(Kujtime – Kukës, 13-20 dhjetor 1994)/
Shkruan: Shefqet DIBRANI/
Ditën e mërkurë, më 12 dhjetor 1994, me anijen që u nis nga porti detar në Bari të Itali, zbarkuam në portin e Durrësit. Aty na pritnin Visar Zhiti, i shoqëruar nga poeti lushnjar Ilir Levonja, ky i fundit një çun i ri, i gjatë, i pashëm dhe mjaftë entuziast, me një fjalë te Iliri ishte gërshetuar një harmoni e këtyre virtyteve në mënyrë më të mirë që kishte ditur për t’ia dhuruar natyra. Visar Zhiti, mu shfaq me një pamje engjëllore, edhe me te në Portin e Durrësit u takuam për të parën herë. Folëm si dy miq që njiheshin prej kohësh, por që nuk ishin takuar më parë.
(Legjenda: Ilir Levonja, foto nga profili i tij në Facebook)
Pasi i kaluam procedurat kufitar dhe plotësuam formularët e nevojshëm për hyrje në Shqipëri, ne u ndamë aty, me Visar Zhitin, për tu takuar në Kukës, ndërsa me Ilirin në Lushnje, pasi ai e mori për sipër të organizonte në Lushnje promovimin e librit tim të parë, i cili gjatë atij viti kishte dalë nga shtypi. Ndoshta më bënë sytë, por nëse dikush flatronte, plot entuziazëm, atë ditë ishte Ilir Levonja, i cili sakaq mori rrugën e tij për Lushnje.
Unë vija në Shqipëri me mision. Destinacioni i vetëm ishte Kukës. Atje, më 14 dhjetor 1994, mbahej përvjetori i vdekjes së poetit kuksian Agim Spahiu. Me të cilin më lidhte një miqësi e papërsëritshme. Ne kishim një letërkëmbim të rrallë dhe të begatë, letra këto të cilat janë botuar në 15 vjetorin e vdekjes, në një libër të veçantë, (qoftë si strukturë e qoftë si përmbajtje), me titull: “LETRAT E AGIMIT”, Prishtinë 2008.
Gjatë atyre viteve të fundit të jetës së Agim Spahiut, ne kishim biseduar me te, për t’ia botuar poezinë e zgjedhur në Kosovë. Ishte ëndërr e Agim Spahiut. Iu përveshëm punës, ai përzgjodhi poezitë e veta, e bashkërisht i kemi zgjedhur redaktorët, recensentët dhe botuesin, por fati i tij tragjik qëlloi të ishte më i shpejtë. Botimin e librit në Kosovë nuk e priti, që për fatin e tij të shkretë, vetëm dy javë pas vdekjes së tij u materializua. Në janar 1994, në Prishtinë u organizua promovimi i librit me poezi të zgjedhur “NJERIU MBI PIKËLLIMË”, e në mbrëmjen e asaj nate u dha një reportazh kulturor në televizion i cili në kuadër të atij bashkëpunimi që ekzistonte u transmetua edhe në RTSH, duke marrë lajmi dhen.
(Legjenda: Visar Zhiti, fotograf; autori)
Ishin këto lidhje dhe kjo miqësi, pse unë isha i ftuar special në Kukës. E udhëtimi im drejt Kukësit ishte i renduar nga dhembja për humbjen e mikut. Ceremonia e aktivitetit në Kukës shkoi mirë me gjithë nuancat e dhembjes dhe mungesës njerëzore. Erdhën miq dhe të njohur nga Tirana, në mesin e tyre, Visar Zhiti, Agim Isaku, Preç Zogaj, ndërsa nga Televizioni Shqiptar (TVSH), poeti dhe gazetari Vasil Tabaku, i cili bëri një reportazh për aktivitetin e ndodhur në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës.
Nga ajo njohje, me Vasil Tabakun u bëmë miq, miqësi kjo që vazhdoi deri në vdekjen e tij, në muajin shkurt të këtij viti, ku papritmas, ngutshëm dhe paplanifikuar, vdekja e mori edhe Vasilin e mirë, i cili iku me shumë mall dhe me shumë dëshira të parealizuara.
(Legjenda: Me Agim Spahiun, Kukës, dhjetor 1992)
Kukësi, për ne ishte një javë e ngarkuar. Patëm vizita familjare dhe falënderime të shumta, mirënjohje e urime të pafundme, por në anën tjetër ajo gjendje na kishte rënduar javën e cila u bë e gjatë! Kthimi në Tiranë ishte i mirëpritur. Të nesërmen, më 21 dhjetor 1994, ne duhej të ishim në Lushnje, në aktivitetin që kishte organizuar Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit ku do të bëhej prezantimi i librit tim me poezi “LARG PIKON HËNA”, dhe do të zhvillohej një diskutim krijues.