË POPULLIT.

Është kjo shprehje, parullë që kur e dëgjon duhet t’ia rrëqethe trupin çdo shqiptari. Me këtë parullë në gojë janë burgosur, interenuar, pushkatuar shumë shqiptarë të pafajshëm. Janë shkatërruar me mijëra familje, jetëra të pafajshme – është shkatërruar një popull i tërë. Kjo shprehje është përdorur me djallëzi nga sistemi komunist për t’i ikur përgjegjësisë, për t’i hedhur popullit hi syve, për t’i përligjur krimet e tyre se, nuk po të dënojmë ne, por populli. Lista e krimeve të kryera në emër të popullit është e gjatë dhe e dokumentuar mirë, prandaj nuk është nevoja që t’i ripërsërisim në këtë shkrim të shkurtër. Populli kurrë nuk e ka autorizuar askënd që të flasë në emër të tij, lëre më që të kryej krime makabre në emër të tij dhe kundër tij.

Populli nuk e dënon dhe nuk mund ta dënojë askënd, por ligji. Prandaj kjo shprehje duhet të largohet njëherë e përgjithmonë nga aktgjykimet, praktikat gjyqësore, sepse nganjëherë e besa edhe shpesheherë, drejtësia po bën edhe lëshime, po jep gjykime jo të drejta, po e shtrembëron procesin gjyqësor. Besoj se populli nuk do të pajtohej kurrsesi me këto praktika gjyqësore, padrejtësira. Nuk ma merr mendja se kjo shprehje përdoret në aktgjykimet e ndonjë shteti demokratik. Sa për kurreshtje e bëra një kërkim në Google për të njëjtën shprtehje në gjuhën serbokroate: U ime naroda (Në emër të popullit), vetëm për të parë se a është duke u përdorur ende në ndonjë shtet tjetër, ish republikë të Jugosllavisë: Ende ishte duke u përdorur në Serbi.

Të mos përdoret emri i popullit vend e pa vend dhe të mos manipulohet me emrin e popullit për t’i fshehur padrejtësitë, vendimet e gabuara, paaftësitë e gjyqtarëve, trupit gjykues. Është shumë e thjeshtë: qytetarin në gjykatë e dënon. e gjen të fajshëm, apo të pafajshëm, gjyqtari, ligji (n’Amerikë, juria e përbërë nga qytetarët e zakonshëm). Thjesht të thuhet: je i paditur në bazë të këtij e atij ligji dhe pastaj gjatë procesit gjyqësor të dëshmohet fajësia, apo pafajësia. Po ashtu, pas procesit gjyqesor të merret vendimi në bazë të ligjit, nenit përkatës dhe jo: NË EMËR TË POPULLIT. Mjaft është keqpërdorur emri i popullit!

Philadelphia, 10 maj, 2020

*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sadik Elshani

Mirësi ndriçimi…

May 10, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Njeriu duhet të kujdeset vetë për veten. Kujdesi i ofruar nga të tjerët është agresion që kërkon dorëzim, humbje, barazim a sheshim, bashkim me rrënojat. Kështu sunduesi mund të arrijë qëllimin për t’a shfrytëzuar për jetë, sepse kur merret një gjë, ajo kthet me dhimbje ose nuk kthehet fare. Në kontratën origjinale, shteti dhe njeriu (populli) janë të barabartë – atëherë pse shteti sot rëndon a dikton mbi njerëzit? Sepse është i pandershëm. Sa shumë fuqi e pasuri ka grumbulluar në duart e tij, duke marrë e mashtruar, rrëmbyer e vjedhur…dhe kërkon të marrë. Çdo mendim, çdo vendim, çdo veprim përcakton jetën. Asnjë filozof tjetër i madh nuk ka qenë aq i fiksuar pas jetës sa Sokrati. Megjithatë, ai zgjodhi të mos përpiqej t’a shpëtonte jetën e tij, kur me siguri mund ta kishte shpëtuar. Sipas Platonit, i cili ishte në sallën e gjyqit në atë kohë, Sokrati u tha gjykatësve – “…gaboheni nëse mendoni se njeriu duhet ta kalojë kohën duke peshuar perspektivat e jetës dhe vdekjes. Ai ka vetëm një gjë që duhet të marrë në konsideratë: nëse është duke vepruar mirë ose keq”. Sokrati kishte një sens humori që ndonjëherë shfaqej si zgjuarsi, ndonjëherë si ironi. Mendimet i shprehte me alegori e analogji. Besimi i tij nuk konsistonte në mbështetje ose shpresë të verbër, por në përkushtimin ndaj arsyes argumentuese. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai hynte në debat si njeriu që nuk di asgjë për të arritur tek e vërteta. Kaq i çuditshëm ishte Sokrati. Një natë pas darkës, një i ri që kishte qenë në shërbim ushtarak me Sokratin rrëfeu se një mëngjes Sokrati duke parë lindjen e diellit, ra në mendime. Erdhi mesdita dhe Sokrati vazhdonte i humbur në mendime….deri në mbrëmje e gjithë natën….deri mëngjesin tjetër….dhe pasi tha lutjet drejtuar diellit, u ngrit e iku.Sokrati nuk la gjë të shkruar, as çfarë mendoi rreth lindjes së diellit. Ai nuk la të shkruar qoftë edhe një rrjesht, jo vetëm se papiruset që vinin nga larg kushtonin, por se ai bënte gjithmonë pyetje. Platoni, nxënësi i tij, shkroi praktikisht gjithçka që dihet sot rreth tij. Kjo sugjeron që Sokrati nuk dinte as të shkruante – dhe kështu, mbase – as të lexonte.Platoni thotë se me analogjinë e diellit, Sokrati donte të thoshte se edhe mirësia ndriçohet kuptueshëm nga e vërteta e cila bën të mundur që njerëzit të kenë njohuri. Gjithashtu, pasi aftësia e syrit për të parë bëhet e mundur nga drita, kështu edhe aftësia për të njohur mundësohet nga e vërteta e mirësisë. Sokrati përdori Analogjinë e Diellit si themel të mendimit që pasoi me Alegorinē e Shpellës, ku njeriu në fakt është ashtu siç duket, i lidhur – dhe jo i lirë, siç pretendon se është.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mirësi ndriçimi

Maks Velo, in memoriam

May 10, 2020 by dgreca

Nga Sokoll Paja/

Ikja e Maks Velos në botën e përtejme do të thotë një mendje e lirë më pak në planetin e mëndjeskllevërve. Te ky njeri i revoltuar pasqyrohej jo vetëm drama njerëzore e persekutimit pa faj por edhe post drama e dalë nga burgjet e persekutimi i egër nga xhelatët e diktaturës. Endej rrugëve me hijen e tij dhe surretërit e atyre që e kishin persekutuar e që i shfaqeshin si hije te zeza kudo në kryeqytet. Me ikjen e Maks Velos ikën jo vetëm kujtimi i bashkëvuajtësve të tij, por humbet shumë dhe memoria e gjallë e muzeut të krimeve, vuajtjeve e persekutimit në regjimin diktatorial. Me ikjen e Maks Velos xhelatët në Ministri të Punëve të Brendshme, Ushtri, Hetuesi, Vetting apo kudo tjetër ku zëri tij ishte kritik, fërkojnë duart si çlirim nga një njeri i hapur dhe kritik. Maks Velo ishte një zë i fortë dhe dëshmitar okular që dëshmoi kundër tyre gjersa iku nga kjo botë. Ai ishte ndër ata njerëz të veçantë që nuk u dorëzua kurrë dhe nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin dhe as me pasardhësit e tyre. 

Maks Velo luftoi dhe denoncoi sa mundi trashëgiminë komuniste, këtë mallkim 30 vjeçar në kapilarët e shtetit të brishtë post-komunist. Xhelatët ndjehen më të çliruar, ndërsa, të përsekutuarit e regjimit komunist vazhdojnë edhe sot të jenë pa trajtimin, respektin dhe dinjitetin për qëndresën, vuajtjet dhe jetët e humbura padrejtësisht në diktaturën komuniste. 

Maksi u ndëshkua dhe u dënua nga regjimi pse tha të vërtetën, i cili u konsiderua rebel i partisë. Ai shte rebel i lindur. Nana parti donte veç njerëz të bindur e servilë, të pa dinjitet e identitet por Maks Velo nuk ishte i atillë. Ndaj dhe Maksi e pagoi shtrenjtë dhe u dënua si liberal në një sistem asfiksues ku edhe të drejtën për oksigjen duhej t’a merrje te Partia shtet. Po ashtu Maks Velo ishte një arkitekt e piktor mendjendritur dhe me ngjyra në zymtësinë e territ politik të elitave grabitqare të betonit që ndërrojnë postet tash 30 vjet. Në komunizëm, Maks Velon e rrahën, e torturuan, e zhveshën nga gjithçka, i morën çdo gjë që ai kishte, por shpirti i tij luftarak për liri mbijetoi, edhe pse e pagoi me kosto të lartë. Ai u tradhtua dhe u mohua si profetët në Bibël. Se diktatura për ta besuar dëshminë e bashkëpunëtorit të sigurimit, syrin vigjilent dhe revolucionar të Partisë e gjente sa më afër objektit në survejim.

Maks Velo ishte një mendje estetike, në kaosin e mëndje-betonit të parisë drejtuese të menaxhimit dhe administrimit të kryeqytetit dhe qëndrave urbane në Shqipëri.

Maks Velo ishte një zë kritik dhe i fortë përballë tufës unike të lëpirjes ndaj pushtetit. Tragjizmin e një jete të humbur por me dinjitet e integritet njerëzor Maks Velo e përmbyll me sentencën e dorëzimit të “Klubi i Karavastasë”: “Idealistët e ndershëm nuk duhen, janë të vetmit që dalin të humbur”. Gjatë diktaturës, Maks Velo pabesisht humbi shumë, si kohën, rininë, dashurinë, karrierën e shumë të tjera nga jeta, por ai, ia arriti qëllimit, fitoi shpirtin, idealet dhe lirinë prej rebeli.

Të qoftë dheu i lehtë,Maks Velo!

Filed Under: ESSE Tagged With: Sokol Paja

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli liri për mbarë Evropën

May 10, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli

Këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë u shënua 75-vjetori i mbarimit të Luftës së Dytë Botërore me ceremoni të posaçme dhe me fjalime e deklarata të veçanta nga udhëheqës botërorë, individualisht dhe së bashku, përfshir përshëndetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili me një video mesazh shënoi 75-vjetorin e fitores së aleatëve në Evropë, në Luftën e Dytë Botërore, duke falënderuar forcat aleate, të cilat si pjesë e NATO-s, tha ai, vazhdojnë të luajnë një rol kritik në përballimin e sfidave të sigurisë, përfshirë pandeminë Covid-19. Por një deklaratë e përbashkët, me këtë rast, që veçanërsisht më tërhoqi vëmendjen  me këtë rast është deklarata e lëshuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo së bashku me 9 homologë evropianë – ministrat e jashtëm të 9 vendeve ish-komuniste:  Bullgarisë, Republikës Çeke, Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Pasi nuk e pashë të reflektuar askund në median shqiptare këtë deklaratë shumë me vend të përfaqësuesve të lartë të këtyre vendeve ish komuniste, vendosa ta pasqyroj me këtë shkrim modest për më tepër, për faktin se deklarata në fjalë më bëri të pyes veten: Po pse nuk është Shqipëria nënshkruese e kësaj deklarate së bashku me vendet simotra ish-komuniste por edhe si anëtare aktuale e organizatës së Atlantikut Verior, NATO. A është e mundur që Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste të Evropës konsideron se fitorja mbi nazismin në të vërtetë solli lirinë për Shqipërinë dhe se në parim ishte kundër deklaratës? 

Janë pyetje këto që dikush duhet të ia bejë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Por le të vazhdojmë me përmbajtjen e deklaratës së nënshkruar nga përfaqësuesit e lartë të 9 vendeve ish-komuniste evropiane dhe Sekretari Amerikan i Shtetit.

Shefat e lartë të diplomacisë së këtyre 10-vendeve aleate, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot të gjitha anëtare të aleancës ushtarake NATO në 75-vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botëroreme deklaratën e tyre të përbashkët–kujtuan viktimat dhe të gjithë ushtarët të cilët luftuan për të mundur Gjermaninë naziste dhe për t’i dhënë fund hollokaustit. https://www.state.gov/joint-statement-on-the-75th-anniversary-of-the-end-of-the-second-world-war/

Por, përfaqësuesit e lartë të 9 vendeve ish-komuniste, së bashku me Sekretarin Amerikan të Shtetit, shkuan më larg kësaj radhe dhe kujtuan, njëkohësisht, duke deklaruar se mbarimi i luftës nuk solli lirinë, për një pjesë të madhe të vendeve të kontinentit evropian.  “Ndërsa Maji i vitit 1945 solli mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë, mbarimi i luftës, në të vërtetë, nuk solli lirinë për të gjithë Evropën.  Pas luftës, pjesa qëndrore dhe lindore e kontinentit mbetën nën regjimet komuniste për pothuaj 50-vjet”, shkruajnë ata në deklaratën e tyre.  “Shtetet Baltike ishin okupuar dhe aneksuar ilegalisht ndërsa Bashkimi Sovjetik ushtroi kontroll të tmershëm mbi vendet e tjera të robëruara nga komunizmi, duke përdorur forcën e madhe ushtarake, shtypjet dhe kontrollin ideologjik”.

Shefat e diplomacisë së këtyre 10-vendeve theksojnë gjithashtu në deklaratën e tyre se, “Për shumë dekada, një numër i madh evropianësh nga Evropa qëndrore dhe lindore sakrifikuan jetën e tyre duke luftuar për liri, ndërkohë që miliona të tjerëve iu mohuan të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nën tortura të tmershme dhe shpërnguljes të detyruar.  Shoqëritë pas perdes së hekurt, të deshpëruara nga mungesa e lirisë nën komunizëm, kërkonin me çdo kusht rrugën e demokracisë dhe të pavarësisë” për vendet e tyre vasale të ish-Bashkimit Sovjetik, nënvijojnë ata, ndër të tjera, në mesazhin e botuar dje me rastin e 75-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndër përpjekjet e vendeve ish-komuniste për liri e demokraci, ata përmendin në deklaratën e tyre ngjarjet e vitit 1956 në Hungari, themelimin dhe veprimtaritë e Kartës 77 në Çekosllovaki, Lëvizjen Solidarnoshq në Poloni, Vjeshtën e Kombeve të vitit 1989 dhe më në fund shembjen e Murit të Berlinit, si ngjarjet më me rëndësi që kontribuan shumë në rivendosjen e lirisë dhe të demokracisë në Evropën Lindore dhe Qëndrore. 

Në deklaratën e tyre të forte dhe të jashtëzakonshme, ata shfaqin besimin e përbashkët në liri dhe demokraci, duke thenë se, “Sot jemi duke punuar së bashku për një Evropë të fortë dhe të lirë, ku respektohen dhe zbatohen të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit.  Udhëheqsit e lartë të 9 diplomacive evropiane dhe asaj amerikane paralajmërojnë nostalgjikët e komunizmit dhe të gjithë ata që përpiqen, gjithnjë, madje edhe pas 75 vjet më vonë, të falsifikojnë faktet e historisë: “E ardhmja duhet të bazohet në faktet e historisë dhe në drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare. Ne jemi të gatshëm për dialog me të gjithë ata që janë të interesuar të ndjekin këto parime. Manipulimi i ngjarjeve historike që çuan në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe në ndarjen e Evropës pas luftës, përbën një përpjekje shëmtuese për të falsifikuar historinë”,  deklaruan 10 ministrat e jashtëm evropian të (Bullgarisë, Republikës Çeke, Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë) dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Zyrtarët e lartë e përfundojnë deklaratën e tyre duke u bërë thirrje dhe duke u kujtuar, “Të gjithë antarëve të komunitetit ndërkombëtar se siguria, stabiliteti dhe paqja e përhershme ndërkombëtare, nevojitin zbatimin e vazhdueshëm dhe serioz të ligjeve dhe normave ndërkombëtare, përfshir sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve.  Duke marrë mësim nga leksionet mizore të Luftës së Dytë Botërore, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet me ne, ashtuqë vendosmërisht të hedhim poshtë konceptin e sferave të influencës dhe të këmbëngulin për barazi midis të gjitha shteteve”, mbyllën ata mesazhin e tyre, me rastin e 75-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Unë nuk e di se pse Shqipëria nuk është njëri prej vendeve nënshkruese të kësaj deklarate.  Duhet pyetur Kryeministri Rama, në rolin e tij edhe si Ministër i Jashtëm ose Ministrin e Jashtëm në detyrë, se pse Shqipëria nuk është njëri prej vendeve ish-komuniste evropiane, që duhej të nënshkruante këtë deklaratë. Shqipëria ndanë ketë histori të 75-viteve më parë me Evropën dhe sidomos me këto shtete evropiane ish-komuniste, të cilat u shkelën keq nga çizmja e rendë e komunizmit, por të cilat nepërmjet ministrave të tyre të punëve të jashtëme, nënshkruan dje këtë deklaratë me rastin e 75-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Por në Ditën e Evropës, 2020, Shqipëria, fatkeqësisht, nuk është ende me Evropën.  Mos vallë Shqipëria ende nuk i sheh vlerat e përbashkëta  siç janë paqa, liria, demokracia,të drejtat bazë të njeriut, toleranca e tjera  me sytë e Evropës, e sidomos historinë e 75-viteve të kaluara, jo se jo?  A nuk beson Shqipëria e sotme ashtu siç mendojnë 9 vendet ish-komuniste nëpërmjet zyrtarëve më të lartë të këtyre diplomacive evropiane dhe asaj amerikane, se e “ardhmja duhet të bazohet në faktet e historisë dhe në drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare”?  Në Ditën e Evropës, 2020, a është Shqipëria në gjendje të shpreh gatishmërinë e saj për bashkpunim me vendet e tjera evropiane për një Evropë të fortë dhe të lirë, ku respektohen dhe zbatohen të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit?

30-vjet pas shembjes së komunizmit, a është Shqipëria gati të trajtojë viktimat e komunizmit me të njëjtin respekt për ta siç ka bërë e mbarë Evropa?  Viktimat e komunizmit të Enver Hoxhës, megjith pafajësinë e tyre, nuk kanë kërkuar kurrë hakmarrje për vuajtjet e tyre, por sot në Ditën e Evropës, 2020 ndihen të zhgënjyer me klasën politike shqiptare të tre dekadave të kauara.  Të vetmen gjë që ata kërkojnë është që të mos harrohen ato vuajtje dhe që sipas deklaratës së 10-ministrave të jashtëm të 9 vendeve ish-komuniste dhe Sekretarit amerikan të shtetit, që e kaluara dhe e “ardhmja të bazohen në faktet e historisë dhe në drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare”?  Këtë e shprehi më së miri në një komunikim me mua sot, mbi këtë çështje, ish-i burgosuri dhe i ish i përndjekuri i regjimit komunist dhe fashist në Shqipëri, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan, Z. Sami Repishti, i cili megjithse vuajti nën komunizëm dhe fashizëm, ai prapseprap  në shpirtin e tij human  i falë ata që e persekutuan dhe e burgosën, vetëm e vetëm se kishte pikëpamje ndryshe për një të ardhme më të mirë për vendin e vet.  Profesor Repishti duke kujtuar viktimat e komunizmit dge zhgënjimin e tij shprehet kështu:

“Frank — Kurrë nuk harroj fjalën e Jezusit që mbas të gjitha torturave deklaroi:” O Zot fali, sepse nuk dinë çka bajnë!”  Ate që kuqalashet na kanë ba ne dhe te gjithe kombit shqiptar, nuk shlyhet as me nji gjyq të Nurernbergut as edhe me njiqind.  Por duhet mendue se çka bahet mbas saj.  Fitorja ma e madhe e anës sonë, të persekutuemve, ashtë fakti moralisht ma i naltë: refuzimi i hakmarrjes.  Kështu na krijueme premisat e nji pajtimi permanent.  U zhgenjyem! Ajo që na deshpëron ashtë mosdhanja e llogarisë për krimet monstruoze që kemi pësue. Zoti i shpërbleftë vuejtet e lotët tona. Amen!  Sami”

Vazhdojë të bëjmë pyetjen: kur do të ngrihet Shqipëria në nivelin moral të ish-përndjekurve të pafajshëm të regjimit komunist, si Profesor Sami Repishti. Kur, më në fund, Shqipëria do të pranojë “faktet e historisë dhe drejtësi për viktimat e regjimeve totalitare”, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste, përfshir 9 vendet evropiane ish-komuniste që së bashku me Sekretarin Amerikan të Shtetit nënshkruan Deklaratën e mësipërme, me rastin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në Ditën e Evropës, 2020?  Pa një përballim të sinqertë me të kaluarën komuniste, kam frikë se Kombi Shqiptar vonë do të gjejë paqe dhe rehati.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Mbarimi I luftes se Nyte, nuk solli Lirine

KUJTESA- SAMI DANGËLLIA, I BURGOSURI I PËRJETSHËM

May 10, 2020 by dgreca

-Samia Dangellia u shua në kampin e Shën Vasisë, Sarandë, me 23 Prill 1987… I pabesueshëm është fakti që shokët e tij të burgut të Burrelit, i kthyen shpinën atij që ishte simbol i qëndresës antikomuniste. Një pjesë e tyre u futën nën ”sqetullat ” e persekutorit për interesat e tyre të ulta duke bërë karrierë e pasuri deri në majat e larta të politikës…

-Një shoqëri që nuk nderon heronjtë dhe legjendat e veta por i le të shuhen e shlyhen nga kujtesa kolektive e historike, është e dënuar të zhytet edhe më thellë në errësirë.

NGA PËLLUMB LAMAJ/

         Sami Dangëllia lindi në fshatin Menkulas të Devollit në vitin 1920 e pas ushtrisë kur italia fashiste pushtoi Shqipërinë,ju përgjigj thirrjes së Mid’hat Frashërit dhe patriotëve të tjerë duke u rradhitur në rradhët e Ballit Kombëtar të krahinës.Ndërkohë që fatet e luftës ishin vendosur që më parë nga anglezët që e shikonin Shqipërinë si degëzim të Jugosllavisë duke ndihmuar të vinte në pushtet banda bolshevike e Hoxhës,Balli Kombëtar për t’ju shmangur vëllavrasjes më të madhe në histori që përgatitej nga Titua dhe emisarët serb pranë organizatës terroriste PKSH,shpërbëhet. Dhe pikërisht është ky momenti ku nis dhe gjenocidi sllavokomunist mbi kundërshtarët politik dhe gjithë shtresën fisnike e patriote shqiptare.Në 8 tetor 1943 fillon dhe odiseja e Sami Dangëllisë që do të kryqezohej përjetësisht nga demonët e kuq me të vetmin faj se donte Shqipërinë Etnike sikundër të parët e tij.Në fillim e burgosin në burgun e Korçës dhe pastaj në atë të Burrelit.Dënohet e ridënohet tre herë për të mos prekur kurrë lirinë.Për herë të fundit ridënohet në Revoltën e Spaçit Maj 1973 si një nga organizatorët e saj dhe dërgohet sërish në burgun famkeq të Burrelit.

         U shua në kampin e Shën Vasisë, Sarandë, me 23 Prill 1987, dhe trupi i tij brenda një kutie me dërrasa do të varosej në një vend të fshehtë nga gardianët e burgut siç ndodhte gjithmonë me ”armiqtë e popullit”.

        I burgosuri i përjetshem,Mandela shqiptar sikundër do të quhej më vonë edhe pse ishte kryqëzuar dyfishin e kohës së Mandelës afrikan, pët te cilin bota e qytetëruar aq shumë foli e propagandoi, edhe pse nga përmasat ia kalonte çdo personazhi e që mbarti me vete historinë më të errët dhe më tragjike e vrastare. Pas viteve nëntëdhjetë, kur u mendua se komunizmi dështoi me turp, për ironi të fatit jo vetëm u harrua e nuk mori vendin e takuar në histori,por në mënyrë tinzare dhe antinjerëzore, u mbajt larg teksteve shkollore,mediave të shitura dhe vet historisë.I pabesueshëm është dhe fakti që shokët e tij të burgut të Burrelit i kthyen shpinën atij që ishte simbol i qëndresës antikomuniste. Një pjesë e tyre u futën nën ”sqetullat ” e persekutorit për interesat e tyre të ulta duke bërë karrierë e pasuri deri në majat e larta të politikës.

         Në këtë mënyrë ata jo vetëm nuk i bënë atë mbyllje dinjitoze të historisë përkundrazi hapën trastat për dekorata, teneqera e kocka.Kush e shkatërron historinë,me dashje apo pa dashje ,bën krimin më të madh të të gjitha krimeve.Bota e qytetëruar nganjëherë i shpik heronjtë dhe legjendat ,ne i kemi dhe i përbaltim. Një shoqëri që nuk nderon heronjtë dhe legjendat e veta,por i le të shuhen nga kujtesa kolektive e historike,është e dënuar të zhytet edhe më thellë në errësirë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: I Burgosuri I perjetshem, Pellumb Lamaj, Sami Dangellia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT