• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

SHQIPËRIA NË SYTË E ADI KRASTËS

June 4, 2020 by dgreca

“Tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi”/

Adi Krasta, prezantuesi i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, ka rrëfyer dhe analizuar ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA New York, Shqipërinë aktuale dhe betejën e shtetit shqiptar ndaj Covid-19, keqqeverisjen e vendit në kohë pandemie, dështimin e reformës në drejtësi, kohën për rrotacion të domosdoshëm politik, shëmbjen e Teatrit Kombëtar si akt tinëzar, opozitën shqiptare dhe kryesorja apeli për diasporën shqiptare kudo në botë për të kontribuar në betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Me Adi Krastën bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

COVID-19 DHE SHQIPËRIA

Sipas prezantuesit të mirënjohur Adi Krasta “Covid-19 e gjeti botën të papërgatitur. Është paradoksale por si të gjithë vendet komuniste e diktatoriale Shqipërinë e dikurshme nuk do e gjente kaq gafil. Mosmbyllja e rrugës me Italinë e Veriut që në janar, nxitimi për të bërë tendera të dyshimtë të maskave, komunikimi vetëm nga Kryeministri me FB dhe zgjatja e bllokimit u konsideruan gabime të qeverisë në ballafaqimin me pandeminë globale”- citoi ai.

MANIPULIM DHE PROPAGANDË

Administrimi shtetëror i Shqipërisë në kohë pandemie u shoqërua me : masa estreme izolimi, urdhra shproporcionalë, tejzgjatje e gjëndjes së fatkeqësisë natyrore, dhunë policore ndaj qytetarëve etj. Sipas Krastës “ka patur padyshim edhe nga këto që përmendni. Por unë gjej manipulimin, mungesën e çiltërsisë dhe propagandën si defekte serioze” – shpjegon ai.

REFORMA NË DREJTËSI, GJUETI SHTRIGASH

Reforma në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri e trumbetuar si reforma më e rëndësishme e dekadave të fundit, sipas Adi Krastës ka qenë një dështim i plotë. “Jam i mendimit që reforma në drejtësi ka dështuar. Ka qenë boshe, selektive, bazuar mbi pritshmëri jo realiste. Roli i ambasadoreve amerikanë ka qenë naiv dhe i pasinqertë. Nga pala shqiptare, dëshira për reformë u shoqërua siç ndodh gjithmonë me klientelizëm dhe gjueti shtrigash” – arsyeton Krasta.

TETË VITE MJAFTOJNË PËR TË SHKATËRRUAR GJITHÇKA

Adi Krasta këmbëngul që rrotacioni i pushtetit politik në Shqipëri është një domosdoshmëri. “Unë e ndjek politikën nga larg. Kulisat i dinë ata që janë afër establishmentit. Unë nuk kam qenë kurrë. Kam folur vetëm për atë që ka qenë para syve të mi. Ajo që kuptoj unë është se tetë vjet janë të mjaftueshëm për të shkatërruar shpirtin dhe mëndjen e një vendi. Rrotacioni është imperativ” – thekson Krasta.

LYPSET NJË KRYEMINISTËR NDRYSHE

Sipas Adi krastës “sytë e shqiptarëve janë tek Kryeministri i të ardhmes, cilido qoftë ai. Bën mirë që ky kryeministër të jetë seriozisht i ndryshëm nga paraardhesit e tij. Dhe po. Një parti politike mundet të vijë në pushtet pas tetë vjetësh opozitë. Problemi është se çfarë do sjellë në pushtet? Të njëjtën çmenduri, arrogancë, kurrupsion dhe hajvanllëk politik të përjetshëm? Shpresoj që jo” – lutet Krasta.

KRASTA SHOW, OPOZITË NGA EKRANI

Monologu i Adi Krastës ka qenë një formë e shkëlqyer gazetarie për të ndërgjegjësuar publikun dhe për të nxjerrë në pah anën tjetër të politikës, asaj që njerëzve u fshihet nga propaganda qeveritare. Modestisht këtë Krasta e arsyeton kështu: “Kam folur si një njeri i zakonshëm por që punon në televizion. Jam i lumtur se konstatoj që më kanë dëgjuar. Nuk kam pretendime iluminuese. Nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht veten. Por më është dukur e domosdoshme ti flas shpirtit kundërshtues të popullit tim si një njeri i medias” – mbyll shpjegimin e tij Krasta.

