• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

NEVOJA PER NDRYSHIM

May 1, 2020 by dgreca

Shkruan:Alma LIÇO/

“Është naivitet të bësh të njëjtat gjëra me të njëjtën mënyrë dhe të presësh rezultate të ndryshme.”- Ajnshtajn/

Nëpërmjet  mjeteve  që ofron teknologjia, prej  shumë vitesh mundemi të flasim, të bërtasim, të shkruajmë, të japim opinione për mënyrën banditeske si qeverisemi, si keqtrajtohemi, si plaçkitemi me ligj e pa ligj, si na vidhen pronat me fletushka që nuk kanë asnjë bazë ligjore, si tjetërsohen votat duke deformuar vullnetin e shqiptarëve. Madje, e dokumentuar kjo, me fakte rrënqethëse të bëra publike nga media prestigjioze europiane. 

Dhe këtë komunikim shumëformësh nuk e bëjnë vetëm gazetarët e opinionistët, por edhe qytetarët e thjeshtë. 

“Denoncojmë” si pengohet qëllimisht dhe rrënohet ndërtimi i institucioneve funksionale të shtetit, si dhunohen ligjet, si gjykatat (ato që ende janë në funksion) nuk japin aspak drejtësi. Shohim si pasurohen në mënyrë të paskrupullt  hienat e politikës e si varfërohet çdo ditë e më shumë populli i thjeshtë, madje deri në kufijtë e urisë. Konstatojmë se si në mënyrë të pandalshme po humbasim edhe ato pak të drejta të brishta që u mundësuan pas rënies së regjimit komunist. Dhe pandemia COVID 19, pasuar me masa të ekzagjeruara diktatoriale dhe aspak ligjore të ndërmarra nga qeveria për përballimin e saj, po e përkeqëson në mënyrë dramatike këtë proçes.

Shohim me neveri, si përfaqësues të pushtetit vendor, duke dhunuar dinjitetin e disa hallexhinjve të papunë e pa të ardhura për të jetuar, dhurojnë qese mjerane ushqimesh, që vlejnë sa për të thyer urinë e një apo dy ditëve, kur detyrimi i tyre ligjor i obligon t´i angazhojë ata, të ndërtojnë politika të qëndrueshme sociale për të mbrojtur shtresa të tilla. Dhe këto veprime të turpshme, me porosi të “bamirësve”, përdoren për SHOW mediatik. Këta të paskrupullt kërkojnë të nxjerrin përfitime politike dhe elektorale, duke publikuar fytyra të përlotura e të mjera fëmijësh që u mungon gjithçka, veprim ky në kundërshim me Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe legjislacionit vendas miratuar për këtë qëllim. Ndërkohë, taksat e xhepave të shqyer të shqipëtarëve shpërdorohen në mënyrat më të përbindshme, deri në pagesën abuzive me super paga për mbështetës mediatikë, që nuk janë aspak të punësuar në strukturat e tyre.

Marrëveshjet e ndyra politike, që bëhen për të mbrojtur establishmentin dhe interesat e oligarkëve, bëhen objekt bisedash nëpër kafene (sigurisht para vendosjes së karantinës). Qytetarë të dëshpëruar vrasin kohën, me orë të tëra, në diskutime të tilla, herë pasionante, e herë të mllefosura, që nuk sjellin asnjë produkt ndryshimi. Ndodhin çdo ditë skandale pa fund, që në një vend normal do të çonin pas hekurave qindra abuzues të veshur me pushtet,  përfitues e shpërdorues të pangopur të fondeve publike. Në mënyrë të natyrshme, ato duhej të inicionin çdo ditë përmbysje të mëdha, që lidhen me funksionimin kriminal të sistemit. 

Për hir të së vërtetës, janë organizuar shumë protesta nga opozita, madje të mëdha, por edhe ato nuk kanë sjellë produktin e dëshiruar, të shumëpritur, që është NDRYSHIMI. Dhe kjo nevojë imediate shkon përtej rotacionit politik. Për këtë qëllim, janë zhvilluar qindra analiza, me qëndrime nga më të ndryshmet, që në thelbin e tyre përcjellin pamjaftueshmërinë e shkallës së besimit ndaj aksioneve opozitare. Do të shtoja këtu dhe skepticizmin masiv që ka krijuar braktisja që ajo i ka bërë aspiratave të elektoratit të saj, e në veçanti ato të ish të përndjekurve politikë.

A nuk ka ardhur koha të vlerësojmë seriozisht se është e papranueshme dhe mjaft naive, të mendojmë se duke vepruar tashmë prej shumë vitesh, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat mjete, të presim rezultate të ndryshme?? 

Filed Under: Analiza Tagged With: Nevoja per Ndryshim

« Faleminderit miq shqiptarë » !

May 1, 2020 by dgreca

NGA FOTAQ ANDREA-STRASBURG/

Është ky titulli i një punimi vizatimor, realizuar këto ditë nga artisti i shquar italian Fabio Vettore, të cilin ai e konkretizoi me shumë dashuri e mirënjohje në përgjigje të vatjes së mjekëve shqiptarë në Itali (mars 2020) për të luftuar pandeminë në rajonet veriore të Italisë  më të prekura nga kovid19.

Ky grafist e ilustrator, që prej 40 vjetësh ka në qendër të veprave të tij në gjini të ndryshme artistike, “botën simbolike të thneglave”, të cilën e has kudo, në krejt apsektet e mjediseve njerëzore e natyrore, në mal, det, qytete, monumente, e ku nuk tjetër, për të përcjellë, shpesh me humor e stil të zhdërvjelltë krijues një mendim, një reflektim, një opinion, një përfytyrim. Shpaloset kësisoj bota e pasur e “Le formiche di Fabio Vettore-s”, të palodhshmet milingona të njëmimjë e një zanateve, si simbolikë e fuqishme e ndjenjës së punës, organizimit dhe solidaritetit. Bota njerëzore nëpërmjet botës së mizave të dheut, ja karakteristika stilistikore e Fabio Vettore-s që shumëfishon apo më mirë i mizëron personazhet e tij në një kuadër apo skenë të jetës njerëzore, duke përcjellë një mesazh konkret, duke shfaqur madje edhe një ndjenjë falë stilizimit të thneglave të veta me dy pika sy të gjallë, me dy duar e dy këmbka karthi fijekëputur, futur në allasoj “potinash” të rënda për t’u gjendur kudo, me ato njolla të zeza në noçkë të fytyrës, në bark e trup, tre elementët përbërës sferikë, harmonizuar e lidhur si me fije “çeliku” dhe po të brishtë, të mizave punëtore.   

Në veprën “Faleminderit miq shqiptarë” sheh gjallërisht gjithçka: entuziazmin e nisjes për ndihmë të “milingonave mjeke”nga qendra e njohur e kryeqytetit shqiptar, një buzëdet Adriatiku ku shtrihet Shqipëria bashkëngjitur me rajonin verior të gadishullit Apenin të Italisë, ku nuk mungon për së largu e për së afërmi njëkohësisht mikëpritja e fatkeqëve italianë mbërthyer rëndë nga pandemia, tre autombulanca si simbole të gjendjes së rëndë pandemike në shtetin fqinj, flamuj e simbole zemrash fluturake, sa solidarizuese aq edhe miqësore, po ku enden tepër rrezikshëm rreth-rreth vetë simbolet toptha të koronavirusit të hopshëm e të hovshëm në gjurmim të llahtarshëm e fatal për të mbërthyer ku të mundë viktima e therorë. Skenë e përplotë, dramatike e festive njëkohësisht, për të shënuar një çast të veçantë historik, atë solidaritet të fuqishëm falë ndihmës fisnike plot bujari nga ana e popullit shqiptar për popullin vëlla italian në ditët më të këqija të tij.

Faleminderit Z. Vettore që përjetësuar bukur e tepër simbolikisht këtë çast të rrallë e të veçantë historik. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fabio Vettore, Fotaq Andrea

ITALIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SITUATA E SHQIPTARËVE NË BARI

May 1, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dritan Hila, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), dhënë gazetarit Sokol Paja./

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), Italia po tregon hapa të rëndësishëm pozitiv në luftën ndaj covid-19. Ulja e numrit të infeksionit dhe e vdekshmërisë si dhe e ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive ka bërë që shteti italian të fillojë në ditët në vazhdim rihapjen e ekonomisë dhe sektorëve jetik për zhvillimin e qendrueshmërinë e vendit. Sipas doktor Hilës, kjo pandemi dëmtoi edhe shumë shqiptarë të cilët nuk e fituan dot betejën ndaj covid-19. Rihapja ekonomike dhe leja për aktivitete të rëndësishme tregtie në fillim të muajit maj duket se do i japë një tjetër frymë Italisë. Sipas doktor Dritan Hilës, kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij dhe bota do ta fitojë këtë betejë të tmerrshme.

SITUATA NË SHTETIN ITALIAN 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian paraqitet nën kontroll, ku kemi ulje të numrit të infeksionit nga virusi Covid-19 dhe ulje të vdekshmërisë. Një lajm i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Itali ëshë dhe ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive. Në kuadër të menaxhimit të situatës që ka krijuar pandemia botërore covid-19, masa më e rëndësishme sipas doktor Hilës ishte izolimi social. Nga data10 mars 2020 e deri më tani i gjithë vendi është i izoluar si e vetmja rrugë për mbajtjen nën kontroll të përhapjes së virusit. Njerëzit mund të shkojnë nga një vend në tjetrin për arësye shëndetësore ose për motive pune e shoqëruar nga një autocertifikatë.  Aktivitetet që janë lejuar në këtë kohë izolimi janë supermarketet, dyqanet e ushqimit, dhe farmacitë. 

SHQIPTARËT NË ITALI 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian e bashkatdhetarëve shqiptarë ka qenë e rëndë. Si e gjithë popullata që jeton në Itali dhe shqiptarët janë infektuar nga virusi Covid-19 dhe për fat të keq një pjesë ka humbur dhe jetën. Aktualisht nuk kemi një numër të shqiptarëve të infektuar. Në raport me ditët e rënduara sipas doktor Hilës, fatmirësisht kurba e të infektuarve është në ulje. Në rajonin e Pulja-s (Puglia) ku unë jetoj ka një rënie të theksuar të rasteve të reja por duhet thënë që në përgjithësi jugu i Italisë ka qenë më pak i prekur nga virusi.

SI PARAQITET E ARDHMJA 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), e ardhmja duket premtuese dhe se shkaqet e vdekshmërisë që lidhen me virusin covid-19 kanë qenë mbi të gjitha kryesisht pulmonare. Pacientët kanë humbur jetën kryesisht për insuficiencë respiratore dhe insuficiencë multi-organore. Pandemia është në rënie të vazhdueshme dhe ky përbën një lajm të mirë për popullatën. Parashikimet jane të vështira për tu bërë në kohë të gjatë, por mendoj që kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe mbase ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij. Siç dhe e thashë dhe më parë situata tashmë është nën kontroll dhe izolimi social ka dhënë rezultat të dukshëm në uljen e infeksionit nga virusi covid-19. Në Itali me datë 04/05/2020 do të rifillojë hapja graduale me përjashtim të disa kategorive si lokaleve, restoranteve, kinemave, palestrave etj që do të rihapen në një moment të dytë. Kjo fazë lirimi të masave shtrënguese do jetë e shoqëruar me vazhdim të masave personale  si psh mbajtja e maskës e cila është kthyer e detyrueshme për çdo qytetar në ambiente të përbashkëta.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), në këtë moment të vështirë të përballjes me covid-19, këshilla kryesore është ajo e izolimit social, sidomos në moshat mbi 50 vjeç, dhe jo vetëm më të huajt por dhe me njerëzit e rrethit familjar pasi shpeshherë ky virus nuk tregon shenja të sëmundjes dhe kështu i heshtur mund të kalojë nëpër individë pa u kuptuar (rastet asimptomatike). Është e domosdoshme sipas doktor Hilës, në mënyrë që pandemia të kalojë pa pasoja, duhet të ruajmë largësinë nga njëri-tjetri (të pakten 1.5 m). Shumë me rëndësi është përdorimi i maskës në ambientet e përbashkëta pasi është vënë re që përdorimi i maskës e ulën ndjeshëm mundësinë e infeksionit nga ky virus vdekjeprurës. Po kaq rëndësi sipas doktor Hilës ka dhe larja e shpeshtë e duarve sidomos mbasi kemi prekur objekte që ndodhen në ambiente të përbashkëta me njerëz të cilët nuk janë rrethi ynë i ngushtë familjar. Duhet të evitohet prekja me duar e fytyrës e mbi të gjitha të pjeseve të mukozës (goje, sy) pa larë së pari duart. 

Dr. Dritan Hila gjate nje operacioni…

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Dritan Hila, Interviste, Sokol Paja

KOSOVË-30 VJET FALJE DHE PAJTIM MES SHQIPTARËVE

May 1, 2020 by dgreca

-Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar në 1 Maj 1990, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”

-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe pata 21 viteve, në pranverën 1999/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 1 Maj  2020/ Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Pajtimit drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Verrat e Llukës, ku u mbajtën Kuvendet e Besëlidhjes shqiptare dhe të pajtimit të gjaqeve, janë vendi i vlerave universale kombëtare, i cili në rrethanat më të vështira ka bashkuar shqiptarët në rrugëtim për lirinë dhe pavarësinë, është theksuar gjatë viteve në përkujtim të ngjarjes historike.

Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”  për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.

Tubimi i njohur te Verrat e Llukës, në Deçan, i mbajtur më 1 Maj 1990, ku morën pjesë mbi 500 mijë njerëz, ishte nisma e parë e madhe për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave midis shqiptarëve…Kjo nismë më vonë u shndërrua në lëvizje të rëndësishmë mbarëkombëtare.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

 Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me atë rast, Ministria deklaroi se, mbrojtja e përkohshme pranohet me arsye se Verrat e Llukës karakterizohen për vlerat historike, shoqërore dhe shpirtërore, si vendndodhje historike në kuadër të kategorisë Peizazhe Kulturore.

Në këtë vend janë zhvilluar shumë ngjarje historike, që nga viti 1900 deri në vitin 1910 aty u mblodhën shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.

Po ashtu, ky vend njihet për Kuvendin e Verrave të Llukës, Besëlidhjen e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi në 1 Maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike, u tubuan aty për t’u jetësuar iniciativa e rinisë shqiptare, e pasuar nga intelektualët të prirë nga Anton Çetta dhe Zekrija Cana, për Pajtimin e Gjaqeve, lëvizje kjo e cila ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, pavarësi dhe demokraci.

Me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Pajtimi I Gjaqeve

Shefqet Dibrani: LUSHNJEN SI E PASHË (2)

May 1, 2020 by dgreca

(Kujtime – Kukës, 13-20 dhjetor 1994)/

Shkruan: Shefqet DIBRANI/

Ditën e mërkurë, më 12 dhjetor 1994, me anijen që u nis nga porti detar në Bari të Itali, zbarkuam në portin e Durrësit. Aty na pritnin Visar Zhiti, i shoqëruar nga poeti lushnjar Ilir Levonja, ky i fundit një çun i ri, i gjatë, i pashëm dhe mjaftë entuziast, me një fjalë te Iliri ishte gërshetuar një harmoni e këtyre virtyteve në mënyrë më të mirë që kishte ditur për t’ia dhuruar natyra. Visar Zhiti, mu shfaq me një pamje engjëllore, edhe me te në Portin e Durrësit u takuam për të parën herë. Folëm si dy miq që njiheshin prej kohësh, por që nuk ishin takuar më parë.

(Legjenda: Ilir Levonja, foto nga profili i tij në Facebook)

Pasi i kaluam procedurat kufitar dhe plotësuam formularët e nevojshëm për hyrje në Shqipëri, ne u ndamë aty, me Visar Zhitin, për tu takuar në Kukës, ndërsa me Ilirin në Lushnje, pasi ai e mori për sipër të organizonte në Lushnje promovimin e librit tim të parë, i cili gjatë atij viti kishte dalë nga shtypi. Ndoshta më bënë sytë, por nëse dikush flatronte, plot entuziazëm, atë ditë ishte Ilir Levonja, i cili sakaq mori rrugën e tij për Lushnje.

Unë vija në Shqipëri me mision. Destinacioni i vetëm ishte Kukës. Atje, më 14 dhjetor 1994, mbahej përvjetori i vdekjes së poetit kuksian Agim Spahiu. Me të cilin më lidhte një miqësi e papërsëritshme. Ne kishim një letërkëmbim të rrallë dhe të begatë, letra këto të cilat janë botuar në 15 vjetorin e vdekjes, në një libër të veçantë, (qoftë si strukturë e qoftë si përmbajtje), me titull: “LETRAT E AGIMIT”, Prishtinë 2008.

Gjatë atyre viteve të fundit të jetës së Agim Spahiut, ne kishim biseduar me te, për t’ia botuar poezinë e zgjedhur në Kosovë. Ishte ëndërr e Agim Spahiut. Iu përveshëm punës, ai përzgjodhi poezitë e veta, e bashkërisht i kemi zgjedhur redaktorët, recensentët dhe botuesin, por fati i tij tragjik qëlloi të ishte më i shpejtë. Botimin e librit në Kosovë nuk e priti, që për fatin e tij të shkretë, vetëm dy javë pas vdekjes së tij u materializua. Në janar 1994, në Prishtinë u organizua promovimi i librit me poezi të zgjedhur “NJERIU MBI PIKËLLIMË”, e në mbrëmjen e asaj nate u dha një reportazh kulturor në televizion i cili në kuadër të atij bashkëpunimi që ekzistonte u transmetua edhe në RTSH, duke marrë lajmi dhen.

(Legjenda: Visar Zhiti, fotograf; autori)

Ishin këto lidhje dhe kjo miqësi, pse unë isha i ftuar special në Kukës. E udhëtimi im drejt Kukësit ishte i renduar nga dhembja për humbjen e mikut. Ceremonia e aktivitetit në Kukës shkoi mirë me gjithë nuancat e dhembjes dhe mungesës njerëzore. Erdhën miq dhe të njohur nga Tirana, në mesin e tyre, Visar Zhiti, Agim Isaku, Preç Zogaj, ndërsa nga Televizioni Shqiptar (TVSH), poeti dhe gazetari Vasil Tabaku, i cili bëri një reportazh për aktivitetin e ndodhur në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës.

Nga ajo njohje, me Vasil Tabakun u bëmë miq, miqësi kjo që vazhdoi deri në vdekjen e tij, në muajin shkurt të këtij viti, ku papritmas, ngutshëm dhe paplanifikuar, vdekja e mori edhe Vasilin e mirë, i cili iku me shumë mall dhe me shumë dëshira të parealizuara.

(Legjenda: Me Agim Spahiun, Kukës, dhjetor 1992)

Kukësi, për ne ishte një javë e ngarkuar. Patëm vizita familjare dhe falënderime të shumta, mirënjohje e urime të pafundme, por në anën tjetër ajo gjendje na kishte rënduar javën e cila u bë e gjatë! Kthimi në Tiranë ishte i mirëpritur. Të nesërmen, më 21 dhjetor 1994, ne duhej të ishim në Lushnje, në aktivitetin që kishte organizuar Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit ku do të bëhej prezantimi i librit tim me poezi “LARG PIKON HËNA”, dhe do të zhvillohej një diskutim krijues.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kukes-Lushnje, Shefqet Dibrani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT