• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

KOSOVA SHTET I NJOHUR NDËRKOMBËTARISHT, 12 VJET ME KUSHTETUTË

June 15, 2020 by dgreca

-Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, ka hyrë në fuqi para 12 viteve – në 15 Qershor 2008/

-Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

-Kosova e lirë dhe e pavarur përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike/

KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Qershor 2020/ Para 12 viteve, pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik, pas më pak se katër muajve – në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta  që përcakton që në Nenin 1 se, “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Nga “Kapitulli I Dispozitat Themelore” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht,  citojmë të plota  dy nenet e para:

“Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit] 

1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. 
2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e 
saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve 
brenda kufijve të saj. 
3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë 
shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. 
Neni 2 [Sovraniteti] 
1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në 
pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në 
forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute. 
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i 
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë 
Kushtetutë dhe me ligj. 
3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare.”

Kushtetuta, akti më i lartë  juridik i shtetit më parë ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit 2008.

Prej atëherë, 9 Prilli është festë shtetërore – Dita e Kushtetutës, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar kryeadministratori – shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  presidenti “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 12 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme. Nga shpërbërja e federatës dolën shtatë shtete të reja të rajonit: Kosova – shteti më i ri evropian, si dhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 31 vitesh, në 28 Mars 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

 Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti  Hashim Thaçi.

Të dekoruarit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami. Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj, Ilaz Ramajli, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Ramë Manaj, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, Mahir Yagcilar, Ylber Hysa,  si dhe Nekibe Kelmendi (pas vdekjes).

Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës po shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…

Kosova për lirinë dhe pavarësinë është përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

Filed Under: Analiza Tagged With: 12 Vjet Kushtetute, Behlul Jashari, kosova shtet i njohur, nderkombetarisht

CEDRIC WERMUTH: JU LUTEM MOS E HUMBNI SHPRESËN

June 15, 2020 by dgreca

“Historia është në anën tuaj. Ne, populli i Evropës jemi me ju” /

Shkruan: MA. AGIM ALIÇKAJ*/ Ishin këto fjalë me domethënie të lartë të deputetit të parlamentit zvicerian në twitter drejtuar popullit të Kosovës, të cilat prekën zemrat shqiptare me 3 Qershor 2020, kur në Prishtinë Parlamenti i komprometuar i Kosovës, me manipulime jodemokratike e votoi qeverinë Hoti të kontrolluar nga Lista srbska.

         SKENARI I SHKATËRRIMIT TË SHTETIT TË KOSOVËS

         Kështu Serbia ia arriti qëllimit për të hyrë zyrtarisht dhe në mënyrë fuqiplote në qeverinë e Kosovës. Zëvendëskryeministri Rakiç me shokë e kontrollojnë qeverinë, inteligjencën (AKI-n), ushtrinë (FSK-n) dhe Ambasadën e Kosovës në Amerikë.Serbët e festuan këtë fitore në mënyrë madhështore bashkë me përkrahësit e Thaçit dhe të Mustafës. Këtë veprim anti-shqiptar e përgatiti dhe e realizoi me përpikmëri  presidenti (jo i imi) Hashim Thaçi, me direktiv të presidentit serb Vuçiq, në koordinim me Ambasadorin Richard Grenell duke e përdorur si vegël kryesore kryetarin e LDK-s Isa Mustafa. Të gjithë këta për interesa të ndryshme (Vuçiq për interesa kombëtare serbe, Thaçi për interesa personale të dosjeve dhe korrupsionit, Mustafa po ashtu për interesa personale dhe të korrupsionit, ndërsa Grenell për interesa karrieriste) por me qëllim të njejtë, krijimin e një qeverie kukull e cila do të jetë e gatshme për ta pranuar dhe  realizuar ndarjen e Kosovës.

Kësaj i parapriu rrëzimi i qeverisë demokratike të shpresës dhe anti-korrupsionit Kurti-Osmani, pengesë kryesore e qëllimit të tyre. Në realizimin e planeve të tyre të errëta ata u ndihmuan edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila në vend që të vendoste për zgjedhje të lira në interes të popullit, mundësoi krijimin e një qeverie jolegjitime. Ndër hapat e parë të qeverisë Hoti ishte heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë.Ky vendim e cenoi në mënyrë të drejtpërdrejt sovranitetin e shtetit dhe e dobësoi mëtutje pozitën edhe ashtu inferiore të Kosovës në dialog me Serbinë. Për më shumë, ky e ndihmon partinë e Vuçiqit në zgjedhjet e 21 Qershorit. Skenari i aktorëve negativ Thaçi-Vuçiq-Grenell për ndarjen dhe shkatërrimin e Kosovës planifikohet të  realizohet gjatë verës, më së largu deri në muajin tetor.

Çdo gjë pritet të bëhet me presione të pashembullta, frikësime, mashtrime, manipulime, shtrembërime të fakteve, propagandë të rrejshme, improvizime dhe kurdo që është e mundur me bisedime sekrete. Marrëveshja do të paraqitet gjithëpërfshirëse me njohje të dyanshme, pa e përmendur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Ky është “shansi i fundit” për zgjedhjen e problemit të Kosovës përndryshe Amerika do të “heq dorë” nga Kosova. Ekziston rreziku i “pushtimit” të sërishëm nga Serbia. Nuk do të ketë ndryshim të kufijve, veçse “përcaktim, përshtatje, korigjim të lehtë apo demarkim “ gjë që është normale kur dy shtete duhet ta njohin njëri-tjetrin. Kjo nënkupton “dhënjen e “domosdosdoshme” të një pjese të veriut të Kosovës dhe krijimin e disa “zajednicave” dhe hapësirave ekstraterritoriale, ndërsa marrjen e disa “livadheve dhe bungajave” në luginën e Preshevës. Në interes të “pajtimit” me Serbinë dhe krijimit të “miqësisë së përhershme” duhet të falen, mos o Zot, të gjitha krimet e luftës nga cilado anë qofshin. Pastaj, duhet bërë “kompromis” duke dhënë “diçka” për të marrë njohjen e pavarësisë nga agresori Serb! Po a e dijnë këta të pashpirtë sa shumë ka dhënë Kosova për këtë pavarësi me shekuj?! Qindra mijëra të vrarë e të masakruar në mënyrën më mizore, të zhdukur e të dhunuar, shtëpi të djeguara dhe toka të humbura! Të gjitha lëshimet kanë përfunduar njëherë e

përgjithmonë me 17 Shkurt 2008. Këtë duhet ta kuptojë edhe Ambasadori Grenell.Tentimi i tij për “marrje me të mire” të popullit të Kosovës filloi me çbllokimin e fondeve MCC pas heqjes së reciprocitetit. Në vazhdim, Amerika do ta ndihmoi Kosovën edhe me mjete tjera financiare, pajisje për ushtri, polici etj. Paralelisht me zhvillimin e dialogut, Grenell do të realizoi edhe marrëveshje tjera ekonomike të ngjashme me ato “kote” ajrore dhe hekurudhore që do ta “ndihmojnë shumë” ekonominë e Kosovës. Hoti do to të promovohet si “negociatorë shumë i zoti” ndërsa Thaçi do të ushtrojë kontroll të plotë të procesit. Kurti dhe Osmani do të paraqiten si “politikaj të rrezikshëm të cilët nuk i do Amerika”. Do të bëhen përpjekje për njollosje personale dhe familjare të tyre. Të gjitha këto mashtrime do të shtyhen me presion të pashembullt mbi deputetët e kuvendit për ta aprovuar marrëveshjen “historike shumë të vlefshme” për Kosovën. Pas aprovimit në parlament, nëse e shohin të nevojshme për ta forcuar, marrëveshjen mund ta qesin edhe në referendum i cili do të jetë rezultat i presioneve nga më të ndryshmet mbi popullin e Kosovës. Kryesorja është, se kështu po kërkon Amerika! Në protestat e pritura të popullit dhe të Vetëvendosjes do të

infiltrohen huliganë të SHIK-ut për të krijuar ekcese me qëllim të shuarjes së tyre me forcë dhe të shpalljes së VV-s organizatë ekstremiste, “fajtore” për të gjitha problemet e Kosovës. Serbia dhe Lista SERBSKA e qeverisë së Kosovës do të jenë “shumë të pakënaqur” por do ta pranojnë atë me “dhimbje të madhe”.

Radha i vjen tejkalimit të problemit me Unionin Evropian sidomos me Gjermaninë dhe Kancelaren Angela Merkel. Grenell do ta paraqes marrëveshjen  “historike” para tyre si “arritje të madhe me pëlqim të plotë të dyja palëve”. Çfarë të keqe ka aty, edhe dy Gjermanitë janë bashkuar ndërsa Çekia dhe Sllovakia janë ndarë në mënyrë paqësore pa kurrëfarë problemi për Evropën! Vështirë se kjo mund të refuzohet dhe bllokohet nga Evropa.Akti i fundit është lëvizja dhe përshtatja e trupave të NATO-s dhe ushtrisë serbe situatës së re në terren.Me hyrjen e ushtrisë serbe në tokat e Kosovës, ato humbasin përgjithmonë dhe Kosova pushon së ekzistuari si shtet stabil.Me këtë akt tradhëtia e Thaçit dhe e shërbëtorit të tij Mustafës ndaj Kosovës përjetësohet. Për këta të dy përfundon procesi i shkatërrimit të Kosovës por jo edhe për Serbinë.

         Shndërrimi i Kosovës në shtet jostabil dhe jofunksional, për Serbinë është vetëm pikënisje e arritjes së qëllimit final, kthimin e saj në kuadër të Serbisë si provincë Kosovo i Metohija, bazuar në rezolutën 1244 të OKB-s, apo ndarjen përfundimtare me Shqipërinë duke e siguruar edhe një dalje në detin Adriatik, ëndërr e kahmotëshme e hegjemonizmit serbo-rus. Për këtë Serbia e ka të siguruar përkrahjen  e tradhëtarit tjetër potencial shqiptar, kryeministrit Edi Rama. Për ta realizuar këtë atyre ju duhet ta diskreditojnë marrëveshjen e nënshkruar si një zgjidhje të përkohshme dhe të padrejtë për Serbinë.Thaçi i shfrytëzuar dhe i shtrydhur mirë nuk ju duhet gjë, dosjet disi dalin në shesh dhe ai përfundon në burg. Populli serb fillon me protesta, bllokime rrugësh dhe incidente të ndryshme. Kërkon referendum shtesë.Nëse e sheh të nevojshëme, Serbia e eliminon Vuçiqin nga skena politike për shkak të “shitjes” së Kosmetit. Politikanët e rinj serb bëjnë kërkesa për negociata tjera deri në shkatërrimin definitiv të Kosovës. Dëshiroj që këto parashikime të mijat dhe të tjerëve që e duan Kosovën me zemër të dalin gabim.

Të gjitha këto fatëkeqësi janë bërë të mundura në saje të gabimeve dhe keqbërjeve të Thacit dhe klasës politike që qeverisi me Kosovën pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova. Ato janë të shumta: “fusnota” në Deklaratën e pavarësisë, humbja e tokave në demarkacione me Maqedoni dhe Mal të Zi, lobimi aktiv për ndarjen e Kosovës, asociacioni i komunave serbe, legalizimi i strukturave kriminale të Veriut, ofrimi i amnistisë për kriminelët serb, mosmarrja e liberalizimit të vizave, heqja dorë nga mbrojtja e të drejtave të vëllazërve tanë të Kosovës Lindore, korrupsioni, varfëria e pafund dhe zbrazja e Kosovës. Faktet për shkatërrimin gradual të Kosovës janë të pakontestueshme. Në Albach të Austrisë me datën 25 Gusht, 2018, në pyetjen e moderatorit se a nënkupton marrëveshja finale me Serbinë edhe “rregullim kufijsh”, Thaçi u përgjigj: “Po, unë jam në favor të “korrigjimit të kufirit” sepse “ne kemi nevojë për një marrëveshje paqësore me Serbinë”. Presidenti serb Vuçiq i ulur afër tij, i habitur i thotë me ton të ulët “don’t tell them” pra “mos trego” dhe vazhdon të buzëqesh me ironi derisa Thaçi e përfundon përgjigjen. Dhe ky ka fytyrë të dal para popullit me deklarata falso utopike se nuk i jep Serbisë asgjë, veçse kërkon bashkimin e Kosovës Lindore. Me këtë mashtrim të shekullit do të duhej të përfundonte karriera e tij politike. Shtrohet pyetja, pse i duron populli shqiptar politikanët e këqinj kaq shumë dhe kaq gjatë?

          SHPËTIMI I KOSOVËS NGA SHKATËRRIMI

         Serbia e ndihmuar nga Thaçi me shokë, për 21 vite me radhë punoi me përkushtim të madh, duke shpenzuar miliona dollarë në Washington, për ta sjellë Kosovën në këtë gjëndje shumë të rëndë, para kapitullimit. Është momenti i fundit që Serbisë t’i ndalet turri dhe t’i thyhen dhëmbët si në vitin 1999.Rezistenca popullore filloi me zgjedhjet e lira demokratike të 6 Tetorit dhe fitoren e VV-s në krye me Albin Kurtin dhe të LDK-s pjesës Rugoviane në krye me Vjosa Osmanin.Rrëzimi i tyre me metoda të ulëta jodemokratike dhe vjedhja e pushtetit nga ana e klasës së korruptuar është humbje e përkohshme.Shpëtimi i Kosovës është i mundur.

         Hapi i parë i shpëtimit të Kosovës fillon me largimin nga politika të figurave më negative dhe më të rrezikshme për Kosovën, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës si dhe rrëzimin e qeverisë “srpska” me kryeministrin jolegjitim Avdullah Hotin. Më së lehti dhe më së miri do të ishte nëse Thaçin e largojnë pasardhësit e vërtetë të UÇK-s të vijës së Komandantit Adem Jashari në kuadër të PDK-s, ndërsa Isa Mustafën pasardhësit e vërtetë të vijës së Presidentit Ibrahim Rugova në kuadër të LDK-s. Nëse kjo nuk bëhet sa më shpejt, gjithsesipara përfundimit të dialogut me Serbinë, atëherë kjo detyrë i takon popullit të Kosovës. Vijnë në shprehje të gjitha metodat e rezistencës aktive që kulminojnë me protesta të përherëshme gjithë popullore me kërkesa legjitime për dorëheqjen e Thaçit, demokraci, zgjedhje të lira dhe kundër dialogut për ndarjen e Kosovës.Protestat paqësore mund të organizohen nga Vetëvendosja e cila me 12 Qershor tregoi se ka përkrahje dhe aftësi për t’i realizuar në mënyrë dinjitoze. Por, edhe më mirë do të ishte sikur të bëheshin nga organizata studentore me përkrahjen e VV-s dhe të mbarë popullit. Në këto protesta nuk guxohet të bëhen thyerje e dëmtime të objekteve dhe pronave private apo shtetërore.Në asnjë mënyrë nuk bën të protestohet para Ambasadës së SHBA-ve.Ajo është simbol i ekzistencës së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.Nuk bën të dëgjohen kurrsesi parulla anti-amerikane.

Paralelisht, duhen përforcuar dhe shtuar veprimet lobiste të mërgatës së fortë shqiptare në Amerikë, Zvicër, Gjermani dhe vende tjera demokratike me rëndësi dhe influence në zgjidhjen e problemit të Ballkanit.Liga Shqiptaro-Amerikane në Amerikë në krye me ish-kongresistin Joseph Dioguardi dhe Këshilltaren për çështje Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi ka aftësi profesionale dhe përvojë 30 vjeçare në lobizëm shumë të suksesshëm në Washington. Kjo Ligë mund të siguroi dëgjime në Kongresin Amerikan, ku Ambasadori Grenell apo zyrtarë tjerë të Administratës aktuale do të jenë të obliguar ta spjegojnë dhe arsyetojnë politikën e tyre ndaj Kosovës. Serbia ka patur sukses që me propagandë mashtruese anti-shqiptare, duke e luajtur rolin e viktimës, të depërtojë te zyrtarë të caktuar të Shtëpisë të Bardhë, por në Kongres do të pësojë disfatë sepse faktet dhe e drejta është në anën tonë. Liga ka të drejtë dhe mund të organizojë me shumë sukses demonstrata masive para Shtëpisë së Bardhë dhe OKB-s me kërkesa për zgjedhje të lira demokratike në Kosovë, kundër ndarjes së Kosovës, për njohjen e saj në kufijt ekzistues dhe antarësim të plotë në OKB.Ka të drejtë dhe mund ta kërkojë lirimin e Ambasadorit Grenell nga detyra e ndërmjetësuesit për shkak të politikës së gabuar dhe animit të hapur nga Serbia, ka të drejtë dhe detyrë ta kritikojë cilindo zyrtar amerikan për gabime politike dhe diplomatike, gjë që në asnjë mënyrë nuk guxojnë ta bëjnë politikanët e Kosovës dhe tokave tjera shqiptare.Për ta kryer këtë detyrë me sukses, Liga ka nevojë për përkrahje materiale si në vitet 90-ta, ose sot ose kurrë.

         ÇDO GJË PËR LIRINË E KOSOVËS

Tashti populli i Kosovës e ka plotësisht të çartë.Nuk ka të bëjë më vetëm me luftë për pushtet të partive politike.Ka të bëjë me ekzistencën e Kosovës si shtet dhe mundësinë e humbjes së lirisë.Populli shqiptar gjatë gjithë historisë, kurrë nuk është pajtuar me robëri, ka rezistuar dhe luftuar me të gjitha forcat armiqt e shumtë dhe tradhëtarët e vendit.Liria dhe pavarësia e Kosovës u arrit me luftë, nuk bën të humbet me bisedime, nuk bën të shkelet mbi gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit që e dhanë jetën për këtë liri.Edhe pse me hyrjen e NATO-s në Ballkan mundësia e luftave ka përfunduar, populli shqiptar nuk mund të pajtohet me humbjen e lirisë.Ky popull i shumëvuajtur ka të drejtë ta mbrojë lirinë me të gjitha mjetet, nëse ka nevojë dhe mundësi edhe me rezistencë të armatosur. Liria nuk falet për hatër të “mikut” dhe nuk i dorëzohet as forcës së armikut.Kosova dhe populli shqiptar janë më të fortë se Serbia. Liria është më e shtrenjtë se jeta!

         Dëshiroj ta përfundoj këtë shkrim me përgjigjen time në twitter deputetit të nderuar zvicerian: -Faleminderit shumë Z. Cedric, përkrahja e njerëzve të mëdhenj si Ju e ndihmon Kosovën në luftën për drejtësi dhe demokraci. Sëbashku ne do të fitojmë!

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, CEDRIC WERMUTH, Popull i Evropes

NJË TREGIM SUKSESI, DY KADETËT SHQIPTAR NË WEST POINT

June 15, 2020 by dgreca

DY KADETË SHQIPTARË NGA KOSOVA IA DOLËN ME FAQE TË BARDHË NË AKADEMINË USHTARAKE AMERIKANE, WEST POINT/

NGA FRANK SHKRELI/

Gjatë një vizite në Washington, katër vjetë më parë, Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) Z. Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtënant Rrahman Rama ishin takuar me gjeneral-lejtënantin amerikan Kenneth F. McKenzie, Drejtor për Politika dhe për Planifikimet Strategjike të Komandës së Bashkuar të Ushtrisë së SHBA-ve. Pas atij takimi në prill, 2016 u njoftua lajmi i mirë nga gjenerali amerikan, McKenzie se dy kadetë shqiptarë nga Kosova ishin pranuar në Akademinë e njohur Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, në West Point. Ai ka me atë rast se dy kadetët e rinjë shqiptarë të FSK-së, të pranuar në Akademinë ushtarake më të njohur në botë, ishin Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli- historike-kadetet-shqiptare-nga-kosova-pranohen-ne-akademine-ushtarake- amerikane-west-point/

Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku bënë histori! Ata ishin studentët e parë nga Kosova që u shkolluan dhe u diplomuan këtë të djelë në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara Amerikane, me famë botërore, West Point, në vitin 2016. Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është kollaj, por është një nder i jashtzakonshëm që gjithmonë është rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të Amerikës, por edhe të botës, që pranohen në atë institucion. Për tu pranuar në Akademinë më prestigjioze amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet morale dhe të karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor. Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point sigurojnë një arsimim universitar që nuk e ka shoqin askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia Ushtarake Amerikane. Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane, gjatë gjithë jetës, do i dallojë të diplomuarit e West Point nga të tjerët për nga aftësitë, nga karakteri dhe për zotësitë udhëheqse që ata kultivojnë aty për katër vjetë, duke i bërë ata anëtarë të një grupi elitar ndërkombëtarë, të dalluar dhe shumë të respektuar. Sipas Akademisë, zhvillimi etik dhe moral është thelbi i përvojës dhe i edukatës prej 47-muajsh për kadetët në West Point. Karakteri personal thekësohet si një vlerë e pa zevëndsueshme në mbështetje të motos së Akademisë: “Detyra, Nderi, Atdheu”, si dhe idealet e shtatë vlerave të Ushtrisë: besnikëria, respekti, shërbimi i pa kusht,nderi, integriteti dhe guximi personal.