SHËMBJA E TEATRIT AKT I SHËMTUAR E TINËZAR

Sipas Adi Krastës “shembja e Teatrit Kombëtar ka shkaktuar një shembje në shpirtin tim. Ka qenë kaq e parashikuar, burracake, tinëzare dhe e shëmtuar. Jam i bindur se Teatri dhe ata që vdiqën të nderuar dikur sepse punuan në të do jenë Karma për ata që guxuan ta rrënojnë” – shprehet i revoltuar Krasta.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË

USAAdi Krasta e quan diasporën shqiptare kudo në botë si pjesë të pandashme të shpirtit e zemrës së Shqipërisë. Ai kujton se “në vitin 1996 kam bërë një dokumentar në USA. Intervistova Gergian, një zonjë në të 80-tat që ishte me origjinë nga Korça. Kishte kindur në Amerikë por fliste një shqipe të shkëlqyer. Kam një veneracion për brezat e shqiptarëve që jetojnë në Usa. Kishin një guxim të admirueshëm që kërkuan Tokën dhe Jetën e ëndrrave. Shpresoj që ata do gjejnë gjithmonë kohë të jenë të pranishëm në jetën dhe betejat e Shqipërisë për një jetë më të mirë. Distanca nuk do të duhet ti bëjë këta shqiptaro-amerikanë të mos e kuptojnë më shpirtin dhe sjelljen e shqiptarëve që jetojnë ende në vendin e vogël nga ku u larguan. Ne kemi nevojë për solidaritet jo për paternalizëm. Vlerësojmë ndjeshmërinë jo marrjen e pozicioneve të prera. Ne kemi nevojë që shqiptarët e Amerikës dhe të të gjithë botës të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës dhe zemrës sonë” – mbyll prononcimin e tij për gazetën Dielli prezantuesi i 

Filed Under: Featured Tagged With: Adi Krasta, shqiperia, Sokol Paja

S’KA MË KOHË

June 3, 2020 by dgreca

 JULIA GJIKA NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT/

 S’ KA MË KOHË/

 “I mjeri unë! Jam i humbur, sepse jam njeri me buzë të papastra, që jetoj mes një populli me buzë të papastra…” (ISAIA: 6; 5)/

Njësoj jemi ne njerëzit,/

njësoj, pavarësisht nga racat./

Kemi priviligjin të jemi njerëz,

se mund të ishim krimba, uritha, akrepa, gjarpërinj.

Diçka kemi prej krimbi, urithi, akrepi, gjarpëri.

Në shekullin XXI që jetojmë,

Zot, na shpëto nga vetja jonë!

Egoiste, lakmitare, mashtruese!

Sa kohë na duhet për shpëlarje?

“Pendesa, e vetmja barkë që nuk mbytet

është në pritje” – thosh Viktor Hygoi.

Sa kohë duhet për të kuptuar si jetohet,

jashtë krimit, anktheve, kompromiseve, maktheve?

Për të qënë të lirë,

të çliruar nga muret e mentaliteteve.

Protestat në Amerikë i pa gjithë bota.

Turpin, krimin e një polici të bardhë, 

që i mori frymën një njeriu me ngjyrë.

Ngjyra e lëkurës,

nuk të bën të jesh më i mirë,

a më i keq se të tjerët.

Vetë privilegji i të qënit njeri, jo ngjyra, 

të këndojë, si qumështi me dashuri kur e mëkon nëna.

Protestat e dhunshme, 

ngrejnë branda nesh humnera të tjera,

stuhi dhe katastrofa.

Cfarë do të thonë për mua, për ty,

kur kufoma jonë do të presë nesër

duart e të tjerëve të na vendosin në banesën e fundit?

Me dy fjalë lamtumire për jetët tona,

apo si qeni në vreshtë, qënie të papenduara?

“Pendesa e vetmja barkë që nuk mbytet”,

po pret me durim.

Nuk duhet humbur kohë, sepse s’ka më kohë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, S'ka me kohe

ÇMENDURI NË DEMOKRACI

June 3, 2020 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/ Në mëngjezin e 2 qershorit, pasi kisha kaluar një natë  pothuajse pa gjumë e shumë i stresuar nga rrëmujshëria e ngjarjeve në qytetet kryesore të SHBA-së, shkova në një dyqan  për të riparuar kompjurerin. Rrugës pashë grupe të vogla të rinjsh 20 – 30 vjecar italianë e shqiptarë që diskutonin me zë të lartë e të shqetësuar. Dëgjova njerin italian që u tha bashkbiseduesve se: ”ishim në stacionin e policisë për të kërkuar armë për vetmbrojtje, por nuk na dhanë. Atje na thanë, mos u shqetësoni se zona juaj është e sigurtë. Po çfarë sigurie është kjo  kur po bëhet nami kudo duke djegur, thyer e plaçkitur dyqanet në NY e gjithë Amerikën”? Tjetri ja priti, skemi rrugë tjetër veçse të vetmbrohemi me mjete të forta druri e hekuri. 

Duke dëgjuar këto copëza bisede u stresova akoma më shumë  dhe thashë me vehte  çpo ndodh në shtëpinë tonë të përbashkët që e ka emrin USA? Ndërsa arrita tek dyqani i riparimeve elektronike, ja behu  me nxitim komshija (italiane e dyqanit  përbri) e cila tha:” biznesin përbri meje e paskan thyer e plaçkitur tërësisht”, por nuk është vetëm ai, janë edhe dy të tjerë të abandonuar këtu në Morris Park, çfarë mendoni se duhet të bëjmë? Pronari i dyqanit një mesoburrë shqiptarë shumë puntor, i ndershëm e mjeshtër elektronik shumë i mirë, tha : ”në këtë dyqan kam investuar gjithë mundin e djersën e jetës time, paguaj rregullisht taksat dhe më këtë ushqej familjen, por në se shteti nuk ma mbron pasurinë time nga vandalizmi i rrugës , unë do të bëj vetmbrojtje me çdo mjet të mundshëm”. U përpoqa ta qetsoja bashkatdhetarin tim duke i thënë se jeta është gjëja më e çmuar që kemi, prandaj  duhet të vetpërmbahemi.

Rreth orës njëmbëdhjetë  të datës 3 qershor, ndërsa po prisnim jashtë të merrnim  ushqimin e porositur në restaurant, pronari na ofroi nga një kafe sa të bëhej gati ushqimi. Ndërkohë nga 186 street e Arthur avenue erdhën deri pranë nesh, dy të rinj afrikano –amerikanë (njeri i çveshur në mes e lart  me një një shufër hekuri në dorë rreth një metër të gjatë dhe tjetri me një çekiç me bisht hekuri)  duke bërtitur me zë të lartë, kërcënonin  kalimtarët e rastit, pastaj disa pronar dyqanesh dhe më pas fare pranë nesh  përsëri kërcënuan një grup tjetër grashë e fëmijësh. Ju thashë miqve të mi të pranishëm: Zef Balaj, Pjerin Lumaj e Gjergj Ivanaj, çpo ndodh kështu  o miqt e mi në vendin më demokratik, më të zhilluar e më të fuqishëm të botës? Kjo në gjykimin tim është çmenduri në demokraci.

Ishim afërsisht të të njejtit mendim se po përjetojmë kohën e përplasjes së dy filozofive udhëheqëse: asaj globaliste e socialiste të ushqyer me mendime e para nga  multimiliarderët e tipit Soros  dhe asaj konservatore republikane  e atdhetare amerikane  të  kryesuar nga Presidenti Trump.

Në se ndodhi që një polic bëri një gabim dhe nga gabimi i tij humbi jetën një qytetar afrikano-amerikan (ose i ndonjë komuniteti tjetër), polici meriton të ndëshkohet në bazë të ligjeve të shtetit ku ndodhi ose të  ligjit federal. Kjo është plotësisht e drejtë. Por pse me sebepin e kësaj ngjarje  duhet të vriten disa të tjerë,të plagosen dhjetra e qindra  policë e qytetarë të pafajshëm, të  digjen, vidhen e vandalizohen pasuria dhe biznesi i mijëra të tjerëve? Kush qëndron prapa kësaj katraure? Kush paguan për këtë vandalizëm e përplasje civile? Kush është i interesuar për të nxjerrë përfitime politike nga ky rrënim kombëtar i SHBA-së? Në gjykimin tim kjo është e papranueshme  madje e dënueshme, dhe jam tërësisht kundër kushdo qoftë ai (edhe sikur të jetë miku më i madh i Kombit tim).

Por le ta shikojmë problemin pak më gjërë  dhe mbi këtë bazë të përpiqemi  të nxjerrë disa përfundime. 

Kështu që në vitin 2016 kur Trump u zgjodh President i SHBA-së, nga kundërshtarët e tij politik, filloi një fushatë e paparë për largimin e tij nga ky post. Si fillim përpjekjet u bënë me publikimin e disa historive (sajesave)  rozë më shumë se tridhjet vjeçare, vetëm që të mund të baltëzohej figura e Trumpit si njeri e si lider. Më pas u investu në opinion një tiradë e gjatë thëniesh e “argumentash” se Trump erdhi në pushtet me ndihmën e agjenturës ruse, duke i bërë një dëm kolosal prestigjit amerikan në botë, dhe në veçanti shërbimit sekret amerikan. Pastaj u qëllu rëndë (deri në pandershmërinë më të shëmtuar) figura e një antari të Gjykatës së Lartë, (Brett Kavanaugh) vetëm se ai u propozu nga Presidenti Trump. Nuk mjaftuan këto, por kur SHBA-ja  ishte në kulmin e progresit  të saj ekonomik, dhe e përqëndruar të vinte para përgjegjesisë Kinën komuniste për vjedheje të pasurisë intelektuale amerikane, për fshehje të koronavirusit (kësaj arme biologjike që i kushtoi SHBA-së më shumë viktima se lufta në Kore, Vietnam, Irak, Afganista e Siri të marra së bashku). Në kohën që po bëheshin të gjitha përpjekjet për ta detyruar Kinën komuniste të paguante dëmin kolosal ekonomik që i shkaktoi shtetit dhe çdo qytetari amerikan, u desh agravimi i situatës aktuale vetëm që Trump të dobësohet e ti pamundësohet fitorja në nëntorin e ardhshëm. Kjo është thjeshtë e padrejtë dhe e panderëshme.

Administrata Trump (veçanërisht Departamenti i Shtetit), nuk ka qenë gjithnjë dashamirës dhe i predispozuar sa duhet për zgjidhjen e problemeve akute të Kombit Shqiptar. Unë në publikimet e mija e  kam shprehur hapur pa pajtueshmërinë time me to, duke përdorur edhe emra të përveçëm. Këtë do ta bëj edhe në të ardhmen, sepse krahas të qenit taksa pagues amerikan jam edhe shqiptarë me predispozitë të plotë për të ndihmuar Kombin tim. Por, kjo nuk më errëson shikimin për të ardhmen. Përkundrazi midis një qeverie të stërmadhe , paqësore me komunistët kinez, socialiste në përmbajtje, që shton taksat, shkurton vendet e punës , rrit parazitizmin shoqëror e emonomik, mbështet ekstremizmin në demostrata etj, do të zgjedh atë  republikane e Trump që ka si strategji “Keep America Great  again”.

Këtë do të ju a bëj me dije (do ti ftoj)  edhe gjithë bashkombasve të mi shqiptaro-amerikanë e mbi të gjitha miqve të mi vatranë. Kur Amerika është mirë  edhe Kombi Shqiptar është mirë. Ne jemi kombi më pro amerikan në botë dhe nuk do të lëvizim nga ky qëndrim. 

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati, Çmenduri ne demokraci

Nuk ka se si ta dojë Tirana votën tonë…

June 3, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/FLORIDA/

Përfundimisht vendi amë nuk arriti të na mundësoj ne emigrantëve të drejtën e votimit. E ashtuqujtuara reformë zgjedhore na anashkaloi rishtas, madje me një rrudhje buzësh dhe me paraqitjen e politikanit mashtrues klasik që po degradon një nga popujt më vital të Ballkanit Perëndimor, shqiptarët. Dhe ta mendosh që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 ndihma financiare e ofruar nga djersa dhe gjaku i emigrantëve kapi shifra që mundën edhe kontributin buxhetor të vet shtetit. Pa përmendur ndihmën ndër shekuj ku edhe Zotin e kemi institucionalizuar po prej tyre, siç është shembulli i emigrantit politik Fan Nolit etj., me kishën e Shën Gjergjit në Boston më 1935. Shteti amë na anashkaloi rishtas dhe jo pa qëllim, diaspora a emigrantët kudo që janë sado prirjeve politike a bindjeve kurrë nuk do ta mbanin vendin në një tranzicion dekadash, kjo fal përvojës jetësore të demokracive ku ata jetojnë. Kurrë nuk do ta bënin Shqipërinë një tryezë bisedash në një sallon ambasade të huaj pasi do dinin të gjenin gjuhën, do dinin të komunikonin, do dinin ta çonin vendin e tyre aty ku i takon pa ndihmën e asnjë të huaji. Sado socialistë, demokratë, ballistë, legalistë, komunistë…, kudo ku janë u ka rënë bytha në ujë rrugëve të globit. Dhe kanë aq gjoks sa të shohin njëri-tjetrin në sy, ta përqafojnë, t’i hapin derën dhe të qajnë bashkërisht për dertet a poshtërsitë që i kanë shkaktuar vetes dhe vendit. Kjo është përvoja e shtegtarit që aq emocionalisht e shqiptoi qiejve një poet i yti atdhe, ne popull muhaxhir ecim nëpër shi. Ai quhej Bilal Xhaferri, aludonte për Çamërinë, truallin e origjinës, por që aq shumë i shkonte vendit për shtat. Pasi kësisoj jemi dhe jo pak por plot 1.7 milion. Por nuk e kemi të drejtën e votës, nuk na do Tirana. Edhe sot e kësaj dite shqiptarët e vendit amë (se ata në Kosovë e Maqedoni votojnë) fal mutërve të politikës janë gati të vriten për çështjet e popujve në gadishullin arab të Palestinës se sa për fatin e tyre a çifutërinë e tyre nga esnafi politik rrugëve të rruzullit. Përfundimisht vendi amë na degdisi akoma më larg. Dhe shumë syresh mbajnë mend se si i pari i qeverisë e bëri premtim të bujshëm që më 2013, por shpejt e harroi. Nuk harroi të glorifikonte unin edhe me metodat e perëndimit one man show, pasi quan popull teseristët e një formacioni shelegësh. Madje ironia më e madhe është edhe fakti se kemi një gjoja institucion a Ministri të diasporës. Po tashmë nuk është e vështirë për të kuptuar se në zhvillimet pas 90-tës shtetarët nuk e duan, nuk e kanë dashur votën e emigrantit. Jo vetëm të majtët, por edhe të djathtët. Ky është persekutimi klasik dhe më i dhimbshmi ndaj harrojeni vuajtjet nga malet, mes borës, ndjekjen e policive a përndjekjen e të të qenit pa letra botës. Harrojini ose quajeni si asgjë përpara këtyre poshtërsive që na bën vendi amë. Ndaj sot nuk ka faj vetëm ai që qeveris, por edhe opozitarizmi. Diasporën sot më shumë se qeveria e vrau pikërisht opozitarizmi. Një forcë e mefshët që kurrë nuk e njohu sfidën e sojit nga vjen por la të qeverisi për plot 7 vjet një nga fatkeqësitë sociale më të mëdha të këtij fillim shekulli. Një opozitë që kurrë nuk e mësoi se në betejë futesh vetëm me një mendësi, o fiton ose vdes. Për më tepër kur shqiptarët po ktheheshin në një Kolumbi e Eskobarit a Meksika e El Chapos. Për më tepër kur vrasjeve pa emër të rrethinave të Vlorës po u hidhej përsipër imitime asfalti nga gjoja Rio de Zhanjero i largët. Për më tepër ajo pak histori a traditë prindërore me aq sa ishte, me erë vaj kikiriku, por e jona, u rrafshua në emër të një tavoline, sa bëm sonte dhe sa do bëjmë nesër. Ky është vendi jonë të dashur vëllezër emigrantë, më i bukuri në botë. Por i nënshtruar totalisht nga shallvaret, xheli dhe ”mëshironjësit” që ndajnë çanta me ushqime. Nuk na do Tirana vëllezër dhe kjo është e kuptueshme, ujrat do kishin rrjedhur ndryshe.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, tirana

PËRSE BRAKTISET SHQIPËRIA?- “KUÇEDRA” DO TË MBYLL BURIMIN NE SINEC PËR HEC

June 3, 2020 by dgreca

-Një firmë private po tenton t’ua marrë banorëve ujin e Sinecit në Kuçovë, për të ndërtuar një HEC, edhe pse ky burim është shpallur “Monument Natyror”, me VKM.Nr. 676. dt. 20.12,2002./

-Kjo zonë ka axhendë të pasur turistike për shkak të bukurive natyrore, ushqimeve bio, trashëgimisë historike, shpellave, kanjoneve, fragmente muresh të vjetër etj. Këtu vijnë turistë nga Gjermania, Zvicra, Çekia, Franca, Turqia, Amerika e Italia…

Nga Sulo Gozhina/

LUMAS – E keni dëgjuar atë përrallën me Kuçedër që zë ujin e fshatit? Pak a shumë kjo po ndodh edhe në Lumas, bashkia Kuçovë, në qarkun e Beratit. Janë me qindra banorë, të rinj, të moshuar, gra dhe fëmijë, të cilët u mblodhën tek i vetmi burim uji në zonën e tyre, i njohur brenda dhe jashtë kufijve të vendit si “burimi i Sinecit”. Arsye e këtij tubimi është se dikush i ka lajmëruar banorët se tek burimi janë parë njerëz të panjohur që bënin matje, edhe pse ishte shpallë karantina nga Qeveria Rama.  Po siç duket këta e kishin lejen në xhep. Burimi I Sinecit është vetë jeta e banorëve. Mirëpo Qeveria ka evndosur që t’ia japë një firme private, e cila do ta përdorë për devijimin e ujit dhe ndërtimin e një HEC-i. Ndaj shkaku i kësaj proteste është bërë uji i Sinecit i cili rrjedh nga burimi me të njëjtin emër. Banorët shprehen të shqetësuar se marrja e këtij burimi shaktërron totalisht fshatin dhe zonën e më gjerë, shkatërron florën e faunën. 
 Në këtë tubim banorve të zonës u është bashkur edhe Profesor Sazan Guri, një nga zërat e fuqishëm të ambientalistëve, i cili është totalisht kundët shkatërrimit të kësaj zone të virgjër dhe turistike, pa harruar se me një veprim të till shkatërrohet flora dhe fauna e krej kësaj zone, që fillon në zonën e Lapardhas me mbi 6 mijë banorë e përfundon në zonën e Gramshit. Janë banorët e zonës që me shpenzimet e tyre dhe me punë vullentare ndërvite kanë bërë edhe rrugën prej më shume se 7 km deri tek burimi pasi më pare ishet shumë e vështirë të vije tek burime sepse ka pasur vetëm rrugë dhish. Në këtë protestë banorët kanë shkruajtur dhe pankarta, si: “Larg duart nga Sineci”, ..ose “Sineci është Yni” ,”Sineci është jeta jonë” etj…etj. Banorët pohojnë për medien e shkruar dhe atë vizive se vetë fshati ynë e ka emrin Lumas, pra vendi që rron me këtë burim ujor, po na morën edhe këtë burim , na marrin jetën….

Banorët e zonës tregojnë se ujin e këtij burimi e përdorin jo vetëm për të pirë njerëzit, por dhe si burim kurativ, për tu kuruar e shëruar nga ekzemat të llojeve të ndryshme dhe mbi të gjitha për të ujitur tokat e tyre me sipërfaqe prej mbi 120 hektar, pa harruar këtu se dhe bagëtitë aty pijnë ujë. 

Ky vend është i frekuentuar nga turistët – Sipas pohimit të banoreve janë me qindra turistë vendas dhe të huaj, cilit nëpërmjet guidave turistike kanë mbrritur në këtë vend turistike, të begatë e të virgjër.

Aty është ndërtuar edhe një pikë turistike prej njërit nga banorët e zonës, Sokol Shurdha, i cili  tregon për gazetën se të gjitha të ardhurat familjare për rreth 20 vjet në emigracion i kanë hedhur këtu. 

Në këto pak vite me mundin e me djersën time e të familjes, ne kemi investuar gjithçka. Ka kohë që këtu vijnë turistë nga Gjermania, Zvicra, Çekia, Franca, Turqia dhe nga Amerika e Italia etj., thotë Shurdha.

Ata janë bërë dhe miqtë tanë dhe çdo sezon na marrin në telefon, bëjnë prenotimet. Edhe për këtë vit i kanë pronotuar dhe i kam të zëna të gjitha javët, duke filluar nga korriku e deri në dhjetor, pasi këtu bëhet turizmi gjithëvjetor. Turistët kënaqen jo vetëm me pamjet e bukura të natyrës së mrekullushme, por dhe ushqimet e shijshme bio, gatimet e traditës. Asnëj ushqim nuk e blejmë në treg, por e prodhojmë këtu.Këtu rriten të gjitha pemët që nga qershia, mani, fiku, kumbullat, rrushi,dardha, por edhe pemët e egra që janë shumë të kërkuara si thana, larushku, gorrica, por edhe të gjitha perimet e buta dhe të egra.


            Por si për çudinë e rastit si dhe veprohet kudo në Shqipëri ditët e muajt e fundit në këtë vend përrallor, fsheurazi edhe pse është e ndaluar të lëvizin për shkak të Covid-19, vijën grupe të ndryshme me litar e me metra në duar dhe kanë filluar matjet në këto burime. Veprime që i mbajnë të fsheta për banorët e zonës e më gjerë, madje në ndihmë të tyre ditët e fundit ka ardhë edhe policia, e cila kur banorët kanë dashur ti përzënë prej burimit, për veprimet e tyre të fshehta e tinëz, uniformat blu u kanë ardhur në ndihmë, madje edhe duke shoqëruar disa nga banorët e zonës, por që më pas i kanë liruar. Banorët kanë bërë disa herë ankesa, por zëri tyre ka vajtur në vesh të shurdhër. Banorët janë ngritur në protestë për këtë problem tepër jetik të tyre duke pohuar se: ”jeta jonë është ky burim, ne nuk mund ti lejojmë t’na e marrin”. Burimi i Sinecit është nje nga burimet më të bukura në zonë. 

Ata janë ankuar dhe ankohen, por askush nuk I dëgjon. Duket se qeverinë vendore me leje nga lart, e kanë me vete ata që duan t’ua rërmbejnë ujin. Kanë shkuar edhe tek kryetari i bashkisë Kreshnik Hajdari, por ai i ka kthyer mbrapsht me argumentin se: Kemi projekt, do ta zbatojmë projektin…”

Nëse na merret ky uji, zona vdes, se ai është burim jete si për banorët, për bagëtinë, për bimët, u pret rrugën turistëve, me një fjalë, për gjithçka është jetë ky uji, thotë Sokol Shurdha.

        Paradoksi qëndron në faktin se Burimi i Sinecit vite më parë është shpallur “Monument Natyror”, me Vkm.Nr. 676. dt. 20.12,2002. Sokol Shrurdha tregon se zona ka një guitë shumë të mirë turistike, pasi në këtë zonë ndodhen disa shpella,kanione, mure e fragmente muresh të vjetër, që tërheqin turistët. Ai përmend  toponime të tilla me vlerë si Kasha e Kaurit, Shpella e Xhinxhilesë, Kanionet e Sinecit, Mali i Goricës, Kisha te Mulliri, Shpella e Katundasit etj…

Nëse na e marrin me forcë burimin e jetës stonë, ne më mirë të largohemi, thonë banorët.Po ku? Qeveria e di….

Dhe ne pyesim: Përse braktiset Shqipëria nga Shqiptarët?

Filed Under: Komunitet Tagged With: Firma Private, Protesta, Sineci, Sulo Gozhina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT