Shkruan:Alma LIÇO/
“Është naivitet të bësh të njëjtat gjëra me të njëjtën mënyrë dhe të presësh rezultate të ndryshme.”- Ajnshtajn/
Nëpërmjet mjeteve që ofron teknologjia, prej shumë vitesh mundemi të flasim, të bërtasim, të shkruajmë, të japim opinione për mënyrën banditeske si qeverisemi, si keqtrajtohemi, si plaçkitemi me ligj e pa ligj, si na vidhen pronat me fletushka që nuk kanë asnjë bazë ligjore, si tjetërsohen votat duke deformuar vullnetin e shqiptarëve. Madje, e dokumentuar kjo, me fakte rrënqethëse të bëra publike nga media prestigjioze europiane.
Dhe këtë komunikim shumëformësh nuk e bëjnë vetëm gazetarët e opinionistët, por edhe qytetarët e thjeshtë.
“Denoncojmë” si pengohet qëllimisht dhe rrënohet ndërtimi i institucioneve funksionale të shtetit, si dhunohen ligjet, si gjykatat (ato që ende janë në funksion) nuk japin aspak drejtësi. Shohim si pasurohen në mënyrë të paskrupullt hienat e politikës e si varfërohet çdo ditë e më shumë populli i thjeshtë, madje deri në kufijtë e urisë. Konstatojmë se si në mënyrë të pandalshme po humbasim edhe ato pak të drejta të brishta që u mundësuan pas rënies së regjimit komunist. Dhe pandemia COVID 19, pasuar me masa të ekzagjeruara diktatoriale dhe aspak ligjore të ndërmarra nga qeveria për përballimin e saj, po e përkeqëson në mënyrë dramatike këtë proçes.
Shohim me neveri, si përfaqësues të pushtetit vendor, duke dhunuar dinjitetin e disa hallexhinjve të papunë e pa të ardhura për të jetuar, dhurojnë qese mjerane ushqimesh, që vlejnë sa për të thyer urinë e një apo dy ditëve, kur detyrimi i tyre ligjor i obligon t´i angazhojë ata, të ndërtojnë politika të qëndrueshme sociale për të mbrojtur shtresa të tilla. Dhe këto veprime të turpshme, me porosi të “bamirësve”, përdoren për SHOW mediatik. Këta të paskrupullt kërkojnë të nxjerrin përfitime politike dhe elektorale, duke publikuar fytyra të përlotura e të mjera fëmijësh që u mungon gjithçka, veprim ky në kundërshim me Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës, të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe legjislacionit vendas miratuar për këtë qëllim. Ndërkohë, taksat e xhepave të shqyer të shqipëtarëve shpërdorohen në mënyrat më të përbindshme, deri në pagesën abuzive me super paga për mbështetës mediatikë, që nuk janë aspak të punësuar në strukturat e tyre.
Marrëveshjet e ndyra politike, që bëhen për të mbrojtur establishmentin dhe interesat e oligarkëve, bëhen objekt bisedash nëpër kafene (sigurisht para vendosjes së karantinës). Qytetarë të dëshpëruar vrasin kohën, me orë të tëra, në diskutime të tilla, herë pasionante, e herë të mllefosura, që nuk sjellin asnjë produkt ndryshimi. Ndodhin çdo ditë skandale pa fund, që në një vend normal do të çonin pas hekurave qindra abuzues të veshur me pushtet, përfitues e shpërdorues të pangopur të fondeve publike. Në mënyrë të natyrshme, ato duhej të inicionin çdo ditë përmbysje të mëdha, që lidhen me funksionimin kriminal të sistemit.
Për hir të së vërtetës, janë organizuar shumë protesta nga opozita, madje të mëdha, por edhe ato nuk kanë sjellë produktin e dëshiruar, të shumëpritur, që është NDRYSHIMI. Dhe kjo nevojë imediate shkon përtej rotacionit politik. Për këtë qëllim, janë zhvilluar qindra analiza, me qëndrime nga më të ndryshmet, që në thelbin e tyre përcjellin pamjaftueshmërinë e shkallës së besimit ndaj aksioneve opozitare. Do të shtoja këtu dhe skepticizmin masiv që ka krijuar braktisja që ajo i ka bërë aspiratave të elektoratit të saj, e në veçanti ato të ish të përndjekurve politikë.
A nuk ka ardhur koha të vlerësojmë seriozisht se është e papranueshme dhe mjaft naive, të mendojmë se duke vepruar tashmë prej shumë vitesh, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat mjete, të presim rezultate të ndryshme??