Janë këto vlera në bazë të cilave të rinjët nga Kosova, Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku u pranuan katër vjetë më parë në Akademinë Ushtarake më prestigjoze në botë,– dhe janë këto vlera në bazë të cilave ata u diplomuan-bazuar krejtësisht në meritat e veta, si dhe falë përgatitjes së tyre personale, fizike dhe akademike. Katër vjetë, më parë në një shkrim modest, për të shënuar këtë ngjarje historike të pranimit të dy kadetëve shqiptarë nga Kosova në West Point, kisha uruar dy të rinjtë nga Kosova, që të dilnin me sukses dhe me faqe të bardhë në rrugëtimin e tyre, ashtuqë që të bëhen njëkohësisht edhe frymëzim për bashkmoshatarët e tyre shqiptarë. Suksesi i tyre është suksesi i të gjithë shqiptarëve, por veçanërisht i brezit të Yllit dhe Arelenës se megjithë mungesën së shumbujve të mirë aktualisht, me shembullin e tyre i treguan brezit të tyre se sukseset e vërteta në jetë arrihen edhe pa korrupsion e krime – shembuj për të cilëve vuan shumë bota shqiptare, përfshirë sidomos politikën. Këta dy të rinjë na rikthejnë përsëri shpresën e humbur se me me mund, djersë, moral e karakter, çdo gjë është e mundur në jetë.

Ja pra, këtu jemi sot, katër vite më vonë, dy të rinjë shqiptarë nga Republika e Kosovës, pas 12-vjet pavarësie të vendit të tyre dhe 21 vit pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovën e lirë – në Akademinë Ushtarake Amerikane u diplomuan Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, së bashku me rreth 1100 kadetë të tjerë, shumica amerikanë por edhe nga vende të tjera të botës. Në cereemoninë e diplomimit, të shtunën që kaloi, mori pjesë edhe Presidenti Donald Trump i cilimbajti edhe një fjalim me këtë rast, para të diplomuarve.

Me rastin e diplpmomit të tyre nga Akademia Ushtarale Amerikane , West Point, Arilena dhe Ylli shprehën ndjenjat dhe emocionet e tyre për këtë ditë historike për ta, për prindërit e tyre, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët vullnetmirë. Para zhvillimit të ceremonisë së diplomimit, Arilena Shala tha për Zërin e Amerikës se,“Kjo (ditë) më bën të ndihem edhe më shumë krenare, pasi kur të përmendej emri im dhe i Yllit gjithashtu do të përmendet edhe emri i Kosovës. Më bën edhe më shumë krenare pasi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë dhe do të dijë se Kosova ishte e suksesshme në West Point”. Për arritjet e saja, ajo falënderoi prindërit e vet, të gjithë ata që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim, u shpreh ajo, duke thekësuar veçanërisht falënderimet e saja për ndihmën që ka marrë nga “Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe nga Shtetet eBashkuara të Amerikës, që më kanë ofruar të jem në West Point”, përfundoi Arelena Shala. Ndërsa edhe Ylli Dalladaku u shpreh se ishte krenarë që përfaqësoi Kosovën në West Point dhe për, “Mundësinë të jap kontributin tim, për të përforcuar imazhin e vendit tim në një vend siç është West Point, ku e dimë se përfaqësohen shumë shtete. Besoj se të gjitha aftësitë që kemi përfituar këtu në West Point, kanë qenë për mua një përvojë e veçantë. Ishte një përgjegjësi e madhe që përfaqësova Kosovën për herë të parë në West Point, por njëkohsisht ky ka qenë edhe motivimi im kryesor. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme që të përfaqsosh diçka që është më e madhe se vetja jote dhe mua kjo më ka shtyr të kujdesëm më shumë për të tjerët se sa për veten dhe të jem Besnik i atyre vlerave – fillimisht ato familjare, me të cilat jam mësuar por edhe ato të cilat i kam mësuar këtu në West Point”, tha Ylli Dalladaku.

Arelena dhe Ylli janë vërtetë një gtregim suksesi. Me sjelljet dhe me sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që u ka dhënë Akademia Ushtarake në West Point, Arelena dhe Ylli nderojnë veten, familjen që i rriti dhe mbarë Kombin shqiptar të cilit i përkasin dhe i cili sot, në këët ditë gëzimi, është krenar për ta.

Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, ky lajm i mirë na bën të shpresojmë se e ardhmja e Kombit shqiptar do të njohë ditë më të mira kur të gjithë shqiptarët do të udhëhiqen nga gjenerata e Arelena Shalës dhe e Ylli Dalladaku, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun që u ka ofruar disiplina, dhe edukata ushtarake dhe akademike në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it. Keni plot arsye të jeni kreanr. Sot, me arritjet tuaja, i zbardhët faqen vetes, familjeve tuaja dhe të gjithë shqiptarëve kudo! U lumtë dhe suksese gjithmonë në jetë. Lartë e më lartë në karieren tuaj!

Filed Under: Emigracion, Featured Tagged With: dy kadetet shqiptare, Frank shkreli, WEST POINT

Ndahet nga jeta akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo

June 15, 2020 by dgreca

Shkruan:Almarina Gegvataj*/

TIRANE, 15 qershor- Akademiku, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo është ndarë sot nga jeta në moshën 71-vjeçare pas sëmundje të rëndë.

Komisioni i përhershëm i arteve dhe trashëgimisë kulturore i Akademisë së Shkencave mësoi me dhimbje të thellë lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, historianit, publicistit, studiuesit të njohur të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar, njeriut erudit dhe veprimtarit politik, Moikom Zeqo. “Ky lajm i trishtuar ka lënë në pikëllim familjen e tij; bashkësinë e studiuesve shqiptarë të arkeologjisë, qytetërimeve, letërsisë, besimeve dhe të shumë fushave të tjera; lexuesit e tij të shumtë në Shqipëri e në gjithë hapësirën historike kombëtare; të cilëve Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Pasi mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi, do të niste punën si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.

Në vitet 1979-1987, Zeqo punoi pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, e më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Më 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 u zgjodh deputet i PS dhe shërbeu deri më 1996. Më pas, do të shkëputej nga politika dhe do të zgjidhej drejtor në Muzeun Historik Kombëtar.

Moikom Zeqo ka lënë pas rreth 100 tituj librash në poezi, prozë, eseistikë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe një numër skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Veprimtaria krijuese e Moikom Zeqos u zhvillua para së gjithash në fushën e poezisë. Njihet si një prej përfaqësuesve më të shenjuar të brezit letrar pas-Kadare. Hyri në jetën letrare dhe kulturore të vendit si poet me figuracion të guximshëm, me ndikime nga De Rada e Migjeni, me një frymëzim të dukshëm qytetar dhe intelektual. E njohur si poezi e mendimit dhe e refleksionit të brendshëm, në tri dekadat e fundme ajo u shfaq me një figurshmëri edhe më moderne, duke u bërë e njohur si poezi e mendjes, zemrës dhe shpirtit, por para së gjithash si poezi ezoterike. Poezia e Moikom Zeqos më së shumti është poezi e kërkimit dhe e enciklopedizmit se e frymëzimit rastësor. Kjo është arsyeja që poezia e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës, prej viteve të rinisë deri në çastet e fundme të jetës.

Moikom Zeqo shkroi shumë vepra studimore për autorët më të rëndësishëm të saj prej fillimeve deri në kohët moderne. Në mënyrë të veçantë në vëmendjen e tij qenë shekujt e humanizmit europian në Shqipëri, me Barletin, Buzukun e Bogdanin; letërsia arbëreshe me De Radën; letërsia midis dy luftërave me Migjenin dhe letërsia popullore shqiptare. Moikom Zeqo shkroi gjithashtu artikuj e studime me karakter njohës e interpretues edhe për ritet dhe mitet e popullit shqiptar, dukuritë specifike etnografike të tij, folklorin, kujtesën gojore në përgjithësi. Për një kohë të gjatë ai ndoqi për së afërmi procesin krijues në tërësinë e vet me syrin e kritikut dhe të gazetarit: letërsinë, artet figurative, jetën e skenës dhe të kinemasë shqiptare.

Me gjithë karakterin shumëpërmasësh të veprimtarisë së tij poetike dhe kërkimore, Moikom Zeqo gradën shkencore “doktor” e mbrojti në fushën e arkeologjisë, që përbën drejtimin e dytë shumë të rëndësishëm të ndihmesave të tij. Më shumë se kërkues i terrenit, Moikom Zeqo shkroi për shumë çështje të lashtësisë së qytetërimit iliro-shqiptar dhe për vazhdimësinë midis tyre mbështetur në një bibliotekë shumë të pasur dhe në njohuritë e tij të gjera për qytetërimet antike, sidomos për qytetërimin grek dhe romak. Në mënyrë të veçantë interesim shkencor në këtë fushë pati për praninë e romanitetit në trashëgiminë shqiptare.

Publicistika, me shkrimet kritike për zhvillimet bashkëkohore dhe me karakterin e saj polemik, është një tjetër bashkudhëtare krijuese e Moikom Zeqos. Bashkë me ushtrimin e suksesshëm të detyrave të larta shtetërore dhe përfaqësuese, si ministër dhe deputet, publicistika përbën një prej formave të pjesëmarrjes së tij qytetare në jetën publike si mendimtar e nismëtar. Në dekadën e fundme të shekullit XX ai ishte një prej bashkëpunëtorëve më të vendosur të shtypit të lëvizjes çlirimtare të Kosovës dhe për këtë kontribut ai është nderuar me dekoratën e lartë të Urdhrit të Pavarësisë.

Akademia e Shkencave shprehet se “ndarja nga jeta e Mojkom Zeqos është një humbje e madhe për kulturën dhe botën e letrave shqipe, Ai do të mbetet një zë i veçantë dhe me vlera në fondin, identitetin dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare”.

Veprat e tij janë përkthyer më disa gjuhë të huaja, anglisht, esperanto, gjermanisht etj.

Historiani Zeqo është vlerësuar me Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

*Kortezi:Agjensia Telegrafike Shqiptare

Filed Under: Opinion Tagged With: Moikom Zeqo, Ndahet nga jeta

MJEKËT SHQIPTARË RRËFEJNË COVID-19 NGA VATRAT E SHPËRTHIMIT

June 15, 2020 by dgreca

Ekipi mjekësor anti-Covid i platformës dixhitale mjekësore “HEDA ALBANIA”: Aldi Pupuleku, Denisa Baci, Erand Llanaj, Ina Mexhitaj, Irma Kuka, Julia Darragjati dhe Teuta Muhollari rrëfejnë ekskluzivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Spanjën, Hungarinë dhe Shqipërinë në betejën dhe menaxhimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia globale Covid-19. Me ekipin e studjuesve shqiptarë në botë, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, bisedoi gazetari Sokol Paja.

Sokol Paja/

USA, ITALIA, SPANJA, HUNGARIA DHE  SHQIPËRIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Denisa Baci PhD (Milano, Itali): Thuajse pas 90-ditëve të vështira për Italinë,‘spitalet po marrin pak frymë’ më në fund. Kurba e infektimit dhe e viktimave është në rënie qëprej fillimit të muajit Prill. Mbajmë me vete shumë histori, kujtime nga ditët kur nuk njihnim se çfarë COVID-19 ishte, pasi Italia ishte epiqendra e parë Europiane, pas asaj botërore, Kinës. Në shumë pak ditë numrat kaluan ato të Kinës dhe ndërkohë pjesa tjetër e botës na shihte me dyshimpër masat ekstreme dhe mbylljen në fillim të Marsit. Unë jetoj në Lombardi, ne zonën më te prekur të Italisë dhe Imazhi që më ka goditur më tepër ishin kamionët e ushtrisë që kalonin pranë banesës time dhe transportonin viktimat. Ishte e pabesueshme kur shihja qytetin energjik të Milanos të gjunjëzuar. Aktualisht po mundohemi të kthehemi në jetën normale, me hapa të ngadaltë por të sigurtë. Personalisht i jam kthyer punës së laboratorit dhe studimeve të mia prej 3-javësh, por për shkak sigurie punojmë me orar të caktuar dhe kjo, jo çdo ditë.Po ndryshon mënyra e të menduarit dhe e të bërit shkencë. Eksperimentet përgjithësisht kërkojnë një prezencë shpeshme orëtë zgjatura dhe të përditshme. Në këtë aspekt ka ndryshuar thelbësisht mënyra e organizimit. Për të përfunduar detyrat e mia si lektore më është dashur të zhvillojleksionet dhe provimet me studentët e mi nëmënyrë virtuale duke përdorur platforma online. Është një ndjenjë shumë e çuditshme pasi nuk arrij dot të vëzhgoj interesin e studentëve dhe mundësitë e ndërveprimit me ta janë të rralla, që nënkupton mungesën e kënaqësisë që ky profesion të ofron. Edhe pse komunikimi me ta ka qenë i kufizuar, prej studentëve të mi kam mundur të kuptoj pasigurinë dhe demoralizimin që ata kanë për të ardhmen e tyre. Në mënyrë direkte shpesh kjo influencon edhe humorin tim, por me aq sa mundem përpiqem të transmetoj siguri tek ata.

Erand Llanaj PhD(c) (Debrecen, Hungari): Hungaria ka qenë një nga vendet e para që ka bërë sekuencimin e gjenomit të virusit dhe njohjen e virusit. Qeveria Hungareze ka investuar në hulumtime dhe kërkim shkencor gjatë kësaj periudhe dhe menaxhimi i situatës epidemiologjike deri sot (9 Qershor 2020) ka qenë i favorshëm krahasuar me vendet e tjera të BE, pasi Hungaria ka shmangur skenarin Njujorkez apo Lombardez. Pjesa më e madhe e vendit është kthyer në normalitet dhe pjesa më e madhe e institucioneve dhe bizneseve janë hapur. Gjendja e emergjencës pritet të hiqet zyrtarisht më datë 16 Qershor. Pas kësaj date priten të hapen edhe teatret, muzetë, kinematë dhe altivitetet e tjera.

Aldi Pupuleku PhD (Barcelonë, Spanjë): Spanja ishte shteti i dytë në Europë pas Italisë që pësoi goditje të ashpër prej pandemisë. Për fat të mirë gjendja aktualisht është përmirësuar ndjeshëm.Kjo falë masave të marra dhe veprimeve që qeveria po ndjek për një hapje graduale. Ky plan është përpiluar në 4 faza dhe pritet të zgjasë deri më 1 Korrik, atëherë kur është vendosur edhe hapja totale apo edhe lejimi i hyrjes së turistëve nga jashtë vendit. Muajin e fundit Spanja ndërmori një studim për të përllogaritur numrin e infektimeve totale të popullsisë dhe rezultatet treguan se përqindja e personave të infektuar në vend ishte 5.2% e popullsisë duke qenë më e lartë në krahina te caktuara si ajo e Madridit (11%) dhe Katalunjës (7%). Ky informacion është i rëndësishëm në disa aspekte dhe mbi të gjitha tregon që jemi shumë larg konceptit te ‘imunitetit te tufës’së përfolur në disa raste dhe qëështë më se e domosdoshme që qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm dhe të vazhdojnë të respektojnë masat e sigurisë për parandalimin e përhapjes së virusit.

Personalisht gjatë kësaj periudhe, si pjesëtar i ekipit të departamentit mjekësor të Novartis, kam qenë i implikuar në negociata me Ministrinë e Shëndetësisë së Spanjës për implementimin e një protokolli dhe aprovimin e një medikamenti eksperimental në kontekstin e COVID-19 i cili ka dhënë rezultate paraprake premtuese për trajtimin e pacientëve në fazë të avancuar. Aktualisht medikamenti është vënë në dispozicion të mjekëve dhe pacientëve në formë gratis.

Ina Mexhitaj Ph(c) (Pensilvani, SHBA): Rastet e para pozitive nëShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për SARS-CoV-2 u konfirmuan në fund tëmuajit Shkurt 2020. Për shkak të mungesës së një organizimi të shpejtëkombëtar, masat për një parandalim të shpejtëtë shpërndarjes së virusit (karantinë për të gjitha shtetet), u bënë më ngadalë seç duhej. Kjo solli që secili shtet të zbatonte rregullat e paraqitura nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) bazuar në popullsinë e tyre të lartë dhe mundësitë përballuesetë vet shtetit. Disa prej tyre i ndërmorrën këto masa mërreptësisht se të tjerat(p.sh.: NjuJork, Kaliforni, Illinois, Masaçusets). Si pasojë e pandemisë, deri më tani kemi 2 milion të infektuar dhe më shumë se 100.000 vdekje. Edhe pse në fillim janë hasur probleme, Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve (FDA) ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për të rritur mbrojtjen e shëndetit publik gjatë kësaj kohe duke shpejtuar zhvillimin e një vaksine të mundshme kundrejt virusit, survejimin e provave të ndryshme klinike si dhe mirëinformimin e publikut të gjerë. Një punë të jashtëzakonshme dhe e palodhur është bërë prej të gjitha universiteteve dhe kompanive farmaceutike të cilat kanë fokusuar burimet intelektuale dhe ato monetare në studimin e COVID-19 qëprej zanafillës. SHBA ka mundur të menaxhojë këtë situatë me shumë kurajo dhe dedikim, si nga ana e profesionistëve të vijës së parë ashtu edhe nga vetë qytetarët të cilët janë munduar të jenë të ndërgjegjshëm dhe të mirëinformohen gjatë gjithë kohës. Prej mesit të muajit Maj, ne mundëm të ulim pikën kulmore dhe tani fatmirësisht disa nga shtetet janë duke iu afruar fundit të valës së parë të pandemisë. Bizneset kanë filluar të hapen dhe qytetarët mund të lëvizin më lirshëm. Momentalisht, vetëm 20% të personelit na lejohet të jemi të pranishëm në vendet e punës, kjo për një kohë të caktuar dhe duke mbajtur distancim fizik të posaçëm. Shpresoj që kjo hapje graduale të vazhdojë të përmirësojë situatën edhe pse në realitet pritet të kemi një rritje tënumrit të personave të infektuar në javët në vijim për shkak të protestave që po zhvillohen në shumë qytete tëSHBA këto javët e fundit.

Gjatë kësaj periudhe, unë, si kërkuese shkencore (në Universitetin e Pensilvanisë, në bashkëpunim me Spitalin e Fëmijëve nëFiladelfia si dhe disa qendra të tjera spitalore lokale), jam marrë me studimin e mostrave të pacientëve që kanë qenë pozitiv për COVID-19 dhe që në të njëjtën kohë janë paraqitur me probleme neurologjike. E gjitha kjo, për të mësuar më tepër rreth rolit që ky virus luan në sistemin nervor.

Irma Kuka (Tiranë, Shqipëri): Pas gati tre muajsh nga izolimi i rastit të parë në Shqipëri, tani po përjetojmë efektet e lirimit të masave shtrënguese qeveritare, ku prej datës 1 Qershor thuajse çdo aktivitet është i lejuar. Këto ditë janë rritur rastet e të shtruarve në spital, rastet e pacientëve në reanimacion, si dhe numri i pacientëve me simptoma. Institucionet këshillojnë të kemi shumë kujdes dhe të respektojmë rregullat e higjienës respiratore, të lajmë duart dhe të ruajmë distancën fizike.

Julia Daragjati PhD (Padova, Itali): Ju sjell shembullin e qytetit ku unë banoj e punoj prej më shumë se 10-vitesh, qytetit universitar të Padovës. Çdo gjë filloi në fund të muajit Janar nëpërmjet një email-i ku rektori i universitetit ftonte për testime ndaj SARS-CoV-2 të gjithë personelin universitar (studentë kinezë, profesorë apo kërkues) të cilët muajin e fundit kishin qenë në Kinë apo kishin pasur kontakte me Kinën. Nuk vonoi shumë dhe në fund të muajit Shkurt u shënua viktima e parë në një fshat të kodrave padovane. Universiteti së bashku me spitalin krijuan një task force ku u mundësua testimi i të gjithë banorëve të këtij fshati të vogël. Ky studim ishte shumë i rëndësishëm pasi solli rezultatinse 43% e të infektuarve nuk kishin asnjëlloj simptome dhe për këtë fakt, shumë lehtë virusi mund të përhapej prej këtyre personave që nuk ishin në dijeni mbi infektimin.  Ndërkohë virusi po bënte kërdinë në Lombardi. Testimit iu nënshtrua gjithë personeli universitar e ai shëndetësor i spitalit, e më pas edhe në gjithë qytetin, duke parandaluar kështu infektimin brenda insitucioneve por gjithashtu edhe në gjithë qytetin e rajonin. Veneto, njihet si rajoni që përballoi më mirë situatën falë virologut që kishim në Padova dhe ekspertëve të task-forcës që me vendosmëri e të palodhur vazhdojnë ende studimet e kësaj pandemie.Unë jam farmaciste dhe kërkuese postdoktorale në Departamentin e Shëndetit të Gruas dhe Fëmijës, pikërisht në onkologjinë pediatrike, aty ku puna nuk pushoi dhe kemioterapitë e programuara vazhduan në mënyrë të rregullt. Testimet për koronavirus u bëheshin pacientëve dhe familjarëve të tyre rregullisht. Kuptohet që frika ishte mjaft e madhe, sepse punohej në repart me pacientë të cilët imunitetin e kishin të kompromentuar, por parandalimi dhe testimet e vazhdueshme kanë qenë një element suksesi për përballimin pozitiv të situatës në ambientet spitalore. Punët kërkimore ende vazhdojnë dhe studiuesit nuk janë ndalur. Mjekët, farmacistët, infermierët dhe i gjithë stafi shëndetësor punuan me orë të gjata. Ne ende vazhdojmë të jemi në një emergjencë, por tashmë diskutimet janë më të shpeshta për këtë bashkëjetesë me virusin dhe duket se njerëzit janë më të përgjegjshëm për të mirën e komunitetit. Maskat kemi filluar t’i heqim para një jave në ambiente të hapura edhe pse shikon që janë bërë aksesori i jetës së përditshme dhe vazhdojmë t’i përdorim në spital, punë, në farmaci, në dyqane, autobus, trena, etj. Rutina universitare e të studiuarit u zhvillua në mënyrë virtuale. Padova është një qytet studentësh, por sot pa studentë!

Teuta Muhollari PhD(c) (Debrecen, Hungari): Situata sot në Hungari paraqitet e normalizuar thuajse në shumicën e qyteteve. Masat e ndërmarra nga autoritetet përkatëse për parandalimin e një skenari të padëshirueshëm duket se kanë funksionuar mirë dhe jetës së qytetarëve duket se po i rikthehet normaliteti. Ky realitet nuk është tërësisht i ngjashëm me atë të jetës para pandemisë, por gjithsesi duket se është i nevojshëm e i shumëpritur thuajse nga shumica e shoqërisë. Prej rreth dy javësh, një pjesë e konsiderueshme e masave kufizuese të ndërmarra në fillimin e gjendjes së emergjencës, janë liruar. Pritet që në fund të dy javëshit të parë të muajit Qershor parlamenti Hungarez të votojë heqjen e statusit të emergjencës. Njëherazi, shumë institucione të lidhura me jetën e përditshme të qytetarëve (si p.sh.: teatrot, kinematë, muzetë, pishinat etj.) priten të rihapen. Pjesa më e madhe e qytetarëve vazhdon të respektojë rregullat që qëndrojnë ende në zbatim për ambientet të cilat kërkojnë këtë përqasje. Prej këtij reflektimi, kuptoj që shumica e qytetarëve dëshiron të kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit të vetes dhe tjetrit.

SHQIPTARËT NË USA, ITALI, SPANJË, HUNGARI NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Denisa Baci PhD (Milano, Itali):Situata e shqiptarëve në Itali në betejën ndaj COVID-19 është pothuajse si e vendalinjve, pasi po përballen me të njëtat probleme. Për të qenë e vërtetë, shumica prej nesh kemi qenë më tepër të shqetësuar për situatën në Shqipëri, që fatmirësisht  u përballua mirë deri në këtë moment. Realisht nuk kam një numërtë shqiptarëve që kanë humbur jetën, por mund të them që problemet kryesore janë më tepër të aspektit ekonomik, sidomospër ata individë të cilëtzotëronin aktivitete komerciale.

Erand Llanaj PhD(c) (Debrecen, Hungari):Këtu ku jetojmë kemi një grup të vogël shqiptarësh nga Shqipëria, Kosova dhe trevat. Deri sot askush prej tyre nuk është prekur nga COVID-19. Madje para një jave një prej miqve tanë shqiptar, që dyshonte se mund të ishte infektuar, u testua menjëherë dhe rezultoi negativ. Përtej kësaj komuniteti ynë shqiptar ka respektuar masat dhe rregullat epidemiologjike.

Aldi Pupuleku PhD (Barcelonë, Spanjë):Nuk jam në dijeni të numrit të shqiptarëve që jetojnë në Spanjë, personalisht jam në kontakt me disa prej tyre. Besoj që të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu kanë pasur thuajse të njëjtat shqetësime dhe përqasje me situatën si vendasit. Bisedat qe kemi bërë, gjithmonë kanë pasur në fokus zhvillimin dhe menaxhimin e situatës jo vetëm në Spanjë por mbi të gjitha në Shqipëri pasi të gjithë kemi familje dhe të afërm që jetojnë atje. Jemi të kënaqur që Shqipëria e kaloi me sukses këtë fazë delikate dhe që nuk u përball me skenarin Spanjoll, Italian apo dhe si shumë shtete të tjera ku gjendja ka qenë goxha e rëndë.

Ina Mexhitaj PhD(c) (Pensilvani, SHBA):Si një prej komuniteteve më të mëdhenj të shqiptarëve në botë, ne që jetojmë nëSHBA ashtu si edhe vendasit, kemi hasur të njëjtat probleme dhe frikë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Meqenëse këtu statistikat demografike dhe rastet e konfirmuara me COVID-19 klasifikohen në përgjithësi në bazë të racave, është e vështirë të dihet me saktësi se sa i prekur ka qenë komuniteti shqiptar. Megjithatë, kam qëndruar vazhdimisht në kontakt me familjarë dhe kolegë dhe në përgjithësi mendoj se shqiptarët janë treguar me të vërtetë të ndërgjegjshëm dhe kanë zbatuar rregullat duke mbrojtur kështu jo vetëm veten por edhe të tjerët.

Irma Kuka (Tiranë, Shqipëri):Ftoj të gjithë komunitetin e mërgatës shqiptare kudo që ndodhet ta kthejë kokën pas nga vendlindja e ta ndihmojë atë me aftësitë dhe njohuritë që ka gjithsecili. Përvojat që të gjithë kanë marrë nëpër botë do ishin shumë me vlerë nëse do tëvendoseshin në dispozicion të vendlindjes. Një shembull i këtij bashkëpunimi është dhe historia e lindjes së platformës shëndetësore HEDA Albania, e cila synon informimin e publikut dhe profesionistëve me qëllim promovimin e shëndetit të mirë (duke u bazuar në informacion të sigurtë) për të gjithë, si dhe ndërgjegjësimin për problematika të ndryshme shëndetësore. HEDA është një histori përkushtimi. Suksesi i saj vjen nga serioziteti dhe pasioni që ka secili prej bashkëpunëtorëve duke bërë që vlerat dhe profesionalizmi që ka secili prej nesh, të vendosen në shërbim të bashkë atdhetarëve tanë kudo qofshin. Vlen për t’u theksuar që ky projekt është vullnetar dhe ka lindur si njëfrymë bashkëpunimi midis  profesionistëve shqiptarë të fushës së shëndetësisë, psikologjisë, teknologjisë së informacionit dhe gjuhësisë. Porta e HEDAs do të jetë e hapur për të gjithë profesionistët që kanë dëshirë të kontribuojnë.

Julia Daragjati PhD (Padova, Itali): Nuk jam e vetmja shqiptare që punon në universitetin dhe spitalin e Padovas/ Veneto. Në punët e mija të përditshme jam ballafaquar dhe kam diskutuar me koleget e mija farmaciste dhe mjeke. Të gjithë kemi qenë të shqetësuar për çfarë po jetonim, e veçanërisht për të afërmit tanë të cilët banojnë në Shqipëri. Ky ish momenti që lindi dëshirën time të bashkëpunimit me ekipin Heda me qëllim sjelljen në shqip të studimeve më të fundit të publikuara në revistat shkencore  në lidhje me virusin korona.

Teuta Muhollari PhD(c) (Debrecen, Hungari): Në qytetin ku unë jetoj kam kontakte me shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjitha shqipet gëzojnë shëndet të mirë dhe  asnjë prej tyre nuk është i prekur prej COVID-19. Për gjatë gjithë kohës (veçanërisht këtë periudhë) jemi në kontakt të vazhdueshëm, së pari për t’u informuar mbi njeri-tjetrin dhe së dyti për të vazhduar shkëmbimet e mendimeve dhe përvojave tona, me qëllim përmirësimin e vendeve tona nëpërmjet veprave të prekshme. Është kënaqësi e papërshkrueshme kur sheh dhe ndjen se evolucioni mendor i komunitetit shqipfolës e gjen patjetër një rrugë të evoluojë (edhe në kohë pandemie).

MESAZHE PËR DIASPORËN NË USA DHE LEXUESIT E DIELLIT

Denisa Baci PhD (Milano, Itali):Fillimisht dua t’ju përgëzoj përgazetën, për ndjenjat patriotike që kultivoni në diasporën shqiptare në USA dhe mbi të gjitha për iniciativat që ndërmerrni sidomos në 28-29 Nëntor. Është diçka e mrekullueshme ajo qëpo bëni!  Në lidhje me situatën, lexuesve dua t’ju them të qëndrojnë të përgjegjshëm, vigjilent dhe mbi të gjitha të informuar duke përzgjedhur burimet e informacionit me shumë kujdes.

Erand Llanaj PhD(c) (Debrecen, Hungari): Mesazhi ynë për lexuesit e ‘Dielli’ dhe mërgatën shqiptare, është një mesazh që jemi përpjekur si ekip ta përçojmë dhe amplifikojmë këto muaj, gjatë të cilëve me përkushtim jemi vënë në dispozicion të kombit tonë duke prodhuar më shumë se 100 publikime shkencore, mbi 20 postera dhe algoritme informuese, mbi 30 intervista informuese dhe vetëdijësuese në media shqipfolëse, 6 përditësime teknike shkencore për profesionistët shqipfolës, përveç përmbledhjeve kërkimore të përdithme në shqip tek HEDA.AL. Ne si bashkëatdhetar jemi në këtë situatë të pazakontë të përbashkuar dhe kemi ndarë vlerat më të mira të shqiptarisë, duke pikturuar një imazh që e ka identifikuar Shqipërinë gjatë kësaj periudhe me shkencë dhe shpresë. Kjo është Shqipëria jonë edhe pse copëzat e saj janë të shpërndara si degët e pemës, ka një trung të përbashkët me rrënjët thellë në vizionin e të parëve tanë. Shqipëria nuk është kur vetëm!

Aldi Pupuleku PhD (Barcelonë, Spanjë):Jemi në dijeni për situatën shqetësuese që po kalojnë Shtetet e Bashkuara si në lidhje me pandeminë po ashtu edhe me protestat që po zhvillohen kohët e fundit. Shpresojmë që gjërat atje të qetësohen sa më shpejt. I bëj thirrje bashkë këmbësve të mi që të kenë kujdes, të tregohen të ndërgjegjshëm dhe të respektojnë masat mbrojtëse ashtu edhe ato të distancimit fizik ndërkohë që shkenca përparon në kohë rekord drejt zbulimit të një kure dhe një vaksine.

Ina Mexhitaj PhD(c) (Pensilvani, SHBA): Unë do të dëshiroja të jepja dy mesazhe shumë të rëndësishme për shqiptarët qëjetojnë këtu nëSHBA. Mesazhi i parë: të qëndrojmë vigjilente nëçdo moment pasi nuk e kemi kaluar këtë situatë akoma.Kështu që duhet të vazhdojmë të mbrohemi që të mos kemi valë të tjera kaq të vështira si kjo që sapo kaluam. Kjo është një përgjegjësi e tëgjithëve! Mesazhi i dytë: edhe pse mund të duket disi e çuditshme, në këtë situatë duhet të jemi më të hapur. Më të hapur në mendje, më të hapur të mësojmë për dukuritë që na rrethojnë, më të hapur me ato persona që lejojmë në jetën tonë të përditshme, më të hapur për tëdhënë ndihmë e dashuri jashtë komunitetit tonë. Ne njihemi si një komb mikpritës e bujar, por nuk duhet të jemi të tillë vetëm me njeri-tjetrin e ata që njohim e duam.  Le të hapim dyert e mendjes, zemrës dhe të shtëpisë,vetëmnë këtë mënyrë mund të bëhemi pjesë integrale e kësaj shoqërie dhe këtij vendi për të cilin punojmëe sakrifikojmë aq shumë, e që njëherazi na jep kaq shumë mbrapsht. Kemi kaluar, po kalojmë dhe do vazhdojmë të kalojmë me të vërtetë një situatë të vështirë si nga ana shëndetësore, mendore ashtu edhe ajo sociale. Kudo rreth nesh shohim padrejtësi dhe protesta për të drejta njerëzore për të cilat duhet të jemi të informuar për tu integruar plotësisht në këtë shoqëri të larmishme e cila na ka hapur dyert. Në një vend si ky, nuk mund të jetojmë në vakum dhe nuk mund tëmbyllim dot sytë kur shohim se çfarë po ndodh jashtë oborrit tonë. Le të informohemi dhe të japim kontributin tonë me çfarëkemi mundësi e sa do i vogël të jetë. Le të marrim hapa të vegjël drejt një të ardhme më të shëndetshme, më të drejtë e tëbarabartë, më të sigurtë, më të ndritur e më tëmirë për të gjithë ne. We’re ALL in this together!

Julia Daragjati PhD (Padova, Itali):Ju falënderoj për këtë intervistë dhe interesin që keni shprehur për këtë ekip, icili në të vërtetë ka punuar me shumë përkushtim për të informuar shqiptarët kudo që ndodhen për këtë situatë pandemie që preku mbarë globin. Kjo është një punë që u realizua falë dashurisë: ndaj shkencës, familjarëve e të afërmve. Prandaj shkencën e sollëm në gjuhën e zemrës, gjuhën amtare të gjithë shqiptarëve, në këtë gjuhë që është edhe e juaja, lexues të nderuar!

Teuta Muhollari PhD(c) (Debrecen, Hungari): Ajo që globi po përjeton sot, nuk është një situatë TËRËSISHT e NGJASHME me atë të para pandemisë… gjithashtu nuk është një situatë TËRËSISHT e NDRYSHME nga ajo më parë… Dinamika e zhvillimit të kësaj pandemie dhe nevoja për ta menaxhuar atë me sa më pak humbje, na ka vënë në një sprovë të gjithëve në planet. Për të parën herë, ne, ‘Njerëzimit të Sotëm’, na u desh të sakrifikonim një element (edhe pse në një perspektivë të kufizuar) për të cilin luftuam gjithmonë në të shkuarën me njeri-tjetrin, ‘LIRINË’… Një pjesë prej nesh, ende sot, e marrim të mirëqenë gjithë historinë, e cila disa herë u ‘shkrua me armë’ (nga mungesa e një mjeti më të sofistikuar e të bërit luftë) e disa herë u shkrua me penë. E gjitha kjo histori, e shkruar për ty, për mua, për ne… Është në dorën e të gjithëve ne të ‘sotmëve‘ të vendosim se cilin mjet do të zgjedhim për të shkruar historinë e së nesërmes… e së nesërmes e cila nuk do të harrojë të pyesë sërisht për pandeminë…

Filed Under: Featured Tagged With: mjeket shqiptare, rrfejne COVID 19, Sokol Paja, Vatrat e shperthimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT