• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

Lajçak: Avancimi i Kosovës në rrugën evropiane, vetëm përmes BE-së

June 16, 2020 by dgreca

– Thaçi: Besojmë në angazhimet e administratës amerikane/

– Osmani: S’ka negociata për territorin e Kosovës/

– Lajçak : “Roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm dhe u pajtuam me Osmanin që ky proces të jetë transparent”…

– Hoti: Të gatshëm për dialog

Nga Bekim BISLIMI*

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, deklaroi në Prishtinë se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në takimin e 27 qershorit në Uashington, ku do të takohen delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë. Ai po ashtu tha se përparimi i Kosovës në rrugën evropian bëhet vetëm përmes BE-së.

Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është paralajmëruar nga i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Lajçak tha se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ka qenë i vazhdueshëm, por ka vënë pikëpyetje nëse do të jetë i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

“Deri sot, nuk e di. Por ajo që di është se Bashkimi Evropian ka punuar shumë afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur në dialog, është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të dëshiroja që të vazhdonim dhe shpresoj që do të kemi komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në”, tha Lajçak.

Ai shtoi se do të shkojë edhe në Beograd, për të biseduar me autoritetet e atjeshme, në mënyrë që të fillojnë përgatitjet për procesin e dialogut dhe të organizohet së shpejt një takim në Bruksel.

Thaçi: Besojmë në angazhimet e administratës amerikane

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjatë takimit me Lajçakun, ia ka bërë të qartë pozicionin zyrtar të Kosovës, sa i përket dialogut.

“I konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës në këtë proces edhe zotit Lajçak, është se ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, ndërsa duhet të përmbyllet me njohje reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. E ardhmja e Kosovës është e sigurt vetëm duke qenë pjesë e perspektivës evropiane, konkrete. Natyrisht që në këtë drejtim ne do të punojmë ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara që të lëvizim më shpejt, më mirë drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, të gjitha përpjekjet që çojnë drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, janë të mirëseardhura, duke shtuar se koordinimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së mund të sjellë të mira për Kosovën e Serbinë si dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne besojmë në angazhimet e sinqerta të administratës amerikane. Në fund të fundit, për ne është me rëndësi jetike – besoj që edhe do të ndodhë – që edhe SHBA-ja dhe BE-ja do të kenë një koordinim të suksesshëm si partnerë strategjikë, për Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi.

Osmani: S’ka negociata për territorin e Kosovës

Përfaqësuesi i BE-së, Lajçak u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani tha se kishte një takim konstruktiv me të dërguarin e BE-së dhe potencoi që vetëm Qeveria e Kosovës duhet ta përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut.

“Natyrisht që në emër të Kuvendit të Kosovës, shpreha gatishmërinë tonë që si kuvend të luajmë një rol sa më të fuqishëm mbikëqyrës mbi qeverinë e cila është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Potencova sërish që presim që ky dialog të jetë mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim në qoftë se përfundon me njohje të ndërsjellë”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të diskutohet për territorin e Kosovës. Ajo theksoi se kuvendi tashmë ka miratuar legjislacione që kërkojnë që Kosova në bisedime të mos flasë për territorin dhe sovranitetin.

“Ato përcaktojnë qartë se nuk ka negocim për territorin e Kosovës, nuk ka negocim për sovranitetin e vendit dhe nuk ka negocim të rendit tonë të brendshëm kushtetues. Këto duhet të jenë tri parimet mbi të cilat ndërtohet procesi negociues, përndryshe do të prodhonte një rezultat që do të ishte i paimplementueshëm në terren”, tha Osmani.

Ndërkaq, Lajçak tha se ka njoftuar Osmanin për planet që ka BE-ja për dialogun.

“Roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm dhe u pajtuam që ky proces të jetë transparent”, u shpreh Lajçak.

Hoti: Të gatshëm për dialog

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, tha se e ka informuar atë për qasjen e qeverisë ndaj dialogut, i cili duhet përfundimisht të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë.

Ai tha që dialogu duhet të çojë te njohja reciproke dhe t’i hapë Kosovës perspektivën e integrimeve evropiane.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sigurisht për Kosovën dhe për Serbinë, për qytetarët e të dy vendeve, por është e rëndësishme edhe për gjithë rajonin dhe për stabilitetin e tërësishëm të Bashkimit Evropian. Vendi ynë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe i inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i tregoi dhe i shfaqi para nesh, për përkushtimin e tij për këtë proces, n emër të 27 vendeve të BE-së”, tha Hoti.

Ai shtoi se pret që së bashku me gjithë qeverinë sa më parë të angazhohet në këtë proces, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Serbinë dhe të mbyllet një kapitull i rëndësishëm ndërmjet dy vendeve dhe të sigurohet perspektiva euro-integruese.

“Unë i tregova dhe shfaqa gjithë interesimin dhe gatishmërinë tonë për të hyrë në këtë proces. Jemi përgatitur, e kemi qartësuar platformën tonë, jemi duke zhvilluar konsultime për të përfshirë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet, në përputhje me kompetencat që ka secili prej institucioneve të vendit karshi këtij procesi”, theksoi Hoti.

Rruga e Kosovës drejt BE-së, “përmes normalizimit të raporteve me Serbinë”

Pas takimit me kryeministrin Hoti, Lajçak tha se rruga evropiane nuk mund të trasohet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian.

Në këtë drejtim, ai tha se edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë eksplicite thuhet se përparimi i Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Dua po ashtu të theksoj se rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo gjë është thënë edhe në mënyrë eksplicite në rezolutën e vitit 2010 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që është bazë e këtij dialogut. Unë dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian. Prandaj, BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, për të hapur të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Lajçak, duke shtuar se e ka ftuar Hotin për bisedime në Bruksel

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, që prej se në prill u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Kjo masë u zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Në tetor të vitit 2019, SHBA-ja emëroi Richard Grenellin, si të dërguarin e tyre për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.(*Kortezi Evropa e Lire)

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosove Serbi, Lajcak

KOSOVO SERBIA TALKS AT THE WHITE HOUSE LATER THIS MONTH

June 16, 2020 by dgreca

by Rafaela Prifti/

On Tuesday, US Presidential Envoy for Kosovo Serbia negotiations, Richard Grenell, announced on his Twitter account that he has “received the commitment from the governments of Kosovo and Serbia to temporarily pause the derecognition campaign and the seeking of international memberships in order to meet in Washington, DC at the White House on June 27 for Dialogue discussions.”

Kosovo President Hashim Thaci responded via Facebook hailing the US leadership role in the peace talks: “I welcome the invitation to resume the dialogue process for normalizing relations between Kosovo and Serbia under the leadership of the President of the United States Donald Trump.”

The announcement of the Kosovo Serbia talks under the auspices of the US is widely welcomed by the Albanian-American community that has been critical of Eurupe’s noncommittal position on the stalled negotiations.

The Twitter posting of Ambassador Grenell comes as the EU diplomat Miroslac Lajcak arrived in Kosovo today to revive the European Union efforts to bring the parties back to the table.

EU Envoy Lajcak, who met with Kosovo’s President Thaci in Prishtina today, said that the talks must conclude with a comprehensive, lasting pact between Serbia and Kosovo, reiterating a common desire by both to join the EU.

In February, Mr. Grenell oversaw an agreement under which Serbia and Kosovo agreed to develop road and rail links to boost economic cooperation prior to resolving long-standing issues.

Drawing attention to the economic perspective, US Special Envoy Grenell said on his Twitter account today: “If either side is unsatisfied with the June 27 discussions then they will go back to the status quo after they leave Washington. We must first make progress on growing the economies.”

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovo Serbia, Rafaela Prifti, talks at The White House

NJIHUNI ME PASOJA E PËRDORIMIT TË MARIUHANËS

June 16, 2020 by dgreca

  • PËRSE PARTIA E GJELBERT(KOMUNISTE) AUSTRALIANE I BËN PRESION QEVERISË TË MONOPOLIZOJË PRODHIMIN DHE SHITJEN E MARIHUANËS?

– Nuk i shoh aspak të RASTËSISHME përpjekjet e vazhdueshme të qeverive të MAJTA, -si në Australi e vende të tjera të botës, që me slloganet e tyre të mrekullueshme, -“në emër të popullit”, “për popullin”, “populli mbi të gjitha”, “për të mirën e popullit”, etj, etj, kanë arritur qëllimet e tyre ma djallëzore kundra popujve të tyre…

– Një proverbë thotë: “Socialism is like a mouse trap. It works because, the mouse doesn’t understand why the cheese is free”… (Socializmi asht si nje kurth minjesh. Minjët bijen në këtë kurth, sepse s’kuptojnë pse djathi asht falas).

– Njihuni me pasojat e perdorimit te Marihuanes-

Shkruan: Dr. Zekri Palushi, Australi/

Pak fjalë për MARIHUANA-n,-(CANNABIS)

Në Australi, -Partia e Gjelbërt (komuniste), asht duke i ba një presion t’vazhdueshëm qeverisë, për mundësinë e legalizimit të marihuanës,-duke i propozue asaj që njëkohësisht të monopolizojë si prodhimin, ashtu dhe shitjen e kësaj droge.

Sipas tyre, qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për prodhimet e licensueme të marihuanës, -dhe të sigurojë përdoruesit që këto prodhime janë të pa-damshme, e do të jenë me një kualitet të qëndrueshëm, po kështu qeveria duhet të përgjigjet edhe për zgjedhjen e një paketim dhe reklamimi të përshtatshëm.

Marihuana MJEKSORE asht legalizue në Australi qysh në vitin 2016 (sigurisht me kambënguljen e “ekspertve” të Gjelbërt).

Megjithatë, ne, -(sidomos mjekët), duhet të jemi të kujdesshëm e të ndërgjegjshëm në interpertimet dhe mbivlerësimet që u bahen vlerave terapeutike të saj.

Janë publikue shumë pak të dhana në lidhje me efikasitetin mjekësor të marihuanës.Disa nga të sëmurët që mund të përfitojnë pak nga përdorimi i ‘marihuanës mjeksore’ janë epileptikët (por jo t’gjitha llojet e epilepsive), po kështu disa të sëmurët me dhimbje të ndryshme, dhe disa nga pacientët me dependencë (addiction) në opiate (grup ilaçesh, ku përfshihet edhe heroin-a).

Ndërsa, përdorimi i marihuanës për qëllime qejfi, -asht ilegale si në Australi, Britani, dhe në shumë nga shtetet të Amerikës.

Në Utopinë (“parajsën”) e të Gjelbërtve,-legalizimi i marihuanës do ti ndihmonte përdoruesit e sajë, s inga ana financiare, po ashtu edhe nga pasojat sociale që vinë nga perskutimi kriminal.

Aktivistët e Gjelbër, mundohen të minimizojnë në maksimum të këqiat që vijnë prej marihuanës, duke pretenduarqë të ardhurat që mund të grumbullohen prej taksave të marihuanës, do të përdoren nga sektori i Mjekimit dhe Prevenimit. Kjo asht një mënyrë tipike socialiste e të menduarit; – krijo një problem, dhe pastaj punso një grup njerëzish, për ta “zgjidhur” këtë problem.

Të Gjelbrit ankohen se, ligjet e tanishme ndërhyjnë në ‘Liritë Civile’. Ata thonë,-nqs veprimet tona nuk cënojnë të tjerët, -atëherë, ne duhet të jemi të lirë me marrë ç’do gja që ne dëshirojmë?

Siç shihet, ky grup s’kupton, apo s’don ta kuptojë se dikush, (ne, taks-paguesit), duhet të PAGUAJM për qejfin dhe “liritë” e tyre. Kështu pra, kur vjen puna të diskutohen pasojat shëndetësore, ekonomiko-financiare, -komunistët e Gjelbërt, rrinë urtë dhe qëndrojnë indiferentë.

Pak për Pasojat shëndetësore:

Efekti imarihuanës në trurin e të rinjëve, që akoma asht në zhvillim, -mund të sjellë pasoja katastrofike të pa-rikthyeshme. Një nga ekspertët ma të mirë të Anglise, Profesor Robin Murray (me titull mbretrore,Sir), -ndër të tjera, në gazetën ‘Guardian’, thotë se: Marihuana rrjeshtohet në rrisk-faktorët kryesorë të shkaktimit të PSIKOZAVE.

Ndërkohë, dihet shumë mirë që përdorimi i rregullt i marihuanës dyfishon shkaktimin e rasteve të Schizophrenis.

Instituti i Shëndetit dhe Mirëqenjes së Australisë, nga studimet e tij në lidhje me drogë-përdoruesit, ka gjetë se në këtë grup,- 16% marrin marihuana.

Po kështu dihet se në krahasim me efektet e duhanit dhe pijeve alkoholike, -efektet neuro-psicike nga marihuana,fillojnë të manifestohen që në moshë të herëshme të adoleshencës, e në vazhdim të viteve të pjekurisë.

Pra, siç shifet, schizophrenia asht një gjendje e ‘dhimbëshme’ e të rinjëve,-shenjat e së cilës fillojnë të shfaqen pikërisht atëherë kur këta të rinj përballohen me sfidat e jetës së kësaj moshe.

Po kështu, përdorimi i marihuanës, shpejton sjelljen e sëmundjeve të ndryshme, sidomos në  individët me predispozicione gjenetike. Ajo asht një “shok fallc” për ato pacientë me episode psychotike, që mendojnë se marihuana i rrelakson dhe iu zbut symptomatikën, -ndërkohë që faktikisht, marrja e saj, hedh benzinë në flakën e psychosave.

Pasojat ekonomiko-financiare

Llogjikisht, prodhimi i “Marihuanës zyrtare” duhet t’i nënshtrohet një procesi rigoroz të licensuar, -natyrisht që duke kaluar në këto procese, -produkti përfundimtare (marihuana zyrtare), del ma pak e fortë se sa ajo ilegalja, -ndërkohë, -qeveria për të “ndihmuar” blerësit, duhet ta shesë ma lirë se marihuanën ilegale. Pra dashje-pa-dashje, qeverisë do t’i duhet të konkurojë me ‘Marketin e Zi’, por edhe të gjykojë për një taksë të mjaftueshme që do t’i sjellë fitime.

Dukshëm, nëse qeveria do ti merrte dhe  zbatonte këto masa, që faktikisht do të ishin të dmd, -atëherë ajo do ta vinte vehten në një pozicion të dis-favorshëm, në raport me Marketin e Zi, -i cili s’ka nevojë të marrë asnjë masë, (veç grumbullimit të sajë, dhe ruajtjes apo shmangies prej Organeve Kompetente), si rezultat, “prodhimi” i tyre asht pra ma i fortë, dhe shumë ma i lirë se sa prodhimi i licensuar i shtetit. Atëherë, marihuana ilegale, do të ishte shumë ma tërheqëse për blerësit e zakonshem, që tashma janë msue me Tregun e Zi.

Sipas ktij analizimi, dhe praktikës së deri-tanishme del se, -nqs marihuana do të legalizohej, -fitues do të ishn vetëm politikanët e Majtë, që për të tërhequr votat e përdoruesve të marihuanës, kërkojnë aprovimin e ligjeve në dëm të përdoruësve, familjeve të tyre, shoqërisë e vetë qeverisë.

Për kurjozitet do të kisha pyet:

A ka organizue ndonjëherë qeveria programe apo emisione edukuese për rininë në lidhje me marihuanën? Unë mendoj se jo.

Të Majtit, “në emër të ruajtjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”,- investojnë shumë në shkatrrimin psicik të të rinjëve,-ndërsa të rinjët (tashma me ç’rregullime psicike), në shenjë mirënjohje ndaj “mbrojtësve” të tyre, votojnë për to.

Me dashamirësi do të pyesja studentët e shkollave të mesme dhe të universiteteve, nëse janë plotësisht në dijeni të rreziqeve që vijnë nga përdorimi i marihuanës?

Po kështu, -sa prindër rrudhin shpatullat, apo i quajn si “normale” eksperimentimet që fëmijët e tyre bajnë me marrjen e marihuanës,-duke e quajtur si pjesë e rritjes së tyre?

Bashk-atdhetarët e mij të nderuar, -duke u mbështetur në eksperiencën time personale e profesionale, nën regjimin socialist të Shqipërisë, dhe në atë (kapitalist), mbi 20 vjeçarë, të Australisë, -nuk i shoh aspak të RASTËSISHME përpjekjet e vazhdueshme të qeverive të MAJTA, -si në Australi e vende të tjera të botës, që me slloganet e tyre të mrekullueshme, -“në emër të popullit”, “për popullin”, “populli mbi të gjitha”, “për të mirën e popullit”, etj, etj, kanë arritur qëllimet e tyre ma djallëzore kundra popujve të tyre, -një nga këto “arritje” asht edhe përpjekja e tyre për legalizimin e marihuanës, e cila pa dyshim, dhe në mënyrë graduale  do t’shkatrrojë shëndetin në përgjithësi dhe gjykimin në veçanti të rinisë, -rrugë që do ti çojë drejt invaliditetit dhe mvartësisë ekonomike nga shteti.Ndërkaq, shtetit i jepet mundësia e vet-krijuar, që të luaj si ‘macja me miun’ me qytetarët e saj.

Përfundoj me një lutje për ju të gjithë: “Duhet të jeni shumë t’kujdesshëm, me ç’do gjë që “gatuajnë” të Majtit, -nëse jeni kurjoz që ta shijoni gatimin e tyre, -atëherë mbajeni atë për shumë kohë në gojë, përtypeni mirë, –por kurrë mos e kapërdini”.

Një proverbë thotë: “Socialism is like a mouse trap. It works because, the mouse doesn’t understand why the cheese is free”, (Socializmi asht si nje kurth minjesh. Minjët bijen në këtë kurth, sepse s’kuptojnë pse djathi asht falas).

Dr. Zekri Palushi, Australi

17 Qershor 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Zekri Palushi, Marihuana, Pasoja e perdorimit

UJDIA ZGJEDHORE DHE PRITSHMËRIA E SHQIPTARËVE

June 16, 2020 by dgreca

Shkruan Eugjen MERLIKA-Itali/

          Fjala “reformë”, në zanafillën e saj do të thotë “të formojë sërishmi”, të ndreqë , të korigjojë, të japë një formë më të mirë, më të dobishme, më të përshtatëshme për qëllimin.

          Sa i a arrin qëllimit e ashtuquajtura reformë zgjedhore shqiptare e vitit 2020, ka shumë për të rrahur mendime. Domosdoshmëria e rishbërjes së ligjit zgjedhor erdhi si pasojë e shtrembërimeve në atë sistem të sjella nga disa dukuri të përsëritura në vite, të cilat erdhën duke u majisur deri në kufijtë e mospranimit, për të mos thënë n’ata shkandullorë. Këto dukuri ranë aq shumë në sy, sa u pasqyruan edhe në shtypin evropian e tërhoqën vëmëndjen e diplomacive të huaja (SHBA dhe BE) që, fatmirësisht, e kanë vënë nën sqetulla jetën politike shqiptare, krejtësisht të paaftë të drejtojë një Vend në caqet e në standartet e një demokracie perëndimore. Që këtu rrjedh domosdoshmëria e ndërhyrjes në pikat nevralgjike të sistemit të sëmurë, me shpresën e vagët që të mund të synohet në shëndoshjen e tij që paraqet vështirësi të pakapërcyeshme pa funksionimin e një drejtësie të saktë e të shkëputur krejtësisht nga ndikimi i politikës.

          Mendoj se problemi thelbësor që vihet para shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm i saj, është ai i meritokracisë, i vlerësimit dhe njohjes së meritës vetiake të secilit, i përzgjedhjes dhe përgatitjes së klasës drejtuese që, në mënyrë paradoksale, në njëzet vitet e fundit në Shqipëri paraqet një rënie të lirë përsa i përket vlerave morale e profesionale, që duhet të jenë cilësitë më parake, të cilat karakterizojnë figurën e zyrtarit të çfarëdo niveli. Megjithë përparimin e jashtzakonshëm që ka bërë kombi shqiptar n’atë drejtim, nëpërmjet shkollimit cilësor të një numuri shumë të madh të bijave e bijve tëtij në universitetet e huaja e shqiptare, përfaqësimi i tyre në organet shtetërore e partiakeështë i paqënë ose nuk është në nivelin e duhur. Dhe atëherë kur një pjesë tepër e vogël e tyre futen në rradhët e administratës, nuk shkojnë të shoshitur nga sita e përgatitjes por e partishmërisë, si dikur, kur kryeministri i kohës thonte: “Ne vemë një hu dhe i themi të na e bëjë punën, dhe ai e bën”. Me këtë mendësi në brendësi të tyre vazhdojnë të ecin mjaft nga drejtuesit e shtetit e të politikës shqiptare.

          Pa hyrë në shembujt konkretë, të cilët nuk është e nevojshme të vihen në dukje, sepse janë para syve të të gjithëve çdo ditë, besoj se nga kjo dukuri duhet të nisë çdo lloj reformimi, për të cilin ka nevojë shoqëria dhe shteti shqiptar. Por sa arrin ujdia zgjedhore t’i vijë përpara kësaj pritshmërie të ngutëshme të tyre? Është e vërtetë, por tepër mjerane dhe që nuk na nderon si popull, arsyeja që vihet para ligjvënësve: të shmanget vjedhja e votës. Është me të vërtetë shqetësues skajor fakti që Shqipëria, prej tridhjetë vitesh qeveriset nga një klasë politike që nguron të verë moralitetin e jetës publike në qendër të veprimtarisë së saj, duke nxitur ngjitjen e qëndrimin për kohë biblike në të të njerëzve krejtësisht të padenjë.

          Të gjithë organizmat e ngarkuar gjatë këtyre viteve me kontrollin e pasurisë së personave publikë nuk kanë kryer detyrën e tyre dhe tani pasuritë e shumë politikanëve apo e një pjese jo të vogël të aktorëve të jetës ekonomike, nuk janë në gjëndje të ligjësojnë asgjë para një kontrolli e gjykimi të paanshëm e të përpiktë. Edhe ligji i fundit për sjelljen e pasurive nga jashtë nuk më duket se shkon në drejtimin e duhur, pavarësisht nga paraqitja. Në Vendin tonë vettingu përdoret për gjykatësit dhe policët e jo për kandidatët e antarët e jetës politike. Ujdia zgjedhore, në tre vite veprimtarie nuk e ka parë t’arsyeshme të verë si një kërkesë të domosdoshme edhe filtrin e pasurisë për të gjithë ata apo ato që hyjnë në jetën politike dhe administrative të Vendit. “Reforma”nuk ka bërë asnjë ndryshim cilësor gjatë kësaj kohe dhe marrëveshja e nënëshkruar prej katër përfaqësuesve të partive kryesore mund të paraqitet si një sukses nga pikpamja politike sepse sjell në një tryezë bisedimi kundërshtarë që deri dje mohonin njëri tjetrin, por është një dështim për proçesin në vetvete, sepse nuk sjell asnjë përmirësim real të tij. Jam i bindur se mbas një viti do të jemi të pranishëm në një tjetër sagë padish e kundërpadish mbi parregullsinë e proçesit zgjedhor. Ky dështim është vulosur si sukses nga përfaqësuesit e politikës botëroreqë, siç duket, kanë përvehtësuar një thënie të hershme të kolegëve të tyre të para një shekulli: “Bon pour l’Albanie”.

          Ndryshe nuk shpjegohet ngulmimi për të mbajtur në fuqi listat e mbyllura, pra votimin thjesht për partitë e jo për individët përfaqësues të tyre, dëshmi e një prirjeje gjysëm autoritare e të pandryshuar të kryetarëve të partive, të cilët duan të kenë në dorë të gjitha mjetet e mundëshme në përcaktimin e strukturave politike, për pasojë edhe administrative të shtetit, në stlin e vjetër e famëkeq, “partia mbi të gjitha”. Kjo sigurisht e lehtëson punën e tyre por vështirëson tmerrësisht demokracinë faktike. Modelet shoqërore të të tilla përftimeve shtetërore i gjejmë sot në Kinë, në Rusi, në Turqi e gjetiu.Sigurisht nuk janë ata të dëshiruarit e pjesës më të madhe të shqiptarëve.

          Ndryshe nuk shpjegohet kryeneçësia për të mbajtur në këmbë një administratë zgjedhore që emërohet e funksionon në një zë me drejtuesit e partive, duke i u bindur atyre. Depolitizimi i administratës zgjedhore është hapi i parë e më i rëndësishëm i një reforme të vërtetë zgjedhore, e duhej të ishte i zbatueshëm që para një të katërt shekulli. Tridhjetë vite problematike përsa i takon zgjedhjeve janë edhe pasojë e kësaj mënyre të mbarështimit të tyre. Kundërshtarët e depolitizimit kanë më shumë besim tek vetvetja, tek njerëzit e politikës, se sa tek qytetarët e thjeshtë, të cilët në të gjithë Evropën kryejnë detyrën e numurimit të votave. N’Evropë ata janë punonjës t’administratës zgjedhore ose jo, të palidhur me politikën, që thirren në detyrë sa herë ka votime, paguhen për dy ditë sa mbaron proçesi e kthehen në punën e tyre të përditëshme. Besoj se ka ardhur koha të depolitizohet jo vetëm proçesi zgjedhor por edhe ai konceptual i shoqërisë, që duhet të dalë nga korniza shtatëdhjetepesë vjeçare e një politizimi të skajshëm. Jam i bindur se komisionet jo politike do të punojnë shumë më mirë se sa ata që, në gjithë këta vite të kalesës, kanë prodhuar një gjëndje të tillë pasigurie institucionale. Në propozimet e fundit të ekspertëvë ka elementë interesantë si këshilli juridik i caktuar me short nga KLD, që mund të përcaktojnë një ecuri më të rregullt të proçesit. Të shohim sa do të mbahen parasysh këto nga këshilli politik e Kuvendi.

          Këshilli politik pati meritën sinoptike të gjejë “dakordësinë”, një neologjizëm i shpikur kohët e fundit e që nuk gjëndet n’asnjë fjalor të gjuhës shqipe, për kohën e votimeve duke i çvendosur ato nga stina e verës n’atë të pranverës apo vjeshtës, një gjë e arsyeshme dhe arsyeja mbaron me kaq. Sepse nuk mund të quhet një shpikje e shquar fakti që u vendos kontrolli biometrik i dokumentave të identifikimit të votuesve. Kjo shitet si një masë parandaluese e rrezikut që ndonjë faqezi të votojë më shumë se njëherë. Është i habitshëm ky fakt, nëse është i vërtetë, e dëshmon paaftësinë e plotë të organizmave zgjedhore, kriteri veprues i të cilëve vazhdon të mbetet në fuqi, mbasi çdo qytetar ka një qendër votimi në të cilin voton, dhe duhej t’ishte absolutisht e pamundur të shkonte e të votonte në një qendër tjetër ku nuk është i regjistruar. Nuk kuptohet se si gjatë tre dhjetëvjeçarëve qytetarët të kenë kryer të tilla shkelje të praktikës, pa u gjetur bari i shërimit të kësaj sëmundjeje, por që sot qenka zbuluar nëpërmjet kontrollit biometrik.

          Një tjetër “gjenialitet” i këshillit politik dhe i pronarëve të teatrit të kukullave që qëndrojnë mbas tyre, qe marrëveshja e menjëherëshme për t’i “deleguar” këshillit zgjedhor detyrën për t’organizuar pjesëmarrjen e të mërguarve në votimet e ardhëshme. Duket se ky vendim u muar pa asnjë kundërshtim në “lavdinë” e plotë të një mendësie që vazhdon t’i quajë shqiptarët jashtë atdheut si “tradhëtarë” të tij. Ka më se pesëmbëdhjetë vite që herë pas here politikanët shqiptarë, mes të cilëve edhe kryeministri e presidenti aktual, flasin për votat e të mërguarve. Madje u organizuan në vitet e shkuara edhe dy takime me të ftuarit e qeverisë nga mërgatapër të nxjerrë në pah “ngrohtësinë” dhe “dashurinë” e shtetit amë kundrejt bijave e bijve të tij nëpër botë. Për t’i dhënë më shumëshyret kësaj dukurie të fasadës, u emërua edhe një ish kryeministër që, çuditërisht, në këto ditë nuk pipëtin fare para një përjashtimi të maskuar të të mërguarve nga mundësia e votimit prej Vëndeve në të cilët jetojnë, pa marrë mundimin e një rrugëtimi të panevojshëm për të hedhur votën në një kuti votimi në Vëndin e lindjes.

          Do t’ishte në nderin e politikës shqiptare jo një veprim skuthësh, që bën sikur e njeh të drejtën e të mërguarve për të votuar në largësi, por praktikisht e pamundëson atë, por një vendim i hapur e i ligjësuar, me të gjithë udhëzimet përkatëse për të gjithë organizmat shtetërorë që duhet të jenë të zotuar në këtë proçes. Arsyeja e një sjelljeje të tillë burracake është e njohur për të gjithë ata që jetojnë jashtë dhe është pohuar e ripohuar më se një herë nga zoti Myslim Murrizi, njëri nga personazhet më të çiltër e më të guximshëm të politikës shqiptare sot.

          Të mërguarit nuk kanë asnjë interes vetiak për votimet. Nëse kanë parapëlqimet e tyre politike, ato i nënështrohen vetëm e vetëm dëshirës së tyre për të parë mbarëvajtjen e përparimin e atdheut të tyre, me të cilin, së paku, brezi i parë i mërgatës është i lidhur shpirtërisht e në shumë raste është i vendosur të kthehet e të vdesë në tokën ku ka lindur. Por nëse do t’u jepet mundësia, të mërguarit mund të jenë një rezervë e dobishme për të shkundur nga letargjia vendnumuronë e politikës e, ndoshta për të dhënë shpresë për ndonjë risi politike në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit 21.

          Por përtej sofizmave të parafabrikuara mbi “pamundësinë kohore” të organizimit të këtyre lloj votimeve, më duket se një shpjegim i hollësishëm e i qartë i ministrit Majko bëhet një domosdoshmëri morale e politike për të e për të gjithë ata që qeverisin Shqipërinë. U habita kur dëgjova në televizion “shpjegimet”, gjoja të shprehura me “keqardhje” nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, që shtjellonin pamundësinë e organizimit për mungesë kohe. Më sollën ndërmënd ata arsyetime një thënie të Lordit Bacon rreth katër shekuj më parë: “Hipokrizia është urtia e krokodilëve që qanin duke llupur.”E kjo thënie e urtë e filozofit anglez vlen për të gjithë aktorët e politikës shqiptare sot, përfshirë këtu edhe autoritetet më të lartë si presidenti dhe kryeministri, apo pasuesit e tyre.

          Po të ishte i vërtetë vullneti për t’u dhënë bashkatdhetarëve të tyre një mundësi pjesëmarrjeje në votimet, siç e kanë shumë prej qytetarëve të mërguar në shumë Vende të botës, rruga për t’a sendërtuar thjeshtohet më së miri. Një deklaratë e hapur qeveritare, rrjedhojë e një vendimi të Kuvendit të Shqipërisë, duhej t’i ftonte të gjithëtë mërguarit që dëshirojnë të votojnë, t’i drejtojnë miratimin e tyre një organi të ngarkuar e të kapshëm on line, me të gjitha përgjigjet e nevojshme të kërkuara. Në bazë të këtyre përgjigjeve organi i ngarkuar bën kontrollin e nevojshëm në regjistrat e qëndrave zgjedhore, duke përcaktuar rregullsinë. Me mjetet e sotme të komunikimit besoj se nuk duhet më shumë se një muaj për të kryer një proçedurë të tillë duke aktvizuar personelin e nevojshëm, prandaj “keqardhjet” e rradhës dëshmojnë vetëm hipokrizinë e klasës politike që, në ndryshim nga parardhësja e saj komuniste nuk shfaq burrërinë t’i quajë dukuritë dhe objektet me emrat e tyre të vërtetë.

          Duke mos ndryshuar sistemin e votimit, duke mos ligjësuar depolitizimin e organeve zgjedhore, duke mos miratuar de facto votën e të mërguarve shqiptarë ujdia zgjedhore, e trumbetuar me bujë nga shumë anë, është një marrëveshje në zbritje për të ruajtur “statu quon”, pra një dështim i plotë sa i përket të sotmes dhe t’ardhmes së Shqipërisë. Cilido që mbron të kundërtën e këtij pohimi, mendoj se nuk i bën një shërbim së vërtetës dhe as pritshmërive të ligjëshme të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.                   

Qershor 2020                                    

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Pritshmeria e shqiptareve, Ujdia Zgjedhore

“Ideologjia Chavez- Maduro është një nga përshtatjet e komunizmit”

June 16, 2020 by dgreca

–INTERVISTË E RENATO CRISTINIT PËR NURENBERGUN E KOMUNIZMIT(2)/

Nga Roberto Mansilla Blanco më 5 maj 2020/

            Renato Cristin është një filozof e profesor i filozofisë ndërpretuese pranë Universitetit të Triestes, n’Itali, dhe nismëtar i fushatës botërore Appeal for Nuremberg Trials for Communism, i prirur për të gjykuar krimet historike të komunizmit. Në këtë intervistë të posaçme për Qué Vaina!i përgjigjet pyetjeve tona mbi këtë nismë, mbi rolin e komunizmit në ngjarjet e sotme e në një vështrim shumë kritik padit regjimin e zaptuar nga Nicolàs Maduro dhe Chavizmin në Venezuelë.

(Pjesa e II)

A mendoni se vlerësimi historik i kësaj ideologjie ka qënë ai i duhuri?

Gjykimi historik i kuptuar si gjykim i historianëve mbi komunizmin paraqet vlerësime të ndryshme, simbas pikëpamjeve teorike e politike nëpërmjet të cilave historianët e kanë shqyrtuar komunizmin në bazë të formës së tij qoftë ajo komuniste ideologjike apo shtetërore. Ka një larmi opinionesh, por sot, me pëjashtim të njerëzve të përmalluar apo ideologjikisht të shtrembëruar, askush nuk mund të mohojë të vërtetën e krimeve të kryera nga regjimet e ndryshme gjatë viteve. Shumë përpiqen të dallojnë qëllimet nga përfundimet, duke pohuar se komunizmi ishte një ide e mirë, një hipotezë çlirimi njerëzor dhe mungesa e zbatimit të saj i kushtohet papërsosmërisë së njerëzve që e kanë birësuar, e pra edhe pasojat katastrofike, edhe plojët, nuk duhet t’i vishen idesë por njerëzve. Ështëe qartëqë justifikimi është po aq i dëmshëm sa mohueshmëria.

Si e sheh sot të majtën në rrafsh botëror? A mendon se ka qënë një vetëprovim i asaj që krimet e komunizmit kanë përbërë për historinë?

Bota e mbetur sot është në një gjëndje paradoksale. Nga një anë është trashëgimtare e mbytjes historike të projektit social-komunist, pra është dukshëm inferiore kundrejt vlerës së projektit që, për t’a thjeshtuar, po e quaj liberal-kapitalist, dhe vizionit të botës që është shpallur në qytetërimin perëndimor e që sot shtrihet në gjithë Vendet që përparojnë nën frymëzimin e tij.Nga ana tjetër, mbi të gjithë në Vende të tilla, ideologjia komuniste e – shndërruar në trajta të ndryshme dhe në mënyrë oportuniste e ndryshuar simbas rasteve – po lulëzon përsëri si ai që Bukovski e quante ”një tumor në trupin e racës njerëzore”; po i përshtatet rrethanave të reja gjeopolitike, dhe po riorganizohet për t’u lënë si trashëgim i diçkaje të re e të mirë, një projekt shoqëror që, në të kundërt, nuk ka prodhuar asgjë përveçse mjerim e shkatërrim. E zhytur në këtë paradox, e majta ka shpikur një shkurtore për t’i ikur qorrsokakut në të cilin historia i ka ngritur kurthin, në sajë të disa ndodhive historike të rastit  e në sajë të disa aleatëve të vjetër e të rinj. Këto dukuri të rastit janë, për shembull, ndryshimet klimaterike, të paraqitura si një aspekt i një krize mjedisore planetare; trysnia mërgimtare nga Afrika e nga Azia që kërcënon Evropën e që e majta e sheh si një mundësi hakmarrjeje mbi kapitalizmin e si një rast për të sendërtuar botën e tretë që ka qënë gjithmonë pjesë e pasurisë së saj ideologjike; kriza të përsëritura ekonomike të ndërpretuara si shënja që paralajmërojnë shëmbjen e sistemit kapitalist, pra tërë sistemin ekonomiko-shoqëror perëndimor. Të gjitha këto dukuri janë shfrytëzuar nga bota sot për të fituar hapësirë politike dhe miratim të opinionit publik. Bashkë me këto e majta ka aleatë të fuqishëm: miq historikë si një pjesë të madhe të medias, shumica e përlyer me ideologji socialiste-komuniste e kundërperëndimore (edhe se e pacipë në të marrurit para nga manjatët e kapitalizmit të urryer), e rrjeshtuar në pozitat e tercomondizmit  e të progresizmit radikal; aleatë institucionalë, për shembull Kombet e Bashkuara e të gjitha agjensitë e saj, nga FAO tek UNESCO, nga Zyra e Kombeve të Bashkuara të Komisarit të lartë për refugjatët deri tek Organizata Botërore e Shëndetësisë; dhe një aleat të ri e të papritur, Kishën katolike të drejtuar nga Papati i sotëm, për të qënë më të saktë, ajo pjesë e Kishës që ndjek teologjinë politike të Bergolios, të frymëzuar nga teologjia e çlirimit, ai “katoliçizëm komunizëm” që kishte shumë ndjekës në botë e që sot është bërë pozitë e shumicës së klerit, ndruaj edhe mes besimtarëve. Për shkak të autoritetit të rolit të tij dhe papërfillshmërisë së drejtuesve të së majtës së sotme, Papa aktual mund të quhet si udhëheqësi më hirplotë për të cilin e majta ka nevojë sot për të vazhduar t’ushqejë përfytyresën e përbashkët të pasuesve të saj.

Çuditërisht, në të majtën kishte më shumë vetëqortim në periudhën e mëparëshme ose në vitet menjëherë mbas rënies së murit të Berlinit, ndërsa sot e kanë kaluar atë fazë dhe kanë braktisur çdo qëndrim vetëqortues, duke u bërë gjithënjë e më shumë krenarë dhe luftarakë. Një vetëqortim i njimendtë, që nëse është i ndërlidhur nxjerr pasoja nga shqyrtimi i tij, do të shtrëngonte çdo njeri t’arsyeshëm të braktiste ata qëndrime. Pra nuk mbetet tjetër për ta veçse të kërkojnë rrugë teorike e praktike, sofizma që, siç kam vërejtur, i lejojnë idealit komunist të ruajë atë aureolë mistiçizmi që është bërë i domosdoshëm për këdo që është në gjëndje të besojë.

A mendon se jemi në prag të zgjedhjeve më radikale e populiste nga e maajta?

Në botën perëndimore, e majta duhet të shkojë përpara simbas dy tonesh ose shpejtësish: njëri me një profil t’ulët ideologjik, që mund të sigurojë përceptimin e saj si të përshtatëshme për të qeverisur e për të mos trembur zgjedhësit e sistemit liberal-demokrat, që nuk do të lejonin ndryshime rrënjësore; e një tjetër, me një karakter ideologjik më agresiv, që të mund të fryjë rastësitë (veçanërisht krizën ekonomike dhe ndryshimet klimatike) për të nxehur mëndjet e të rinjve, për të shtyrë në drejtim të mërgimit afro-aziatik n’Evropë, për të ndihmuar kryengritjet subversive në Amerikën Latine, siç kemi parë disa muaj më parë, ose për të inkurajuar lëvizje kryengritëse n’Evropë që të mund të shkaktojnë çrregullime shoqërore e të nxisin trazirat.

Si e karakterizon ideologjikisht Çavizmin? A e quan një trashëgimtar të tezave komuniste?

Simbas mendimit tim, Çavesi qe përfaqësuesi kryesor i një populizmi latinoamerikan që, duke bashkuar marksizëm-leninizmin me kombëtarizmin, gjeti një pranim të madh në të gjithë kontinentin (Aleanca bolivariane qe një rezultat rrënues por objektivisht i dukshëm)jo sepse kishte një thellësi të madhe teorike por sepse mori pushtetin në një nga Vëndet kryesore prodhuese të naftës. Në sajë të rezervave të naftës të Venezuelës e jo të zgjuarsisë politike të Çavesit, lëvizja u quajt Çavizëm mundi të formohet, të fuqizohet e të vazhdojë të mbajë edhe sot pushtetin në Venezuelë. Fija e naftës lidh efektivisht Vëndet që duket se kanë disa ngjajshmëri mes tyre: Rusia, Irani e, natyrisht, Venezuela me Kubën, kjo më shumë si një relike ideologjike se sa si aktore e barabartë, po të mbahet parasysh pafuqishmëria e saj ekonomike. Kujtoj qartë se si në 2007 Çavesi  dhe presidenti i atëhershëm i Iranit firmosën një aleancë të hekurt ndërmjet dy Vendeve; kujtoj mirë shkëmbimet e vizitave ndërmjet tyre, arritjen ngadhnjyese t’Iranit në Karakas, pastaj qëndrimin në Kubë për t’i bërë nderimin “ajatollah” Fidel Kastros, e për të dhënë sigurinë e një lidhjeje që shihte të ngrihej një aleancë botërore ndërmjet islamikut Nazizëm e komunizmit, me objektivin e përbashkët për të shkatërruar fuqinë amerikane dhe Perëndimin në përgjithësi (përfshirë Izraelin, natyrisht). Me këtë aleancë, së cilës i u bashkua më vonë Rusia u përvijuan projekte të çuditëshme, si socializmi i shekullit 21: një çmënduri e mirëfilltë, skenarë strategjikë të padëgjuar, por mbi të gjitha energji të reja ideologjike, e ajo më shqetësuesja, ushtarake. Lufta kundër Perëndimit në 2007 kishte gjetur tashmë një bosht me një depërtim të fuqishëm gjeopolitik. Po të vazhdojmë me Amerikën e Jugut: të gjithë njohin trekëndëshin e kufirit ndërmjet Argjentinës, Paraguajit dhe Brazilit që është kthyer në një zonë, në fakt jashtëterritoriale, një qoshe e mbyllur pa ligjëshmëri nga mafia e trafikut të drogës dhe e përdorur si një pozicion i përparuar për xhihadin në Perëndim, si një hapësirë strehuese për fuqizimin ekonomik e ushtarak të grupeve terroriste, për të cilët të gjithë janë në dijeni por të cilëve askush nuk don t’u kundërvihet, që Çavesi i kishte vënë në lëvizje e mbas marrëveshjes me Iranin i kishte financuar. Për të paguar militantët e Hezbollahut e të Hamasit në Lindjen e Mesme e të qelizave të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës, Irani nuk kishte nevojë për para çaviste, por Çavesi që me retorikën e tij neveritëse do të kishte bërë të rrotullohej në varr Simon Bolivarin, në fakt tregoi se nuk donte të nguronte aspak për të mbështetur atëherë revolucionin botëror komunisto-islamik të dëshiruar. Ideologjia Çaves-Maduro që ende është e formuar nga pak ide por ka shumë përkrahje ndërkombëtare, është njëra nga përshtatjet e komunizmit, në këtë rast në realitetin shoqëror e kulturor të Venezuelës, një formë e urryer pandërgjegjshmërie ideologjike që përfundon në diktaturë.  

Si e sheh gjëndjen në Venezuelë?

Nicolas Maduro është një president i dhunshëmqë jo vetëm ka pushtuar zyrën, por që me ngritjen e një sistemi të përdhosur të nomenklaturës, me përdorimin ndrydhës të demagogjisë e me mbështetjen, deri tani ndoshta të përgjithëshme, të komandës ushtarake, i ka sjellë mjerim popullit të tij (gjithë popullit: edhe ata që zbresin në shesh për t’a mbështetur vuajnë në fakt nga mungesat të shkaktuara nga ekonomia politike çaviste). Një despot që është ngjitur në majën e pushtetit pa respekt për demokracinë e pa mëshirën më të vogël edhe për bashkatdhetarët që po vdesin dalngadalë nga uria e – jo më pak keq – pësojnë fatkeqësinë e shpërthimit vetiak të lirisë së tyre. Vetëm ideologët marksistë, politikanët pa ndjenja, ose figurat kishtare “bergoliane” mund të vazhdojnë t’a mbështesin atë diktaturë ose të shpallen të paanshëm ndërmjet Maduros dhe opozitës.

Përtej këtyre tipave, duhej t’ishte një mbështetje pa kushte shtysës së demokracisë e të lirisë të shpalosur nga opozita. Parlamenti evropian, në pranverën e vitit 2019, ka njohur ligjëshmërinë e presidentit të Asamblesë kombëtare venezuelane, Huan Guaidó, siç e kanë njohur më shumë se gjashtëdhjetë Vende, me në krye Shtetet e Bashkuara në vijë të parë (fatkeqësisht Italia nuk bën pjesë n’atë grup për shkak të qëndrimit pro – Maduro të Lëvizjes pesë yje; dhe as Vatikani, që ngulmon në tezën tërheqëse e kripto- socialiste të barazpeshës ndërmjet dy palëve, që megjithatë nuk mund  të krahasohen). Por trysnia politike   në lartësi të këtilla nuk është e mjaftueshme për të rrëzuar administratën e Maduros. Boshti i Rusisë, Iranit e sot edhe të Kinës, po mbështet një regjim të kalbur, por ende në gjëndje t’i marrë frymën opozitës. Prandaj çështjes i duhet mëshuar, me ndihmë edhe nga jashtë, për të dhënë ndihmesën që të përmbyset ky regjim gjithënjë e më mizor.

Një akt-akuzë ndërkombëtare e fajit mund të jetë një rrugë e mesme ndërmjet trysnisë politike (pothuaj gjithmonë shumë e ngadaltë dhe me efekt të pakët) dhe ndërhyrjes ushtarake (të padëshirueshme sepse do të kishte viktima ndërmjet qytetarëve, tashmë të telekosur nga varfëria maduriste): në këtë drejtim duhet të ketë një mbështetje të dukëshme ndërkombëtare urdhërit të arrestimit të Maduros, të nxjerrë nga Shtetet e Bashkuara e t’urdhëruar nga presidenti Donald Trump, por për të arritur këtë synim duhet të jetë një vullnet i qartë dhe qeveri që dëshërojnë të shpallin parimet e lirisë pa rezerva ideologjike.

Është e urueshme që një vullnet i këtillë të mund të gjejë mënyrën për të sendërtuar synimet e tij. Të gjithë ata që e bashkëndajnë  do të duhej të vepronin në fushat e tyre përkatëse në mënyrë që qeveritë perëndimore të marrin një vendim që po bëhet gjithënjë e më urgjent çdo ditë. Nuk mund të jemi tepër optimistë, sepse njohim sot drejtimin ideologjik dhe burracakërinë e shumë partive në pushtet në Perëndim (përfshirë Bashkimin Evropian), por kemi besim në energjinë e ideve dhe në fuqinë e lirisë, që mund të vënë në lëvizje opinionet publike për të ushtruar trysni mbi faktin që qeveritë nuk mund t’i shmangen nëse duan të jenë vërtetë liberal-demokratike e jo vetëm të quhen të tilla.

Botuar në siton : International Freedom Education Foundation (IFEF)

                          E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Interviste Tagged With: Eugjen Merlika, Nurembergu i Komunizmit, Renato Cristini, Roberto Mansilla Blanco

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT